SHERADIN BERISHA: GJYKIMI I PARISË SË PRIZRENIT(III)

Pashtriku.org, 27. 10. 2013 – Gjatë procesit hetimor, EULEX’i ka vërtetur të gjitha provat e mbledhura, dhe më 27 shkurt 2013, në një komunikatë të lëshuar nga zyra e EULEX’it, bëhet e ditur se, më 26 shkurt 2013 prokuroria ka ngritur aktakuzë prej 21 faqesh, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, kundër Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë zyrtarëve tjerë të kësaj komune, Minir Krasniqit, Sadik Paçarizit, Avni Ademajt, Kadri Ukimerit dhe Abdullah Tejecit. Aktakuza është ngritur nga prokurorja e EULEX’it Natasha Vicary, në pajtim me nenet 240 (1), 241 (1) të Kodit të Procedurës Penale (KPP).

Kryetari Ramadan Muja, Drejtori i Administrës Minir Krasniqi dhe të tjerët akuzohen për shfrytëzimin dhe përfitimin e kundërligjshëm nga toka që i takon Komunës së Prizrenit dhe për vepra të tjera që kanë rezultuar me shkelje të rënda të të drejtave të një numri të paditësve në konteste civile. Në komunikatën e EULEX-it thuhet se Ramadan Muja akuzohet në katër pika të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Minir Krasniqi, akuzohet në dy pika, kurse Sadik Paçarizi, Kadri Ukimeri, dhe Avni Ademaj, akuzohen në një pikë të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit.

Kryetari i Komunës Ramadan Muja dhe Shefi i Administratës Komunale Minir Krasniqi, duke hyrë në Gjykatën themlore në Prizren.

 * * *
Në aktakuzë saktësohet se me aktgjykimin e datës 26 maj 2006, Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur Komunën e Prizrenit si pronare legjitime të parcelave të tokës me numër 8617 (me sipërfaqe 0.20.65 ha) dhe 8619 (me sipërfaqe 0.06.22 ha), në vendin e quajtur “BUZAGILLËK” (fletë poseduese nr.8414 ZK Prizren) dhe të dyja këto parcela kapin vlerën rreth 50 mijë euro.
Nga 1 korriku 2008 deri më 29 nëntor 2011, Ramadan Muja së bashku me Kadri Ukimerin, në cilësinë e Drejtorit të Gjeodezisë, nuk kanë ekzekutuar këtë aktgjykim, që këto dy parcela të kalojnë në pronësi të komunës. Edhe pse avokati publik i Komunës së Prizrenit (Eqrem Muçaj) përmes një memorandumi, e ka njoftuar Kryetarin e Komunës – Ramadan Muja, që vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës duhej të ekzekutohet, ai kishte urdhëruar Kadri Ukimerin të bënte të kundërtën.
Sipas aktakuzës, Ramadan Muja “ka urdhëruar Ukimerin që të mos bënte ndryshimet e duhura në shënimet kadastrale që do ta bënin Komunën e Prizrenit pronare të ligjshme të parcelave tokësore”.
Ndonëse Kadri Ukimeri ishte përgjegjës për zbatimin e këtij vendimi ai qëllimisht ka dështuar që të ndërmerrte veprime me të cilat komuna do të bëhej pronare e parcelave në fjalë, – thuhet në aktakuzë.
Meqenëse këto parcela nuk u kthyen në pronësi të komunës, nga veprimet e paligjshme të Ramadan Mujës dhe Kadri Ukimerit kanë përfituar Minir Krasniqi, Shefi i Adminstratës Komunale dhe Kryetar i Degës së PDK-së në Prizren, M.Q dhe J.A.
* * *
Në një pikë tjetër të aktakuzës, thuhet se nga 24 nëntor 2010 – 11 shkurt 2011, kryetari i Komunës Ramadan Muja së bashku më Minir Krasniqin, Drejtor i Administratës dhe Avni Ademaj U.D i drejtorit për gjeodezi, kanë vepruar në bashkëkryerje që t’i sjellin dobi pasurore – Qendrës Edukative Arsimore “Gulistan”. Kjo treshe, në mënyrë të paligjshme kanë marrë në posedim parcelën e tokës me numër 800/2 me sipërfaqe prej rreth 50 mijë metra katrorë në vendin e quajtur “Boka Boka” me vlerë prej 100 mijë e 600 euro. Toka ishte e regjistruar në emër të Organizatës Punuese të Pylltarisë “Sharri” dhe administrohej nga AKP-ja, dhe si të tillë komuna nuk mund ta shfrytëzonte. Për të administruar me këtë pronë, nën organizimin e Mujës, Krasniqit dhe Ademajt, toka kishte kaluar nga AKP-ja në pronësinë e komunës së Prizrenit brenda një dite. Tokën e AKP-së Ramadan Muja e mori në posedim më 24 nëntor 2010 kur kishte lëshuar vendimin 01/730. Të njëjtën ditë, Minir Krasniqi kishte kërkuar nga Avni Ademaj që të bënte ndryshimet e nevojshme në kadastër të cilat ishin bërë nga Ademaj po atë ditë. Kështu, tre muaj pasi kishte marrë paligjshëm tokën e AKP-së, më 11 shkurt 2011 Komuna ka nënshkruar kontratë me Qendrën Edukative Arsimore “Gulistan” me të cilën në mënyrë të paligjshme i jepet kësaj të fundit toka e AKP-së në shfrytëzim për 40 vjet pa kompensim.
Kur bëhet fjalë për shfrytëzim pronash publike – Kryetari Ramadan Muja, pa u ndalur ka vazhduar të merrte vendime të paligjshme!
Nga 15 dhjetori 2010 deri më 14 prill 2011, Ramadan Muja dhe Sadik Paçarizi, drejtor i drejtorisë për urbanizëm, kanë tejkaluar kufijtë e autorizimive të tyre kur i dhanë tokën publike fabrikës së çokollatës “KAMILA”. Me vendim të kryetarit Ramadan Muja (pa i ndjekur procedurat përkatëse ligjore) fabrikës i është ndarë toka prej 20 mijë metra katrorë në vlerë prej 40 mijë euro, duke e shfrytëzuar pa pagesë.

– Aktakuza e Prokurorisë së EULEX’it në Prizren –

* * *

PARIA E PRIZRENIT PARADITE NË GJYKATË E PASDITE NË FUSHATË!
Më 25 mars 2013 në Gjykatën Themelore të Prizrenit, është mbajtur seanca e parë publike gjyqësore, ndërsa më 13 gusht ka nisur procesi i rregullt gjyqësor kundër Kryetarit Ramadan Muja, Drejtorit të Administratës Komunale Minir Krasniqi dhe zyrtarëve tjerë të komunës. Më 19 Shtator 2013 ishte paracaktuar seanca e radhës gjyqësore, mirëpo ajo nuk u mbajt për shkak se, i akuzuari kryesor Ramadan Muja ishte me GRIP! Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, atë ditë ka deklaruar se kryetari Ramadan Muja është i ftohur dhe se me rekomandimin e mjekëve nuk ka marrë pjesë në gjykim. Mungesa e tij bëri që gjyqtari i EULEX-it Vladimir Nikula, të shtyjë seancën për datën 10 tetor. Në seancën e 10 tetorit 2013, Ramadan Muja, ka kërkuar nga trupi gjykues që gjykimi i tij të shtyhet deri pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. “I nderuari gjyqtar! Po ju njoftoj se unë jam kandidat për kryetar të Prizrenit. Gjykimi që po mbahet ma pamundëson të jem i barabartë me kundërkandidatët e tjerë, prandaj kërkoj që të shtyhet deri pas 3 nëntorit”, – ka thënë Ramadan Muja. Ndërkaq Gjyqtari Vladimir Mikula, nuk e ka aprovuar kërkesën e Mujës dhe ka shpreh interesimin që seancat gjyqësore të vazhdojnë sipas parashikimeve dhe mundësisë së gjykatës. “Të kuptoj në aspektin njerëzor, por ne do t’ju trajtojmë si çdo person tjetër” – i ka thënë Mikula, kandidatit të PDK-së për Kryetar të Komunës, z.Ramadan Muja. Më 24 Tetor 2013, u mbajt seanca e radhës kundër, Ramadan Mujës dhe pesë drejtorëve të tij, mirëpo ajo u shty për datën 7 nëntor, pasi mungonte i akuzuari Kadri Ukimeri, i cili sipas avokatit Brahim Sopa, Kadri Ukimeri, është sugjeruar nga Spitali i Prizrenit, që për disa ditë të trajtohet jashtë vendit. “Unë jam njoftuar nga familjarët e tij që klienti im ka dal jashtë Kosovës, për një trajtim mjekësor. Sipas sugjerimeve të mjekëve ai do të kthehet pas 8 apo 10 ditësh”, – ka thënë avokati Sopa.
Meqë këto ditë po zhvillohet fushata elektorale për zgjedhjet e 3 nëntorit, Paria e Prizrenit paraditet po i kalonë në gjykatë, e pasditet në fushatë!

– FUND –

===============

– LEXONI PJESËN E DYTË –
SHERADIN BERISHA: GJYKIMI I PARISË SË PRIZRENIT(II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2040

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura