GJOKË DABAJ: NDIHMA MË SERIOZE ËSHTË NDIHMA ME PARA, E SHTETEVET

Durrës, 30 nëntor 2019: Në këto ditë shkatërrimi shkaktuar nga natyra, ngushëllimi ynë më shpirtqetësues ishte konstatimi se nuk jemi vetëm.
Ndodhur jo më shumë se 12 km larg qendrës së Durrësit, të gjitha orët, ditët dhe netët i kalova nën ndikimin e dridhjevet të tokës. Dil me vrap përjashta, hidh sytë nga muret se mos po çahen, futu brenda dhe dil përsëri, sapo toka të rifillonte avazin e dridhjevet.
Gërmadhat kanë zënë nën vete dhjetëra njerëz. Televizionet e botës i japin pa ndërprerje pamjet e lemerishme të Atdheut tim tashmë fizikisht të shkatërruar dhe shpirtërisht në gjendjen më të rëndë të mundshme. Ekipet e shpëtimit, si të vendit, ashtu edhe ata të ardhur nga të gjithë shtetet fqinjë, por edhe prej disa më të largëtvet, po nxjerrin, të gjallë ose jo, të mbeturit poshtë grumbujvet të pluhurit e tullavet dhe poshtë copavet të stërmëdha të betonarmesë.
Mijëra njerëz që rrinë nën qiell të hapur, ç’të shikojnë më parë, jetën e vet apo pasurinë që e kanë humbur tashmë përgjithmonë? Pajisjet shtëpiake, që nga raftet, frigoriferët, tepsitë, tenxheret, pjatat, dyshekët, jorganët, rrobat e veshjes, paratë, deri te shumë gjëra më të shtrenjta se të gjitha këto: librat, kujtimet e shkruar, fotografitë, dokumentet, një unazë floriri, një gjerdan nusërie, një shami lotësh, lënë nga nëna ditën kur ajo po vdiste.

Ç’i mbetet tjetër një populli në këtë pluhnajë katastrofe, përveç konstatimit se nuk është vetëm? Se nuk është vetëm dhe sidomos, se nuk trajtohet me hipokrizi!
Na erdhën nga Republika e Kosovës, na erdhën nga Republika e Maqedonisë Veriore, na erdhën nga Greqia e Italia dhe na erdhën edhe nga Sërbia. Kjo ardhja e njerëzvet edhe nga Sërbia, bëri që ta përforcoj një mendim timin të kahershëm se jo të gjithë sërbët janë si ata që na i vranë dhjetëra mijë njerëz dhe që na i dogjën e rrënuan mijëra shtëpi. Ka midis kombevet gjithmonë njerëz të mirë.
Në këto ditë pakrahasimisht të rënda për krejt Kombin Shqiptar, qeveria jonë hapi një numër të posaçëm llogarie bankare, ku filluan të arkëtohen qindra mijë lekë, dollarë dhe euro. Kontribuesit janë të shumtë dhe kjo na çon te ideja që tërmeti vërtet mund të na dëmtojë, por nuk mund të na mposhtë, falë pikërisht atyre që i lënë familjet e veta me mungesa, për t’i ndihmuar ata, të cilëvet tashmë u mungon çdo gjë.
Të gjitha këto janë dukuri tejet mbresëlënëse. Altruizmi është stolia më bukur e qenies njeri. Por mua si shkrimtar, në këta çaste, nuk po mund të mos më formulohen edhe disa pyetje të rëndësishme. Ose, thënë më saktë, në këta çaste shtërngese kaq të madhe, që i ka rënë mbi kurriz Kombit tim, nuk po më le të qetë një pyetje, e cila, e zbërthyer në një varg nënpyetjesh, do të mund ndoshta të na çonte jo vetëm në zgjidhje mirëfilli racionale, por edhe në konkluzione shumë të rëndësishëm.
Pyetja është kjo: Sa dhe si po e ndihmojnë Republikën e Shqipërisë QEVERITË e shtetevet të botës, duke marrë parasysh, por edhe pa marrë parasysh, se çfarë orientimi politik apo strategjik kanë ata apo kemi ne?!
Do ta fillojmë vargun e pyetjevet me qeverinë e Shtetevet të Bashkuar të Amerikës, qeveri të cilën shqiptarët e konsiderojnë si përkrahësen më të fuqishme e njëkohësisht edhe më të besueshme. Sa miliarda dollarë ndihmë të pakthyeshme po i jep qeveria e SHBA-së qeverisë së RSH-së? Po themi miliarda, sepse nën të paktën një miliardë dollarë do të ishte fyerje për SHBA-në.
Dhe arsyetimi im specifik për SHBA-në, si dhe për jo pak shtete të tjerë, do të ishte ky: Disa qindra mijë shqiptarë, duke qenë shtetas të atjeshëm, u kanë paguar dhe u paguajnë Shtetevet të Bashkuar të Amerikës taksa të rregullta vit pas viti e dekadë pas dekade. Nga këto taksa që shqiptarët i paguajnë rregullisht SBA-së, do të ish krejt e natyrshme që, në këtë rast fatkeqësie, t’i jepeshin Atdheut të atyre shtetasve së paku një miliardë dollarë. Jo individët, se individët po japin aq sa po mundin e madje edhe më shumë se ç’po mundin! Por SHTETI! Shteti amerikan duhet t’i japë shtetit shqiptar ndihmën që i takon, sepse taksapaguesit e atjeshëm shqiptarë e meritojnë një mirënjohje të tillë!
Të njëjtën gjë do të themi edhe për Mbretërinë e Bashkuar, për atë që ne shqiptarët e themi shkurt Angli. Unë nuk dëgjova që të thuhet se Anglia i akordoi Republikës së Shqipërisë kaq apo aq paund. SHBA-ja e angazhoi një formacion ushtarak në ndihmë të të dëmtuarvet, kurse për Anglinë s’u tha asgjë. Pse të mos ia japë edhe Anglia, me këtë rast, një miliardë paund Republikës së Shqipërisë? Mijëra shqiparë punojnë anembanë Londrës dhee anembanë krejt Anglisë, dhe janë kontribues të rregullt në buxhetin e asaj Mbretërie!
Edhe Republika Federale e Gjermanisë është njëra nga përkrahëset e Republikës së Shqipërisë dhe të krejt Shqipërisë. Në këto ditë katastrofe, në këtë pjesë të Shqipërisë, shprehja më konkrete e përkrahjes që Gjermania do të duhej t’u ofronte shqiptarëvet, do të ishte që ajo edhe shtetërisht t’i akordonte Republikës së Shqipërisë një ndihmë në të holla në sasinë, sigurisht, po aq sa edhe SHBA-ja dhe Anglia.
Të gjithë shtetet e BE-së do të duhej të ndërmerrnin nismën që secili shtet anëtar veç e veç, sipas mundësivet reale, kryesisht të bazuar te numri i banorëvet, t’i akordone Republikës së Shqipërisë nga një shumë të caktuar parashë. Pse të mos e bënte BE-ja një veprim të tillë dhe këtë ta kthente në rregull për secilin shtet kudo që të ndodhin të këtilla katastrofa?!
Nën shembujt e BE-së dhe të SHBA-së, te të cilët Republika e Shqipërisë aktualisht mbështetet me të gjithë politikën e saj, në të gjithë botën, pa marrë parasysh se ç’politikë ka njëri apo tjetri shtet, do të duhej zbatuar e njëjta praktikë e ndihmës shtetërore ME TË HOLLA. Jo me miell e me biskota! Jo me bluza e pantallona e me sutjena! Por ME PARA, me të cilat secili shtet i dëmtuar do të mund t’i kryente të gjitha punët më të ngutshme, shkaktuar prej një force që nuk varet prej njeriut.
Turqia vendosi t’i ndërtojë Republikës së Shqipërisë 500 banesa. Mirë bëri, por do të ishte më mirë t’i jepeshin qeverisë sonë ato para dhe ajo, në mënyrë transparente, të punonte vetë për t’i shëruar plagët e veta. Të punonte vetë, në marrëveshje me secilën familje të dëmtuar. Sepse nuk i dihet: A do t’u pëlqejnë shqiptarëvet ndërtesat që do t’u ndërtojë Turqia?
Rusia do të duhej ta jepte kontributin e vet në para si dhe Amerika, Kina do të duhej ta jepte kontributin e vet në para si dhe Amerika. … Australia, Zelanda e Re, India, Vietnami, Egjipti, Afrika e Jugut, Arabia Saudite… Të gjithë shtetet simbas mundësisë që kanë.
Unë nuk e di a ka Organizata e Kombevet të Bashkuar ndonjë organ apo dikaster të vetin që merret me mbështetje FINANCIARE në ata vende ku ndodhin fatkeqësira natyrore. Doemos që duhet të ketë. Atëherë, pse nuk i pamë të ishin këtu titullarët përkatës të OKB-së dhe të deklaronin sa ishte kontributi i tyre NË TË HOLLA?! Them NË TË HOLLA, sepse batanie, çadra e konserva, të cilat mund të kenë mbetur nëpër magazina, qeveria shqiptare di të blejë edhe vetë, ose t’i marrë falas.
Kanë rëndësi të madhe emërtimi dhe diferencimi i ndihmavet: A jepen “në natyrë”, pra në produkte, apo jepen në formë mjetesh FINANCIARË? Sepse sendet janë vërtet të domosdoshëm dhe të mirëpritur në ditë të vështira, por kush më siguron mua që ata sende s’të kanë zënë vendin dhe po shfrytëzon tërmetin, që të pastrosh magazinat e tua dhe njëkohësisht të marrësh falenderime e mirënjohje pa fund? Një i tillë shfrytëzim rasti për të korrur lëvdata, s’është tjetër veçse hipokrizi. Ndërkaq, kontributi NË TË HOLLA, sidomos shtetërori, është më i mirëfillti, më i pastërti dhe më bindësi.
Në këtë rast do të ish e domosdoshme të përcaktohej se kujt duhet t’i dorëzohen ndihmat në të holla. Ndihmat në të holla nuk mund dhe nuk duhet t’u jepen subjektevet të veçantë pa ndërmjetësimin e qeverisë. Ndihmat në të holla, pra ndihmat financiare, duhet t’u akordohen vetëm qeverivet. Madje pikërisht kreut të qeverisë dhe ai të mbajë, në bazë të marrëveshjevet përkatëse, edhe përgjegjësitë. Kryetari i qeverisë, së bashku me të emëruarit e financavet, duhet të nënshkruajë aktin e pranimit të ndihmës, në të cilin të jenë përcaktuar konkretisht edhe destinacionet dhe, mbi bazën e atij akti të nënshkruar, të përgjigjet, po kryeministri, edhe ligjërisht përpara gjykatavet ndërkombëtare.
Kjo do të ishte ndihma më serioze dhe kjo ndihmë, pikërisht NË TË HOLLA, do të mund t’i zgjidhte të gjithë problemet që ka shkaktuar forca e verbër e natyrës. Në rastin tonë, pas ndërhyrjes sa më të shpejtë, për t’i shpëtuar njerëzit, (punë që kryhet, përveçse me sakrificat personale deri në akte heroizmi, edhe me pagesa për specialistët e atyre fushave), do të vinte mënjanimi i inertevet dhe sistemimi i tyre atje ku duhet dhe ashtu si duhet. Pas këtyre apo krahas me këto, vijnë: strehimi i të mbeturvet pa strehë, të ushqyerit e të paushqyervet, asistencat mjekësore, organizimi në kushte emergjence i arsimimit të fëmijëvet, ndërtimi i shtëpivet për familjet që i kanë humbur shtëpitë. Asnjë nga këto nuk mund të kryhet pa pasur PARA dhe pa i mirëpërdorur ato PARA me fanatizmin më të përkushtuar. PARA që përgjithësisht nuk janë të parashikuara në buxhet dhe që doemos duhet të sigurohen me donacione SHTETËRORË TË JASHTËM.
Përfundimisht, unë gjykoj (dhe bersoj se nuk po gjykoj shtrenmbër), që banorët e Republikës së Shqipërisë do ta quajnë NDIHMË TË MIRËFILLTË të Shtetevet të Bashkuar të Amerikës, të Anglisë, të Kanadasë, të shtetevet anëtarë të Bashkimit Evropian, të Rusisë, të Kinës, të Japonisë, të shtetevet të Lindjes së Afërme dhe të Mesme, të shtetevet të Azisë Jugore, të shtetevt të Amerikës Jugore, të shtetevet të Afrikës, të Australisë, vetëm atëherë kur nëpër gazeta do të lexojmë shumat e paravet që ata shtete t’ia kenë akorduar shtetit tonë.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë duhet t‘u dërgojë sa më parë kërkesat zyrtare të gjitha qeverivet që i përmenda.
Gjokë Dabaj, Durrës 30 nëntor 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura