GJOKË DABAJ: A JANË SHQIPTARËT ‘MYSLIMANË’ TË RREZIKSHËM?!

Durrës, 15. 11. 2016: (Koment i ndeshjes Republika e Shqipërisë – Izrael) – Kombi shqiptar konsiderohet dhe “duhet” të konsiderohet komb mysliman! O Zot i madh, i pamëshirshëm! Qysh prej shekullit XV, madje qysh prej shekullit XIV, prej vitit 1371, kemi luftuar për të mos u quajtur myslimanë dhe s’po ia dalim dot që t’ia mbushim mendjen botës se s’jemi tjetër, përveçse arbro-shqiptarë!
Rezistuam në të gjithë shekujt. Në shekullin XV nxorëm një kryeprijës, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, që t’ia mbushnim mendjen Evropës sonë se nuk kemi asgjë të përbashkët me otomanët. Nuk e bindëm dot Evropën! Ajo e pranoi Gjergjin për evropian, por jo etninë, së cilës i përkishte Gjergji. E adhuroi Gjergjin, por në asnjë vend nuk shohim që të adhurojë edhe arbërit, bir i të cilëvet ishte ai Gjergj.
Shekull pas shekulli bëmë luftëra. Në 500 vjet 500 kryengritje, ka thënë një shkrimtar i yni. Bëmë kuvende, shkruam libra të krishterësh në gjuhën tonë. Evropa mbet mbet e verbër dhe e shurdhër. Në shekullin XIX u vu në lëvizje krejt Kombi Shqiptar, në përpjekje për t’ua mbushur mendjet bashkëkontinentasvet që edhe ne jemi pjesë e tyre. Nxorëm një De Radë, nxorëm një Dora D’Istri që i ranë këmbët duke u endur nëpër Evropë, nxorëm një Zef Juban, nxorëm një Thimi Mitko, një Andon Zako Çajup, një Luigj Gurakuq, një Gjeçov, një Fishtë, një Fan Nol, por prapë Evropës nuk iu mbush mendja që ne nuk jemi një komb mysliman.
– Në vitet 1878-1881, me bindjen që Shqipëria ishte thjeshtë një copë Turqi, Evropa u fali Sërbisë e Malit të Zi vise të shumtë të vendit tonë.
– Në vitin 1913, Evropa, prapë duke menduar që shqiptarët nuk janë shqiptarë, por turq, u fali sllavëvet të jugut dhe grekëvet dy të tretat e atdheut tonë.
– Më 1915, fshehtas, bëri plan që të na e asgjësonte edhe atë pak shtet që e kish miratuar me gjysmë zemre më 1913-n.
– Në vitet 1918-1920 prapë u desh Kongresi i Lushnjës, që t’i largojë sado pak mjergullat prej syvet të Evropës.
– Më 1924 vumë një të krishterë në krye, por Evropa prapë nuk deshi të na e pranojë. As mbretin, që jo më kot u martua me një të krishterë, nuk na e quajti, por na u sul me ushtri të madhe dhe na pushtoi, si të ishim një vend i Afrikës koloniale.
– Në vitet 1941 deri në vitin 1990, i hodhëm matanë edhe fanatizmin kristian, edhe fanatizmin mysliman, por kurrsesi nuk iu mbush mendja Evropës që edhe ne shqiptarët mund të ishim ateistë, siç ishin gjysma e francezëvet apo gjysma e gjermanëvet.
– Në të 50 vitet e Kohës së Enverit ata e ruajtën bindjen që ne, o duhej të mbeteshim një komb mysliman me fare pak përzierje “aksidentale”, o të mos llogariteshim fare. Jugosllavët le të ishin komunistë, ata mbetshin evropianë. Grekët le të kishin gjysmën e popullit me Partinë Komuniste, ata prapë mbeteshin evropianë.
– Mbas vitit 1990, e vetmja industri, industria më e madhe që do të financohej nga jashtë, ishte ringritja dhe trefishimi ose katërfishimi i objektevet të kultit: xhami, teqe, kisha ortodokse dhe kisha katolike. Ky ishte edhe është financimi ndërkombëtar, i pakursyer, për ta nxjerrë Kombin Shqiptar nga “prapambetja”.
Po çfarë ndodhi?!
Le të bënte Vatikani çfarëdo përpjekjesh, le ta shpallte shenjtore një Nënë-Terezë, le t’i shpallte martirë të komunizmit 38 priftërinj katolikë, le t’i jepeshin para pa hesap një peshkopi grek për ta mbushur Shqipërinë me kisha që doemos duhej të quheshin greke, shqiptarët prapë në sytë e botës do të mbeteshin MYSLIMANË.

Le të ishin shqiptarët kombi i vetëm në botë që i ka mbrojtur izraelitët prej nazistëvet gjermanë, ata prapë në sytë e botës duhej të mbeteshin MYSLIMANË.
Në të këtilla rrethana të një lajthitjeje shumëshekullore ndaj identitetit të arbro-shqiptarëvet (ndoshta prej ndonjë inati të atavizuar), do të vinte dhe do të luante futboll në Shqipëri një ekip i Izraelit. Të gjitha gjasat ishin që ky ekip ta humbë ndeshjen me ekipin shqiptar. Po ç’do të ndodhte atëherë me tifozët në Tel Aviv, në Jerisalem, në krejt Izraelin dhe në mbarë botën?! Ata do të thoshin: “Na mundën myslimanët!” Nuk do të thoshin na mundën shqiptarët! Ta humbnin ndeshjen me italianët, me spanjollët, me të quajturit “maqedonë” apo edhe me Lihtenshtejnin, s’ka asgjë të keqe: Është futboll, është lojë, topi është i rrumbullakët, mund të fitosh, po edhe mund të humbësh. Por me myslimanët kurrsesi, sepse pastaj kush i duron palestinezët?! Le, kush i duron palestinezët, po kush i mban tifozët izraelitë, që të mos e shfryjnë inatin mbi palestinezët?! Mund të ndodhin rrahje, mund të ndodhn rrëmbime fëmijësh, mund të ndodhin edhe vrasje.
Mirëpo, a shkonte në këtë kohë delikate një acarim shtesë midis Izraelit dhe botës myslimane që e rrethon?!
E gjithë kjo, qoftë edhe thjeshtë fantazi, duhet t’i ketë vënë në lëvizje tutorët e organevet politiko-policoro-shtetërorë të Izraelit, që ndeshja me ekipin shqiptar duhej fituar me doemos. (Janë po ata tutorë që provokojnë incidente në ndeshjen midis Greqisë dhe Bosnjës.)
Muhaxherri ishte gati. Ai, qysh në zanafillë, punon me të dy krahët. Le ta “organizonte” ai një gjysmë komploti. Dhe pikërisht me telefona, se ndryshe s’ka si zbulohen komplotet! Le të ndërrohej me alarm stadiumi. (S’e di a ka ndodhur në botë një zhvendosje e tillë aq urgjente nga një stadium në tjetrin!?) Le të caktohej një “turk”, pra një Muhaxherr tjetër, për ta trukuar fare açik atë ndeshje. Dy mijë policë do të merreshin vetëm me ruajtjen e rendit. Në stadium nuk do të lejoheshin as çadrat për t’u mbrojtur nga shiu. Ekipi izraelit do të hynte në Republikën e Shqipërisë inkonjito, duke i “mashtruar” “terroristët” me autobusë të zbrazët…
Duhej të harronte Izraeli, qoftë edhe me manipulim, që po ky popull, në kohën e Hitlerit, nën hundën e nazistëvet, u ka shpëtuar jetët e hebrenjvet nga vdejka e sigurt, duke rrëzikuar familjet e veta. Rrjedhimisht, duhej të harronte Izraeli që, edhe në këtë rast, nëse do t’i këcënohej jeta qoftë edhe një lojtari, shqiptarët ishin në gjendje ta mbronin atë me jetët e veta!
Dhe tani nuk po dimë, ku e kishin hallin zotërit e politkës së sotme botërore, ngatërrestarët profesionistë të kësaj politike: A donin të shpëtonin ekipin izraelit nga “vdekja” këtu në Shqipëri?! A donin të kënaqnin tifozët izraelitë me një fitore të pamerituar?!
Apo kishin hall ta paraqisnin edhe njëherë Kombin Shqiptar si një komb përjetësisht mysliman?!
Kujt po i intereson që shqiptarët të reklamohen me kaq bujë si myslimanë, madje tepër të rrëzikshëm?!

Gjokë Dabaj, Durrës – 14 nëntor 2016.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura