RRON GJINOVCI: MË SHUMË ‘DJATHTIZËM’ S’KA LIDHJE ME DEMOKRACINË!

Prishtinë, 01. 02. 2013 – (Kritikë e reagimit të PNDSH-së ndaj profilizimit të PDK-së, e publikuar më 29 janar 2013) – Marr shkas të shkruaj, pas publikimit nëpër medie, të një reagimi të së ashtuquajturës “Partia Nacionale Demokratike Shqiptare” e cila ka performuar dobët në lidhje me korrupsionin e mafiozitetin në Kosovë, për gjithë këto procese të tmerrshme nëpër të cilat po kalon vendi ynë i kapur nga mafia. Reagim “i ashpër” e fort serioz na vjen për siç po thuhet “profilizimin e PDK-së si parti e djathtë”. Me kaq vrull, e kaq ashpërsi shkon deklarata e tyre: “Për ne kjo vlerë” – e kanë fjalën për “djathtizmin” siç e quajnë ata – “është e shenjtë të cilën e kemi ruajtur me xhelozi dhe për të cilën jemi flijuar pandalshëm nëpër shumë vite”. Do të doja të dija cilët “ne”? Cilët dëshmorë u flijuan për “djathtizmin”? Në cilën periudhë.
Vazhdon pastaj me diçka krejt të pavërtetë e goxha dhe mediokre: “Gjithashtu PNDSH si parti e djathtë me traditë shtatë deceniesh, konsideron se më shumë djathtizëm në Kosovë është më mirë për demokracinë e shtetit tonë, më mirë për integrimet shqiptare, më mirë për bashkimin e Kosovës më Shqipërinë dhe është më mirë për integrimet tona në Bashkimin Evropian.”
Së pari, më shumë “djathtizëm” nuk ka lidhje me demokracinë. Më shumë “djathtizëm” do me thënë fashizëm, apo nuk është fashizmi më e shumta e së djathtës? E fashizëm nuk do me thënë demokraci, por e kundërta – totalitarizëm.
Së dyti, më shumë “djathtizëm” nuk ka lidhje me afrimin e Kosovës me Shqipërinë, përkundrazi, më shumë “djathtizëm” do me thënë më shumë konkurencë mes kapitalit të Kosovës dhe Shqipërisë, rrjedhimisht rritje e thellësisë që na ndan, asesi afrim te bashkimi.
Dhe së treti, më shumë “djathtizëm” mund të na çojë në Bashkimin Evropian si provincë e perandorisë, kurrsesi si vend i denjë, i barabartë me anëtarët e tjerë.

I djathti i PDK&Co.

==================================

Shtojcë e pashtriku.org

Një ilustrim: David Icke – Die schleichende Einführung des Faschismus des in Europa – David Icke – The gradual introduction of fascism in Europe – (Futja graduale e fashizmit në Europë) – shikoni me kujdes videomaterialin:

Vazhdon trajtimi i së majtës dhe së djathtës në nivel spekulimi: “kur një parti politike në Kosovë sikundër është Partia Demokratike e Kosovës me trashëgimi të majtë, riprofilizohet në formë si e djathtë, e bënë këtë jo pse është vërtetë e djathë, jo pse vërtet ka ndryshuar kursin përmbajtësisht, por e bën këtë sepse janë qytetarët e Kosovës ata të cilët kanë shtyrë këtë dhe partitë e tjera si kjo, ta kuptojnë se majtizmi në Kosovë nuk ka gjasa, se majtizëm në Kosovë do të thotë më pak integrime mbarëshqiptare, majtizëm në Kosovë do të thotë më larg Shqipëri nga Kosova dhe gjithsesi më larg nga integrimet në BE”. 
Si fillim, populli i Kosovës nuk di të ketë bërë ndonjëherë ndonjëfarë proteste a ndonjëfarë peticioni me të cilin t’i ketë kërkuar ndonjë subjekti politik sqarim a ndryshim të ndonjë artikulimi ideologjik. Tani kur flitet për “majtizmin” dhe se ç’do me thënë trajtimi nga perspektiva e së majtës të çështjeve si Bashkimi Kombëtar apo Integrimi në Bashkimin Evropian, po marr përgjegjësi që sa më thjeshtë të jap pikëpamjet e mija si një i majtë për çështjet në fjalë.
Për mua dhe për të majtët, Bashkimi Kombëtar nuk është vullnet i trashëguar romantik, as njëfarë rrënqethje me idetë e mbisundimit ndaj kombeve të tjera, as ndonjëfarë kënaqje e komplekseve psikologjike që manifestohen me dëshirën për mbisundim e superioritet ndaj të tjerëve. Për mua Bashkimi Kombëtar fillimisht do me thënë siguri, pra siguri për ekzistencë e që lidhet me barazinë e kombit shqiptar me të tjerët në rajonin tonë, e nisur nga vështrimi i thjeshtë i historisë së Ballkanit. Pastaj mirëqenie, mundësi më e madhe ekonomiko-sociale, politike e kulturore. Pra Bashkimi Kombëtar në pamjen time për të, është shumë i lidhur me konceptet e majta.
Për neve të majtëve, për dallim prej jush që dërdëllitni kotësira, kombi nuk është pikësynimi, por është vetëm rruga nëpër të cilën do të shkojmë drejt botës internacionale, pa kombe, në paqe të përhershme përmes revolucionit permanent. E drejta kombëtare dhe universalizimi i saj, na çon drejt barazisë së kombeve, e barazia e kombeve drejt zhdukjes së nevojës për to, si njerëzim i drejtuar drejt emancipimit. Parimisht ne të majtët besojmë në bashkim, jo vetëm të popullit shqiptar, por të të gjithë popujve, ama vetëm si të barabartë. Bashkimi Evropian nuk është bashkim i të barbartëve, ai dominohet prej atyre që janë më të fortë ekonomikisht. Nëse më ftoni si skllav nën shërbimin e perandorisë, unë ju çoj shumë të fala dhe ju them të më lini të qetë në luftën time e të shoqeve e shokëve të mi kundër skllavërisë e kundër perandorive.
Ajo pjesë me të cilën pajtohem deri diku me ju është aty ku ju bëni thirrje që “ PDK-së dhe simotrave të tjera, që pretendojnë djathtizmin vetëm tani, pas shumë e shumë historive majtiste, ju mbetet shumë punë për të dëshmuar përmbajtësisht atë që e thanë vetëm formalisht ditë më parë.” Unë pajtohem që ajo se si deklarohemi ka shumë pak rëndësi nëse përmbajtja dhe veprimet janë ndryshe, por në vërejtjen që bëni ndaj PDK-së ju keni një kontradiktë të thellë! Ju kërkoni që ata përmbajtësisht të dëshmohen si të djathtë!
E çka doni ju më tepër sesa privatizimin e krejt pasurive publike?
Çka më shumë sesa sjelljet fashiste e mafioze të zyrtarëve të regjimit?
Mendoj se nuk ka fare rëndësi si është deklaruar PDK, e majtë apo e djathtë. Rëndësi ka që ajo është një organizatë parapolitike, mafioze, që ka kapur shtetin dhe e cila duhet përmbysur me forcë. Fundja, organizatat si PDK, kanë vetëm një ideologji – mafiozitetin.
Të besosh në “djathtizëm” dhe të thirresh në “vlerat e tij” (të munguara kurdoherë), tani kur bota po i vuan pasojat e krizave të njëpasnjëshme të këtij sistemi monstruoz që ka zhdukur njerëzillëkun, që e ka bërë botën arenë lufte mes individësh, pastaj mes popujsh, pastaj mes blloqeve të interesave, të gjithë me synim fitimin dhe ngadhënjimin që sjell dominim, tash kur bota i ngjason një kopshti zoologjik me plotë kafshë dhe krejt pak njerëz, sigurisht se për të besuar në këtë sistem ose të duhet të jesh i mosdijshëm e i moslexuar ose që shtyn përpara ndonjë interes personal a grupor.
Dhe në fund, mendoni edhe njëherë para se të na drejtoheni publikisht, mendoni a ka rëndësi për shoqërinë ajo që do të thoni sepse koha është e vlefshme dhe marrja me dërdëllitjet tuaja në këto momente të vështira për vendin ëshë luks i madh që s’mund ta kemi shpesh.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura