GJOKË DABAJ: (POEMË) QYTETI I PARAPASTRUESVET (II)

Pashtriku.org, 18. 04. 2013 –

26. Vetëkutohet, ne nuk mund të ishim përpikmërisht të saktë. Por, më mirë se ne, askush tjetër nuk mund të mbështetej shkencërisht mbi thashethemet. Ai lopçari tjetër, ka qenë profesor letërsie. E njihte më mirë se Çernishevski letërsinë. Unë jam marrë me evidentim bimësh mjekësore. Kam pasë mbaruar Agronominë e Lartë, por, paralelisht, u pata marrë edhe me sistemimin shkencor të barnatorisë bimore. Ai, shitësi i akullores, pat qenë oficer i ndërlidhjes. Kish mbaruar Akademinë.
27.
Hotel “Firence” kish një legjendë ironike të këtillë: Një gomone me 30 klandestinë, ish afruar pranë Karpenit të Kavajës dhe aty, trafikanti i ashpër kish bërtitur: “Hidhuni, se mbërritëm në Itali!” Klandestinët qenë hedhur nxitimthi në ujë, por njëri, fatziu, është ndalur dhe ka pyetur, duke e njohur ndriçimin e Durrësit disi: ”Ai qyteti atje, si e ka emrin?” “Firence!” Ia ka këputur në tym skafisti. “Firencja nuk ka det!” Ka protestuar klandestini. Por, një shufër hekuri, e ka heshtur përgjithmonë protestën e tij.
28.
Ne, këtij legjendërrënqethësit hotel, ia vumë emrin “Mjerë i dituri”… Një grup hotelesh të tjerë, qe ngritur me paratë e klandestinëvet që çoheshin nga Hollanda në Angli. Ata, me gjithë pagesën e rëndë të transportit, thuhej se nuk kanë dalë të humbur. Këtij ia vumë emrin “Të papenduarit”. Nëse do të shkruhej vërtet ky emër te hyrja, dikush do të mendonte se ka të bëjë me ndonjë blasfemë apo herezi. A ka në Botë ndonjë braktisës të atdheut, që s’është penduar?! Megjithatë, edhe nga respekti që kishim pë Blerin, ky emër, i këtyre hoteleve, na u duk mjaft i bukur.

29.
Në krahun perendimor të këtij qyteti, ishin ngritur, afër njëri-tjetrit, 4 hotele shumë të mëdhenj. Për këta, thuhej, punonin nëpër Evropë 34 prostituta beratase. Kështu quheshin, por, se nga ishin, askush s’na e thoshte dot. Për të konsoliduar “pronësinë” mbi ato prostituta (Për t’u konsoliduar!), qenë vrarë, prapë thuhej, ca këtu në Shqipëri, ca jashtë Shqipërisë, diku MBI 50 djem të rinj. Ne ua vumë emrin këtyre hoteleve: “E ç’fituam?!”
30.
Diku te mjedisi i këtij qyteti, ende betonnjomë, mu afër rërës, me një grumbull pishash të ruajtura mjaft mirë, qe ngritur një ansambël arkitekturor, vërtet i mrekullueshëm. Më se përrallor! Ai mbante emrin e thatë të një kompanie inertesh, e cila pastronte e bluante zhavorr, dhe ua shiste mjaft lirë ndërtuesvet të këtushëm.
31.
Por, paratë që e patën ngritur, këtu pranë detit tonë, këtë mrekulli të papërsëritshme, e kishin zanafillën te droga në Afganistan. Ajo drogë tashmë i kish fikur qindra jetë djemsh e vajzash evropiane. Vazhdim i heshtur i një tragjedie të përditshme! Evropianët e tjerë, që do të pushonin në këta hotele, ish njëlloj sikur të flinin sipër varrevet të bijvet e vëllezërvet. Të vetëmbyturit bij e vëllezër! Ne ia vumë emrin “Varreza rozë të bashkëkontinentasvet”. A do të ketë dikund tjetër në Botë, të tjera pushimore me emërtimin “VARREZË”?!
32.
Shumicës së këtyre ndërtimeve, sipas fjalëvet që qarkullonin, do t’u shkonin më përshtati emrat: GJAK dhe derivatet, GJAKNDYRJE, GJAKPËRDHOSJE, GJAKHUMBUR, GJAKRRËSHQITUR, GJAKPALARË… Psh, në njërën prej tabelavet të bukurndriçuara, shkruhej, me ngjyra romantike të kaltra “Kataraktet”. Në një kohë, kur aty nuk rridhte as nuk zhurmonte kurrgfarë uji. Madje, as ndonjë ujësjellës i çfarëdoshëm, aty ende s’ish parë. Ndërkaq, legjenda që e kishin pëshpëritur vetë ata që punonin brenda, na thoshte, ne të “komisionit”, që, asaj tabele, do t’i shkonte shumë më natyrshëm emri “BESËPËRGJAKJET”.
33.
Një tjetër, nja 1 kilometër më tutje, u quajt prej nesh: “Thika gjakzhyera”. Pastaj: “Pellgu i gjakut të piksur”. Kështu u ripagëzua një, që thirrej “Pishina ujëndritur”. Krejt pa kuptim e pa yndyrë! Gjaku s’i linte ato pishina të rrezatonin dritë!.. Hotelet, që thuhej se u takonin pushtetarëvet të vendit, morën prej nesh emra disi më prozaikë, për arsye se edhe vetë fitimi i atyre parave, erë gjak e vdekje, kish ndodhur prozërisht brenda në zyrë. Ose, e shumta, duke pirë çaj të ftohtë në ndonjërin prej aslokalevet, ku flënë Ministritë.
34.
Shkurt, tabelat “Gjaku i qelbëzuar”, “Spermë në semaforë”, “Hotel overdoza”, “Droga e 5 maunevet”, të gjithë këta emërtime, lidhjet i KISHIN me qeveritarët, por disi të largëta, siç është mallkimi që i bie fëmijës prej një prindi mëkatar. Le të themi psh, nëse, ta zëmë, hotelit të një krimineli të drejtpërdrejtë, do t’i shkonte mirë emërtimi “Gjaku i qelbëzuar”, ose “Kushërivrasësi”, hoteli i pushtetarit i kish brenda vetes, edhe gjakun e qelbëzuar, edhe kushërivrasjen, edhe spermën poshtë semaforëvet, si dhe të gjitha overdozat. Atëherë, si do ta emërtojë hotelin e vet, një i këtillë “i pafajshëm” pushtetar?!
35.
Sigurimin e ujit “teknologjik”, për ujërat e bardhë, e bëri, gjithashtu, secili për vete: Pranë secilit hotel, u shpuan puse të thellë me sondë dhe nxirej, prej thellësivet të nëndetit, uji i ëmbël me pompë. Ai ngjitej lart, në depozita të stërmëdha 10-mijë-litërshe, e, prej andej, lëshohej në rrjetin hidraulik të ndërtesës turistike. Por, së këndejmi, ai ujë, ku do të shkonte?! A do të mund të futej sërish thellë nën tokë?!
36.
“Ti, a po mendon se mund t’i vijë ndonjë e mirë Atdheut, prej parapastruesvet?!” Më tha një ditë akulloreshitësi shëtitës. “Në 10 mijë kilometra katrorë qytet “i mirëfilltë”, ASNJË banjë publike s’të ka ndërtuar kush! Asnjë lulishte publike, për të lozur fëmijët… E ç’t’i përmend fëmijët! Atyre s’po u bëhet vonë as për të vetët! A nuk i tha gjyqit, ajo femra, që mbyti në hotel foshnjën, se foshnja kish qenë e vetë Bosit?!. Asnjë lulishte publike, për t’u ulur, në mbrëmje, ose në mëngjes, pushuesit! Asnjë metër rrugë e asfaltuar, jashtë pronavet të tyre! Asnjë trotuar jashtë rrethimevet dhe asnjë ndriçim rrugor, për be të Zotit! Asnjë çesmë përjashta, për të larë kalimtarët duart e sytë!.. Ti, a vërtet mendon se do t’u shkojnë në mend këtyre, ndonjëherë, të mirat që i duhen plotësuar Atdheut, dmth popullit?!”
37.
2 mijë hotele shumëkatësh! 2 mijë gropa sepstike në themelet e secilit, pa asnjë lloj mekanizmi, për ta nxjerrë pisllëkun jashtë! 2 mijë puse uji të ëmbël, thithur nga funddheu me 2 mijë sondime! Shto këtyre, mijëra kilometra tela e telurina, lidhur ngatërrueshëm njëri me tjetrin, për të çuar rrymën në çdo ngrehinë! Shto këtu edhe 2 mijë emrat, ashtu siç pak parë jua thashë!.. Ky është perceptimi së brendshmi, jo nga rruga, i këtij qyteti krejtësisht të ri, në bregdetin e këtij vendi, pafundësisht të lashtë.
38.
Dritaret, të mëdha, formash nga më të bukurat, skeletesh e kornizash dural, të shumtat me xhama xajs. Kështu, më duket, i quajnë. Ballkonet, secili hotel ndryshe prej tjetrit… Po brenda?!.. Oh, ç’të të them!.. Të gjithë ambientet, me ajër të kondicionuar! Sidomos, ambientet e përdheshëm, lokale dite e nate, ditë e natë me muzikë rok, rep e dixhei-komplet!.. Po edhe me këngëtarë laiv e me xhaz! “A do me bo qejf?! O bon qejf, o plas!”
39.
Të gjitha, mirë e më mirë! Të gjitha, bukur e më bukur! Vetëm një gjë të voskël, në fund, me sa duket, s’e kanë parashikuar dot si duhet parapastruesit: Kanalizimet e ujëravet të bardhë e të zez. Dhe këtë punë, në këtë kaq të bukurin qytet, s’ka zog nane që ta rregullojë! As grua, as burrë! Ata janë kategori e veçantë njerëzish. (Në të vërtetë, jo njerërëz, por antinjerëz, kundërnjerëz!) Ata janë parapastrues! Pastrues të paravet! Ata jetojnë pranë dhe nëpër njëri-tjetrin, por aftësinë e të mirëpunuarit, jo vëllazëror, por as ortakëror, nuk e kanë, as s’e kanë pasur kurrë!
40.
Ata bëjnë edhe lloj-lloj garash tinëzare, lloj-lloj prestigjërishë! Kush do ta ndërtojë më të pamshëm, në rastin tonë, hotelin apo kompleksin tregtar?! Kush do të tërheqë, në ambientet e vet të freskët, femrat më me nam?! Kush do të shërbejë peshkun më të mirë dhe mishin sipas oreksit të klientëvet, mish viçi, mish keci, mish kau?!. Në të gjithë rastet, ata janë të mbimbushur me mëri e zili, dhe shpeshherë vriten, e s’dihet kush i vrau.
41.
Vrasjet këtu ndodhin, sidomos, kur zbulohet kush është pronari i vërtetë i njërit apo tjetrit objekt. Në të gjithë rastet e vrasjevet, që kanë ndodhur këta vitet e fundit, vetëm njëri është vrarë, siç thuhet, gabimisht. Por, edhe ai, pa zot do t’i linte hotelet, sido që t’I vinin punët! Shkret, si dhe të tjerët! Gjallë, vrarë, njësoj është puna e tyre! Fundi i këtij ndërtimi kaq pamjerëndë, të cilin, një lopçar tjetër si unë, e quan kuazindërtim, duket se do të jetë krejt i njëjtë!
42.
Ka 3 vjet që turistët nuk po vijnë më. Ose po vijnë fare pak, që mot të mos e kthejnë më kryet këndej as këta. Shkaku është po ai: Gropat septike janë tejmbushur tashmë! Erërat e qindra mijë jashtqitjevet, bashkë me vetë jashtqitjet, gjysma të kalbura, kanë dalë në sipërfaqe! Thjeshtë kanë shpërthyer, frikshëm dhe epidemishëm! Ato, ta zënë frymën e s’të lënë të bësh hap përpara! Edhe poshtë, te plazhi, thuajse nuk mund të rrihet! Atje, derdhen ca përrenj ujëmurrmë të lemerishëm! Po ikin tashmë këndej, jo pushuesit sezonalë, por edhe vendësit, plazhistët e përditshëm!
43.
Po mbetet përfundimisht bosh ky i pafati qytet i parapastruesvet! Përvit e më pak njerëz po ka në këtë ngrehurinë totalisht spontane! Më pak njerëz e më shumë erë të keqe! Tani, as ne, lopçarët e rrallë, nuk po dalim dot andej, se po na mbyt edhe ne ajo erë jashtqitjesh, e padurueshme! Rrotull rrethimevet po rriten ca barëra fletëgjërë, që as lopët s’po i hanë! Brenda, në kornizat e pishinavet, barëra të tillë, gjithashtu! Dhe unë e shokët e mi, po e kuptojmë tash konkretisht, në veprën e tyre, se paratë e pista as që mund të pastrohen ndonjëherë, sepse vetë të zotët e tyre janë të krupshëm, të pistë dhe, thjeshtë, të papastrueshëm!
44.
Mundohu sa të duash të të pëlqejë ky qytet! Bukurinë e këtij, mbase do të mund ta shijosh disi, vetëm së largu! Por, sa të kesh bërë vetëm 200 hapa brenda tij, s’do të mund të bësh më tutje, pa vënë maskë në hundët! Jo, të vendosesh në ndonjërin prej pansionevet të tij, duke paguar çmimin, vënë po prej parapastruesvet, por nuk do të mund të ecësh as thjeshtë nëpër rrugët!
45.
Ç’do të bëhet, në fund të fundit, me këtë vepër monstër Poskomuniste?! Nëse ndërrojnë njëra-tjetrën qeveritë e këqia, ato kurrë nuk do të mund t’ia heqin erërat mbytëse këtij qyteti! Ato janë vetë për vete erërënda, sepse në to, secili shtetar punon për vete, jo për shtetin! Nëse në krye të shtetit vjen një qeveri e mirë, atëherë, kush do të jetë pronari i këtyre kullave, ngjeshur njëra pas tjetrës, por të palidhura me kolektorët e domosdoshëm të mbijetesës?!
46.
…Tani, edhe ne, përfundimisht, me shpirtëra të dërmuar, po ikim, zemërthyer, prej këtij vendi. Po ikim, se, përndryshe, do të shndërrohemi, kobshëm, në mbledhës foshnjash të braktisura! 4 janë gjetur gjer tani! 1 e pat gjetur ajo pastruesja, te hoteli “Kataraktet e gjakut”. 2 i gjeti, njërën pas tjetrës, ish-profesori i letërsisë. Njërën, hedhur, bashkë me leckat, rrëzë një muri, tjetrën, lënë të përjargur, mu në oborr! Herën e dytë, profesori u trondit aq shumë, i ngrati, sa 3 a 4 ditë nuk doli përjashta. Kurse këtë të fundit, në kanalin prapa vilavet “Laragjarpër”, e gjeta, një pasdite, unë vetë! E gjeta aq vonë, sa s’i kish mbetur foshnjës së gjorë, veç skeleti, brejtur prej krimbavet dhe lëpirë prej mizavet! Lamtukeq, o qytet i paravet të papastrueshme! Lamtukeq, o qytet mizor!
Gjokë Dabaj, Durrës – 28 korrik 2006

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura