GJOKË DABAJ: KUSH PO I TËRBON ‘QENTË’ NËPËR BOTË ?!

Durrës, 26. 07. 2016: Në kohën tonë ka “qen” të tërbuar edhe në qeverisjen e njërit apo tjetrit vend. Ata po i shkatërrojnë vendet e vet dhe po shkatërrojnë edhe botën. Të tillë mund të përmendim, sa për shembull, një S.Millosheviq, i cili vrau me qindra mijë shtetas të vet, një B. Al Asad, vrasës delirant i popullit të vet… Tashmë po radhitet midis tyre edhe një T.Erdogan, i pashembullt në botë në arrestimin e mijëra mësuesve (dhe unë mendoj, i mësuesve më të mirë që mund të ketë Turqia).
“Qen” të tërbuar ka edhe në sistemin ekonomik dhe financiar botëror, të cilët po e shpien botën pashmangshëm në humnerë.
Por unë sot po dua të arsyetoj lidhur me individë ose grupe individësh, të cilët po vrasin, “në emër” të diçkaje, njerëz të rastit dhe, më në fund, po vrasin apo po çojnë drejt vrasjes edhe veten.
Janë tashmë me dhjetëra vrasje të tilla, të cilat po bëjnë bujë në opinion, por që, në regjistrat e statistikavet, janë, pa dyshim, me mijëra.
Në SHBA u rrëzuan 2 kulla, të quajtura binjake, dhe u vranë aty mbi 3000 njerëz, që s’kishin asnjë lidhje me vrasësin, përveç faktit që u ndodhën aty. Në një vend skandinav, një njeri vrau dhjetëra njerëz, me të vetmin “justifikim” se ata po pushonin në një ishull, duke mos u shqetësuar për “problemin e madh” që kish vendi i tij. (Dhe u dënua, cinikisht, me vetëm 21 vjet, sepse ligji “nuk përmbaka” dënim më të rëndë!) Në një shkollë të SHBA-së dikush vret nxënës edhe mësues. Në Paris vriten njerëz rreth një reviste. Në Nicë vriten të tjerë, thjeshtë sepse kishin dalë në rrugë. Në Stamboll u vranë dhjetëra pasagjerë, për të vetmin faj sepse ishin nisur për diku. Në Gjermani, njëri pas tjetrit, bëhen disa „atentate“ kundër njerëzvet që askush s’i ka gjykua për faje.

Në territore të Lindjes së Afërme, (apo të Mesme), krijohet një i quajturi “kalifat”, por që s’është tjetër, veçse detashment vrasësish njerëzish të pafajshëm dhe asgjësuesish kulturash të pafajshme.
Kemi në kohën tonë, përveç ISIS-it, një Boko-Haram, një Alkaedë, një organizatë talebanësh, që të gjithë të fajsuar si të papranueshëm dhe kundër të cilëvet “duhet të mobilizohet” bota …herë me “bombardime nga ajri” (duke vrarë edhe kalamaj), herë me ushtri tokësore, por edhe me “forca të vendit”, duke u siguruar atyre armatime.
Duke e parë gjithë këtë situatë, pa lënë jashtë vëmendjes edhe të ashtuquajturën “krizë e refugjatëvet” që “menaxhohet” me poshtërsi prej trafikantëvet dhe që rezulton me mijëra të mbytur në Detrat e Mesdheut apo të vrarë e groposur nëpër Meksikë, dhe me 10 mijë fëmijë të zhdukur nëpër Evropën e “civilizuar” vetëm në vitin 2015, unë po sajoj këtu një PARALELIZËM, i cili ndoshta do të mund t’u shërbejë lexuesvet për ta kuptuar disi më qartë gjendjen e sotme të njerëzimit.
Në një qytet ka me qindra qen që enden rrugëvet. Dikujt i shkon në mendje që të injektojë në një numër të atyre qenve virusin e tërbimit. I kap qentë, në mënyrë të fshehtë, dhe ua ngul në trup helmin tërbues. Qentë tërbohen dhe hanë njëri-tjetrin, por hanë edhe njerëz, fëmijë, gra, pleq e kë të hasin nëpër rrugët. Të shtrirë në tokë, kafshojnë edhe trupin e vet dhe ngordhin ashtu, pa e ditur pse po ngordhin.
Qyteti alarmohet, mundohet t’i bëjë zap qentë, por nuk i shkon aspak mendja për të gjetur INJEKTUESIN e atij tërbimi: Madje qytetit as që i shkon mendja që dikush mund t’ua ketë INJEKTUAR tërbimin atyre qenve, me një qëllim tepër djallëzor.
Kështu, një ditë, qentë e tërbuar do të kafshojnë edhe vetë injektuesit dhe ata do të vazhdojnë për të “akuzuar”, jo veten, por qentë.
Kjo është e vërteta. Ç’duhet të bëjë tani pjesa e patërbuar e gjinisë njerëzore?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura