Durrës, 8 mars 2021: Për industrinë e Evropës?! Për ekonominë e Greqisë?! Për Amerikën?! Për Turqinë?! Për kë po i lindin fëmijët nënat e shqiptarëvet?!
Duke pritur 8 Marsin, Ditën e Gruas, që ndryshe quhet edhe Dita e Nënavet, mua, për dreq, më është ngulur mendja te një pyetje tepër e rëndë. Më shumë se e rëndë! Nënat ilire, nënat arbërore, nënat shqiptare, kanë lindur fëmijë në të gjitha kohët, si të gjitha nënat e botës. Por, për kë i kanë lindur këta fëmijë këto nënat tona (në pështypjen time) ndryshe nga të gjitha nënat e tjera?!
Për ta ezauruar këtë pyetje do të duheshin aq shumë faqe, sa do të çuditeshin të dyja palët, si ata që do t’i shkruanin, ashtu edhe ata që do t’i lexonin. Por unë po mundohem t’i bie sa më shkurt.
Thonë që Akili dhe Odiseu kanë qenë të gjakut tonë. Sa është e vërtetë kjo, ende nuk është saktësuar deri në fund, por mendimi, të paktën i ne shqiptarëvet, është se ata, që të dy, kanë qenë bij të kësaj etnie. Por, për kë u sakrifikuan Akili dhe Odiseu?! Për kë luftuan?! Për Agamemnonin, i cili ishte i ardhur në tokat tona!
Akilin, nëna e tij, Perendesha e Detit, e kish pagëzuar në atë mënyrë që trupin e tij të mos mund ta cënonte asnjë lloj arme. Vetëm thembrën nuk kish mundur t’ia lagte me atë ujë çudibërës, që vetëm një nënë di ta kërkojë. Dhe pikërisht prej asaj thembre Akili e gjeti vdekjen në lule të rinisë. E gjeti vdekjen, se nuk ua vuri veshin, as dëshiravet, as përpjekjevet dhe as këshillavet të nënës së vet.
Edhe Odiseu la gruan e vet me një djalë të vogël dhe iku për t’i shërbyer Agamenonit të huaj, në luftë kundër të njëjtit popull, të cilit i përkiste vetë Odiseu. Shkoi dhe mbeti dhjetëra vjet pa iu kthyer familjes!
Edhe Leka i Madh, po kështu, e shkriu rininë e vet duke përhapur nëpër botë gjuhën dhe kulturën e helenëvet. Nuk kemi dëshmi që, ky Lekë i yni, të ketë përdorur lexim e shkrim në gjuhën tonë. Thuhet se, vetëm kur zemërohej, përdorte sharje në gjuhën e prindërvet. Ndërkaq, ndaj nënës, Olimbisë, u tregua aq i papërgjegjshëm, sa e la vetëm gjithë jetën dhe vdiq diku larg, ku e ëma as varrin të mos mund t’ia shihte.
Dhimitër Fari, në kohën kur rrezikohej Iliria, e gjeti me vend t’i shërbente Romës e jo Ilirisë. A ashtu e kish mësuar e ëma atë njeri?!
Pastaj erdhën nja 10 a 13 perandorë të Romës, që të gjithë bij nënash ilire, të cilët, me fare pak përjashtime, nuk i shërbyen Ilirisë, por Romës. Në ç’gjuhë flisnin ata perandorë me nënat e veta?! A ishin të lumtura nënat e atyre perandorëve me bijtë e vet?! Kush po e merr vesh?! Ndoshta edhe ato mburreshin para gravet të tjera: “Djali im është aq i madh, aq madhështor, sa edhe gjuha që i kam mësuar unë, i duket pa vlerë”.
Mijëra nënavet ilire, kur rastiste që u ktheheshin bijtë nga luftërat, u jepej rasti të mburreshin me bijtë e tyre: “Im bir flet romakisht. E di romakishten si me qenë romak”. “Po flori a të solli?! Solli edhe flori! E pastë nëna djalin! Po vë jetën në rrëzik, për të mbajtur mua!” Thoshin kështu nënat ilire, edhe sikur djemtë të mos u sillnin asnjë kacidhe!
Ndërkohë, me mijëra vriteshin nëpër Evropë e në bigjet e Mesdheut, duke i lënë mijëra nëna, gjunjëmbledhura, me lot të tharë për faqesh, pranë vatravet zjarrshuara.
…U kthye dikur faqja e historisë në krahun tjetër të Ilirisë. E njëjta perandori, por me gjuhë tjetër, tashmë jo latine, por greke, i mblidhte bijtë e këtij vendi dhe i çonte sërish nëpër luftëra. Bëheshin prijës të njohur, ushtarakë e qeveritarë të zotë, por askush nuk di si ndjeheshin nënat e tyre. Kur u vinte lajmi që djemtë e tyre vriteshin, dihet që shpirti i tyre rrëgjohej, por nuk dihet: A ishin të lumtura ato nëna, kur dëgjonin së largu, si nëpër tym, për sukseset e bijvet të tyre?
Ndryshoi sërish historia! Bijtë e nënavet të këtij vendi shkonin e luftonin, tashmë me fesa të kuq e me çallma, gjer në Jemen e Qerbelá. Nënat vajtonin duke thënë me vete fjalët e të bijvet: “Mbeç, more shokë, mbeç!”
Të gjitha perandoritë kanë pasur për ne të njëjtën fizionomi: I hanin djemtë tanë! Përbindësha! Lubi! Kuçedra! Nënat tona pillnin, ato i gëlltitnin bijtë e tyre! Pse nuk dijtën të shpëtojnë nga mynxyrat këta djemë fatkeqë, bij nënash fatzeza?!
S’ka shumë kohë që, në rrjetet e internetit, ka dalë një njoftim, nxjerrë arkivash dhe ilustruar me fotografi të kohës, ku tregohet se, në betejën e Çanakkalasë janë vrarë 25 mijë shqiptarë. Është një numër shumë i madh dhe unë nuk po di si t’i quaj ata jetëhumbur: të mençur apo budallenj, bij nënash që s’kanë ditur t’i edukojnë si duhej fëmijët e vet, apo bij që s’donin t’ia dinin për nënat e veta?! Si, more, të vriten në Çanakkala 25 mijë shqiptarë, kur Shqipëria e tyre me shekuj s’kish parë liri me sy?!
Por, sa dhjetëra mijë bijve të tjerë të nënavet të kombit tonë u janë mbjellë kockat anembanë botës?!
A s’ka ardhur koha që ne shqiptarët të mendojmë më mençurisht për nënat tona, rrjedhimisht edhe për vendin, të cilin rilindësit tanë e quanin mëmëdhe?!
Si është e mundur që e shkatërruam vendin tonë, s‘lamë gur mbi gur, s’lamë kanal ujitës pa prishur, s’lamë fabrikë, s’lamë uzinë, s’lamë kombinat, s’lamë hekurudhë, s’lamë bunker e tunel pa e prishur dhe tokat e punuara i braktisëm e i shndërruam në shkurrishte?! E rrënuam dhe e lëruam atdheun tonë siç e patën rrënuar e lëruar dikur romakët Kartagjenën dhe ikëm, duke i lënë nënat qyqe, me bërrylat mbështetur mbi parvazet e dritarevet!
Të na rrojë mërgmi, qoftë edhe duke fituar ca pará më shumë, por duke u ndenjur gatitu punëdhënësvet të huaj! Të na rrojë, madje mërgimi, edhe duke u hequr zvarrë trotuarevet të qytetevet të huaj! Të na rrojë mërgimi, duke na u mpirë këmbët e duke na u skuqur kofshët lakuriqe, pranë semaforëvet, ose duke na u kalbur veshkat mbi dyshemetë e betonta të burgjevet!
Të na rrojnë, më në fund, sukseset që po korrim nëpër botë, duke u zgjedhur në parlamentet e shtetevet, duke u duartrokitur në sallat e koncertevet dhe duke u brohoritur nga shkallët e stadiumevet, kur Shqipëria jonë vazhdon të konsiderohet vendi më i prapambetur i Evropës!
Mos po i zë bijtë e bijat e këtij vendi mallkimi mijëvjeçar i nënavet, të dikurshmevet dhe të këtyre të sotmevet?! Pra, si t’i uroj gratë shqiptare në këtë Ditë të 8 Marsit?!
Durres, 8 Mars 2021
Postime të Lidhura
NË FILADELFIA, NGRIHET FLAMURI KOMBËTAR SHQIPTAR
Filadelfia-ShBA, 03. 12. 2015: Është viti i katërt, qëkur në qendër të qytetit të Filadelfias-Amerikë, pranë Bashkisë historike…
REAGIM I KMDLNj’së: A ËSHTË KJO LUFTË SPECIALE E EULEX’it NË KOSOVË?!
Pashtriku.org, 23. 04. 2015 – Lëmshin në Këshillin Prokurorial të Kosovës duket se nuk e kanë shkaktuar vetëm…
BEHXHET Sh.SHALA: FANELLAT E SPARKSIT DHE SYZET E ZEZDITËS!
(Prishtinë, 14. 04. 2012) – Endrju Sparks është luftëtar i madh në luftë kundër korrupsionit. I ngarkuar nga…
DAUT DAUTI: LUFTA PËR TREPҪËN! SIPAS DOKUMENTEVE ‘TREPҪA’ ËSHTË PASURI BRITANIKE!
Prishtinë, 29. 01. 2016: Çështja e “Trepçës” është aktualizuar sërish për t’u reflektuar si problem i madh politik…