GJOKË DABAJ: SHQIPËRIA, Ç’ËSHTË?

(Pashtriku.org. 10. 10. 2012) – Përse ne shqiptarët të jemi të aftë, të ORGANIZOHEMI për të bërë punë të këqia e nuk qenkemi të aftë të ORGANIZOHEMI për ta bërë Atdheun tonë përditë e më të bukur, përditë e më të pasur, përditë e më të lakmueshëm e të pëlqyeshëm, në radhë të parë për vetë ne, të zotët shumëshekullorë të këtyre tokave e ujërave, e pastaj edhe për të tjerë?! Për ne, që të mund të rrojmë këtu me ëndje edhe për shumë shekuj të tjerë, ndërsa për të huajtë, të vijnë e të na shohin dhe të shkojnë prapë nëpër vendet e tyre.
ANTIKOZMETIKË
“Po sot, Shqypni, pa m’thuej si je?!”
Prapë, edhe sot, mbas 130 vjetësh:
“Posi njaj lisi i rrxuem përdhe!”
Në vend që të lumturohemi se jemi me 2 shtete, mbushemi përditë me trishtim e me keqardhje. Njëri shtet 100-vjeçar, i cili ende s’ka mësuar si bëhen një palë zgjedhje. Detyrohen të vijnë nga 20 herë në vit të dërguar të Botës, për të na treguar si duhet të sillemi njëri me tjetrin. Paguan Bota njerëz për të “monitoruar” shqiptarët, pale a po dinë të shkojnë te kutia e votimit apo po marrin brinjat duke gjuajtur shoshoqin me gurë.
Tjetri shtet, aty-aty, sa edhe Sllovenia, por i cili, ndryshe nga Sllovenia, ka nevojë ta mbajnë për dore, si dadoja kalamanin. Herë një UNMIK e herë një EULEKS. Paguan edhe aty Bota “vëzhgues”, a po votojnë, burri për vete e gruaja për vete, apo po e merr kryefamiljari tufën e fletëvet e po e rras në kuti në emër të krejt collëvet.
A e shihni çfarë buzëqeshjesh kanë ata njerëz që vijnë për të na mbikqyrur?! Kanë buzëqeshjen e atij që hyn në një kopsht zoologjik dhe shikon atje: sorkadhe, ketra, mjellma, fazanë, çakej, arinj, ujqër. Shikojini me vëmendje buzëqeshjet e tyre, kur dalin në television!
Tragetet i marrim me qëra, avionët e udhëtarëvet i marrim me qëra, ndërsa hekurudhat e trenat tanë, janë modeli më i shëmtuar i shkatërrueshmërisë. I shpirtit tonë?! I edukatës sonë?! Apo çfarë tjetër mund të themi?! Ç’epitet mund t’i vëmë vetes, kur shohim një të tillë katandisje?!
E mbushëm Botën me punëkërkues! E mbushëm Botën me rregullashkelës! Me djem të rinj që kalben burgjevet, me prostituta, me lypësa, me trafikantë nga më të “kualifikuarit”!
I mbushëm varrezat me varre 20 e 30-vjeçarësh! S’na vjen të hapim televizorin, se s’ka ditë që nuk hyn në dhe një djalë i ri, një vajzë, një nënë e re, një fëmijë, copëtuar nga përplasjet e çmendura.
Shtete pa ushtri. Pa aviacion, pa tanke, pa flotë lufte, pa artileri. Madje, njëri prej këtyre shteteve, pa të drejtë për të pasur ushtri, siç i ka gjithë Bota. Sërbisë, ushtria e së cilës i vuri flakën ballkanit dhe e mbushi Ballkanin me varre masive civilësh, nuk ia hoqën ushtrinë, ne na e çarmatosën UÇK-në, sapo u vulos “Kumanova”. Republika e Shqipërisë e kish ushtrinë dhe iu asgjësua. 2 pyetje të mëdha që shtrojmë ne, janë këto: Pse u la pa forcë mbrojtëse Republika e Shqipërisë, pikërisht në kohën kur pushtetin e kishin marrë antikomunistët? Pse iu hoq e drejta për të pasur një forcë mbrojtëse Kosovës, në kohën kur ajo forcë e vogël çlirimtare ishte 100% aleate e NATO-s? Sado i painformuar konkretisht të jetë njeriu, përgjigjia e vetme është kjo: Ekzistojnë ende tentakula të fshehta për ricopëtimin e Shqipërisë! Traktati i fshehtë i Londrës nuk është fshirë përfundimisht nga agjenda e pazarllëqevet në lidhje me këto hapësira ku jetojnë shqiptarët. Sa kohë që shqiptarët të jenë të tredhur nacionalisht, ai traktat do të mbetet në fuqi.
Shtete, ku nuk gjen dot qoftë edhe 1 kompani ekonomike me, ta zëmë, 3000 punëtorë e nëpunës të punësuar. Edhe Gjermania Lindore ka qenë vend komunist, po shihni si e ka ekonominë!

…………………………………………………….

Shtete me toka të braktisura dhe me pyje që, në mos i djegshim, i presim e, në mos i prefshim, i djegim.
Me politikanët, që zanatin kryesor e kanë: të shajnë e të shpifin kundër njëri-tjetrit, pa pikë burrërie. Si pashallrët në kohën e Turqisë dhe si më të këqinjtë mbretër të Ilirisë. I vetmi profesion i tyre, i nivelit real të doktoraturës, si t’ia vjedhin votat kundërshtarit.
Një komb që i ka me dhjetëra deputetët në parlamentet grek e turk, dhe s’e di që i ka. S’e di që i ka, sepse ata nuk deklarohen shqiptarë. S’e di që i ka, sepse atyre as që u shkon ndërmend të kërkojnë të drejta naconale për zgjedhësit e vet. Janë me dhjetëra kryetarët e bashkivet, shqiptarë, në Turqi e në Greqi, të cilët profesion kryesor kanë, të nivelevet të doktoraturës, të fshehurit, të kamufluarit, si joshqiptarë. Si grekë, si turq, si çfarë të duash tjetër, veç shqiptarë jo. Ata dridhen nga frika se mos rrotull tyre po përhapet ndonjë opinion që nuk janë grekë e që nuk janë turq.
Një komb që ka frikë nga regjistrimi i vetëvetes! A ka në Botë ndonjë komb tjetër, ku pjesa pozitive e tij të jetë e detyruar të dalë nëpër rrugë me flamur, me flamurin kombëtar, dhe të bërtasë: Mos na regjistroni !? Vetëm një komb i tredhur nacionalisht mund të ketë frikë nga regjistrimi.
Ç’mund të themi tjetër, mbas krejt kësaj që thamë për veten tonë, përveç:
“Po sot, Shqypni, pa m’thuej si je?”
“Posi njaj lisi i rrxuem përdhe!”
Krejt natyrshëm, do të mund të flisnim edhe ndryshe, sepse ekziston ndër ne edhe ajo e vërtetë që mund të quhet entuziaste. Por, a do t’ia vlente tash të mereshim me kozmetikë nusesh?!
REVY VETINDINJUESE – DY PARALELE
ARKITEKTURA E SHKATËRRUAR E ATDHEUT

Një nip i familjes sonë u kthye nga një shëtitje nëpër Itali. Më parë pat jetuar atje 5 vjet si emigrant, por nuk e kish njohur Italinë. Tani, mbasi ka mbaruar këtu fakultetin, është bërë inxhinier dhe është rregulluar ekonomikisht, shkoi në Itali jo si emigrant, por si shëtitës, si turist.
“Unë tani e pashë Italinë.” Më tha. “Më parë kisha parë vetëm një lavazh (vendin ku punoja) dhe nja 2 rrugë të Firences. Tani e pashë Firencen, pashë Venecian, pashë Milanon dhe mund të them që e pashë Italinë për herë të parë.”
“Cila është,pra, përshtypja jote?”
“Përshtypja ime” tha ai “është: që ne kemi jetuar në terr e në skëterrë 5 shekuj.”
Kjo ish tema e cila autorit të këtyre shkrimeve ia ka ndrydhur shpirtin e pakta që në moshën 15 vjeç e këndej. Ai kujton:
Janë ca rrëpira ku mezi kalon dhia, përsipër fshatit Togjemil, afër Tivarit. Një ditë po udhëtonim andej im atë dhe unë, për të dalë në Shkallë të Bardhë. Duke u përshkuar me vështirësi permidis shkurevet, unë hasja në ca fragmente muresh dhe ndalesha. Im atë e vinte re, por nuk fliste. Kur dolëm më lart, te Kroni i Shkallës, që është një pasuri e papërsëritshme natyrore, e lënë plotësisht jashtë vëmendjes së njerëzvet, u ulëm dhe po prisnim të na thahen djersët, pastaj të pinim ujë. Tata më tha:
“A i pe ato megja andej kah erllëm?”
“I pashë.”
“Ato i kanë bâ të parët tonë lle kjo tregon se na dikur nuk kena kjenë kshtu si jena sot.”
Aty dëgjova për herë të parë edhe emrin ILIR. “Në vakt t’ilirëvet” tha tata “ky vend ka kjenë plot me gjin”.
Im atë ish një njeri i ditur. Ai zotëronte 5 gjuhë të huaja dhe në shtëpinë tonë të varfër, në ata vite, kish gjithfarë fjalorësh: turqisht-frëngjisht, greqisht-frëngjisht, fjalorë turqisht me shkronja arabe të transkribuar krahas shkrimit arab me shkrim latin, fjalorë të greqishtes së vjetër, një fjalor i H.Bariqit shqip-sllavishte jugore qendrore. Por mua më mbeti në shpirt dhimbja e murevet të kohës ilire, tash të rrënuar kaq keq.
Olsi, kështu quhet nipi i familjes sonë, na foli për Milanon e për Venecian. Na kish prurë edhe një kalendar për vitin 2008 me pamje të Firences.
“Çdo gjë ish më se e mrekullueshme.” Tha ai “Fasadat e ndërtersavet, rrugët e ngushta nëpër Venecia, Duomo në Milano, Galeria, La Skala. Ndërkaq, ne s’kemi asgjë, as të ngjashme me ato që ka Italia.”
Ish një e vërtetë tepër e hidhur. Koha e Turqisë s’na kish lënë asgjë nga ajo kulturë ndërtimore e shekujvet të mëparshëm. Themi koha e Turqisë, por ne e dimë që më shumë se Turku e kemi prishur vetë ne. I kemi prishur ne, të turqizuarit! Na u kujtuan Kotorri dhe Dubrovniku, të cilët nuk arritën t’i pushtojnë osmanët, por që i sllavizuan sllavët. Ata janë thuajse njësoj si qytetet e Italisë. Ndërsa ne nuk i kemi as Tivarin e atëhershëm, as Ulqinin, as Shkodrën, as Lezhën, as Durrësin, as Vlorën, as Artën, as Nikopolin, as Krujën, as Dibrën, as Ohrin. Madje as Prizreni s’është qyteti i dikurshëm. Eshtë krejtësisht i orientalizuar. Nuk themi se është keq, por themi se nuk është ai që ka qenë dikur. Në Pejë e në Graçanicë janë ruajtur vetëm kishat tona të sllavizuara. Ato të mirëfilltat që dikur i patëm bërë për vete, mund të gjenden vetëm nën dhe ose në formë themelesh.
Por ne sërish po na shtyn vetëvetiu brenga edhe më thellë në kohë. Ku janë Dimali, Bylisi, Amantia, Antigonea, Foinike, Apollonia, Dyrrahu, Albanoni, Theranda, Ulpiana, Damastioni, Ulcinioni, Oleotopolisi, Meteoni, Diokleja, Svaciumi, Drivasti, Lisusi, Petrela, Petaralba, Stelushi, Uksana, Skupi?!
Ai terr 5-shekullor që na e ka prurë Perandoria Osmane dhe që thuajse na ka mbytur tërësisht, aq sa na duket mrekulli, kur kujtojmë se jemi ende gjallë, i ngjan çapëlimit që i bëjnë ujqërit një dreri të rrëzuar qysh më parë prej egërsiravet të tjera. Egërsirat e tjera, psh lukuni çakenjsh dhe hienash, e kanë rrëzuar drerin në mes të rrahut, ia kanë çarë e grisur lëkurën, ia kanë derdhur një sasi gjaku. Kur kanë ardhur ujqërit, dreri ka qenë i shtrirë. Ai është ngritur dhe është mbrojtur me gjithë fuqinë e vet, por më në fund është rrëzuar sërish dhe ujqërit i janë derdhur përsipër. Dikur është gëdhirë. Egërsirat kanë qëndruar në pyll, në përgjim për t’iu sulur prapë.
Kjo është Shqipëria. Prandaj dhe monumentet tanë të arkitekturës (bukuria e drerit), ose janë groposur, ose janë thërrmuar e kthyer në rërë.
ARKITEKTURA E SHKATËRRUAR E SHPIRTIT
Por ne na shqetëson shumëfish më tepër fakti që ky serial netësh të errëta (Romë, Bizant, barbarë, sllavë, turq), të mbushura me furtuna e me zjarre rrufeshë, nuk na ka shkatërruar vetëm arkitekturën e qytetevet e të fshatravet, por na ka shkatërruar edhe arkitekturën shpirtërore, shpeshherë edhe trupore, të njeriut tonë. Fan Noli, si dhe shumë të tjerë rilindës, e ka parë dhe e ka shprehur me shumë dhembje këtë të vërtetë tonën kaq trishtimprurëse:
“Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë”…
…“Trup e shpirt i sakatosur!” (Vep.1,f.94)
Nuk po marrim aspektet kur ne jemi të mirë e të zotë. Të mos ishim të mirë e të zotë, të mos kishim cilësi nga ato që rrallëkush i ka ndër popujt e tjerë, ne sot nuk do të përmendeshim gjëkundi, as për mirë, as për keq. Vetëm në kapitujt e historiografisë ndoshta do të kujtohej ndonjëherë emri ynë, por edhe atëherë si t’u thoshte mendja atyre që shkruajnë.
Nuk do të merremi, pra, në këta rreshta me aspektet e vitalitetit tonë. Do të merremi, madje ashpër, me aspektet e mortalitetit tonë. Me ato cilësi që na vdesin ne si Komb, që na mbysin, ose që na renditin midis fundrrinavet, gjë që më së shpullëshmi përjetohet kur shkojmë në dogana: Të gjithë i lënë të kalojnë lirshëm, ne na ndalin mënjanë, për të na kontrolluar “ndryshe”.
Gjithkund e shohim arkitekturën e dekompozuar, të thyer e të shkatërruar, të shqiptarit të sotëm! E shohim në çdo hap që bëjmë dhe në çdo ditë të re që gëdhijmë: Në punë, në rrugë apo thjeshtë duke lexuar titujt e gazetavet, duke dëgjuar e parë emisionet e lajmevet, bisedat televizive dhe ato jotelevizive. Në rrugë, kur bie shi dhe kur nuk bie shi. Sa herë që shohim si e ka hapur dikush kanalin nëpër asfalt dhe si e ka mbyllur, pasi ka mbaruar punë, e shohim shprtin sakat të njeriut tonë të përditshëm.
Çoji 2 ose 5 punëtorë (punëtorë “llaçi” apo punëtorë “kazme”) në një punë, jepua punën në mëngjes dhe lëri aty deri në darkë! Shko në mbrëmje dhe shiko sa punë të kanë bërë dhe si ta kanë bërë punën! Për faqe të zezë! Po nuk u ndenje mbi kokë, ata nuk të bëjnë asnjë punë. Shqiptari punëtor ose nuk do, ose nuk di ta bëjë punën si duhet. Shqiptari zyrtar ose nuk di ose nuk do që ta bëjë punën si duhet. Shqiptari polic nuk bën punën e policit, por bën punën e përfitimit të kundraligjshëm. Shqiptari mjek pjesën më kryesore të mendjes së vet e shpenzon jo për të shëruar të sëmurët, por për t’u pasuruar prej të sëmurëvet. Shqiptari jurist rrezaton më shumë padrejtësi se sa drejtësi. Shqiptari mësues shpeshherë e bën veten karikaturë të mësuesit. Shqiptari doganier e shndërron doganën në institucion të shkeljes së rregullavet doganore.
I bëjmë ministra shqiptarët, e ata nuk dinë ta bëjnë punën e ministrit. Një minister që nuk ka frikë prej asaj çfarë mund të shkruajë historia nesër për të, është i cekët mendërisht, por është edhe moralisht difektoz. I bëjmë (ose bëhen vetë) kryeministra, e ata nuk dinë të jenë kryeministra. Një kryeministër, i cili në çdo veprim apo fjalë të tijën nuk e çon mendjen te ajo çfarë do të shkruajë nesër historia për të, nuk ka strategji as për vete, jo më të ketë strategji për kombin e vet. I bëjmë kryetarë komunash e kryetarë bashkishë e ata nuk i kryejnë ato punë as përafërsisht ashtu si duhet.
Madje më shumë nuk duan se nuk dinë. Të gjithë këta, krejt kjo pamje e mbrapsht njerëzish të kohës sonë, ndaj të cilëvet nuk po shpifim, por janë realisht të tillë, na ngjajnë me një mori skulpturash të thyera e të copëtuara. Dikush ka gjysmë koke, dikush ka çerek koke, dikush ka vetëm një dorë, dikush s’ka as kokë as parzma, por i kanë mbetur vetëm… ca organe të tjerë.
Nuk po duam t’i përmendim tash me emra disa nga ata që po na vijnë në mendje. Ata nuk janë shqiptarë, por janë fragmente fytyrash të shfytyruara. Një që i shet të huajit një pasuri kombëtare shqiptare, duke parë sa fiton vetë, personalisht ose klanërisht, prej asaj shitjeje, ai nuk është shqiptar. Ai është baltë.
Një që e derdh ujin e hidrocentralevet (E derdh! Jep urdhër që të hapen portat!), me qëlim që, pasi të jenë boshatisur liqenet, të “detyrohet” të blejë dritë “me prokurim të drejtpërdrejtë” dhe të mund të fitojë ashtu, për vete e për klanin, disa miliona euro… Një që mbledh ujin në liqenet e hidrocentralevet, për të fituar me atë ujë, për vete e për klanin, e në fund ua derdh “tepricën” shkodranëvet përsipër… Ata janë jo baltë, por më keq se balta.
Elementi që u mungon më së shumti këtyre qindra mijë shqiptarëve të shekullit XXI, që nga punëtori i llaçit deri te kryeministri, është PATRIOTIZMI. Jo ai patriotizëm që shprehet vetëm me fjalë, por patriotizmi konkret dhe i vërtetë. Kur 1000 elektricistë nuk i mbledhin paratë e dritavet si duhet dhe kur 500000 familje e vjedhin dritën, cili do të jetë rezultati? Rezultati kuptohet: Atdheu mbetet pa drita.
Për të parë ku është rroposur shqiptari i sotëm, po përfytyrojmë shtatoren e një mbrojtësi të dikurshëm të Krujës, psh shtatoren e Vrana Kontit, punuar dikur në mermer, nga një dorë mjeshtri. Ajo ka qenë dikur e vendosur në hyrje të kështjellës, por kanë ardhur turqit dhe e kanë shkallmuar. Copërat e asaj skulpture kanë marrë përroin poshtë dhe sot i gjen një këtu e një atje nëpër fushat e nëpër përrenjtë e Fushë-Krujës. Kjo është skulptura e shqiptarit të sotëm. (Jo e të gjithëvet, por e atij, për të cilin po flasim).
Prandaj shqiptari i sotëm (ai për të cilin po flasim), i shkul vreshtat, i pret ullinjtë, i thyen xhamat e seravet, i vjedh e i djeg magazinat e tregtisë, i shkatërron vagonat e trenit, i vjedh ikonat e Voskopojës, i vjedh qilimat e xhamisë, vjedh edhe padronin atje në megrim, vjedh ose vret edhe kushëririn e vet, në kthim nga mërgimi. Nga ky brumë dalin ministrant. Kuptohet që ata s’mund të jenë më të mirë.

…………………………………….

O Moj Shqypni, e mjera Shqypni!

………………………………………………….

Shkon në Turqi shqiptari e bëhet turk, shkon në Greqi shqiptari e bëhet grek, e pushton Mali i Zi shqiptarin e bëhet më malazez se vetë malaziasi… 
Në intervistë përpara vetes
Të këtillë “gjyqe”, që do t’i shohim këtu poshtë, bëjnë madje edhe shqiptarët indiferentë, ata moskokëçarësit, le më të tjerët, ata që shqetësohen kur shohin batërdi rretherrotull. Të gjithëve u pulsojnë nëpër mendje vargje pa mbarim pyetjesh.
Psh: Pse jam një njeri i pashkollë? Edhe prindët e mi kanë qenë pa shkollë. Pse kanë qenë edhe ata pa shkollë? Edhe gjyshërit e mi kanë qenë pa shkollë. Pse kanë qenë edhe gjyshërit e mi pa shkollë?
Cfarë shteti kemi pasur para 200 vjetësh, para 300 vjetësh, që i ka lënë paraardhësit tanë kaq analfabetë e, psh, anglezët shteti i tyre i ka shkolluar? Cfarë shteti kanë pasur ata popuj që sot janë popuj të shkolluar?
Mirë. Bëhen edhe të tjera pyetje: Gjyshi im nuk ka pasur shtëpi të mirë. As gjyshi i gjyshit tim nuk ka pasur shtëpi të mirë. Pse s’ka pasur gjyshi i gjyshit tim shtëpi të mirë, që unë ta kem atë shtëpi edhe sot të trashëguar? Pse s’e ka pasur ai një shtëpi të trashëguar 6 breza ose 16 breza, e ta kem edhe unë 12 ose 22 breza të trashëguar një shtëpi, në mes të një qyteti ose afër një qyteti shumë të madh? Dhe të kem aty sende që më kanë lënë gjyshërit, të kem piktura që kushtojnë 20000 euro, të kem bizhuteri e diamante të rrallë. Pse nuk i kam unë këto, siç i kanë shumë të tjerë nëpër Botë, psh në Hollandë, në Danimarkë, në Francë. Cfarë shteti kemi pasur ne, ta zëmë, para 22 brezash?
Ne nuk kemi as rrugë të mira. (Tani po mundohemi t’i ndërtojmë, duke vjedhur sa të mundim gjatë ndërtimit të tyre) Italia dhe Gjermania kanë rrugë shumë të mira. Ka rrugë të mira edhe Zvicra, që është një vend më malor se ky i yni. Pse ne nuk kemi rrugë të tilla? Pse gjyshërit dhe paragjyshërit tanë nuk kanë arritur të bëjnë rrugë e hekurudha, siç i kanë bërë të tjerët? Kemi dëgjuar që ka qenë një inxhinier shqiptar, i cili ka projektuar një tunel diku në Evropë. Pse s’u projektua ai tunel këtu, në Bjeshkët e Nemuna, në mënyrë që ato të mos mbeteshin përjetë të nemuna?
Ekonomi e dobët. Përse?!
Përse punëtorët e nëpunësit tanë marrin kaq pak para, kur punojnë këtu në Shqipëri e të tjerët (ose ata të njëjtët) marrin 3-fish, 5-fish apo 7-fish më shumë në vende të tjerë?
Përse nuk e kemi rrjetin e ujësjellësavet të bollshëm dhe të rregullt, kur dihet që vendi ynë ka ujë natyror me tepricë? Përse ka me mijëra ndërhyrje në tubacionet e ujësjellësavet, aq sa shpeshherë pimë ujë fekalesh bashkë me ujin tjetër?
Përse s’e kemi të zgjidhur problemin e dritës, me gjithë ekzistencën e disa hidrocentraleve dhe me gjithë mundësitë natyrore që ka vendi ynë? Pse s’e kemi të mirëmbajtur rrjetin e shpërndarjes? Pse s’e kemi çmimin e dritës më të ulët? Dhe, në fund, përse duhej t’ia shisnim një të huaji entin shpërndarës të energjisë?
Pse nuk kemi telefoni të zhvilluar ne shqiptarët, në mënyrë që çdo familje, në qytet e në fshat, t’i ketë edhe telefonin fiks edhe internetin? Dhe t’i ketë të lirë, siç i ka gjithë Bota.
Pse kemi kaq shumë papastërti nëpër fshatra e nëpër qytete? Grumbullime të neveritshëm mbeturinash pranë çdo vendi ku banojnë shqiptarët! Shkurre anash rrugëvet! Barishta e ferra që të gërvishtin fytyrën, kur hyn në një katund! Erë të keqe ujërash të zez deri edhe nëpër plazhe. Përse gjithë ky pisllëk në Atdheun e shqiptarëvet?!
Përse nuk i kemi objektet turistikë tërheqës e funksionalë? Kështjellat e vjetra, objektet e kultit, çesmat, liqenet, shkëmbinjtë, që i ka bërë vetë natyra objekte turizmi, kanionet, shpellat karstike, pyjet, livadhet, pse s’i reklamojmë në mënyrë të atillë që turisti i huaj të ketë dëshirë për të ardhur këtu? Dhe pse s’ia krijojmë ambientin turistit, që të mos pendohet se ka ardhur këtu? Ne, mikpritësit me nam! Mos ia pafsha bojën më Shqipërisë! Thonë një shumicë turistësh, kur largohen këndej.
Pëse nuk kemi një bujqësi tërheqëse, që jo t’i lutemi tregut të huaj për të bërë kontrata, por të na lutet ai ne? Pse s’kemi fruta? (Kemi, por na kalben përtokë, poshtë pemëvet) Pse s’kemi perime e zarzavate? (Kemi, por, në pikun e tyre, na kalben përrenjve e kanaleve) Pse s’kemi grurë, misër e patate? Pse i kemi lënë djerr tokat tona e shkojmë e punojmë në tokat e Grekut e të Italianit?
Pse s’kemi lloje frutash të famshëm? Lloje rrushi, lloje fiku, agrume, mollë, kumbull, gështenjë, që të vijnë e të na i kërkojnë skandinavët, ukrainasit, rusët? (Kemi, por i kalbim ne vetë skutavet dhe kasollevet)
Pse s’kemi vaj ulliri me shumicë dhe pse, kur duam ta shesim vajin e ullirit, e përziejmë me vaj bimësh ose edhe me lubrifikant ?
Pse s’kemi bagëti të mira e të mjaftueshme për ne dhe për tregun e jashtëm, që jo të blejmë ne në Poloni e në Hungari viça e lopë, por të vijnë të huajtë e të blejnë ndër ne?
Përse nuk kemi një industri dinjitoze në Shqipëri (një të atillë që vërtet të mund të quhet industri), siç i kanë psh, Italia, Çekia, në mënyrë që prodhimet tanë të kërkohen nëpër Botë?
Pse t’i blejmë gjetkë tenxheret, pjatat, pantallonat, këmishat, kopsat e këmishavet, shtrydhëset e frutavet, sobat me gaz, syzat e gjysmëqorravet, syzat e diellit, orët, fletoret, bojën e murevet, shatat, kosat, qentë e racës, kafazat e zogjvet dekorativë, bluarëset e mishit, kabllot elektrikë, llamarinat për të mbuluar kasollet e magazinat tona, tubat plastikë, plasmasin, brekët e banjos, sutjenat dhe shamitë e hundëvet?.. Të paktën disa prej këtyre, pse s’i prodhojmë vetë? Pse t’i blejmë të gjitha këto përjashta e askush prej popujvet të tjerë të mos thotë: Po shkoj t’i blej në Shqipëri këta mallra, se ata i prodhojnë më mirë se kushdo tjetër!
Pse nuk kemi lulishte të mjaftueshme nëpër qytetet tanë? Të mjaftueshme dhe të bukura, për të ndenjur e për t’u kënaqur në to e jo të mbushen njerëzit me nerva edhe kur kalojnë rastësisht andej!?
Pse kemi kaq shumë vrasje njerëzish deri edhe në familje? Pse vriten shqiptarët njëri me tjetrin? A pak na kanë vrarë të huajtë e prapë po na vrasin?!
Pse ka në Shqipëri vjedhje dhe grabitje, aq sa në momente të veçantë, familja të mos bëjë dot gjumë të qetë? Aq shumë vjedhje ka, sa ke frikë, ta lësh makinën përpara shtëpisë! Pse ka kaq shumë vjedhës, sa njeriu të mos rrijë dot i qetë as në autobusin urban? Pse ka kaq shumë vjedhës, sa emigranti ynë atje në megrim, duhet të ruhet më shumë prej bashkëkombasvet të vet, se sa prej vendasvet të atjeshëm?
Pse ne u bëmë të famshëm në Ballkan e në Evropë psh për “industrinë” e pasaportavet falso e nuk u bëmë të famshëm psh për zhvillimin e kapitalit financiar, si ruajtës të besueshëm të depozitavet bankare dhe të ishim pasuruar me këtë rrugë, jo me “industrinë” e falsifikimit të dokumentevet?!
Pse u bëmë të famshëm për kalimin e klandestinëvet nëpër Adriatik e Jon e nuk u bëmë të famshëm psh për zhvillimin e nautikës sportive e turistike në brigjet e detravet tanë dhe në liqenet tanë? Të kemi 5 a 6 porte për jahte e për kano.
Pse na ndodhën aq shumë shkatërrime në 91-shin e në 97-n? Aq shumë nxjerrje jashtë përdorimit të uzinavet, të fabrikavet, të kombinatevet, të hekurudhavet, shkatërrim i flotës detare, asgjësim i plotë i vreshtavet?! Prerje pa dhembje e agrumevet, e ullinjvet, e arravet, e pishavet! Djegie të pishnajavet! Plaçkithje të magazinavet! Djegie të arkivavet! Vjedhje dhe shitje kushedi se ku të objektevet muzealë me vlera për Kombin tonë! Thyerje vandale të xhamavet të seravet tona të shumta! Zmontim i të gjithë instalimevet nëpër miniera! Pse na ndodhën të gjitha këto e nuk ndodhën ato të tjerat, që thamë pak më parë? Pse nuk i ndodhi Kombit tonë e kundërta, që t’i kishim ruajtur ato që i kishim bërë në kohën e diktaturës dhe të kishim ndërtuar të tjera edhe më të mira e më moderne pas diktaturës?! Diktatura, të themi atë që është, u vu në vendin tonë me plane të studiuar mirë. Po kundërdiktatura, pse s’u pru me një plan të pëlqyeshëm, që çdo gjë të shkonte për së mbari?! Psh, të projektonte shkencërisht mënyrën se si do të krijohej klasa kapitaliste në Kombin tonë!
Pse kemi kaq shumë të burgosur ne shqiptarët nëpër burgjet e Shqipërisë dhe nëpër Evropë? Në Greqi, në Itali, në Zvicër, në Gjermani. Pse një pjesë e Kombit tonë nuk di të jetojë jashtë burgjevet, por “ia ka qejfi” të futet atje e të myket atje?!
Pse po e poshtërojnë veten kaq shumë prostituta shqiptare nëpër Botë? Pse po e poshtërojnë veten dhe pse po e turpërojnë Kombin, të cilit i përkasin? Dhe pse kemi midis nesh kaq pseudofilozofë, kaq pseudoshpjegues të këtij fenomeni poshtërues gjithënjerëzor, që me një gjysmë fjalie e nxjerrin të ligjshëm, e justifikojnë këtë fytyrë tonën prej kurve?! Këta pseudofilozofë “opinionistë” e bien nganjëherë aq të natyrshëm prostitucionin, sa dëgjuesit i vjen keq, i vjen inat, pse s’i ka edhe ai nënën apo motrën prostituta.
Pse po na shfaqen me mijëra përdoruesit e drogës nëpër Shqipëri, po edhe jashtë Shqipërisë, nëpër rrugicat e shkallaret e ndyta të qytetevet? A s’mund të rrijë shqiptari pa e provuar edhe ky atë “ëmbësirë” që i ka shkatërruar e po i shkatërron edhe kombe më të fuqishëm se ne?! Pak i kemi të këqiat e tjera?! Apo, atje ku rrojnë lakuriqët e natës, rrojnë edhe kërmijtë e krimbat!?
Pse ne shqiptarët kemi kaq shumë korrupcion në të gjitha zyrat tona? A nuk mund të rrojë shqiptari pa marrë ryshfet? A nuk mund të rrojë shqiptari pa dhënë ryshfet?
Pse Kombi shqiptar ka më shumë kontrabandistë se tregtarë normalë, të rregullt e që do të vepronin brenda ligjevet të biznesit shtetërisht të miratuar? Pse kaq shumë kontrabandistë sheqeri, vaji, kafeje e makaronash, kontrabandë nafte, kontrabandë armësh? E, në mos pastë naftë e armë, atëherë le të bëjmë kontrabandë viçash “të Maqedonisë”! Pse kaq shumë trafikantë droge, madje edhe me “karrierë” botërore? Pse kaq shumë trafikantë njerëzish? Pse kaq shumë trafikantë të organevet njerëzorë dhe të foshnjavet? Pse të ketë shqiptar që e kërkon burimin e pasurimit deri edhe te lypësat e mjerë dhe te sakatët, te njerëzit pa këmbë, pa dorë, pa sy, te njerëzit gjysmamendsh, ulokë e idiotë? A i ka hije njeriut, po fjalën e kemi për shqiptarin, a i ka hije shqiptarit që të merret me një të tillë “tregti” kriminale e të ndyrë?! Të ndyrë moralisht, por edhe në pikëpamje vizuale, ta marrë dreqi!
Në fund të fundit, përse ne shqiptarët kemi një krim kaq “mirë” të organizuar e nuk kemi një shtet, 2 shtete apo 3 shtete të mirorganizuar?! Pse njerëzit tanë dinë të organizohen “shumë bukur” për të bërë krime, por nuk dinë të organizohen për të pasur një administratë shtetërore të denjë për një komb të moçëm?! Krimi i organizuar i yni është i aftë të vërë edhe shtetin në shërbim të tijin, ndërsa shteti nuk është i aftë të organizojë shtetasit e vet për t’u pasuruar me punë të mira. Ka edhe në vende të tjerë krim të organizuar. Por ne nuk po duam të flasim tani për këtë punë. Ne nuk po duam ta shtrijmë këndvështrimin tonë në drejtim të vetëjustifikimevet. Ne po duam të ndalemi vetëm këtu: Përse ne shqiptarët të jemi të aftë, të ORGANIZOHEMI për të bërë punë të këqia e nuk qenkemi të aftë të ORGANIZOHEMI për ta bërë Atdheun tonë përditë e më të bukur, përditë e më të pasur, përditë e më të lakmueshëm e të pëlqyeshëm, në radhë të parë për vetë ne, të zotët shumëshekullorë të këtyre tokave e ujërave, e pastaj edhe për të tjerë?! Për ne, që të mund të rrojmë këtu me ëndje edhe për shumë shekuj të tjerë, ndërsa për të huajtë, të vijnë e të na shohin dhe të shkojnë prapë nëpër vendet e tyre.
– Shkëputur nga libri: Strategjia e Shqiptarëvet, Tiranë 2011.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura