GJOKË DABAJ: PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE, “TERAPIA” MË E EFEKTSHME PËR KOMBIN SHQIPTAR

Durrës, 22. 03. 2016: Themelimin dhe vënien në punë të Përkujdesjes Gjithshqiptare unë e shoh si një terapi VENDIMTARE që i jep mjeku një të sëmuri. Jo si një terapi të rëndomtë, por si një terapi mrekullisht TË EFEKTSHME. Të gjithë mjekët u japin ilaçe pacientëvet, po jo të gjithë mjekët janë në gjendje t’ia përcaktojnë të sëmurit saktësisht diagnozën dhe mjekimin e duhur. Dmth, mjekimin VENDIMTAR për shërimin e tij.
Ju e keni parë që njëri prej elementëvet më të rëndësishëm të Përkujdesjes Gjithshqiptare, madje VENDIMTARI, do të ishin FJALËMIRAT E GJUHËS SHQIPE, në të cilat do të vepronin, sipas një rregulloreje të mirëpërcaktuar, predikues të arsimuar dhe i përgatitur në nivelin më të lartë në të gjithë aspektet. Ata do të ishin “mjekët”, të cilët do të përpiqeshin t’i zgjidhnin të gjithë ose të paktën shumicën e problemevet konkretë të komunitetevet. FJALËMIRA E GJUHËS SHQIPE do të ishin vendet ku shqiptarët do të mblidheshin dhe do t’i shtronin, NË GJUHËN SHQIPE, hallet dhe shqetësimet e vet, që nga më të vegjëlit deri te ata madhorët, që ne s’i kemi të pakët.

Unë e shoh dhe e ndjej si PULSON, por edhe si GJËMON E RËNKON shpirti i shqiptarit, si brenda atdheut, ashtu edhe anembanë botës. Gazetat, fejzbuku dhe krejt të quajturit rrjete socialë, televizionet, radiot, manifestimet e të gjithë llojevet, sportet, këngët (mjafton të sjellim në kujtesë këngën “Toka amë”, por edhe shumë të tjera), veprimtaritë letrare, përpjekjet politike, dhjetëra parti shqiptare dhe ndoshta qindra shoqata gjithfaresh, nuk shprehin tjetër, veçse PULSIMIN dhe, në shumë e shumë raste, GJËMIMIN DHE RËNKIMIN, zëmbytur, por edhe bubullues, të shpirtit të këtij kombi, tashmë RELIKE midis kombevet të tjerë. Mijëra shqiptarë anembanë botës, mezi presin të kenë një rast për të hedhur supevet një flamur kuq e zi, më të bukurin flamur në botë, ose për të bërë me të 2-ja duart shqiponjën dykrerëshe.
Këto përpjekje janë evidente, të dukshme dhe të prekshme gjithandej, në familjet tona, në festat, në dasmat dhe kudo ku takohen 2 shqiptarë. Por, prapëseprapë, problemet janë aq të shumtë e aq të rëndë, sa na janë bërë gati shprehje “proverbiale” thëniet: Ky vend është i mallkuar! Ky komb nuk rregullohet!
***
Po i rendit këtu vetëm disa nga shembujt apo dukuritë që unë i kam përjetuar dhe që, të njëjta apo të ngjashme me to, mund t’i vërejë e përjetojë secili prej nesh.
Në kapërcyell të vitevet 2000 po mblidhja toponimet e Shestanit, një ndër lëndët më të domosdoshme për librin “Shestani”. Shkova në fshatin Zalef të Tivarit te Istref Syla, plak afër të 90-avet, i cili i dinte më mirë se kushdo tjetër emrat e vendevet të fshatit Pinç, ku ishte rritur dhe plakur. Më priti siç presin të gjithë shqiptarët, me përzemërsinë më të çiltër. U gjend aty edhe një nuse e djalit apo e nipit të tij, që sapo kish ardhur nga SHBA-ja. Ajo ish e mbushur plot me patriotizëm dhe me dashuri për gjuhën shqipe. Istref Syla m’i tha të gjithë emrat e vendevet të fshatit Pinç dhe, në fund, më përcolli deri në të dalë të lagjes. Kur po ndaheshim, ma shtërngoi shumë dorën dhe I RRODHËN LOTËT RRËKE. “Na kena maruo!” Më tha përmes ngashërimevet. Nuk mundi të thotë asgjë tjetër. U kthye rrëmbimthi dhe u largua buzë një kanali ujitës. S’e takova kurrë më, sepse vdiq para se unë ta mbaroja librin.
Pse ish kaq i brengosur axha Istref dhe pse po i afrohej vdekjes me lot për faqesh?!
Sepse fshati i tij Pinçi, i cili përmendej si fshat arbërish këtu e 5 shekuj më parë, tani pothuaj kish mbetur pa banorë. Sepse në fshatin Zalef me mbi 90% shqiptarë, ku kish zbritur axha Istref me familje për të jetuar disi më mirë, gjuha shqipe thuajse nuk përdorej, ndërsa për një shkollë shqipe në atë fshat as që mund të flitej, sepse vetë shqiptarët e atyshëm do të të vërsuleshin me një tufë sloganesh krejt të palogjikshëm: “Shqypja nuk na duhet! Na nuk jena shqyptarë! Na jena malazezë!” Në krejt Tivarin me rrethinë askush nuk fliste për të drejtat e shqiptarëvet, sado që shteti malazias, në dukje, ia kish “garantuar” gjithkujt të drejtat që i takojnë.
***
Në një rast tjetër, viti 2003 ose 2004, pasi tashmë e kisha përfunduar librin “Shestani”, shkruar me një makinë shkrimi të markës “Olimpia”, i kërkova kryesisë së një shoqate të quajtur “Drushtvo Shestani”, që të bëja një takim me anëtarët e asaj shoqate. U mblodhën nja 40 vetë në fshatin Shushan, edhe ky me mbi 90% shqiptarë. Unë shkova me njërin prej drejtuesvet të shoqatës “Dom Gjon Buzuku”, e cila vepron midis shqiptarëvet të Ulqinit. Të pranishmit ishin që të gjithë shqiptarë, me përjashtim të një sërbi, të cilin nuk e di pse e kishin prurë aty, por biseda bëhej thuajse krejt në gjuhën sllave, sepse asnjëri prej tyre nuk regjistrohet shqiptar dhe nuk e përdor gjuhën shqipe, veçse në ndonjë mord. Unë, natyrisht, isha i detyruar, ose t’u nënshtrohem “rregullavet” të tyre, ose të kërciste sherri e të dështonte takimi. Më pritën ftohtë dhe me fytyra të zverdhura. Me sa duket, ishin përgatitur që të kishte tensione. Por, midis tyre u gjendën edhe 2 shokë të mi të fëmijërisë, Maci i Preçit Kol’s, i Gjurperanj, dhe Gjoka i Macit Pal’s, i Dabanj. Biseda jonë, e mbushur me mall e me kujtime, e zbuti disi situatën dhe, pasi ua prezantova qëllimin e “vizitës”, ndenjëm më shumë se 4 orë me pyetje e përgjigje rreth librit që kisha shkruar, të cilin, të daktilografuar, e kisha vënë mbi tavolinë, që ta shihnin. Në fund, kur tashmë po i afroheshim mesnatës, njëri nga djemtë, ulur në dyshemenë prej betoni, afër derës, më tha (doemos në gjuhën sllave): “Unë të bëra sonte 4 pyetje, por në shpirtin tim ka edhe 20 a 30 pyetje të tjera që lidhen me vendin e të parëvet të mi. A i gjej përgjigjet e këtyre pyetjeve në librin tënd?!” Ndoshta ka qenë pikërisht ajo natë, që e kam ndjerë për herë të parë nevojën e një FJALËMIRE TË GJUHËS SHQIPE. U puthëm e u përqafuam me të gjithë, por ata mbetën përsëri në zgrip të shkombëtarizimit. As sot e kësaj dite nuk ka aty ndonjë gjasë që dikush të kërkojë të drejtën më ekementare njerëzore: shkollimin e fëmijëvet në gjuhën e të parëvet të tyre.
Përkujdesja Gjithshqiptare, me nga një FJALËMIRË në secilin prej atyre fshatarve, do të mund ta ripërtrinte shpirtin e atyre banorëve dhe kjo do të shkonte në të mirë, jo vetëm të kombit tonë, kaq keq të shkërmoqur, por edhe në të mirë të kombevet që na rrethojnë. Duke u mbledhur rreth FJALËMIRAVET tona, ne nuk do të ishim më një popullatë amorfe, me të cilën të mund të silleshin të tjerët si t’u tekej.
Televizioni “Top çenëll” po jep vazhdimisht një emision me titull “Shqipëria tjetër”. Shohim aty një degradim dhe një mjerim, sa të dhimbshëm, aq edhe revoltues. Si po katandisen kështu shqiptarët?! Por, duke qenë të paorganizuar, ç’mund të bëjmë?! E shumta që mund të bëjmë, është të na vijë keq dhe t’i bëjmë thirrje ndonjë donatori “shpirtmirë”, i cili do t’ia përmirësonte jetën, e shumta njërit prej atyre fatkeqëve, për 2 apo 3 muaj. Plagët tona kombëtare nuk mund të shërohen vetëm me sensibilizime mediatikë, pa pasur një veprimtari NË TERREN. Po them: NË TERREN; shtëpi për shtëpi e njeri për njeri!
Zonja Rudinë Xhunga është përpjekur disa herë të bëjë diçka në lidhje me GJAKFALJET. Mijëra familje, në pjesët veriperendimore të Republikës së Shqipërisë, po edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë jashtë kësaj republike, jetojnë në ankth dhe të ngujuara, për shkak të vrasjevet njëri me tjetrin. Ka edhe njerëz të tjerë, individë apo grupe, të quajtur pajtimtarë, të cilët ndërhyjnë apo përpiqen të ndërhyjnë midis familjevet të gjakosura, por e gjithë kjo nuk ka sjellë dhe nuk mund të sjellë kurrfarë përmirësimi. Pajtohen 2 familje, gjakosen 2 të tjera. Shkojmë për ta fikur zjarrin, pasi të ketë dalë flaka mbi çati dhe harrojmë që është i zoti i vetes ai komb që di ta ndalojë të keqen para se ajo të ketë ndodhur. E vetmja rrugë për ta çuar drejt shërimit plagën e rëndë atavike në kombin tone të gjakderdhjes kot së koti, është PARANDALIMI, jo vetëm i vrasjevet njëri me tjetrin, por edhe i çdo lloj grindjeje që do të mund t’i çonte dhe që i çon njerëzit tanë në vrasje njëri me tjetrin. Përkujdesja Gjithshqiptare do ta kish për detyrë të vigjilonte dhe të parandalonte, nëpërmjet FJALËMIRAVET, çdo lloj rrëziku që mund t’u kanosej shqiptarëvet kudo që ata t’i ketë hedhur dallga e jetës.

***
Ndër shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut, njëri ndër problemet kryesorë është ai i shkollimit të fëmijëvet në gjuhën shqipe. Nëse do të bënim statistika, do të na dilte që mijëra fëmijë shqiptarë mbeten pa kulturë kombëtare dhe kjo e dëmton rëndë personalitetin e tyre. Duke mos e mësuar gjuhën e vet, duke mos e njohur historinë e kombit të vet, duke mos u edukuar me respekt, me krenari dhe me dashuri ndaj kombit të vet, ata shndërrohen në NJERËZ PA VLERË dhe vjen një kohë kur, duke mos e njohur vetëveten, duke mos ditur ç’janë, detyrohen t’u bashkëngjiten, t’u qepen, t’u arnohen, sa mballoma të shëmtuara, kombevet të tjerë, dhe pastaj, të zënë e të “predikojnë” ngushëllimisht njëfarë “përkatësie gjithnjerëzore” fund e krae bajate. Të predikosh “përkatësi gjithnjerëzore” është njëlloj sikur të kërkosh që, të gjithë pyjet e botës, të mbulohen vetëm me një lloj druri.
Përkujdesja Gjithshqiptare, me anë të FJALËMIRAVET të veta, do të arrinte t’i shpëtonte qindra mijë shqiptarë nga të zhbërit dhe nga të treturit si kripa në ujë. Në të vërtetë, jo si kripa në ujë, por si copëra balte që bien në ujë dhe e ndotin. Çdo kalim nga një komb te tjetri e ndot keqas edhe kombin pranues.
***
Këto ishin disa nga grumbulli i madh i arsyetimevet, pse u duhet shqiptarëvet INSTITUCIONI I PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE. Sapo të jetë krijuar e vënë në punë FJALËMIRA e parë E GJUHËS SHQIPE, në qytetin e Prizrenit, shqiptarët do ta shohin sa i dobishëm dhe i domosdoshëm është për ne një institucion i tillë dhe, fill pas asaj të Prizrenit, me dhjetëra shoqata që veprojnë prej kohësh në pika të ndyshme të diasporës, do t’i themelojnë FJALËMIRAT e veta dhe ashtu do të vijë duke u shtuar shpresa në shpirtin dhe mendjen e secilit shqiptar, brenda dhe jashtë atdheut.
Gjokë Dabaj, Durrës – 22 mars 2016
_________________
Më poshtë lexoni të plotë këtë platformë në formatin “PDF”:
GJOKË DABAJ: PLATFORMË – PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/gjoke%20dabaj%20plaforme%20perkujdesja%20gjithshqiptare.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura