FATMIR TOÇI: HISTORIA E NJË ORGANIZATE – NJË ENCIKLOPEDI E VËRTETË!

Pashtriku, 9 tetor 2020:
LETËR
Nga zoti Fatmir Toçi, botues (“Toena”, Tiranë), me rastin e promovimit të librit “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981”
I dashur Mehmet,

jam i detyruar t’ju njoftoj me keqardhje se nuk do të mundem të marr dot pjesë në përurimin e librit tuaj dhe të jem i pranishëm në mes miqve tuaj dhe njerëzve të rëndësishëm të kulturës, shkencës dhe politikës në Kosovë. I ndodhur në një veprimtari të rëndësishme kulturore në Lindjen e Mesme, të planifikuar që një vit më parë, ju dërgoj urimet më të sinqerta dhe vlerësimet më të larta për botimin e librit tuaj, që ka në thelb një vështrim realist për demonstratat e vitit 1981 dhe historinë e një organizate politike, e cila ka luajtur një rol të veçantë në këtë lëvizje, si një pararendëse e zhvillimeve të mëvonshme të vrullshme drejt lirisë, pavarësisë dhe formimit të shtetit të Kosovës.
Për zhvillimet historike-politike e socialkulturore në Kosovë në 3–4 dekadat e fundit është shkruar shumë e botuar jo pak nga autorë të ndryshëm historianë, analistë e studiues, por edhe nga bashkëkohës e dëshmitarë aktivë apo pasivë në ngjarje. Midis tyre vihen re vepra me interes për historinë moderne të Kosovës, por edhe vepra të shkruara në mënyrë diabolike, me shtrembërime të qëllimshme të fakteve e ngjarjeve, të cilat u shërbejnë grupeve të ndryshme të interesit, sidomos në politikë.
Libri juaj, për nga faktet e shumta, burimet e sigurta të informacionit, veprimtaria e njohur publikisht apo ilegalisht e personaliteteve të shumta për të cilët shkruhet në libër, si dhe shmangia e vetëdijshme nga ana juaj e komenteve, analizave, vlerësimeve subjektive të ngjarjeve e njerëzve që kanë jetuar e vepruar në atë periudhë e kanë bërë, padyshim, monografinë tuaj një prej veprave më të rëndësishme memoriale-historike të botuara në Kosovën e pasluftës, me vlera të pallogaritshme për ndriçimin realisht të ngjarjeve dhe rolit të figurave të njohura në këtë lëvizje.
Kjo vepër, në formën dhe përmbajtjen e një enciklopedie të vërtetë, me ndikimin e madh njohës e edukativ për brezat që nuk e kanë jetuar atë periudhë dhe nivelin e lartë artistik e pasurinë gjuhësore në të cilën është derdhur do të jetë një gur i çmuar për historigrafinë shqiptare.
Do të desha të përshëndes nga larg të gjithë të pranishmit në këtë ditë të rëndësishme për ju, historigrafinë dhe kulturën shqiptare.

Me konsideratë,
FATMIR TOÇI,
Botues, më 25 prill 2008

_______________

Mehmet Hajrizi, më 28 nëntor 1990, Përlepnicë e Gjilanit
https://www.youtube.com/watch?v=ST3n-Tav3NI

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura