GJEKË GJONLEKAJ: NJË TAKIM I RASTËSISHËM ME HENRY KISSINGER’in!

New York, 17 Qershor 2019:Vajtja e astronautëve amerikanë në hënë më 29 në gusht të vitit 1969 dhe vizita e Presidentit amerikan Richard Nixon në Kinë ishin mrekulli e kohës. Këtë vizitë në Kinë e kishte përgatitur Këshillëtari i Sigurimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara Dr.Henry Kissinger. Fotografia e shtrënguarjes së duarëve të Henry Kissingerit me udhëheqësin e lartë kinez Mao Ce Dunin ishte diçka e jashtzakonshme. Ajo fotografi historike u botua në të gjitha revistat dhe gazetat amerikane, pastaj u pa në të gjitha ekranet televizive amerikane dhe botërore. Deri në atë kohë Kina kishte qënë armiku më i madh i Shteteve të Bashkuara. Vajtja e Henry Kisingerit në Kinë ishte një hap gjigant për marrëdhëniet kino-amerikane. Ky ishte mbase hapi më i madh diplomatik i Shteteve të Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk e dijë pse por kjo fotografi ishte regjistruar përgjithmonë në kujtesën time. Nuk e kisha menduar kurrë se një ditë do ta takoja këtë legjendë të diplomacisë botërore.

Në janar të vitit 1999 shkova në Manhattan në Park Avenue dhe në 50 rrugë për të vizituar një mik timin amerikan. Kisha marrë me vete një kopje të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”(Code of Leke Dukagjini) për t’ia dhënë dhuratë mikut tim. Në këtë zonë të Manhattanit janë shumë godina të larta dhe luksoze. Ndërsa prisnja ashensorin (elevator) vura re se aty pranë po afrohej Henry Kissingeri. Pasi u ndalua ashensori mbajta derën për të hyrë Henry Kissinger. Ai më falënderoi dhe buzëqeshi. Sjellja fisnike më gëzoi shumë. U ndjeva mirë, bile u ngazlleva dhe fitova kurajo për të biseduar me këtë diplomat gjenial.
E pyeta si jeni Dr.Kissinger? (How are you Dr. Kissinger?).
Ai u përgjegj: “Mirë, faleminderit” (Good, thank you).
Pasi e preku pullën e ashensorit e kuptova se zyra e tij ishte në katin 45. Bisedën e fillova, duke e përgëzuar për disa shkrime që kishte botuar ato ditë në shtypin amerikan për çështjen e Kosovës. Më falënderoi duke buzëqeshur dhe shtoi se po i vinte mirë që më kishin pëlqyer shkrimet e tij ngase një javë më përpara kishte marrë pjesë në një konferencë ballkanike në Budapest ku kishte folur edhe për çështjen e Kosovës dhe shtoi se një shqiptari pjesëmarrës në atë konferencë nuk i kishin pëlqyer pikëpamjet e tij. Mbasi ai kishte të drejtë – tha Dr. Kissingeri – por unë kisha paraqitur qëndrimin tim për atë rajon. Ndërsa po bisedonim për këtë çështje ashensori ndaloi në katin përkatës. Ashtu siç e kisha në dorë i tregova Kanunin e Lekë Dukagjinit, dhe i tregova shkurt se ky ishte Kodi më i vjetër shqiptarë dhe shtova se ishte i shekullit XV.
Ne e quajmë “Magna Karta” e shqiptarëve dhe dua t’ua japë dhuratë.
Atëherë tha: “Të lutem shkojmë bashkë në zyrën time”.
Në dhomën e pritjes të asaj zyre isha shumë i lumtur që mu dha rasti të takoj një personalitet aq të njohur. Qëndrova në atë dhomë duke menduar për fjalitë që do t’i shkruaj në faqen e parë të Kanunit. Në atë kopje dhuratë (complimentary copy) shkrova: “Ish Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe diplomatit më të madh të këtij shekulli, Profesor Dr. Henry Kissingerit ia dhuron këtë Kod Shqiptar, botuesi Gjek Gjonlekaj ish gazetar i Zërit të Amerikës”, dhe u largova shumë i lumtur që më u dha mundësia e lidhjes më këtë gjigant të diplomacisë botërore.
Megjithatë nuk e prisja kurrë, por pas një jave mora një letër shumë miqësore prej tij. Në atë letër më falënderonte për dhuratën dhe për fjalitë e shkëlqyeshme që kisha shkruar në faqen e parë të Kanunit. Pastaj shkruante për botimin e mirë (fine print) duke shënuar se do ta vendoste me librat tjerë në bibliotekën personale. Letra ishte shumë e shkurtër por fjalët ishin shumë miqësore. U gëzova shumë dhe pas disa ditësh i dërgova me postë dhe libra tjerë anglisht për Kosovën, midis tyre edhe librin e mrekullueshëm të historisë së Kosovës “Ipeshkëvia Shkup-Prizren nëpër Shekuj” të Dom. Gaspër Gjinit dhe në atë pako vura edhe 5 vepra anglisht të Ismail Kadaresë. Përsëri mora letër falënderimi prej tij.
Gjithmonë kisha qënë kurioz për qëndrimin e tij rreth problemeve të Kosovës. Gjatë viteve 80′ Henry Kissingeri kishte lidhje të mëdha me Lawrence Eagelburger ish konsull dhe më vonë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Jugosllavi, i cili në Administratën e Presidentit George H. Bush, ishte Ministër i Jashtëm i këtij vendi. Emërimi i tij në këtë detyrë i kishte shqetësuar shqiptarët e Amerikës ngase Lawrence Eagelburger kishte qënë mik i madh i Jugosllavisë.
David Binder i gazetës “The New York Times” shkruante se duke kaluar nëpër korridorin e Departamentit të Shtetit kishte dëgjuar duke folur sërbo-kroatisht Këshillëtarin e Sigurimit Kombëtar Brent Scowcroft dhe Sekretarin e Departamentit të Shtetit Lawrence Eagelburger, Gjenerali Brent Scowcroft kishte shërbyer për një kohë atashe ushtarak në Beogrd. David Binder kishte nxjerrë në dritë në “The New York Timës” edhe një studim të CIA-s në lidhje me mundësinë e bashkimit kombëtar të popullit shqiptar në trojet e veta në Ballkan. Opinionet e Henry Kissingerit për çështje ndërkombëtare ishin vlerësuar gjithmonë qysh në kohën e Administratës së Richard Nixon e deri sot. Presidentët e këtij vendi gjithmonë kërkojnë mendimin e tij për probleme të ndërlikuara ndërkombëtare. Zakonisht ato botohen në revistat më prestigjioze të Amerikës. Gjatë sulmeve të NATO-s kundër Jugosllavisë ne prisnim mendimin e tij për Kosovën. Nuk vonoi shumë dhe një javë pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosvovë botoi në revistën amerikane “NEWSWEEK” shkrimin 3 faqesh me titull: “Ndërsa gëzimi po venitet”.
Dr.Henry Kissinger shkruante:
“Për ne që e morëm në pyetje aftësinë e diplomacisë para luftës në Kosovë, kemi borxh respektin e duhur Administratës së Klintonit për qëndresën e pamposhtur, aftësinë për të mbështetur bashkimin e Aleancës, dhe marrëveshjen e heshtur të Rusëve. Por fitorja na le me një sfidë po aq të vështirë: të evitojmë praninë tonë të përhershme, në një kënd të Ballkanit si pushtues modernë, sikur kishin qenë Perandoritë Otomane dhe Austriake.
I ashtuquajtur plani Petersberg rrezikon të ngelet i hapur në dy anët, duke na detyruar përzierjen tonë edhe më thedhë, duke na vënë në rolin e xhandarëve në një rajon me urrejtje të thedha për njëri tjetrin, ku ne kemi pak interesa strategjike.
Edhe ky plani i paqës bie dakord me marrëveshjet e Rambujesë, prapë se prapë rrezikon pjesëmarrjen e përhershme Amerikane në një seri konfliktesh të pafund dhe mundësisht një luftë guerile. Gjuha bombastike e marrëveshjes ishte hartuar të ishte e pakapërcyeshme, që secila palë mund t’i konsideronte rezultatet si të favorshme për veten e tyre.
Plani i paqës ndalon tek autonomia dhe afirmon vazhdimisht sovranitetin e Jugosllavisë. Por Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi dhe vuajti per pavarësinë dhe jo për autonomi.
Pas të gjitha vuajtjeve që përjetuan ushtarët e UÇK’së dhe popullsia e Kosovës gjatë spastrimit etnik, të jenë pjesë e Serbisë është e papranueshme për ata. Çmilitarizimi i UÇK’së është edhe më i vështirë të imagjinohet se mund të ndodhë.
Evolucioni i Kosovës do të ketë ndikim të thellë në vëndet fqinje. Ndikimi i parë do të jetë për shqiptarët e Maqedonisë ku ata përbëjnë rreth 25 përqind të popullsisë. Ka shumë mundësi që edhe ata do të kërkojnë të paktën, të njëjtat të drejta sikur kosovarët. Edhe shkatërrimi i Maqedonisë mund të shkaktojë një shpërthim tjetër Ballkanik. Të njëjtat presione mund të ndihen edhe nga komuniteti i vogël shqiptar në Mal të Zi. Gjithashtu ka thirrje për një Shqipëri të bashkuar, të inkurajuar nga Tirana dhe emigrantët shqiptarë që furnizojnë mbështetjen financiare. Do të ishte mençuri e madhe sikur të prisnim nenin Gordian, duke i dhëne pavarësinë Kosovës si pjesë e zgjidhjes të problemit Ballkanik. Kosova është bërë simbol i humbjes së influencës Ruse në botë.”
***
Ishin këto disa fjali nga analiza e Kissingerit për të ardhmen e Kosovës, botuar në revistën Newsweek, një javë pas hyrjes së NATO’s në Kosovë. Shkrim im nuk ka asnjë qëllim tjetër, vetëm për t’i treguar lexuesit modestinë dhe fisnikërinë e këtij titani të diplomacisë amerikane dhe botërore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura