GJOKË DABAJ: ZONJA A. MERKEL DUHET TA KETË PARASYSH PSE FITOI KOMUNIZMI NË BALLKAN NË FUND TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Durrës, 02. 09. 2015: Në ditët rreth 15 gushtit, kur festa e Shën Mërisë do të sillte në Ballkan një freskim moti, por edhe përmbytje, zonja A.Merkel tha prerazi: „NUK JAPIM AZIL PËR BALLKANASIT. MOS SHPRESONI!“ Në rregull. As unë, si ballkanas, nuk jam për atë që, njerëzit tanë të detyrohen për të ikur nga vendet e vet. Por, si ka menduar Zonja A.Merkel ta zgjidhë EFEKTIVISHT këtë problem të madh të Evropës së sotme? Që të mund ta kryente këtë punë EFEKTIVISHT, e ndoshta t’i hapte rrugë PËRFUNDIMISHT mbarëvajtjes afatgjatë në këtë pjesë të Evropës, zonja A.Merkel, së bashku me politikanët e tjerë të BE-së, duhet, në radhë të parë, të shikojë KU KA GABUAR EVROPA ME BALLKANIN, në të shkuarën e afërt, por edhe në të shkuarën e largët. Të shikojë ku ka gabuar Evropa dhe t’i shoshisë këta probleme, psh, në Konferencën e Vjenës.
Për Konferencën e Vjenës, tani që ajo tashmë ka përfunduar, mund të përdorim, fare lirshëm, shprehjen klasike shqiptare: U MBARS MALI, POLLI NJË MI. Për Sërbinë (e, doemos, MË PAK për Republikën e Kosovës dhe për Republikën e Shqipërisë, sepse shqiptarët rëndom e hanë sapunin për djathë), do të ndërtohet rruga Durrës-Nish, e cila është pothuaj e përfunduar. Për Kroacinë dhe për Greqinë (e, meqë janë aty, le të përfitojnë sado pak edhe shqiptarët), do të ndërtohet Rruga e Kaltërt, e cila gjithashtu është pothuaj e përfunduar. Do të finalizohen 2-3 interkonjukcione të energjisë elektrike, do të shqyrtohet një ide për një rrjet hekurudhor më të plotë, në një kohë kur levërdia e hekurudhavet,edhe në hapësira qindra mijë kilometrash po vjen duke u rrudhur, do të diskutohet një ide për krijimin e një unioni ekonomik, në të cilin ekonomia e sllavojugorëvet do të rrëmbejë, si zakonisht, pjesën e luanit, mund të shikohet edhe një tjetër ide për krijimin e një banke rajonale, sepse pak po na e rrjepin lëkurën këto banka që i kemi. (Që i KANË, jo i kemi.)
Në Konferencën apo Takimin e Vjenës, nuk u fol ASGJË për pozitën e myslimanëvet sllavë në Republikën hibride të Bosnjë-Hercegovinës, nuk u fol ASGJË për sjelljet naciste të pravosllavëvet të Bosnjë-Hercegovinës, të cilët vazhdojnë ta quajnë veten sërbë, nuk u fol ASGJË për pozitën e myslimanëvet të Sanxhakut, që historia e Evropës i ka lënë nën sundimin sërb, nuk u fol ASGJË për pozitën e shqiptarëvet, të asaj pjese që prapë historia e Evropës i ka lënë nën sundimin sërb, nuk u fol ASGJË për ksenofobinë e sllavëvet në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, nuk u fol ASGJË për shovinizmin perfid antishqiptar të sllavomalazezëvet në shtetin e Malit të Zi, nuk u fol ASGJË për pretendimet e shtetit grek ndaj territorevet të Republikës së Shqipërisë, pretendime që synonjë, jo t’ia kthejë Greqia Shqipërisë tokat që ia ka marrë më 1913-n, por t‘i marrë edhe të tjera. E pra, të gjitha këto kanë të bëjnë, veç fushavet të tjera shumë të rëndësishme, EDHE ME EKONOMINË.

Në Konferencën apo Takimin e Vjenës, nuk u tha ASGJË lidhur me faktin që shumica e klasës së të pasurvet në Ballkan mbështetet në EKONOMINË INFORMALE, sepse Evropa dhe të tjerë, s‘i kanë lënë kësaj klase asnjë mundësi tjetër pasurimi.
Në Takimin e Vjenës nuk u fol ASGJË në lidhje me FARSËN e së quajturës Gjykatë e Posaçme në Republikën e Kosovës, „vepër“ kjo e amerikano-evropianëvet, „për t’u shpëtuar“ marifetevet të rusëvet në OKB, në të vërtetë, manovër KURVE.
Në Takimin e Vjenës nuk u fol ASGJË për „Zajednicën“ e sërbëvet brenda Republikës së Kosovës, një shtet brenda shtetit, i cili mund të sjellë çdo gjë në këtë gadishull, përveç harrimit të së kaluarës dhe përveç traziravet në të ardhshmen. Edhe ky është një „sukses“ prej KURVE. (Fjalën KURVË në adresë të Evropës Perendimore e ka përdorur Atë Gjergj Fishta. Unë s’kam ndërmend të tregohem katolik më i devotshëm se ai.)
Në vend që të shtroheshin për diskutim të gjitha këto dhe të kërkoheshin ZGJIDHJE, aty „u ra dakord“ që „të lihet mënjanë krejt e shkuara dhe të shikohet PËRPARA“. U organizua, madje, edhe një minimaskaradë futbolli, ku u vunë përballë, një ekip KLLOUNËSH dhe një ekip HIPOKRITËSH. Ekipi i kllounëvet doemos që „do të fitonte“, sepse hipokritëvet u intereson më shumë „të fitojnë“ në fusha të tjera, se sa në një minikomedi futbolli.
E unë tash kam plotësisht të drejtë të shtroj pyetjen: Zonja A.Merkel, me të këtilla konferenca, a po kërkon të mbyllë plagët e Ballkanit, apo po kërkon të mbyllë mandatin si kancelare e suksesshme?!
———————-
Pas Luftës së Dytë Botërore, në krejt Ballkanin, me përjashtim të Greqisë, ku EAM-i u shtyp me forcën e armëvet të Anglisë dhe të SHBA-së, triumfoi komunizmi. Pse ndodhi kështu? Përgjigjja më e shkurtër e mundshme është kjo: NË BALLKAN TRIUMFOI KOMUNIZMI, SEPSE EVROPA PAT GABUAR SHUMË RËNDË NË POLITIKAT E SAJA LIDHUR ME KËTË GADISHULL.
Në Kongresin e Berlinit, 1878, Evropa u dha disa pjesë të Shqipërisë shtetevet sllavë dhe shtetit grek, Bosnjën dhe Hercegovinën ia la Austro-Hungarisë, Kroacinë dhe Slloveninë vazhdoi t’i mbajë Austro-Hungaria, e kështu me radhë, pa pikën e aftësisë për të parashikuar se ç’do të mund të ndodhte në të ardhshmen.
Në vitin 1913, Konferenca e Ambasadorëvet e Londrës e copëtoi krejt Shqipërinë. Ambasadorët e shtetevet të Evropës, dmth qeveritë e Evropës, u treguan në atë konferencë, jo si pjesëtarë të një tufe shtetesh seriozë, por mirëfilli si një tufë të sëmurësh psikikë. Edhe sot ka mbetur pezull pyetja: A mos ishin të sëmurë psikikë, a mos ishin të marrë, të çrregulluar mendërisht, pushtetmbajtësit e atëhershëm të Evropës, që vendosën TA SHKATËRRONIN NË ATË MËNYRË BALLKANIN?! Ta shkatërronin, sepse, t’i japësh një vendi tokat e një vendi tjetër, do të thotë t’u fusësh zjarrin të 2 atyre vendeve. E pakta që mund të thuhet, është se, ata pushtetarë të Evropës së atëhershme, NUK DININ TA DONIN KONTINENTIN E VET, EVROPËN. Nuk ishin PATRIOTË vizionarë dhe nuk ishin aspak HUMANISTË. Ishin zyrtarë, mareshalferrâ të rëndomtë.
Në vitet 1918-1919, Evropa krijoi në Ballkan një MBRETËRI TË MADHE, krejt artificiale, në të cilën do të diskriminoheshin 80% e kombevet. E krijoi atë MBRETËRI TË MADHE, ndërsa njërin prej kombevet më të mëdhenj të këtij gadishulli, kombin shqiptar, e la prapë të copëzuar, si në vitin 1913.
Në vitin 1939, pjesa JODEMOKRATIKE e Evropës e pa „të arsyeshme“ ta pushtojë ushtarakisht (në vend që ta forcojë ekonomikisht), edhe atë copë Shqipëri, gjoja indipendente. Po ajo pjesë JODEMOKRATIKE e Evropës, i pushtoi në vazhdim, edhe shtetin jugosllav, edhe shtetin grek.
Gjatë gjithë kohës, para pushtimit fashisto-nazist, ata sllavë që e quanin veten maqedonë, nuk njiheshin si komb, malazezët, që e kishin pasur për gati 1 shekull shtetin e vet, tashmë kishin mbetur pa shtet dhe njiheshin si popullatë sërbe, sllovenët kishin vetëm formalisht emrin në të quajturën Mbretëri S.H.S, shqiptarët më shumë konsideroheshin turq se sa shqiptarë dhe s’kishin as edhe 1 të drejtë nacionale, gjermanët që jetonin në Baçkë e Baranjë, deri në vitin 1940, quheshin të huaj, hungarezët në Vojvodinë nuk njiheshin si kombësi. Në anë tjetër, Greqia nuk u jepte asnjë të drejtë shqiptarëvet, as të drejtën e ekzistencës si etni. Midis Greqisë dhe Turqisë, bëheshin shkëmbime e zhvendosje popullsish, sikur popujt të ishin thasë me gështenja e me arra. Që të gjithë këta popuj të Ballkanit JETONIN SI MOS MË KEQ. Ku të shkonin tjetër, përveçse në luftën për komunizëm, i cili jepte dritë shprese nga verilindja?!
Ndërkohë, Evropa Perendimore, ç’është e vërteta, s’dinte ç’të bënte as me veten, jo më me Ballkanin. Ajo, në fund të shekullit XVIII dhe gjatë shekullit XIX, DUKE PASUR PLOT NJERËZ TË MENÇUR NË GJIRIN E VET, s’i kish dëgjuar ata njerërëz, por kish vepruar KREJT PA MENÇURI, ndërsa në gjysmën e parë të shekullit XX, KORRI FRYTET E PAMENÇURISË SË VET: 2 luftëra botërore, duke djegur në zjarr edhe të 4 kontinentet e tjerë!
Ish krejtësisht e kuptueshme që, edhe këtu në Ballkan, në shkallë të gjërë dhe në mënyrë masive, të kërkohej shpëtimi diku tjetër, qoftë edhe te komunizmi. Kapitalizmi i Evropës Perendimore i kish „dhuruar“ Ballkanit vetëm VENDIME E DOKUMENTE SHKATËRRUES. Më në fund, i pat „dhuruar“ edhe pushtimin fashisto-nazist. Ku të shkonte Ballkani, përveçse në komunizëm?!
Është e çuditshme, madje më shumë se e çuditshme, që PERENDIMI DEMOKRATIK, (E përsëris: PERENDIMI DEMOKRATIK), i përfaqësuar nga Anglia dhe nga SHBA-ja, nuk i dha Shqipërisë as aq sa i kishte dhënë asaj PERENDIMI JODEMOKRATIK (E përsëris: PERENDIMI JODEMOKRATIK).
Jugosllavisë komuniste iu dha gjithë ajo Dalmaci dhe iu dhanë krejt ishujt e Adriatikut, ndërsa Shqipërisë (edhe sikur të mos ish komuniste) nuk kish ndërmend askush t’i kthente as edhe një pëllëmbë të tokavet që i ishin rrëmbyer. Asnjëri prej Aleatëvet kryesorë të Luftës së Dytë Botërore, as SHBA-ja, as Anglia, nuk e kishin vënë në plan korrigjimin e vendimevet të Konferencës së Londrës dhe kjo do të thotë se politikanët e atyre shteteve vazhdonin të ishin SHKURTPAMËS.
Jugosllavia KOMUNISTE dëboi, qysh gjatë luftës, 300 mijë gjermanë nga Baçka e Baranja, Jugosllavia KOMUNISTE bëri që të iknin nga Dalmacia mijëra italianë, Jugosllavia KOMUNISTE çoi drejt shuarjes 500 mijë hungarezë në të quajturën Krahinë Autonome të Vojvodinës, Jugosllavia KOMUNISTE shpërnguli, ditën për diell, për në Turqi, 300 mijë shqiptarë.
Ndërkaq, ndërsa Jugosllavia KOMUNISTE, „mike“ me Evropën, dredharake, po kryente këto punë, Evropën Perendimore nuk po e zinte gjumi i natës, nuk po flinte dot as natën, pa e likuiduar KOMUNISTIN Enver Hoxha dhe pa e shkatërruar Shqipërinë KOMUNISTE.
Aty i kish mbetur mendja Evropës! Evropës i kish mbetur mendja te Shqipëria, tashmë ish-komuniste, për të shkatërruar Shqipërinë dhe për të shembur përmendoret e Enver Hoxhës, në një kohë kur ish KREJT E VERBËRT ndaj një Sllobodan Millosheviqi, i cili po përgatiste, jo 1, por DISA SREBRENICA.
—————————
Edhe më parë, para shekujvet XVIII, XIX e XX, Evropa Perendimore është sjellë ndaj këtij gadishulli të vet, si njerkë e jo si nënë. Në shekullin II para erës sonë Perandoria Romake e pushtoi Ilirinë dhe e shkretoi, duke ia rrafshuar gati 100 qytete. Dakët, madje, jo vetëm i shkatërroi ushtarakisht, por edhe i shpërnguli në veri të Danubit. Thrakët i çoi drejt asgjësimit dhe i asgjësoi.
Por erdhi një kohë që, për 3 shekuj, pikërisht Gadishulli Ilirik e mbajti gjallë Perandorinë e Romës.
Ky gadishull i dha Romës kulturën antike dhe perenditë. Ky gadishull i dha asaj “Evrope të Bashkuar”, të asaj kohe, një duzinë perandorësh, që e mbajtën më këmbë për më se 300 vjet. Ky gadishull i dha kontinentit të Evropës Ediktin e Milanos, dokumentin që i hapi rrugë të lirë krishtërimit e, njëkohësisht, rrugë të gjërë progresit gjithnjerëzor. Ky gadishull ka qenë mburoja e kontinentit përballë dyndjevet të papërmbajtshme të barbarëvet dhe po ky gadishull u bë, në kohën e vet, mburoja kundër depërtimit, invaziv dhe regresiv, të Perandorisë Osmane.
Por unë nuk po zgjatem këtu më shumë se ç’duhet. Konstantinopolin duhej ta kishin MBROJTUR EFEKTIVISHT kryqtarët, jo ta plaçkitnin e shkatërronin. Nëse Krujën e Gjergj Kastriotit do ta kishin MBROJTUR EFEKTIVISHT europerendimorët, Vjena nuk do të ish rrëzikuar, ashtu si u rrëzikua.
————————————–
Pas rrëzimit të Murit të Berlinit, krejt BE-ja, por, në radhë të parë, Gjermania, bëri GABIMIN FATAL për Ballkanin. Ajo LEJOI (në mos edhe e nxiti) SHKATËRRIMIN E EKONOMISË në këtë gadishull. Kjo, ku shumë e ku shumë më shumë, ndodhi në krejt gadishullin, ndërsa, veçanërisht në Shqipëri, krejt ekonomia (industri e bujqësi), iu nënshtrua stihisë rrënimtare në mënyrën më monstruoze.
Në qoftë se Gjermania do të kish vepruar me INDUSTRINË KOMUNISTE dhe me krejt EKONOMINË KOMUNISTE të Shqipërisë, ashtu siç veproi me EKONOMINË KOMUNISTE të Gjermanisë Lindore, a do t’i vërsuleshin tani Gjermanisë gjithë këta emigrantë nga Shqipëria?! Jo. Zonja A.Merkel duhet t’i kuptojë këto gjëra më mirë se kushdo tjetër, se është vetë nga Gjermania Lindore ish-komuniste.
Kompanitë gjermane nuk duhej të vinin, në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, SI NË KOLONI. Kompanitë gjermane, edhe në KEK-un e Kosovës, edhe në aeroportin e Tiranës, dhe në çdo investim tjetër, duhej të kishin ardhur, ashtu siç kanë shkuar kompanitë gjermano-perendimore në ekonominë e Gjermanisë Lindore.
Ekonomia e Gjermanisë, nëse dëshiron të mos ketë EKSPLOZIONE në Ballkan, nuk duhet të llogarisë që fitimet e investimevet t’i tërheqë në Gjermani. Ajo mund të tërheqë në metropol, e shumta, VETËM shumat e kapitalit bazë. Krejt fitimin (të llogaritur me hollësi), duhet ta RIINVESTOJË po në vendet e Ballkanit. Madje, edhe më shumë, sepse aty i del. Nuk humb asgjë.
Evrpa nuk duhet të investojë MIOPISHT për gjerdhe e mure, siç po bëjnë Hungaria dhe Estonia. Evropa duhet TË INVESTOJË NË RIMËKËMBJEN E EKONOMISË në Ballkan. Madje në FUQIZIMIN sa më të shpejtë të ekonomisë së këtyre vendeve e sidomos atje ku banojnë shqiptarët.
Po sjell këtu vetëm 2 shembuj, sa për ilustrim, nga 1500 shembujt që do të mund të silleshin.
1. Një plan për t’i shndërruar lumin Bunë dhe Liqenin e Shkodrës në burime të fuqishëm ekonomikë, i hartuar mirë dhe i zbatuar mirë, me investimin e duhur, do të bënte që të mos ia mësynin më Gjermanisë, as banorët e Shkodrës, as ata të Podgoricës.
2. Një plan tjetër, për ta shndërruar në objekt të fuqishëm turistiko-kulturor, masivin malor midis Adriatikut dhe Liqenit të Shkodrës (Shikojeni në Gugëll!), i hartuar mirë dhe i zbatuar mirë, me investimin përkatës, do t’i shterronte një herë e mirë azikërkuesit e këtyre anëve. Përkundrazi, do të vinin gjermanët këndej, si për t‘u punësuar, ashtu edhe për të kaluar pushimet në mënyrën më atraktive të mundshme.
Vetëm po të veprohet kështu, as zonja A.Merkel dhe as ndonjë kancelar tjetër i Gjrmanisë, nuk do të detyroheshin të thoshin: NUK JAPIM AZIL PËR BALLKANASIT.

Gjokë Dabaj, 24 gusht – 1 shtator 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura