GJOKË DABAJ: SA SHUMË KA VUAJTUR EVROPA, QË NË PREVEZË E JANINË TË MOS FLITET GJUHA SHQIPE!

Durrës, 24. 11. 2016: (Duke shfletuar një libër të Mehdi Frashërit : “Lidhja e Prizrenit një polemikë me grekërit dhe Aveniri i Shqipërisë, Plejad, 2012”) – Po e mbaj nëpër duar këtë libër me ditë e me javë dhe s’po mund ta përfundoj. Jo dhe aq për shkak të stilit jo fort të arrirë të autorit, por nga revolta ndaj Evropës, revoltë e cila pashmangshëm e mbërthen lexuesin. Jo vetëm lexuesin shqiptar, por cilindo lexues të kthjellët e të arsyeshëm.
Ta marrë dreqi! Evropa është kontinenti ynë! Është atdheu ynë, në kuptimin më të gjërë, por edhe të mirëfilltë, të kësaj fjale! Përse të jetë sjellë në mënyrë kaq mizore ndaj një pjese të vetëvetes kjo Evropë ?! Mehdi Frashëri shkruan kështu: “Pjesa jugore e Toskërisë shpëtoi atëherë (1878-1881) nga aneksimi prej Greqisë, dmth. Janina e gjithë Çamëria, por për fat të keq, në përfundim të Luftës Ballkanike, 1912-1913, ra (fatalisht, Gj.D.) në dorën e Greqisë.” (Krs.f.7)
Shohim këtu një këmbëngulje 35-vjeçare, një përpjekje tepër antihumane, për ta zhbërë një pjesë të kombit tonë ose edhe krejt kombin tonë. Përse e kryen Evropa këtë vepër kriminale?! Unë vërej këtu një prapambetje MORALE, tepër zhgënjyese, në superstrukturën, në pjesën qeverisëse, në pjesën sunduese të popujvet të këtij kontinenti. Egoizmi ua ka zënë sytë pushtetarëvet të këtij kontinenti! Interesi i ngushtë, ekonomik, politik apo fetar (sado që askush prej tyre nuk beson më në një të atillë Zot, siç e predikojnë religjionet tanë të derisotëm), i ka bërë pushtetmbajtësit e këtyre të quajturavet Fuqi të Mëdha, të paafta për të parë e për të kuptuar, jo më interesin e ndonjë pjese të vendit të tyre, siç është Shqipëria, por as interesin afatgjatë të vetë shtetevet e kombevet të vet!

“Popujt e krishterë, të (kësaj pjese) të Ballkanit, ishin grekë, bullgarë, sërbë, malazezë dhe rumunë. Këta, që të pestë, ishin ortodoksë dhe tre prej tyre, dmth bullgarë, sërbë e malazezë, disa nga gjaku e disa nga gjuha, bullgarët vetëm nga gjuha, ndodheshin sllavë.” (Krs. f.14)
Asnjëri prej këtyre popujve nuk përputhen fetarisht me besimet e shtetevet të Evropës Perendimore. As me Francën, as me Italinë, as me Anglinë dhe as me Germaninë e Austrinë. Përkundrazi, shekuj të tërë kontradiktash ka midis krishtërimit perendimor dhe atij lindor.
“E ndodhura e popullit shqiptar në Ballkan, për politikën imperialiste të Rusisë, formonte një pengim të madh. Pra, zhdukja e popullit shqiptar, për Rusinë, ishte e nevojshme. Dhe për këtë shkak merret vesh vetëvetiu që zgjerimi i sllavëvet ishte vdekja e shqiptarëvet.“ (Krs. F.14)
Nuk ish vdekja vetëm e shqiptarëvet. Ish vdekja edhe e evropianëvet të tjerë. Mirëpo, politikanët qëndrimmbajtës dhe vendimmarrës të Gjermanisë, Austrisë, Anglisë, Francës dhe Italisë, të verbër, por edhe moskokëçarës në pikëpamje strategjike afatgjatë, nuk e quanin aspak të nevojshme për t’i dalë zot kombit shqiptar.
„Austria me Gjermaninë… ishin marrë vesh më parë me Rusinë, për t’ia lënë duart të lira kësaj në çështjen e Ballkanit, me konditë që Austria të merrte Bosnjën dhe Hercegovinën.“ (Krs. F.22)
Është kulmi i miopisë dhe i injorancës politiko-strategjike, edhe i pushtetarëvet gjermanë, përfaqësuar prej Bizmarkut, edhe i atyre austro-hungarezë, përfaqësuar prej Habzburgëvet. Ata nuk e dinin, nuk arrinin dot ta kuptonin, që, për të ardhshmen e Austrisë e të Gjermanisë, ishte shumëfish më i rëndësishëm kombi shqiptar, myslimano-ortodokso-katolik, se sa sllavët myslimano-ortodokso-katolikë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Nuk thotë kush që Evropa të mos i merrte në mbrojtje boshnjakët dhe hercegovasit përballë invazionit të hegjemonisë ruse, por shqiptarët ishin porta e pakalueshme, natyrale, e atij invazioni në drejtim të Mesdheut. Këtë nuk e kuptuan dot, as Vjena dhe as Berlini!
Anglia kish njëfarë pozicioni më të kthjellët për momentin. Por vetëm për momentin dhe vetëm ndaj Turqisë, sepse në të moskuptuarit lidhur me politikën ndaj shqiptarëvet, as ajo nuk dallohet pothuaj fare midis pesë fuqivet të Evropës.
„Përpjekjen më të madhe e bënte Ingliterra,“ shkruan Mehdi Frashëri, „na shkaku i përparimit të Rusisë dhe na e mundura e Turqisë… Flota britanike arriti në Beshikë afër Dardanelit edhe gjithë bota kujtonte se ndodhet në zgjimin e një luftës së përgjithshme evropiane.“ (Krs. F.22)
„Flota britanike, e mbledhur jashtë Dardanelit, kaloi të ngushtat, hyri në Stamboll dhe mori pozitën kundrejt Shën-Stefanos, ku cari i Rusisë kishte ngrehur çadrën e përgjithshme.“ (Krs.f.22)
Britania ka bërë mirë në këtë rast, por ajo ka harruar që mu në kurriz, mu në shpinë të ushtrisë ruse, të dislokuar në portat e Stambollit, jetonte një komb, tashmë në gjendje kryengritjeje kundër depërtimit ruso-sllavojugor dhe në kërkim të shkëputjes prej Perandorisë Otomane, dhe ky komb ishte Kombi Shqiptar. Mjaftonte që përfaqësia angleze në Stamboll t’i kish thënë sulltanit „njihua shqiptarëvet autonominë“ dhe krejt nyja gordiane e së quajturës Krizë Lindore do të ishte ndarë dy copash. Krejt historia e Gadishillit të Ilirikut dhe e krejt Evropës do të kish marrë rrugë tjetër. Ndoshta madje as Lufta e Parë Botërore nuk do të kish filluar. Të paktën jo me pasoja aq katastrofike për Evropën.
“Greqia, që kur se u hap Lufta Ruso-turke, u bë si një grua histerike.” (Krs. f.25) Ky konstatim realist i Mahdi Frashërit i shkakton analizuesit të sotëm një keqardhje të pafundme: Pse Evropa nuk e kuptoi që histerizmi i proveniencës greke nuk mund të shërohet duke i falur asaj copa të tokës shqiptare?!
“Pansllavizma, po të arrinte qëllimin e saj, ish më e dëmshme për Greqinë se sa për Turqinë. Shteti grek atëherë përbëhej prej një milion e dyqind e pesëdhjetë mijë shpritërash. Katër milionë të tjerë mbeteshin jashtë kufisë, nën Turqinë.” (Krs. f.25)
Nuk e kemi fort të qartë, a llogariten në këta katër milionë edhe ortodoksët shqiptarë, por e kami të qartë se, pjesa mirëfilli greke që do të mbetej “nën Shqipërinë” nuk do të pësonte asnjë të keqe.
“Po të fitonte pansllavizma plotësisht, …mbas dy a tre brezash elementi grek do të tretej.” (Krs.f.25)
Por Evropa bëri që të forcohet elementi grek në dëm të shqiptarëvet. As në dëm të “pansllavizmës” dhe as në dëm të shtetit turk, por në dëm të atij kombi që kish më së paku faj: në dëm të shqiptarëvet.
Të shohim më tej ç’bën Greqia dhe si e përkrah atë Evropa. Mehdi Frashëri shkruan: “Greqia kërkonte Thesalinë, Shqipërinë e Jugës gjer në Vjosë dhe rrethujzën e madhe të Gjiritit.” (Krs.f.26)
“Austria e mbante me lajka edhe herëpas’here i këshillonte që, për të pasur të drejta kërkesash, në Epir dhe në Thesali lypsej të dërgonte banda për të turbulluar qetësinë.” (Krs.f.26-27)
Askush nuk mund ta lëvdojë këtu Austrinë për virtyte. As si mbrojtëse e drejtësisë njerëzore dhe as si përkrahëse e Kombit Shqiptar.
“Franca i jepte Greqisë armë e municione, i dërgonte oficerë për të organizuar ushtrinë që të ndodhej gati për çdo eventualitet, të organizonte banda në Thesali dhe në Shqipërinë Jugore, ashtu edhe në Gjirit, po në luftë të mos hynte.” (Krs.f.27)
Ja edhe Franca e revolucionit të 1789-s! Liberte, egalite, fraternite! Për Thesalinë dhe për Kretën mund të flasë dikush tjetër, kish apo s’kish të drejtë Greqia, por për Shqipërinë e Jugut, edhe Greqia, edhe tutorja e saj Franca, duhej ta dinin që s’kanë punë dhe se në të ardhshmen kjo lakmi e tyre mund të kthehej në bumerang për vetë ata.

“(Kur) u hap fjala për një kongres të përgjithshëm, Greqia iu drejtua Fuqivet të Mëdha për të marrë pjesë në kongres me anën e një dërgate, për të mbrojtur (atje) të drejtat e helenizmës.” (Krs.f.28)
Franca është e gatshme dhe thot: „Është e drejtë t’i përgatisim rastin oborrit të Athinës për të shfaqur dëshirat e veta.” (f.29) “Princ Bizmarku… bashkohet (në çast) me proponimin e Francës.” (29-30) “Delegati rus (hidhet me të shpejtë): (Ne bashkohemi) me çdo proponim që do t’i bëhet kongresit në favor të Epirit, të Thesalisë edhe të Gjiritit.“ (Krs.f30)
As që duan t‘ia dinë që Epiri është tokë e Shqipërisë! Në të vërtetë, e dinë fort mirë, por nuk duan t’ia dinë. Madje, delegati i Anglisë propozon që, në dokument, në vend të fjalëvet „provincat kufitare të Mbretërisë së Greqisë“ të vihet shprehja „provincat greke“. (Krs.f.30) Anglezi, pra, kërkon që tokat e Shqipërisë, pa qenë greke dhe pa iu dhënë ende Greqisë, të quhen greke.
„Më 29 Qershor 1878 (delegatët) e qeverisë greke u pranuan në Kongres.“ (Krs.f.30)
„Më 5 korrik 1878… delegati fuqiplotë i Francës kërkoi… të ftohet Porta e Lartë për t’u marrë vesh me Greqinë për një shqyrtim të kufijvet në Thesali e në Epir (Shqipëri Jugore) edhe është i mendjes që ky shqyrtim mund të (marrë në konsideratë) bregun e Salaminës në detin Egje edhe bregun e Kallamasë nga ana e detit Jon… Për të lehtësuar suksesin e fjalëkëmbimit (negociatavet, Gj.D.) Fuqitë e Mëdha janë gati të përgatitin ndërmjetësinë e tyre drejtpërsëdrejti pranë dy palëvet.“ (Krs.f.31)
„Delegati i Italisë aprovoi tezën frënge.” (Krs.f.31) “Delegati i Turqisë shtoi këto: Turqia nga ana e saj qëndron të ruajë provincat e veta, popullsia e të cilavet është e lidhur me atë.” (Krs.f.32) Ç’do me thënë “të lidhura me atë”? Shqipëria ishte ngritur e tëra më këmbë për të mbrojtur tokat e veta, jo tokat e Turqisë. Në adresë të Kongresit të Berlinit ishin dërguar qysh në qershor një varg memorandumesh ku shqiptarët e sqaronin pozicionin e vet, si ndaj Perandorisë Osmane, ashtu edhe ndaj shtetevet fqinjë. Ç’kish Evropa me shqiptarët?!
Ambasadori i Anglisë në Stamboll, Goshini, i dërgonte këtë letër shumë të kthjellët ministrit të punëvet të jashtme të Anglisë: “Fati i Shqipërisë është komprometuar me lënien e një pjese të tokës shqiptare Malit të Zi dhe nga ashpërsimi që ka sjellë midis shqiptarëvet proponimi për t’i lënë Greqisë tokë nga qarku i Janinës dhe të tjera toka të shqiptarëvet.”
“Shqiptarët… tashti po e shohin çështjen e Orientit të zgjidhur mbi bazën e parimit të kombësisë dhe sirrethujzën ballkanike (po e shohin) shkallë-shkallë të ndarë në kombe të ndryshëm, po sipas këtij parimi. Ata po shohin herëpas’here që nuk po u bëhet një trajtim i njëjshëm. Kombësia e tyre nuk është njohur (nuk është pranuar, Gj.D.) dhe toka të banuara prej shqiptarësh në veri i janë dhënë Malit të Zi ( dhe Sërbisë, Gj.D.), për të kënaqur të mbrojturit e Rusisë, ndërsa në Jug (po i jepen) Greqisë, të mbrojtur prej Anglisë dhe prej Francës.”
“Janë propozuar shkëmbime tokash, por kanë dalë vështirësi, gjithmonë në dëm të shqiptarëvet, dhe (kështu) këta po sakrifikohen për sllavët e për grekët, pa u respektuar parimet e kombësisë.”
“…Kombi shqiptar mund të përdoret me dobi e me shumë avantazhe për interesin e përgjithshëm, prandaj jam kundër çdo ndarjeje (të tokës së tyre).”
“Një Shqipëri e bashkuar do të ndalonte më vonë të hyrat (invazionet, Gj.D.) nga ana e veriut dhe sirrethujëza ballkanike do të mbetej në duart edhe nën zotërimin e racavet që banojnë në këtë vend.”
“Përndryshe shqiptarët mund të bëhen një pengim i pakalueshëm kur të pëlcasin turbullirat.” (Krs.f.39-41)
Kështu ka shkruar ambasadori i Britanisë Goshini. S’ka ku shkon më qartë e s’ka ku shkon më objektivisht. Por kush do ta dëgjonte fjalën e tij?! Revolta e shqiptarëvet ndaj padrejtësisë së Fuqivet të Mëdha, më mirë të themi, ndaj miopisë së tyre, ndaj budallallëkut të tyre, por edhe ndaj krimit të tyre, imoral e antinjerëzor, ishte krejt e natyrshme.
Mehdi Frashëri shkruan: “Në qendrën e Frashërit për gjithë Toskërinë ishin regjistruar (tridhjetë mijë) ushtarë për t’i bërë ballë Greqisë në kufijtë e Jugës. Ndërmjetësi i bashkimit midis Jugës dhe Veriut ishte Abdyl Frashëri. Shumë oficerë nga ushtria e Janinës i premtuan Lidhjes (së Prizrenit, Gj.D.) që, në kohën e rrëzikut, do t’i dorëzonin gjithë armët e munidionet që ndodheshin në qendër. Asi kohe fuqia morale e shqiptarëvet ishte shumë e lartë. Tridhjetë mijë shqiptarë të Toskërisë (bindshëm) mund t’i bënin ballë ushtrisë greke të asaj kohe.“ (Krs.f.42)
Ishte situatë serioze. Nuk bëhej fjalë për një fshat apo për një brinjë mali. Bëhej fjalë për një pjesë të rëndësishme të Kombit Shqiptar, formuar si e tillë në rrjedhë të shekujvet. Shkëputja e asaj pjese të Tokës Shqiptare dhe të Kombit Shqiptar, përbënte një gjymtim me pasoja shumë të rënda. Në anë tjetër, mund të shtrohej pyetja: Ç’do të fitonte Greku prej asaj cope të Shqipërisë?!
Mirëpo, „Franca insistonte duke thënë se…lipset të shtërngojmë Turqinë …në favorin e Greqisë për t’i dorëzuar Shqipërinë e Jugut…“ (Krs.f.46) Ç’t’i bësh Francës?! Franca e gjysmës së dytë të shekullit XIX nuk ish në gjendje të kuptonte aspiratën liridashëse të një kombi po aq të rëndësishëm për historinë e Evropës sa edhe vetë kombi francez.
„Më 17 (korrik 1878) ambasadori i Greqisë në Stamboll mori urdhër nga Athina për të ftuar Turqinë në një marrëveshje për caktimin e kufijvet në Thesaki dhe në Shqipërinë Jugore.“ „(Më 20 korrik) ambasadori francez … bëri një demarsh pranë sulltanit për këtë çështje“ (Krs.f.53) „Greqia e shtoi ushtrinë në kufi… dhe u dha forcë andartëvet në Epir dhe në Thesali.“ (Krs.f.54)
Për lexuesin e sotëm besoj se është e rëndësishme t’i tërhiqet vëmendja: Kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë në atë kohë ishte atje ku duhej. Ushtria greke në atë kufi ishte një ushtri pushtuese, ndërsa andartët në Epir, dmth në Shqipërinë e Jugut, ishin një forcë diversioniste brenda territorit të Shqipërisë.
„Grupi i shqiptarëvet që mblidhej në shtëpinë tonë (të Frashëllinjvet, Gj.D) në Janinë, e vendosi të bënte një mbledhje të madhe në Frashër.“ (Krs.f.54)
„Asi kohet kam qenë një çilimi 6 vjeç. Mbaj mend kur vinim në kopsht për të lojtur. Me qenë se herëpas’heret vinin parësia shqiptare që ndodheshin në Janinë, shërbëtori vinte e na nxirrte jashtë dhe sillte karriket. Ne nuk kuptonim gjë, por nga fjalët që thuheshin se do të vijë Greku në Janinë, ndjenim një tmerr.“ (Krs.f.54)
Pikërisht ky fragment kujtimesh të Mehdi Frashërit i ka dhënë edhe titullin këtij shkrimi. Janina, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ka qenë një ndër kryeqendrat e Shqipërisë, krahas Shkodrës, Prizrenit, Shkupit dhe Manastirit. Evropa bëri përpjekje krejt të paarsyeshme për t’ia dhënë atë qytet Greqisë. Ç’fitoi Janina që iu bashkangjit artificialisht Greqisë, duke qenë gjeografikisht krejt e shkëputur nga Greqia, sado që aty banonin shumë grekë?! A do të ishte sot Janina në këtë gjendje që është, nëse Evropa nuk do t‘ia kish aneksuar atë Greqisë?! Unë shpreh bindjen që Janina, në suazat e shtetit shqiptar, do të ishte sot një qytet shumëfish më i rëndësishëm. Edhe vetë faktori grek do të ishte aty shumë më komod se ç’është sot formalisht në shtetin e vet.
„Më 22 gusht 1878 Franca (u dërgoi) një qarkore Fuqivet të Mëdha, me të cilën propozonte që të vihej në veprim Traktati i Berlinit. Qëllimi i kësaj qarkoreje ishte… përkrahja e Greqisë.“ (Krs.f.54)
Nuk i rrihet Francës pa e çuar deri ku s’mban më copëtimin e Shqipërisë.
„Franca dërgoi një skuadër anijesh lufte në Pire, për të treguar simpatinë e saj ndaj Greqisë dhe për ta siguruar atë (përballë) flotës turke.“ (Krs.f.54-55)
Kuptohet që Franca tashmë ishte palë ndërluftuese kundër Turqisë. Por, duke qenë faktikisht në luftë me Turqinë, përse nuk pozicionohej në krah të shqiptarëvet, kur e dinte se edhe shqiptarët po kërkonin të shkëputeshin nga Turqia?!
Kur Egjipti, sado që edhe ai me shumicë myslimane, pat kërkuar të ndahej prej Perandorisë Osmane, Franca pat qenë faktori i jashtëm numër një për ta realizuar këtë kërkesë të Egjiptit. Përse të ish kaq e palogjikshme ndaj Shqipërisë?! Them e palogjikshme, sepse pak më shumë se gjysmë shekulli më parë, pat qenë pikërisht një kryepersonazh i Francës, Napoleon Bonaparti, i cili pat vendosur lidhje serioze edhe me Ali pashë Tepelenën, edhe me Karamahmut pashën e Shkodrës. A mund të quhet ky një degjenerim i politikës së jashtme franceze, i cili, në fund të fundit, do ta nxirrte Francën krejt në periferi të fuqivet vendimmmarrëse botërore?!
„Më 7 shtator 1878, qeveria greke, me anën e (delegatëvet) që kishte pranë Fuqivet, kërkoi ndërmjetësinë e tyre, sipas Traktatit të Berlinit.“ (Krs.f.55)
„Greqia dërgoi dhe një sharzh d’aferë (Charge d’Affaires) në Bukuresht e në Beograd. Donte të merrej vesh edhe me Malin e Zi. Porositte kuaj në Rusi, donte të merrte oficerë (të tjerë) nga Franca dhe Delijani thoshte: Po nuk bëri gjë Evropa, …do të mbështetemi te patriotizma e popullit grek.“ (Krs.f.55-56)
Shohim këtu përpjekjen e parë për të organizuar një Luftë Ballkanike kundër Shqipërisë (sado që në dukje kundër Turqisë), luftë, e cila do të gjente zbatim të plotë dhe realizim qëllimi gati të plotë, vetëm mbas 34 vjetësh, në vitet 1912-1913. Themi gati të plotë, sepse, me gjithë luftën tejet të përgjakshme, koalicioni kundër Shqipërisë prapëseprapë nuk arriti ta pengojë krijimin e një shteti sado të vogël shqiptar.
„Hobart pasha, admirali anglez në shërbim të Turqisë… shkoi në Athinë dhe e këshilloi qeverinë greke… të hiqte dorë nga Janina dhe nga vende të Shqipërisë Jugore, të cilët i kontestonin shqiptarët.“ (Krs.f.56)
Por „Franca, me 21 tetor 1878, e mori përsëri iniciativën …që Porta të epte pëlqimin hapur mbi pranimin e një shqyrtimi të kufirit në favor të Greqisë.“ …“Këtë proponesë Gjermania, Italia edhe Rusia e pranuan. Vetëm Austria, me qenë se donte ta fuste në luftë Greqinë, e dha pranimin e saj vetëm mbasi mori vesh se Anglia nuk e kish aq në qejf këtë punë (dmth, futjen e Greqisë në luftë. Gj.D.)“ (Krs.f.56)
O plasin, o e çojnë në vend copëtimin e Shqipërisë Fuqitë e Mëdha!
„Më 1 nëntor 1878 ambasadori i Francës… u paraqit para sulltanit … dhe bëri fjalë për çështjen e kufirit të Greqisë (dmth, midis tjerash, edhe për shtyrjen e atij kufiri në dëm të Shqipërisë. Gj.D.)“
„Sulltani, duke i shtënguar dorën (ambasadorit francez), iu përgjigj se çështja po bisedohej në Këshillin Ministruer.“ …Mbas disa javësh u vendos që përfaqësues nga ana e Turqisë do të ishin: Muhtar pasha, Vahan efendiu dhe Abedin bej Dinua. Nga pala greke u emëruan përfaqësues: Zhenral Sudzoni, majori i artilerisë T.Kollokotroni dhe Zinopulosi. Takimi i përfaqësivet do të mbahej në territorin e Pevezës (Krs.f.57)
Më bie në sy që, në njërin krah ishte shqiptari Abedin Dinoja, në krahun tjetër arvanitasi Teodor Kollokotroni. A mund të ishte Kollokotroni për copëtimin e Shqipërisë?!
Përballë kaq shumë këmbënguljesh të Fuqivet të Mëdha, vetëkuptohet që as shqiptarët nuk do të rrinin duarkryq.
„Më 6 shkurt 1879 … me të arritur aty Muhtar pasha, me mijëra shqiptarë, pari e vegjëli, u mblodhën të armatosur. Muhtar pasha u proponoi grekëvet të shmangeshin në vapor, (sepse mund të ndodhte „ndonjë gjë“ me shqiptarët).“ (Krs.f.58)
Natyrisht që mund të ndodhte „ndonjë gjë“, sepse shqiptarët e Prevezës ishin në vend të vet. Ata do ta mbronin tokën e vet.
Gjithsesi mbledhja u bë. “Grekërit … para çdo gjëje donin të dinin: A i pranonte qeveria turke si bazë bisedimi Protokollin nr.13 dhe nyjën 24 të Traktatit të Berlinit? (Por)Turqia nuk e pranonte vijën e shënuar në Protokollin nr. 13.“ (Krs.f.58)
„Më 21 prill (1879) Franca u shpërndau një qarkore ambasadorëvet të vet, me të cilën u prpozohej Fuqivet të Mëdha që, të dy shtetet e interesuar të bënin një konferencë në Stamboll për t’u marrë vesh.“ (Krs.f.59)
„Më 9 qershor (1879) legatat e huaja që ndodheshin në Athinë, i dorëzuan një notë Greqisë, për ta këshilluar që të dërgonte një komision në Stamboll.“ (Krs.f.59-60)
„Delijani… emëroi një komision të përbërë prej Konduriotit,… prej zotit Brailla dhe Kollokotronit.“ (Krs.f.60) Në këtë delegacion, të quajtur grek, e pakta dy anëtarë janë arvanitë: Kondurioti dhe T.Kollokotroni. Merret me mend që edhe Konferenca (e Parë, Gj.D.) e Stambollit do të dështonte.
„Me ndërhyrjen e Francës, u caktua edhe data e mbledhjes për 22 gusht (1879).“ Krs.f.60)
„Të dy palët ranë dakord për të pranuar si pikënisje dhe si bazë bisedimi shënimet e Protokollit nr.13 (të Traktatit të Berlinit). (Krs.f.61)
„Franca përpiqej që të pranohej formula e Greqisë. Italia, Rusia, Gjermania, Austria, e pranuan. Anglia nuk u përgjigj.” (Krs.f.61)
A mund ta shpjegojë dikush, ç’i shtynte qeveritë e këtyre shteteve ta trajtojnë me kaq padrejtësi Kombin Shqiptar?! E pakta që mund të themi është: nxitje kolektive SHTETËRORE ndaj një shteti të sapokrijuar, siç ishte shteti grek, për të bërë krime dhe genocid mbi një popull që ende s’e kish krijuar shtetin e vet. Në qëndrimin e që të gjitha këtyre qeverive: frënge, italiane, ruse, gjermane, austriake, po edhe angleze, çdo gjë mund të ketë, veç humanizëm nuk ka. Në kuptimin filozofik, çfarë janë qeveritë që i krijojnë njerëzit? A janë organizma antinjerëzorë?!
“Më 18, 24, 29 tetor u bënë edhe disa mbledhje të tjera. Në mbledhjen e 24-s turqit paraqitën një shkresë me të cilën kritikuan vijën Kallama – Penens (Qostem). Grekërit, me një kundërproponim, kërkuan shtrirje deri në Vjosë, duke përfshirë edhe Gjorokastrën.” (Krs.f.61)
Shqiptarët i kishin paraqitur tashmë kërkesat për një autonomi, që do të thoshte shkëputje nga Perandoria Otomane. Evropa nuk e kish vështirë ta kuptonte që shteti shqiptar, i projektuar institucionalisht prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, do të ishte një shtet evropian. Ç’e keqe do t’i vinte Evropës, nëse ajo do ta përkrahte krijimin e atij shteti dhe përfshirjen e tij në gjirin e vet?! Ç’e keqe do t’i vinte Greqisë, nëse një numër i vogël banorësh me kombësi greke, do të mbetej në kufijtë e këtij shteti fqinj, aq më tepër, kur prijësit e Kombit Shqiptar e kishin shpallur botërisht parimin e shkuarjes mirë me kombet fqinjë?! Por, me sa duket, qeverivet të Evropës nuk u përshtateshin politikat e atyre kombeve që gjeneronin progres. Unë vë re që as sot nuk po u pëlqejnë fuqivet vendimmarëse botërore kombet dhe shtetet që gjenerojnë progres. Dhe kjo është e rrëzikshme për vetë ato fuqi.
“Më 4 maj, 11 maj etj, 1880, Anglia mban anën e Greqisë, duke kërkuar që ndaj Turqisë të ushtrohet presion. Në të kundërt, të kërkohet një konferencë tjetër.” (Krs.f.64)
Njoftohet Bizmarku. Ai e pranon propozimin dhe vendoset që konferenca të thirret në Berlin, ku Turqia dhe Greqia duhej të çonin delegacionet. Por Bizmarku kërkoi që të mos thirret Turqia dhe ashtu u bë. (Krs.f.64-65)
Më 11 qershor 1880 iu komunikua nota Portës së Lartë ku i thuhej se më 16 qershor 1880 do të mblidhej konferenca në Berlin për të caktuar kufijtë e Greqisë. (Krs.f.65)
Pra, nuk do të pyetej Turqia se deri ku do të shtyheshin kufijtë e shtetit grek në tokat e Shqipërisë. Kjo edhe mund të pranohej, por pse nuk po hynin në bisedime me udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit? Delegacioni i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryesuar prej Abdyl Frashërit, i kish vizituar të gjitha qeveritë Fuqivet të Mëdha të Evropës Perendimore dhe ua kish parashtruar atyre kërkesat e shqiptarëvet.
„Mbreti i Greqisë bëri një shëtitje në Paris e në Londër, ku u prit mirë.“… „Mbreti i Greqisë u lut për të adoptuar vijën Kallama në Shqipërinë e Jugut dhe vijën Olymbi në Thesali. … Që të dy (Parisi dhe Londra, Gj.D.), dhanë premtimet më të nxehtë.“ (Krs.f.67)
„Konferenca u hap më 16 qershor (1880) duke marrë pjesë ambasadorët e shtetevet të mëdhenj që ndodheshin në Berlin.” (Krs.f.68) (Në qytetin ku para dy vjetësh ishte mbajtur Kongresi i Belinit. Gj.D.)
“Gjermania, Austria, Rusia, Franca, Anglia, Italia, caktojnë vijën e kufirit. Abedin pashë Dinoja kundërshton në emër të Turqisë.” (Krs.f.69)
Abedin pashë Dinoja ishte nga Preveza, shqiptar, anëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për një kohë, tani ministër i jashtëm i Turqisë. Më një krah Teodor Kollokotroni e Kondurioti, kontribues të dalluar në çlirimin e Greqisë nga zgjedha otomane, m’anë tjetër Abedin Dinoja, njeriu që, ndonëse ministër në shtetin turk, aspiron çlirimin edhe të Shqipërisë. Krejt kjo përbën një problem të madh në historiografinë shqiptare.
Por tash po na duhet të shohim Evropën Perendimore, sepse, edhe në shekullin XXI, po kjo Evropë Perendimore po kërkon me këmbëngulje t’i japë Sërbisë të drejta administrativo-territoriale brenda shtetit të Kosovës, po kërkon t’ia falë Malit të Zi një cope Rugovë, nuk po do as ta shkojë nëpër mendje mundësinë, madje domosdonë e bashkimit të dy shtetevet shqiptarë, Anamoravën nuk po e quan pjesë gjeografike të Shqipërisë, në një kohë kur në të katër anët e këtij kontinenti po fryjnë erëra tepër të rrëzikshme. Të lësh hapur qoftë edhe një dritare të shtëpisë, do të thotë që krejt shtëpinë e ke lënë në mëshirë të erëravet dhe të stuhivet. E pra, Shqipëria dhe shqiptarët janë një nga dhomat e shtëpisë sonë të përshkët, që quhet Evropë. Dritaret hapur të kësaj dhome e shpien stuhinë gjer në “apartamentet” më të fundit, në Portugali e në Angli.
“Më 28 qershor (1880) konferenca merr notën e mospranimit nga ana e Turqisë.” … (Megjithkëtë) konferenca vendos një vijë kufiri: Lumi i Kallamasë, nga gryka në detin Jon deri te burimi, pastaj në kreshtat ujëndarëse të malevet. Në jug liheshin: Kallama, Arta, Aspropotami, Salamvria, liqeni i Janinës, Mecova etj. (Krs.f.71)
Sulltani i përgjigjet notës ku midis tjerash thotë: “Janina është e shqiptarëvet.” (Krs.f.72)
”(Ndërkohë vijnë njoftimet që) shqiptarët e Toskërisë janë gati ta okupojnë Janinën.”
“Franca kërkon arbitrazh dhe detyrim të palëvet.” (Krs.f.72)
Më 14 janar 1881, Turqia njofton se nuk e pranon arbitrazhin… Franca këshillohet me Anglinë dhe me Austrinë… „për të shkëmbyer Janinën me Gjiritin (Kretën), se lëvizja shqiptare u kish dhënë të kuptojnë Fuqivet të Mëdha që, edhe sikur Turqia të donte t’i linte, shqiptarët, për Janinën e për Çamërinë, do të bënin luftë.“ (Krs.f.74)
„Shkëmbimin e Janinës me Gjiritn, as Anglia, as Austria, nuk e pranuan.” …”Greqia si gjithmonë, pas zakonit të vjetër, organizon andartë.” (Krs.f.74)
(Kështu), “çështja e kufirit të Greqisë u bë gangrenë.” (Krs.f.74)
Anglia dhe Franca ia delegojnë çështjen Bizmarkut dhe në vazhdim vendoset që të organizohet Konferenca e Dytë e Stambollit. (Krs.f.75)
“Më 20 shkurt 1881 ambasadorët u mblodhën dhe iu përgjigjën notës së Turisë të datës 14 janar”, ku i pranonin propozimet e saj, me kusht që në ndërkohë të mbante paqe me Greqinë.
Greqia njoftoi se po mobilizonte rezervistët, por Fuqitë e Mëdha i thanë, iu lutën: Aman, mos!
Se do bënte namet Greqia! Do bënte kiametet! Se nuk mund t’i thoshin Greqisë: Rri urtë aty ku je! Dhe t’i hynin punës për të njohur shtetin shqiptar e pastaj, krejt normalisht, të zgjidheshin të gjithë problemet midis dy shtetevet fqinjë. Në asnjërin prej memorandumevet, shqiptarët nuk kishin shfaqur synime për të mbajtur popullatë greke brenda shtetit të vet, me përjashtim të trevavet që paraqiteshin si enklava, si ishuj. Por as enklavat shqiptare, që nuk ishin të pakta në brendësi të shtetit grek, shqiptarët nuk do t’i kërkonin.
„Më 7 mars 1881 u bë mbledhja e parë e Konferencës së Dytë të Stambollit. Ambasadori i Gjermanisë insiston për Shqipërinë Jugore. Përfaqësuesit e Turqisë i përgjigjen kategorikisht, duke thënë se kundërshtimi i shqiptarëvet e bënte të pamundshme çdo lënie tokash në Epir.“ (Krs.f.77-78)
„Greqia lëvdohej për luftë edhe donte që të shtonte ushtrinë e saj gjer më 100000.“ (Krs.f.78)
Turqia jep një variant të vetin, duke ia dhënë, midis tjerash, edhe Artën Greqisë. Sipërfaqja e shtetit grek, në atë rast, shtohej me 2300 kilometra katrorë dhe arrinte gjithsej 14000 kilometra katrorë. (Krs.f.78)
Sa është sipërfaqja e sotme e Greqisë, zmadhuar artificialisht në vitin 1913? Po dua të them: Sa sipërfaqe të pamerituar i ka dhënë politika e mbrapsht e Fuqivet të Mëdha shtetit grek, duke ia nënshtruar keqtarjtimit, shpërnguljevet dhe mjerimit, qindra mijë banorë të kombevet të tjerë?!
Përfundimisht, pas një vargu të gjatë pazaresh, ambasadorët e panojnë propozimin e Turqisë. (Krs.f.79), por me kusht „çarmatimin e Prevezës dhe lundrimin në Golfin e Artës.“ (Krs.f.79) Ngjashëm me lundrimin e Malit të Zi nëpër lumin Bunë.
„Më në fund, edhe Greqia, edhe Turqia e pranuan këtë vijë kufiri.“ (Krs.f.79)
Në vazhdim, Sulltan Hamiti e tradhtoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe, në vend që t’i jepej pavarësia Shqipërisë, arrestoi Abdyl bej Frashërin dhe e dërgoi Dervish pashën, me ushtri të madhe, për ta shuar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. (Krs.f.79-83)
E gjithë kjo do të na kish shërbyer thjeshtë si njohuri historike dhe për të parë, edhe ne, edhe grekët, edhe evropianët e tjerë, ku kanë gabuar të parët tanë. Por me mënyrën si po sillet Evropa e sotme Perendimore dhe SHBA-ja, në mjaft raste, baskë me Evropën, njohja e këtij fragmenti të historisë së Evropës, merr rëndësi të dorës së parë. Klasa politike e sotme, qoftë e shtetevet të mëdhenj, qoftë e shtetevet të vegjël, siç i kemi ne, popujt e gadishullit të Ilirisë, duhet, o të nxjerrë mësime e të mos veprojë si të parët tanë, ose të presë ngjarje shumëfish, vërtet shumëfish më të dhimbshme se në të kaluarën. / 22 nëntor 2016. Gjokë Dabaj/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura