GJOKË DABAJ: SFIDA E RINGJALLJES

Durrës, 10 korrik 2020: Në gjysmën e parë të vitit 2020, në shekullin e 21-të mbas ringjalljes së Jezu Krishtit dhe të nënës së tij, në një lagje të Tiranës, kryeqytet i Republikës së Shqipërisë ish-ateiste, tri gra naive, pa dashur (sigurisht, pa dashur dhe pa qenë të vetëdijshme se ç’po bënin), i bënë sfidë pjesës gjithënjerëzore, qindramilionëshe, që i beson ringjalljes së njeriut.
Për çudi, ringjalljes së NJERIUT, pasi gjallesat e tjera, që gjithashtu “i ka krijuar Zoti”, as që mund të ëndërrojnë për një privilegj të tillë. Kali nuk ringjallet, ketri nuk ringjallet, delfini nuk ringjallet, ariu i bardhë nuk ringjallet. Ai vetëm zgjohet nga gjumi, kur vjen pranvera. Mos kemi të bëjmë këtu thjeshtë me një trill (të mbarë apo të mbrapshtë) të vetë NJERIUT dhe “Zoti” të mos ketë të bëjë fare me kësi marifetesh?!
T’i shohësh në fotografi, ato tri gra janë të qytetëruara. Dy bijat madje janë me arsim universitar. Në këtë mënyrë, dashur ose pa dashur, ato tri gra janë përfaqësuese autentike të krejt asaj inteligjence të sotme botërore, që u beson predikimevet të klerikëvet se shpirti i njeriut nuk vdes kurrë.

Krejt ajo masë e madhe gjithënjerëzore, frekuentuese e sinagogavet, e faltorevet budiste, e kishavet të krishtera, e xhamivet dhe e teqevet, nëse është sadopak e kthjellët, është e thirrur t’ia bëjë vetes pyetjen përfundimtare: A vdes krejt njeriu apo nuk vdes krejt njeriu?! A vdes vetëm një pjesë e tij, apo vdes i gjithi?! S’ka aspak rëndësi modifikimi apo diferencimi: Vdes trupi, por shpirti nuk vdes! Nëse shpirti i atij që ka vdekur nuk vdes, ku shkon ai shpirt? A e ruan lidhjen me të gjallët shpirti i njeriut që thuhet se ka vdekur, madje edhe e kemi qarë e varrosur?! A do të ringjallet ndonjëherë ai njeri që ne e kemi varrosur?! Kur do të ringjallet?! Si do të ringjallet?!
Të gjithë këta variante konvergojnë vetëm te një pikë: Njeriu “jeton” edhe mbasi të jetë varrosur. Përndryshe, ortodoksët pse lënë tasa me grurë të zier te varri?! Katolikët pse paguajnë para, që të thuhet meshë për të vdekurit?! Jo vetëm katolikët, por që të gjithë ata që besojnë se jeta e njeriut vazhdon edhe përtej vdekjes, paguajnë para për shpirtërat “e pavdekshëm” të atyre që janë varrosur.
Tri gratë përmetare bënë një provë. Fare të thjeshtë dhe fare të qartë. Vdiq njëra vajzash duke iu lutur Zotit që të mos vdesë. Vdiq duke besuar naivisht që Zoti ekziston vërtet. E mbajtën, e ëma dhe motra tjetër, 15 javë kufomën në banesën ku jetonin, duke e lyer me uthull, që të mos qelbej dhe duke pritur që të ringjallej. Mbas 15 javësh vdiq edhe e ëma, e fikur agjërimit, pa arritur ta shohë të bijën të ringjallur. Në të njëjtën vazhdë besimi, absurd por të logjikshëm në dukje, do t’i vinte radha edhe vajzës tjetër. Edhe kjo me arsim universitar!
I rëntë rrufeja një të tillë arsimi universitar, në shekullin 21!
Pyetja që unë bëj tani, është kjo: A doli me sukses prova krejt praktike që e bënë tri gratë shqiptare?! Unë them: Po! Doli me sukses të plotë! U kurorërzua me dështimin e të gjithë atyre që u besojnë ringjalljevet dhe u kurorëzua me “fitoren”, tejet të rëndë, të atyre që e dinë fort mirë ç’ndodh me njeriun mbasi të ketë vdekur.
Për këdo që i ka dy pare mend (Të vetat!) në kokë, ajo “prove” që tri gratë përmetare, në sy të krejt botës (sado që “eksperimentin” e bënë të mbyllura në një banesë), dëshmoi që opcioni i ringjalljes së njeriut, ose i mosvdekjes së shpirtit të njeriut, është një PËRRALLË BOSHE, të cilën askush nuk duhet ta besojë.
Papët, kardinalët dhe priftërinjtë katolikë do të vazhdojnë t’ua paraqesin njerëzvet si të vërteta misteret e “vazhdimit të jetës së njeriut” përtej varrit dhe të ringjalljes, qoftë edhe “dikur”. Patriarkët, kallugjerët dhe priftërinjtë ortodoksë do të bëjnë të njëjtën gjë. Klerikët protestantë po ashtu. Klerikët e sektevet, të cilët, mbas shembjes së ateizmit komunist, po shfaqen gjithandej e po shtrihen si njolla myku, nuk do të pushojnë së foluri për “ringjalljen”, pavarësisht formavet, me të cilat do ta predikojnë atë “ringjallje”. Po thonë që ka shtete, ku, jo vetëm ke të drejtë të krijosh një sekt të ri fetar, por edhe lirohesh nga çdo lloj tatimi!! Ka diçka këtu!! Fshihet diçka prapa të këtillë ligjesh! Hoxhët dhe të gjithë klerikët e tjerë myslimanë, bektashinj e me radhë, do të vazhdojnë të thërrasin ezanet e të ngrejnë duart nga qielli, për të pohuar plotfuqinë e Allahut dhe pavdkësinë e shpirtit të njeriut. Ali Hoxha, Hoxhë Alia, thotë një fjalë e urtë shqiptare. Ndaç thuaj pavdekësia e shpirtit të njeriut, ndaç thuaj pavdekësia edhe e trupit! Klerikët budistë dhe rabinët, do të bëjnë të njëjtët predikime: “Njeriu, ndryshe nga të gjitha gjallesat e tjera, vazhdon të jetojë edhe mbasi të jetë varrosur, apo edhe kremuar.”
Por “eksperimenti” vetësakrifikues i tri femravet, këtu, në njërën nga pikat e kësaj sfere që quhet Tokë, do t’u thotë miliona mendjeverbërvet që vazhdojnë t’u besojnë klerikëvet, madje japin edhe para, në mënyrë që klerikëvet të mos u mungojë asgjë: “Bëni edhe ju një provë, kështu siç e bëmë ne! Shtrihuni mbi një shtrat, mbi një dysheme apo thjeshtë në djerrin e një parku a lulishteje, në mes të qytetit, dhe thirrini Zotit: Ma dëshmo që je! Ma vërteto me argumente të dukshëm që ti ekziston, dhe se unë, i krijuar prej teje, jam i paasgjësueshëm! Nuk dua gjë tjetër! Dua vetëm ta provosh se ajo që më thonë klerikët është e vërtetë.”
“Qysh kur kam lindur”, do të thotë ai i shtriri në sheshin e cilitdo qytet të botës, “klerikët s’po pushojnë së shpikuri mënyra për të më mbushur mendjen se Zoti ekziston. Por tani, mjaft! Unë kam mbaruar një shkollë të lartë. Kam mësuar atje, për 16 vjet, kimi, fizikë, gjeografi, biologji, astronomi. Ka ardhur koha të kuptoj qartë edhe saktë: Thonë klerikët të vërtetën apo gënjejnë klerikët!? Gënjejnë, edhe veten, edhe mua!? S’më intereson fare a besojnë apo nuk besojnë në ato që thonë! Më intereson vetëm ta di të vërtetën dhe do të rri shtrirë mu këtu, deri sa ta marr përgjigjen drejtpërsëdrejti prej TEJE!”
Erën e qelbur e tri grave, që e bënë këtë provë, u detyruan shërbimet sanitarë ta neutralizojnë me pompa dhe me mjete të tjerë tokësorë, jo qiellorë. Nuk shkoi atje asnjë klerik për të kryer ritet. Aktin sublim të tri grave shqiptare nuk e përmendi as kryepatriarku ortodoks i Konstantinopolit, as edhe hirësia e tij Anastas Janullatosi, kryepeshkopi ortodoks grek “i të gjithë shqiptarëvet”. Madje, edhe të quajturit ungjillorë, njëri mbas tjetrit, dolën në televizion dhe, secili në mënyrën e vet, u munduan të thonë: “Jo! Kto viktima nuk janë tonat!”
Hipokrizi nga më të neveritshmet! Hipokrizi të krupshme!
*** ***
Por, në një të tillë situatë, kur sytë po na shohin me qindra e mijëra “tempuj të Zotit” që janë ngritur e vazhdojnë të ngrihen anembanë planetit Tokë, me shpenzime marramendës, pyetja që shtrohet, me të drejtë, është kjo: A mos vërtetë njeriu ka nevojë për një predikim, për një ceremoni, për një ushqim shpirtëror, të organizuar dhe, duke mos e gjetur diku gjetkë atë ushqim shpirtëror, të organizuar, shkon edhe grumbullohet nëpër sinagoga, kisha e xhami?! A mos shkon jeriu në një faltore mistike, sepse nuk ka ku të shkojë gjetkë?!
Unë mendoj se po. Njeriu ka nevojë ta ushqejë shpirtin e vet me diçka. (Është fjala për shpirtin e mirëfilltë, jo për atë shpirt që predikojnë mistikët.) Njeriu ka nevojë ta ushqejë shpirtin me diçka, JO VETËM! Jo i izoluar në mes të qytetit milionësh! Jo duke parë telenovela! Jo duke lexuar libra! Por duke u mbledhur diku dhe duke dëgjuar fjalën e mençur të një udhëheqësi shpirtëror. Duke u mbledhur, sepse vetëm ashtu njeriu do ta ndiente veten pjesë një tërësie!
Pikërisht ky INSTITUCION SHPIRTËROR, ky vend ku njerëzit të mblidhen e t’i thonë diçka të vlefshme njëri-tjetrit, të vlefshme, por jo mistike, njerëzimit të derisotëm i ka munguar dhe i mungon. Pikërisht ky, mendoj unë, është edhe shkaku kryesor që miliona njerëz shkojnë e mblidhen atje ku mund të mblidhen, qoftë edhe me çmimin e një mashtrimi logjikisht më të papranueshëm. Kanë nevojë njerëzit të rrinë pranë njëri-tjetrit, duke dëgjuar, ceremonialisht, fjalët orientuese të një njeriu që është i specializuar për atë punë. Nuk bëhet fjalë këtu për shkollën. Shkolla, ashtu si edhe filimi, si edhe libri, kanë vendin e vet. Shkolla është vendi ku njeriu edukohet dhe pajiset me dituri, por nuk është vendi ekskluzivisht i destinuar për ushqim shpirtëror, nga rinia deri sat ë plaket!
Për mua, institucionet e mirëfilltë shpirtërorë, jomistikë, do të ishin ata institucione që do t’u frymëzonin njerëzvet gjuhën e tyre dhe të gjitha vlerat e tjera të kombit të tyre. Kjo do të ishte rruga e vetme, e cila do të mund t’i mblidhte njerëzit rreth një ideali, rreth një gjëje të mirë, rreth një gjëje të bukur, për të cilën do t’ia vlente të jetoje. E vetmja gjë që do të ish e domosdoshme të bëhej ligj ndër të atillë tubime, do të ishte mospërhapja e urrejtjes ndaj gjuhëvet të tjera dhe ndaj kombevet të tjerë. Sigurisht që, për mjaft kombe, kjo s’do të ish një punë e lehtë, por edhe kjo do të përbënte një lloj shenjtërie, rreth së cilës njerëzit do të mblidheshin me dashuri.
Gjokë Dabaj, Durrës 7-9 korrik 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura