IBRAHIM KELMENDI: VEHBI KAJTAZI (INSAJDER), ME NDER ME THËNË…

Gjermani, 28. 03. 2016: Vehbi Kajtazi, duke shpifur e denigruar nuk mund të afirmohesh si gazetar investigues dhe profesionist. E shumta, mund të dalësh i fituar nga ata që të paguajnë për të shpifur. (Ç)Parim Olluri më është paraqit para ca ditëve për sqarime përmes rrjetit social (në pamundësi të komunikimit telefonik), mi ka dërguar pyetjet dhe unë i jam përgjigj.
Mos interesimi për sqarime objektive është një dëshmi më shumë se këto shpifje që keni shpërnda tani janë një hakmarrje për demaskimet që u kam bërë marionetave Thaçi dhe Mustafa. Ndërsa “dëshmitë” duhet ti keni të sajuar e siguruar nga shërbimi sekret i LDK-së, që e drejtonte Z. Ramë Mara, i cili përmes bashkëpunëtorit të tij, Genc Kelmendi, u angazhuan ta rrënonin EKO-Holding dhe të më komprometonte mua, për shkak të armiqësive që kishim.
Përndryshe, po të kishe Vehbi Kajtazi si preokupim kryesor mjetet e Fondit Vendlindja thërret, do të kishe përmend, qoftë vetëm kalimthi, se si i kam “shpërdoruar” 8 (tetë) milionë DM, duke ua dorëzuar disa ditë para se të përfundonte lufta Gani Thaçit e Fatmir Zymerit, të cilët ishin “sekserë” të Hashim Thaçit e Xhavit Halitit…

Sqarimet konkrete kundër dezinformimeve e shpifjet që kësaj radhe janë plasuar nga portali INSAJDER dhe portale të tjera:
(1) Gjatë Lufte kam marrë me qira rreth 150 telefona satelitorë për nevoja të komunikimit të UÇK-së, meqë ata nuk mund ti përgjonin shërbimet inteligjente serbe dhe aleatët e tyre. 120 telefona i kam marrë nga Telecom’i i Gjermanisë dhe 30 nga firma gjermane CPN. Me Telekomin gjerman ishim marrë vesh t’ua paguanim 4.5,- DM minutën. Ndërsa pak më vonë firma CPN na e ofroi për 4,- DM minutën.
(2) Kur filloi bombardimet NATO dhe kur u njoftova se telefonat satelitor do të shërbejnë për komunikim të UÇK-së edhe me NATO, krejt spontanisht mora kontakt me Ushtrinë gjermane, e cila kishte ngrit një shtab ekstra për Kosovën. I njoftova se telefonat satelitorë po na kushtonin shumë shtrenjtë dhe se do të detyroheshim ti ndërpritnim. Pas disa orëve më kanë kontaktuar dy veta, të cilët më kanë këshilluar që gojarisht mund të deklarohem në Telekomin gjerman se nuk mund ti paguaj më, prandaj me duhet ti ndërpres, ndërsa Telecomi ishte udhëzuar që të mos i ndërpriste. Dhe ashtu veprova.
Rreth një muaj pas mbarimit të Luftës Telcomi gjerman me ka dërguar një faturë për rreth 1.2,- milionë DM borxhe për dy muajt e fundit. Ajo faturë më pat ngel kujtim, meqë Telcomi e kishte bërë sa për të pas “evidencë” (mund që Ushtria gjermane ia kishte paguar).
(3) Ndoshta 4-5 ditë pas Lufte BKA (Bundeskriminalamt / Enti Federal për Kriminalistikë) ka ndërmarrë aksion të furishëm kundër Fondit “Vendlindja thërret”, duke i bastisur të gjitha zyrat dhe dhjetëra veprimtarë të Fondit. Edhe mua më kanë sulmuar në banesë rreth orës 05.00 të mëngjesit. Për fat rreth një orë më herët unë gjendesha në udhëtim për të marrë aeroplanin e Kompanisë Malev, nga Hamburgu në Budapest dhe prej aty për në Tiranë. Në aeroport po më dërgonte me makinë të tij bashkëveprimtari Veton Jashari (nga Mitrovica). Në Hamburg duhej të takohesha edhe me Naser Idrizin dhe bashkarisht do të shkonim në Tiranë. Duke qenë në udhëtim me ka telefonuar policia gjermane, e cila më ka urdhëruar të kthehem se po ma bastisnin banesën (në Këln), duke më bërë me dije që nuk mund të dalë jashtë Gjermanisë, meqë ishte lëshuar urdhër arresti kundër meje. Megjithatë unë nuk u ktheva. Gjeta mënyrën për të ikur përmes Zvicrës dhe Italisë dhe prej atje me traget në Shqipëri.
(4) Në atë blic aksion institucionet gjermane kishin konfiskuar gjithë dokumentacionin e Fondit Vendlindja thërret dhe kishin bllokuar xhirollogarinë bankare.
(5) Nga fundi i qershorit në Prishtinë ka ardhur pronari i firmës CPN, Z. Nikolai, që na kishte ofruar telefonat satelitor gjatë Lufte. Në recepcion të hotelit Grand ka pyetur nëse më njihnin. Ata të recepcionit më kanë informuar. Ai më ka fol se duhet ofruar menjëherë shërbimi i telefonisë satelitore, meqë Telekomi i Kosovës ishte jashtë përdorimi. Për start ka kërkuar 60.000,- (gjatë dhjetëmijë) DM, për ti paguar 10 pajisje për telefonim. Ndërsa për minutë të shpenzuar u morëm vesh të paguajmë 2.2,- DM. Unë nuk i kisha ato 60 mijë DM për ti paguar pajisjet. Ua kërkova hua disa vetave, nuk mi dhanë. Me pronarin e reisebyros GRYKA (Ramiz Nikçi) u morëm vesh që ai ti investonte 60 mijë DM dhe ne të formonim firmë të përbashkët (unë 51 %, ndërsa ai 49 % të ortakërisë). Bashkë me Ramiz Nikçin e dërguam gjermanin Nikolai deri në Elez-Han, prej ku ai mori taksi për të shkuar në aeroportin e Shkupit. Mbet që në Gjermani firma GRYKA t’ia jepte 60 mijë DM dhe ti merrte pajisjet për të filluar telefoninë satelitore.
Fatkeqësish Ramiz Nikçi u pendua. Gjermani Nikolai erdhi sërish në Kosovë. Tani donte të gjente partner tjetër. Por, në bisedë e sipër u tregua i gatshëm të mi ofronte pajisjet me lising (qira), me kusht që në vend të 2.2,- DM për minutë, siç ishim marrë vesh paraprakisht, të ma rriste minutën në 2.5,- DM dhe qiranë për secilën pajisje e caktoi 300,- DM në muaj.
(6) Qysh në fillim të Korrikut u pa se nga ai shërbim satelitor fitimi do ta kisha tepër të madh (sidomos për shkak se telefononin gjatë e shumë përfaqësuesit ndërkombëtarë). Meqë ai fitim nuk ishte thjeshtë fitim i bazuar në talentin tim biznisor dhe as në investimin privat, por rrjedhojë (meritë) vetëm e Luftës, vendosa që ato fitime të mos i çmoj personale. Prandaj në telefoninë që krijova (“Tele Point”) vendosa ti marrë për ortak edhe 9 veta të tjerë, që ishin të dëshmuar gjatë Lufte, por që nuk kishin si të fillonin rrojtjen në Kosovë.
(7) Paralelisht vendosa me një pjesë të fitimeve nga telefonia të themeloj edhe një kompani tjetër, për të angazhuar edhe të tjerë që të fillohej me punë. Kështu përzgjodha Fadil Demirin dhe Ton Markun, kryesisht pse kishin qenë bashkëveprimtarë të Fehmi Lladrovcit, prandaj kisha besim të madh ndaj tyre, por edhe pse kishin përvojë biznisore dhe merita në veprimtarinë çlirimtare. Bashkë me ata e krijova kompaninë EKO-Holding, duke vendos që 5 ortakë të kishim nga 10 % të ortakërisë, ndërsa 50 % të ortakërisë të ishin pronë e ndonjë shoqate të dalë nga UÇK-ja (arsyen tjetër për këtë përcaktim do ta rrëfej kur ta quaj unë të përshtatshëm.).
(8) Nga starti dhe deri në fund të vitit 2000 në EKO-Holding duhet të kem dhënë rreth 2 (dy) milionë DM, që kishin rezultuar si fitim nga telefonia satelitore, dhe dy hektarë e 40 ari tokë në Prishtinë-Veternikë. Atë tokë, për shkak të lutjeve që më bëri vëllai i Nekibe Kelmendit, Z. Ejup Kolica (si lidhje miqësore, meqë avokatin Bajram Kelmendi e kisha kushëri të afërt nga ana e nënës) e kisha ble për 240 mijë DM, por e kisha regjistruar në emër të Fadil Demirit. Bile, me Z. Kolica kemi udhëtuar në Pejë për ti marrë të hollat. I mora të hollat e biznesit të disa ditëve të fundit, të pa numëruara, në tytë plastike. Kur erdhëm në Prishtinë në zyra të EKO-Holdingut i numëruam. Na dolën mbi 600 mijë DM. Me 240 mijë u pagua toka, ndërsa të tjerat u investuan në EKO-Holding.
(9) Në EKO-Holding angazhova edhe Dukagjin Kelmendin, kushëri, por edhe ish i burgosur politik dhe bashkëveprimtar (për të pas siguri më të madhe se në EKO-Holding nuk të vidhej shumë).
(10) Është e vërtet se gjatë Lufte kishim angazhuar “sekserin” (lobistin) algjeriano-gjerman Dr. Sahroui, për të bërë lobim për luftën tonë të drejtë, meqë ai kishte përvojë dhe njohje nga koha kur kishte qenë shef i kabinetit të kryetarit të Algjerisë, Houari Boumedienne (1965-1978) dhe tani ishte i angazhuar si funksionar në partinë gjermane SPD. Rëndom ai pati kërkuar vetëm shpenzimet e udhëtimeve, hoteleve, telefonatave, kur do të angazhohej për të lobuar për Luftën dhe UÇK-në. Ai erdhi edhe në Prishtinë me një dosje faturash për ti kërkuar detyrimet që ia kishim. Meqë nuk kisha mundësi tjetër (“ministri” i financave Adem Graboci refuzoi ta paguante, me arsyetim se nuk kishin mjete), urdhërova Fadil Demirin që t’ia paguante ato borxhe që ai po i kërkonte. Dhe, di që shpenzimet për Dr. Sahroui na ishin shpaguar, sepse vërtet ai ia doli të sqaronte personalitete të shquara gjermane, siç ishin Erhard Eppler, Hans Koschnik, por edhe austriake dhe në botën “arabe”.
(11) 5 muajt e fundit të vitit 1999 dhe gjatë viteve 2000 dhe 2001 EKO-Holding që bërë një firmë e madhe, më shumë veprimtari biznisore. Eksportonte shumë këpurdha, gllija (dëllinja), lëkura…, importonte kompjuterë, mobile dhe gjësende tjera për biznese…
(12) Në maj të vitit 2003 Fadil Demiri dhe Dukagjin Kelmendi mi kanë ofruar disa shifra, për të arsyetuar vetën e tyre se si kishte dështuar kompania…
***
Po shpresoj se qëllimi im fisnik, për të mos u bërë profiter lufte, nuk do të duhej të keqkuptohet si kriminalitet imi ndaj Fondit “Vendlindja thërret”. Nga kjo paraqitje telegrafike secili mund të kupton se unë kisha të drejtë ligjore (edhe pse atëherë nuk kishte shtet ligjor, por protektorat të inkriminuar), që fitimet nga telefonia satelitore ti përvetësoja vetëm për vete. Ato fitime nuk ndodhën “në emër të UÇK-së dhe të Fondit Vendlindja thërret”, siç shpifin Vehbi Kajtazi e (Ç)Parim Olluri, por si meritë e tyre që bënë Luftë çlirimtare!
Fatkeqësisht Fadil Demiri dhe Dukagjin Kelmendi me tradhtuan, duke vjedh, tjetërsuar e shkatërruar gjithë ato investime dhe atë shans që EKO-Holding të ishte tani firmë gjigande, duke ndikuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Më vjen keq që Fadil Demiri dhe Dukagjin Kelmendi, as atëherë mua, as tani, nuk kanë ofruar sqarime, çfarë vërtet ka ndodhur me EKO-Holdingun.

Ibrahim Kelmendi
(27.03.2016)

__________________
IBRAHIM KELMENDI: TRESHJA THAҪI – HALITI-SYLA GRABITI MILIONAT E UҪK’së
http://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=5175

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura