Në përvjetorin e rënies së Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit
GODITJA SHUMËDIMENSIONALE
Nga Mustafë Xhemaili
Në natën e 17 janarit 1982 u vranë me atentat nga UDB-ja jugosllave, tre udhëheqës, të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, tash heronjë të kombit.
Në këtë natë tragjike u vranë udhëheqësit e shquar pikërisht gjatë përpjekjes për bashkim të tri organizatave: Fronti i Kuq Popullor (FKP), LNÇKVSHJ-së dhe OMLK-së.
Përjetësisht Lavdi heronjve të kombit!
***
Vrasja e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit, ishte një goditje shumëdimensionale që e kreu UDB, jo vetëm kundër veprimtarëve të cilët i vrau me plumba, por ishte goditje kundër gjithë mërgimtarëve në Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Francë e gjetiu. Goditja e veçantë përveç ndaj familjeve të të rënëve, ishte edhe për Ibrahim Kelmendin, njërit nga themelluesit e bashkimit të 17 janarit ‘82.
Pas plojës që u bë mbi Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin, me gjithë fuqinë e propagandës së specializuar e të koordinuar mirë filloi të bie dhe ra me sukses mbi Ibrahim Kelmendin, me qëllim që ta paralizoj, komprementoj dhe për të krijuar hapësirë që të vritet për hakmarrje se gjoja ai i vrau shokët e tij!
NGJARJE HISTORIKE ME ZHVILLIME KULMORE
Në historinë më të re të Kosovës kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme dhe, data të ndryshme kalendarike kanë shënuar zhvillime kulmore historike si në politikë, kulturë, programe politike, legjislacion dhe dokumente historike që në fund kanë përcaktuar shtetësi.
Në këto zhvillime tona politike dhe shoqërore kanë ndikuar drejpërdrejt veprimet organizative dhe luftarake të organizatave të fshehta atdhetare të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ato nga vitet e 40-ta të shekulli të kaluar e këndej, kanë vepruar për lirinë kombëtare të popullit shqiptar në Kosovë dhe viset e saja, deri te bërja e shtetit të Kosovës me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe bashkëpunimin e ngushtë diplomatik dhe ushtarak të NATO-s dhe SHBA-së.
Organizata e fshehtë më e sukseshme nga aspekti i veprimeve themeluese, organizative, politike, propagnadistike, vazhdimësie, jetëgjatësisë; programit dhe statutit për organizime të vazhdueshëm politike e strategjike, veprimeve dhe platformës luftarake, për zgjidhjen e problemit me luftë të armatosur kundër Serbisë pushtuese, padyshim është Lëvizja Popullore e Kosovës. LPK themeloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe jo vetëm këtë, por edhe dy ushtritë tjera atë për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (UÇPBM) si dhe atë kombëtaren për Maqedoninë (UÇK).
Themelimi i LPK-së ka zanafillën këtu e 42 vjet më parë, në natën e 17 janarit 1982 në Unetergrupenbach – ish Gjermaninë Perëndimore. Nëpër vite pati disa emërtime dhe akronime pothuajse të ngjashme:
– Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ),
– Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ),
– Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) dhe
– Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK).
Natyrisht, në këtë historik të gjatë, për të ardhur deri të akronimi LPK (pastaj edhe akronimet e tri ushtrive çlirimtare), ka pasur zhvillimin e vet, por asnjëherë të shkëputur, as nga aspekti organizativ, politik e propagnadistik e as nga ai luftarak.
NDRIÇIMI I THEMELIMIT TË LËVIZJES
Kanë kaluar mbi 42 vjetë nga ajo ngjarje tragjike dhe e jashtëzakonshme e 17 janarit 1982. Është largësi e mjaftueshme historike, që lejon të flitet hapur lidhur me rrethanat dhe zhvillimet e asaj kohe. Tash janë stabilizuar shumë gjëra dhe dihen dëshmi dhe fakte për organizime të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kosova është shtet dhe populli jeton në liri. Sot, të dhënat dhe faktet që mund të zbulohen dhe dokumentohen për këtë rast, nuk e dëmtojnë Kosovën dhe shtetësinë e saj. Nuk e dëmtojnë as Shqipërinë.
Me punën hulumtuese nga historianët, është koha që të definohet se cila është data e themelimit të LPK-së:
– 17 janari i vitit 1982, apo
– 17 shkurti i vitit 1982.
Pas vrasjes, dokumentet dhe të gjitha shkrimet për çështjen e bashkimit dhe themelimit të organizatës së re, janë konfiskuar nga organet përkatëse gjermane.
Deri tash nuk kam hasur informacion se a u janë kthyer ato dokumente familjeve të të rënëve, e sëbashku me to edhe dokumentet që flasin për një bashkim dhe organizatë të re më 17 janar 1982.
Dëshmitari dhe njëri ndër organizatorët kryesor të këtij bashkimi, i cili ka mbetur i gjallë nga ky atentat, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare Ibrahim Kelmendi, përfaqësues i Frontit të Kuq Popullor (FKP), ka treguar dhe shpjeguar gjerë e gjatë publikisht, madje edhe në libra të botuar, mënyrën e takimit, punën për hartimin e dokumentit të bashkimit në natën e 17 janarit 1982.
Së fundi nga arkivat shtetërore të Shqipërisë, në dritë doli edhe një dokument me datë tjetër e themelimit: 16 janar 1982, një ditë para atentatit mbi Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin!!
Data 16 janari dhe 17 shkurti, flasin për bashkim të PKMLSHJ-së dhe LNÇKVSHJ-së (me aktin e bashkangjitjes të OMLK-së më 15 maj 1982), për bashkim të datës 17 shkurt 1982.
Në të dy variantet e këtyre bashkimeve, mungon FKP-Fronti i Kuq Popullor dhe përfaqësuesi i tij!
Ndërsa në takimin dhe bashkimin e 17 janarit 1982, mungonte PKMLSHJ dhe përfaqësuesi i tij.
KOHA PËR DËSHMI
Përveç tre të rënëve më 17 janar 1982, të tjerët janë gjallë dhe, me një përpjekje fisnike për të dëshmuar historinë, që të shmangen „grindjet“ për data themelimi – është koha për dëshmi!
Sa më përket mua, për bashkimin e organizatave mund të them ato që më ka thënë Ibrahim Kelmendi gjatë bisedave për tragjedinë e 17 janarit. Gjatë viteve 1984-1985, në takimet e shpeshta pune që kemi pasur në Zvicër, e kryesisht në qytetin Biel-Bienne. Ai më ka folur hapur për të gjitha zhvillimet dhe përpjekjet për bashkim të tri organizatave dhe ngjarjet e ndodhura më 16 e 17 janar 1982. Ato të cilat m’i ka thënë I. K., pastaj, i ka publikuar në formë elektronike, kryesisht në llogarin e tij në FCB, dhe në formën e shkruar duke e botuar veprën autoriale, „Atentatet“ (roman biografiko-historik) dhe „Lëvizja – Lindje e përgjakur“ (Bedri Islami: Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin).
Me që kam pasur role udhëqëse dhe vendimarrëse në LPRK (1984-1991), kam mundur të mbajë qëndrim që tema për bashkimin e 17 janarit, jo pse nuk ishte apo ishte, ashtu siç dëshmonte Ibrahim Kelmendi, por nuk ishte aspak koha e përshtatshme që të bisedohej dhe debatohej për këtë problem. Ishte kohë e ndieshme dhe tema e tillë rrënonte edhe atë punë që ishte bërë dhe bëhej për organizim të mirëfilltë politik, propagandistik dhe luftarak të Lëvizjes në dobi të çlirimit të Kosovës.
Në biseda edhe me bashkudhëheqës të tjerë të LPRK-së, Ibrahim Kelmendi, e ka parë të arsyeshme që ta hesht këtë çështje në dobi të qëllimit kryesor, deri sa të çlirohet dhe të bëhet shtet Kosova.
***
Fotot në vazhdim nuk kanë nevojë për diçitura, sepse janë të njohura!
Mirëpo ato kanë nevojë të interpretohen e zbërthehen se çka po flasin sot:
– FOTO 1: flet dhe klithë për krimin makabër të UDB-së ndaj tre bijëve të popullit tonë, veprimtarëve dhe udhëheqësve të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës. Ky krim nuk duhet harruar kurrë!
– FOTO 2: flet se këto tri varre në Untergrupenbach, në ish Gjermaninë Perëndimore, për 20 vjetë me radhë, ishin simbol bashkimi i mërgimtarëve. Ata, në çdo 17 shkurt, kanë shkuar pranë tyre për vizita dhe homazhe nga e gjithë Evropa për të kujtuar heronjtë e kombit dhe për t’u frymëzuar e luftuar për lirinë e Kosovës deri në çlirimin e saj!
– FOTO 3: flet se panoja me fotot e heronjve në sheshin Skenderbej të kryeqytetit të Republikës, janë vënë për dekor! Ndërsa shihet qartazi, se tre heronjtë, që ishin simbol bashkimi e frymëzimi i mërgatës sonë për 20 vjetë me radhë, do të duhej të ishin, dhe duhet të jenë patjetër, së bashku, që të tre – në STATUJË MONUMENTALE, simbol bashkimi e frymëzimi, në Prishtinë, kryeqytetin e shtetit tonë.
____________
SHTOJCË E PASHTRIKUT
Kur u themelua Lëvizja, më 17 janar apo më 17 shkurt 1982?!
ÇKA THOTË BEDRI ISLAMI, ISH KRYETARI I LPK-së, (QERSHOR 1998 – QERSHOR 1999)?
Bedri Islami: “Është zgjedhur qëllimisht data 17 shkurt, sepse më 17 shkurt (1982) është krijuar Lëvizja Popullore e Kosovës dhe (Hashim) Thaçi tha se do ta shpallim pavarësinë në një ditë të shënuar për Kosovën. Dhe meqenëse ka qenë për shumë vite një nga drejtuesit e LPK zgjodhi këtë datë. Ndoshta bëjë gabim që e shpalosi për herë të parë këtë ide sepse tjerëve nuk u ka rënë në mend por fakti kështu është”.
***
Dëshmi: Bedri Islami në emisionin “Arnautistan” me gazetarin Mustafa Nano, MCN TV, 16 shkurt 2022
Klikoni këtu 👇👇👇
Bedri Islami i ftuar në Arnautistan të Mustafa Nano në MCN TV, 16 Shkurt 2022
https://www.yuotube.com/watsch?v=J-JB9xGWq18
Nga arkivi
https://www.facebook.com/share/p/VJx6hk6D1BGUphqf/
_________
Në 42 vjetorin e themelimit të LPK’së, më 17.2.1982
HISTORIKU I LËVIZJES POPULLORE TË KOSOVËS (LPK’së), BOTUAR NË GAZETËN ‘ZËRI I KOSOVËS’, NË 20 VJETORIN E THEMELIMIT
Nga Emrush Xhemajli
(…)
– Më 17 janar 1982 në Untergrupenbah të Gjermanisë u vranë 3 aktivistët më të dalluar të kohës, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla.
– 17 shkurt 1982 në Turqi, përfaqësues të dy grupimeve patriotike të fshehta, Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica (të arratisur politikë nga Kosova), në prezencë edhe të ambasadorit të Shqipërisë në Turqi, z. Bujar Hoxha shpallin të formuar Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ).
– Më 15 maj të vitit 1982 në Zvicër përfaqësuesi i grupit të tretë patriotik Xhafer Shatri deklaron hyrjen në LRSSHJ.
– Qëllimi i LRSSHJ ishte që të arrihet formimi i Republikës së Kosovës në kuadër të federatës jugosllave ku do të përfshiheshin viset e banuara me shumicë shqiptarë.
– 1982 – 1984. LRSSHJ-në e drejton Komiteti Qendror i LRSSHJ-së i përbërë nga 15 anëtarë. Ndër të tjerë dhe Xhafer Shatri, Sabri Novosella, Ibrahim Kelmendi, Fahredin Tafallari, Hasan Mala, Kadri Abdullahu, etj.
(…)
Më gjerësisht lexoni
HISTORIKU I LPK’së …