RAMADAN ASLLANI: INTERVISTË E PAPËRFUNDUAR ME SALI BAJRËN

Ferizaj, 13. 12. 2015: (Me rastin 9-vjetorit në amshim të Sali Bajrës) – Saliu edhe sot i duhet Republikës së Kosovës! Por, mjerisht, që Ai, jo vetëm që nuk është në jetë, por, mjerisht, ende nuk jemi mësuar të veprojmë si Ai, për shtetin e Kosovës dhe për qytetarët e saj! – Sot është 9-vjetori i përjetësimit të z. Sali Bajra, kryetarit më të ri në historinë e Komunës së Kaçanikut e më gjerë, njeriut që, kur fjala nuk bënte punë, ai e bënte edhe praktikisht. Këtë e mbajnë mend qytetarët kaçanikas, por edhe të gjithë ata që e kanë njohur e kanë punuar me të, për veprimet e të cilit kanë shkruar gazetat shqiptare dhe serbo-jugosllave. Ishte njeriu, që i vlonte gjaku prej shqiptari, jo vetëm për Kosovën, Çamërinë, Maqedoninë, por edhe për Shqipërinë. Ky ishte ai që ua ndaloi hyrjen maqedonasve dhe serbëve në kufirin e Kosovës në Hani të Elezit, sepse autoritetet maqedonase e serbe i maltretonin shqiptarët. Ky ishte njeriu që lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë për aktin më madhor kombëtar të ultimatumit, që deri më sot nuk e ka bërë kush dhe nuk e ka treguar historia për një njeri si Ai. Ky e futi edhe fabrikën e çimentos brenda kufirit të Kosovës, ku edhe sot hanë bukë qindra familje.
Të dashur lexues, ky është vetëm një kujtim për këtë datë, sepse më ka mbetur peng botimi i librit monografik “Sali Bajra – kushtrim i kohës”, ku nuk qenë në gjendje as Kaçaniku e as Ferizaj për ta ndihmuar këtë botim, për të cilin bashkërisht punuam deri dy javë para vdekjes së tij. Duke u ndarë si bashkëbisedues i fundit me të, në zyrën e ish-nënkryetarit të Kaçanikut, z. Hebib Shehut, më tha: – Ramadan, a bën ta lëmë një ditë tjetër, se sot nuk po ndihem mirë! – Po aga Sali, si jo – iu përgjigja! – M’i jep pyetjet, e kur të bëj më mirë, do të përgjigjem… I mori pyetjet dhe i futi në xhepin e djathtë të palltos, ku pak përpara znj. Afide Kuka, arkiviste e komunës na i kishte bërë foton e fundit me të, ku edhe e ndërpremë intervistën e përjetshme…

– Sali Bajra –

Tani, sa herë që vjen 13 dhjetori, bëj intervistë në heshtje me të, duke e kujtuar çastin e fundit, një plogështi moshe, një zhgënjim me realitetin e kohës, një pakënaqësi politike e kombëtare shqiptare…
Hap foton e kujtimit të fundit, duke shikuar portretin e tij. Një burrë pedant, i veshur me elegancë, që të shikon në sy me shumë nder dhe respekt. Ndenja me të ishte krenari për burrëri. Në dollapin e zyrës, rrinë dosjet për të, ku bashkëbiseduam shkurt dhe e ndërpremë… Shoh, pakon e cigareve, që atë ditë nuk ishte në qejf për ta ndezur asnjë. Dukej, se diçka tjetër e kishte ndezur në shpirt… Nuk ishte në qejf, as për një çaj kaçanikçe me agallëk…
Dolëm nga zyra e katit të tretë e Komunës së Kaçanikut krah për krah, duke zbritur shkallëve teposhtë dhe shkoi për shtëpi. Shkoi për në shtëpinë e fundit, që nuk më la ta përcjell, se nuk donte të dorëzohej…Ishte dhe mbeti shpirt i madh atdhetar shqiptar.
Në mëngjesin e 13 dhjetorit 2006, kur ndërroi jetë z. Sali Bajra, më ftoi me telefon ish-drejtori i shtëpisë së kulturës “Xheladin Kurtaj”, z. Ibush Vishi, duke më njoftuar, se ka ndërruar jetë Sali Bajra, por më shumë për t’ia dërguar disa shënime biografike ish-kryetarit të komunës z. Xhelal Gashit. I përmblodha sa dita e munda dhe shkova në Kaçanik në ora 10.00 për t’ia dërguar kryetarit. Në parazyrën e tij, i tregova sekretares, që t’i thotë kryetarit se ka ardhur Ramadan Asllani për t’i sjellë shënimet biografike për Sali Bajrën. Ai, pa fare mospërfillje, i tha në telefon: – Thuaj, le ti le qaty! Unë e dëgjova nga telefoni dhe iu përgjigja:- Thuaj, valla, nuk po ti la! Nuk ia lashë dhe vazhdova punën time në përcjelljen e varrimit, duke filluar nga shtëpia e deri te varret. Bëra shumë fotografi, që kanë mbetur një arkiv për të.
Kur u mbajt mbledhja komemorative, z. Xhelal Gashi, kryetar i atëhershëm, për 72 vjet e shtatë muaj të jetës dhe veprimtarisë së Sali Bajrës, i pati thënë 72 fjalë, që nuk i binte as një fjalë për një vjet jete. Si duket, nga ky zhgënjim, edhe familja nuk lejoi që në varrin e tij të mos mbahet asnjë fjalë mortore, ku edhe ashtu ndodhi, duke i dhënë lamtumirën e fundit me ceremoni fetare islame.
Dhe, jo vetëm kjo, por kanë kaluar disa vite, që kush nuk ka vënë kurorë mbi varrin e tij, të cilit, para dy vjetësh ia rregulloi djali, që mos t’i humbej. Dhe zhgënjimi tjetër, vazhdon të mbetet edhe me rastin e festave të ndryshme, ku përditë komunarët kalojnë pranë bustit të tij, dhe nuk kujtohet kush një tufë lulesh për ndonjë festë a përvjetor. Por, as ata të ish-Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk e bëjnë një nderim për të…
Aga Sali, siç i thoshim në Kaçanik, la 3 vajza dhe një djalë, e mbi të gjitha u kënaq me nipa e mbesa. Jetoi dhe përfundoi jetën në një shtëpi modeste përdhese: pa veturë, pa shtëpi në bregdeti, pa shtëpi vikendi në Brezovicë, pa luks, pa pasuri, pa shërbëtore – veç dy metra Tokë Shqipërie!
AUTOBIOGRAFIA E SALI BAJRËS
Të dashur lexues, në shenjë kujtimi dhe dhembjeje për të, po jap një autobiografi të tij.
Kam lindur në Kaçanik, më 19 maj 1934. Rrjedh nga një familje zejtare-punëtore prej babës Bajrush, i lindur në Kovaçec (Trimor) dhe prej nënës Shefkie Shehu – Bajra, e lindur në Kaçanik.
Në moshën 6-vjeçare kam nxënë mësimet në shkollën fetare, të udhëhequr nga motrat Hatixhe e Fetë, vajzat e mulla Rifatit, ku kam bërë hatme në shtëpi, e hërën tjetër në xhaminë e sotme të Kaçanikut – në vendlindjen time. Nga mosha 7-vjeçare jam regjistruar në klasën e parë të shkollës fillore në gjuhën serbe në Kaçanik. Me kapitullimin e Serbisë dhe okupimin bullgar të komunës (së Kaçanikut, RA), i kam vijuar mësimet në gjuhën bullgare.
PROGJIMNAZI NË MAGAZINAT E ILAZ AGËS
Pas çlirimit jam regjistruar në shkollën fillore në gjuhën shqipe në Kaçanik, duke i kryer katër klasë të saj. Më pas u detyrova ta vazhdoj shkollimin në progjimnazin e Ferizajt, në magazinat e Ilaz Agës, ku e kreva vitin e parë gjatë vitit shkollor 1947/48. Ishim në një gjendje tejet të mjerë ekonomike në familje, ku prej gjashtë anëtarëve në familje vetëm unë punoja, por më nxorën prej marrëdhënies së punës dhe u detyrova ta ndërpresë shkollimin, duke u ndarë nga shokët, edhe pse unë dhe Mehmet Begraca e patëm kryer klasën me sukses të shkëlqyeshëm.
U punësova në moshën 14-vjeçare në kooperativën bujqësore në Kaçanik si referent i evidencimit. Në fund të vitit 1949, e kreva një kurs të kontabilitetit në Vernjaçka Banjë, organizuar nga Lidhja e Kooperativave të Serbisë në Beograd. Nga viti 1950, sipas direktivës u caktova e punova si shef i filiales në magazinën e Rrethit të Nerodimes në Ferizaj. Në Kaçanik e furnizoja tërë komunën me artikuj të ndryshëm ushqimor dhe mall tjetër tregtar sipas distribuimit.
NË MAJ TË 1958-ës KRYETAR
Me kërkesën e kooperativën bujqësore “Ramadan Agushi kalova si shef kontabiliteti gjer në fillim të vitit 1952. Me themelimin e ndërmarrjes tregtare “Sharr” në Kaçanik, gjatë vitit 1952 kalova me punë si bilancist i pavarur dhe shef i kontabilitetit gjer në maj të vitit 1958 prej nga zgjidhem kryetar i komunës së Kaçanikut. Si kryetar e nënkryetar komune punova prej vitit 1958 e gjer në janar të vitit 1960, kur zgjidhem si sekretar i Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve të Kaçanikut. Si profesionist, gjatë vitit 1960 e kam dhënë provimin pranues në shkollën e lartë ekonomike në Shkup, e cila ndërkohë pushoi së vepruari. Pa e pritur Beqir Shehun që kthehej nga shkollimi, i cili duhej të më zëvendësonte iu paraqita të ndjerit Xhavit Nimanit, që asaj bote ishte sekretar organizativ i Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të më liroi nga pozita e sekretarit të Komitetit për qëllim shkollimi, me një bursë të studentit të rëndomtë që do të ma mundësonte kolektivi i fabrikës së çimentos “Sharr”, në Han të Elezit. I propozova atij, ngase aso kohe ashtu kisha vendosur. U shkollova në Shkollën Ekonomike në Pejë dhe me t’u kthyer nga atje u punësova në fabrikën e çimentos “Sharr”, si bursist i tyre, në detyrën e zëvendësit të drejtorit komercial. Gjatë vitit 1963 u ktheva në punë sipas vendimit të Komitetit dhe u emërova kryeshef i drejtorisë për ekonomi e punë komunale në Kuvendin e Komunës. Këtë detyrë e kreva me sukses si i vetmi ekonomist në komunë gjer në vitin 1965, me ç’rast sipas direktivës emërohem drejtor i ndërmarrjes “Granit” në Kaçanik për ta sanuar gjendjen e ndërmarrjes, e cila gjendej para falimentimit. Pasi e sanova gjendjen në “Granit”, e meqë isha pranuar si drejtor financiar në “Rilindje”, me sigurim të banesës sipas marrëveshjes me Sinan Hasanin, drejtor e Qerim Qerimin zëvendësdrejtor, më 15 janar 1966 e luta këshillin e punëtorëve që të më liroi nga pozita e drejtorit si shkas për shkollimin e fëmijëve në Prishtinë.
MË 1967 PRAPË KRYETAR
Në vitin 1967, zgjidhem për kryetar kuvendi nga pozita e drejtorit financiar gjer në vitin 1969, kur fuqitë destruktive shoqërore të Kosovës për pa përfillur situatën politike ligjore e shoqërore më shkarkojnë nga pozita, por pa votën e shumicës së këshilltarëve.
Ndërkohë ndërhyjnë udhëheqja komunale e komunës që mos të shkoi në Prishtinë, por të shkoj për drejtor financiar në kombinatin “Sharr” të Hanit të Elezit, meqë si arsyetuan ata, shumë kuadro profesionale e kishin lëshuar kombinatin. Pranova ta ndërroi marshutën, meqë e dija se në çfarë gjendje të sëmurë ekonomike gjendej “Sharri”. Atë botë nuk kishte kuadër, vendosa për ta marrë për detyrë sanimin e gjendjes. Fillova punën me 17 janar 1966 dhe punova një vit ekonomik duke kujdestaruar ditë e natë e së bashku me ekipin tjetër të kuadrove nga Kaçaniku në krye me drejtorin Faik Shehun e pastruam kolektivin nga aktivet fiktive. I rritëm të ardhurat e punëtorëve 100 për qind, arritëm që kolektivit t’ia mundësojmë dhe paguajmë në dy perioda të ardhura mbi të ardhura.
Në historinë e ekzistimit të çimentores, për herë të parë realizuam planin fizik dhe rezultatin pozitiv financiar të afarizmit, duke i ngritur në nivel të kënaqur marrëdhëniet ndërnjerëzore, andaj dhe marrëdhëniet shoqërore në prodhim.
Në vitin 1967, zgjidhem për kryetar kuvendi nga pozita e drejtorit financiar gjer në vitin 1969, kur fuqitë destruktive shoqërore të Kosovës për pa përfillur situatën politike ligjore e shoqërore më shkarkojnë nga pozita, por pa votën e shumicës së këshilltarëve. Kisha mundësi ligjore ta ushtroj funksionin si shumë kryetar në Serbi, por që të mos mendojë elektorati se jam karrierist shkova nga pozita e kryetarit.
Pastaj rishtas jam kthyer në punë në pozitën e referentit për plan e analizë të kombinatit “Sharr” në Hanin e Elezit. Ndër kohë i kam vazhduar studimet me korrespondencë në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Ekonomik dhe kam diplomuar në temën “Formimi dhe shpërndarja e të ardhurave në Kombinatin “Sharr”, duke u çmuar me notën tetë në vitin 1972.
Më 1973 përballesha për sigurimin e bukës për familje
Më bënë një të padrejtë ligjore, punëtore e qytetare udhëheqësia e “Sharrit” në bashkëpunim me udhëheqësit e komunës dhe më nxorën prej pune. Kështu gjatë tërë vitit 1973 isha i papunë e pa mjete elementare për jetë me plot borxhe në anën tjetër.
Udhëheqësisë së Kaçanikut, atë botë i ofrova aftësitë e mia për punë si kontabilist i sprovuar për t’i siguruar bukë familjes, por me keqardhjen time, Kaçaniku im as këtë nuk ma lejoi?!…
U detyrova që gjatë viti 1974 me kërkesën e drejtorit të “Makopllodit”, të ndjerit Azem Morinës – Mehmetit të punësohem në Shkupin tim me gjithë rrethanat politike të palakueshme, ngase pushteti maqedonas mezi priste të arrestoi e burgos për mosmarrëveshjet politike e shtetërore që kisha me ta.
Më 1976 i pa punë
Më 1976 i kreva studimet pasdiplomike në Universitetin e Shkupit nga lënda e ekonomisë së ndërmarrjes lëshoi punën në “Makopllod” nga pozita e drejtorit financiar të ndërmarrjes, që kishte mbi 623 të punësuar dhe kthehem në Kaçanik, duke ngel i pa punë.
Në vitin 1977 me insistimin e Komitetit Krahinor pranohem në punë si referent për plan e analizë të “Sallonitit” në Han të Elezit.

Legjenda, Sali Bajra me autorin.

Në vitin 1978 ndërmarrja ime e mëparshme më thërret të konkurroi për drejtor të përfaqësisë së vet në Prishtinë dhe më zgjodhi në këtë post. Unë me tërë familjen kalova në Prishtinë me punë dhe banim. Gjatë viti 1981, natën e majit, 30 prill në Kaçanik më arrestuan si të izoluar politik, duke më dërguar në burgun e Lipjanit rrafsh një muaj. Kur lirohem nga burgu, me atmosferën politike që ishte krijuar në kolektiv rreth meje u dashtë që të pensionohem, të cilën e bëra gjatë vitit 1982, andaj prej atëherë jam në pension nga puna, por mjerisht pa pension edhe pse kishim fondin tonë të pasur. Në perëndim, pensionistët trajtohen me një konsideratë të caktuar shoqërore dhe humane, paguhen dhe ndihmohen e këtu?…

/Ramadan Asllani: [email protected]/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura