GJOKË DABAJ: EMRI I KRANJËS, A ËSHTË SQARUAR PËRUNDIMISHT?(III)

(Durrës, 20. 06. 2012) – AGRAVONA, Rizoni dhe Ulcini përfshijnë këtu një tërësi gjeografike, e cila, së bashku me “vendet kufitarë”, që do të mund të ishin të sotmit: Budvë, Pashtroviq, Tivar, Cërrnicë, Ceklin, Llovqen e për ta mbyllur sërish me Grykat e Kotorrit. Pra, kemi të bëjmë mirëfilli me trevën midis Liqenit të Shkodrës dhe Detit Adriatik. Duke e parë kështu këtë regjion gjeografik, emërtimin AGRAVONË ne, pavarësisht se ndonjë studiues i mëhershëm mund ta ketë ubifikuar ndryshe, kemi të drejtë ta përafrojmë tingëllisht me emrin e sotëm të KRÂNJËS.
Por edhe gjeografikisht, sepse fakti që Tit Livi e vë në fillim AGRAVONËN, pastaj shënon Rizonin dhe e mbyll me Ulcinin, na nxit të marrim me mend që AGRAVONA të ketë filluar afër Shkodrës dhe të jetë shtrirë pranë krejt bregliqenit deri në Rijeka Cërrnojeviqën e sotme. Vetëm kështu AGRAVONA mund të përfaqësonte njërin kufi, atë të liqenit, kurse Rizoni e Ulcini 2 pikat ekstreme të kufirit tjetër, atij të detit. Në aspektin fonetik, A-ja do t’ishte një tingull nistor, të cilin e hasim te Buzuku, por edhe më vonë. Grupi GRA do të mund të përqasej me të sotmen KRA. N-ja mund të merret si prapashtesë -*ËNË, ndërsa rrokja VO do t’ishte në terrenin e atëhershëm thjeshtë një *HË. Pra, AGRAVONË,-A ose AGRAVONI,-A, mund të përafroheshin me një formë fonetikisht fare të pranueshme e të mundshme të asaj kohe, me formën *ËKRAHËN(Ë),-A ose *ËKRAHËNI,-A. Në këtë mënyrë, apelativi KRAH, prej nga ka ardhur edhe apelativi KRAJ, do të na dilte i përfaqësuar në një toponim e pakta 780 vjet para se perandori Irakli t’u ketë dhënë leje sllavëvet për të banuar edhe në jug të lumenjvet Sava e Danub.
Meqë jemi në këtë pikë të komentit tonë, po vëmë në dukje vetëm kalimthi që nuk do t’ish çudi që edhe emri METEON, më vonë MEDUN, të shpjegohej me iliro-arbërishten: *MATANË. Kranjanët e moçëm, përfshirë këtu natyrisht edhe shestanasit, edhe sot i thonë pjesës së përtejliqenit: MATANË.

______________________

_______________________

Në mesin e sh VI Prokopi i Cezaresë, fill mbasi shënon emrin e Shkodrës (Skyderon Polis), na jep fortesën ANTIPAGRAI. Duke e ditur që emrat topikë të Prokopit të Cezaresë janë tmerrësisht të tjetërsuar, nëse jo nga ai vetë, nga kopistët e shumtë të mëvonshëm, ne i japim të drejtë vetes që emrin e kësaj fortese ta kuptojmë si një fortesë pikërisht në KRÂNJË. Ndoshta mu aty ku ndodhen themelet e Kishës së Shënmërisë. ANTI- vërtet ka kuptimin: kundër, përballë, por ne mund të supozojmë që kopistët e kanë vënë atë në vend të A-së. Rrokja -PA- ka në gjuhën shqipe kuptimin e kundështisë, ngjashëm me ANTI- të greqishtes . Por edhe kjo rrokje mund të jetë ndërfutur aty për ndonjë arsye, që vetëm kopistët do të mund të na e sqaronin. Duke hequr ANTIPA- me këtë lloj arsyetimi, do të na mbetej GRAI. Pikërisht këtë -GRAI, mbështetur gjithmonë në faktin e njohur që kopistët kanë bërë kasaphanë mbi pergamenat e Cezaresë, ne e shohim si *KRÂNJË apo *KRAHNJË. Pak më poshtë vjen BREBETA, që ne na ngjan me BËRBOTIN, një lagje që sot ndodhet fare pranë kështjellës së Tivarit. Fill mbas emrit BREBETA është shënuar BUPOS, e përafrueshme me BATUAN, Budven e sotme. Dr.Sima Qirkoviq ka shkruar: “Shkenca moderne, me arsye, e identifikon këtë emër (emrin ANTIPAGRAI, Gj.D.), me emrin e mëvonshëm të Antivarit.” (Bar,f.9) Ne, siç po shihet, me emrin e mëvonshëm të Antivarit, ose edhe të atëhershmin, por që mund të jetë përdorur vetëm në popull, po përafrojmë, gjithmonë mbështetur në ngjashmërinë tingëllore, emrin BREBETA, që, simbas nesh, është ruajtur, madje mrekullisht në BËRBOTIN e sotëm. Me ANTIPAGRAI ne po mund të identifikojmë, me aq informacion sa kemi deri tash, vetëm KRÂJËN.
Në kohë të mëvonshme, mbas ardhjes së sllavëvet në gadishullin tonë, emrat KRAH dhe KRAJ, si emra të përveçëm, i kemi të përfaqësuar, si rrënjë fjalësh, në shumë vende, në këtë gadishull edhe jashtë këtij. Madje, si numër, por jo si variante përdorimi, toponimet me KRAJ i hasim më të shumtë në vendet sllavishtfolës se sa ndër shqiptarët.
Në Shqipëri kemi KRÂNJË, në kohët tona KRÂJË dhe, me një përdorim më të përcaktuar: KRÂNJA e Shkodrës, ashtu si Liqeni i Shkodrës. Do vënë në dukje këtu që, në shtypin sllavisht, qoftë atij gazetaresk, qoftë në veprat shkencore, ky toponim përdoret gabim në mënyrë krejt flagrante: Crnogorska KRAJINA (Cërrnogorska Krajina), në vend të së rregulltës: Skadarska Krajina. Mjafton të bëjmë këtë krahasim: Shkruhet e thuhet: Crnogorska Krajina, por shkruhet e thuhet: Skadarsko Jezero. Pse nuk shkruhet e thuhet: Crnogorsko Jezero? Sepse nuk është Crnogorsko Jezero.
Kemi toponimin KRAHËS, grup fshatrash në rrethinë të Tepelenës, në kufi me Mallakastrën. Kemi qytetin KRASTË në krahinën e Martaneshit, që vjen nga *KRA(HË)STË. Në Anë të Malit, në shpatinën e Taraboshit, me pamje nga deti, gjendet fshati KRAVAR, emri i të cilit vjen nga *KRA(H)VAR, me kuptimin: ana e varun, KRAHU i varun. Me formën VAR të pranemrit: I VARUN, kemi në këto anë edhe 2 toponime shumë të rëndësishëm: LJARE, që dikur ka qenë: *LËVARE, më vonë: LIVAR/E,-JA, dhe: TIVAR, që dikur ka qenë: *ËNTËVAR, reflektuar gjithandej në dokumente me: ANTIVARI.
Përveç këtyre emrave topikë, në hapësirat arbro-shqiptare ka pasur edhe emër njeriu, ndërsa në ditët e sotme, edhe më përpara, por sidomos mbasi KRÂNJA e Shkodrës u pushtua prej Malit të Zi, të ikurit prej këndej kanë marrë e ruajtur pranemrin, llagapin, KRAJA. Si emër njeriu në shekullin XV e hasim në defterët osmanë: “Marku i biri i KRAJËS, ziameti i Suhogërlës, varet nga kazaja e Pejës” (Pul.f.199). “Nika KRAJA (mund të jetë edhe pranemër, Gj.D.), nga fshati Koplik, varet nga Shkodra.” (Pul.f.361). “KRAJA i biri i Gjonit, banor i fshatit Xhovan (Sanet Aleksandro), varet nga Shkodra.” (Pul.f.368) Emri KRANJË, si toponim në defteret osmanë, sh XV, përcaktohet si “Nahija e Bregut të Përtejmë” dhe thuhet: “Fshati Skllav, varet nga KRAJNA.” (Pul.f.137). Fshati Skllav është Skjeja e sotme. Në një vend tjetër thuhet: “Nahija e KRAJNËS”, “Fshati KRAJNA”. (Pul.f.143). Këtu shikohet edhe ndikimi i emërtimit sllavisht të kësaj krahine, pasi informatori apo vetë regjistruesi i defterit mund të ketë qenë një sllavishtfolës. Kemi për të vënë re këtu një arsye të fortë fonetike. Emri KRÂNJË është shqiptuar prej shqiptarëvet me  hundore dhe me NJ. Nëse do t’ish huazuar prej sllavëvet, ky ndryshim tingujsh nuk do të kish ndodhur kurrë. Ai do të kish mbetur KRAJNA si në emrat e mësipërm.
Në të folmet sllavishte emri KRAJINA na shfaqet sërish edhe si emër njeriu. “KRAJINA, prokurator i Zahumljes” (ICG,1.f.405). “Për KRAJINËN, të birin e Belojës, zhupan i Travunisë” (ICG,1.f.364). Bie në sy që, që të 2 bartësit e këtij emri janë banorë të Travunisë, Hersegovinës së sotme. Kjo dëshmon që onomastika mesjetare në këto hapësira ka qenë e ndërndikuar, gjë që më poshtë vërtetohet edhe më mirë: KRAJINA, si toponim haset shumë dendur në krejt hapësirën sllavishtfolëse, por veçanërisht në drejtim të veriperendimit. Bosanska KRAJINA, Karlovačka KRAJINA (Karllovaçka Krajina), Julijska KRAJINA, Negotinska KRAJINA, Bilećka KRAJINA (Bileqka Krajina), Banska KRAJINA. Për toponimin Makarska KRAJINA, me formën CRAYNA, thuhet se është gjetur e përmendur për herë të parë më 1185. Ndërsa më 1273 kemi formën CRAYE, formë së cilës i mungon prapashtesa –INA. (Krs.ICG,1.indeks). Arqipeshkvi i Tivarit, Imz. Grigor Grsogono, emërtuar dikur si Pop Dukljnin, në vepën e tij “Sclavorum Regnum”, emrin e KRANJËS na e jep me formën CRAINA.
Kur flasim për emrin KRÂNJA e Shkodrës, një trevë fare e vogël, e cila përmbledh e shumta 40 fshatra në buzë të Liqenit të Shkodrës, por që është vendrrënja dhe vendlindja jonë, dhe prandaj e duam shumë, në mënyrë të natyrshme na shkon mendja te emri i një atdheu të madh të një kombi të madh, te UKRAINA. Ky emër është krijuar, pa asnjë mëdyshje, nga parashtesa U-, nga rrënja KRAJ (KRAH, simbas nesh) dhe nga prapashtesa – INA. Me keqardhje e themi që këtë herë nuk kemi mundur të sigurojmë ndonjë të dhënë, qoftë edhe të shkurtër, se si e shpjegojnë vetë gjuhëtarët ukrainas emrin e atdheut të tyre. Ndonëse ky tubim i yni është mjaft modest, ne do të dëshironim shumë që të kishim midis nesh qoftë edhe njërin prej studiuesvet të UKRAINËS. Sepse një gjë është e sigurtë: Të 2 këta emra vendesh kanë të njëjtën prejardhje. Ne themi që UKRAINË vjen prej fjalës iliro-arbro-shqipe KRAH dhe u munduam ta shpjegojmë dhe ta argumentojmë pohimin tonë. Është e vetëkuptueshme që do t’ish një kënaqësi e jashtzakonshme për të gjithë shqiptarët, në qoftë se gjuhësia ukrainase do ta përkapte dhe pranonte këtë etimologji tonën. Dhe, pasojisht, do t’ish një kënaqësi shumëfish e madhe, në qoftëse, psh, në shkollat e mesme të UKRAINËS të gjithë nxënësit ta merrnin vesh që emri i atdheut të tyre lidhet dhe shpjegohet me një fjalë të gjuhës shqipe. Nëse, nga ana tjetër do të silleshin argumente bindës për të kundërtën, natyrisht që edhe ne do ta pranonim. Mirëpo, gjithsesi lidhja midis nesh, banorëvet të KRÂNJËS së Shkodrës, dhe banorëvet të UKRAINËS, do të mbetej e pashkëputshme pikërisht për shkak të rrënjës së këtyre 2 emrave. Themi, e pashkëputshme, sepse janë pikërisht emrat e vendevet ata që dëshmojnë lidhje të lashta e të gjithanshme.
Prof.Millorad Stijoviqi emrin KRAJINA, si shumë dijetarë të tjerë, e merr si fjalë sllave. Mirëpo, emrin FUNDINA në Kuç të Malësisë Madhe, e shpjegon me mjetet gjuhësorë të shqipes: FUND plus –ËNË. (Krs. I.Aj.4. f.106). Të kishim vetëm këtë shembull shpjegimi e të mos kishim asnjë tjetër, do t’ish i mjaftueshëm për të kuptuar se këtu ka një ngërç. Në aspektin e fjalëformimit nuk ka e nuk mund të ketë asnjë dallim midis KRAJINA dhe FUNDINA. Në të njëjtën mënyrë, nuk ka e nuk mund të ketë asnjë arsye të jenë të paqarta as rrënjët e këtyre 2 emrave. FUND është një latinizëm në gjuhën shqipe, KRAJ është një iliro-albanizëm në gjuhët sllave. Atëherë, cili është shkaku i ngërçit?!
Për të mos mbetur vetëm te KRÂNJA (Krâja) dhe për të mos menduar që vetëm kjo fjalë paska mbërritur nga Shqipëria në UKRAINË, ne po renditim këtu, natyrisht pa hyrë në analiza të imtësishme, edhe një numër fjalësh të tjera, që sllavët, të Jugut në fillim, por edhe të Lindjes apo të Perendimit, pas konstatimevet tanë, i kanë marrë prej iliro-arbërishtes. BARZAST, i bërdhylët, nga *i bardhëzë. BDETI, me ndejtë zgjuar, nga *me bdi (me pritë ditën). BIGAR, stalaktit, çmërs, bigorr, nga *mbi gur. BILJKA, bimë, nga *me mbi. BLATO (bllato), 1.baltë. 2.liqen, nga *balëtë. Rus: ballato. BLAVOR (bllavor), bullar, nga *bullar. BOS, i zbathur, nga *bath [(z)bath, (m)bath]. Rus: basoj. BRAV, berr, nga *berr. BREG, breg, nga *mb(ë)reg. BREME, barrë, nga *e barme. Rus: bremja. BREZA, mështekën, nga *bardhëzë. Rus: bjerjoza. BRIGA, brengë, nga *me bre. BUJATI, me u hazdisë, me u fry, nga *mb(ë)ujë. Rus: bujnëj. BUJOL (bujoll), kovë e vogël druri, nga *mb(ë)ujëlë. BUJON, lëng mishi, nga *mb(ë)ujënë. BUNAR, pus, bunar, nga *me bunue. BUS, plis dheu, bucë, nga *butësë. CILJ, cak, qëllim, nga *me qëllue. Rus: celj. DIM, tym, nga *tym. Rus: dëim. DINAR, monedhë, nga *dhi, njësi shumë e hershme shkëmbimi. Fjalë dhe monedhë e përhapur në shumë popuj. Krs. kuna, monedhë në Kroaci. DLETO, daltë, nga *dalëtë. DRHTATI (dërhtati), me u dridhë, nga *dridh(ëh). Rus: drozhatj. DRUGA, drugëz, nga *dru. DRVO (dërvo), dru, nga *dru. Rus: djerevo. FRULA (frulla), fyell, nga *me fry. [FRULAŠ (frullash), fyelltar]. FRUS, fruth, nga *fruth. GRABITI, me grabitë, me rrëmbye, nga *(kë)rrab(ë), (kjo nga *me rrëmbye). Rus: grabitj. GRAD, qytet, nga *gardh. Rus: gorod, por edhe apallot, kështjellë, nga plot, gardh. GRANICA, kufi, nga *guranzë. Rus: granj, cak, kufi, nga *guranë. GREJATI, me ngrohë, nga *me ngrohë, (e kundërta: me ngri). Rus: gretj. GREPŠA (grepsha), dantellë, nga *grep. GRINTAV, që grindet, nga *me u grindë, *me gri. GRINUTI, me u vërsulë, me u hedhë, nga *me u ngritë. GRINJA, tenjë, molë, nga *me gri. GRKLJAN (gërklan), laring, nga *grykël. Rus: gorllo. GROB, varr, nga *gropë. Rus: grob. GORST (ГOPCTЬ), grusht, nga *gurështë. HALABUKA (hallabuka), zallamahi, nga *hallabyk. (Halla! është pasthirrmë.) HLJEB, bukë, nga *elbëh. Rus: hljeb. HRANA, ushqim, nga *me hangër (*e hangërna). Rus: hranjit. HUNJAVICA, rrufë, nga *hundë. HVALA (hvalla), falemnderit, nga *haul-hual-*fal. Rus: hvalla. JAKOR (ЯAKOPЬ), spirancë, nga *hekur. KACA, tinar, fuci, nga *kadëzë. Rus: kadka. KAJATI SE, me u pendue, nga *me kajtë. Rus: kajatsa. KALJAC, dhëmb syri (te kali), nga *kalë. KATUN, tëbanë, nga *katund (*kë-të-end). KAZATI, me kallëzue, nga *kalli (*kallëzë). Rus: pakazatj. KIŠA (kisha), shi, nga *kë-shi. KLAS (kllas), kalli, nga *kallëz. Rus: kollas. KLET, me mallkue, nga *me kla (ndoshta dikur: *me këlye). Rus: kljast. KLJUN, sqep, nga *kël-hundë. Rus: kljuv. KLJUSE, gërdallë (kalë), nga *kalë-së. Rus: kljaça. KOKULICA, e qethur e rrumbullakët në majë të kokës (te priftërinjtë), nga *kokë-ulë ose *kokë-(ë)l(ë)zë. KOLENO, gju, nga *gëlun. Rus: kaljeno. KORAK, hap, nga *k(ë)-rah-kë. KOREN rrënjë, nga *kë-rra-një. Rus: korjenj. KOSA, kosë, mjet korrës, nga *korrësë. Rus: kasa. KOŠUTA (koshuta), drenushë, sutë, nga *kë-sutë. KRAJ, skaj, mbarim, vend, nga *krah. Rus: kraj. (siç e trajtuam gjërësisht në këtë punim.) KRASTA, dregëz, nga *me krue (*kruestë). KRESTA, lafshë, nga *krye (*kryestë). KREŠTATI (kreshtati), me bërtitë (sa ke në kokë), me krrokatë, nga *krye (*kryestë), nëse s’është onomatope. KRILO (krillo), krah (shpendi), nga *krah [*krih-(ë)lë]. Rus: krëillo. KRINKA, maskë koke, nga *krye [kry(e)-n-kë]. KRUH, bukë, nga *grunë [*gru(në)h]. KRULENJE, gurgullim, nga *krue, burim. KRULITI, me gurgullue (*me krulue). KUKOLJ, bimë që i ka farëzat të kokluara, të mbledhura në një guaskëz, nga *kokë-l(ë). KUKURUZ, miser, nga *kokërrzë. Rus: kukuruza. LJAGA, njollë (e pistë), nga *me lagë. LAKAT (llakat), bërryl, nga *(i) lakëtë, i thyeshëm. Rus: llokotj. LJIGAV, i jargët, nga *lye-gë. LIZATI, me lëpi, nga *me lye-zë. Rus: ljizatj. LUG (llug), korie, pyll i vogël, nga *me ulë, [*ul(ë)-g(ë)] me metatezë. Rus: llug. MAGARAC, gomar, nga *(ë)më-gar. MAGLA (maglla), mjegull, nga *m(ë)-ag-ëlë. MLEČANIN (mleçanin), venedikas, nga *(ë)më-let. (Krs. arbërisht: lëti për latin). MLEKO, qumësht, tâmël, nga *(a)m-ël-kë. Rus: mallako. MRAK, errësirë, nga *me u errë [*(ë)m(ë)-err-k(ë)]. Rus: mraçnëj. MRAZ, ngricë, nga *mardhëzë. Rus: moroz. NEDELJA, e dielë, javë, nga *diell [*n(ë) e dielë]. Rus: njedjelja. ODRIPAN, zhelan, me rroba rripa-rripa, nga *rrip, *i rjepur, i bërë rripa-rripa. ORAH, arrë, nga *arrëhë. Rus: arjeh. OŠURITI (oshuriti), me përvëlue, nga *zhur, shkrumb. OTAC, atë, nga *atë [at(ë)-s(ë), gjegjësisht: [*at(ë)-ac, *at-(j)ec]. Rus: atjec. PEĆI (peqi), me pjekë, nga *me pjekë. Rus: pjeç. PELENA, shpargën, nga *pjellnë. Rus: pjeljena. PIRITI, me fry në zjarr, me fry era, nga *pir, rrënjë e emrit pirust, etnonjësi ilire shumë e njohur. PITATI, me pyetë, nga *me pyetë. PITI, me pi, nga *me pi. Rus: pitj. PIZMA, urrejtje, mëri, nga *pezëm. PLANINA (pllanina), mal, nga *pyllënë. PLEME, fis, nga *e pjellme. Rus: pljemja. POJAS, rrip i leshtë, brez që ngjishet rreth ijevet, nga *ijë (*ijas). Rus: pojas. POJITI, me u dhënë ujë (bagëtivet), nga *ujë. POKLISAR, lajmëtar, kumtar, nga *me klithë. (POKLISARSTVO, ambasadë). PRAG, prag, nga *për-ag. Rus: porog. PRČ (përç), cjap i patredhur, cjap mbarsës, nga onomatopeja *përc dhe prapashtesa*-(ë)sh. PRDA (përda), pordhë, nga *pordhë. (Shumicën e fjalëvet të quajtura të turpshme, sllavët i kanë marrë prej iliro-arbërvet). PRISPETI, me mbërritë, nga *i shpejtë (*i spe-të). Rus: uspjetj. PRLJITI (përliti), me djegë pak, me përvëlue, nga *me përvëlue. PRPUŠKATI (përpushkati), me përpushë (pula), nga *me përpushë. PRSA (përsa), parzma, nga *parësë. RAME, sup, nga *krah-më (Krah, fjalë tashmë e komentuar). RAVAN, i rrafshët, nga *me ra. Rus: ravnjina. RAZ (PAЗ), herë, ndoshta nga *herëzë. REKA, lumë, nga *me rrjedhë (*rrjedhkë). Rus: rjeka. REKESA, zbaticë e detit, nga *rrëkesë. RONITI, me zhytë, me rrëzue, nga *me ra (pjesore e vjetër: *ranë). Rus: ronjat. RUKOPASHNËJ (pукoпашный), trup me trup, nga *ruka, dorë dhe *pash. RUNDAV, me qime, me push, nga *me rrue (*i rruntë). SENO, sanë, bar i thatë, nga *me tha (pjesorja e vjetër: thanë) Rus: sjeno. SINJAST, i përhimë, nga *thinjë. Rus: sinjet. SISATI, me thithë, nga *me thithë. Rus: sasat. SLAMA (sllama), kashtë, nga *lâmë (*s-lâmë). Rus: salloma. SOKO(L) [soko(ll)], fajkua, nga *zog-ël(ë). Rus: sokoll. STADO, kope, grigjë, nga *stan [*(i)(e) stan(ë)të]. Rus: stado. STOPANIN, zot shtëpie; stopan, nga *tëbanë (*s-tëbanë). STRANA, brinjë, nga *stër-anë. Rus: starona. STREHA, strehë, nga *stër-re (vend ku nuk shikohesh, vend ku nuk vihesh re). STRM (stërm), i rrëpinët, nga *me stër-ra, [*(i) stër-ramë]. STROPOŠTATI SE (stroposhtati se), me u rrëzue, me u rrokullisë, nga *me u stër-poshtë. STRUGATI, me gërrye, nga *dru (*s-dru-gë). Rus: struzhka, bujashkë. STRUKA, strugë, mbulesë e leshtë kundër shiut, nga *stër-uj(ë)-gë. E njëjta prejardhje duket se haset edhe te emri STRUGA, shtrat lumi (pa ujë), si dhe vathë, zgavërr. SVRAKA, laraskë, nga *sorrëkë. ŠEPATI (shepati), me çalue, nga *me shqepue (*me u shqepë). ŠPELUNKA (shpellunka), strofull, nga *shpellë. SHPJENJOK (шпенёк), thumb i tokëzës, nga *me shpue [*shpuenë-k)ë)]. ŠPINAKL (shpinakëll), një prej pëlhurave (velave) të anijes, nga *shpinë (*shpin-ak-ël). SHPINDJELJ (шпиндель), bosht, nga *me shpue [*shpuen-të-(ë)l] (fjalë ruse). SHPORA (шпора), mamuzë, nga *me shpue, shporë. SHPULJKA (шпулька), gjep, rrotull, masur (në makinë qepëse), nga *me shpu (*shpie) ose *me shpue. ŠPURAK (shpurak), akrep, nga* me shpue (*shpuer-ak). ŠTIPATI (shtipati), me pickue, nga *me shtypë. Rus: shçipat. ŠTRUNJAČA (shtrunjaça), dyshek, nga *me shtrue. ŠTUR (shtur), i zbrazët, i thatë, nga *me shthur ose*i vështirë. ŠUT (shut), shyt, pa brirë, nga *shyt. ŠUTJETI (shutjeti), me heshtë, nga *me shue (zërin) (Krs. zâ i shutë). E njëjta fjalë në rusisht ka kuptim tjetër, të kundërt me heshtjen. TALAS (tallas), valë, dallgë, tallaz, nga *thellës (Edhe në greqisht kjo fjalë duhet të jetë iliro-albanizëm). TATA, atë, nga *të atë. TETKA, hallë, teze, nga *të et [(motra e) të et]. Rus: tjotka. TMURAN, i errët, i mbyllët, nga *murr (*të murrënë). TRK (tërrk), vrap, nga *turr. TROHA, thërrime, nga trohë. TURA, lëmsh, shkul, tufë, vandak, nga *turrë. (Fjalën POTURITI G.Majeri e krahason me TURR, por nuk besojmë të jetë i saktë). TURIN, turi, nga *turi(n). UBAO, ubël, pus në trevat karstike të Dinaridevet, i cili nozullohet me ujë të pastër nga burime të nëndheshëm. Vjen ose nga *ujbël [*uj(ë)-b(ë)-ël], ose nga *ujâmbël. URDA, urlë, qumësht i ntrashur, i thartë dhe i kripur, nga *urdh (*urth), djegësirë në grykë nga thartira që vjen prej stomakut. USAHNUTI, me shterrë, me tha, nga *me tha(h). rus: suhoj. UŠULJATI SE (ushulati se), me u futë barkas, nga *shul, shulas. VAL (vall), valë, dallgë, nga *valë. Rus: vall. VAJKATI SE, me shprehë keqardhje, me u qa, nga *vaj (vajtim). VATRA, zjarr, nga *vatër, vend ku ndizet zjarri. VEDRO, enë druri, vedër. Ka në rrënjë fjalën *dru dhe është iliro-albanizëm në disa gjuhë. Rus: vjedro. VERIGA, vargua, zinxhir, nga *me var (*varg) (*me vjerrë). Rus: vjerjenjica. VIG, kurth, grackë, nga *vig, kalim i ngushtë. VIRITI, me përgjue, nga *me vu re. VLAGA (vllaga), lagështirë, nga *me lagë. Rus: vllaga. VRAN, i zi, nga *me vra (pjesorja e vjetër: vranë). Rus: varanoj. VRAS, ngërç, nga *me vra (*vras, me A të gjatë, me kuptimin: që vret). ZARNJICA (зарница), vetëtimë, nga *zjarr (*zjarrnëzë). ZARJEVO (зарево), flakë e kuqe e zjarrit, nga *zjarr. ŽAR (zhar), prush, nga *zjarr. Rus: zhar. ŽEĆI (zheqi), me djegë, nga *me djegë (*dégō). Rus: zhjeç.

_______________________________

KRAJA NE RUMI

____________________________

Shënuam këtu, vetëm sa për shembull dhe për suport të shpjegimit që u bëjmë ne falëvet KRÂNJA, KRAJ, KRAJINA etj, nja 150 fjalë të cilat ne i gjejmë si iliro-albanizma në gjuhët sllave. Nëse llogaritim familjet e fjalëvet që këto 150 fjalë përfaqësojnë, bëhen prej këtyre, nëpër fjalorët e sllavishtevet, më shumë se 2000 njësi leksikore. Një pjesë prej këtyre mund edhe t’i përkasin shtresës së glosarit të përbashkët indoevropian. Ata, në atë rast, vetëkuptohet që nuk mund të quhen ilirizma. Nund të ketë edhe prej atyre që ne i kemi përcaktuar gabim. Etimologjia është shkenca me shkallën më të lartë të gabueshmërisë. Megjithatë, nëse gjuhëtarët do t’u hynin kërkimevet, me këtë mënyrë vështrimi të çështjes, ne kemi bindjen që në ato gjuhë do të verifikoheshin edhe disa mijëra njësi të tjera leksikore, që do të mund të cilësoheshin si iliro-albanizma.
Çështja tani shtrohet: Si ka ndodhur që në gjuhët sllave të ketë kaq shumë iliro-albanizma, krahas me latinizmat apo romanizmat e me greqizmat, madje edhe me hebraizmat, sidomos në antroponimi? Përgjigjja është shumë e natyrshme dhe e kuptueshme për të gjithë ata që e njohin realisht historinë. Sidomos në rreth 300 vjetët e parë të jetesës së sllavëvet të Jugut këtu në Gadishullin e Ilirikut, por edhe më vonë, bashkë dhe krahas me procesin e latino-romanizimit apo të greqizimit, ka ndodhur edhe procesi i ilirizimit, nëpërmjet kontaktevet të përditshëm që banorët e enklavavet sllave, të mirënjohura si skllavini, kanë pasur me lashtovendësit. Nuk po hyjmë në larminë dhe në analizën e imtësishme të atyre marrëdhënieve. Ndërkaq, për ndikimin gjuhësor te popujt e tjerë sllavë, jashtë këtyre hapësirave, duhen studiuar prapë marrëdhëniet që ata popuj kanë pasur me këto hapësira. Si kanë shkuar në Rusi fjalët SOLNCE, LLUNA, MORJE, NJIKALLAJ, MARUSHKA, PAVJELJ, ashtu kanë shkuar edhe KRAJ, RJEKA, RAVNJINA, GRANJICA, KUKURUZA.
Në marrëdhëniet pozitive të së shkuarës midis popujvet, mund të gjenden motive të mjaftueshëm për marrëdhënie sa më të mira midis kombevet, edhe në të sotmen.
Literatura e shfrytëzuar:
Fjalorët e përdorur: FJ. ENCIKLOPEK SHQIPTAR, Tiranë, 1985.
FJ. FJALËSH E SHPREHJ. TË HUAJA, Prishtinë, 1986.
FJ. I GJUHËS SË SOTME SHQIPE, Tiranë, 1980.
FJ. I MITOL. KLAS., përkth. Adrian Duka, Medaur, Tiranë.
FJ. LATINISHT-SHQIP, Tiranë, 1966.
FJ. RUSISHT-SHQIP, Moskë, 1954.
FJ. SËRBOKROATISHT-SHQIP, Prishtinë, 1874.
FJ. SHQIP-SËRBOKROATISHT, Prishtinë, 1981.
Burimet e cituar: Bar, grad pod Rumijom, Bar, 1984.
Dr.Eqrem Çabei: Studime gjuhësorë, I,II,III,VII, Prishtinë, 1976-1986.
Gustav Majer: Fjalor etimol. i gj. shq.,1891. Përkth: A.Omari. Bot.Çab.
Akad.Idriz Ajeti: Vepra, 1,2,3,4,5. Prishtinë, 1998-2001.
Ilirët dhe Iliria te autorët antikë. Prishtinë, 1979.
Istorija Crne Gore, 1. Titograd, 1967.
Dr.Jovan erdeljanoviq: Stara Crna Gora, Podgorica, 1997.
Maks Fasmer: Etim. Sll. ruskavo jaz., I,II,III,IV. Maskva, 1964-1967.
Ruzhdi Pulaha: Defterët osmanë… Tirnaë…
Stanovnishtvo sllovenskog porijekla u Albaniji, Titograd, 1991.
Prof.Shaban Demiraj: Gjuha shq. dhe hist. e saj. Tiranë 1988.
Gj.D. Pjezë, gusht 2011
– FUND –

__________________

………………………………………………………

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura