GJOKË DABAJ: NËN EFEKTIN E PAKOVE TË ‘BAMIRËSIS’!

Durrës, 15 Prill 202: Ndërsa të mençurit e këtij planeti u gjendën para enigmës, si na erdhi ky virus vdekjerëndë, qindra milonë familje; në pikë të hallit për një krodhe bukë, mbetën duke parë; pale a po vjen dikush për t’u sjellë ndonjë pako. Mjerim më indinjues moral nuk mund të ketë! Tragjedi më sarkastike sociale nuk mund të ketë!
Si u varka famija, jeta e fëmijëve, jeta e grave, jeta e pleqve, jeta e shëndetligëve, nga zemërgjërësia apo zemërngushtësia e një të pasuri, që s’e di askush (ose që e di gjithkush) si është pasuruar?!
Ka në këtë botë njerëz të pasur dhe s’do të na lënë të vdesim urie! Të lutemi, o Zot, (në pastë Zot gjëkundi), të mos na sëmuren të pasurit, se kush do të na mbajë ne të varfërve me pako?! O Zot (nëse je gjallë diku në qiell), mbushja mendjen ndonjë të pasuri që të ma dërgojë një pako edhe mua!

Se ç’ka brenda ajo pako, është punë e tija. Ka oriz, ka sheqer, ka miell… Apo mund të ketë edhe biskota për t’u bërë qejfin kalamajve. Madje mund të ndodhë që, për bamirësi, të shtihet në ndonjë pako edhe ndonjë kukull plastike, nga ato që mbeten pa u shitur nëpër magazina. Ç’nuk mund t’i shkojë mendja një zemre të madhe, një shpirti human si ai pasanikëve?! Bluza, brekë, fustanë, konserva peshku të skaduara, peksimet, i cili, për fat të keq, mund të jetë edhe me krimba, nga të ndenjurit me vite nëpër magazina. Po edhe orizi mund të ketë zënë krimba.
Megjithkëtë, mbase po mbijetojmë disi! Mbase, mbas kësaj pakoje që pata fatin dhe ma dhanë, po i mbushet mendja edhe një tjetër miliarderi të na e çojë edhe ai ndonjë kamionçinë këndej nga lagjja e të pabukëve dhe kështu mbase po e shtyjmë, deri sa të shuhet disi kjo gjallesë njerëzmbytëse.
Po lusim Zotin (se s’kemi kë lusim tjetër), të vdesë koronavirusi e të mos vdesim ne, sepse, po vdiqëm, është problem i madh edhe varrimi. S’kemi pará për t’u varrosur! Dhe nuk jemi pak. Jemi me miliona që s’kemi para as për t’u varrosur! (Mbasi njerëzimi kështu e paska parë të arsyeshme: Të paguash edhe për t’u varrosur!) Në vdekshim kështu, si e ka nisur kjo sëmundje tinëzare, do të qelben qytetet prej kufomve të pavarrosura!
Por le të shpresojmë që, gjithsesi, do ta gjejnë një rrugëzgjidhje të pasurit tanë! Varrezat kolektive janë zgjidhja më humane e mundshme. Varrreza pa emra të vdekurish. Merr dërrasa, sajo shpejt e shpejt arkivole, hap gropa me fadroma e me ekskavatorë dhe rreshtoji të vdekurit brenda atyre gropave, nga dhjetë e nga njëqind përnjëheresh… Se mos kemi ne të varfërit këtu mbi dhé ndonjë emër kushedi e u dashka të kemi emër edhe nën dhe!?
Ne, pjesa më e madhe e njerëzimit, ekzistojmë vetëm për të konsumuar prodhimet e të pasurve. S’ka asnjë qëllim tjetër ekzistenca jonë. Të blejmë miellin e tyre, të blejmë zarzavatet e tyre, të blejmë mishin e lopëve të tyre. Që të gjitha rritur e ushshqyer me OMGJ. Të blejmë edhe tekstilet e tyre. Të blejmë edhe veturat, sepse përndryshe, industria e automobilëve do të falimentonte dhe, ç’do të ndodhte pastaj në ekonominë globale?! Do të zhytej në krizë ekonomia globale!
Në këtë ngërç të pashpresë të organit njerëzor që quhet mushkëri, organi tjetër që quhet tru njerëzor, punon me intensitetin më maksimal. Në vdekshim nga koronavirusi, të cilin dikush edhe mund ta ketë sajuar në ndonjë laborator, ç’do të bëhet me mijëra avionë lufte, me mijëra tanke e autoblinda, me armët bërthamore të të pasurve, që i kanë prodhuar për t’i përdorur?! Ç’do të bëhet me industrinë e luftës (që jo më kot e kanë krijuar të pasurit), nëse ky virus do të na i vrasë të gjithë njerëzit dhe të pasurit të mos kenë më kë të vrasin?! Thjeshtë, të mos kenë kë të shfarosin me armët e tyre!
Kjo është dilema më e mdhe. Prandaj mos u kurseni, o të pasur! Le të shpërthejë humanizmi juaj! Jepeni zero një për qind, madje edhe pak më shumë se zero një për qind, të krejt pasurisë suaj, për të na dërguar ne të varfërve nga një pako! S’bëhet kijameti! Le të kënaqet bota me shpirtmadhësinë tuaj, që s’latë mënyrë pa përdorur, për ta rrjepur këtë planet!
* * *
E tash, le t’i lëmë mënjanë, po mundëm, ironirat dhe sarkazmat!..
A nuk do të ishte një rrugëzgjidhje që, të pasurit e botës, në shkallë botërore, të jenë të detyruar ligjërisht të kontribojnë në raste të këtillë fatkeqësish?! Të jenë të detyruar, me ligje, që 20 për qind të pasurive të veta ta kalojnë në dispozicion të një organizmi ndërkombëtar, për të përballuar emergjencat, sëmindjet, tërmetet, përmbytjet, krijimin e kushteve ekonomikë në vende të ndryshëm, me qëllim që të mos ketë eksode e lëvizje masive të popullsive! Përse u dashka të lejohen prodhime OMGJ në botë?! Përse u dashka të lejohen ndotjet e ujërave, të detrave dhe të ajrit në botë? A nuk kanë detyrime të pasurit e botës ndaj të këtilla dukurive, të cilat nuk bëjnë dallime midis të varfëve dhe të pasurve?! Përse u dashka të përballet njerëzimi i sotëm me karikatura “bamirësie”, kur të gjitha këto do të mund t’i zgjidhte një sistem më i arsyeshëm shtetëror në shkallë botërore?!
Nëse e gjithë kjo s’është e mundur, sepse Organizatën e Kombeve (OKB-në) nuk e kanë në dorë kombet, atëherë le të presim të gjithë së bashku një luftë shfarosëse, e cila do t‘i fshijë nga faqja e dheut edhe të pasur, edhe të varfër!
Durrës, 15 prill 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura