GJOKË DABAJ: QË SHQIPTARËT TË MOS MBETEN PËRJETËSISHT KOMB RENEGATËSH DUHET TË THEMELOHET INSTITUCIONI I PËRKUJDESËS GJITHSHQIPTARE!

Pashtriku.org, 19. 03. 2016: Në një debat rrethesh të ngushtë, që ndër ne janë të shumtë e përgjithësisht të nxehtë, u shtrua problemi: Ka qenë apo s’ka qenë Perandoria Osmane pushtues i Shqipërisë?! Ç’ka ndodhur me Arbërinë, Arnautistanin simbas gjuhës së tyre, mbas pushtimit prej osmanëvet në shekullin XV? A ish Perandoria Osmane ende pushtues në shekujt XVII-XIX, kur vendit tonë, të përbërë prej 4 vilajetesh, ia përditësuam emrin Shqipëri dhe kur kombin tonë e quajtëm komb shqiptar, sado që të huajt vazhduan të na thërrasin albanezë, arnautë, alvanos, arbanasë?
U përmendën edhe me emra historianët tanë, prej të cilëvet, një pjesë thonë se Perandoria Osmane, në shekujt XVI e këndej nuk ka qenë pushtues, por thjeshtë administrator, si në gjithë vendet e tjerë të atij shteti, ndërsa një pjesë e kundërshtojnë këtë tezë.
Unë kam shprehur mendimin se, për Perandorinë e Romës, nga viti 212 e këndej, nuk mund të thuhet se ka qenë pushtues në Iliri, siç nuk mund të thuhet se ishte pushtues në Azinë e Vogël, në Lindjen e Afërt, në Afrikën Veriore apo në Evropën Perendimore.
Doli kështu problemi i perandorëvet të shumtë ilirë, që kishin arritur të vihen në krye të asaj perandorie, madje edhe ta mbajnë më këmbë për nja 2 shekuj, pra, t’ia zgjasin jetën me reformat e tyre. Krejt natyrshëm, krahas atyre perandorëve, u përmendën edhe nja 30 a më shumë kryeministra arnautë, dmth arbro-shqiptarë, të cilët e kishin qeverisur Perandorinë Osmane në periudha të gjata, madje edhe mbajtur më këmbë apo nxjerrë faqebardhë përballë sulmuesvet të ndryshëm.
Në valën e një të këtillë debati, dikush përmendi fjalë RENEGAT. Me këtë fjalë nëpër mendje unë e kalova gjithë natën dhe po e kaloj kështu edhe gjithë ditën.

Simbas fjalorëvet, RENEGAT vjen nga latinishtja RENEGATUS me kuptimin RIMOHUES dhe me domethënien më të gjërë, ai që heq dorë nga bindjet e nga qëndrimet e mëparshëm, ai që largohet nga partia ose nga klasa e vet dhe kalon në anën kundërshtare, rebel, përçarës, dezertor, felëshues, bastard, mohues i origjinës, mohues i kombësisë, zvetënues, çoroditës, përdhosës, pjellë e keqe, apostat, tradhtar, përbindësh.
DERI NË ÇFARË SHKALLE ishin të këtillë, nja 12 a më shumë perandorët ilirë që erdhën në krye të shtetit gjigant të Romës?
Nga 395-a e këndej i kemi një tufë perandorësh të Ilirisë Lindore në krye të Perandorisë “Romake Lindore”, emërtuar më vonë Perandoria e Bizantit. Nuk mund të thuhet kurrsesi që Iliria Lindore u pushtua prej Perandorisë “Romake Lindore”. Iliria Lindore ka qenë pjesë shtetformuese e së quajturës Perandori “Romake Lindore”, pushteti i së cilës, në gjysmën e parë të shekullit VII, u UZURPUA prej grekëvet, numerikisht shumë më të pakët se ilirët. Mbështetur në këto, shtrohet sërish pyetja: DERI NË ÇFARË SHKALLE ishin renegatë, bastardë, mohues të origjinës, mohues të etnitetit të vet, zvetënues, çoroditës, përdhosës, pjella të këqia, tradhtarë dhe përbindësha, perandorët tanë të Perandorisë “Romake Lindore” dhe oborrtarët e mëvonshëm arbër, që s’ishin të pakët, të Perandorisë së Bizantit?!
Edhe në Mbretërinë dhe, për fare pak vite, Perandorinë Sërbe, ka pasur jo pak feudalë arbër. Një ndër ata feudalë e sundimtarë, në një pjesë të atij shteti, ka qenë edhe Balsha i Parë. DERI NË ÇFARË SHKALLE ishin renegatë ata arbër që u shërbenin sundimtarëvet sërbë të Mesjetës?!
Perandoria Osmane vjen në Arbëri edhe duke përdorur renegatët arnautë. Ka me dhjetëra, në mos me qindra të tillë, por unë po zë në gojë vetëm ata 30-40 apo më shumë sadrazemë, vezirë të mëdhenj ose kryeministra të atij shteti, i cili kurrsesi nuk mund të mos quhet pushtues, pikërisht i atdheut të atyre sadrazemëve. Madje as mbas reformash që janë bërë në atë shtet dhe as në ata pak vite mbas Revolucionit Xhonturk, ajo perandori nuk mund të mos quhet pushtuese.
Rrjedhimisht, ndonëse ka dallime, ndoshta nuk mund të mos quhet pushtues as Perandoria Romake mbas vitit 212. Gjithsesi, këto tema duhet të diskutohen, por, si perandorët tanë të kohës së Romës, ashtu edhe sadrazemët e kohës së Perandorisë Osmane, mbeten, pa kurrfarë mëdyshjeje, renegatë. Mbetet për t’u shqyrtuar vetëm kjo: Këta njerëz të gjakut tonë, DERI NË ÇFARË SHKALLE ishin renegatë, bastardë, mohues të origjinës, mohues të etnitetit e të kombit të vet, zvetënues, përdhosës, pjella të këqia, tradhtarë dhe përbindësha?!
Secili prej këtyre personave duhet vështruar dhe duhet vlerësuar veç e veç. Prandaj dhe po e përdor shprehjen: “DERI NË ÇFARË SHKALLE?”
Mirëpo, duke folur kështu në lidhje me renegatizmin brenda etnitetit dhe kombit tonë, ne, së pari, nuk duhet të kufizohemi vetëm te këta 3 a 4 shtete që i përmenda dhe, së dyti, ne nuk mund të mos konstatojmë që etnia jonë, gjegjësisht kombi ynë, ka qenë dhe është një ndër etnitetet (kombet) më të infektuar në botë nga renegatizmi. Të gjithë kombet e botës kanë renegatë, por kam përshtypjen se ne shqiptarët zëmë vendin e parë në shkallën, në grafikun e këtij lloj të ndyri të vetëvetes.
Nga kohët shumë të largëta, mbështetur në subjektin e eposit homerik dhe në mitologji, do të mund të shtrohej pyetja:
– A ishin renegatë të etnitetit të vet Odiseu dhe Akili?!
Ata nuk i përkisnin komunitetit të Atridëvet, nuk ishin danaj, por u vunë në shërbim të tyre. Aq i rëndë është dhe me pasoja të thella në kujtesën e popullsivet që e përjetuan pjesëmarrjen e Akilit dhe Odiseut në rrethimin e Trojës, sa lirisht do të mund të thoshim: Pa këta të 2 personazhe, as që do të mund të ekzistonin Iliada dhe Odiseja. Pra, a ishin renegatë, tradhtarë të etnitetit të vet, dua të them, të etnitetit tonë, këta 2 kryepersonazhe të eposit homerik?!
Vijmë në kohët më të reja. Për Esatpashë Toptanin e dimë që është shndërruar prej kohësh, qysh ne gjalljen e tij, në emblemë turpi për kombin tonë.
Ahmet Zogu nuk është renegat, sado që e ka ngarkuar veten me shumë mëkate. As Enver Hoxha nuk është renegat.
Po prej këtyre të tjerëvet që erdhën mbas Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës, cilët do të mund t’i quanim renegatë?
A do të quhen renegatë ata që organizuan ose edhe lejuan shkatërrimin e industrisë, tregtisë dhe bujqësisë në Republikën e Shqipërisë mbas vitit 1990?!
A do të quhen renegatë ata pushtetarë që i dhanë të drejtë administrative Sërbisë në territorin e Republikës së Kosovës dhe që i dhuruan mijëra hektarë toka Malit të Zi?!
A ka, pra, midis pushtetarëvet shqiptarë të kohës sonë, renegatë, bastardë, dëmtues të kombit të vet, zvetënues, çoroditës, përdhosës, pjella të këqia, tradhtarë dhe përbindësha?! Historiografia do ta thotë!
Cilët janë tiparet kryesorë të renegatizmit në etninë e kombit tonë, të cilit unë, me indinjatën më gërryese, i dhashë vendin e parë në botë?!
(Janë shifrat ato që ia japin këtë vend të turpshëm etnisë dhe kombit tonë, është shtrirja kohore disamijëvjeçare dhe janë, more vëlla, figura madhore, janë viganë në historinë gjithnjerëzore dhe, në të njëjtën kohë, përdhosës, kur mund të ishin yje ndriçues për etninë dhe kombin që i kish lindur.)
Tipari kryesor, sado që dikujt mund t’i duket gjë e vogël, është NËNVLEFTËSIMI DHE MOSKUJDESI NDAJ GJUHËS SË VET. Një nga shenjtëritë, ndaj së cilës mund të mëkatnojë dhe të meritojë ferrin secili njeri që vjen në këtë botë, është GJUHA E NËNËS. I shenjtë është barku që e ka mbajtur 9 muaj, i shenjtë është gjiri që i ka mëkuar qumësht nëne dhe e shenjtë është gjuha, me të cilën nëna i ka folur që në foshnjëri. Të gjithë llojet e shkeljeve të këtyre 3 shenjtërive janë përdhosje në radhë të parë e vetëvetes, por shkelja e kësaj së tretës, pra gjuhës, është më e rënda, sepse i përcjell pasojat edhe te pasardhësit.
Pasi t’i ketë përdhosur këto 3 shenjtëri, individi e ka rrugën të çelur për t’u bërë renegat, qoftë fare i vogël, qoftë edhe i përmasavet të mëdha. Një renegat, sa më lart të ngrihet në një pozitë, aq më për ibret e bën balta e renegatit.
Perandorët që i përmenda, sadrazemët, secili prej tyre, ka pasur mundësi të kujdeset për gjuhën e etnisë së vet. Ta vlerësojë e hyjnizojë atë, të kërkojë që ajo të ruhet dhe, mbi të gjitha, TË SHKRUHET! E bënë këtë përkujdesje Frashëllinjtë dhe u shenjtëruan. Bejler ishin, por s’ishin renegatë si shumë bejlerë të tjerë. E bënë këtë përkujdesje Hasan Prishtina dhe Luigj Gurakuqi dhe u shenjtëruan. A nuk do të shenjtëroheshin Diokleciani, Konstantini i Madh, Justiniani i Madh apo cilido nga kryeministrat e Perandorisë Osmane, nëse do të kishin lënë prapa një histori shkrimi në gjuhën e etnisë së tyre?!
Do të thotë dikush që kryeministrat tanë të sotëm flasin e shkruajnë shqip, prandaj nuk janë renegatë. Ky do të ish një gjykim i cekët, sepse ata, me punën e tyre të papërgjegjshme, aspak atdhetare, aspak të sakrificës, po i degdisin mijëra bashkëkombës jashtë atdheut dhe po i lënë pa gjuhë nëne qindra mijë fëmijë shqiptarë. A nuk mjafton vetëm kjo e dhënë, për ta cilësuar cilindo pushtetar të cilësdo kohë, bastard, zvetënues, çoroditës, përdhosës, pjellë të keqe, dëmtues të kombit të vet, tradhtar dhe përbindësh?!
Por pse guxova unë ta emërtoj kombin tim si një KOMB RENEGATËSH?!
Sepse tiparet e renegatit nuk i hasim vetëm te të quajturit personalitete. Tiparet e renegatit ne i hasim te cilido individ që nuk kujdeset dhe nuk e ruan GJUHËN E VET. Ajo NËNË SHQIPTARE që nuk i flet fëmijës së vet në gjuhën e të parvet të vet, është një NËNË RENEGATE! Sa të këtilla NËNA kemi ne shqiptarët nëpër botë?! Bëni statistikat! Shkoni në Turqi! Shkoni në Çamërinë tonë, tashmë vetëm ortodokse!
Nëse një nënë nuk dëshiron të mbajë mbi shpirt thundrën e renegatit përbindësh, ajo duhet t’i flasë fëmijës gjithë jetën në gjuhën e vet. Ka nëna, të cilavet nënat e tyre u kanë mësuar ndonjë gjuhë të huaj. Një e tillë gjuhë është GJUHË RENEGATEJE, prandaj nëna, bijë e një renegateje, nuk duhet të bëhet edhe vetë renegate.


PËRKUJDESJE GJITHSHQIPTARE – IMPERATIV I KOHËS…

Një komb renegatësh, në kuptimin më drastik, më shpirtgërryes të kësaj fjale, nuk mund ta vërë në rrugën e shërimit asnjë çudibërës tjetër, përveç një INSTITUCIONI me përfshirje gjithkombëtare e që unë e kam quajtur PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE. Renegatët nuk na i ka prodhuar kombi. Kombi është viktima! Edhe vetë renegatët, që i rendita këtu, janë viktima! Renegatët na i ka prodhuar MUNGESA E INSTITUCIONIT PËRKUJDESËS!

Gjokë Dabaj, Durrës 14 mars 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura