GURSEL E BAJRAM SYLEJMANI – LAPIDAR TË LIRISË SË KOSOVËS

Në 24 vjetorin e rënies

PËRVJETOR / GURSEL E BAJRAM SYLEJMANI – LAPIDAR TË LIRISË SË KOSOVËS

(Pjesë e shkëputur nga një shkrim më i gjatë i papublikuar – kujtime dhe refleksione)

Shkruan: Mustafë Xhemaili

Kumti që tronditë

Sa kisha marrë vesh me telefon se në gazetën “Kombi” në Prishtinë, më ishte botuar si zakonisht kolumna e së shtunës. Kësaj radhe, më ishte botuar ajo me titull “Pritja e dimrit”. Gjatë gjithë këtij viti për çdo numër kam shkruar për këtë gazetë të përdyjavshmne, aktualisht me ndikim në Kosovë dhe kam botuar një bisedë të gjatë me veteranin e luftës për liri të Kosovës, Hysen Tërpezën.

Atë ditë ishte e martë, 29 shtator 1998. Bëja skicat për kolumnen e re që do të shkruaja kur një telefonatë nga Bjeshkët e Jezercit, nga fronti i luftës çlirimtare, me ngriu në vend. Në telefon, me një zë metalik, më flet Qamili, vëllau im që është Komandant në njisitet e UÇK-së (Komandant “Haxhia”) në ZON. Zëri më vjen në telefon në formë kumti:

– “O vëlla, dje na u kanë vrarë kusherinjtë, Gurseli dhe Bajrami!”.

Lajm më tronditës nuk kisha marrë që nga vdekja e babait më 1979. Për një moment u shtanga dhe m’u zu gryka e m’u duk se u thye diçka brenda kafkës sime! E gjithë kjo ndodhi për dy-tre sekonda. M’u kujtua se pikërisht Qamili është në gjendje shumë më të rëndë në këtë moment. Një ndjejë e thellë u zgjua si mbrojte dhe klithje dhe i thash:

– “Lavdi atyre u qoftë! Ata kanë rënë në frontin e luftës çlirimtare!”.

Nuk guxova ta shqiptoj fjalën VRASJE, siç e tha Qamili që ishte mësuar me vrasje të përditshme në luftë dhe sigurisht i dukej tepër e zakonshme. Duke thënë kanë RËNË, në formën e pohimit dhe të kualifikimit, unë në fakt dëshirova ta zbus realitetin duke ndërdij se mos vallë nuk është e vërtetë ajo që paska ndodhur. Por, jo! Qamili ishte i saktë me fjalët e veta, sepse e saktë dhe reale është lufta e UÇK-së për çlirimin e Kosovës.

– “Po si ndodhi ashtu…që të dytë… përnjëherë!?”- e pyes Qamilin hutueshëm.

– “Ofensiva serbe ishte shumë e fortë. Bajrami është vrarë në vend, por nuk ia kemi gjetur trupin e tij. Ndërsa Gurseli… ishte i plagosur rëndë, nuk kishte asnjë mundësi të shpëtohet dhe… më ka vdekur në krahët e mi!”

– “Për të gjithë, por për tezën Sofi qenka bërë shumë keq. Ajo nuk ka më djemë…”

belbëzova në telefon.

– A e kanë marrë vesh lajmin, domethënë, a e keni shpallur ju nga Shtabi këtë lajm?” – vazhdova duke e përmbledhur veten me sforcim.

– “Jo ende nuk e kemi dhënë lajmin. Atë ditë na janë vrarë edhe shtatë ushtarë të tjerë. Edhe ti mos u trego të tjerëve derisa ta shpallim me një kumtesë” – u përgjigj Qamili.

– “Duhet të mbaheni fort o Komandant! Qenka bërë dëmë shumë i madh për ne dhe për UÇK-në!” – dhe pas përshëndetjes me një “Mirëupafshim”, lëshova ngadalë receptorin e telefonit, i cili mu duk si një pjesë guri i rëndë varri.

Isha i vetmuar në dhomën time të punës. Më kaploi një shurdhëri e befasishme në hapësirën e dhomës të mbushur me libra dhe gazeta të shumta. Shpërtheva në vaj dhe qava me ngashërim.

Deri në fund të javës nuk i tregova as gruas sime Mirvetes, as vëllaut që e kisha në Lucernë, Mifailit dhe as motrës Nazife që e kam në Lozanë. E kisha të rëndë brenda vetes një lajm të tillë që ma kumtoi Qamili, por ai më tha se deri sa të mos jepet lajmi mos i trego askujt, dhe ashtu bëra vërtetë. Të nesërmen e marrjes së lajmit, me që nuk dinte gjë askush, befasisht mu duk se lajmi s’ishte i vërtetë!

Të shtunën në mëngjes, erdhi Mifaili i cili kishte dëgjuar lajmin e dhënë mbrëmë. Përqafuam njëri-tjetrin. E ftova Nazifen të vjen te unë në Biel-Bienne. Natyrisht se lufta do të vazhdoj. Në frontin e Dukagjinit e kemi Emrushin dhe në atë të Neredimes Qamilin. Bajrushin nuk e dimë se në cilin burg e kanë dërguar serbët dhe nuk e dimë se a do të shpëtoj gjallë nga kthetrat e burgut. Lufta mund t’i marrë edhe Emrushin edhe Qamilin, siç i mori dy kusherinjtë tanë Gurselin dhe Bajramin. Sigurisht që unë dhe Mifaili do të përgatitemi, dhe të shkojmë në fronte lufte!

Historia e bujshme e familjes Sylejmani

Gurseli (1961) dhe Bajrami (1965) lindën në Familjen SYLEJMANI, të Sadovinës së Jerlive, familje shumë e njohur për atdhetarizëm.

Gjeografikisht nga ky katund fillon Anamorava kur vihet nga Ferizaj – Gërlicë nëpër magjistralen Prishtinë – Shkup. Gjyshi i Gurselit dhe i Bajramit, Ahmet Sylejmani së bashku me vëllain e tij, Bejtën, ishin të njohur si njerëz kryengritës dhe mikëpritës. Oda e tyre në katund ka funksionuar deri vonë dhe ishte e përmendur në gjithë Anamoravën që ka dhënë pushkë dhe bukë për liri.

Ahmeti dhe Bejta bënë një jetë të rëndë kaçakçe sepse ishin vazhdimisht të ndjekur nga pushteti serb. Në luftë kundër sundimit të Mbretësisë SKS u dallua veçanërisht Bejtë Sadovina, siç i thoshin anamoravasit.

Ai mori pjesë aktivisht në Lëvizjen Nacionalçlirimtare Kaçake, e cila lëvizje tashmë është e njohur nga disa studime e sidomos nga studimet i historianit tonë Dr. Liman Rushitit.

Gjatë luftës së dytë botërore Kosova ishte e ndarë në tri zona të mëdha: italiane, gjermane dhe bullgare. Sadovina e Jerlive binte në zonën bullgare. Në vitin 1942, pushtuesit bullgarë familjes Sylejmani, si njëra ndër familjet më kryengritëse në këtë rajon, ia djegin shtëpinë dhe gjithë pasurinë. E gjithë familja u arratisë në katundin Sadovinë e Çerkezve, katund i cili ishte në zonën e pushtuesve italianë. Aty qëndrojnë deri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, deri më 1946.

Në këtë kohë ndodhin ngjarje të mëdha për popullsinë e gjithë Kosovës si dhe për banorët e Anamoravës. Plasi lufta e hapur në mes serbopartizanoçetnikëve dhe shqiptarëve kryengritës të udhëhequr nga Mulla Idrizi i Gjilanit e Hysen Tërpeza dhe në Drenicë nga Shaban Polluzha. Përmes disa studimeve është bërë përpjekje të ndriçohet kjo rezistencë e shqiptarëve për çlirimin nga serbopartizanoçetnikët gjatë viteve 1944-48.

Dihen lufta dhe personalitet e saj shqiptare në njërën anë, dhe në anën tjetër, dihen gjithashtu qëllimet dhe lufta shkatërruese e Serbisë dhe UNÇ të Jugosllavisë, Disa personalitete të kësaj lufte janë edhe nga familja Sylejmani të Sadovinës së Jerlive dhe të familjes Fazliu të Sadovinës së Çerkezve, të cilat pak më vonë do të bëhen miq mes veti.

Në luftën e njohur të Kikës marrin pjesë tre luftëtarë të familjes Sylejmani, Ahmeti, Bejta dhe Hetemi atëherë 17 vjeçarë, (më vonë babai i Gurselit dhe i Bajramit) dhe Hajrush Fazliu. Në këtë luftë që u zhvillua më 25 e 26 korrik 1944, plagoset rëndë Ahmet Sylejmani, ndërsa Hajrush Fazliu babagjyshi ynë nga nëna, bie dëshmor duke luftuar heroikisht në llogoret e frontit të luftës së Kikës.

Bejtë Sadovina me të vëllain Ahmetin vazhdojnë luftën në aradhat vullnetare të Hysen Tërpezës për të bërë rezistencë kundër invadimit të pushtetit partizanokomuinist serb.

Edhe pas shpërndarjes me luftë të aradhave të Hysen Tërpezës, Bejta nuk kthehet në shtëpi dhe nuk arratiset jashtë Kosove, por qëndron në mal si kaçak, i cili ndiqet nga OZNA. Bejtë Sadovinën dëshironin ta kapnin të gjallë çetnikët e OZNA-së, mirëpo ai ishte i stërvitur dhe i guximshëm. Edhe me aksione individuale, ai u bë tmerri i këtyre çetnikëve që torturonin popullsinë e Anamoravës. Por Bejta jetonte si kaçak në kushte shumë të rënda.

Madje ishte edhe me një plagë që nuk arriti ta shëroj në dimrin e egër të vitit 1947. Kështu Bejta u sëmurë rëndë dhe vdiq, luftëtar sypatrembur i rezistencës shqiptare të kësaj periudhe. Ai u varros fshehtas, por OZNA nuk besonte që ka vdekur një shqiptar i tillë. Pas një jave, që ishte bërë varrimi, një patrull e specializuar bënë zhvarrimin për t’u bindur se vërtetë kishte vdekur Bejtë Sylejmani – Sadovina.

Tri vajzat e Hajrush Fazliut

Hajrush dhe Sherife Fazliu, kishin dy djemë dhe tri vajza: Murselin, Fazliun, Fatimen, e cila u martua në Komogllavë në familjen Xhemaili të Tafaliajve për Muharremin; Hanifen, e cila u martua në katundin Verban në familjen Sherifi, për Rrustemin; Sofijen, e cila u martua në Sadovinë të Jerlive në familjen Sylejmani, për Hetemin, i cili e kishte një grua dhe pesë vajza, por me çdo kusht ai kishte dëshirë të kishte edhe djemë.

Hetem dhe Sofije Sylejmanit (Fazliu) u lindën dy djem si drita: Gurseli (1961) dhe pas katër vitesh Bajrami (1965).

Është karakteristikë për ta theksuar se të gjithë fëmijët e tri motrave Fatimes, Hanifes dhe Sofijes (tezakë dhe tezake mesveti) që nga vitit 1978, u përfshinë në mënyra të ndryshme në Lëvizjen Ilegale Patriotike të Kosovës e në rezistencë dhe luftë të hapur antiserbe. Ndërsa katër prej tyre u përfshinë drejtpërdrejtë në luftë të armatosur për çlirimin e Kosovës në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në frontet e zonave operative të Dukagjinit dhe të Nerodimes: Emrush e Qamil Xhemaili si dhe Gursel e Bajram Sylejmani.

Në vjeshtën e vitit 1998, heroikisht, në luftë për lirinë e Kosovës bien në frontin e Jezercit Gursel e Bajram Sylejmani.

Gursel Sylejmani

Gursel Sulejmani u lind më 1 nëntor 1961. Në vitin 1968 hyri në klasë të parë në shkollën fillore të katundit Gushicë. Shkollën e mesme e kreu në Viti ndërsa Degën e Artit Figurativ në Shkollën e lartë Pedagogjike në Shkup.. Një pjesë të mirë të jetës dhe krejt veprimtarinë e tij do ta lidhë me tezakët dhe tezaket nga ky katund, fëmijët e tezes Fatime. Ai e donte shumë tezen dhe e respektonte në mënyrë të jashtëzakonshme.

Kështu ndodhi sepse, pjesën më të mirë të rinisë së tij e kaloi në familjen Xhemaili, pra në familjen tonë. Unë veç kisha bërë një bibliotekë të madhe në shtëpinë tonë në Komogllavë (e cila fatmirësisht ka shpëtuar edhe nga lufta e fundit). Gurseli së bashku me Bajramin janë rritur dhe edukuar me këtë bibliotekë, së bashku me ne, 7 fëmijët e Loke Fatimes. Dashurinë për artin figurativ, Gurselit ia ngjalli dhe ushqeu fuqishëm Emrushi, vëllau im i tretë, i cili edhe vetë dëshironte ta regjistroj dhe kryejë Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Shkollën e Lartë Pedagogjike Gurseli e ndiqte me një pasion të veçantë. Ai së shpejti filloi të njihet në rrethin e vet si njëri ndër piktorët e rinj më të talentuar. Ishte gati të diplomonte, kur më 16 dhjetor të vitit 1982 burgoset për herën e parë për shkak të veprimtarisë së tij ilegale. Ai ishte i organizuar në Organizatën Lëvizja për Çlirim Kombëtar të Kosovës (LÇKK)•). Gurseli ishte anëtar me funksion mjaft të lartë për kohën dhe rrethanat, në këtë organizatë në kuadër të Grupit Operativ në rolin e sekretarit operativ.

Bajram Sylejmani

Bajram Sylejmani u lind më 1965. Shkollën fillore e mbaroi në katundin Gushicë të mesmen në Viti ndërsa më 1984 regjistroi Fakultetin Xehtaro-Metalurgjik – dega e gjeologjisë dhe e mbaroi më 1991. Familjes Sylejmani iu shtua edhe një intelektual i ri, një inxhinier i diplomuar. Ai kthehet në katundin e lindjes.

Martohet me Lumnijen nga Mitrovica, e cila gjithashtu studjonte në fakultetin Xehtaro-Metalurgjik. Një nxitje profesionale për të studjuar këtë fakultet, Bajramit ia dha Bajrushi, vëllau im i dytë, i cili veç kishte apsolvuar në këtë fakultet para se të burgosej në vitin 1982.

Natyrisht, Bajrami nuk mund të mbetej jashtë vrojtimeve dhe ndjekjeve të UDB-së. Ai ishte bir i familjes së njohur Sylejmani, dhe ishte vazhdimisht në kontakt me kushërinnjtë nga katundi Komogllavë, i cili katund, në atë kohë, cilësohej si “qendër e nacionalizmit dhe irredentizmi” në Kosovë.

UDB e kërkonte një shkak për ta burgosur, e mundësisht për ta dënuar. Kështu më 27 shtator 1988 kur e burgosin për të dytën herë Gurselin, e burgosin edhe Bajramin. Mirëpo, pas disa ditë hetimesh dhe torturash, në mungesë faktesh dhe provash, ate e lirojnë.

Meqë Gurseli ishte i burgosur dhe vazhdimisht i ndjekur, Bajrami u kujdes shumë për shtëpinë dhe prindërit duke u përpjekur ta plotësoj, veçanërisht te nëna, edhe mungesën e vëllait të madh.

Vdekja e Hetem Sylejmanit

Në vitin 1992, Gurselit dhe Bajramit u vdes babai, Hetemi. Vdekja e tij i tronditi. Hetemi ende ishte i fortë dhe vdekja e tij ishte e hershme për nga mosha. Kur mora vesh vdekjen e tij në vitin 1992, isha në Gjenevë. Më kujtohet si sot, Baca Hetë, i cili ishte aq i shqetësuar për djemtë e tij, e veçanërisht, në atë kohë për Gurselin, që e dënuan me shumë vite burg.

Ai e ka dashur fort Gurselin dhe, burgu i parë i tij, e goditi. Mirëpo ai kishte përvojë të madhe në jetë. Me një kurajo të vërtetë na jepte zemër edhe neve të tjerëve. Kur vinte për vizita në Komogllavë, vazhdimisht më thoshte, herë duke “më akuzuar” e herë si me shaka: “Shiko, unë e di se ti i ke fajet që ata janë në burgje. Ti i ke organizuar dhe ti je kryesori, po ata të kanë mbrojtur mirë.

Bravo ju qoftë!”. Në fakt ai nuk dinte asgjë. Çfarë t’i thoja unë! Bëja shaka me fjalët e tij dhe, natyrisht, vazhdonim bisedat kundër Serbisë. Ai punonte në “Kosovatrans”, kontrollor i linjave të ndryshme nëpër Kosovë. Në atë kohë punoja në Radiotelevizionin e Prishtinës (RTV) dhe udhëtoja për çdo ditë me autobus Ferizaj-Prishtinë. Shpesh e takoja Bacën Hetë duke punuar në këtë relacion.

Më ftonte në ulëset e para të autobusit dhe bisedonte krejtësisht ndryshe nga si bisedonim në Komogllavë. Kur e shikoja dhe buzëqeshja me nënkuptim, ai vetëm e lëvizte kokën dhe rrotullonte sytë e mëdhenj e të kaltër, duke lëvizur me një shenjë pa përcaktim kapelën zyrtare të kontrollorit të cilën gjithmonë e mbante të ngjeshur në kokë.

Jeta e rëndë e Tezës Sofije

Bajramit në këtë kohë i kishte rënë më shumë barra e familjes, e veçanërisht kujdesi për nënën, për shkak se Gurseli u gjend përsëri nëpër burgje dhe ndiqej vazhdimisht.

Në atë kohë kam menduar gjatë për jetën e rëndë dhe gjendjen e rënduar shpirtërore të tezës Sofije, nënës së Gurselit dhe Bajramit.

Me vdekjen e Hetemit, ajo do ta ketë edhe më të rëndë jetën. Kur fola me te në telefon dhe i shpreha ngushëllimet për Bacën Hetë, ajo qante. Duke qarë fliste kthjellt e me zë të lartë në telefon duke më treguar për jetën e vet. Ajo thoshte, duke e përsëritur pas çdo fjalie: “Jo! Tezja nuk qanë! Ti mos u mërzit o Tafë!” Dhe, në mënyrë të veçantë, theksonte: “I kam dy djemtë si dy luaj! E kam edhe motrën Fatime si luaneshë që nuk po më lenë me qajtë për kërkend!”.

Ajo ma përmendte qëllimisht nënën sepse ajo në fakt kishte, gjithashtu, pikëllim shumë të mëdha. Në atë kohë, prej shtatë fëmijëve, e kishte vetëm Qamilin në shtëpi: Bajrushi në burg, unë, Emrushi, Nazifja dhe Mifaili me familje në Zvicër, Lumnija e martuar në Bujanoc. Më vonë edhe Qamili i shkon, siç më thoshte ajo në telefon, “në mal”. Kështu për një kohë mbeti fare e vetmuar në shtëpi.

Ndërsa gjatë kohës së luftës intensive shkoi refugjate në Tetovë!

Kur ranë në luftë Gurseli e Bajrami, tezja Sofije u godit edhe një herë shumë rëndë! Ajo mbeti pas asnjë djalë! Vallë tezja Sofije sa do të jetë e pikëlluar dhe e dëshpruar kur ka marr vesh për vrasjen e bijëve të vetë!!? Kjo më mundonte vazhdimisht. Deri sa fola në telefon dhe ma hoqi një gurë nga zemra. Ajo, tezja ime e dashur, e cila kishte qarë me ngashërim për të gjithë, madje edhe kur merrte vesh që dikush vdiste ose pësonte tragjedi jashtë Kosove, për bijtë e vetë më tha me krenari: “Nuk qanë nana për trimat e mi, e trimat e Kosovës! Hallall gjini ju koft! Ti mos u mërzit o Tafë!”

Në fakt tezja Sofije më pikëlloi fort.

E ndieja fuqishëm mosqenien time atje, në Kosovë. Më dukej se kisha hyrë diku thellë në një humbellë dhe zëri i Gurselit më vinte si një monolog që i drejtohej Bajramit. Një monolog i tij mes pejsazheve të Sharrit, peisazhe të cilat dukeshin si piktura të Gurselit. Ato piktura, kaherë i kisha varë në murin e studios sime të punës dhe tash i shikoja me një sy dhe ndjenjë krejt tjetër.

Forca e trupit dhe e mendjes së Gurselit Sylejmanit ishte lapidare

Vitet 80-ta qenë vendimtare për formimin e personaliteteve të vëllezërve Sylejmani. Gjatë vitit 1980-81 Gurseli, mori detyra të shumta praktike operative dhe i kreu me përpikëmëri.

Ai shkroi shumë parulla, dhe më të njohurat janë ato të vjeshtës së vitit 1981, në aksionin e madh që ndërmori Organizata për shkrimin e parullave nga Prishtina e deri në Kaçanik dhe në drejtimin e aksit rrugor Gërlicë-Viti. Parullat ishin: “Lironi shokët nga burgu”, “Të burgosurit shqiptarë të kthehen në Kosovë”, “Poshtë shovinizmi serbomadh”, “Liri për Kosovën”, “Rroftë Kosova” etj. Veç këtyre, parullën “Rroftë Republika Socialiste e Kosovës”, në mes Sadovinës së Jerlive dhe vendit të quajtur “Te Pompa”), Gursel Sylejmani e shkroi shumë, shumë të gjatë! Ai parullat nuk i kishte shkruar për serbët, por për kalimtarët e shumtë shqiptarë që ditën e parë të javës e fillonin me një befasi të madhe.

Të gjitha parullat i kishte shkruar bukur. Kalimtarët e shumtë ndaleshin i lexonin me kurreshtje dhe kënaqeshin e habiteshin. Parullën, në një gjatësi prej 18 metrash, e kishte stilizuar me ngjyra polikolori që nuk fshihej lehtë! Gjatë kohë është folur për parullën më të gjatë që ishte shfaqur deri atëherë në Kosovë, e të cilën e kishte shkruar Gursel Sylejmani. Ajo vjeshtë, ishte vjeshta e aksioneve të Organizatës “Lëvizja për Çlirimin Kombëtar të Kosovës”- LÇKK, për shkrimin e parullave në Kosovë.

(Një sqarim i shkurtër për këtë rast: Organizata “Lëvizja Ilegale Atdhetare”, themeluar më 1975-1976, nga të rinjtë e Ferizajit dhe rrethinës dhe e shtrirë edhe në disa qytete e vendbanime të tjera të Kosovës ka vepruar me moton “Lëvizje për çlirim nacional e social të Kosovës”, deri në vitin 1979, kur udhëheqësit kryesorë të saj janë arrestuar dhe dënuar me burgime të rënda.

Deri sot për të është publikuar një botim në Ferizaj në vitin 2012, me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Organizata “Lëvizja për Çlirimin Kombëtar të Kosovës” është themeluar në Komogllavë në shtator të vitit 1980. Është përpiluar programi dhe statuti i Organizatës. Janë zgjedhur – emëruar në kushte ilegaliteti të thellë, udhëheqja politike dhe udhëheqja organizative.

Në këtë organizatrë janë përfshirë pothujase të gjithë anëtarët e mbetur pas burgosjes të udhëqjes kryesore të organizatës “Lëvizja Ilegale Atdhetare”. Organizata ”Lëvizja për Çlirimin Kombëtar të Kosovës”- LÇKK, me shpejtësi të madhe është shtrirë pothuajse në tërë Kosovën, si dhe në Maqedoni, në Preshevë dhe Bujanoc.

Kjo organizatë politike ka rënë në kontakt me Grupin Marksist-Leninist të Kosovë (GMLK) i cili në këtë kohë u shndërrua në OMLK. Udhëheqja politike dhe ajo organizative e LÇKK-së, ka bërë përpjekje të vazhdueshme së bashku më ata të OMLK-së për t’u bashkuar sa më shpejt me të gjitha organizatat e tjera siç ishin PKMLSHJ dhe LNCKVJSH, e pak më vonë e dhe me Partinë e Luftës së Kosovës.

Ndërsa LÇKK, veç kishte bërë bashkimishkrirjen me grupin patriotik, shumë të njohur për atë kohë ALBANIKOS. Për LÇKK, deri tash është shkruar e publikuar një artikull nga Berat Luzha rreth përpjekje për bashkimin e organizatave gjatë vitit 1980-1981 dhe një nga Bajrush Xhemaili, botuar në përmbledhjen e kumtesave nga simpoziumi shkencor “Themelimi i Lëvizjes (LPK) dhe heronjtë e janarit 1982”, botuar në Prishtinë, më 2017.)

Demostratat e vitit 1981 në Kosovë filluan më 11 mars. Të gjithë anëtarët e simpatizantët e LÇKK-së morën pjesë aktive në demonstrata e këtij viti. Gurseli, si njëri ndër anëtarët me funksion në këtë organizatë, udhëheqës i Grupit Operativ, dhe Bajrami si njëri ndër simpatizantët më të flaktë, morën pjesë në demostratat e zhvilluara më 3 prill në Viti. Në këtë ditë demonstrata të fuqishme pati në Ferizaj, Vushtri dhe Mitrovicë.

Gjatë ilegalitetit të Bajrush Xhemailit në Prishtinë, Gurseli bashkëpunoi ngusht me Nazife Xhemailin, tezaken e tij nga Komogllava, studenteshën e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, dhe Muhamer Shabanin, studentin e talentuar të Akademisë së Arteve të Prishtinës.

Në fakt ai ishte forca e madhe dhe e guximshme e aksioneve për të siguruar mjetet aq të nevojshme teknike për zhvillimin e propagandës me trakte, komunikata dhe për të përgatitur e botuar revistën “Liria” numrin 7, në Prishtinë. Për këtë qëllim bashkë me Muhamer Shabanin e Ahmet Demirin, Gurseli siguroi një shaptilograf dhe një fotokopjues. Ai thoshte: “Aksionet nuk guxojnë të dështojnë, se po dështuan na rrok demoralizimi.

Demoralizimi të shtyn të gabosh dhe gabimet të dërgojnë në burg!”

Gursel Sylejmani ka mbajtur një qëndrim të jashtëzakonshëm nëpër burgjet serbe. Forca e trupit dhe e mendjes së tij ishin lapidare. Një qëndrim krenar dhe madje edhe origjinal e mbajti gjatë torturave që ia bëjnë nëpër burgjet në Prishtinë, Gjilan dhe Vrajë.

Ai ishte i guximshëm dhe kryelartë. Gjatë “seancave” të torturave, në çeli shkonin një togë gardianësh për ta ndëshkuar, sepse kur ata kishin shkuar nga një e dy, Gurseli i kishte grushtuar, i kishte mposhtur dhe përplasur për toke të gjakosur.

Shpesh herë organet e hetuesisë e kanë lutur babain e Gurselit, Hetemin, që të ndikoj te djali i tij dhe të mos përleshet me gardianët, sepse mund të shkaktohen probleme më të rënda. Hetemi u thoshte se djali nuk po e dëgjon, prandaj nuk ka se çfarë të bëj. Në fakt edhe Hetemi krenohej me djalin e tij, për qëndresën, forcën, guximin dhe atdhetarizmin që e karakterizonte.

Vetëm pas një viti hetimesh dhe torturash intensive, më 18 dhjetor 1983, Gjykata antipopullore e Prishtinës i dënoi: Bajrush Xhemailin me 14 vjet burg, Rrahim Sadikun me dhjetë vjet burg, Gursel Sylejmanin me 8 vjet burg, Ahmet Demirin me 7 vjet burg, Ramadan Veliun me 8 vjet burg, Nazife Xhemailin me 4 vjet burg, Shaban Isufin me 6 vjet burg, Fadil Hysajn me 6 vjet burg, Gani Baliun me 5 vjet burg, Fetah Bytyçin me 5 vjet burg dhe Rizah Llapashticën me 1 vjet burg. Gjykata Supreme e Kosovës, e rishqyrtoi edhe një herë lëndën dhe shumicës ua zbriti dënimet.

Kështu edhe Gurselit ia zbriti dënimin në pesë vjet burg. Në fund të vitit 1987 ai del nga burgu, tashmë i burrëruar, me një përvojë praktike që kishte fituar në burgjet e Serbisë. Po! Kjo ishte një përvojë! Ishte një përvojë e hidhur por shumë e madhe. Gursel Sulejmani është njëri nga ata më të dalluarit për një qëndresë të tillë dinjitoze para dhunës, para së keqës, një qëndresë e hapur e aktive antiserbe.

Burgosja e dytë dhe izolimi i Gursel Sylejmanit

Më 27 shtator 1988 burgoset për herë të dytë. (Me këtë datë burgoset edhe Bajrami, i cili pas disa ditë hetimesh lirohet në mungesë të provave). Gurseli dënohet me katër muaj burg, edhepse kundër tij kësaj radhe nuk kishin fakte.

Në një letër që ia dërgon KMDNJ në Prishtinë ai mes tjerash shkruan: “Pas vuajtjes së dënimit u ktheva në shtëpi, ku edhe më tutje vazhdoi ndjekja ndaj meje dhe maltretimet fizike e shpirtërore, të cilat dikend nuk e kënaqën, prandaj edhe më burgosën më 1988 (në shtator dhe më liruan në janar të vitit 1989), pa ndonjë provë që do ta arsyetonte burgosjen, kurse vendimi m´u lëshua se kam bërë shkelje të ligjit: moskallëzim të veprës penale”.

Një ndër arrestimet dhe maltretimet më të rënda që Gursel Sylejmanit i bëhet nga UDB-ja është i ashtuquajturi IZOLIMI më 28 mars të vitit 1989. Kjo datë është e njohur në historinë e shekullit të kaluar të Kosovës, për shkak të heqjes me dhunë të Statusit të vitit 1974, nga Kuvendi i Serbisë. Izolimi në shkallë të gjerë i njerëzve të shquar e me ndikim të Kosovës, nuk ndodhte për herë të parë.

Izolimet, në kuptimin e parë të fjalës u bënë edhe në vitin 1981, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe vendosjes së orës policore dhe ushtarake për shkak të demonstratave gjithëpopullore. Mirëpo izolimet e vitit 1989 ishin shumë të vrazhda dhe, ndaj të izoluarëve, u përdorën metodat më brutale nga udhëheqësit e këtij projekti antishqiptar, të instaluar në Prishtinë.

Kur në fund të vitit 1989 ra Muri i Berlinit, dhe në fillim të viteve 90-ta, ra perdja e hekurt e komunizmit dhe e Luftës së Ftohtë, në Evropën Lindore, edhe në Kosovë filloi një frymëmarrje me e shlirshme.

Ne, që ishim të arratisur politikë nga Kosova në Evropën Perëndimore, dhe udhëhiqnim e militonim në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), tashmë, kishim më shumë arsye të përpiqeshim dhe të luftonim me me intenzitet politikisht dhe në format e armatosura që të përfundojë sa më shpejt procesin i nisur për realizimin e Republikës së Kosovës.

Pikërisht në këtë kohë në Zvicër vjen për vizitë Gurseli. Sa qëndroi në Zvicër me një vullnet të madh, ai pikturoi dhe përgatiti disa cikle tematike pikturash me qëllim që t’i vendos në ndonjë vitrinë ekspoziteje të qytetit. Një pjesë prej tyre mbetën te unë dhe te Emrushi, një pjesë prej tyre janë shpërndarë nëpër adhurues të pikturave të Gurselit.

Sigurisht që ato duhet të mblidhen dhe të vendosen në ndonjë galeri pikturash në Prishtinë ose Ferizaj, ku ai, gjatë viteve të 90-ta, e kaloi një pjesë shumë të frytshme të krijimtarisë së tij në dizajn dhe pikturë.

Në një rast kur për vizitë në banesën time në Biel-Bienne, erdhi piktori, regjisori dhe aktori i filmit nga Shqipëria, Bujar Kapexhiu, Gurseli hyri në një bisedë akademike me të, në lidhje me pikturën dhe rolin e saj si dhe depërtimin e artit shqiptar në botë.

Në ditarin tim të shënimeve lexoj edhe këto: Gurseli i thoshte Kapixhiut: “Shqiptarët e kanë shpirtin plot art. Por, si duket nuk po dinë si ta shprehin në atë formë që ai art të shpërthejë në Evropë. Unë jam i bindur se një ditë kjo do të ndodhë. Por nuk jam i sigurt se në cilën formë dhe në cilat përmasa. Unë kam droe mos nga qarqet e kulturës (por edhe të politikës) evropiane do të vazhdohet ende me traditën e vjetër të cilësimeve për shqiptarët dhe kulturën e tyre.

Ata vazhdojnë të na quajnë oriental, të pa zhvilluar, antimodern, gjysmëaziatikë etj. Si mund të tejkalohet kjo?” – diskutonte dhe bënte pyetjen Gursel Sylejmani, intelektuali i ri, i cili posa kishte ardhur nga Kosova dhe burgjet mesjetare serbe, nga ajo Kosova e cila po fillonte një periudhë të re të historisë së saj në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX.

Gurseli kthehet në Kosovë, e cila tash kishte hyrë në një fazë të re të zhvillimeve politike. Shpejt do të ndodhin ngjarje të mëdha, të cilat do të trondisin jo vetëm Kosovën, por gjithë Globin.

Gursel e Bajram Sylejmani në UÇK (Zona e Neredimes)

Në vitin 1997, Kosova hyri hyrë në luftë të armatosur me ushtrinë dhe policinë e Serbisë. Në pjesët e tjera të Kosovës, veçanërisht në Drenicë, Dukagjin, Pashtrik e Llap, lufta u zhvillua në përmasa të mëdha, edhe gjatë viteve 1998.

Krimet dhe masakrat e policisë dhe ushtrisë serbe si dhe paramiltarëve, veç kanë bërë plojën mbi popullsinë civile. Heroika e Jasharajve në Drenicë dhe e Komandantit fammadh Adem Jasharit mori dhenë. Lufta kërkonte sakrifica të mëdha.

Siç shihet nga realiteti i kohës, pushka e UÇK-së shkonte mjaft mirë dhe kriste fort për lirinë e Kosovës.

Format e para të organizimit ushtarak në Zonën e Nerodimes, shprehen gjatë fillimit të vitit 1998. Ndërsa në shtator të po këtij viti marrin formë strukturat e para të organizimit ushtarak në malet e Jezercit, dhe emërtohet Zonë Operative e Neredimes (ZON). Në fillim të muajit korrik 1998, Gurseli bashkë me Bajramin përfundimisht hynë në radhët e UÇK-së dhe rrokën armët për të luftuar për lirinë e Kosovës.

Gjatë vitit 1998 janë të njohura dy ofenzivat e mëdha të ushtrisë dhe paramilitarëve të Serbisë, të cilat ofensiva kishin për qëllim që të zhduknin formacionet e UÇK-së të Zonës Operative të Neredimes. Në Ofenzivën e Dytë, në vjeshtë të këtij viti, njisitet e UÇK-së u përleshën ballë për ballë me ushtrinë dhe paramilitarët e Serbisë. Në këtë luftë të ashpër e heroike, ushtarët e ushtrisë sonë treguan një vetmohim të jashtëzakonshëm.

Me qëndresën e tyre, këmbënguljen, forcën, shkathtësinë dhe vetmohimin e tyre, bijtë e popullit duke luftuar me armë në dorë, u treguan armiqve dhe miqëve, se Kosova është e gatshme të bëjë sakrificat më të mëdha për ta fituar lirinë dhe pavarësinë. Lufta në Frontin Zonës së Neredimes është një EPOPE e heroizmit dhe e sakrificave sublime të ushtarëve dhe e popullsisë civile të kësaj ane.

Në këtë Epope, më 28 shtator 1998, ranë heroikisht edhe Gursel e Bajram Sylejmani, dy vëllezër të jashtëzakonshëm, dy prindër të shkëlqyeshëm, dy bijë të popullit, dy ushtarë të UÇK-së, dy intelektualë të rinj: një piktor dhe një inxhinier, të cilët dhanë jetërat e tyre të reja për Kosovën e lirë.

Gursel e Bajram Sylejmani do të bëhen lapidarë të lirisë së Kosovës, kujtesë dhe krenari në historinë e saj më të re, që po shkruhet me sakrifica mbinjerëzore.

Bienne, dhjetor 1998

(Pjesë nga një punim më i gjatë)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura