New York, 27 janar 2018: Portretin e Gjergj Kastriot-Skenderbeut e kisha parë për herë të parë në shtëpinë e Kolë Gegajt. Isha fëmij i vogël. Shtëpia e tij dhe shtëpia jonë ishin afër dhe përveç tjerash Kolë Gegaj ishte nipi ynë. Kolë Gegaj ishte shumë i arsimuar. Ai ishte shkolluar në Gjimnazin Françeskan të Shkodrës. Kolë Gegaj ishte shumë i ditur dhe orator. Ishte atdhetar e fetar. Në murin e dhomës së pritjes mbante Kryqin e Jezu Krishtit dhe fotografinë e Skenderbeut. Në Gjimnazin Frannçeskan të Shkodrës kishte mësuar shumë për historinë e popullit shqiptar dhe për Skenderbeun. Kolë Gegaj fliste me shumë dashuri e respekt për Drejtorin e Gjimnazit Françeskan të Shkodrës At Gjergj Fishtën. Vëllau i tij, At Athanas Gegaj kishte mbaruar këtë Gjimnaz dhe pas studimeve të larta teologjike në Itali kishte mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratit në Universitetin Louvain të Belgjikës me titull: “Invazioni Turk i Shqipërisë në Shekullin XV” (L’Albanie et I’Invasion turque au XV Siecle). At Athanas Gegaj e kishe mbrojtur tezën e tij të doktoratit në vitin 1936 dhe vitin 1937 kjo vepër ishte botuar në Paris, dhe ishte pritur mirë nga historianët shqiptarë dhe të huaj. Imzot Noli, e kishte cilësuar si veprën mbase më të mirë për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbeun.
Disa vise të Veriut të Shqipërisë kishin ruajtur shumë kujtime për trimin tonë legjendar. Ndonjë familje fisnike e Veriut pretendonte se ishte pasardhëse e Skenderbeut. Kujtimet për Kastriotin nuk u shuan kurrë në trojet tona. Malësitë e Veriut e kishin përjetuar rëndë vdekjen e tij. Bile ato përjetime të dhimbshme u trashëguan brez pas brezi. Deri vonë gratë malësore shqiptare mbanin rrobe të zeza për vdekjen e tij. Burrat e maleve tona ishin krenar për qëndresën heroike antiotomane të Skenderbeut. Në vendlindjen time emri Gjergj ishte pothuajse i domosdoshëm në çdo familje. Në fund të shekullit XIX Marash Marku i Trieshit i kishte folur me shumë respekt juristit të famshëm kroat Dr.Valltezar Bogishiqit për Gjergj Kastriot Skenderbeun. Kolë Gegaj dhe Gjo’Gjeka kishin mësuar shumë për Skenderbeun. Gjo’Gjeka fliste për Skenderbeun kudo dhe kurdo. Nuk ndalej kurrë. Për Gjo’Gjekën Skenderbeu kishte qënë Zoti i tokës. S’ka asnjë dyshim se Trieshi kishte fituar shumë respekt për heroin tonë kombëtar edhe nga dy mësuesit e vjetër dhe patriot.
Pas rënjes nga pushteti të Aleksandër Rankoviqit në vitin 1966, shqiptarët në ish Jugosllavi fituan disa të drejta, Ata u lejuan nga pushteti jugosllav të kremtonin solemnisht 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skenderbeut në të gjitha trevat shqiptare në ish Jugosllavi. Në atë kohë u përkutjua 500-vjetori i tij edhe në qendrën e Malësisë në Tuz, ku kishin marrë pjesë intelektualë e historianë nga të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi. Në vitin 1968 Drejtoria dhe Këshilli i Arsimtarëve të Shkollës së Trieshit kishin bërë lutje në Ministrinë e Kulturës të asaj republike për emërimin e kësaj shkolle. Ministria në fjalë e pranoi propozimin e tyre dhe qysh atëherë e sot kjo shkollë mban emërin e Gjergj Kastriotit. Askush, bile as ata që kishin lidhje me pushtetin nuk e kundërshtuan këtë propozim. Kështu kishin vepruar edhe krajanët, pasiqë edhe ata i dhanë shkollës tetëvjeçare të Ostrosit emërin Gjergj Kastriot Skenderbeu.
Në janar të vitit 1968 isha student në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë. Kosova ato ditë kishte organizuar një simpozium të madh në kryeqytetin e saj kushtuar 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut. Në atë konferencë shkencore ishin ftuar shumë historianë nga vende të ndryshme të botës. Delegacionin e historianëve të Shqipërisë e drejtonte Profesor Dr. Aleks Buda. Bile një natë para se të fillonte konferenca një grup studentësh u takuam me Aleks Budën dhe shokët e tij. Profesor Buda ishte shumë i përzemërt. Na foli shoqërisht për mrekullitë e Skenderbeut. Dhe një ditë para se të fillonte Konferenca u zhvilluan ceremoni të ndryshme për nder të pjesëmarrësve. Në teatrin e qytetit u dha një shfaqje teatrale për Skenderbeun. Hasan Salaj luajti rolin e Skendërbeut në atë shfaqje.U pëlqye shumë roli i tij, sidomos zëri i tij i fuqishëm.
Të nesërmen filloi punimet Simpoziumi kushtuar 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut. Simpoziumi zgjati dy ditë. Ashtu siç pritej në këtë konferencë u shqua Profesor Aleks Buda. Ai dhe disa të tjerë cituan disa herë veprën historike të Athanas Gegaj “Invazioni Turk i Shqipërisë në shekullin XIV”. U ndjeva mirë sepse Dr.Gegaj ishte i familjes sime.
Ato ditë e gjithë Kosova kishte festë. Filmi “Skenderbeu” të cilin e sollën historianët nga Shqipëria u shfaqë në Prishtinë dhe në të gjitha qytetet e Kosovës. Ky film është parë më shumë se asnjë film tjetër në Kosovë. Ata kishin sjellur edhe libra për historinë e Shqipërisë dhe të Skenderbeut. 17 janari i vitit 1968 hapi një dritare të re për frymëmarrjen kombëtare të Kosovës. Ligjeratat për trimëritë e tij legjendare zgjuan një herë e përgjithmonë ndjenjën e dashurisë kombëtare të popullit shqiptar në ish Jugosllavi. Skenderbeu dhe veprat e tij ishin frymëzim për lirinë e Kosovës. Ky gjigand i historisë njerëzore u bë simbol i qëndresës shqiptare. Emri i këtij titani kishte qënë frymëzim për liderët politikë dhe për komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pasi kishte mbaruar simpoziumi disa profesorë të njohur të Kosovës midis tyre edhe Ali Hadri kishin udhëtuar për në Palermo të Italisë për të marrë pjesë në një akademi tjetër shkencore për 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit. Dijetarët e Kosovës ishin takuar atje me shumë arbreshë e shqiptarë, midis tyre Profesor Ernest Koliqin dhe Profesor Martin Camaj dhe shumë patriotë tjerë që ishin larguar nga tokat shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në janar të vitit 1968 Papa Pali i VI kishte thënë meshë për Skenderbeun në Kishën e Shën Pjetrit. Në atë meshë solemne kishin marrë pjesë shumë shqiptarë nga Evropa, bile edhe nga Shtetet e Bashkuara. Dërgatën e shqiptarëve të Amerikës në Vatikan e drejtonte kryetari i “Vatrës” Petar Çikos, ku bënte pjesë edhe biznesmeni i njohur Anthony Athanas.
Në janar të vitit 1970 u vendosa në Itali në një qytet të vogël në periferi të Romës. Gjatë kohës sa qëndrova në Itali kisha takuar shumë arbreshë. Ata flisnin arbërisht. Natyrisht se kishim vështirësi për t’u marrë vesh. Kur dëgjonin se ne flisnim shqip ata ishin të lumtur dhe qëndronin pranë nesh dhe në sytë e tyre rrezatonte dashuria vellazërore. Ata tregonin për historinë dhe origjinën e tyre komëtare. Ishin kryelartë për Gjergj Kastriotin. Ata deklaronin me kënaqësi se ishin shqiptar nga “Dera e Famshme e Gjergj Kastriot Skenderbeut”. Këndonin këngë arbëreshe, për Morenë dhe heroin e tyre legjendar Skenderbeun. Ata kishin qënë ndihmesa e parë për ne në Itali. Ata na kishin treguar për “Sheshin Albania” dhe për përmendoren e Skenderbeut në Romë. Pas disa ditësh e vizituam këtë shesh historik. “Sheshi Albania” ishte për shqiptarët si një tokë e shejtë pikëtakimi.
Në fund të shtatorit 1970 imigruam në Shtetet e Bashkuara. Këtu në Amerikë gjeta historianin e njohur të Skenderbeut, Dr. Athanas Gegaj. Në atë kohë Athanas Gegaj ishte editor i gazetës “Dielli” dhe sekretar i “Vatrës”. Pasi arrita në Amerikë i shkrova një letër. Pas disa ditësh u përgjegj me një letër shumë të dashur dhe emocionale. Në atë letër nipi ynë Athanas Gegaj e kujtonte me shumë dashuri dajën e tij Pjeter Lukën Gjonlekaj. Athanas Gegaj evokonte shumë kujtime të bukura për dajën e tij të dashur. Bile e kishte shënuar ardhjen tonë në Amerikë në faqen e parë të gazetës “Dielli”. Ai ishte vendosur në Boston me pëlqimin e Imzot Nolit. Më në fund dy historianët më të mirë të Skenderbeut u bashkuan në Boston. Punuan dhe vepruan bashkë deri kur Fan Noli ndërroi jetë në mars të vitit 1965. Dr. Gegaj e qajti me lot në gazetën “Dielli” humbjen e tij. Ditën e parë që vizitova Bostonin bleva “Historinë e Skenderbeut” të Imzot Nolit. Shqiptarët e vjetër të Bostonit tregonin se Imzot Noli e kishte pagëzuar “Katedralen Shën Gjergji” sipas heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbeut. Në vitin 1976 disa shqiptarë të Amerikës kishin paraqitur idenë për ndërtimin e një monumenti në Amerikë për heroinë tonë kombëtar. Unë e pëlqeva shumë këtë ide. Bile shkrova nje artikull në mbështetje, që u botua në gazetën “Dielli”. Ky ishte shkrimi im i parë dhe hapi i parë në gazetari. Skenderbeu kishte qënë hije mirë për mua. Me dashurinë dhe resepktin për heroin tonë kombëtar e fillova këtë profesion. Pra frymëzimi im për atë shkrim kishte qënë Skenderbeu. Edhe malësorët shqiptar të Amerikës kishin respekt për Skenderbeun. Ata e kishin vendosur figurën e tij në dritaret speciale të pikturuara të Kishës së Shën Palit në Detroit, ashtu siç e kishin vendosur edhe portretin e Nënës Tereze. Para shumë vjetësh malësorët e Malësisë së Madhe ngritën në oborrin e Kishës së Re të Shën Palit në Detroit përmendoren e Gjergj Kastriotit. Në ceremoninë e përurimit kishte marrë pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu.
Gjatë kohës kur isha në Zërin e Amerikës kisha intervistuar shumë shqiptaro-amerikanë, bile disa nga ata kishin lindur në Amerikë. E kujtoj me shumë respekt intervistën me të ndjerin Joe Kovach, kryeredaktor i gazetës “Daily News” në New York. Ai ishte vëllau i gazetarit të famshëm amerikano-shqiptar Bill Kovach. Joe Kovach e kisha mik dhe e kisha vizituar disa herë në zyrë dhe në shtëpi. Gjatë intervistës e kisha pyetur për jetën që bënin në atë kohë shqiptarët e Amerikës dhe kush kishte qënë heroi i tyre kombëtar në kohën e rinisë së tij. Ai tregonte se të gjitha grupet etnike i kishin heronjët e tyre të origjinës kombëtare. Ne shqiptarët e një shkolle të mesme të Minesotës ishim kryelartë për Skenderbeun. Fama e tij në atë kohë po përhapej në të gjitha shkollat amerikane ku mësonin shqiptarët. Emri i tij ishte bërë i njohur edhe në disa universitete, bile edhe në akademinë më të madhe ushtarake të Amerikës “West Point”. Për Gjergjin tonë kishin shkruar poetë dhe filozofë të njohur: Henry Longfellow dhe Waldo Emerson.
Me 17 janar 1991 kishte filluar lufta në Gjirin Persik kundër Sadam Huseinit. Ishte ditë e hënë. Në zyrën qëndrore të Zërit të Amerikës u mbajt një mbledhje për fillin e Luftës së Gjirit. Unë si shqiptaro-amerikan u tregova të gjithëve se pikërisht në këtë ditë në vitin 1468 kishte vdekur heroi kombëtar i popullit shqiptar Gjergj Kastriot Skenderbeu. Ai kishte luftuar kundër atyre hordhive që do të luftojë Amerika sot. Edhe emri i tij ishte njësoj si emri i Presidentit të Shteteve të Bashkuara në atë kohë. Gjergj Kastrioti dhe George Washingtoni nderohen ashtu siç nderohet edhe Shën Gjergji. Për shqiptarët tre “gjergjat” janë si një trini e shejtë. Gjergj Kastrioti kujtohet për ditën e vdekjes ashtu siç kujtohen njerëzit e shejtë. Disa historianë thonë se Gjergj Kastrioti i plotëson kushtet për t’u shpallur i shejtë. Kur kaloj pranë OKB-s dhe e shoh në oborrin e saj monumentin e Shën Gjergjit në luftë me kuçedrën më kujtohet heroi ynë kombëtar. Me këtë emër të madh u rritëm dhe po plakemi. Shumë herë gjetëm pushim e qetësi nën hijen e këtij titani, pranë këtij kolosi e trimi legjendar.
Para 20 vjetësh në Gjenevë të Zvicrës u përurua një bust i Skënderbeut. Në atë ceremoni kishin marrë pjesë Presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani, Dritëro Agolli dhe Arta Dade. Në Universitetin Popullor të Kosovës u mbajt një takim ku kishin marrë pjesë shumë shqiptar sidomos nga Kosova. Kisha shkuar në Gjenevë për të marrë pjesë dhe për ta pyetur Presidentin e Shqipërisë, Rexhep Meidanin, si është e mundur që ju vini këtu në Gjenevë për të nderuar heroin tonë kombëtar, ndërsa në Tiranë në Fakultetin e Filologjisë, Hysamedin Ferraj mbron tezën e doktoratit ku përdhoset figura e Skenderbeut. Presidenti nuk kishte dijeni për këtë dhe iu lut Arta Dades nëse ajo kishte informata për këtë çështje. As ajo nuk kishte dijeni për këtë punë. Më vonë Profesor Shaban Sinani kishte botuar një libër ku midis tjerash e kishte komentuar gjërsisht edhe pyetjen time.
Pas rënjes së diktaturës vizitova Shqipërinë. Ditën kur e shkela me këmbët e mia tokën shqiptare e kutoj si ditën më të lumtur të jetës. Pavarësisht se vendlindja ime është vetëm 10 kilometra nga kufiri shtetëror me Shqipërinë, atë ditë u ndjeva më mirë se kurrë. Një ditë pas arritjes në Tiranë u nisa për në Lezhë dhe Krujë për të parë me sy dhe për të prekur me dorë historinë e Gjergj Kastriot Skenderbeut. Atë ditë teoria u shndërrua në praktikë dhe imagjinata në realitet. Populli shqiptar brënda e jashtë atdheut do të bënte vepër të madhe me rastin e 550-vjetorit të vdekjes nëse do t’i gëdhente heroit tonë një monument gjigant në Mal të Tomorrit, të Veleçikut ose në Mal të Pashtrikut. Edhe shqiptarët duhet të kenë një “Mount Rushmore” të tyre.
Postime të Lidhura
SHERADIN BERISHA: UKSHIN HOTI, EMBLEMË E FILOZOFISË POLITIKE SHQIPTARE
Pashtriku.org, 16. 05. 2015 – Ukshin Hoti u lind më 17. 06. 1943 në Krushë të Madhe. Shkollën…
UKSHIN HOTI: MBI KARAKTERIN AUTENTIK TË DEMOKRACISË NË KOSOVË
Pashtriku.org, 15. 05. 2016 – (Përse Demokracia autentike?) – Një akademik i shquar, mik i imi i vjetër,…
UKSHIN HOTI – NJERIU LEGJENDË I KOSOVËS
Pashtriku.org, 16. 05. 2014 – Pyetjes së motrës Myrvete për gjalljen apo mortin e vëllait të dashur –…
NË NDERIM TË SHENJTORES NËNË TEREZA
Në nderim të vlerave bamirëse të shenjtores së të varfërve dhe misionares shqiptare, Nënë Terezës Nga Gjekë Gjonaj…