GJEKË GJONLEKAJ: PËRMENDORJA E GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEUT NË TUZ DO TË ISHTE VEPËR HISTORIKE PËR SHQIPTARËT NË MAL TË ZI

New York, 2 mars 2018: Më 17 janar bota shqiptare filloi kremtimet e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skendërbeut. Nderimet e këtij viti jubilar filluan në Shqipëri e Kosovë. Edhe diaspora shqiptare në New York dhe Michigan e përkujtoi me nderime këtë datë historike. Gjergj Kastriot Skendërbeu është hero kombëtar. Shumë historianë shqiptarë dhe të huaj e cilësojnë Skendërbeun si njërin prej 10 herojëve më të mëdhenj botëror gjatë gjithë historisë njerëzore. Gjergj Kastrioti ishte shtylla e qëndresës otomane për më shumë se çerek shekulli. Luftërat e tij e shpëtuan Evropën nga pushtimet barbare turko-otomane. Sikur të mos ishte Skendërbeu ata do ta kishin pushtuar Romën ashtu siç kishin bërë me Konstantinopojën. Kisha e Shën Pjetrit do të përjetonte fatin e Shën Sofia. Qëndrësa e strategut gjenial arbëror Gjergj Katrioti e shpëtoi qytetërimin evropian nga rrënimet barbare turko-otomane. Qëndresa e tij titanike shpëtoi qytetërimin evropian.Pvarësisht se Arberia u pushtua pas vdekjes së tij, emëri dhe idealet e tij liridashëse jetuan nëpër shekuj.Reliket dhe historia e tij janë vendosur dhe ruhen në muzeumet dhe bibliotekat më të njohura të Evropës, bile edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky gjigand i lirisë dhe qytetërimit evropian nderohet tash 5 shekuj e gjysmë. Arbëria e nderoi edhe më shumë por pas pushtimit respekti për heroin tonë kombëtar u bë më i vështirë sepse pushtuesit e kishin ndaluar emërin e tij. Ashtu si shumica e trojeve arbërore edhe Malësia e Madhe kishte kultivuar nëpër shekuj dashurinë, respektin dhe kujtimet për heroin tonë kombëtar. Edhe pse kishin kaluar shekuj pas vdekjes së tij, burrat dhe gratë malësore në shenjë pikëllimi e nderimi vishnin rrobe të zeza. Në mortet e mëdha të maleve tona,shumë herë kumbonte fuqishëm zëri i gjëmtarëve dhe vargjet e tyre epiko-legjendare për zotin e tokës arbërore Gjergj Kastriot Skendërbeun. Ky emër i madh i kombit tonë ishte lakuar në Kuvendin e Arbërit, në Kryengritjen e Zenel Gjolekës dhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Edhe lindja e Shqipërisë së pavarur kishte lidhje direkte me qëndresën madhështore të Gjergj Kastriotit. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë u bë me 28 nëntor 1912 që kishte lidhje me kthimin e Skendërbeut në Krujë. Edhe në Vlorë baballarët e pavarësisë ngritën flamurin e tij i cili për më shumë se 700 vjet është flamuri kombëtar i popullit shqiptar. Nastyrisht se kjo e bën flamurin tonë njërin ndër flamujt më të vjetër në botë.
Emëri i Gjergj Kastriot Skendërbeut ishte frymëzim për shqiptarët në tokat arbërore të pushtuara nga sllavët e grekët. Brezi im dhe brezat e tjerë në vendlindje ose jashtë u rritëm dhe u edukuam me këtë emër të madh. Në rrugët tona të gjata shumë herë edhe të vështira, ky emër ishte për ne si një yll drite. Skendërbeun tonë e gjetëm kudo, në sheshe,në bulevarde, në muzeume dhe në arkiva e biblioteka. E gjetëm edhe nëpër galeritë e arteve të pikturës dhe të muzikës klasike.E gjetëm në arkiva e biblioteka dhe nëpër muzetë e arteve të pikurës dhe muzikës klasike. 500-vjetori, në vitin 1968 na zgjoi kombëtarisht.

Në korrik të vitit të shkur shoqata “Malësia e Madhe” në New York në një mbledhje të saj diskutoi mundësinë e ngritjes së një monumenti për Gjergj Kastriot Skendërbeun. Të gjithë ranë dakord pa asnjë kundërshtim për vendosjen e përmendores së tij në Tuz. Malesia e Madhe është treva arbërore që e ka ruajtur më mirë se asnjë krahinë tjetër amanetin e Kastriotit. Nuk po hyjmë në hollësi por dihet pse. Malësia e Madhe filloi edhe Kryengritjen më të fuqishme kundër atyre që kishin pushtuar Arbërinë për pothuajse 5 shekuj. Të gjithë e dijmë se Kryengritja kishte filluar më 24 Mars të vitit 1911, dhe më 6 prill të vitit 1911 në Malin legjendar të Deçiqit trimat malësorë kishin ngritur në kalanë turke Flamurin e Gjergj Kastriot Skendërbeut. E ngritën këtë Flamur në zjarrin dhe flakën e luftës. Këtë akt të madh heroik e kishin parë me sytë e tyre fushat dhe malet e Malësisë. E kishte parë e dëgjuar edhe ajo qytezë e vogël në rrënzë të Deçiqit. Banorët e Tuzit e kishin parë me sytë e tyre breshërin e të shtënave dhe tragjeditë e luftëtarëve turqë në shkëmbin pingul mbi atë qytezë. Kjo luftë bëri të njohur Deçiqin në Evropë dhe përtej. Për Luftën e Deçiqit shkruante gjerësisht gazeta amerikane “The New York Times”. Fan Noli në shkrimet e tij e krahasonte Luftën e Deçiqit me luftën amerikane për liri kundër anglezëve në Bunker Hill, ndërsa trimërinë e malësorëve e krahasonte me trimërinë e amerikanëve në krye me George Washingtonin. Mali i Deçiqit kishte hyrë në histori si njëri prej maleve më legjendare të Ballkanit. Shkrimtari Ismail Kadare një çerek shekulli më parë kishte thënë fjalët më të shkëlqyeshme për Kryengritjen e Malësisë, duke e krahasuar me luftërat e Skendërbeut. Deçiqi për malësorët shqiptarë është si një mal i shejtë. Ashtu siç kishin qënë malet e Krujës për kalorësit e Skendërbeut ashtu ishte Mali i Deçiqit për malësorët e Dede Gjo’Lulit. Për këtë mal këndojnë e shkruajnë për më shumë se një shekull historianët, poetët dhe shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar. Ky Mal dhe malësitë e fushat për rreth tij, bile edhe Tuzi u pushtuan pas kësaj lufte nga Mali i Zi. Shteti që i pushtoi këto toka kurrë nuk bëri gjë për t’i nderuar ata që dhanë jetën në frontin e luftës kundër një armiku të përbashkët.
Trimat e maleve tona dhe intelektualët shqiptarë kryesisht shkodranë realizuan veprën më të madhe kombëtare pas Skendërbeut.Kaluan 100 vjet dhe në asnjë prej këtyre trevave, bile as në Tuz nuk u vu një gur ose një pllakë përkujtimore as për heroin tonë kombëtar.
Shtylla kryesore (pontifex maximus) e historisë së popullit shqiptar është Gjergj Kastriot Skenderbeu. Diaspora e Malësisë në Amerikë është shumë serioze që në Tuz të vendosin shtatoren e tij.Edhe banorët e Tuzit duhet të jenë shumë të lumtur për ngritjen e këtij monumenti. Emëri i tij ka domethënje të jashtzakonshme për Evropën dhe botën e qytetëruar. Tuzi dhe Malësia janë në Evropë, dhe të gjitha përpjekjet politike të Malit të Zi po bëhen për të hyrë atje.Nëse Qeveria e malit të Zi e ndihmon realizimin e kësaj vepre do të bënte punë të madhe për të mirën e saj. Ata mund të mësojnë se Gjergj Kastrioti nuk ishte armik i Malit të Zi. Historia tregon se Kastrioti kishte lidhje familjare me një prej familjeve më fisnike të atij vendi.Historianët dhe akademikët e Malit të Zi mund t’i vërtëtojnë këto fakte historike në arkivat e tyre.Për miqësi që kishte me Cërnojeviqët mund të ketë shkuar ndonjëherë atje dhe gjatë atyre udhëtimeve në Itali mund te ketë kaluar nëpër Ulqin, Tivar mbase edhe në Raguzë (Dubrovnik). Për malësorët e diasporës në Amerikë ndërtimi i këtij monumenti në Tuz do të ishte gjest respekti e nderimi për të gjithë shqiptarët e në veçanti për malësorët. Të mos harrojmë se Memoriali i Skendërbeut në Krujë vizitohet nga personalietet më të njohura të botës, bile menjëherë pas rënjes së dikaturës në Shqipëri,ish Presidenti amerikan George H. Bush dhe gjenerali Colin Powell e kishin viztuar këtë Memorial dhe ishin larguar me përshtypjet më të mira. Qeveria e malit të Zi duhet të jetë e sinqertë dhe të mos pranojë sugjerimet atyre që nuk e duan historinë,gjuhën dhe kulturën shqiptare. Diktatet e gjoja shumicës demokratike nëpër vende e kuvende nuk do të japin rezulate të mira as për Malësinë,as për Tuzin dhe jo se jo për Malin e Zi. Në qoftë se Mai i Zi fut në këtë lojë grupet e ndryshme antishqiptare të Tuzit me rrethe, besimi i malësorëve tek Mali i Zi ka për të rënë dukshëm. Do të jenë të kota ato deklarata pompoze të politikanëve malazezë nëpër konferenca shtypi. Në qoftë se Mali I Zi nuk pranon kërkesën tonë për heroin tonë kombetar, atëherë të gjitha nderimet tjera janë të kota. Shqiptarët e Amerikës nuk kërkojnë nderime për tregjet e bostanit dhe të kastravecave. Millo Gjukanoviqi në intervistën e fundit që i kishte dhënë tevizionit “Boin” kishte folur për ngritjen e “Tregut të Gjelbër” të Tuzit por nuk e kishte thënë asnjë fjalë për mundësitë e një shkolle të lartë ose instituti për kulturën ose historinë shqiptare.Nuk kemi asnjë kundërshtim për ngritjen e tregjeve,ndërsa ato të mos shkelin hapësirat e vlerave kombëtare. Përmendoret janë pjesë e kulturës njerëzore qysh në kohërat parabiblike.Shumica e qyteteve të botës vizitohen për madhështitë dhe bukuritë e monumenteve kulturore. Ndërtimi i kishës së Tuzit para pothujse një shekulli nuk ishte pëlqyer nga Jugosllavia e asaj kohe dhe as nga disa fanatikë tuzianë. Fanatikët dhe malazezët antishqiptar mund të llomotisin sa të duan por ajo kishë nuk i solli asnjë të keqe atij vendi, përkundrazi. Në qoftë se ndonjë injorant i Kuvendit të Tuzit kundërshton realizimin e kësaj vepre kulturore, atehërë malësorët duhet të ngrihen të gjithë së bashku për këtë të drejtë historike dhe kombëtare. Në qoftë se Tuzi është qytet shqiptar,aty duhet siguruar hapesira për Gjergj Kastriotin, për Nënën Tereze dhe për Dedë Gjo’Lulin. Kjo çështje duhet të diskutohet në nivelet më të larta të shtetit të Malit të Zi. Por bëhet pyetja kush mund ta diskutojë këtë çështje serizosht kur në Parlamentin e Malit të Zi nuk është asnjë shqiptar nga Malësia. Një fjalë e e urtë popullore thotë:”Ata që shëmbin të kaluarën, shëmbin të nesërmen.Kjo vepër duhet të realizohet brënda këtij viti, sepse është 550-vjetori jubilar i kryetrimit tonë. Duhet të zgjohet elita intelektuale, politike dhe kulturore e Malësisë, mandej edhe populli. Llomotitjet e Halil Dukoviqit dhe Kerkanoviqit me shokë janë qesharake. Deçiqi nuk është në Himalajë, por aty përmbi Tuz. Sa të jetojë ky Mal legjendar do të jetojë edhe deshira e malësorëve për ngritjen e monumentit të Gjergj Kastriotit Skendërbeut në Tuz.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura