Durrës, 16. 10. 2013 – Më shumë se fjalët e tija, më tërhoqi vëmendjen fytyra e z.Venizellos. Shihej qartë që ai ndjehej në pozitë të vështirë. A mos mendonte që pala shqiptare ka të drejtë dhe i vinte rëndë që nuk mund të shprehej edhe ai ashtu si mendonte? Mundet edhe kjo të ketë ndodhur. Diplomati shpershherë bie ngushtë, kur është i detyruar të mbrojë pikëpamjen e qeverisë së vet, pa qenë i të të njëjtit mendim me të.
Ndërkaq, ne e dimë që shteti grek nuk është një shtet demokratik. E kam thënë edhe herë të tjera dhe pohimi im është i mbështetur në një varg të vërtetash që s’është aspak vështirë të kuptohen.
Një shtet që nuk i njeh nacionalitetet brenda vetes, nuk mund të quhet shtet demokratik. Një shtet që, duke qenë qartazi multietnik, nuk e quan veten multietnik, nuk mund të quhet demokratik.
Unë po marr vetëm rastin e etnitetit shqiptar e arvanitas në Rep.e Greqisë. Shteti grek nuk i njeh ortodoksët çamë si kombësi jogreke. Në regjistrimet e tyre demografikë ata nuk shkruhen shqiptarë. Në amëzat e tyre të lindjevet shqiptarët e Çamërisë, por edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë në Janinë, në Konicë, në Kostur, në Follorinë, askund nuk figurojnë në letra si shqiptarë. Vetëkuptohet, as në kartat e tyre të identitetit dhe në pasaportat nuk shënohen si shqiptarë.
Si pasojë e një të këtillë diskriminimi nacional, në shtetin grek, hë për hë, as që mund të pritet që të ketë shkolla shqipe për shqiptarët vendës. Dmth për shqiptarët që jetojnë në tokat e veta në shtetin grek.
Para disa muajsh unë dëgjova një veprimtar arvanitas kur tha: Ne jemi, ne ekzistojmë, por kërkojmë që dikush të na udhëheqë.
Nuk ka shkolla shqipe as për arvanitët. Sa shekuj ka që Italia i ka lejuar shkollat për arbëreshët në gjuhën arbërershe? Z.Venizellos tha sot: Greqia nuk ka frikë nga asgjë. Atëherë, pse nuk hap shkolla shqipe për arvanitët? Mos ka frikë se një ditë arvanitët mund të kërkojnë bashkim me shtetin shqiptar? Kjo s’ka për të ndodhur asnjëherë.
Shqiptarët në shtetin grek, shqiptarët vendës dhe arvanitët, janë ortodoksë. Normalisht, nëse Kisha Greke do të ish një kishë bashkëkohore, kishë e shekullit XXI, liturgjia për shqiptarët duhej të shërbehej në gjuhën shqipe.
Nuk duhet të harrojmë që qeveria greke betohet para Kishës Greke dhe jo para ndonjë kushtetute demokratike. Edhe kjo është një dëshmi që shteti i sotëm grek nuk është një shtet demokratik, sado që në atë shtet ka shumë forca mirëfilli demokratike.
Pohimin tonë që shteti grek nuk është një shtet demokratik, mund ta mbështesim edhe me qëndrimin e Akademisë Greke ndaj historisë. Rrjedhimisht, me qëndrimin që mbahet nëpër shkolla, me tekstet e tyre shkollorë, me fjalorin që përdoret në ata tekste. Psh zaptimin e tokavet shqiptare në vitiet 1912-1913 nga ana e Greqisë, ata, në tekstet e tyre nuk e quajnë PUSHTIM, por ÇLIRIM të tokavet greke. Si mund të ketë demokraci me një historiografi të tillë?
Aleksandrin e Madh, Konstantinin e Madh dhe Justinianin e Madh, historiografia greke i konsideron grekë. A ishin vërtet grekë këta personalitete madhorë të historisë botërore?
Këto ishin fare pak nga dëshmitë, që shteti grek i sotmi s’është as përafërsisht një shtet me demokraci bashkëkohore. Por ne shqiptarët duhet t’i ndihmojmë grekët që në vendin e tyre të arrihet një demokraci e mirëfilltë. Ata të na ndihmojnë ne, atje ku ne s’kemi demokraci, e ne t’i ndihmojmë ata.
Një ndër hapat shumë të rëndësishëm për të ndihmuar njeri-tjetrin reciprokisht, do të ishte afrimi me personalitetet shqiptarë e arvanitë të atij vendi.
Tanimë i kemi në shtetin grek rreth 1 milion emigrantë. Midis tyre ka mjaft njerëz të kulturës, të biznesit dhe të politikës. Pikërisht me anë të kësaj force të freskët shqiptare, ne duhet të realizojmë afrimin dhe miqësimin me çamët ortodoksë dhe me të tjerë shqiptarë ortodoksë si dhe me arvanitët. Sa shqiptarë ortodoksë ka në parlamendin grek dhe sa arvanitë ka në atë parlament? Sa kryetarë të bashkivet, sa intelektualë, sa artistë, sa sportistë, sa biznesmenë shqiptarë ortodoksë dhe arvanitë jetojnë anembanë atij shteti?!
Ç’presin çamët e këtushëm, që nuk lidhen me parlamentarët çamë në Athinë dhe me kryebashkiakët anembanë Çamërisë?! A kanë partitë tona çame në programet e vet krijim miqësish me partiakët tanë në Çamëri? Janë bijtë e vendit tonë.
Fillimisht ata mund ta kenë vështirë për t’u afruar me ne. Por duhet punuar personalisht me secilin. Ata vërtet janë deklaruar grekë. Ata vërtet shkollimin e kanë bërë greqisht. Por ata janë shqiptarë dhe arvanitë. Ata e dinë ç’janë, sepse i kanë mësuar historitë e veta familjare me anë të gojëdhënavet. Mjafton që të çlirohen nga ndrojtja dhe ta kuptojnë që, duke e deklaruar identitetin e vet, ata nuk bëhen kurrsesi armiq të Greqisë.
Për mua kjo është një rrugë që ne shqiptarët e këndejshëm nuk e kemi shfrytëzuar thuajse fare dhe kjo ka ardhur sepse as ne nuk jemi ende demokratë aq sa duhet dhe ashtu si duhet.