BEQIR ELSHANI: TË MOS NËNҪMOHET FEMRA SHQIPTARE, AJO ËSHTË E BARABARTË ME MASHKULLIN

Suedi, 01. 04. 2015 – Vazhdimisht kritikët e mëdhenj i kanë kritikuar botimet e librave të dobët, kështu veprohet edhe sot, sepse lexuesit ia vështirëson zgjedhjen e librave të frytshëm. Prandaj ashtu siç largohen gjërat e panevojshme prej shtëpisë, duhet larguar librat e dobët prej fondit të bibliotekës shtëpiake. Një ngjarje të tillë e kam përjetuar gjatë vizitës në shtëpi të fqinjit, i cili më tregoi disa libra që kishte blerë, por edhe që ia kishin dhuruar autorët e ndryshëm. Fqinji tregoi se pikërisht librin që po e shikoja, ia kishte dhuruar një koleg i punës, prandaj e shikova. Për habi, duke shfletuar librin më ranë në sy disa faqe me fjalë të urta dhe njëra ndër to ishte “Femra i ka flokët e gjata, mendtë e shkurtra”, prandaj menjëherë ia shpjegova domethënien e fjalisë patriarkale, e cila ka qëllim reaksionar që flitet në dëm të integritetit të femrës shqiptare, pikërisht në dëm të integritetit të zonjës së shtëpisë, e cila ishte pedagoge me universitet.
Duket qartë, që fjala e zymtë për gratë me flokët e gjata dhe mendtë e shkurtra është mbeturinë e perandorisë së vjetër osmane, në kohën kur femra shqiptare ka qenë e shtypur nën sundimin e bashkëshortit, por që tani fanatikët dëshirojnë ta trajtojnë si gjini të dobët. Ngjarja më përkujtoi mesjetën e zymtë të inkuizicionit, e cila në mes viteve 1400-1800 kishte ekzekutuar dhe terrorizuar 100 000 gra, duke i shpallur shtriga, vetëm pse kisha katolike kishte frikë nga gratë e zonja që dinin shkrim-lexim, matematikë, që njihnin artin e mjekësisë, si dhe ishin gra përparimtare në organizimin e familjes dhe jetës shoqërore.
Pikërisht ky libër patriarkal po e nënçmon femrën shqiptare, që sot është e barabartë me mashkullin si në veprimtarinë shoqërore, ashtu edhe në veprimtarinë prodhuese, meqë shumë femra kanë dalë mjeke, mësuese, inxhiniere, arkitekte, agronome, gjithashtu ishin luftëtare me pushkë e me pendë, sidomos nëna që kanë rritur djem e vajza sokola e sokolesha për mbrojtjen e atdheut.Padyshim që femra është pikëmbështetje e ardhmërisë që lindë fëmijë të shëndoshë e të frytshëm drejt shkollimit të tyre për emancipim familjar, pa emancipimin e së cilës nuk ka përparim as shoqëria, as kombi. Prandaj dijetari ynë, Sami Frashëri, thotë: “Po të mos ishte gruaja në botë, asnjëri nuk do të ishte i mjerë; por nuk do të ishte edhe njeriu”.

Disa fjalë rreth ardhjes së frazeologjisë për nënçmimin e femrës shqiptare. Frazeologjia “femra i ka flokët e gjata, mendtë e shkurtra” është me burim turk që pa arsye ka zënë vend në gojëtarinë shqiptare, e cila nuk i përket etikës dhe traditës sonë kombëtare. Duhet pasur parasysh se fjala reaksionare kundër integritetit të femrës në FGjSSh nuk përfshihet, as në librin e lavdishëm “Frazeologjizma të gjuhës shqipe” të Mehmet Gjevorit nuk përfshihet. Për habi, bashkëshorti i pedagoges sapo e pa urtinë mesjetare turke në libër, menjëherë e futi në sobën e ndezur me dru. Të dytë më falënderuan për kujdesin dhe zbardhjen e fjalës së vrazhdët, të cilët nuk pajtoheshin me bindjen reaksionare të autorit konservator, siç thoshte fqinji, u bë gjithkush të botojë libër, pa e njohur botën e mashkullit, jo më botën e femrës, sepse pa emancipimin e femrës shqiptare nuk ka emancipim familja dhe kombi shqiptar.
Duket qartë, që frazeologjia reaksionare është paragjykim që i përket errësirë mesjetare, prandaj kjo shprehje nënçmuese është një arkaizëm i vonuar që ka mbetur në ndonjë skutë të atdheut tonë, për shkak se populli shqiptar ishte i prapambetur. Pikërisht pushteti jugosllav i ashtuquajtur socialist ka qenë kundër emancipimit të femrës shqiptare, në mënyrë që shqiptarët më lehtë të shtypen dhe të shkombëtarizohen, meqë pa emancipimin e femrës nuk mund të ketë as mashkull, as shoqëri të emancipuar. Sot femra shqiptare është mësuese, mjeke, agronome, inxhiniere dhe arkitekte e jetës sonë kombëtare, është frymëzuese e kulturës, artit dhe letërsisë, është e emancipuar dhe e barabartë krahas mashkullit; prandaj shprehja “femra me flokë të gjata e me mend të shkurtra” bie në kundërshtim me arsyen, kulturën dhe traditën tonë kombëtare. Gjithashtu femra shqiptare është e lirë, e pavarur, e cila edhe gjatë pushtimit jugosllav ka luftuar për të drejta kombëtare – Republikën e Kosovës, njëkohësisht ka marrë pjesë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Të kemi parasysh se gjuha shqipe së pari mësohet nga buzët e mëmës, prandaj ATDHEU YNË quhet edhe MËMËDHE.

Nuk ka asnjë dyshim që fjala e urtë turke fyen integritetin e femrës shqiptare, e cila mund të gjendet si mbeturinë në lokalizëm të ndonjë njeriu konservator, por kurrë jo në popullin e arsimuar e të emancipuar shqiptar. Një rast të tillë kemi mjeken italiane, Rita Levi – Montalcini, gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilën babai i saj konservator e përbuzte, kinse gratë janë për punët në shtëpi, megjithatë ajo studioi mjekësinë dhe arriti të fitojë çmimin Nobel për fiziologji. Një patriarkalizëm i tillë ushtrohet në Kenia të Afrikës, atje femrat janë të shtypura, dmth. nuk janë të barabartë me mashkullin. Burri ka të drejtë ta keqtrajtojë e ta rrahë gruan, kurse gruaja nuk është e lirë të kërkojë mbrojtje prej rrethit dhe organeve të pushtetit. Në anën tjetër, shumë prindër e detyrojnë bijën e tyre që ta heshtin çështjen e dhunës, duke e arsyetuar si të drejtë patriarkale të mashkullit mbi femrën. Rasti më i skajshëm është kur një grup njerëzish e tallin bashkëshortin e sjellshëm ndaj bashkëshortes, vetëm pse nuk e ka rrahur, meqë “burrnia” e bashkëshortit tregohet me anën e përdorimit të shkopit ndaj bashkëshortes. Edhe më tragjike, që gruaja të jetë fajtore pse ka lindur vajzë dhe jo djalë, ndodh vetëm në vendet e prapambetura, kur bashkëshorti afganistanas e mbyt gruan, duke mos ditur që faktor për lindjen e fëmijës mashkull apo femër është burri, jo gruaja.
– Kontakti me autorin: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura