GJOKË DABAJ: VJOSA OSMANI KRYETARE E LDK-së!

Durrës, 22 mars 2020: Para dy ditësh e shpreha në Fejzbuk mendimin që LDK-ja duhet ta shkarkojë Isa Mustafën nga posti i kryetarit dhe të zgjedhë (ose emërojë) në vend të tij Zonjën Vjosa Osmani. Sqarova dhe po e sqaroj, se nuk kam asnjë lidhje të çfarëdo forme me LDK-në. Nuk kam dhe nuk mund të kem kurrfarë të drejte për të ndërhyrë në punët e brendshme të atij organizmi tonë politk. Pra, le të kuptohet ky mendim i imi thjeshtë si një shprehje e shqetësimit lidhur me mbarëvajtjen ose keqvajtjen e punëvet në Republikën e Kosovës.
Objektivisht është e pamundur që e gjithë LDK-ja të jetë prosërbe e antishqiptare. Madje, jam i sigurtë që shumica e anëtarëvet të asaj force tonë politike mendon që, duke qenë pjesë e atij formacioni, mbron efektivisht interesat e Kombit tonë.
Mirëpo, përvoja jonë e organizatavet ilegale në vitet 1960, por edhe të etapavet të tjera të përpjekjevet tona çlirimtare, tregon se Sërbia (udhëheqja sërbe) e ka pasur metodë pune të vetën, të sprovuar, vënien në shërbim të saj të krerëvet të atyre organizatave.
Sapo merrte informacion që diku midis shqiptarëvet po ndodhte një lëvizje e organizuar, UDB-ja mundohej të gjente kush ishte në krye të asaj lëvizjeje. Hulumtonte, i studionte të gjitha rrethanat dhe karakteristikat e atij që gjendej në krye (ose të dikujt afër tij) dhe gjente mënyrat për ta shtirë në dorë e për ta manovruar siç i interesonte asaj. Dhe nuk ka qenë e pasukseshme në këso punësh udhëheqja shpirtërore dhe shtetërore e Sërbisë! Me mijëra prej nesh janë zbuluar, janë nxjerrë nëpër gjyqe dhe kanë lënë shëndetin e edhe jetën nëpër burgjet e Jugosllavisë. Madje edhe vetë personat e shfrytëzuar prej tyre, shpeshherë janë dergjur po atyre burgjeve, si limonj të shtrydhur.
Të njëjtën metodë ka përdorur udhëheqja shpirtërore dhe shtetërore e Sërbisë edhe në Republikën e Shqipërisë. Nuk merrej shteti sërb me krejt popullin, sepse është e pamundur cilindo popull ta vësh kundër vetëvetes. Kështu, për shembull, duke e kuptuar që Enver Hoxha ishte një atdhetar, të cilin, sado të mundoheshe, nuk mund ta “futje në thes”, udhëheqja sërbe bëri çmos që ta rrëzojë dhe të sjellë në krye të shtetit shqiptar njerëz që do t’i shërbenin asaj. Sa qe gjallë Enveri, nuk ia arriti dot qëllimit, por më vonë… përderisa në Republikën e Shqipërisë shumë punë shkuan për dreq, kemi arsye të hamendim që, po ajo udhëheqje sërbe, historikisht e pozicionuar kundër arbërvet dhe në vazdim kundër shqiptarëvet, ia ka dalë që të ketë në duart e veta dikënd nga krerët e këtij shteti. Tragjeditë nuk janë të pakta në këtë pjesë të Shqipërisë mbas vitit 1985. Edhe këtu s’kanë qenë të pakët “limonjtë e shtrydhur” që, kurdisur prej vetë spiunazhit sërb, e kanë paguar me kokë shërbimin ndaj Sërbisë.

Po e quaj të nevojshme të rrëfej edhe një histori tepër të hidhur në planin lokal, nga krahina ime. Në vitet 1945-1946, kur ushtria jugosllave e pushtoi Shestanin, ajo u kujdes që, në krye të pushtetit “popullor”, të vinte njerëz që do t’i shërbenin asaj. Dhe kjo vetëkuptohet: Pushtuesi gjithkund dhe në çdo kohë i përdor veglat vendëse për të shtypur popullin e pushtuar. Puna e parë që bëri ai pushtet “popullor” i vitevet 1945-1946, në Shestan, ishte mbyllja e shkollës shqipe (se, me demek, “ashtu po e kërkonte populli”), dhe hapja e shkollës në gjuhën sllave… Sot, krahina e Shestanit nuk ekziston më! Ajo krahinë tashmë është asgjësuar, jo vetëm në gjuhë e kulturë, por edhe fizikisht! Në dhjetëra kulla të shembura të asaj treve shqiptare “banojnë” vetëm minjtë dhe kukuvajkat!
Mbështetur kështu, jo vetëm në këta pak shembuj, por në krejt historinë e marrëdhënievet tona me fqinjët, unë kam bindjen që, jo LDK-ja, por dikush në krye të LDK-së, po vazhdon t’i shërbejë politikës sërbe në Republikën e Kosovës. Anëtarët e thjeshtë të LDK-së nuk mund të jenë kurrë kundër interesavet të shqiptarëvet.
Mirëpo, një pjesë e tyre, fatkeqësisht, nuk po e kupton rolin e keq që po luan kryesia akuale e asaj partie. Kjo shihet edhe nga reagimet e disa inividëve në Fejzbuk. Ata, duke mos pasur argumente, shprehen me fjalë banale, me fjalë të ndyta. Kjo tregon që ata individë nuk janë në gjendje as dinjitetin e vet të ruajnë, le më të ruajnë dinjitetin e partisë së tyre.
Përfundimisht, pa u zgjatur në analiza më të hollësishme, unë i qëndroj mendimit që rruga më e mirë, rruga më e arsyeshme, do të ishte kjo: Të bëhen ndryshime në kreun e LDK-së. Vetë Isa Mustafa duhej ta pranonte këtë, si të vetmen rrugë për t’u shkarkuar disi prej akuzavet. Zonja Vjosë Osmani, e cila sigurisht nuk është e vetme në kryesinë e asaj partie, e ka dëshmuar që, jo vetëm do, por edhe di të veprojë në të mirë të Kombit tonë. Prandaj, pjesa pozitive e asaj partie, pjesa që nuk pranon të bëjë politikë prosërbe, duhet të veprojë me vendosmëri, o sot o kurr: Të shkarkojë Isa Mustafën (ose të nxitë dorëheqjen e tij) dhe të zgjedhë (apo caktojë) në krye të LDK-së Vjosë Osmanin. Unë kam bindjen që, një i tillë operacion “kirurgjikal” në krye të asaj partie, do t’u bënte mirë, vetë asaj dhe krejt Kombit tonë.
Mbas kësaj, udhëheqja shpirtërore dhe shtetërore sërbe, do të kërkonte të vinte në shërbim të vetin koka të tjera, ndërsa shqiptarët s’kanë rrugë tjetër, veçse të ruhen prej tentakulave të asaj udhëheqjeje të mbrapshtë, duke u bërë MË TË ZGJUAR dhe MË TË MENÇUR.
Gjokë Dabaj, Durrës 21 mars 2020.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura