GJOKË DABAJ: DEPUTETËT SHQIPTARË, KUDO QË JANË, SI T’I KTHEJMË NË NJERËZ?!

(Pashtriku.org, 19. 10. 2012) – Jo më larg se dje e dhashë një mendim për bisedimet me Sërbinë. Nuk jam unë i pari. Edhe para meje, shumë kanë thënë afërsisht kështu. U publikua ai mendim. (Me siguri që s’e ka lexuar asnjëri prej deputetëvet. Por, edhe sikur ta ketë lexuar, a do të mund t’i bënte efekt?!)
Ish një mendim i mbështetur në të vërteta. I argumentuar. I mbushur me dhimbje, për këdo që ka sadopak formim humanist. Dmth, për këdo që është sadopak njeri. I mjaftueshëm për t’u ndalur (ai që është sadopak njeri) dhe për t’u menduar. I mjaftueshëm për t’u bërë serioz shqiptari e për të thënë: Pa dale njëherë! Të ulemi e t’i shqyrtojmë këto punë si burra të mençur dhe si gra të mençura! Të bisedojmë si njerëz me sedër! Si njerëz me shtyllë vertebrore vertikale!
Asgjë nga këto nuk ndodhi sot në Kuvendin e Rep. së Kosovës. Deputetët e Rep. së Kosovës u treguan sot po aq joshqiptarë, sa ç’tregohen në shumë raste edhe këta të Tiranës, edhe ata të Shkupit, edhe të Podgoricës, edhe të Ankarasë, edhe të Athinës. (Se, për fat, deputetë kemi në të gjithë këta kryeqytete. Kemi, por… qyqarë në formimin e vet. Nuk janë burra, siç mund të ishte psh, njëherë e një kohë, një… deputet Hasan Prishtinë. Ose siç mund të ishte një… gjeneral Marko Boçar.)

……………………………………………

Prishtinë, 18. 10. 2012: Me 68 vota pro, 4 abstenime dhe 3 kundër, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

…………………………………………………..

Shkrimi im për bisedimet me Sërbinë, në edicionin e portalit “Pashtriku”, ishte shoqëruar me foton e një fëmije të masakruar prej sërbëvet. Do të ish e mjaftueshme ajo foto, për t’i bërë seriozë të paktën sot parlamentarët e Rep. së Kosovës.
Por votimi i tyre tregoi krejt të kundërtën. Parlamentarët tanë në Rep. e Kosovës, nuk u treguan as seriozë, as burra (e burrnesha), as trima (e trimnesha). Fol sa të duash! Shqetësohu sa të duash për fatet e nesërm të Kombit! Arsyeto si të duash, mbi faktet rrënqethës të së kaluarës! Ndaç edhe bërtit! Ndaç dil në rrugë vetë i njëmijëti, vetë i njëqindmijëti! Ndaç dil në foltoren e parlamentit dhe thuaj, siç tha ai djali i Vetëvendosjes: Mos e votoni këtë… (Çfarë ishte ajo?!)… këtë paçavure! Këtë copë letër, e cila i skllavëron shqiptarët! Këtë copë shkarravinë që u heq shqiptarëvet edhe elementin më elementar të dinjitetit. I bën skllevër të Sërbisë (O mjeranë të mjeruar!) më keq se ç’ishin disa prej nesh skllevër në kohën kur sërbët ishin këtu, me ushtri e me milici.
Fol sa të duash! Ndaç hesht e plas, duke e ndryrë indinjatën brenda vetes!
A dini si m’u dukën sot deputetët e Rep. së Kosovës?! M’u dukën servilë e dallkaukë të shkallës më të ulët. Dhe m’u mbush mendja që, sikur edhe fotografitë e fëmijëvet të tyre t’ua kishin prurë aty, të therur SOT prej sërbëvet, ata prapë do ta kishin votuar atë lëvere skllavëruese. Mjerë ne! Tash s’ka mbetur tjetër, veç t’u themi të rinjvet tanë: Mos pillni më! Ç’i doni pjellat, kur s’jeni në gjendje t’u dilni zot?!
E unë prapë po them: Sikur, jo fotografitë e fëmijëvet të tyre, por vetë fëmijët e tyre, t’ua kishin çuar, mu në sallë, të therur prej sërbëvet, prapë ata deputetë do ta kishin votuar atë leckë (…Se ashtu u ka thënë DIKUSH, se u dhimbet rroga, se u dhimbet pasuria, se e humbin qyqen karrierë!)
Si t’i kthejmë në njerëz dinjitozë këta njerëz jodinjitozë?! Këta palopërfaqësues të pavertebër, që po e kthejnë kombin e vet në kombin më pa dinjitet, të kontinentit edhe të krejt botës!?!
Durrës, 18 tetor 2012

……………………………………………………

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

Tashmë dihet mirëfilli, se, gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat militare dhe paramilitare serbe kanë vrarë e masakruar në forma më mizore, rreth 15 mijë shqiptarë dhe 90% prej tyre ishin civilë të pa armatosur. Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar mijëra femra shqiptare. Gjithashtu, mësohet për rrëmbimin e mbi 3 mijë shqiptarëve, ku pas luftës afër 1000 mijë prej tyre u gjetën nëpër varrezat masive në Serbi (Peruqac, Petrovo Sello dhe Batajnica 1, 2 dhe 3), ndërsa akoma nuk dihet për fatin e 1.700 shqiptarëve të tjerë që konsiderohen si të zhdukur (të pagjetur). Sipas një përllogaritjeje të publikuar në raportin e KMDLNJ’së (1999), numri i objekteve të shkatërruara, të djegura ose të dëmtuara – i shtëpive dhe i banesave, i lokaleve afariste dhe i fabrikave, i shkollave dhe i objekteve të tjera arsimore, kulturore e shkencore, i objekteve fetare, i monumenteve kulturore e historike që nga lashtësia e deri në ditët e sotme është tejet i madh. Vlerësohet se gjatë luftës në Kosovë (mars 1998 – qershor 1999) janë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1100 vendbanime shqiptare; janë plaçkitur, djegur e shkatërruar (pjesërisht a tërësisht) mbi 200.000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore – historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj. Pas përfundimit të luftës, kur popullata e shpërngulur kthehet në Kosovë, ka gjetur dokumente ushtarake e madje edhe fotografi, në të cilat shihen qartë militarët e paramilitarët serbë në aksione, duke buzëqeshur mistershëm me armë në dorë përpara shtëpive që i kishte kapluar zjarri. Edhe pse emrat e kriminelëve që kryen mijëra masakra, janë identifikuar nga njerëzit që mbijetuan krimin, deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, as policia apo prokuroria e EULEX’it, as policia e Kosovës apo prokuroria vendore, por as institucionet tjera ndërkombëtares dhe as ato vendore (Qeveria, presidenca, Kuvendi apo shoqëria civile), nuk kanë treguar as më të voglin interesim, për t´i ndjekur e arrestuar këtë mori kriminelësh. Ndërkohë që EULEX’i po i ndjek e arreston luftëtarët e lirisë, të cilët me armë në dorë e mbrojtën popullatën nga gjenocidi dhe etnocidi serbë!…

……………………………………………………………..

(Shtojcën dhe ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura