JENI – SHQIPTARJA E ARSIMUAR BRENDA DHE JASHTË SHQIPËRISË – SHEMBULLI MË I MIRË NË BRITANI

Pashtriku.org, 22. 04. 2014 – ALBANIANWOMAN: Në fillim dy fjalë për veten – Kush është Jeni? M.MYFTARI: Më quajnë Myzejen Myftari, ose Jeni Myftari, siç më thërrasin të afërmit, shokët, miqtë dhe pothuajse të gjithë britanikët këu. Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Vij nga një familje qytetare tiranase, me tradita të thella atdhetare dhe fetare, cilësi të cilat me shumë përkushtim na i kanë mëkuar mua dhe vëllait tim, Bledarit. Lindur dhe rritur gjatë periudhës së monizmit, e arsimuar jashtë dhe brenda Shqipërisë, specializuar në fusha që vështrojnë nga pika krejt të ndryshme me njëra tjetrën, një udhëtare e përherëshme nëpër botë, njohëse e kulturave dhe gjuhëve të ndryshme, mund të them se jeta ime është një varietet i plotë. Aq shumë ndryshime kanë ndodhur në jetën timë sa shpesh më duket se kam mbi një shekull që kam lindur. Në mars të 1992 udhëtova për në Kairo, bashkë me vëllanë dhe me katër shoqe, të gjitha nga Tirana. Në Kairo mësuam gjuhën Arabe, pranë Universitetit të Al Az’harit. Më pas udhëtuam grup, për në Jordani ku kreva studimet në Jurisprudencë Islame dhe Gjuhë Letërsi Angleze. Në 1998 u kthyem në Tiranë. Lufta e Kosovës më gjeti N.Kryetare të Gruas në Komunitetin Mysliman dhe mësuese të lëndëve juridike në Medresen e Durrësit e të gjuhës Angleze në Medresen e Tiranës. Veç punës së përditëshme iu përkushtuam të larguarve nga Kosova, që u strehuan në vakëfet shqiptare. Kanë qenë kohë të rënda, që kërkonin shumë energji dhe përkushtim. Në 2000-shin fillova punë në Ambasadën e Arabisë Saudite ku punova deri me ardhjen time në Britani.


Myzejen (Jeni) Myftari

 ALBANIANWOMAN: Si e mbani mend ardhjen tuaj të parë në Londër – çfarë ju shtyu të merrni vendim që të jetoni këtu?
M.MYFTARI:
Për herë të parë në Londër kam ardhur në vitin 2003. Jam diplomuar në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Jordani dhe më duhej t’a mbroja gjuhën në një universitet të një vendi anglishtfolës. Atë kohë punoja si Këshilltare Politike në Ambasadën e Arabisë Saudite në Tiranë dhe gjatë fundjavave punoja si punonjëse sociale për programin e Edukimit të Jetimëve, me një organizatë bamirëse Britanike. Duke patur këto mundësi e pata shumë të lehtë të aplikoj për vizë, veç kësaj kam bindjen personale se gjuha mësohet dhe perfeksionohet në vendin e saj të origjinës.
Lidhur me pyetjen tuaj se çfarë më shtyu të marr vendimin për të jetuar në Britani, mund të them se nuk ishte një vendim i imi, por një vendim i paracaktuar nga Zoti. Thjeshtë, ishte e shkruar të martohesha me një shtetas shqiptaro-britanik, i cili jeton dhe punon në Londër, që prej 22 vitesh.
ALBANIANWOMAN: Sa e vështirë ka qenë për ju që të përshtateni me botën londineze?
M.MYFTARI:
Nisur nga fakti se nuk kam patur problem me gjuhën dhe se në Britani kam qenë edhe dy herë të tjera para martesës sime, më 2009, kohë nga e cila jetoj në Britani, mund të them se nuk e kam patur të vështirë të përshtatem me jetën e këtushme. Londrën e njihja si qytet, ndërsa si njerëz mund të them se nuk i njoh mirë akoma, as sot. Në Britani mund të takosh dhe të krijosh me lehtësi shoqëri me britanikët, por nuk është aq lehtë të krijosh shoqëri me anglezët. Ata janë më konservatorë në kuptimin e shoqërisë. Edhe nëse i njeh, mbetesh i njohuri i tyre por nuk do të thotë se je miku i tyre.
ALBANIANWOMAN: Ju ndërkohë edhe studioni – mund të na flisni pak për studimet tuaja?
M.MYFTARI:
Po vërtet, kam në dorë një Master, të cilin për momentin e kam ndërprerë për arsye financiare. Ky është Master në Diplomaci Ndërkombëtare të cilin po e bëj në Akademinë Diplomatike të Londrës, pranë Universitetit East Anglia. Diplomacia është fusha në të cilën kam punuar për dhjetë vite në Tiranë, deri ditën që udhëtova për Britani. Për hir të së vërtetës, Diplomacia Ndërkombëtare nuk është aspak fushë e re për mua, por këtë herë kam patur mundësinë ta shoh nga një këndvështrim ndryshe prej studimeve të mëparëshme, nga këndvështrimi i një vendi anëtar të BE dhe konservator në pikëpamjet e tij, në të njejtën kohë.
ALBANIANWOMAN: Jeni bashkëshorte e një diplomati – si do ta përshkruanit jetën tuaj së bashku?
M.MYFTARI:
Të jesh bashkëshorte e një diplomati nuk është aspak e lehtë. Në planin personal të duhet të bësh shumë sakrifica duke filluar që nga pritjet e stërzgjatura për shkak të vonesave me karakter pune të bashkëshortit e duke vazhduar më pas me atë që është shumë e rëndësishme në jetën e një njeriu; kariera personale. Bashkëshortes së një diplomati, në të shumtën e rasteve, i duhet të heqë dorë nga kariera personale për hir të karierës së bashkëshortit.
Përsa i përket jetës sonë së bashku, mundohemi ta bëjmë sa më të gjallë, larg rutinës së përditëshme. Ka ditë që janë shumë intensive dhe të mbushura me aktivitete sa nuk të mbetet pothuajse aspak kohë as për vete e as për familjen ashtu siç ka ditë që janë më të qeta.
Kemi shumë të përbashkëta me Bejton që i ndajmë me njëri-tjetrin. Përveç diplomacisë ajo që na bashkon të dyve është edhe dëshira dhe pasioni për të studiuar. Atë pak kohë që kemi në dispozicion së bashku, e kalojmë duke u konsultuar e biseduar për tema nga më të ndryshmet, më së shumti që kanë të bëjnë me historinë e shqiptarëve, me kërkimet në arkiva dhe biblioteka të ndryshme, ose ulemi pranë kompjuterit në kërkim të gjurmëve të historisë së harruar të shqiptarëve. Të shtunat zakonisht i kalojmë në Arkivin Kombëtar Britanik ose në bibliotekë, gjithmonë në kuadër të studimeve apo në kërkim të burimeve historike. E djela është dita që tërësisht ia kushtojmë familjes.
ALBANIANWOMAN: Sa ka ndryshuar jeta juaj në Angli krahasuar me atë në Shqipëri? Cili është ndryshimi?
M.MYFTARI:
Nëse kërkohet një përqindje për të bërë krahasimin, atëherë do të thoja 100%. Mund të them prej fillimit se më mungon Tirana. Në Tiranë kam patur një jetë shumë aktive.
Pas një kohe të gjatë studimi dhe experience, pata krijuar karierën time në katër plane njëkohësisht; atë të Jurisprudencës Islame, të fushës së Diplomacisë, drejtuese e një program edukimi për fëmijët jetimë dhe studente (në 2002 kam mbrojtur Masterin për Jurisprudencë Islame në Kairo, më 2008 kam kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, pranë Universitetit të Tiranës dhe në 2009 kam mbrojtur masterin për Marëshënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Strugë), krejt të kundërta në dukje, por që me personin tim përshtateshin plotësisht. Kam qenë gjithmonë në lëvizje, nuk kisha kohë të pushoja kurrë. Punoja nga e hëna në të hënë. Pasditeve i ipja një dorë mamit në shtëpi, mbrëmjet ishin të mbushura me aktivitete shoqërore. Dua të theksoj se kemi patur gjithmonë të njejtën shoqëri me vëllanë, kështu që dhe lëvizjet bëheshin shumë më të lehta. Linim takim në shoqërinë në qendër të Tiranës, por shpesh përfundonim duke pirë kafe në Durrës. Pas darke gjithmonë kam studiuar. Më pëlqen të studioj natën, kur të tjerët flenë dhe është qetësi e plotë. Gjumë flija fare fare pak, por isha shumë e lumtur dhe e suksesshme. Kur erdha në Britani të gjithë më thanë se nuk do të kisha asnjë problem për punësim, pasi kisha njohuri dhe eksperiencë në dy fusha shumë të rëndësishme për këtë vend; atë të Jurisprudencës Islame dhe të Diplomacisë, një kombinim mjaft i kërkuar në një vend multikultural si Britania. Por realiteti ishte krejt ndryshe. Vendosja ime në Britani përkoi me fillimin e krizës financiare në këtë vend. Shumë institucione u mbyllën dhe për pasojë me mijëra e mijëra vende pune u shkurtuan dhe vazhdojnë të shkurtohen dita-ditës. Ajo që mund të them është se edhe pse tashmë jam shtetase Britanike, akoma dhe sot, jam pa punë. Bëj punë të shumta vullnetare, veçanërisht me komunitetin por ajo që është e rëndësishme, një punë me pagesë, nuk e kam gjetur. Kam bërë me mijëra aplikime online, pothuaj në të gjitha organizatat që merren me të Drejtat e Njeriut, Grave, Fëmijëve, me çështjet e emigracionit, në Universitete të ndryshme, institucione diplomatike etj., por duket edhe këtu sistemi funksionin njëlloj si kudo; duhet të njohësh dikë nga brenda ose … të kesh shumë fat.
Përsa i përket jetës shoqërore mund të them me plot gojën se, përveçse më mungon familja ime, më mungon edhe jeta, hareja dhe shoqëria e Tiranës.
ALBANIANWOMAN: Sipas jush cili është ndryshimi mes grave shqiptare që jetojnë në Angli dhe atyre që jetojnë në Shqipëri e Kosovë?
M.MYFTARI:
Pyetje shumë e vështirë për të dhënë një përgjigje difinitizuese. Në përgjithësi nuk më pëlqen difinitizimi pasi më duket se duke përkufizuar një fenomen, lemë jashtë, shumë prej realitetit të tij.
Para se të them ndryshimin mes shqiptareve në Britani dhe atyre në vendin e origjinës, Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni (që shpesh harrohen ose nënkuptohen kur përmendim Kosovën) më duhet të them se paçka vendit ku jetojnë femrat shqiptare kanë mentalitet dhe mendësi të ndryshme në varësi të vendit të origjinës nga vijnë.
Kam patur mundësi të jetoj pranë komunitetit shqiptar të Kosovës dhe Maqedonisë që prej vitit 1992 e në vazhdim. Pas martesës sime, më 2009, kam patur mundësi t’a vëzhgoj më nga afër këtë komunitet, jo vetëm për faktin se këtu në mërgim njerëzit sikur ndihen të afërm me njëri-tjetrin por edhe për faktin se bashkëshorti im është nga Prizreni.
S’di ç’të them…! Më duket (mbase jam gabim por është mendimi im personal) se shqiptaret e Shqipërisë, në përgjithësi, janë më mendjehapura, më të prirura për të pranuar ndryshimet, më luftarake dhe kanë ambicje për të ecur përpara, ambicje këto të cilat përpiqen shumë për t’i realizuar. Vështrimi i tyre është drejt arsimit, jo vetëm për fëmijët por edhe për veten e tyre. Edhe pse të përkushtuara ndaj familjes dhe fëmijëve, nuk mënojnë të përballen me sfidat e të ecurit përpara. Janë, si i thonë fjalës, edhe të shkollës e karierës edhe të shtëpisë.
Jo e njejta gjë ndodh me masën e femrave që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia. Sipas meje, duke ardhur në origjinë nga një ambjent më konservator ato e kanë më të vështirë të dalin jashtë këtij ambienti, edhe pse jetojnë në një vend multikultural si Britania. Mendoj se shqiptaret e Kosovës dhe Maqedonisë janë më tradicionale, vërtet dashamirëse ndaj arsimit të fëmijëve, por pjesa më e madhe nuk bëjnë përpjekje për arsimin apo ndërtimin e një karriere profesionale. Kjo, jo pse ju mungon aftësia por mbase jo të gjitha i kanë mundësitë për ta bërë këtë. Duket se kjo gjendje, më shumë se përzgjedhje personale është përzgjedhje e bashkëshortëve të tyre apo e familjes së bashkëshortit e rrethit ku ato jetojnë, që nuk i le të lira as këtu në Britani. Shqiptaret e Kosovës dhe Maqedonisë sikur janë më tradicionale dhe janë më shumë të përkushtuara pas familjes se pas përparimit të tyre. Në fund gjithçka mvaret nga ajo që njeriu kërkon nga vetja.
Por gjithsesi, pesha kryesore në këtë frenim të femrës shqiptare, për të ecur përpara, i bie konservatorizmit të burrit, në pikpamjen ndaj bashkëshortes. E përgjithshmja e meshkujve shqiptarë, paçka se nga vijnë, është se ata mundohen të tregohen dhe sillen shumë liberalë në shoqëri, por kur vjen puna tek bashkëshortja, një pjesë e mirë e tyre, madje dhe intelektualë, i kthehen Kanunit të Lekës.
ALBANIANWOMAN: A ka ndryshim ndërmjet femrave shqiptare në Britani dhe atyre që jetojnë në vendet e origjinës?
M.MYFTARI:
Po sigurisht që ka dhe këto ndryshime janë të shumta. Mundësitë që ofron Britania janë më të shumta se ato që ofrojnë vendet e origjinës. Duke patur në mendje faktin që pjesa më e madhe e shqiptarëve këtu ne Britani, vijnë nga zonat rurale, mund të them se në jeta e pjesës më të madhe prej tyre ka ndryshuar ndjeshëm. Femrat, në veçanti, nuk janë më ato nuset shtëpiake që kanë qenë në vendlindje, por mundohen të ndryshojnë vetveten dhe familjen duke ju përshtatur vendit ku jetojnë dhe kulturës së këtij vendi.
Nuk dua që dikush të preket dhe ta marri pesonal këtë opinion timin, pasi unë po mundohem të bëj një përmbledhje të fenomenit në përgjithësi. Sigurisht që ka përjashtime dhe ato janë të shumta.
ALBANIANWOMAN: Nëse do të zgjidhnit ku të jetonit cili është vendi juaj i perferuar?
M.MYFTARI:
Pa dyshim që do të zgjidhja Tiranën.
ALBANIANWOMAN: Cili është synimi juaj për të ardhmen – si e shihni të ardhmen tuaj?
M.MYFTARI:
Synimi për të ardhmen? Shpresoj që në një afat të shkurtër Zoti të më mundësojë të gjej një punë dhe të mund të siguroj mjetet e nevojshme për të vazhduar Masterin aty ku e kam lënë. Më pas dëshiroj të përmbush ëndërrën time dhe të prindërve të mi për të përfunduar studimet në PhD, për të cilën, gjithashtu, më duhen mjetet financiare. Ndërkohë nuk e di nëse një ditë do të mund t’a vazhdoj karrierën time aty ku e kam lënë, apo do të më duhet t’a nis gjithçka nga zero. Jam në kërkim të të qenit përsëri vetvetja.
Si e shoh të ardhmen time?
Të jesh anëtar i një trupi diplomatik do të thotë të bësh një jetë gjithmonë në lëvizje. Dikur thonim “si oficerët me rroba në krahë”, tani mund të themi “si diplomatët me valixhe në dorë”. Ti si individ asnjëherë nuk je në gjendje të bësh një plan fiks për të ardhmen dhe nuk je ti që vendos për lëvizjen tjetër në jetën tënde. Kur dhe ku do të lëvizësh për të vazhduar jetën më tutje nuk mvaret prej teje.
Jeta në lëvizje të vashdueshme, nuk të jep mundësinë të krijosh vizione të qarta për të ardhmen tënde. Ato mbeten në kufinjtë e dëshirave dhe përpjekjeve për t’i arritur këto dëshira. Nga ana tjetër, një jetë gjithmonë në lëvizje ka pozitivitetet e saj, për faktin se ke mundësinë të njihesh me vende dhe kultura të reja. Ky variacion krijon tek individi një eksperiencë që pak kush ka mundësinë ta akumulojë, por që shoqëria duhet të gjejë rrugët dhe mundësitë t’a shfrytëzojë për të mos mbetur i mbyllur në kufinjtë personal.

—————————————–

/SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG/

Bejtullah (Bejto) Destani, bashkëshorti i Myzejen (Jeni) Myftarit.

BEJTULAH BEJTULLAH DESTANI SHQIPTARI I ARKIVAVE BRITANIKE

I lindur me 1960 në fshatin Blaç, studioi shkencat politike në Beograd, prej viti 1991 jeton në Londër dhe padyshim e ka fituar epitetin e Shqiptarit të arkivave të Londrës. Është Themelues i Qendrës për Studime Shqiptare, në shtator të vitit 1997 në Oxford. Tani sekretar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Angli.
Autor dhe bashkautor i shumë botimeve si:

***
Albania and the Albanians: Selected Articles and Letters 1903-1944
by M. E. Durham, HARRY HODGKINSON, Bejtullah D. Destani
Hardcover, Centre for Albanian Studies, ISBN 1903616093 (1-903616-09-3)
***
An Englishman in Albania: Memoirs of a British Officer, 1929-1955
by D. R. OAKLEY-HILL, Bejtullah D. Destani
Hardcover, Centre for Albanian Studies, ISBN 1903616204 (1-903616-20-4)
***
Ethnic Minorities in the Balkan States, 1860-1971
by Bejtullah D. Destani
Hardcover, Archive Editions, Limited, ISBN 1840970359 (1-84097-035-9)
***
Faik Konitza: Selected Correspondence 1896-1942
by Faik Konitza, Bejtullah D. Destani, D. Bejfullah
Softcover, Learning Design, ISBN 1873928181 (1-873928-18-1)
***
Minorities in the Middle East
by Bejtullah D. Destani
Hardcover, Archive Editions, Limited, ISBN 1840971207 (1-84097-120-7)
***
Montenegro: Political and Ethnic Boundaries, 1840-1920
by Bejtullah D. Destani
Hardcover, Archive Editions, Limited, ISBN 1852079053 (1-85207-905-3)
***
The Six Month Kingdom: Albania 1914
by DUNCAN HEATON-ARMSTRONG, Gervase Belfield, Bejtullah D. Destani
Hardcover, I B Tauris & Co Ltd, ISBN 1850437610 (1-85043-761-0)
***
The Zionist Movement and the Foundation of Israel 1839-1950
by Bejtullah D. Destani
Hardcover, Archive Editions, Limited, ISBN 1840970502 (1-84097-050-2)
(…)

Bejtullah Destani Anglo-Albanian Association History (1 – 4)


***************************************

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura