GJOKË DABAJ: PËR KONSULTA MË SERIOZE, NË LIDHJE ME GJUHËN SHQIPE

Durrës, 12. 05. 2013 – Nuk mund të merren si punë serioze ndërmarrje të tilla, si reduktimi i Ë-së apo edhe heqja krejt nga përdorimi i kësaj zanoreje. Zanorja Ë është një veçori fonetike e gjuhës shqipe, e atillë që, jo të asgjësohet, por të ruhet dhe madje të kihet shumë kujdes ndaj saj. Zanorja Ë është një i atillë thesar i gjuhës sonë, i cili bën që kjo gjuhë të dallohet me bukuri të veçantë prej shumë gjuhësh të tjera. Është një ndër veçoritë fonetike, për të cilën duhet të themi: Fat i madh që ia kemi dalë për ta ruajtur deri më sot!
Veç kësaj, pra, veç rëndësisë fonetiko-historike, zanorja Ë ka edhe sot funksion të pazëvendësueshëm veprues në gjuhën e gjallë shqipe. Mjafton të sjellim vetëm një shembull, sa për të ilustruar rëndësinë aktuale të kësaj zanoreje. Kjo zanore, në pozicion fundor, ZGJAT zanoren prirëse. Psh PUNË, KALË, GJELLË. Nëse nuk do të ishte Ë-ja në fund, U-ja, A-ja dhe E-ja, do të shqiptoheshin të shkurtra dhe kjo do ta shëmtonte gjuhën shqipe.
Fjalët që, me heqjen e Ë-së, do të dilnin homonime, dëshmojnë edhe më mirë sa e rëndësishme është ruajtja e Ë-së fundore.
Emrit KISHË, institucion fetar, nëse do t’i hiqej Ë-ja, do t’i shkurtohej I-ja dhe do të shqiptohej KISH, që është një lidhëz “Kish ta shoh njëherë!”. Emri KORË, afat, me heqjen e Ë-së, del KOR, grup këngëtarësh që këndojnë bashkë. Emri KORBË, grua e mjerë, kur t’i heqësh Ë-në, del KORB, shpend me pendë të zeza. Emri KOSË, vegël korrëse, kur t’i hiqet Ë-ja, del KOS, qumësht i mpiksur. Emri KULLË, shtëpi e lartë prej guri, kur t’i hiqet Ë-ja, del KULL, kalë me qime ngjyrë mjalti. Emrit LUGË, përdorëse për ngrënie, nëse i hiqet Ë-ja, del LUG, që është një trung i zgavrruar, ku u jepet ujë bagëtivet. PIKË, sasi e vogël lëngu, del PIK, kulm i një dukurie a veprimtarie. PILOTË, shtyllë nëndhese, bëhet PILOT, njeri që drejton aeroplanin. Emri PIPË, çibuk, llullë, me heqjen e Ë-së, bëhet PIP, bisk i ri që del nga trungu i një peme. PISË, lëndë e zezë veshtullore, bëhet e njëjtë me emrin PIS, njeri i pistë. Ndajemri, adjektivi, I PUSHTË, me push, po t’i hiqet Ë-ja, del PUSHT, njeri që bredh pas femrash. PUTË, i thonë shputës së këmbës, ndërsa PUT, pa Ë në fund, është idhull. Emri asnjanës TË QENË, gjendje sipas kuptimevet të foljes me qenë, kur t’i hiqet Ë-ja, bëhet QEN, kafshë shtëpiake. Sado që konteksti mund t’u ndihmojë (të diturvet, jo të paditurvet) për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë, ngatërresa është aq e madhe, sa psh, në përkthimet elektronikë, s’do të kish zot që do të mund ta kuptonte ç’ka dashur të thotë autori. QEPË, bimë barishtore, QEP i thonë sqepit në disa krahina. Ec e dalloje qepën nga qepi! QYTË, pjesë e pasme e pushkës apo automatikut, ndërsa QYT, pa Ë në fund, përdoret si pjesë e shprehjes BOT E QYT, që ka kuptimin me u përpjekë shumë. I RREMË, me Ë në fund, do të thotë, i gënjeshtërt, ndërsa pa Ë në fund, RREM quhet lopata e barkës. RRESHKË është copë buke e thekur, RRESHK është shtresë e përskuqur që zë qumështi në fund të enës kur vlohet në zjarr. SHOKË është një brez i leshtë që e mbështjellin rreth mesit, SHOK, pa Ë në fund, është njeriu me të cilin shkojmë mirë. SHPATË, me Ë në fund, është lloj arme, SHPAT, pa Ë në fund, është faqe e pjerrët e një mali a kodre. SHTATË, përdorim emëror i numrit 7, ndërsa SHTAT është trupi i njeriut nga koka te këmbët. VAJË i thonë mëndeshës, kurse VAJ është të qarët me zë (Këtu A-ja nuk është e shkurtër, por ka të tjera veti: është A buzore, labiale). Emrit femëror VISKË, kërriçe, nëse i heqim Ë-në, bëhet emër mashkullor VISK, kërriç. VESË, bula uji që krijohen mbi bar e mbi gjethe, VES, zakon i keq. ZOGË, me Ë në fund, ka kuptimin pulë e re, kurse ZOG, pa Ë në fund, është shpend trupvogël, që rron nëpër livadhe, në shkurre e në ferra.

Heqja e Ë-vet në fund të këtyre fjalëve, nuk shkakton vetëm ngatërresa kuptimore, por, që është shumë më e rëndësishme dhe që nuk ka të bëjë vetëm me homonimet, ndërron shqiptimin: shkurton zanoret në rrokjet paraprijëse.
– – – – – – – – – – –
Mund të bëhen cilësime, madje të rëndë, lidhur me bartësit dhe prurësit e të këtillë propozimeve apo edhe vendimeve gjysmë klandestinë. Por unë po them vetëm kaq: Reduktimi i mëtejshëm i Ë-së, më shumë se ç’e ka reduktuar atë Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, do të ishte shumë i dëmshëm për gjuhën shqipe. Nuk po dua të kërkoj këtu t’i përgjigjemi pyetjes: Cili është qëllimi i bartësvet të të këtilla ideve dhe i prurësvet të të këtillë propozimeve apo edhe vendimeve, të cilët nuk kufizohen vetëm te Ë-ja. E pakta që mund të thuhet me këtë rast, është që këto punë nuk janë aspak SERIOZE.
Në lidhje me gjuhën shqipe ne kemi punë shumë më të mëdha dhe shumë më SERIOZE se sa reduktimi i Ë-së apo amplifikimi, pa të drejtë, e përsëris me këmbëngulje: pa të drejtë, i ndonjë pakënaqësie dialektore.
Punë shumë e rëndësishme dhe punë mirëfilli SERIOZE do të ishte psh organizimi i një konsulte gjuhësore mbi TERMINOLOGJINË që ne shqiptarët e përdorim NË LIDHJE ME KOMBIN SHQIPTAR, pra, në lidhje me vetëveten, dhe në lidhje me atdheun e shqiptarëvet. Që këtë terminologji e kemi për faqe të zezë, këtë e dimë të gjithë. Po pse nuk bëjmë konsulta për të këtilla gjëra, por thartojmë fytyrat me: Si u bë e kush e bëri Kongresin e Drejtshkrimit?!
Thartojmë fytyrat me gjëra aspak burrërore dhe nuk shtrojmë pyetjet: Si e përdorim dhe si duhet ta përdorim emrin SHQIPËRI?! Si e përdorim dhe si duhet ta përdorim emrin ATDHE? Si e përdorim ndajemrin, adjektivin KOMBËTAR?
Kur kalojnë kufirin shtetëror dhe shkojnë në Ulqin, si thonë e si duhet të thonë shqiptarët? Kur kalojnë kufirin shtetëror në Qafëbotë, si thonë dhe si duhet të thonë shqiptarët? Ku gjendet Filati në konceptin e, rrjedhimisht, edhe në fjalorin e shqiptarëvet? Si duhet thënë: Filati gjendet në Greqi apo Filati gjendet në shtetin grek? Ku gjendet Presheva, në konceptin e, rrjedhimisht, edhe në fjalorin e shqiptarëvet?
Ku gjendet SHQIPËRIA?! Midis cilavet koordinata të gjërësisë e të gjatësisë gjeografike gjendet Shqipëria? Me cilët vende kufizohet Shqipëria? A ka dallime midis emrit SHQIPËRI dhe shtetit apo shtetevet shqiptarë? Nëse ka, cili është dallimi, në të folur e në të shkruar? Të gjitha këto kanë të bëjnë me gjuhën shqipe më shumë se çfarëdo Ë-je apo çfarëdo zanoreje, e dyzuar apo e padyzuar!
Një gjuhëtar i yni, akademik, Prof.Dr. në shkencat gjuhësore, ka përdorur, mes tjerash, edhe këto shprehje: “as Shqipëria dhe as Kosova” “edhe asaj në Maqedoni, edhe në Kosovë apo Shqipëri”. Ai është gjuhëtar dhe unë nuk kam asnjë dyshim që ai e njeh mirë gjuhën shqipe. Atëherë, urdhëroni të diskutojmë! Lidhëza AS është lidhëz veçuese. A është njëkohësisht edhe përjashtuese kjo lidhëz? Pra, kur themi: “as Shqipëria dhe as Kosova”, a përjashtohet Kosova nga Shqipëria? A vendoset Kosova jashtë Shqipërisë? A konceptohet Kosova si një vend që nuk është Shqipëri? Përse të themi atëherë: “Shqipëria u COPËTUA më 1913-n?” Ku janë ato COPA të Shqipërisë, nëse Kosova nuk është një COPË Shqipëri?!
Mund të marrim për krahasim 2 shembuj. A ka kuptim të themi: “Unë nuk kam qenë ndonjëhetrë as në Tiranë, as në Sheshin ‘Skënderbe’”? Ose: “Nuk i kemi përfshirë në agjendën tonë të vizitavet, as Krujën, as Kalanë e Krujës.” Epo mirë, nëse mund të themi kështu, le të themi edhe “as Shqipëria, as Kosova” dhe le të themi, “as Shqipëria, as Shkodra”! Por Sheshi “Skënderbe” ndodhet në Tiranë, Kalaja e Krujës ndodhet në Krujë dhe Shkodra ndodhet në Shqipëri.
Pa dashur të bëjmë komedi, por me qëllim që sqarimi të jetë sa më konkret, le të sjellim këtu një paralelizëm: Meqë kofshët e pulavet shiten më vete, dikush edhe mund të thotë: “Unë nuk i ha kofshët e pulës.” Por kurrsesi, sidomos nëse është gjuhëtar, ai nuk mund të thotë: “Unë nuk i ha, as mishin e pulës, as kofshët e pulës.” Nuk mund të thuhet kështu, sepse, te koncepti mish pule përfshihet edhe kofsha e pulës. Aq më tepër, kur ai gjuhëtar e shkruan dhe kur e publikon këtë shprehje! Dhe, aq më tpër, kur, shprehjet, për të cilat po flasim, s’kanë lidhje me PULAT, por kanë lidhje me SHQIPTARËT, me gjuhën e tyre dhe me Atdheun e tyre.
Te shprehja e dytë: “edhe asaj në Maqedoni, edhe në Kosovë apo Shqipëri”, përsëri akademiku ynë ka bërë ndarje midis Shqipërisë dhe Kosovës, ndarje kjo që është më shumë se e rrëzikshme, sidomos kur e përdor një njeri, i cili konsiderohet pjesë e trurit të kombit tonë. Por, ne po ndalemi tash te emri MAQEDONI. Le ta përsërisim këte shprehje edhe njëherë: “edhe asaj në Maqedoni, edhe në Kosovë apo Shqipëri.” Ç’kuptojnë e ç’duhet të kuptojnë shqiptarët me emërtimin MAQEDONI, si popull më i vjetër se sllavët në këto hapësira?! A duhet të kuptojnë të njëjtin vend si edhe sllavët? Sllavët kanë tendencë të quajnë Maqedoni edhe Korçën, Pogradesin, Gollobordën. Madje, disa duan t’i quajnë BULLGARI, Gollobordën, Librazhdin, Pogradecin, Liqenasin. Shqiptarët, a duhet të ndjekin rrugën e tyre, apo duhet të kenë terminologjinë e vet? Nëse shqiptarët, në terminologji, në koncepte, duan të kenë një logjikë të vetën, atëherë ata kurrsesi nuk do të duhej t’i përfshinin Dibrën dhe Shkupin nën emërtimin MAQEDONI.
Çfarë kuptojnë shqiptarët me emrin ALBANIA, ALBANIE? Ne nuk mund t’u imponojmë të tjerëvet ta përdorin kështu ose ashtu këtë emër, por për vete mund të caktojmë rregulla, për të gjithë rastet, kur shkruajmë në gjuhë të huaja, ose edhe kur përkthejmë.
Emri ALBANIA, ALBANIE, i Mesjetës, a mund të përkthehet me emrin SHQIPËRI? Shprehja LINGUA ALBANESE e Mesjetës, a duhet të përkthehet GJUHË SHQIPE, apo GJUHË ARBËRISHTE? Gjon Buzuku e të tjerë, a ishin shkrimtarë ARBËR apo shkrimtarë SHQIPTARË? Gjon Buzuku, a fliste ARBËRISHT apo SHQIP, sado që ai e ka përdorur në një vend shprehjen: “qi do me thashunë shqip”? Gjergj Kastrioti Skënderbeu, a ishte prijës ARBËR apo prijës SHQIPTAR? A mund të thuhet, dmth a mund të lejohet të thuhet: “Ilirët flisnin shqip”? Romakët antikë a flisnin italisht?
“Origjina shqiptare e Aleksandrit të Madh”. Është titulli i një shkrimi. Së pari, ç’do me thënë ORIGJINË SHQIPTARE? ORIGJINË SHQIPTARE do të thotë, që të parët e tu kanë qenë shqiptarë, ndërsa ti nuk je më i tillë. Së dyti, shqiptarët a janë PARAARDHËS të maqedonëvet të hershëm?
“Sulltanët, osmanë apo shqiptarë?” Titull i një tjetër shkrimi. Do të duhej thënë: “Shqiptarë në krye të Perandorisë Osmane”. (Nëse vërtet kanë qenë.) Përndryshe, do të mund të thuhej edhe: “shqiptaro-osmanë”, ose më saktë, “arbro-osmanë”, që do të thoshte: “arbër me shtetësi osmane”. Bëjmë krahasimin: “Aktorë, amerikanë apo shqiptarë?” Do të duhej thënë: “Shqiptarë që luajnë në filma amerikanë.” Përndryshe, do të mund të thuhej edhe: “shqiptaro-amerikanë”, që do të thoshte, shqiptarë me shtetësi amerikane.
Po përdoren shprehjet: SHQIPËRI ETNIKE, SHQIPËRI NATYRALE, SHQIPËRI E MADHE. Është koha që njëherë e mirë të përcaktohet: Ç’kuptojnë shqiptarët me këto shprehje dhe si duhet t’i përdorin këta këto shprehje? Sidomos lidhur me shprehjen SHQIPËRI E MADHE do sqaruar njëherë e mirë dhe do përcaktuar gjuhësisht “domethënia” e saj. Do përcaktuar, sepse del vargu i këngës “Sa e madhe asht Shqipnija”, këndohet gjithandej, ndërsa, po ta pyesësh një shqiptar, ç’kupton me këtë lloj eksklamacioni poetik, ai, me siguri, do të përgjigjet gabim.
Si duhet ta përdorim, ndajemrin KOMBËTAR? A mund të themi: Kampionat KOMBËTAR, për një veprimtari sportive që zhvillohet vetëm në Rep.e Shqipërisë, pa përfshirë edhe ekipet shqiptarë të Rep. së Kosovës, të Ish-Rep.Jug. të Maqedonisë apo edhe të diasporës shqiptare? A mund të emërtohet “Rilindje KOMBËTARE” nisma e një partie, anëtarësia e së cilës, programi i së cilës, nuk përfshin dhe nuk mund të përfshijë krejt kombin, të cilit i përket ajo parti?
“Përfitojnë 100 SMS KOMBËTARE”. Cila është domethënia e kësaj shprehjeje? A i përfiton 100 SMS “KOMBËTARE” një shqiptar që jeton në San Francisko? A i përfiton këta 100 SMS “KOMBËTARE” një arbëresh i Klabrisë? Atëherë, mbi cilat rregulla gjuhësore është përdorur ky ndajemër?!
Siç e pamë edhe pak parë, lidhur me etnonimin SHQIPTAR ka shumë probleme, të cilët gjuhësisht, semantikisht, është e nevojshme të saktësohen. Si duhet të shprehet një banor i Shkupit? “Unë jam shqiptar nga Maqedonia?” “Unë jam shqiptar nga Shqipëria?” “Unë jam maqedonas?” Si do ta dallojë një shqiptar i Shkupit, në të folur e në të shkruar, përkatësinë kombëtare nga përkatësia shtetërore? Një shqiptar i Tivarit, kur gjendet në Francë, si duhet t’u prezantohet bashkëbiseduesvet? E kemi fjalën për ata tivaras që dëshirojnë të identifikohen si shqiptarë, jo për ata që kanë frikë të thonë se janë shqiptarë dhe që atë frikë e paraqesin si trimëri. I njëjti problem qëndron edhe për shqiptarët nga Margëlliçi. Kur jetojnë në Njujork, si duhet të identifikohen margëlliçiotët? Por edhe kur janë brenda në Margëlliç, cili duhet të jetë dallimi, në të shprehur e në të shkruar, midis shtetësisë dhe përkatësisë kombëtare të këtyre njerëzve?
Këta e shumë të tjerë të kësaj natyre, do të ishin probleme SERIOZË, për të cilët ia vlente të bëheshin konsulta. Organizues i të këtilla konsultave, vetëkuptohet, duhet të jetë Rep.e Shqipërisë, por vendimet nuk mund t’i marrë asnjë institucion i këtij shteti. Për të marrë vendime, duhet të jenë aty përfaqësuesit e të gjitha trevavet dhe të gjithë grupimevet të shqiptarëvet, arbëtreshëvet e arvanitëvet, kudo që ata ndodhen.
Për zanoren Ë mund dhe duhet të diskutohet, ashtu si edhe për rotacizmin, paskajoren gege, dyzanorëshin UA e shumë e shumë gjëra të tjera, qoftë edhe për t’u sqaruar të paqartët. Nuk të ndalon askush të flasësh për formën e dritares, për ngjyrat e tylit apo për vendin që do të zërë në banesën tënde një pikturë, por, para së gjithash, duhet të përcaktosh mirë e qartë, shtëpinë, me muret, me çatinë, me oborret, me kufijtë që të ndajnë prej fqinjëvet. Ta lokalizosh atë sipas të gjitha rrethanave dhe rregullave, pastaj merru sa të duash me hollësirat dhe me mobilimin!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura