GJOKË DABAJ: MARESHALFERRANTËT POLITIKË NË EPOKËN E LAMPEDUZËS

Durrës, 03. 09. 2015: Të sqarohem fillimisht lidhur me termat mareshalferrâ (marechal-ferrant), që e përdora që në titull dhe embesil (imbécile), që do ta përdor më poshtë. Në gjuhën shqipe, këto 2 fjalë përkthehen: nallban dhe hajvan. Të 2-ja janë fjalë të importuara nga Lindja, por, meqë në këtë shkrim po bëhet fjalë kryesisht për botën perendimore, unë edhe i zëvendësova me fjalë Perendimi.
Mareshalferrântëvet s‘u takon tjetër, veçse të ngulin e të shkulin gozhdë nën thundrat e kuajvet. Atyre nuk u kërkohet as të bëhen merak për minierat ku nxirret hekuri, si lëndë e parë për gozhdët dhe për potkonjtë, as se ku prodhohen gozhdët dhe potkonjtë, as se ku mbillen dhe korren jonxha dhe tagjia e kalit. Puna e tyre është ngushtësisht e përqëndruar vetëm te një thundër, te një pllakë metalike dhe te një thumb metalik.
Kaq e kanë fushëveprimin, por edhe fushëdijen, si duket, edhe KRYEPUSHTETARËT BOTËRORË, në shekullin e kibernetikës.
Kaq dinë, ose kaq duan të dinë: një president i SHBA-së, një kryeministër i Kinës, një kryministër i Mbretërisë Bashkuar, një president i Rusisë, një kancelar i Gjermanisë, një president i Francës, një kryeministër i Japonisë.
Prandaj edhe po përballet sot njerëzimi me FENOMENIN TEPËR TË RËNDË TË LAMPEDUZËS. Dua të them: PLAGA E LAMPEDUZËS, nuk është problem, as vetëm i Gjermanisë, as vetëm i BE-së. Është problem i madh i mbarë njerëzimit, të cilin, kryepushtetarët e sotëm botërorë, mareshlferrântë, në kuptimin më të semplizuar, as që lodhen për ta kuptuar, le më t’ia kërkojnë e t’ia gjejnë ilaçin.
FENOMENI LAMPEDUZË është SËMUNDJE E RENDIT TË SOTËM SHOQËROR KAPITALIST. Është EPIDEMI, të cilën askush nuk po përpiqet për ta shëruar me mjetet e vërtetë të të shëruarit.

Kjo është epiqendra e produktit “Lampeduzë” – të shek.XXI!

Shikoni si po veprojnë mareshaferrântët, madje mirëfilli embesilë! Krijojnë ca pika grumbullimi për të quajturit azilkërkues. Vendosin atje ca nëpunës regjistrues. Çojnë atje ushqime, aq pak sa azilkëkuesit detyrohen të vjedhin njëri-tjetrin. Japin edhe një lloj pagese të përkohshme, deri sa të merret vendimi për t’i kthyer ose për t’i mbajtur. Për t’i kthyer, por ku?! Në ç’humnerë?! Për t’i mbajtur, po ku?! Toka gjermane nuk i mban dot krejt banorët e Lindjes së Afërt dhe të Mesme. As krejt toka e Evropës Perendimore nuk i mban dot të gjithë banorët e rrëzikuar, që ia kanë mësyrë këtij kontinenti.
Pamjet, pa mbërritur ende në „tokat e Eldorados“, janë si të asaj kohe që në historiografi e quajnë KOMUNË PRIMITIVE. Qindra mijë në Greqi, qindra mijë në Itali. Në Hungari flënë njerëzit nëpër sheshe. Trena plot me refugjatë, që synojnë „vetëm Gjermaninë“. Grumbuj, që shtyhen për diku, që rrahin njëri-tjetrin për diçka, ose që i rrahin policët, duke u „përpjekur“ të vendosin „rregullin“. Se ku duan të shkojnë, që shtyhen ashtu, një Zot e di. A bie njeriu aq poshtë „për një jetë më të mirë“?! Ta hajë dreqi atë „jetë të mirë“, kur u dashka të hamë njëri-tjetrin, të na bjerë të fikët në mes të rrugës, duke ecur me një fëmijë ndër duar, apo duke u shtyrë bërrylash për të arritur te një shishe me ujë! Ta hajë dreqi atë „jetë më të mirë“ kur u dashka të asfiksohemi nëpër trajlera e konteinerë të mbyllur dhe kur u dashka të biem në det e të na hanë pashqit në fund të detit!
A nuk mund të gjejë NJERËZIMI forma të tjera për t’ua realizuar njerëzvet JETËN MË TË MIRË, në këtë kohë të kibernetikës?!
Lukuni trafikantësh që mbushin xhepat, të vetët e të s’di se kujt tjetër! Kolona të çrregullta që zgjedhin gjoja rrugë „më të sigurta“, ku „nuk i sheh policia“. A këtë mënyrë po i servir pjesa „e civilizuar“ e NJERËZIMIT, njeriut që po kërkon „një jetë më të mirë“?!
Në ç’kohë po jetojmë kështu?!
Një anije me 400 klandestinë, e zhdukur, dmth e mbytur! Një tjetër enë uji mbytet me 50 njerëz. 71 fatkeqë të tjerë, kërkues të verbër „të një jete më të mirë“, gjenden të asfiksuar në mes të Evropës!
A i zuri gjumi, atë natë që u gjetën të mbytur 71 njerëz, kryministrin e Japonisë dhe kryeministrin e Kinës?! Ne njohim perandorë që flinin vetëm 4 orë në natë, nxitur nga përgjegjësia që ndienin. Ne njohim shkrimtarë që flinin vetëm 4 orë në natë, nga përgjegjësia që ndienin për punën e tyre në shërbim gjithnjerëzor. Mora si shembuj Japoninë dhe Kinën, 2 vende „të largët“, që nuk janë aspak të largët në shekullin XXI. (Japonia s’ish aspak larg as në Luftën e Dytë, jo më tani.) Por, natën kur u gjetën të vdekur të 71 njerëzit në një autostradë të Austrisë, duhej të kishin dhënë dorëheqjen, e pakta, kryeministri i Austrisë, kryministri i vendit nga vinin viktimat dhe krejt ekipi i komisionerëvet të BE-së. Mirëpo, a kanë ndjenja përgjegjësie politikanët mareshalferrântë?!
Presidentët dhe kryeministrat mareshalferrântë, parlamentarët ligjeprurës mareshalfarrântë, organizmat financiarë mareshalferrântë… VETËM KY LLOJ ZANATÇIU, (jo nga ata mareshalferrântët e nderuar, zotër të zanatit të vet, por ca mareshalferrântë embesilë, të cilët nuk dinë as nga ta kapin potkoin e kalit), DO TË MUND TA KRIJONTE KËTË EPOKË, EPOKËN TRAGJIKE TË LAMPEDUZËS.
———————————–
Jo si një sociolog mekanicist, por thjeshtë për një pasqyrim të figurshëm, me qëllim që t’i kemi gjërat më të qarta, unë, BOTËN, në rendin e sotëm shoqëror kapitalist postkomunist (edhe për pjesën ku nuk arriti të sundojë komunizmi), po e paralelizoj me një AVULLORE. Avullorja lundron, punëtorët hedhin poshtë kazanit qymyr pa pushim, por kazani nuk e ka mekanizëm për shkarkimin e avullit të tepërt.
Ata që dinë ç’është një makinë me avull, e dinë edhe se kaldaja, kazani, duhet të ketë një mekanizëm shkarkimi, përndryshe, kazani pëlcet, i vret krejt njerëzit që ka rreth e rreth dhe praktikisht e shkatërron krejt avulloren.
Por, çfarë bëjnë politikanët tanë, mareshalferrântë embesilë, me avulloren që u është besuar?! Këta marrin miell, bëjnë brumë dhe mundohen të zënë të çarat e tubacionit. Ndodh që ndonjëri sajon edhe pak llaç me gëlqere e me rërë, lodhet, djersinë, por avulli prapë gjen rrugë dhe i çan tubat në vendet më të dobët.
Mund ta përfytyrojmë se në çfarë sikleti gjenden, si punëtorët, edhe pasagjerët. Vetëm personeli teknik dhe ekipi komandues duket se e ka punën në terezi. S’u hyn në punë brumi i miellit, mundohen të sajojnë diç „më të saktë“. S’u bën punë as llaçi me gëlqere, i shtërngojnë gypat me manikota, por meazallah se i kushtohet dikush punës, për të sajuar një mekanizëm normal për shkarkimin e avullit të tepërt! Në teknikë e teknologji kjo është puna më e zakonshme, në sociologji dhe në praktikën sociale, të paktën ata që janë drejtpërsëdrejti përgjegjës, as që e vrasin mendjen.
Cili do të ishte mekanizmi më i sigurtë i shkarkimit të „gazevet“ të tepërt në një shtet, shoqëri, rend shoqëror, të krahasueshëm me një kaldajë anijeje apo lokomotive, me një motor me djegie të brendshme apo edhe me një central bërthamor, që nuk e ka mekanizmin e shkarkimit? Do të ishte krijimi dhe instalimi, me anë të legjevet, i mekanizmit përkatës të shkarkimevet, me qëllim që të mos ndodhë eksplozioni.
1.Harmonizimi gjeografik global i qarkullimit të parasë, rrjedhimisht, harmonizimi i zhvillimit ekonomik në shkallë botërore. Sot bota, dmth globi, planeti Tokë, kërkon të trajtohet si 1 (NJË) njësi financiare, ekonomike, po edhe shtetërore, E PANDASHME. Shtetet, mbi sipërfaqen e krejt globit, duhet të ekzistojnë e veprojnë ashtu siç ekzistojnë e veprojnë njësitë vendore brenda një shteti: të pavarur deri atje ku nuk e prishin mbarëvajtjen e shtetit si tërësi. Shtetet, në shkallë globale, duhet të jenë të pavarur deri atje ku nuk e prishin mbarëvajtjen e planetit si tërësi.
Sigurisht, këtë dukuri bashkëkohore të shekullit XXI, nuk e kanë të qartë embesilët bashkëkohorë, kryetarë shtetesh, ligjehartues, drejtues korporatash apo „kryeekonomistë“ bankash. Nuk e kanë të qartë ose nuk duan ta kenë të qartë, ndryshe nuk do të vuanim sot nga EPIDEMIA VDEJKEPRURËSE E LAMPEDUZËS.
Nëse kapitalizmi, jo vetëm pas restaurimit në vendet ish-komunistë, por qysh më përpara, të kish menduar ndryshe për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, sot nuk do të ndodhte kjo që po ndodh me eksodet dhe nuk do të mbyteshin në Detin e Mesdheut 3-4 mijë njerëz brenda vitit. Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore duhet të trajtohen NDRYSHE, jo kështu! Krejt Bota Islame duhet të trajtohet NDRYSHE, sepse, po s’u trajtua NDRYSHE, lindin njëri pas tjetrit Alkaedat, talebanët, ISIS-ët, dhe nuk shkatërrojnë vetëm vlerat historiko-kulturore në Irak e Siri, por vijnë dhe i rrafshojnë, edhe Romën, edhe Parisin, edhe Londrën.
Po marr edhe një shembull fare të vogël, në krahasim me „valvulat botërore“. Nëse kapitalizmi, në restaurim e sipër, nuk do ta kish asgjësuar industrinë, psh në Republikën e Shqipërisë, sot nuk kish pse të shkonin në Gjermani 30 mijë njerëz për të kërkuar punë. Nëse kapitalizmi, duke mos e pasur parim bazë barasshpërndarjen ekonomiko – financiare në shkallë botërore, në Republikën e Shqipërisë nuk do t‘i kish asgjësuar kombinatet dhe fabrikat e tekstilevet e të këpucëvet dhe nuk do të „mburrej“ sot me ca punishte (punëtori) rakitike të quajtura fasonë. Rrjedhimisht, s’kish pse shkonin nuset shqiptare, me foshnja në gji, për të kërkuar „jetë më të mirë“ në Gjermani dhe s’kish nevojë t’u jepte Gjermania atyre nuseve „nga një rrogë policësh shqiptarë“, deri sa të bëhen gati avionët çarter për t’i rikthyer në vendin e tyre „të sigurtë“. Siguri e zezë, në një vend ku, i vetmi prodhim që mund të sjellë një farë të ardhure, është kanabisi!
Mora shembull vendin tim, por i njëjti konkluzion do të nxirej nga shikimi edhe i qindra vendeve të tjerë, ku njerëzit lindin duke ëndërruar SHBA-në, Kanadanë, Evropën Perendimore dhe Skandinavinë, Australinë…
Kapitali, sidomos mbivlera e cilitdo prodhim duhet të mbetet aty ku malli shitet. U shitën 1 milion vetura Mercedes – benz, ta zëmë, në vendet e Ballkanit, vendit prodhues i kthehet vetëm kostoja e prodhimit. Fitimi duhet të mbetet në Ballkan, në çfarëdo forme qoftë dhe kjo duhet të rregullohet me ligje gjithbotërorë. Le ta përdorë atë fitim vetë kompania apo korporata prodhuese e njërit apo tjetrit mall, por, ATJE, në vendin ku është shitur malli, duke investuar dhe duke zhvilluar ekonomikisht, jo vetëm METROPOLIN, por edhe vendin ku malli është shitur.
Nëse një kompani apo një korporatë ka hapur punishte apo fabrika në një vend ku fuqia punëtore është më e lirë, ka bërë mirë, por fitimin që nxiret nga ai krah i lirë, askush nuk duhet të ketë të drejtë ta transferojë në METROPOL. Gjithkush duhet të jetë i detyruar që, atë fitim, ta investojë atje ku ai është realizuar.
Mos bëj transfertë parashë në drejtim të vendevet të zhvilluar, me përjashtim të asaj shume që ke investuar, dhe s’ka më EPIDEMI TË LAMPEDUZËS.
Një ndër masat më të rëndësishme, për të mos e çuar botën drejt krizavet shkatërimtare finaciare, gjeneruese mjerimi për miliarda bonorë të këtij planeti, do të ishte edhe frenimi, me norma ligjore, i SUPERPRODHIMIT në fushën e industrisë. Prodhimi i tepërt i tekstilevet dhe mosshitja e tyre, prodhimi i tepërt i autoveturavet dhe mosshitja e tyre, prodhimi i tepërt i çdo lloj makinerie dhe mosshitja e atyre prodhimeve, çon pashmangshëm në krizë dhe PREJ KRIZET SHKOHET NË LUFTË: ose kundër „amikut“ të brendshëm, ose kundër ndonjë „fajtori“ të jashtëm.
2.Valvula e dytë për normalizimin “e presionit të gazit“ do të ishte HARMONIZIMI VERTIKAL I QARKULLIMIT TË PARASË, rrjedhimisht, edhe harmonizimi i zhvillimit ekonomik në shkallë shteti. Ku ka ekonomi, ku ka financë, ku ka bankë, që mund t’i mbushë thesin, barkun dhe ambicien e 5 apo 10 individëvet, të cilëvet as krejt planeti nuk do t’u mjaftonte?! Njerëzimi duhet me doemos ta rregullojë këtë problem me ligje radikalë, jo kozmetikë.
Sigurisht, këtë punë nuk e bëjnë e as që mund ta bëjnë politikanët dhe ligjehartuesit e sotëm mareshalferrântë embesilë. Ky do të ishte pa tjetër një REVOLUCION, por jo me armë. Revolucion i ngjashëm, për nga forma, me atë që bëri monoteizmi në shkallë gjithnjerëzore para 2000 vjetësh.
Inisiativa personale është njëra prej energjivet më kryesore, që i çon përpara teknikën, teknologjinë dhe krejt prodhimin familjar, kombëtar e gjithnjerëzor, deri në shkallë gati të papërfytyrueshme. Prandaj dhe është imperativ universal të nxiturit pikërisht të inisiativës personale të secilit njeri që mund dhe dëshiron të punojë. Le të punojë njeriu dhe le të fitojë para, natyrisht, jo duke spekulluar. Mirëpo, përse duhet të përfitojnë, pa kurrfarë kufizimi, më shumë se ç’meritojnë, djali, vajza, nipi apo mbesa, nga sukseset e babait apo gjyshit?! Një bir plangprishës, një nip birbo, një mbesë dembele, a meritojnë ta gëzojnë të quajturën „të drejtë trashëgimie“ pa kurrfarë kufizimi?!
Për të gjitha këto duhet të ketë ligje, që, pasi të vdesë një individ i pasur, pasardhësit e tij të mos kenë të drejtë të trashëgojnë të ardhura mujore, psh, më shumë se një rrogë ministri. Të gjitha të ardhurat e tjera, nëse zotëruesi i tyre, sipas rregullavet të paracaktuara, nuk i ka shpërndarë me kohë, duhet t’i kalojnë shtetit. Ndërkaq, sa është gjallë një i pasur, një kapitalist, ai duhet të ketë detyrë, me ligj, që t’u japë bursa një numri studentësh, llogaritur sipas të ardhuravet të tija vjetore apo mujore. Gjatë karrierës së vet, një njeri i suksesshëm, i cili ka arritur të vërë kapital të konsiderueshëm, duhet që kapitalin e vet ta përpjesëtojë me studentë të sapodiplomuar ose me specialistë të sprovuar të moshës së re. Ai që i ka 200 milionë euro aksione, 100 milionë duhet t’ua japë, në formë kapitali, specialistëvet të sprovuar apo studentëvet të sapodiplomuar, nga 10 milionë secilit, në mënyrë që edhe atyre t’u jepet mundësia për të provuar zotësitë e veta. Kjo nuk është hipokrizi, si ajo e „bamirësivet“ bujëmëdha, ky është bashkëpunim. Vetëkuptohet, askujt nuk do t’i jepeshin para për të hapur kazino apo shtëpi publike. Nuk do harruar që, mënyra si e koncentrojnë pasurinë multimiliarderët e “botës së zhvilluar”, është njëri nga shkaqet kryesorë të femomenit LAMPEDUZË.
Shoqëria njerëzore s’ka nevojë për hipokrizira të kategorisë së „bamirësivet“ për jetimore e për qorra e sakatë, as për „industrinë“ e bastevet e kazinovet.
Qorrat, sakatët, handikapët, jetimët, fëmijët e braktisur, ka detyrë shteti t’i rrisë, t’i ushqejë, e, atje ku individi është i aftë, edhe t’i shkollojë, dhe e gjithë kjo, prapë duhet të përballohet prej të ardhuravet të klasës së pasur. Klasa e pasur duhet të paguajë taksë të posaçme pikërisht për përballimin e kësaj detyre që e ka shteti. Në shekullin XXI është turp të shikohen, nëpër cepa rrugësh e nëpër kryqëzime, fytyra mjeranësh që zgjasin dorën dhe lypin.
Me një të këtillë varg masash e normash ligjore në planin vertikal, jeta, edhe në shtetet që prodhojnë emigrantë, do të mund të normalizohej dhe atëherë s’kish nevojë as për të forcuar rojat kufitare midis Meksikës dhe SHBA-së, as për të ngritur mure e gjerdhe në Hungari e në Estoni (brumë mielli, për të shpëtuar kaldajën nga eksplozioni), as për të krijuar rrëmujë rtefugjatësh në ishujt e Mesdheut, as për të mbushur karvanë trenash në Gjevgjeli me njerëz që thahen për pikën e ujit, as për të mbytur mijëra shpresëkotë, në detin, të cilit Odiseu mitik, po edhe Enea, i binin dikur kryq e tërthor. Nuk do harruar që, mënyra si i koncentrojnë pasuritë e vendevet të tyre “të famshmit sheikë”, është njëri ndër shkaqet kryesorë të fenomenit LAMPEDUZË.
3.Mekanizmi i tretë i normalizimit të “presionit në kazanin shpërthyes të lokomotivës, avullores, motorit dizel apo edhe centralit bërthamor”, që e ka emrin SHOQËRI NJERËZORE, janë aktet regullativë demografikë për të shkuar, jo vetëm nga fshati në qytet, por edhe për të kaluar nga qyteti në fshat. Nga fshati në qytet njerëzit shkojnë vetë. Ata grumbullohen atje në mënyrë stihike, pa u menduar fare ç’pasoja sociale mund të sjellë një e tillë dyndje. Dhe mirë bëjnë. Ata mendojnë për vete dhe kjo është krejt e natyrshme. Por puna ka arritur gjer aty, sa që thonë se në SHBA popullsia rurale përbën 10% të krejt banorëvet të atyre shteteve dhe kjo konsiderohet “arritje”.
Reklamohet si një “arritje positive”! Të papunët janë aty me miliona dhe kjo është „pozitive“, „shenjë e përparimit“ nga duhet „të synojë gjithë njerëzimi“. Spekullantët janë aty, si një kulshedër 100-gojëshe e 100-kthetërshe, dhe kjo i bie të quhet „pozitive“, shenjë e „qytetërimit“. Trafikantët janë aty, dhe kjo i bie të quhet „pozitive“. Prostitutët jargëshumë janë aty, dhe kjo na qenka „pozitive“! Prostitutat janë aty, dhe kjo prapë është shenjë „qytetërimi“, shenjë e „emancipimit“ dhe e „çlirimit“ të femrës. Homoseksualët janë aty, dhe kjo, siç po thuhet, është një ndër konkretizimet më domethënës „të të drejtavet të njeriut“. Divorcet janë aty, dhe kjo, doemos, është shenjë e „progresit“. Mashtruesit janë aty, huliganët janë aty, bandat janë aty, kumarxhinjtë janë aty, tregtarët e drogës janë aty, përdoruesit e drogës janë aty, sekserët janë aty, trafikantët janë aty, pedofilët janë aty, dhe e gjithë kjo mbyllet me një sentencë „mençurore“: „S’ke ç’i bën, jeta i ka këto.“ Janë edhe obezët aty, por janë edhe rakitikët, diabetikët, skizofrenët.
Mirëpo, sociologët tanë mendjemardhur, ose e glorifikojnë dukurinën e të grumbulluarit të njerëzvet nëpër qytete, ose u vijnë vërdallë plagëvet, duke mbajtur midis gishtavet nga një shuk pambuku lyer me tinkturë jodi.
Nuk do hedhur poshtë, natyrisht, as vargu i gjatë i të miravet që i ka sjellë njerëzimit kjo dukuri e të grumbulluarit dhjetëramilionësh në disa nga pikat më nevrlgjike të qarkullimit të mallravet, të grumbullimit të mjetevet monetarë, të përqëndrimit të arsimit, të dijevet, të shpikjevet, të arkitekturës, të paparë ndonjëherë gjer më sot, të komunikacionit, sa mbi sipërfaqe të tokës e ujit e nëpër qiell, aq edhe nën sipëfaqe të tokës e ujit, të rrjetevet të ndriçimit, të rrjetevet të ujëqarkullimit, si edhe të mundësivet të mëdha, që i ofrohen njeriut punëtor dhe POZITIV për të përparuar në jetë. E gjithë kjo, jo vetëm nuk do hedhur poshtë, por duhet bërë çmos për ta stimuluar.
Të paralelizuarit me kazanin, me kaldajën, me motorin djegëbrendshëm, që nuk ka kurrfarë mekanizmi rregullues të presionit të gazevet, shkon edhe këtu më së miri. Sot për sot, për të pakësuar popullsinë E MBIGRUMBULLUAR nëpër qytete, ka vetëm 2 mënyra: vdekjet dhe luftërat. Nëse gjendja do të lihet kështu, luftërat shkatërrimtare, me shuarje miliona jetësh njerëzore përnjëheresh, do të vijnë shumë shpejt.
Ka, madje, edhe përpjekje për të prodhuar armë, të cilat, brenda një nate, do t’i asgjësonin të gjithë banorët e një apo disa qyteteve, pa i prishur ndërtesat. Janë shpikur, thuhet, të tilla armë dhe janë prodhuar, por mbahen sekret, ndërsa s’pushohet së dërdëllituri për ufot dhe alienët.
Duke i lënë mënjanë (në shijimin e rrogavet të tyre) analistët dhe këshilltarët e llojllojshëm, profesorët dhe akademikët, që të gjithë, ose thuajse të gjithë mareshalferrântë embesilë, njerëzimit i duhet, i del detyrë urgjente, për të gjetur mjetet më efikasë të shtensionimit të situatës, sidomos në qytetet shumëmilionësh. Rrugët këtu janë të shumta. Po rendis vetëm disa.
a)Në krejt botën rurale, në të gjitha ato pjesë të kontinentevet, ku i lejojnë dhe i favorizojnë, toka (dheu), klima dhe uji, duhet të krijohen prona bujqësore – blegtorale 10-HEKTARËSHE. Për këtë lloj prone e, lidhur me të, edhe për këtë lloj familjeje fshatare, do hartuar një projekt i hollësishëm, ashtu siç hartohet projekti i një ndërtese, ta zëmë, 50-katëshe, dhe duhet miratuar ai projekt në organizmat përkatës ligjemiratues, në shkallë shtetesh ose në shkallë gjithbotërore.
Pas kësaj, ashtu siç veprohet kur një investim ndërton diku një kompleks banimi e biznesi, duhet shpallur oferta: Kush dëshiron të shkojë nga qyteti në një të këtillë pronë 10-HEKTARËSHE, le të paraqesë dokumentet që duhen dhe le të shkojë për të nënshkruar marrëveshjen përkatëse.
Në qytete ka shumë nga ata që kanë shkuar për të gjetur “një jetë më të mirë” dhe nuk e kanë gjetur. U krijohet kështu mundësia atyre familjeve që janë në hall, ta kenë një alternativë për të dalë nga kolapsi.
A ka nevojë të zgjatemi këtu?! Miliona familje do ta gjenin shpëtimin, por edhe mundësinë e të jetuarit mirë, si edhe mundësinë për të pasur NJË PRONË TË VETËN, jo dosido, por me një sipërfaqe 1 milion metër katrorë, për vete, por edhe për pasardhësit.
Qyteti do të çlirohej në këtë mënyrë prej një sasie të konsiderueshme të energjivet shpërthyese.
b)Për të gjithë TË DËNUARIT deri në 10 vjet heqje lirie, duhet të ketë një alternativë lirimi me kusht: Ik nga qyteti, shko atje ku ta ka përcaktuar vendimi i gjyqit, sillu simbas rregullavet që të përcakton ligji dhe jeto i lirë në pronën tënde 10-HEKTARËSHE! Në i shkelsh këto rregulla, ke dyfishin e dënimit dhe ke për t’i vuajtur në burg.
Punët kryesore, me të cilat do të merreshin këta të dënuar, atje ku do t’i caktonte vendimi i gjyqit (shoqëruar doemos me kontratë), kuptohet, do të ishin bujqësia dhe blegtoria. Në vend të burgut, shteti do t’i siguronte të dënuarit një kredi për blerjen e pronës 10-HEKTARËSHE, kryesisht në vendlindjen apo vendrrënjën e tij, dhe ashtu, nga një burgaxhi, ai do të shndërrohej në një pronar toke, duke e çliruar prapë qytetin nga një pjesë e energjisë shpërthyese. Le të bëhen statistikat dhe do të shikohet sa familje do të largoheshin nga qytetet në 1 vit apo në 10 vjet dhe deri në ç’masë do të PASTROHEJ qyteti nga NDOTJET MORALE!
Është folur e flitet gjithnjë dhe janë thënë e thuhen shumë fjalë, lidhur me funksionet edukues të burgjevet. Unë po them, shkurt: burgjevet, ndërsa dihet që i njëjti nocion ka në përdorim një varg shprehjesh: institucion riedukimi, kamp riedukimi, shkollë riedukimi, qendër rehabilitimi. Por është parë që, sidomos burgjet e mbyllur, ku të dënuarit nuk punojnë, njeriu, jo vetëm që nuk është riedukuar, por ka degraduar edhe më keq. Format për t’i çelur deliktuesit një perspektivë të vërtetë jete, ndërkaq, janë përdorur pak ose aspak.
Forma e të shndërruarit në pronar toke të një njeriu që i ka shkelur ligjet, as është dëgjuar, as është parë gjëkundi. E pra, pikërisht kjo formë do t’i bënte njerëzimit 2-3 apo më shumë shërbime. 1.Do t’i hapte shkelësit të ligjevet një dritare jete normale, dhe ai do të mund të fillonte nga e para një rrojtje dinjitoze, bashkë me familjen e vet. 2.Do ta çlironte qytetin prej një numri jo të vogël deliktuesish potencialë, të cilët policia është e detyruar t’i mbajë gjithë jetën nën survejim dhe të cilët janë edhe vatra infektimi, pra, me sjelljet e veprimet e tyre, e shtojnë numrin e banorëvet problemorë deri në atë masë, sa vjen një ditë dhe shteti s’di ç’të bëjë. 3.Do ta ripopullonte fshatin, tashmë, ose të braktisur, ose të degraduar në shkallën më skandaloze.
c)Është koha që njerëzimi duhet ta kuptojë se planeti Tokë ka sipërfaqe TË KUFIZUAR dhe nuk mund të mbajë numër banorësh pa fund. Asnjë përrallë nuk mund ta ndryshojë këtë të vërtetë. Krimbat nuk dinë që një kangur i ngordhur në mes të shkretëtirës e ka sasinë e mishit të kufizuar, ndaj edhe shtohen, deri sa të mos ketë më mish kanguri dhe deri sa të shuhen edhe vetë krimbat, ashtu siç janë shtuar. Por njeriu ka mendjen. Njeriu nuk është si krimbi.
Njerëzimi duhet të hartojë e miratojë ligje KUNDËR SHTIMIT ENORM TË POPULLSISË. Ligjet e Kinës janë një shembull. Duhet të miratohen ligje, ku çifti të mos ketë liri për të lindur më shumë se 2 fëmijë. Përjashtim duhet të bëjnë vetëm ata kombe që kanë më pak se 10 milionë pjesëtarë. Sapo një komb t’i kalojë 10 milionët, atij i duhet ndaluar shtimi demografik jashtë normativës së përcaktuar. Përralla e plakjes së popujvet, në njërin apo në tjetrin shtet, gjithashtu duhet trajtuar si një përrallë, si një krijim që mbështetet mbi realitetin, por që nuk duhet të pengojë një realitet tjetër. Nëse nuk arrihet që, me anë ligjesh racionalë njerëzorë, të parandalohet shpërthimi demografik, atëherë do të vihen pa tjetër në veprim ligjësitë e krimabavet.
————————————
A mund t’u hyjë superstruktura e sotme gjithnjerëzore operacionevet të këtillë socialë? Me politikanët dhe filozofët e nivelit të mareshalferrântëvet embesilë në krye, sigurisht që jo.
Epoka jonë e LAMPEDUZËS u ngjan shumë shekujvet të dyndjes së popujvet. Mjafton të shohim, për krahasim, fluksin e eksodevet dhe, njëkohësishht, një ISIS apo edhe një Putin në krahun tjetër. Me vendosjen e vizigotëvet në Romë, ra Perandoria Romake Perendimore. Me fuqizimin e Perandorisë Osmane, ra edhe Perandoria Romake Lindore. Epoka jonë e LAMPEDUZËS do të sillte, krahasimisht, rënien e BE-së, rënie e cila do të vinte nëpërmjet copëzimit dhe, në vijim, shkatërrimit të saj përfundimtar. Por ky shkatërrim nuk do të ndalej me kaq. Do t’i vinte radha SHBA-së, pastaj edhe “perandorivet të Lindjes”. Asnjë qeverisje e djathtë ksenofobe nuk do të mund ta ndalonte këtë proces.
Tani nuk është më koha e sulmevet me kuaj e me kalorës. Kaloritë barbare mesjetare, hune, avare, selçuke, xhingiskanase etj, dogjën qytete e fshatra dhe shfarosën me mijëra banorë, por nuk i asgjësuan dot të gjithë popujt. Tani, o do të mbledhë mendjen krejt bashkësia njerëzore e, veçanërisht, deri tash e pandreqshmja dhe e pakorrigjueshmja KLASË KAPITALISTE, o do të shuhet, në radhë të parë pikërisht ajo klasë. Mjafton të përfytyrojmë betejën për pushtimin e Konstantinopolit në vitin 1453. Nëse do ta kishin bombën atomike bizantinët e rrethuar, a nuk do ta përdornin? Nëse do ta kishin edhe osmanët, a nuk do ta përdornin?
Shoqëria e sotme njerëzore do të mund t’u hynte operacionevet të domosdoshëm socialë, vetëm në kushtet e lindjes dhe përhapjes së një RELIGJIONI TË RI, i cili do t’i kërkonte edhe Zotin, edhe Djallin, vetëm TE NJERIU dhe askund tjetër.

Gjokë Dabaj, Durrës 24 gusht – 3 shtator 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura