GJOKË DABAJ: UNË I AKUZOJ PARAARDHËSIT E MI (1)

Durrës, 8 shtator 2018: Tek po e përfundoja librin e Dr.Nail Dragës „Etnia dhe hapësira“, po më përshkohej nëpër mendje një mendim disi i çuditshëm: Si mund të na pëlqejë një libër, i cili rrëfen gjithë të zezat që s’na janë ndarë me qindra vjet?! Libri „Etnia dhe hapësira“ është një libër vërtet i mirë, dhe është i mirë pikërisht sepse e pasqyron, madje me shifra, një pjesë nga më të rëndat të historisë sonë kombëtare: pushtimin nga një Mal i Zi, fare i vogël, i një cope aspak të vogël të Shqipërisë Veriperendimore.
Para vitit 1878 Mali i Zi kish 4.400 km2 dhe jo më shumë se 60.000 banorë me gjithë zgjerimet e vitevet 1860-1861. Mbas Kongresit të Berlinit sipërfaqja e tij u dyfishua në 8.665 km2 e më vonë shkoi në 9.475 km2. (Krs. Për shtimin e sipërfaqes, f.47)
Të gjithë këtë shtesë sipërfaqeje Mali i Zi e kish përfituar, midis tjerash, edhe në kurriz të Shqipërisë. Nga tokat shqiptare, që do të thotë, nga vendet e Shqipërisë, nga fshatrat, nga qytetet, malet dhe fushat e Shqipërisë, Mali i Zi, jo krejt përnjëheresh, por vit mbas viti, luftë mbas lufte, kongres mbas kongresi e konferencë mbas konference, kish përfituar Podgoricën, Zhablakun, Spuzhën, Rozhajën, Plavën, Gucinë, Tuzin, Tivarin, Ulqinin dhe pjesën më të madhe të Liqenit të Shkodrës.
Në krahun tjetër, në jugperendim, kish marrë Kotorrin, Risanin, Perastin, Zelenikën, Hercegnovin, Tivatin, Budven, Petrovacin, treva që dikur kanë qenë quajtur Albania Veneta (Arbëria Venedikase), si dhe në veri, Nikshiqin, Zhupën e Nikshiqit, Mojkovacin dhe vise të tjerë, që ishin pjesë të Hercegovinës.
Nga të dhënat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, del se në të katër vilajetet e Shqipërisë (i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit, i Janinës), shqiptarët ishin popullsi dominuese, me 1.800.000 deri 2.000.000 banorë (Në atë kohë!), ndërsa sipërfaqja e përgjithshme ishte 90.000 km2, nga të cilat trungu etnik shqiptar i banuar thuajse tërësisht prej shqiptarësh, shtrihej në një sipërfaqe prej 75.000 km2. (F.54)

Ç’po bëhej kështu me Shqipërinë?!
Më 1877 ushtria malaziase sulmoi Tivarin. E mbajti 2 muaj në rrethim, hodhi 10.000 gjyle topash të Rusisë mbi të, vrau 1.400 ushtarë mbrojtës dhe 250 banorë civilë (F.35) dhe pushtoi gërmadhat, jo qytetin!
Të gjithë të mbeturit gjallë ikën të tmerruar nga barbaria dhe ia lanë vendin pushtuesit!
Gazetari francez Ogyst Mejlan (August Maylan) shkruan: „Mali i Zi hodhi (mbi Tivar) 10.000 gjyle topi, që ia pat dhënë Rusia dhe s’la gjë në këmbë. Qelbeshin rrugët nga kufomat e mbuluara nën rrënoja. Në një xhami të rrëzuar u gjetën kufomat e 200 grave… të vdekura nga uria.“ (F.37-38)
Simbas Spiridon Gopçeviqit „në një strehim janë gjetur 2.600 banorë të stresuar, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë, 1.400 të aftë për luftë, 200 të plagosur, ndërsa 1200 luftëtarë dhe 400 joluftëtarë janë vrarë gjatë këtyre dy muajve të rrethimit.“ (F.36) Në fund, Spiridon Gopçeviqi konkludon: „Kështu ka rënë kjo vendqëndresë e Shqipërisë, pas një mbrojtjeje të gjatë e të lavdishme“. (F.36)
Ç’hata e madhe po i ndodhte kështu Shqipërisë?!
Më 18 janar 1878, fill mbas Tivarit, malazezët e pushtojnë edhe Ulqinin. Edhe ulqinakët, 143 familje, ashtu si tivarasit, ikin në drejtim të Shkodrës dhe ia lënë vendin Malit të Zi!
“Në Shkodër të arratisurvet, të quajturvet muhaxhirë, (autoritetet osmanë, Gj.D.) u japin për të ngrënë misër të kalbur e të prishur dhe prej atij misri vdesin 240 vetë.” (F.42)
Forcat malaziase, jo nga shqiptarët, por nga Fuqitë e Mëdha, detyrohen të tërhiqen përkohësisht prej Ulqinit. Situata, të cilën mundohen ta kapin, mundohen ta kthejnë në favorin e vet, u rrëshqet shqiptarëvet nga duart përditë e më shumë.
Bëhet Lufta e Nokshiqit në perendim të Plavës, (që historianët tanë “eruditë” e ngatërrojnë me Nikshiqin). Bëhet luftë te Ura e Rzhanicës, në lindje të Podgoricës. Bëhet edhe një përpjekje, këtë herë jo me malazezët, por me ushtrinë osmane, në Shkallë-Mushkë në verilindje të Ulqinit, por përfundimisht i mbeten Malit të Zi të gjithë këta vende, për të cilët u bënë ato luftëra, me gjithë Nokshiqin, me gjithë Urën e Rzhanicës dhe me gjithë Shkallë-Mushkën! (Krs.f.58)
Dhe kështu, paraardhësit tanë (Pjesa e tyre JO E LAVDISHME, shumica e shqiptarëvet të atëhershëm), s’ishin në gjendje as të bënin politikë e diplomaci e, rrjedhimisht, sado trima të shiteshin, s’ditën ta bënin as luftën. Ata dinin vetëm të mblidhnin leckat e të iknin: nga Spuzha, nga Zhablaku, nga Podgorica, nga Tivari, nga Ulqini, nga ana e Malit, nga Kranja. (Krs.f.39)
Ik, se të zunë! Ik, se të dogjën! Ik, se të vranë!.. Nuk janë trima ata që vriten dhe e humbin luftën! Janë trima ata që vriten dhe e fitojnë luftën! Dhe kjo do të nënkuptonte parapritë largpamëse shekullore dhe organizim në mënyrën më të përsosur të mundshme. Të parët tanë (Pjesa jonë JO E LAVDISHME!), kanë qenë tradicionalisht të verbër!
Vetëm nga Podgorica, më 1879, ishin shpërngulur 600 familje! (F.16) “Numri i muhaxhirëvet ( i të ikurvet, i të shpërngulurvet) llogaritej 5.000 deri 6.000 vetë”. (F.16) Mali i Zi, i kish a s’i kish 6.000 gra, dhe i gjente, edhe marifetin, edhe forcën, për t’i shkulur 6.000 shqiptarë prej vatravet të tyre!
Në vitin 1861 qyteti i Tivarit (pa fshatrat, Gj.D.) kish 270 shtëpi (183 myslimane, 52 katolike, 35 ortodokse). Qyteti i Ulqinit (pa fshatra, Gj.D.) kish 456 shtëpi (454 myslimane, 2 ortodokse). (F.104) (Shumica qorra, si për të atëhershmen, ashtu edhe për të ardhshmen e nipërvet të tyre!)
Ndërkaq, sa për shembull, pa i përmendur Malësinë e Madhe, malësitë dhe luginat e Plavës, malësitë e Rozhajës, “nahia e Kranjës kish 1100 shtëpi (700 myslimane, 150 katolike, 250 ortodokse)” (F.104) (Të ishin më të mençur dhe më largpamës (Të mos ishin qorra me sy në ballë!), do t’i kishim mbrojtur, edhe Kranjën, edhe Liqenin (Një pasuri e një bukuri nga më të rrallat në botë!)
Ku shkoi gjithë ajo popullatë, vendëse qysh prej Ilirisë?! Do të shikojmë në faqet në vazhdim. Do të ish më e saktë të thuhej: Ku u mbytën!? Në ç’pellgje e zhytën veten!? Të dhemb shpirti! Të copëtohet shpirti, kur e shikon rroposjen e Kombit tënd nga gremina në greminë!
Njëfarë Simo Popoviq, ushtrues lokal i pushtetit malazias në Ulqin, shkruante: “Rrethi i Ulqinit për ne është I HUAJ. Duhet që banorët vendës T’I ASIMILOJMË… duke vendosur këtu 4-5 mijë familje malaziase dhe duke hapur SHKOLLA (NË GJUHËN SLLAVE, Gj.D.) Kur të realizohet ky projekt, atëherë ky rajon i bukur dhe i pasur do të jetë krejtësisht e përgjithmonë i Malit të Zi”. (f.18-19)
Apo sheh si e ka strategjinë ai TJETRI?!
Mbas gjithë kësaj historie të mjerë, kësaj historie mjeranësh, ishte e pritshme që, një ditë të afërme, do t’i vinte radha edhe Shkodrës.
Në tetor 1912 Mali i Zi e sulmoi Shkodrën. (F.70) Në përbërje të ushtrisë rrethuese malaziase bënin pjesë edhe shqiptarët e visevet që Mali i Zi i kish pushtuar 34 vjet më parë. Një tjetër faqe e zezë e të parëvet tanë! Kral Nikolla i mobilizoi shqiptarët, i inkuadroi në batalione (Tufa cjepsh mustaqepërdredhur dhe mjekrrarrjepur!) dhe i çoi të luftonin gjoja kundër Turkut!
Në të njëjtën mënyrë pat vepruar edhe kur do të pushtonte Tivarin e Ulqinin. Katolikët shqiptarë të Shestanit dhe të tjerë, ish-shqiptarë, tani myslimanë të sllavizuar, kanë marrë pjesë në rrethimin dhe në shkatërrimin e Tivarit. Motivimi ishte: për shqiptarët katolikë, „po luftojmë Turkun“, ndërsa për myslimanët, për shembull togjemilasit,“ Knjazi është i yni“ („Knjaz je nash“)! Pastaj u penduan, por ish tepër vonë. Më 16 qershor 1878, disa muaj mbasi ish shkatërruar e pushtuar kështjella e Tivarit, përfaqësues të Shestanit, duke fshirë lotët edhe QURRAT, u shkruanin Fuqivet të Mëdha „Ne ju lutemi që ta mbroni tërësinë tonë nacionale dhe territoriale.“ (F.43) Por fuqitë e Mëdha s’ishin largpamëse as për vete, le më të vendosnin për t’u dhënë farë të drejte shqiptarëvet, në të gjithë shekujt shkurtpamës dhe të pazotë për ta mbrojtur veten, EFEKTIVISHT dhe REZULTATIVISHT.
Rastësisht hasa në një të dhënë tepër të dhimbshme e njëkohësisht tepër indinjuese e revoltuese: Në kapërcyell midis shekujvet 19-20, në Jilldiz të Stambollit, 60 KRANJANË kishin zënë poste të rëndësishëm në pallatin e sulltanëvet. Njëri prej tyre, Tahir Pashë Kranjani, ish aq i fuqishëm, sa konsiderohej si nënmbret i Perandorisë Osmane. (Krs. Lembe, 17/2012, f.76, 77)
Ish koha kur Kranjën po e zaptonte, apo e kish zaptuar Mali i Zi! Ish koha kur bijtë e Kranjës, kudo që të ishin, jo më mu në krye të asaj perandorie, që kish përgjegjësinë më të madhe për fatin e vendlindjes së atyre kranjanëve, por kudo që të ishin, duhej të gjenin mënyrat për ta shpëtuar Kranjën prej robërisë nën malazezët!
Çfarë bënë për Kranjën ata 60 KRANJANË?! Madje, jo vetëm për Kranjën, por edhe për Tivarin, edhe për Ulqinin, edhe për Podgoricën, edhe për Kuçin, sepse ndodheshin mu pranë sulltanëvet dhe sulltanët po merrnin e jepnin me Evropën e me Rusinë! Çfarë bënë?! ASGJË, përderisa këta vende mbetën nën Malin e Zi! Epo, nëse nuk mund të bënin ASGJË me anë të sulltanit, pse nuk e braktisën sulltanin e të kërkonin rrugë të tjera, për ta mbrojtur vendin e vet?!
Përkundrazi, në vend që të jepnin jetën për vendin e vet, një pjesë e mirë e tyre, në mos të gjithë, e dhanë jetën për sulltanatin, të cilit i kish ardhur fundi prej kohësh. „Kur sulltanin, -thuhet në faqen 78 të tekstit që lexova, -e braktisën edhe shokët më të ngushtë të tij, (ndërsa) KRANJANËT i qëndruan besnikë, (të vendosur) që ta paguanin (me jetën e vet) besnikërinë e tyre. Halil Shahinin nga Skjeja, Zef Macin nga Shestani dhe disa të tjerë I EKZEKUTUAN (xhonturqit). Tahir Pashë Kranjën dhe disa të tjerë i internuan në ishujt e Dodekanezit (të detit Egje), ku qëndruan deri në fundin e jetës së tyre.“ (Lembe, 17/2012, f.78)
MIRË UA KANË BËRË! Kështu po them unë dhe po e them me gjithë shpirt! Të ishin vrarë për lirinë e Atdheut të vet, sot do t’i kishin përmendoret gdhendur në kujtesën e pasardhësvet të tyre, si shembuj frymëzimi për të ardhshmen edhe të Kranjës, edhe të krejt Shqipërisë!
Në të njëjtat pozita “afër sulltanit” ishin edhe Vëllezërit Frashëri, edhe Hasan Prishtina, edhe Ismail Qemali. Por shihi sot, ku janë Vëllezërit Frashëri, Hasan Prishtina dhe Ismail Qemali dhe ku janë të 60 kranjanët e mi!
Në prill 1913 Shkodra iu dorëzua malazezëvet, por Fuqitë e Mëdha këtë herë e përzunë Malin e Zi. Nuk e përzunë shqiptarët, se ata s’ishin të zotë as të mbroheshin prej pushtuesit, as ta dëbonin pushtuesin. E përzunë Fuqitë e Mëdha për koniukturat e veta të çastit. Jo se u dhimbej Kombi Shqiptar! Bënë, madje, më 5 prill 1913, një demonstratë navale kundër Malit të Zi, siç kishin bërë 33 vjet më parë demonstratë navale në favor të Malit të Zi. (F.72) Lojëra macesh, me minj gjysmë të ngordhur!
U larguan malazezët nga Shkodra, por mos të mendojë kush se nuk kthehen prapë! Sllavët kanë program! Edhe kur janë të robëruar, ata kanë program, afatshkurtër të mbijetesës dhe afatgjatë të ekspansionit. „Mali i Zi kërkonte të merrte rajonet deri në Mat, ndërsa Sërbia (kërkonte dhe kërkon të marrë! Gj.D.), prej Matit deri në Shkumbin.“ (F.71)
Nuk kaloi viti dhe forcat ushtarake malaziase erdhën sërish në Shkodër dhe, midis mizorivet të tjera, vranë aty edhe Çerçiz Topullin.
Në gjysmën e dytë të shekullit XV, arbërit, paraardhës të shqiptarëvet, do të iknin nga Shkodra e Drishti për në Venedik. (Shih për këtë një libër të Zonjës Luçia Nadin.) Në gjysmën e dytë të shjekullit XIX, shqiptarët, pasardhës të arbërvet, do të iknin në drejtim të kundërt, nga Plava, Podgorica, Tivari e Ulqini, për në Shkodër! Ua hëngërt dreqi heroizmin e qëndresën, kur s’arrijnë ta ruajnë Atdheun e vet! Po sikur Osmanët t’ia kishin behur edhe në Venedik, ku do të shkonin shkodranët dhe drishtjanët e ikur?! Po sikur sllavët t’ua mësyjnë edhe Shkodrës edhe Durrësit, ku do të shkojnë tivarasit, podgoriçanët e ulqinakët e ikur?! A jeton dot një komb kështu, ik këndej e ik andej?!
Edhe Bullgarinë e Sërbinë i pat pushtuar Perandoria Osmane! Por nuk dimë të jenë mbushur, në atë kohë, as Italia, as Evropa, me bullgarë e me sërbë!
Në shekullin tonë, ua dhanë të parët tanë Manastirin banorëvet sllavë! Manastiri ish një qendër e rëndësishme shqiptare! Madje qendër e kulturës shqiptare, me një kongres impozant të alfabetit tonë! Pse nuk e ruajtën shqiptarët Manastirin për vete, po ua lëshuan të tjerëvet?!
Pse ua lanë të parët tanë Ohrin të huajvet?! Kurdo që të ketë ndodhur! Ohri i enkelejvet të dikurshëm! Ohri i Gropajvet të mëvonshëm! Ku e kishin mendjen iliro-arbro-shqiptarët?! Ku i kishin mendtë?! Ku i kishin duart?! Ku i kishin këmbët?! Apo ata të tjerët kishin nga dy palë mend e nga katër duar e këmbë!!
Ra tëmeti në Shkup dhe ikën shqiptarët! Ik nga sytë këmbët! Epo, sllavët e kishin pushtetin, do të thotë dikush. Kishin ushtrinë, kishin policinë, kishin gjyqet, kishin burgjet! Unë, si pasardhës i ish-banorëvet shqiptarë të Shkupit, nuk dua t’ia di fare çfarë kishin ata! Mua më intereson çfarë nuk kishin paraardhësit e mi dhe pse nuk ishin paraardhësit e mi më parashikues, më të mençur, më të organizuar dhe më të fortë se ata që na zunë token! A e dini ju që shumica e punëtorëvet dhe e mjeshtërvet zbatues, që e kanë ndërtuar, për sllavët, të quajturin Shkupi i Ri, kanë qenë shqiptarë?! Haram i paçin rrogat që kanë marrë! Mos u zëntë shpirti vend atje ku janë groposur! Si, ore, i ndërtuan pallatet për sërbët e për bullgarët e vetë shkuan e u strukën, u mbyllën nëpër kalibe njëkatëshe prej qerpiçi rrethuar me avlli qerpiçi dy metra të larta, që të mos ua shihte kush gratë?! Ose edhe më keq, ikën nëpër botë dhe ua lanë shkievet Shkupin!!
E patëm një Gjergj Kastriot, një Skënderbe! Po pse s’nxorëm një tjetër Gjergj Kastriot, që ta mbante të lirë Arbërinë edhe mbas vdekjes së tij, por u ramë ujëravet të Adriatikut e të Jonit e dolëm matanë?! Pastaj për 500 vjet, me sytë „nga lindte Dielli“, në brigjet e Pulies, këndonim këngë vaji për Arbërinë, që të parët tanë e kishin braktisur! E patëm një Enver Hoxhë dhe, fill mbas vdekjes së tij, ikëm, varur për litarësh të anijevet! E lamë Republikën e Shqipërisë në duart e horravet, aq sa, në fund të shekullit XX, parashikohet të mos ketë këtu më shumë se një milion shqiptarë!
Ç’do të bëhej në rrjedhë të vitevet, në rrjedhë të dhjetëvjetëshavet dhe në rrjedhë të shekujvet, me shqiptarët, me ata që tashmë kishin mbetur nën pushtimin malazias?! Le të vazhdojmë më tutje leximin e librit të Dr.Nail Dragës!
Mjafton të shohim vetëm Ulqinin. Aty, deri në vitin 1948, kish ndodhur një përmbysje e plotë e raportevet në aspektin nacional. Shqiptarë (simbas letravet) kishin mbetur vetëm 1.133, ndërsa banorë me kombësi malaziase ishin regjistruar 3.104. Gati trefish më shumë kolonë sesa vendës! (F.109)
Në vitin 1948, në krejt Republikën e Malit të Zi, janë regjistruar vetëm 19.425 banorë me kombësi shqiptare. Në vitin 2003, në krye të 55 vjetëvet, në Republikën e Malit të Zi mezi dilnin 47.682 shqiptarë. (Krs.f.90) Me një rritje natyrale normale, pa diskriminim nacional, në vitin 2003 në Republikën e Malit të Zi do të duhej të ishin mbi 100.000 shqiptarë. S’ishin as gjysma!
Deri në vitin 1992, nga shqiptarët e mbetur nën Mal të Zi, në vazhdim nën Jugosllavi, kanë emigruar 16.113 vetë. Nga Ulqini me rrethinë kanë ikur 5.577 vetë, nga Tivari 855, nga Podgorica, përfshirë aty edhe Malësinë, 5.500 vetë dhe nga Plava e Rozhaja 4.181. (Krs.f.93) „Sot çdo i treti shqiptar nga trojet nën Mal të Zi, është në botën e jashtme.“ (F.93)
Por ka edhe përmbysje të një lloji tjetër. Ka SHKOMBËTARIZIM! Ka humbje POSHTËRUESE të krejt dinjitetit njerëzor të këtyre banorëve, që është mijëfish më keq se të vritesh duke luftuar për liri dhe bile më keq se edhe të ikësh nga vendi yt! Kjo mynxyrë, ky lloj VETËPOSHTËRIMI, me humbje të neveritshme të dinjitetit, ka ndodhur, për shembull, në Shestan. „Sipas regjistrimit të vitit 1948, del se në të gjithë vendbanimet e zonës së Shestanit, nga gjithsej 1.461 banorë, vetëm 6 ishin regjistruar si shqiptarë, ndërsa të gjithë të tjerët ishin regjistruar sllavë.“ (F.88) Unë, që jam vetë nga Shestani dhe jam rritur aty, e di që NË SHESTAN NË VITIN 1948 NUK KA PASUR ASNJË SLLAV, përveç një mësuesi, që e kishin prurë aty për të dhënë mesim sllavisht.
Pikërisht ky është një nga shkaqet që në Shestan gjendja demografike në vitin 2003 është më e zezë edhe se vetë vdekja. Për ta ripohuar këtë që thashë, po jap një statistikë, të thjeshtuar deri në gropën më të thellë të dhimbjes. Shestani, më 1948, i kish 1.834 banorë. Më 2003-shin i kishin mbetur vetëm 408. Prej këtyre, në Muriq Poshtë 113, në Ljare 92, në Bes 65 dhe në Brisk Poshtë 46. Në 15 fshatrat e tjerë, Babsul, Bardhanj, Brisk Nalt, Bujgër, Dedanj, Dobrec, Gurrzë, Gjuraç, Lukiq, Muriq Nalt, Nënmal, Pecanj, Pinç, Rjeps, Rud, në vitin 2003 jetonin, më mirë me thënë vegjetonin, vetëm 92 njerëz. (Krs.f.140) Të ishin mbajtur te tradita e vet, të kishin hapur SHKOLLA SHQIPE dhe të ishin kapur fort mbas arsimit shqip, ata afër 2.000 shqiptarë të Shestanit që patën dalë të padëmtuar prej Luftës së Dytë Botërore, sot mund të ishin mbi 10.000! Dhe do të kishin një rol të rëndësishëm PËRPARIMTAR në komunën e Tivarit! Të mirëkuptueshëm me të gjithë të ardhurit! Jo të margjinalizuar! Jo të nënçmuar, kështu si janë sot!
Një rast tjetër, në ekstremin verilindor të shtetit malazias, është Rozhaja. Në vitin 1909 në Rozhajë ka pasur 86.5 % shqiptarë. Në vitin 2003 na dalin vetëm 4.32% shqiptarë. Kështu thonë regjistrat. (Krs.f.92) Ç’i hëngri shqiptarët e Rozhajës?! I hëngri Konferenca e Londrës! Shqiptarët e Rozhajës, ashtu si shestanasit, kanë frikë të deklarohen shqiptarë dhe këtë e dëshmon një regjistrim tjetër, ai i vitit 1991, kur aty NUK E DEKLAROJNË GJUHËN E VET plot 17.436 banorë, 75.88% e asaj popullsie. (Krs.f.166) Dhe jemi prapë të detyruar të rikonstatojmë: Të mohosh e të humbësh gjuhën, të mohosh e të humbësh identitetin kaq qyqarisht, është më keq se të humbësh jetën fizikisht!
Regjistrimi i popullsisë në Republikën e Malit të Zi, i vitit 2003, cilësohet si më i miri dhe është vërtet më i miri, sepse zbulon KATRAHURËN. Shifrat e atij regjistrimi na i ka dhënë Dr.Nail Draga në faqen 152 dhe unë po i sjell këtu të përmbledhura: Krejt Republika e Malit të Zi ka 672.656 banorë. Nga këta, janë regjistruar, domethënë deklaruar: si malazezë 273.366, si sërbë 201.892, si boshnjakë 63.272, si shqiptarë 47.682, si myslimanë 28.714, si kroatë 7.062, si romë 2.875. (Krs.f.152)
Është njëkohësisht, EDHE TRAGJEDI, EDHE KOMEDI. Por thelbi është dhe mbetet një tragjedi njerëzore gati e pakonceptueshme. Dukuria e parë që një analist i kthjellët duhet të vërejë, është pavërtetësia. Në atë regjistrim popullsie, lidhur me nacionalitetin, s’ka pothuajse asgjë të vërtetë.
Po marr së pari romët, ata për të cilët hipokritët e kësaj bote hezitojnë t’i quajnë magjypë edhe gabelë. Në regjistrimin e vitit 2003 në Republikën e Malit të Zi ata dalin 2.875, ndërsa mendohet se realisht në atë shtet jetonin rreth 20.000. Ku shkuan 17.000 jevgjit dhe gabelët e tjerë?! I morën regjistruesit ETNIGRABITËS, se u duheshin për numër! Komedi, por edhe tallje cinike me një popull që s’i ka bërë dhe s‘i bën askujt asnjë të keqe.
Të dytët, për nga shkalla e habisë, janë sërbët. Në vitin 1981 sërbët në Republikën e Malit të Zi përbëni vetëm 3.4%. Në vitin 1991 regjistroheshin si sërbë 9.4%, shifër që ndoshta pasqyronte deri diku kolonizimin e Tivarit e të Hercegnovit me sërbë të ardhur nga Sërbia. Ndërkaq, në vitin 2003 prania sërbe në shtetin malazias regjistrohet 30.01%. Nga erdhi, nga mbiu në shtetin e varfër malazias gjithë kjo mori „sërbësh“?! A u shkulën sërbët nga Sërbia dhe erdhën në Mal të Zi, në një kohë kur vetë malazezët kishin zënë Beogradin e Novi Sadin?! Mbi 200.000 „sërbë“! Ç’i solli këtu mbi 200.000 „sërbë“, kur para dymbëdhjetë vjetësh, edhe ata shumica të rremë, mezi arrinin 57.403?!
VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura