HAKI MORINA: E DREJTA DHE PUSHTETI

Zvicër, 30. 06. 2013 – Nga përvoja ime publicistike kam konstatuar se problemi kryesor në një analizë është përfshirja e të gjithë faktorëve në mënyrë të përnjëhershme. Argumentimi i qëndrueshëm në përputhje me inteligjencen moderne të rangut botëror të shkencave politike e sociale aktualisht po mungon. Analiza profesionale në lidhje me të drejtën e vetëvendosjes si e drejtë e pranuar me norma ndërkombëtare dhe mungesa mekanizmit që garanton këtë të drejtë është jashtëzakonisht e nevojshme për të ndriçuar sa më mirë rrugëtimin tonë drejt finalizimit të aspiratave për realizimin e sovranitetit të plotë të shtetit të Kosovës.
Çështja shtrohet si të zbërthehet në mënyrë të kuptueshme për lexuesin tonë kjo teori. Duke u turrur herë drejt faktorit të brendshëm e herë drejt atij të jashtëm, nuk kemi bërë gjë veç se kemi treguar çekulibër që ka penguar shpejtësinë vepruese të faktorit politik e kombëtar.
Në pamje të parë duket sikur nuk merret parasysh faktori i brendshëm i cili lëviz dhe zhvillohet sipas një ligji evolutiv paraprakisht. Është problem të parashikohet në mënyrë strikte, por mund të thuhet se duke “pjellë” lëvizje të brendshm e duke e stimuluar ato me mjete rritëse, duke e pjekur dhe më në fund duke e futur në rend të burrërisë, mund të sigurojmë maksimumin e një ecjeje stabile.

Në kuadër të kësaj, shtrohen dy pyetje të pashmgashme:
– VV-ja dhe jokonstruktivizmi i saj me përmasa antiqeveritare dhe “antindërkombëtare” njëkohësisht e rritin apo e zvogëlojnë faktorin e brendshëm apo dëgjueshmëria dhe
– konstruktivizmi i PDK-së së Thaçit dhe forcave tjera “mirëkuptuese” ndaj faktorit të jashtëm, janë kushte themeltare për të qenë i pranuar “denjësisht” në shtëpinë e madhe të popujve si i barbartë?
Në rrethanat aktuale kur “miletit” opozitar po i pëlqen të tregoj super patriotizmin e vet duke sharë Thaçin (i edukuar nga e kaluara joprogresive), siç duket, nuk ka fuqi të manifestojë në mënyrë më të pjekur energjitë e tij dhe “miletit” tjetër që mendon se s’ka nevojë për politika zhvillimore e “krijuese” për të rritur ndikimin përmes fuqisë së stabilitetit të brendshëm ekonomik, social e politik. Në këtë gjendje është vështirë të gjesh ekuilibrin e nevojshëm për një unitet veprimi kombëtar.
Duke vërejtur këtë gjendje del që Albini po di t’i shfrytëzojë saktësisht ose të paktën përafërsisht “resurset aktuale” të “miletit opozitarë”, të stresuar nga pakënaqësi të ndryshme, me metoda adekuate duke dalë, në thelb, në krye të opozitës pa drejtues zyrtar.
Dikush mund të mendojë se këta të VV-së të gjitha pikat e dobëta po i tregojnë me sjellje si kjo e ndalimit të marrevëshjes në shesh, duke treguar, njëkohësisht pafuqi për të penguar parlamentin për të votuar politikat me të cilat ata janë kundër. Natyrisht që nganjëherë mund të dështoj në “lojën e barrikadave” por, Kurti nuk e ka hallin e ndalimit të marrëveshjes sepse ai e di që marrëveshja nuk është e dëmshme. Hallin e ka tek qëndrimi në qendër të vëmendjes! Të tjerë opinionistë mendojnë se ky stil i Albinit është duke forcuar pozicionet politike dhe qëndrueshmërinë e Thaçit edhe për një kohë të gjatë si faktor të pakapërcyeshëm.
Përsëri jo, Albini dhe VV-ja kanë matur mirë shkallën në rritje të vetëdijes kundërshtuese dhe në këtë kontest as që dëshirojnë të pengojnë këto “ratifikime” marrëveshjesh. Rezultatin ata e kërkojnë tek kutia e votimit në zgjedhjet parlamentare!
Me moton “kundërshto sa të mundesh publikisht”, siç e thashë më lartë, në ambientin e kompleksuar patriotik të Kosovës mund të ecësh më i sigurt dhe mund të fitosh më shumë vota sepse konkurrenca e ashpër e bossave në politikë, që kontrollojnë ekonominë e vendit nuk do të lejoj kurrë rrezikimin e pushtetit nga dikush tjetër.
VV dhe asnjë forcë politike nuk mund të forcohet pa aksione. Të mira apo të këqija qofshin këto aksione. VV po vepron drejt për tu rritur si forcë politike, pavarësisht gabimeve në rrugë e sipër drejt marrjes së pushtetit. Sigurisht që ky proces i rritjes së VV-së është pozitiv edhe pse bazohet në metoda tipike pushtetmarrëse e jo në qëllime të sinqerta idealiste. Përndryshe mungesa e rrotacioneve politike në Kosovë rrezikon t’i shkaktojë asaj vendnumërim të gjatë.
Duke pasur mendjen tek votat në kutitë e votimit në zgjedhjet parlamentare e jo tek pengimi i politikave antikombëtare, siç ishte rasti i ratifikimit të marrëveshjes në parlament, retorika pragmatike vjen duke marrë përmasa psikoze që japin mundësi reale të shtimit të vazhdueshëm.
Në Kosovë s’ka parullë tjetër më efikase për garën për pushtet sesa krijimi i frontit të madh antithaç. Pa sharje të forta kundër Thaçit, personifikim i pushtetit dhe gjendjes së një vendi me probleme të rënda ekonomike, fitorja e atyre që duan ta pëmrbysin Thaçin, nuk mund të realizohet.
Konfuzitetin politik, që vjen si rezultat i injorancës së thellë të masave “punonjëse”, po mundohet ta shfrytezoj edhe LDK-ja. Kjo u pa më së miri me rastin e ratifikimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë kur Arben Gashi, ky përfaqësues i gjeneratës së re të komunistëve të vjetër të Kosovës, kur tregoi votën pro duke e arsyetuar me ruajtjen e marrëdhënieve me ndërkombëtarët me fjalët: “zemra na thotë të themi jo”. Kjo përpjekje e tij për të bindur elektoratin e saj “antithaçist” se në këtë qorrsokak na solli Thaçi dhe s’kemi derë tjetër është e destinuar të dështojë sepse ishte përpjekje për ta fajsuar Thaçin, duke qenë në një “vijë politike” me të. Në këtë kuptim LDK del tepër e zbehtë në raport me VV-në e cila teorikisht e praktikisht tregohet e “vendosur” për të bllokuar çdo iniciativë të kryeministrit.
Në anën tjetër, Ramushi duke i rënë telit: “qeveria me mua merr vlera të reja” dhe Jakupi duke mbajtur i vetmuar ligjerata për demokracinë dhe rëndësinë e saj… nuk bëjnë gjë tjetër veç shndërrohen në një mundësi të re për përparimin e krahut radikal që përfaqëson VV-ja.
Me sa duket, etapat e shtetndërtimit nuk janë të shkurtëra. Praktikat e shteteve moderne tregojnë që periudhat e ciklimit politik pashmnagshëm zgjasin me vite të tëra. Aq më tepër kur tek ne akoma është e fuqishme deviza: “politikanët bëjnë biznes e populli politikë”!
Pasojat dhe shkaqet janë zingjirore, të lidhura recirpokisht dhe pambarimisht… Është detyrë e jona t’i studiojmë ato.

……………………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura