GJOKË DABAJ: MA MBYLLËN GOJËN ME SHKURTPAMËSINË E TYRE

Durrës, 17 shtator 2020: -Skicë letrare-
Rastisëm të ishim 8 vetë në të njëjtin ambient. (S’ka aspak rëndësi numri!) Televizori po jepte „debatin mbi detin“. Mua, midis tjerash, po më revoltonte sidomos fjalori që ata njerëz po e përdornin krejt gabim. Ata po thoshin „marrëveshja midis Shqipërisë dhe Greqisë“ . Gjë që s’është aspak e vërtetë! Nga pala shqiptare në bisedimet me grekët nuk po marrin pjesë as përfaqësues nga Prishtina, as përfaqësues nga Shkupi, as përfaqësues nga Janina, as përfaqësues nga Tuzi, as përfaqësues nga Presheva. Por nesër, madje edhe sot, shqiptarët e këtyre vendeve që i përmenda, mund të thonë: „ Si guxuat ju të bisedoni në emër të Shqipërisë? A nuk jemi edhe ne Shqipëri?! A nuk rrojmë edhe ne në tokën shqiptare?!“

Thoshin „kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë“ dhe tregonin hartën diku midis Sarandës dhe Korfuzit! E unë po zieja përbrenda. „A nuk e dinë këta xhahilë dhe edepsëzë, që kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë është në Gjirin e Ambrakisë, në jug të Prevezës dhe Artës, ndërsa ky, për të cilinn po flitet sot, është, jo kufi midis Shqipërisë dhe Greqisë, por kufi midis REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË dhe REPUBLIKËS SË GREQISË?! A s’e bëjnë dot dallimin këta shqiptarë idiotë që i kam në ekran?!“

 

Mbas 100 vjetësh mund të lindë përsëri debat lidhur me kufijtë midis shtetit shqiptar dhe shtetit grek. Them, mbas 100 vjetësh. Por kjo mund të ndodhë edhe mbas 50 vjetësh, ose edhe më parë. Dhe atëherë shteti shqiptar nuk do të jetë ky që po bën sot bisedime me shtetin grek. Atëherë, në përbërje të shtetit shqiptar do të ketë hyrë e pakta Republika e sotme e Kosovës.
Aty, bashkë me mua, ishim vetëm 7 shqiptarë, që hapnin sytë si guakë para televizorit. Por le të ishin edhe 70! Asnjërit prtej tyre nuk i shkonte mendja se, mbas 50 apo 100 vitesh, do të mund të ketë sërish bisedime midis shqiptarëvet dhe grekëvet, edhe për tokën, edhe për detin!..
Ndërsa grekët e dinë. Në fjalorin e tyre, madje në çdo fjalë të tyre, shihet qartë që ata e dinë se mund të vijë një kohë tjetër. Vetë këmbëngulja e tyre për të mos e abroguar „ligjin e luftës“ dëshmon që grekët nuk e kanë hallin te ajo lufta që është bërë këtu e 80 vjet më parë dhe që në të vërtetë ka qenë një luftë italo-greke, por e kanë hallin te një tjetër luftë, ku protagonistë mund të mos jenë më italianët. Fjalori i tyre dhe veprimet e tyre janë shumë largpamës. Ndërsa fjalori i shqiptarëvet të mi, është shkurtpamës deri në shkallën e një sëmundjeje të pashpjegueshme mendore! Në të vërtetë diturore dhe morale!
Në atë çast më mbërtheu një nervozë shpërthyese, por e mbajta veten. Të tjerët po flisnin vazhdimisht, aq sa zërat e tyre përziheshin me ata të folësvet në televizion dhe shpeshherë s’merrej vesh kush po fliste. “Po Panajot Barkën pse e kanë ftuar?!” Po ky Shpëtim Idrizi, ç’rol ka këtu?!” “Ky Frrok Çupi po flet mirë!””Ah, ky po!”
Mua po më dridheshin gjymtyrët. Kur të hapen sërish bisedimet, po thosha me vete, kur shqiptarët të kërkojnë për ta çuar kufirin atje ku duhet, grekët do ta kenë fare lehtë t’i kundërshtojnë: “Bisedimet midis Greqisë dhe Shqipërisë janë bërë njëherë dhe kufiri midis Greqisë dhe Shqipërisë është përcaktuar një herë e për gjithmonë.” Do t’u nxjerrin letrat pasardhësvet tanë dhe do t’u thonë. “Ja ku është shkruar: Kufiri midis Greqisë edhe Shqipërisë! Firmosur prej të dyja palëvet. Njohur edhe ndërkombëtarisht.”
Por, sikur atje të jetë shkruar “Kufiri midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë”, thjeshtë duke shtuar fjalët “REPUBLIKË”, ç’do të mund të thoshte pala greke e shekullit 22, kur shqiptarët t’u nxirrnin përpara këtë argument?! “Ajo ka qenë Republika e Shqipërisë. S’ka qenë Shqipëria. Shqipëria është tjetër gjë, Republika e Shqipërisë është gjë tjetër”.
S’ka nevojë t’i thuash as Grekut, as dikujt tjetër, që mbas 50 apo 100 vjetësh, në qoftë ende gjallë kombi shqiptar, do ta rishikojmë këtë kufi. S’ka nevojë t’i themi askujt asgjë, por vetë do të duhej ta denim!
Dhe pikërisht se duhet ta dimë që mbas 50 apo 100 vjetësh ndoshta punët do të jenë ndryshe, ne duhet të dimë të përdorim edhe fjalorin. Në qoftë se, në të gjithë dokumentet e shkruar do të përdoreshin sot shprehjet Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë, në vend të emravet Shqipëri dhe Greqi, pasardhësit tanë atëherë do të mund t’u thoshin pasardhësvet të grekëvet të sotëm: “Po, është bërë një marrëveshje, por ajo ka qenë marrëveshje midis REPUBLIKASH, nuk ka qenë marrëveshje midis KOMBESH.” Në të tilla rrethana, kur të mos ish përdorur shprehja e thjeshtuar dhe aspak e saktë, Shqipëri, askush nuk do të kish të drejtë juridike t’u thoshte pasardhësvet tanë: “Midis Greqisë dhe Shqipërisë është mbyllur çështja e kufijvet qysh në Marrëveshjen për Detin.”
Po bluaja kështu në mendjen time dhe, më në fund, tentova ta shfaq mendimin tim midis njerëzvet, me të cilët po shihnim televizor. Thashë: “A po vini re sa gabim po i përdorin fjalët? Në vend që të thonë “kufiri midis Republikës”…
“Na e ke thënë edhe herë të tjera!” ma preu fjalën njëri nga të pranishmit. “Na e ke thënë edhe here të tjera!” e përsëriti me bezdi të papërmbajtur.
S’pat respekt as për moshën, as për profesionin. Unë jam mësues gjuhe, ai është ekonomist. E pashë me një lloj indinjate të frenuar dhe po prisja që të tjerët ta korrigjonin. Por të tjerët, në vend që të mendoheshin më pjekur, përkrahën, jo mua, por atë. “Greku po na futet në Gjirokastër e Korçë, Gjoka po mendon për Janinën e Prevezën,” tha njëri me një intonim që më rëndoi edhe më shumë.
…Ata vazhduan bisedat e tyre, mua ma mbyllën gojën dhe s’pata rrugë tjetër, veçse t’i drejtohem ndonjë gazete. Sado që e di se as gazetavet tona të sotme s’po u intereson fort ç’do të bëhet me ne shqiptarët mbas 50 apo 100 vjetësh.
16-17 shtator 2020. Gjokë Dabaj.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura