GJOKË DABAJ: TRE PROBLEME TË RËNDËSISHËM PËR SHQIPËRINË E MESME LINDORE

Pashtriku.org, 22. 01. 2014 – PROBLEMI I PARË: TERMINOLOGJIA PATRIOTIKE (SHKENCORE). – Fjala është për atë pjesë të Shqipërisë që sot përfshihet në shtetin e Ish-Rep.Jug. të Maqedonisë. Quhet (duhet quajtur) Shqipëri e Mesme Lindore, sepse Shqipëri Verilindore janë Rep.e Kosovës dhe Anamorava, ndërsa Shqipëri Juglindore janë disa pjesë të Shqipërisë që sot gjenden në Rep.e Greqisë, si dhe Korça, Pogradeci e ndonjë trevë tjetër. Quhet Shqipëri e Mesme Lindore edhe për arsyen se pjesa nga Drini i Zi, për të cilin Lasgush Poradeci thotë se rrjedh “mes për mes ndë Shqipëri”, e deri në brigjet e Adriatikut, është Shqipëria e Mesme Perendimore.
Mirëpo, për të gjitha këto që thashë këtu, shkencat tona përkatëse, e në radhë të parë gjeografia, dheshkronja, dhepërshkruesja, në rastin tonë: atdhepërshkruesja, deri më sot, me sa duket, as që e ka vënë këtë ujë në zjarr, le më të ketë nxjerrë diçka në dritë. Pasojë pikërisht e një të këtillë papërgjegjësie, në simbiozë me paaftësinë e me injorancën e shkencëtarëvet përkatës, është krijuar tashmë një varg anomalish në krejt terminologjinë patriotike shqiptare.

Shqipëria e Mesme Lindore, pjesa e Shqipërisë që sot përfshihet në shtetin e Ish-Rep.Jug. të Maqedonisë.

Terminologjia jonë patriotike është sot problem shumë i madh ndër të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Nuk them se është problemi më i madh, por gjithsesi është problem shumë i madh. Problemi më i madh i shqiptarëvet në ditët e sotme është KOORDINIMI I VEPRIMEVET, bashkëpunimi. Ose, thënë më saktë, MOSKOORDINIMI I VEPRIMEVET, mosbashkëpunimi: në EKONOMI, në KULTURË E ARSIM, në POLITIKË E DIPLOMACI, si dhe në ndonjë fushë tjetër që nuk po e përmend këtu, sepse zgjohen mizat në kokat e mizambledhësvet.
Terminologjia jonë patriotike bën pjesë në KULTURËN dhe në ARSIMIN tonë. Edhe shprehja TERMINOLOGJI PATRIOTIKE duket se zgjon miza në kokat mizaushqyese, ndaj po përpiqem ta shpjegoj disi më thjeshtë. Do mbajtur parasysh që terminologjia jonë patriotike duhet të jetë njëkohësisht edhe e arsyetuar shkencërisht. Kjo, për arsye se, që të gjitha terminologjitë e popujvet rreth nesh nuk janë aspak shkencore. As terminologjia greke, e konsideruar patriotike, nuk është shkencore, as ajo e Sërbisë, as malaziasja dhe as terminologjia bullgare apo sllavomaqedone. Ky është problem shumë i madh i ballkanologjisë.
Terminologjia patriotike shqiptare nuk nënkupton gjithmonë fjalë që i përdorin apo duhet t’i përdorin njerëz të “sferavet të larta”. Me terminologji patriotike unë kuptoj një mori fjalësh e shprehjesh të katundarëvet tanë, të qytetarëvet tanë nga të gjitha shtresat e profesionet, të emigrantëvet tanë kudo që jetojnë, të nxënësvet tanë dhe të studentëvet, e kështu me radhë.
“Nga je ti?” “Nga Vishtica.” “Ku bie kjo Vishtica?” “Në Maqedoni, afër Kumanovës.” Qe, ku u bë GABIMI! Në vend që të thotë “Në Republikën e Maqedonisë”, ai thotë “Në Maqedoni”.
“Nga je ti?” “Nga Maqedonia, katundi Bullaçan.” “Nga Shisheva në Maqedoni.” “Nga Krupçani i Maqedonisë.” “Nga Raçica, Tetova e Maqedonisë.” “Nga Shipka në Maqedoni.” “Nga Bukoçani në Maqedoni.” “Nga Llabunishta në Maqedoni.” “Nga Radolishti në Maqedoni.” “Nga Skudrimi në Maqedoni.” “Nga Nerezi në Maqedoni.”
Në harkun e 2 orëve mund të bëhen 10 MIJË GABIME të kësaj natyre. Pastaj, kur të pyesësh: “Çka je ti?”, përgjigjja është: “Jam shqiptar.” “Komshinjtë a i ke shqiptarë?” “Jo, bre, janë maqedonas.”
Fill mbas këtij bisedimi fare të vogël, lind një ngatërresë shumë e madhe. “Ti je shqiptar nga Maqedonia. A je maqedon?” “Jo.” “Kuptohet vetëvetiu që jo, se fqinji yt është maqedon. Rrjedhimisht, ti je imigrant, racë imigrantësh në Maqedoni. Deri sa nuk je maqedon e jeton në Maqedoni, kjo do të thotë që ti je atje i shkuar. E ke vërtetuar vetë, me gojën tënde, atë farë ‘ENCIKLOPEDIE’ që thotë se shqiptarët janë ‘TË ARDHUR’.” Kur thua “Jam nga Maqedonia” e njëkohësisht pohon që nuk je maqedon, që DIKUSH TJETËR është maqedon e jo ti, vetëvetiu dhe naivisht, ti ke pohuar atë që e ka thënë në mënyrë JOSHKENCORE e quajtura ‘ENCIKLOPEDI’ e sllavëvet të atyshëm.
“Po ti, a nga Shqipëria je?” “Po.” “Nuk kam qenë kurrë në Shqipëri. Kam qejf me ardhë.” Qe, pësëri u pohua që një banor i Vishticës, i Bullaçanit, i Shishevës, i Krupçanit, i Raçicës, i Shipkës, i Bukoçanit, i Llabunishtës, i Radolishtit, apo i Skudrimit, nuk jeton në Shqipëri. Po ku jeton ky popull? Ky popull jeton diku jashtë Shqipërisë, në një vend që quhet Maqedoni, e prandaj ky popull, deri sa është popull shqiptar e nuk jeton në Shqipëri, po e pohon me gojën e vet që është i HUAJ në vendin ku e ka zënë nata.
Nëpër shkolla, në lëndët e gjuhës, gjeografisë apo historisë, problem më vete është se si shpjegohet a përdoret fjala ATDHE. Si thuhet në tekstet shkollorë të Ish-Rep. Jug. të Maqedonisë, cili është ATDHEU i nxënësvet që i përdorin ata tekste? Për nxënësit shqiptarë të atjeshëm, a është Maqedonia ATDHEU i tyre dhe ku ndodhet ai ATDHE? Nëse është Maqedonia ATDHEU i nxënësvet shqiptarë të atjeshëm, Shqipëria ç’është për ta?
Në përdorimin e PËREMRAVET PRONORË, si veprojnë mësuesit e profesorët shqiptarë në Ish-Rep.Jug të Maqedonisë? Shkrimtari YNË, shkencëtari YNË, kryengritja e popullit TONË (psh, ajo e Labërisë), zhvillimi i arsimit në vendin TONË (Fill mbas Luftës së Dytë, kur Ndrec Ndue Gjoka hapi 50 shkolla), Kongresi i Alfabetit u mbajt në njërin nga qytetet TANË, kështjellat TONA (Ajo e Rozafës, ajo e Prizrenit), qytetet TANË (Presheva, Peja, Gusia, Lushnja, Preveza, Struga), industria JONË, gazetat TONA.
Psh a thuhet, në shkollat shqiptare të Shqipërisë së Mesme Lindore, që Durrësi është porti YNË kryesor? Në Dublin thuhet (në tekstet shkollorë) që Belfasti ndodhet në Irlandën Veriore, sado që ai qytet, qyteti Belfast, shtetërisht i përket Mbretërisë së Bashkuar. A thuhet (në trekstet shkollorë) që Shkupi është qytet në Shqipërinë e Mesme Lindore? Jo. A thuhet: “Republika e Shqipërisë (Jo: Shqipëria!) është një nga shtetet TANË.” Por edhe nxënësit shqiptarë, psh në Lezhë, a thonë: “Tetova është njëri prej qytetevet TANË. Shkupi është një qytet gjeografikisht i YNI në brigjet e Vardarit”? (Po e theksoj: Në kuptimin gjeografik, jo në kuptimin shtetëror.) Nxënësvet shqiptarë të një shkolle të mesme në Tetovë sigurisht që u thuhet: “Jeronim De Rada dhe Naim Frashëri janë ndër poetët më të shquar të Rilindjes SONË. Por, për dallim nga Jeronim De Rada, Naim Frashëri, a ka lindur këtu, në vendin TONË?”
Të gjitha këto VËSHTIRËSI, EDHE NË PËRDORIMIN E GJUHËS, na i ka sjellë COPËTIMI i atdheut tonë, robëria nën të huaj, por edhe PAKUJDESIA e pafalshme, deri në shkallën e injorancës, sidomos e njerëzvet të shkencavet tona filologjike.
Tani ka ardhur koha që njerëzit e ditur të këtij Kombi të ndalen, të diskutojnë dhe të përcaktojnë kriteret. Duhet sa më parë të krijohet INSTITUCIONI i Përkujdesjes Gjithshqiptare, me atributet e një organizmi madhor, jo më të parcializuar, të copëzuar, por unik dhe të aftë për të vepruar kudo ku jetojnë shqiptarët. Rrugë tjetër nuk ka.
Në terminologji të bëhet, qartë edhe prerë, dallimi midis nocionit SHTET dhe nocionit ATDHE. Të risanksionohet emërtimi GJEOGRAFIK i Shqipërisë, në dallim nga emrat e shtetevet në të cilët bën pjesë Shqipëria. Them: Të risanksionohet, sepse ai emërtim ka qenë i sanksionuar në kohën e Rilindjes, por është prishur nga JORILINDËSIT tanë të mëvonshëm.
Jo të gjitha pjesët gjeografike të Meksikës përfshihen në shtetin e Meksikës, por ato gjithsesi vazhdojnë të quhen Meksikë. Nuk ka asnjë arsye që pjesët e Shqipërisë Gjeografike, që hyjnë në përbërje të shtetit të quajtur maqedon, të mos trajtohen si truall gjeografik shqiptar edhe ndërkombëtarisht. Le të jenë pjesë të atij shteti, por le të ruhet emërtimi SHQIPËRI E MESME LINDORE. Gjiri i Meksikës është, në pjesën më të madhe, det i SHBA-së, por nuk quhet “Gjiri i Shtetevet të Bashkuar të Amerikës”. Quhet Gjiri i Meksikës, edhe në tekstet shkollorë të SHBA-së. Atëherë, pse të mos thuhet që Vardari buron në malet e Shqipërisë Lindore?
Nocioni Shqipëri, siç thashë, është krijuar në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare. Turqit i thoshin Arnautistan, ne i thoshim Shqipëri, të huajt i thoshin Albania. Edhe nocioni Maqedoni ka një datë, një kohë, kur është krijuar, por Shkupi e Dibra kurrë nuk kanë qenë përfshirë brenda atij emërtimi. Ne shqiptarët e kemi qartësisht të përcaktuar, po them prapë, qysh prej Rilindjes sonë, çfarë quhet Shqipëri dhe s’kemi arsye ta ndryshojmë. Dua të them: Copëtimi në pikëpamje shtetërore-administrative s’ka pse të bëhet shkak edhe për ndryshimin e emërtimevet në gjeografi.
Le të shtrohet dhe le të diskutohet: Deri ku shtrihet emërtimi Maqedoni? Ose, të themi më saktë: Deri ku lejohet të shtrihet ky emërtim, pa prekur traditat e popujvet të tjerë, Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë? Le të shqyrtohet edhe: Cila është lidhja e këtij emërtimi me sllavët? Ashtu si edhe: Cila është lidhja e emërtimit Maqedoni me grekët?

Është fakt i pamohueshëm se vetëm 10% e shtetit që sot quhet Ish-Rep.Jug. e Maqedonisë, është truall i Maqedonisë Antike. Të gjitha pjesët e tjera janë territore, ose të lynkestëvet, ose të penestëvet, ose të pajonëvet, ose të dardanëvet. A është shkencërisht e arsyetuar që Lynkestia e dikurshme të quhet Maqedoni? A është shkencërisht e pranueshme që Penestia e dikurshme të quhet sot Maqedoni? A është shkencërisht e justifikueshme që Pajonia Antike, parahomeriane, dhe një pjesë e Dardanisë Antike, të thirren sot Maqedoni? As maqedonasit e vjetër nuk kanë arritur dot t’i bëjnë të tyret këto pjesë të Ilirisë. Mirëpo, Shqipëri mund dhe duhet të quhen këta vende, sepse vetë banorët e tyre ia kaluan historisë ata emra. Shqiptarët ia kaluan historisë emrat e vjetër, jo që ta invadojë këtë territor emri i një vendi, të zotët autentikë të të cilit ka kohë që nuk ekzistojnë, por që ta quajnë ashtu siç iu pëlqen atyre.
Historia bëri që ne shqiptarët, atdheun e dikurshëm të lynkestëvet, penestëvet, paionëvet, dardanëvet, molosëvet, thesprotëvet, kaonëvet, dasaretëvet, parthinëvet (më saktë: bardhinëvet), taulantëvet, pirustëvet e labeatëvet, ta quajnë me një emër të përbashkët: SHQIPËRI.
Historia bëri që, edhe sllavët e ardhur në shekullin VII dhe të vendosur në truallin e Maqedonisë Antike, ta përvetësojnë emrin e asaj Maqedonie dhe veten ta quajnë maqedonë. Kjo është puna e tyre dhe e drejta e tyre historike, por ata nuk kanë të drejtë t’i quajnë Maqedoni tokat e lynkestëvet, penestëvet, paionëvet dhe dardanëvet, përderisa pasardhësit e këtyre formacioneve antikë janë ende gjallë dhe e kanë emrin shqiptarë. Kjo duhet të diskutohet në rangje akademish, me pjesëmarrjen e dijetarëvet të të 2 kombevet tanë, por edhe duke marrë mendimin e ballkanologëvet të tjerë, ballkanas e joballkanas. Të debatohet kjo, me qëllim për ta zgjidhur problemin sa më drejt, së pari në nivelet shkencorë dhe pastaj të merren me këto punë edhe politikanët dhe organet shtetërorë të njërit shtet, të shtetit që sot quhet Ish-Rep.Jug. e Maqedonisë, apo edhe të disa shteteve , me të cilët lidhet ky problem.
Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që çështje të ndryshme, qoftë edhe të TERMINOLOGJISË GJEOGRAFIKE, të kalohen e të vendosen pa u pyetur edhe ata. Banorët e Vishticës, Bullaçanit, Shishevës, Krupçinit, Raçicës, Shipkës, Bukoçanit dhe Skudrimit, nuk mund dhe nuk duhet të pranojnë që vendet e tyre të quhen Maqedoni, sepse këta vende nuk kanë qenë kurrë pjesë e atij shteti të lashtë. Këta banorë, dhe nja 1 milion rreth tyre, janë shqiptarë dhe jetojnë NË SHQIPËRI, në kuptimin e saj GJEOGRAFIK. Se si do ta quajnë veten sllavët e këtyre hapësirave, është punë e tyre, por vendevet të SHQIPËRISË ata nuk kanë asnjë të drejtë t’ua ndryshojnë emrin.
Përfundimisht, me qenë se edhe shqiptarët, edhe sllavët, jetojnë, për shkak të rrethanavet historike, në një shtet të përbashkët, EDHE PËR EMRIN E ATIJ SHTETI, doemos që duhet të pyeten të 2 palët. Greku, për emrin e këtij shteti, mund të pyetet si fqinj, por edhe si shtet që e ka edhe ai një pjesë të asaj Maqedonie të dikurshme. Natyrisht që, për emrin e këtij shteti duhet të konsultohen edhe bullgarët, por të drejtën e vendimmarrjes e kanë vetëm ata shqiptarë që jetojnë në atë shtet dhe vetëm ata sllavë që jetojnë në atë shtet.
PROBLEMI I DYTË: SHQIPËRIA E MESME LINDORE DHE ANTIKITETI
Çështja e dytë, pra, shumë e rëndësishme për shqiptarët e Shqipërisë së Mesme Lindore, dmth për shqiptarët që sot jetojnë në shtetin që quhet, konvencionalisht dhe përkohësisht, Ish-Rep.Jug e Maqedonisë, është ajo e qëndrimit ndaj ANTIKITETIT.
Sllavët e atij shteti po bëjnë shumë dhe po shpenzojnë shumë, edhe nga paratë e shqiptarëvet, në përpjekje për ta lidhur veten, si me Antikitetin, ashtu edhe me Mesjetën. Në kohën e Antikitetit ata nuk ishin këtu, megjithatë, po mundohen të kapen edhe te ajo kohë, sepse janë të detyruar të kapen diku. Çdo popull kërkon të kapet te e kaluara, përndryshe, nuk ka as të ardhme. Pikërisht kësaj kërkon t’i shërbejë edhe përvetësimi prej sllavëvet i emrit etnik të Maqedonisë, edhe përvetësimi e nderimi prej sllavëvet i Aleksandrit të Madh, edhe përdorimi i flamurit të Maqedonisë Antike për simbol të kombit të tyre.
Ngritja e monumentit të Aleksandrit të Madh në qendër të Shkupit është e ngjashme, në mos njëlloj sikur zezakët e Kongos t’i ngrejnë monument Napolon Bonapartit, ndonëse Napoloni s’ka shkelur kurrë në Kongo dhe ndonëse zezakët e Kongos nuk janë francezë.
Megjithkëtë, kjo mbetet punë e tyre dhe ata nuk mund e madje as duhet të ndalohen, as për t’u quajtur maqedonë, as për ta konsideruar Aleksandrin e Madh si bartës të lavdisë së asaj Maqedonie, as për ta përdorur flamurin e Maqedonisë si flamur të vetin. Mirëpo, as shkenca shqiptare, as mediat tona, sidomos të atjeshmet, nuk duhet kurrsesi të mbeten pa i sqaruar disa gjëra. Sllavomaqedonëvet u duhet shpjeguar që ata vërtet e kanë marrë emrin maqedonë, por nuk janë pasardhësit etnikë të maqedonëvet të lashtë. “Maqedonët e lashtë”, u duhet thënë sllavomaqedonëvet të sotëm, “kanë qenë, si etnitet, më afër formacionevet të Ilirisë, se sa me cilindo tjetër etnitet të asaj kohe. Maqedonët e lashtë nuk kanë qenë grekë. Atëherë ata nuk kanë mundur të jenë gjë tjetër, përveç ilirë ose një etnitet me kaq apo aq dallime nga ilirët e tjerë. Kështu, Aleksandri i Madh mund të merret edhe si njëri prej paraardhësvet tanë, dmth të shqiptarëvet, dhe ju mund ta doni e ta adhuroni atë vetëm si të tillë.”
FLAMURI i Aleksandrit të Madh është historikisht MË SHUMË I YNI, i shqiptarëvet, se sa i sllavomaqedonëvet. Pra, ai flamur i AFRON sllavomaqedonët me bashkështetasit e tyre shqiptarë, sado që shqiptarët kanë zgjedhur për flamur të vetin, me shumë të drejtë, flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili nuk është më pak i lavdishëm se ai i maqedonëvet të lashtë. Këto e shumë gjëra të tjera shqiptarët kanë për detyrë t’ua shpjegojnë e rishpjegojnë atyre sllavëve që po e quajnë veten maqedonë. Në suazën e kësaj logjike, në kornizën e kësaj logjike, të mbështetur në të vërtetat e historisë, ne nuk na pengojnë aspak orientimet e tyre në drejtim të lashtësisë. Natyrisht, kur aty nuk ka falsifikime.
Mirëpo, kur sllavët, të ardhur aty në shekullin VII ose më vonë, e adhurojnë Antikitetin, ne shqiptarët na takon SHUMË HERË MË TEPËR se atyre ta RIKTHEJMË në kujtesë atë kohë. Pikërisht kjo është njëra nga kërkesat më të ngutshme të shqiptarëvet të asaj pjese të Shqipërisë. E them këtë, sepse PERIUDHA E SUNDIMIT TË PERANDORISË OSMANE në vendin tonë e ka LARGUAR RRËNIMISHT kujtesën tonë historike nga shekujt e Antikitetit dhe, populli ynë, jo vetëm në atë pjesë të Shqipërisë, por në krejt Shqipërinë, di shumë pak për jetën e vet në ata shekuj të hershëm. Jo vetëm sundimi i Perandorisë Osmane, por edhe sundimi i perandorëvet sllavë, në shekjt IX e këndej, e ka shkëputur kujtesën tonë prej periudhavet të mëhershme. Kisha Pravosllave, e konkretizuar në veprimtarinë e Patriarkanën së Ohrit, duke i marrë për vete ingjerencat e KISHËS SË ILIRIKUT LINDOR të Shkupit, të së quajturës Justiniana Prima, themeluar prej Justinianit të Madh, ka vazhduar ta largojë kujtesën tonë prej Antikitetit EDHE në kohët kur mbretëritë e perandoritë sllave të atyre shekujve kishin pushuar së ekzistuari. I shtojmë kësaj edhe veprimtarinë e Kishës Greke, antiilire, antiarbërore dhe antishqiptare në të gjithë shekujt e ekzistencës së vet, dhe atëherë do ta kuptojmë qartë sa vështirë e ka kultura shqiptare të rilidhet me atë epokë, e cila nuk është më pak e lavdishme se e kaluara e cilitdo popull tjetër.
Duhen shënuar e përcaktuar qytetet e paionëvet, pelagonëvet, lynkestëvet penestëvet e dardanëvet, duke i shndërruar rrënojat e tyre në objekte të vizitueshëm. Duhen vënë pllaka e tabela, që njerëzit ta dinë ç’ka ndodhur në këta vende para Romës dhe në kohën e Romës. Të tregohen luftërat që kemi bërë ne kundër invazionevet këmbëngulës të romakëvet dhe përpjekjet tona për të mbijetuar edhe pasi romakët na kanë pushtuar. Duhet të vihen në dukje sidomos arritjet e ilirëvet nga shekulli III e këndej dhe mënyra se si ata ia dolën të MARRIN PUSHTETIN, më në fund, në atë perandori të madhe. Është e domosdoshme të mbushet vendi me shenjat e historisë, në mënyrë që, as ne vendësit, as të huajt, kushdo qofshin ata, të mos mund të nxjerrin konkluzione të gabuar.
Një rëndësi të veçantë, shqiptarët e SHQIPËRISË SË MESME LINDORE duhet t’i kushtojnë kohës së perandorëvet Justini i Parë, Justiniani i Madh dhe krejt asaj dinastie perandorësh TANË, pa të cilët as që do të mund të mendohej krijimi dhe mbajtja në këmbë e Perandorisë Romake Lindore dhe pa të cilët arbërit e Mesjetës nuk do të mund të siguronin vazhdimësi. Historiografia duhet ta sqarojë, që shtetin e Perandorisë Romake Lindore, që më vonë mori emrin Perandoria e Bizantit, në shekujt V dhe VI e kemi qeverisur NE. Justiniani i Madh është njëri ndër perandorët më të mëdhenj që njeh historia dhe më i madhi perandor i Perandorisë Romake Lindore. Është nga rrethina e Shkupit dhe madhështia e tij u bën nder të gjithë shqiptarëve, po veçanërisht shqiptarëvet të Shkupit. Atëherë, përse të mos ia ngrejnë shqiptarët e Shqipërisë së Mesme Lindore një monument Justinianit të Madh mu në sheshin kryesor të Shkupit?! Jo vetëm Justinianit të Madh, por edhe Justinit të Parë, xhaxhait të Justinianit, i cili, veç tjerash, e rriti, e shkolloi dhe edukoi nipin e vet pikërisht për ta bërë perandor.
Shkaku, pse nuk ka ndodhur deri tani që shqiptarët nuk kanë kërkuar me këmbëngulje për të ngritur të këtilla përmendore, do kërkuar te prapambetja që i ka lënë Kombit tonë SUNDIMI I GJATË OSMAN. Nëse nuk do ta kish pushtuar Perandoria Osmane vendin tonë, ka gjasa, ndonëse jo 100% të sigurta, që në Shkup ne të kishim pasur UNIVERSITET e pakta qysh në shekullin XV (kur e kish edhe Durrësi) dhe atëherë nuk do të kish ndodhur që Sheshin e Shkupit ta “zbukurojnë” sërbofilët me Cardushanër. Megjithkëtë, më mirë vonë se kurrë. Ne duhet të zgjohemi, në mënyrë që të mund të veprojmë tash e tutje MË ME MENÇURI.
Duhet të bëhen gërmime, duhet të krijohen muzeume kushtuar LASHTËSISË dhe këtë punë duhet ta bëjnë SHQIPTARËT, para sllavëvet dhe më shumë se sllavët. Ekspeditat e arkeologëvet duhet të udhëhiqen nga SHQIPTARËT, pa mohuar, natyrisht, edhe të drejtën e bashkështetasvet sllavë për t’u marrë me të gjitha fushat e dijevet. Mirëpo, jo me pseudodije! Sllavët le ta lidhin dhe le ta ndërtojnë kulturën e tyre, duke respektuar të vërtetat që u ka rezervuar këtyre hapësirave e kaluara.
Dijetarët shqiptarë duhet ta kuptojnë që, edhe pa filluar me Antikitetin, ne mund të merremi me kohët më të vona, por atëherë rezultati do të jetë I GJYMTUAR. Jo më kot rilindësit tanë u morën fuqimisht pikërisht me Antikitetin. Po marr vetëm 2 shembuj: Ne mund të kërkojmë për të ngritur një xhami të madhe në mes të Shkupit dhe kjo është e drejta jonë, sepse edhe xhamia është përfaqësuese e kulturës SONË. Ne mund të kërkojmë që Shtëpa Muze e Nënë Terezës të ngrihet aty ku i takon. Dhe kjo është prapë e drejta jonë e pakontestueshme. Por pesha e kërkesës sonë do të ishte shumëfish më e themeltë, kur në Shkup të ngrihej madhështor një JUSTINIAN i YNI. Një Justinian i Madh dhe një komleks i rikonstruktuar arkitekturor i Kishës së Ilirikur Lindor, themeluar aty pikërisht prej atij perandori. Prej Justinianit TONË!
PROBLEMI I TRETË: MARTIRËT SHQIPTARË TË 2 SHEKUJVET TË FUNDIT NË SHQIPËRINË E MESME LINDORE
Në shekujt XIX e XX toka e Shqipërisë së Mesme Lindore është mbushur me varre martirësh si rrallë ndonjë tokë tjetër në faqe të Dheut. Shqiptarët e sotëm të asaj pjese të Shqipërisë ecin mbi eshtrat e gjyshërvet të tyre, të masakruar me qindra e me mijëra. Dokumentet e historisë flasin për ploja e masakra të shumta, filluar prej Kumanovet e deri në Manastir, filluar praj Velesit e deri në Dibër.
Detyra e ngutshme e shqiptarëvet të sotëm, Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Ohër, Strugë, Mnastir, Resnjë etj, është: Ta mbushin vendin e tyre me përmendoret e QË TË GJITHË atyre martirëve. Me emra, me numra të vrarësh, me mënyrat si janë vrarë dhe me emrat e autorëvet që i kanë kryer ata krime. Përmendoret e atyre të masakruarve, promenmorjet e atyre të masakruarve, duhet të bien në sy edhe nga madhësia. Disa prej tyre, ato që vërtet duhet të lënë mbresat përkatëse, do të duhej të kishin deri lartësinë e ndërtesavet 3-katëshe. Le t’i shohë Bota prej së largu!
Unë po sjell këtu vetëm një pjesë, pra, vetëm një pjesë, të dhënash nga shekulli XX, marrë nga libri “Genocidi sërbomadh dhe qëndresa e shqiptarëvet” me autor Shaban Brahën.
1912.
Dokumentet thonë që, pranë stacionit të hekurudhës në Kumanovë, 700-800 të ikur u vranë duke i copëtuar sikur të ishin kafshë. (f.185) Këtyre martirëve, nëse s’u është ngritur deri tani, u duhet ngritur sa më parë monumenti përkatës.
Në afërsi të Shkupit, thuhet në një dokument tjetër, u masakruan 2000 shqiptarë. (f.184) Edhe këtu duhet doemos një përmendore, me lartësinë sa një ndërtesë 3-katëshe ose më e lartë. Sepse nuk janë 2 shqiptarë, por janë 2000, prej të cilëvet sot do të mund të kishim kushedi sa sportistë, sa shkencëtarë, sa muzikantë, sa arkitektë e sa industrialistë.
Or zotëri! A di ç’do me thënë 2000 njerëz?! A di ç’do me thënë 7-800 njerëz?!
1913.
Në Sop të Kërçovës. “Nga 1 sërb u lidhën të gjithë muhamedanët që kishin mbetur akoma në fshat, rreth 200 vetë, u çuan në xhami, u mbuluan me sanë dhe u dogjën të gjallë.” (f.222) Pikërisht në Sop u duhet ngritur një përmendore e madhe martirëvet që vdiqën aty në mënyrë aq të lemerishme.
Përdhunohen gjatë rrugës për Kërçovë dhe në fund vriten 10 gra e 9 vajza nga Fushëllazari i Ohrit. (f.217) Këto gra e vajza nuk mund të harrohen, prandaj shqiptarët duhet t’u ndërtojnë atyre përmendore në Fushëllazar.
Edith Durham shkruan për katundet e Gostivarit: “Ka fshatra me 100, 150 e 200 shtëpi, ku tani s’gjindet asnjë frymë. I mbledhin njerëzit në togje nga 40 ose 50 vetë dhe i shkojnë në bajonetë deri tek i fundit. Në Reçan të Gostivarit, sërbët, pasi pushkatuan 30 vetë, 200 gra, fëmijë e pleq, i mbyllën në 2 shtëpi dhe i dogjën të gjallë.” (f.203) Ç’mund të bëjnë tjetër banorët e sotëm të Gostivarit, nëse nuk do të kujdesen për t’u ngritur një monument të madh të gjithë atyre martirëve?!
Në Zdunjë të Gostivarit djegin 37, gra, fëmijë e burra. Të nesërmen 9 të tjerë i çojnë në Vakuf të Benicës dhe i masakrojnë. “Alije Maksutit, kufomë, iu gjet vajza 7-muajshe mbi gjirin e saj.” (f.203) Alije Maksutit t’i ngrihet aty një shtatore me gjithë foshnjën në gji. Në Zdunjë duhet një lapidar. Edhe në Benicë duhet të ngrihen, jo 1, por disa përmendore, sepse aty ka qenë vendi ku sërbët na kanë asgjësuar shumë njerëz.
Në Simnicë të Gostivarit djegin 113 shtëpi dhe vrasin 18 vetë. (f.203)
“Pas 8 ditësh, sekretari i nënprefekturës ftoi me emër 22 vetë, i lidhën gjoja për t’i çuar në nënprefekturë, dhe i masakruan në Vakuf të Benicës.” (f.204)
Në katundin Gjinovc të Gostivarit digjen 7 shtëpi me njerëzit brenda. Vetëm në 2 prej atyre shtëpive kish 17 vetë. (f.203)
Në Vërtok u pushkatuan 18 vetë dhe u groposën në Bigorë. 40 i kanë çuar dhe i kanë pushkatuar në Vakuf të Benicës (f.204) Ja, prapë Vakufi i Benicës, i ngjashëm me një cep të Mat’hauzenit, ku groposeshin hebrenjtë turma-turma! Mirëpo, hebrenjtë ua kanë bërë monumentet martirëvet të vet!
Në Kalisht të Gostivarit, rrugës për në Pozheran, kanë vrarë dhe kanë therur 43 vetë. (f.204) Aty duhet një godinë përkujtimore me 43 kamare, ku ditë-natë të digjen qirinj.
Në Çergan janë vrarë 32 vetë, duke i çuar për në Gostivar. (f.204)
Në Qafë të Gostivarit u masakruan 65 gra, pleq e fëmijë. (f.204). Medet! A mund të kalohet asaj qafe, pa i kujtuar ato viktima, që s’kishin bërë kurrnjë faj?!
Në secilin prej këtyre vendeve të vdekurit kërkojnë PËRMENDORE sa më madhështore. Kërkohen PËRMENDORE! S’ka kohë me pritë!
Qyteti i Dibrës, nga 20 mijë banorë, bie në 2 mijë banorë. (f.205)
Nëse NUK ka përmendore për këta 20 mijë të përzënë e të persekutuar, vetëkuptohet që edhe ndaj lumit të Radikës pushtetarët sllavë të Shkupit do të sillen si PUSHTUES TË PAPENDUAR. Vetëm atëherë kur vit për vit, jo veç në Dibër, por edhe në Shkup, do të mbahen me dhjetëra simpoziume përkujtimorë për të këtilla zezona, pushtetarët e kujtdoqoftë do të duhet të mendohen mirë, para se të vendosin për të devijuar lumenjtë TANË.
Numri i myslimanëvet të masakruar prej bandavet sërbe është… në Kërçovë 184, në Çallopek 47. Fshatrat Lop, Zajaz e Lesan, janë djegur dhe banorët flitet qenkan vrarë. (f.207)
Në Tetovë u arrestuan 400 shqiptarë myslimanë, dhe u ekzekutuan të shumtët gjatë transportit për në Shkup. (f.208)
Afër Shkupit u therën si berra 2000 (2 mijë) shqiptarë. (f.208) (Këtu mund të jetë fjala për po ata 2000 të vitit 1912. Hulumtuesit kanë detyrë të bëjnë sqarimet e duhur.)
Gjatë gjithë rrugës nga Tetova deri në Shkup, kalimtari, krah shtyllavet dhe shenjavet të qarkullimit, duhet të shikojë edhe LAPIDARË formash nga më të ndryshmet me mbishkrimet përkatës.
Në Ujëzi, pranë Drinit, 32 vetë u mbyllën dhe u dogjën në një shtëpi. (f.208)
1914.
Nga Manastiri u shpërngulën 20000 (20 mijë) vetë! (f.227) Tani e tutje, ata 20 MIJË vetë duhet të rikthehen në Manastir në formë SHTATORESH prej GURI. Nuk mund të kalohet aq kollaj sipër të tilla shpërnguljesh!
Nga Dibra (me rrethe) u shpërngulën 3000 (3 mijë) dibranë, që lanë shtëpitë të djegura dhe arat të shkretuara. (f.227)
20 mijë dibranë qenë dëbuar një vit më parë (Shih vitin 1913!), tani edhe 3 mijë. Le të rikthehen këta të shpërngulur në formë PËRMENDORESH dhe në formë SKULPTURASH të panumërta!
1919.
Në Tetovë vriten 30 vetë dhe digjen 636 shtëpi. (f.270)
Po vritet aksidentalisht një djalë dhe po i bën familja pllakë përkujtimore ndanë rrugës. Si të mos vëmë pllaka përkujtimore për të këtilla vrasje dhe për të këtilla djegie shtëpish?!
1920.
Në Dibër, sërbët kanë djegur më se 300 katunde. 30 mijë shqiptarë kanë ikur. (f.284 dhe 340)
Njeriu pyet: A ka ende njerëz të gjallë në Dibër?!
Fshati Poreçan i Dibrës shfaroset i tëri brenda 1 nate, sepse dikush prej atij fshati paskësh vrarë 1 xhandar. (f.284)
Në qoftë se, për të gjitha këto mizori të sërbëvet, do të KISHTE 1000 përmendore nëpër këtë pjesë të Shqipërisë, kush do të guxonte të sillte aty një Car Dushan që të krekoset për të vrarë prapë shqiptarë të tjerë?!
1921.
Në fshatrat e Gostivarit janë masakruar 408 shqiptarë, ndër të cilët 79 gra e 5 fëmijë. (f.292)
Në Gjeshovicë (të Gostivarit) u vranë 9 burra, u dogjën 13 të tjerë dhe 7 gra. Gjithsej 29 vetë. (f.292)
Në Kalisht të Gostivarit u vranë 43 vetë. (f.292)
1944.
Burgosur në Kumanovë dhe vrarë gjatë transportimit për në Vranjë, 100 vetë. (f.444)
Në Gostivar, pushkatuar mbi 100 vetë. Në Tetovë, 80 vetë. (f.437)
Në Derven të Shkupit, vrarë 200 vetë. (f.437)
Prapë në Gostivar, vrarë 20 vetë. (f.438)
Në Vrapçisht të Gostivarit, më se 150 vetë të vrarë. (f.438)
Në Zhegë të Gostivarit, therur me thika 12 vetë. “Pasi i zhveshën, i shpuan me thika e bajoneta “ “dhe pastaj i nxorën jashtë dhe i pushkatuan.” (f.438)
Kuptohet, i kanë grirë e gjakosur, pa i vrarë krejt, para se t’i pushkatonin. Por kjo nuk duhet të harrohet, ndërsa pasardhësit e atyre që i kanë kryer këta krime, o duhet të humanizohen, të bëhen më humanë, më njerëzorë, o nuk duhet të guxojnë të kalojnë këndej.
Arrestuar në Gostivar dhe pushkatuar në Kodrën e Gradishtit, 75 vetë. (f.438)
Në Pirok të Gostivarit, vrarë 27 vetë. (f.439)
Në kampin e Gostivarit janë pushkatuar më shumë se 300 vetë. (f.439)
Në Tetovë, Monopoli i Duhanit, ku gjindeshin më tepër se 10000 (10 mijë) vetë, janë masakruar mbi 1200 vetë. (f.439)
Po në Monopolin e Duhanit, i zgjodhën 500 djem të rinj, i dërguan për në Shkup, gjoja për t’i dërguar në forcat partizane… dhe i zhdukën. (f.439)
Na kujton kjo edhe masakrën që iu bë shqiptarëvet në Tivar, në prill 1945, gjithkështu në një Monopol Duhani. Dmth në një depo, ku grumbullohej duhani. Varet nga ne, a do të arrijë njerëzimi t’i ndëshkojë, të paktën moralisht, edhe këta asgjësues të shqiptarëvet, siç janë ndëshkuar gjithandej popujvrasësit! Varet nga ne, po them!
Në Gradac të Tetovës, vranë 35 vetë. (f.439)
Në Nikodinë të Tetovës, vriten 18 vetë. (f.439)
Në Raçicë të Madhe e të Vogël, vriten 40 vetë. (f.439)
Në Zajaz të Kërçovës pushkatohen 320 burra e djem të rinj, që nga mosha 13 vjeç e lart. (f.439)
Në Bojan të Shkupit pushkatohen 76 burra, gra e fëmijë. (f.439)
Në Bllacë të Shkupit vriten 160 burra dhe 50 fëmijë. (f.439)
Në fshatin Saraje të Shkupit vriten 25 vetë. (f.439)
Në Sopot të Kumanovës, bëjnë përdhunime (të gravet) dhe vrasin 20 burra. (f.440)
Në Shkup, pas gjithë këtyre që i renditëm dhe që s’janë veçse një pjesë e asaj çfarë në të vërtetë i ka ndodhur popullit TONË në atë pjesë të Shqipërisë, është e domosdoshme të krijohet një INSTITUT, i cili do ta studiojë ekskluzivisht këtë kapitull të zi, lemerisht të zi, të historisë sonë kombëtare.
Invadorët sllavë, që mezi ishin çliruar vetë prej pushtuesvet osmanë, prej fashistëvet italianë dhe prej nazistëvet gjermanë, nuk kishin të drejtë të bënin masakra mbi popullsinë tonë, dhe sot askush nuk ka të drejtë të na detyrojë për t’i harruar ato masakra.
Brezat e rinj të sllavëvet duhet të shohin ç’kanë punuar të parët e tyre mbi të parët tanë e kështu edhe brezat e rinj shqiptarë duhet t’i njohin zullumet që mund të kenë bërë feudalët tanë mbi popullsinë sllave. Të 2 palët do të mund të bashkëjetojnë në atë shtet, vetëm nëse secila palë dënon fajtorët e vet.
MONUMENTET duhet të glorifikojnë VIKTIMAT e jo SHKAKTARËT E VIKTIMAVET. Vetëm kjo filozofi do të mund të vendosë mirëkuptimin midis 2 popujve të atij shteti e, rrjedhimisht, vetë sllavët e Shkupit do të duhet ta heqin shtatoren e Car Dushanit prej vendit ku e ka vënë dikush, i cili nuk ua do të mirën pikërisht banorëvet sllavë të atij qyteti.
Këta ishin 3 problemet. Sigurisht, nuk janë të vetmit, por unë mendova që, në këtë vit të ri 2014, edhe në atë pjesë të Atdheut tonë, të paktën TË FILLOHET një punë që NUK ËSHTË BËRË ashtu si duhej bërë.
Gjokë Dabaj Durrës, dhjetor 2013 – janar 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura