Pashtriku.org, 01. 05. 2016: Kështu shkruante në vitin e largët 1927, Gjergj Haxhi Mihali, një njohës i mirë i qytetit të lindjes, i cili kishte preferuar ta botonte artikullin e vet tek redaksia e revistës „Diturija“, e Lumo Skëndos (Mit’hat Frashëri). „Diturija“ shkruante në hyrje se ky material nuk i përgjigjej plotësisht dëshirës së saj, pra do të kishte dëshiruar ta kishte redaktuar para se ta nxirrte në botim, por gjithsesi i është përmbajtur dëshirës së autorit, të cilin e vlerëson si një mësonjës të vjetër dhe e boton ashtu siç Haxhi Mihali e kishte dërguar për botim. Ai flet relativisht gjatë për prejardhjen e fjalës „Berat“, historikun e qytetit, kishat e shumta dhe xhamitë, raportet ndërfetare, dhe së fundmi edhe për investimet e bëra e ato të pritshme të Bashkisë, qeverisë e komunitetit vendas, duke na sjellë në fakt detaje shumë të vlefshme nga pikëpamja e sotme në shumë fusha, të cilat gazeta “Dita’ i ka edituar me pak shkurtime dhe përshtatje drejtshkrimore, duke ruajtur në thelb përmbajtjen, formën dhe mesazhin që artikulli në fjalë përcjell.
BERATI PLAK
Me pozitën e tij, me Tomorin dhe Shpiragun, me Osumin dhe lumin e Velabishtës, me kështjellën dhe Goricën, Berati është krijuar që të bëhet një ditë, një nga më të bukurit e qyteteve të dheut. Gjer sa të vijë ora e lumtur që popullsia e tij të fillojnë punën me zell dhe entuziazëm, ky qytet na intereson që sot me vjetërsirat e tij, sidomos me kishat e bukura bizantine. Deshëm të botojmë një monografi të tij. Këndonjësi do të gjejë këtu artikullin shkruar nga një mësonjës i vjetër: po e shtypim me gëzim të madh, megjithëse nuk i përgjigjet krejt dëshirës sonë. – Diturija
Siç njihet nga historia shumë qytete të vjetra janë shkretëtuar dhe kanë lënë vetëm mbeturinat e tyre; të tjera qytete si këto janë zhdukur në rrymën e kohës; por gjithashtu jo pak qytete kanë ndërruar emrat e tyre të vjetra dhe sot kanë emra të ndryshëm; veçanërisht Berati në këtë pikëpamje e ka tepruar, se emrin e tij e ndërroi shumë herë.
Pa dyshim dhe si merret me mend, qysh prej kohërave prejhistorike, kur popullsia ishte e rrallë, vendbanimi i parë i këtij qyteti, që më pas u zgjerua, si dhe sot, me një gjatësi gati një orë prej lagjes së Murat Çelepijasit deri në lagjen lindore të Kollobecit, ka qenë kështjella e sotme, që dominon mbi qytetin dhe u quajt, pas okupacionit turk, si quhet sot, Kala.
Ky mendim mbasi kështu ka ngjarë dhe në shumë vende të tjera, bazohet në arsye nevoje sigurimi për banuesit në ato kohëra të turbullta e të rrezikshme; se për këtë qëllim janë ngritur prej shekujve dhe muret, që e rrethonin anë e mbanë Kështjellën dhe kujdesi i madh i banorëve për këtë, tregohet dhe nga rindreqjet e mureve, dhe në kohërat mes’shekullore, kur këta, për shkak të rrethimeve ose lëkundjeve të forta të tërmetit, rrëzoheshin.
Emrin ky qytet e ndërroi për shkak të ngjarjeve të ndryshme dhe të okupacioneve të huaja në kohëra ku mbizotëronte e drejta e të fortit. Emër të parë në kohërat e moçme ka pasur, si mbas një gojëdhëne, emrin e Kështjellës me shtimin e mbiemrit i bardhë, dhe quhesh “Kështjellë e Bardhë” për shkak të ngjyrës së shkëmbenjëve të bardhë,
Më pas, po s’dihet kur, u quajti Orestia nga Oresti, i biri i Agamemnonit; Agamemnoni ishte komandanti i luftës kundër trojanëve bashkë me Aqilehtin, Dushin, Mentorin e të tjerë, si i përshkruan Omiri.
Më pas, në kohën e Lekës, ose pas vdekjes së tij, dhe kjo s’dihet, u quajt Antipatria, prej Antipatrit gjeneralit të Lekës; historiani i shekullit të 11 para Krishtit, Polibi për këtë qytet thotë këto:
„Antipatria qytet i Elymiotidhës (Mallakastër) në kufinjtë e Ilirisë”
Pas luftës së Pydhnës (Khilros e sotme) të osmanëve me mbretin e fundit të Maqedonisë Perseun, më 168 përpara Krishtit, dhe pas veprës së tmerrshme dhe çnjerëzore të Pavël Emilit (Plini i V. 17….uno die Paulus Aemilius, imperator noster, septuaginla duas urbes direptas vendidit), emri i të cilit ngeli me kujtim të keq, kujtim nënie në historinë e përbotshme, e tërë Shqipëria – se në këtë vit (168) u thye dhe mbreti i fundit të Ilirisë, Gjençua – u pushtua prej Romanëve dhe Berati e ndërroi prapë emrin: Romanër duke vëzhguar muret dhe shkëmbenjtë e bardhë të Kështjellës. Gjithashtu dhe petkat e bardha, që i kishin përgjithsisht banorët, si xhoka, kallsa, mëngore, fustanella, të cilat i veshin edhe sot, por në shumë pak vende, nga fjala shqipe „i bardhë“, banorët i quajtën Bardhinos dhe qytetin Bardhinorum Oppidum. Po ky qytet me këtë emër, në atë kohë, nuk ka të ngjarë dhe s’ duhet të ngatërrohet me qytetinPanhinorum oppidum, i cili ishte në veri dhe jo në jug të Savrës, e cila ca shekuj më pas u quajt, si quhet dhe sot, Myzeqe, prej Gjon Muzaqit.
Po dhe emrat Bardhinos dhe Bardhrum oppidum romanët i ndërruan më pas; dhe duke e përkthyer fjalën „i bardhë“ në latinisht, albus, qytetin e quajtën Albanor; banorët Albanos dhe qarkun e qytetit Albania, ndoshta dhe me qellim që të mos të bëhesh ngatërrim me qytetin Parthinorum oppidum dhe banuesit e tij Parthinos…Ku pikërisht banonin Parthinët dhe ku ishte qyteti i tyre “Parthinorum oppidum” dhe kjo nuk mund të caktohet me siguri; se, ndonëse në përshkrimin e konfliktit të Jul Çezarit me Pompenë pandehet midis Çukasit dhe Durrësit; disa gjeografë të vjetër Parthininë e shënojnë jo shumë larg nga veriu i Durrësit.
Disa thonë se Berati, përpara se të quhet Antipatrija, ka pasur emrin Heodhea dhe për argument përdorin luftën civile midis Lekës, përpara se t’i turret Asisë, dhe mbretit TaullantGllafqit, duke shtuar, si thotë historiani bashkëkohës i Lekës Ariani, se Heordhea kishte kështjellë të fortë, dhe nofta nga ky shkak ka qënë kështjella e Beratit; po ky mendim është i pathemeltë se Heordhea ishte mbi lumin Heordhaikun (Devollin e sotëm); po ku janë mbeturinat e Heordhës nuk dihet.
Gjithashtu i gabuar është dhe mendimi i atyre që thonë se Berati ka pasur dikur dhe emrin Berut dhe për argument marrin shkrimtar Sozomenin; Sozomeni ishte Finikas dhe bën fjalë për qytetin në anë të detit, të Finiqit, që quhesh, si dhe sot, Birito, Berut.
Në fund të shekullit IV këto vende i vizitoi Pulqerija, e motra e perandorit të Konstandinopojës Theodhosit të vogël; argument i shëndoshë për këtë vizitë është, jo vetëm ndërrimi i emrit të qytetit, po gjithashtu dhe fakti se Pulqerija begatoi kishën e Shën-Mërisë të Mbreshtanit, duke i dhuruar të ardhurat e tre katundeve pjellorë; dhe ndonëse pas okupacionit turk, ose: ndoshta dhe më përpara, punët u ndryshuan dhe pronën e këtyre katundeve kisha e humbi, me gjithë këtë qysh prej asaj kohe dhe sot këto katunde quhen vakëfi i Shën-Mërisë së Mbreshtanit; Mbreshtani është një katund dy orë larg në perëndimin e Beratit. Përveç klimës ka dhe ujin më të mirë nga të gjithë ujërat e qarkut të qytetit; pa dyshim Pulqerija vizitoi këtë katund në kohën e verës për arsye ndoshta shëndetsore, dhe me rastin e kësaj vizite begatoi, sipas zakonit bizantin, kishën e këtij katundi. Pulqerija i ndërroi pra emrin e qytetit Albanorum oppidum dhe e quajti me emrin e saj Pulqeriopojë; u bë domethënë zakon t’i ndërrohet emri, mbasi dhe më përpara i ishte ndërruar shumë herë.
Në shekullin e X u quajt prej bullgarëve Bullgjeropojë, ndoshta me ndërlikimin e fjalës Pulqeriopojë ose të mbiemrit latin pulcher (shqip pulqer)= i bukur.
Në shekullin e XIII të okupacionit sllav emrat Albanorum oppidun, Pulqeriopo), serbët i përkthyen me fjalët Belgrad = qytet i bardhë, qytet i bukur; ky emër ngeli dhe pasi u zhdukën serbët, të cilët ndonëse nuk mundën të rrinë shumë kohë, në ata pak vjet bënë vepra barbare, popullit i shkaktuan dëme të mëdha dhe, sikur s’mjaftonin këto, më të shumtët e katundeve u ndërruan emrat e tyre të vjetër shqip, dhe u vunë emra sllavë, me të cilët po vazhdojnë të quhen edhe sot.
Emrin Belrad a Bellgrad qyteti e mbajti deri në kohën e okupacionit turk, pas të cilit këtë emër e zëvendësoi emri Berat me të cilin quhet dhe sot. Për këtë emër janë disa mendime: i pari se fjala Berat u bë me shkurtim prej fjalës Belgrad; ky mendim në sipërfaqe duket i lehtë për shpjegim, ndonëse dhe fjala Bel-grad është dhe ajo dyrrokëshe; po mendimi i dytë i bazuar në argumenta historike, sipas gojëdhënës së pleqve dhe sipas mënyrës që e përdorin turqit, kur pushtonin vendet e huaja pa kundërshtim: është më i shëndoshë, dhe është ky: banuesit e vendit, duke menduar se kundërshtimi i turqve që kishin pushtuar përpara ca viteve përveç Janinës dhe Gjirokastrës, edhe vise të tjera pak orë larg nga jugu i Beratit, dhe ca me tepër për shkak se s’ishin të bashkuar me qarkun e qytetit për kundërshtim, u shtrënguan të bëjnë marrëveshje për dorëzimin e qytetit dhe të kështjellës pa luftë. Kur bëhej dorëzimi i një kështjelle a qyteti në mënyre të tillë, sulltani, sipas zakonit të tij në atë kohë, u dhuronte banorëve disa privilegje, për të cilët bënte një ferman të veçantë, që quhesh „berat“ domethënë qyteti u quajt qytet me privilegje, qytet me ferman „berati“ dhe kështu emri i fermanit zëvendësoi emrin Beligrad. Është për të vënë re se, dhe megjithëse pas okupacionit turk ndërroi ky qytet emrin për shkakun e përmendur, kryepeshkopi orthodhoks nuk e ndërroi titullin dhe titullohesh si dhe më parë Mitropolitis Velegradhon, Kaninis qe Spathijas, ipertimos qe eksarkos pasis Allvanijas….
Ky titull vazhdoi deri në kohë të rilindjes së atdheut, ose më mirë të themi, deri në kohët e kongresit Orthodoks, që u bë këtu në Berat dhe me 12 Shtator 1922 proklamoi kishën Autoqefale Orthodokse të Shqipërisë, dhe Mitropoliti i parë i kishës Autoqefale Ortodokse Hirësia e tij Mitropoliti Kristofori, pas instalimit në selinë e Mitropolisë më 4 Dhjetor 1923, titullohet qysh prej kësaj kohe „Mitropolit i Beratit dhe i Vlorës“.
Kështjella dhe në vise të tjera, po veçanërisht nga jugu, është “castrum munitum situ naturali’” dmth. e fortë natyrisht për shkak të vendit, gjithashtu dhe për shkak të mureve të lartë e të trashë, që e rrethojnë në të gjitha anët; disa nga këto mure, si në portën e jashtme e të brendshme, kanë ca gurë të mëdhenj, që i shkaktojnë, si muret ciklopike, përshtypje të thellë. Porta e jashtme përbëhet nga dy pjesë; njëra është ndrequr, a rindrequr, në shekullin e XII prej Mihal Komnino-Angjel-Dukës, sikundër dëshmi e padyshimtë për këtë janë dhe sot rreth kryqit, mbi harkun e portës, shkronjat kryesore të emrit të tij M. K. D. të përbëra prej tjegullave të kuqe e të trasha. Kjo portë, si dhe e brendshmja, çeleshin në mëngjes dhe mbylleshin në kohën e darkës, me kanata dyfishe, të trasha e të rënda, të mbërthyera me gozhdë të mëdha; sot ka ngelur si për dëshmi, vetëm një kanatë e portës së jashtme me vrima nga plumbat e karabinave në rrethimet e ndyshme, nga të cilët kujtohet prej gojëdhënës rrethimi i Brahim Pashes nga Ali Pashë Tepelena, të shoqëruar nga Karaiskaqit dhe të tjerëve.
Përbri portës së jashtme, nga lindja, është dhe një pjesë e vogël e ndrequr prej AIi Pashës; ky përmbi këtë mur vuri dhe një pllakë të bardhë me përshkrimin e emrit të tij që e ndreqi dhe të vitit, po kjo pllakë në kohën e luftës së madhe u zhduk (1914-1918).
Në disa vise muret e kështjellës si shkak i lëkundjeve të forta të tërmetit të madh në mesin e shekullit të XIX, janë qysh prej asaj kohe të rrëzuara.
Faksimile të kopertinës, dhe faqes 329 të artikullit të Gjergj Haxhi Mihalit, dërguar për botim në revistën “Diturija”, më datë 5 korrik 1927 dhe botuar nën titullin origjinal, “Berati plak”, Vol. II, Nr. 9.10.11., 1927.
Brenda në këtë kështjellë, në vendin e saj, në kulmin më të lartë, ishte dhe një kështjellë e vogël e veçantë, e rrethuar me mure të trashë e të lartë, e cila dhe sot quhet “saraje”; në këtë banonte, për siguri më të madhe, sundimtari i kështjellës; për këtë qëllim në sarajet, ku dhe sot ianë mbeturinat e tyre, është bërë pa dyshim prej kohërave të vjetra, një sterne e madhe, për të mbledhur ujët e shiut; kjo sterne, sot e prishur, quhet saranxhë, prej fjalës në turqisht.
Po dhe shumë sterna, që kanë dhe sot shumë shtëpi në kështjellë, u bënë dhe këto në kohërat e vjetra për sigurimin e ujit, kur rrethoheshin nga armiqtë.
Godina të vjetra në kështjellën, e cila nuk ka ngelur kurrë pa banor, përveç mureve, janë dhe disa kisha; kur u ngritën këto kisha nuk e dimë, se nuk është shënuar as në një nga këto viti i themelimit, dhe nga ky shkak vetëm mënyra e ndërtimit provon se janë të vjetra.
Më e vjetra nga këto është, si merret me mend, Kisha e Shën Marisë së Vllaqernës, kishë e vogël me drejtimin e altarit nga jugu, dhe jo si kishat e tjera nga lindja; ndoshta përpara se të bëhet kishe kristiane do të ketë qënë kishë e stërgjyshve tanë paganë. Në muret e kësaj kishe midis gurëve janë shumë tjegulla të kuqe e të trasha; muret e brendshëm janë pikturuar me piktura personash fetarë, shenjtorësh, midis të cilëve tërheq vërejtjen dhe një që figurë me kapele; cili është shkaku i këtij përjashtimi, mbasi shenjtë me kapele kisha lindore s’ka, nuk dihet. Në murin e veriut të kësaj kishe është një shënim për rindreqjen më 1478.
Kishë tjetër e vjetër dhe me drejtimin e altarit nga jug-lindja është kisha e Shën Triadhës, kishë e vogël; në mure dhe në tavan ka pasur dhe piktura të vjetra; po këto janë kruajtur me thikë, kjo provohet prej shenjave të tyre, mbasi deri në kohën e indipendencës këtë kishë turqit e përdornin për depo baruti.
Përjashtimi lumnisht u bë vetëm në një kishë, se për të tjera nuk di me siguri, të qarkut të Savrës; në këtë kishë në murin e jugut është dhe sot një statujë e bukur. Savrë, emri i vjetër i Myzeqesë, sot është i kufizuar vetëm për fushën nga perëndimi dhe jug-perëndimi i Lushnjës, dhe përfshin 15 katunde, të cilët, quhen, perveç; emrit të veçantë, katunde të Savrës.
Një qind vjet më parë, nga jugu i kështjellës, ishte dhe kisha e Shën Premtes, po sot kanë ngelur vetëm mbeturinat e saj; si duket, pasi u rrëzua kisha, me gurët e saj u ngritën xhamija dhe minarja e xhamisë; xhamija u prish dhe ajo, dhe sot ka ngelur gjysëm e rrëzuar vetëm minareja. Në jug, jashtë mureve të kështjellës, në një vend që është rripë dhe greminë, nën shkëmbinjtë me shpella, të cilët me një madhi egërsore shkaktojnë tek ai që i sheh për herë të parë një përshtypje të thellë e të tmerrshme, është kisha e Shën Millit, në formën e kishës së Shën Sofisë të Konstandinopojës, po shumë e vogël, ndoshta dhe nga vendi i ngushtë; në shkëmbenj janë ca shpella, njëra nga këto duket si shpellë artificiale, ndoshta është; përdorur për banim përpara se të rrethohet kështjella me mure, në kohën prehistorike.
Nën kishën e Shën Millit është kisha e Shën Mërisë së Shumbullit, përmbi udhën e madhe anës së lumit; ndoshta ka qenë kishë e vogël dhe më përpara po, sipas gojdhënës së pleqëve u bë transferim, pas okupacionit
turk, i kishës së Shën Mërisë Murat Çelepijasi në këtë vend; në vitin 1800 u dogj, po u ngrit prapë si është dhe sot, me piktura të bukura në vitin 1808.
Katedralja u ngrit godinë e re me 1790; nga gjatësia, gjerësia dhe lartësia është më e madhe nga të gjitha kishat e dioqezës, dhe nga ky shkak, pasi janë bërë për të dhe shpenzime të mëdha, e meriton drejtësisht titullin e katedrales. Perveç bukurisë së tëmbllit dhe të amvos, një bukuri të veçantë kanë dhe tri kore (ikona) me piktura të vjetra dhe përfytyronjëse; këto sipas gojëdhënës së pleqëve, i kishte kishë e vjetër, në të cilën i prunë prej kishës së Ballshit, përpara dy shekujve.
Përpara 50 vjetëve banorët e kështjellës, ndonëse nga një lagje, ishin të ndarë në katër pjesë dhe më të shumtën e motit faleshin në kisha të veçanta; nga ky shkak atëhere kishte 4 priftërinj; po pasi u zhduk lokalizma, filluan të falen të gjithë në kathedralen, në të cilën, u mblodhën dhe 4 priftrinjtë; sot ka vetëm 2 priftërinj.
Midis librave shkollore ishin dhe fetarë të shtypura në Venedik, në shekullin e 18-të; pasi shkolla plotore u-transferua në Mangalem dhe në kështjellë ngeli vetëm shkolla fillore, biblioteka me ca libra që ngelen, se më të shumat, mbasi nuk mbaheshin mbyllur, u shpërndanë, u transferua në katedralen pas vitit 1890. Midis librave ishte dhe një libër i shtypur në Venedik më 1733, autori i këtij është Nektar Terpoja prej Voskopoje. Ky libër me titullin Pistis (besim) tregon në kohë një grindje midis atyre shqiptarëve që ishin kristianë dhe donin të bëheshin muhamedanë, se s’duronin zgjedhen e rëndë të turkut dhe ca më tepër se këtë ua rekomandonin dhe disa gra, duke i thënë „vini një emër turku, se na plasi shpirti” sikundër për këtë thotë Nektari, dhe atyre, të cilët ishin të mendimit të duronin zgjedhën dhe të mos të ndërronin fenë.
Në këtë Manastir historik, i cili dominon për shkak të vendit mbi Myzeqenë dhe anëdetin, u kurorëzua Skënderbeu më 26 Prill 1451. Më 25 Dhjetor të vitit 1724 mbasi mori vesh se në Dragot, katund 3 orë larg në veri të Beratit, ishte një grindje e madhe për këtë çështje, vajti në kishë dhe predikoi të mos ndërrojë njeri fenë; po, pas kishe u bë një zhurmë dhe e rrahën kaq sa krahun e rrëmaktë s’mund t’a përdorte, as të flinte mbi të.
Libri e Nektarit, si libër fetar u shkrua vetëm për qëllimin e përmendur; po me gjithë këtë në ca pika del ngandonjëherë nga ky qëllim dhe bën fjalë për gjëra të tjera, në të cilat bëhet përfytyronjës i mentalitetit të njerëzve të asaj kohe: për shembull midis të tjerave që s’kanë të bëjnë me fenë bën fjalë kundër atyre që shisnin verën me mungesë duke zbrazur në qindësin verën me mjeshtëri të veçantë e të shpejtë që të përbënte shkuma e verës dy gishtrinjë mbi të. Për ata që bënin monedha false Nektari pretendon t’u shkulte qeveria dhëmballët dhe t’u priste krahun.
Çelja e kësaj shkolle si dhe disa të tjerave në katunde të qarkut i detyrohet dhe Hieromonakut Kozmait, (ose Gjero-Kosmait, siç e quante Ali Pasha), i cili vizitoi këtë qytet dhe katundet dy herë; herën e parë, si provohet nga një shënim në një libër fetar të Shën Gjergjit, në verën e vitit 1777, dhe herën e dytë në vitin 1779. Në këtë kohë, sundimtar i Beratit dhe i qarkut tij ishte Ahmet Kurt Pasha, burrë drastik dhe zemërmirë; ishte prej gjinisë së Skënderbeut dhe jo si pandehin disa gabimisht turk; se për origjinen e Kurtit gojëdhënat janë shumë të forta; ndoshta do të ketë qenë prej nipërve të Skënderbeut, të cilët u bënë muhamedanë, prej djemve të motrave të Skënderbeut, Mamicës ose Ngjelinës, kjo nuk dihet.
Kurt Pasha nga katundi Ngurrze u hodh në Lushnjë dhe nga Lushnja në Berat, ku u bë dhe sundimtar pas vdekjes së vjehrit të tij Ismail Pasha i Velabishtit, që nga viti 1760 deri në vitin 1784. Kurt Pasha, mbasi Hieromonaku Kozmai në atë kohë të egër dhe të errët, përveç këshillave fetare, popullit i jepte dhe këshilla njerëzore, këshilla si të kishin dashuri, të mos i bënin dëm njëri- tjetrit, të mos t’a kishin mendjen në mbajtjen e armëve etj. dhe nga ky shkak predikimet e tij i dëgjonin, përveç kristianëve dhe muhamedanët, i bëri nder një seli prej kadifeje, që të rrinte mbi të kur predikonte. Herën e dytë mori vërtet vdekje dëshmori me 24 gusht 1779, por kjo, ndonëse nuk mund të konsiderohet për këtë krejt i papërgjegjshëm Kurt Pasha, u bë për shkak të Mullait të tij që e blenë me të holla judenjtë, të cilët në zemrat e tyre, edhe kundër feve të tjera, po veçanërisht kundër fesë kristiane, ushqejnë prej shekujve emrin „të pa fjetur“. Po me gjithë këtë, kjo vdekje qe e mirë, si për emrin e Hieromonakut, si edhe për vendin, se shkaktoi më pas me urdhërin e Ali Pashës, me 1814, goditjen e Manastirit të Shën Kozmait në Kolkondas, gjithashtu dhe çeljen e një shkolle të madhe, se për këtë qëllim bëri këtë shënim, dhe pasi kjo shkollë, me mësuesit që nxori, i bëri arsimit shërbim të madh 70-80 vjet. A1i Pasha dha urdhër për goditjen e Manastirit, jo nga cmira kundër Kurt Pashës, të cilit i kishte kërkuar të bijën dhe Kurti s’ia dha këtij po ia dha Brahim Pashës së Vlorës, porse Hieromonaku i kishte thënë 30 vjet më përpara se do të hipte në një shkallë të lartë.
Qyteti i Beratit përbëhet nga nëntëmbedhjetë lagje; nën kështjellë nga lindja dhe juglindja shtrihen lagjet Përroj, Mangalemi (emër i përbërë ndoshta nga shkurtimi i fjalëve mënga e lumit) dhe lagja. Atik; në këtë lagje, si Katedrale për kristianët, është për Muhamedanët Xhamija e Mbretit, e cila, sipas gojëdhënës së pleqëve, ka qenë përpara muhamedanizmës kishë, po ndoshta dhe përpara se të bëhet kishë kristiane do të ketë qenë, për shkak të vendit, faltore pagane. Përbri xhamisë ishin dhe sarajet e Ahmet Kurt Pashait, të cilat, qysh prej gjyshit të tyre Omer Vrion Pashait, i kanë sot Vrionasit, të zbukuruara në një pjesë me gurë të skalitur dhe shtylla mermeri të sjella nga Pojani; në jugun e kësaj lagje, si dhe të Mangalemit, shtrihet Tregu deri në lumin, i cili duke shkuar përmes lagjes së Goricës e lë nga remakta; kjo lagje u banua për herë të parë në kohën e Kurt Pashait, se më përpara ishte pyll i veshur me përnalla! Kur donin t’i vinin emër, pasi këtë lagje në kohën ë dimrit nuk e merr dielli, e quajtën turqisht me fjalët „gjynesh-gjorenmes-mahalesi“ po populli, sipas zakonit të tij, nga fjalët „gjynesh gjorenmes“ bëri me shkurtim fjalën Goricë, si quhet edhe sot lagjia.
Shkolla e kësaj lagje u ngrit më 1812 kur ishte sundimtar i Beratit i biri Ali Pashës, Mukhtar Pasha. Ura e mbiemëruar “ur’ e Goricës” u bë prej Kurt Pashait e prej guri, se më përpara ishte e drunjtë, më 1777, sikundër për këtë është një shënim në një libër fetar të Shën Gjergjit; përveç kësaj ure, Kurt Pashai bëri dhe urën e Çukasit prej guri, gjithashtu dhe ca të tjera të vogla; urën e rrëzoi lumi i Beratit më 6 Dhjetor 1880 nga shirat e jashtëzakonshëm që ranë në atë kohë. Në kohën e luftës së fundit, luftëtarët, mbasi i tronditën dhe i avalisën urën e Hasan beut dy orë larg Beratit, dhe urën e Goricës me qerre dhe automobila, për nevoja lufte, u prishën këtyre të dyjave dhe nga një pjesë; pas fundit të luftës urën e Hasan beut e ndreqi si është sot, Bashkia më 1921, dhe urën e Goricës më 1923.
Nga lindja dhe veriu i Tregut shtrihen në fusha dhe bregore, me gjatësi dhe gjerësi të madhe, më të shumtat e lagjeve me popullsi të dendur; popullsia në vitin 1838 ishte 7000; sot popullsia e qytetit përbëhet prej 9009 banorësh nga të cilët 3884 janë kristianë dhe 5125 muhamedanë; shkaku i mosshtimit të popullsisë, sa në vitet e para ka qenë sundimi barbar i turkut; po mjerisht dhe prej 25 vjetësh, si nga Serati dhe nga vise të tjera të Shqipërisë, shumë djem kanë mërguar në Amerikë dhe kthimi i tyre nuk dihet.
Tregu, perveç pak godinave të mira, është ende përgjithësisht në gjendjen e vjetër me udhë të ngushta dhe me dyqane prej balte dhe dërrasa të mballosura; po Bashkia, pasi rrëzoi anës së lumit të gjithë dyqanet e vjetra për të zgjeruar udhën prej Prefekturës deri në bishtin e urës, do të vazhdojë më pas të zbatojë gradualisht të tërë planin për zbukurimin e qytetit.
Berati pëson mjerisht për ujë të mirë, se lumi në kohën e dimrit është më shumë i turbullt a i hirrosur; në kohën e verës ujin e ka të pakët; po dhe në krahasimin me ujin e Devollit dhe të Vjosës nuk është në atë gradë; se në ujin e tij përzihet dhe uji i zi, i cili prish ujin e mirë që përbëhet nga uji i Kolonjës dhe përrenjve të Tomorrit. Puse, Berati ka mjaft në Tregun dhe në lagjet, po uji i tyre si shkak dhe i vendeve të puseve, nuk është pa mikrobe; ujë të mirë ka vetëm çezma e Murat Çelepijasit; po kjo përveç se është larg qytetit, nuk mjafton për popullin; përpara dy vjetësh Bashkija në bregoren e Shëndëlliut hapi katër puse të thellë me qëllim që të vinte ky ujë në qytet; po, me gjithë përpjekjet dhe shpenzimet prej 200 -300 napolonash, doli kaq pak ujë sa s’meriton të bëhet fjalë për të; shërimi i kësaj plage do të bëhet kur të vijë në Berat uji i Mbreshtanit, elementët shëndetsore dhe shijimi i të cilit, janë sprovuar prej vitesh; lumturisht ka edhe ujë mjaft, sa për të bluar gati një gur mulliri dhe vendi i Mbreshtanit ësht i lartë, për prurjen e këtij uji udhës së Mbreshtanit janë dhe sot qyngje dhe gojëdhëna thotë se këtë ujë deshi t’a shpjerë në Berat Ali pasha (ndoshta i biri kur ishte sundimtar në Berat); po sot ka mënyra shumë të lehta për këtë. Të gjithë kryetarët e Bashkisë e kanë menduar nevojën e madhe të këtij uji për qytetin; po s’i ka ardhur koha, se vërtet shpenzimet për këtë 3000 a 4000 napolona janë të mëdha, po giithashtu dhe çështja e shëndetit të popullit të një qyteti nuk është gjë e vogël; në qoftë se ky ujë do të ngjitet në stemën e kështjellës dhe s’andejmi të shpërndahet në lagjet e qytetit, atëherë bashkia me qytetin do të shërohet e do të shpëtojë prej kësaj mungese dhe lagjia e kështjellës, banorët e së cilës kanë vetëm erën e mirë, po ujin e marrin nga lumi a nga çezma e Murat Çelepijasit.
Qyteti me kështjellën nga Çuka e Tomorrit, i cili nga lindja është larg katër orë dhe nga Shpiragu në Perëndim, i cili është dy orë larg duket si gropë. Nga mali i Goricës kështjella duket si nji avullanije e madhe.
Ky është, shkurtimisht, Berati plak, “Kështjella e Bardhë” e moçmja, kërthiza e Shqipërise dhe kryeqyteti i Toskërisë me qark prej 526 katundesh; prandaj pleqtë thoshin dhe thonë: Berati është plak, është zgërbonjë e vjetër, hyjnë me qerre, dalin me trasta.
Gjergj Haxhi Mihali – Berat, 5 Korrik 1927
………………………………………………………………….
________________________________________________
EVLIA ÇELEBI, SHËNIME PËR BERATIN (QYTETIN E 1000 SYVE)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=5280