HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (24)
Nga Sabit Alidema – Pashtriku 21 Korrik 2021
SHPALIME KUJTIMESH PËR HALIL ALIDEMËN:
Me Halil Alidemën jam takuar në gusht e shtator të vitit 1995. Halili në këtë kohë kishte qenë shumë i lodhur dhe i rraskapitur nga shëndeti. Halili në shtator ka ardhur për të dytën herë tek unë në zyrën e Kosovës, të LDK-ës për të kërkuar një shkresë dhe edhe sot nuk e di motivin e kësaj shkrese, ndoshta për shërim. Ai ishte shumë i shqetësuar, këtë e vëreja tek ai, sepse duke pirë kafe, përgjigjjet i kishte të ngadalshme. Me këtë kuptova se ai ishte i sëmurë. Zyrën, të cilën e përfaqësoja unë në Shqipëri, ishte që t’i dalë zot dhe t’u ndihmojë njerëzve hallexhinj. Prandaj, në këtë frymë ia kam dhënë edhe shkresën Halilit. Kjo shkresë është e protokoluar dhe e nënshkruar, e pastaj edhe e vulosur. Kur mora vesh se Halili gjendej në spital, unë kam shkuar dhe e kam vizituar edhe në spital, e atje kam biseduar edhe me mjekë. U kam thënë që të kujdesen për të dhe të mos kursejnë asgjë. Dhe ndonëse kam dëgjuar se shpesh flitet se mjekët e Shqipërisë kërkojnë para për shërbime mjekësore, kjo nuk është fare e vërtetë. Mjekët e Shqipërisë nuk i kanë kërkuar askujt para. Mund t’u kenë dhënë ndokush, por ata nuk kanë kërkuar. Kam shkuar dy-tri herë në vizita. Rreth varrimit të Halil Alidemës, organizimin e kanë bërë shokët, por ne të gjithë kemi vrapuar. Kam vrapuar me njerëzit e mi.
Deklaron: Iljaz Ramajli (fj-v. Incizim në kasetë)
HALILI GJITHMONË KA LUFTUAR KUNDËR SISTEMIT KOMUNIST
Mund të flas dhe të them disa fjalë lidhur me Halil Alidemën, të cilin e kam pasur shok të klasës në shkollën fillore që nga viti 1943 e deri në vitin 1950. Halili i ka dashtë shoktë e vet, e ka dashtë popullin e vet-kombin e vet dhe nuk është kursyer për të. Për të e ka dhënë edhe jetën e vet. Mirëpo, Halili pat ra në konflikt me sistemin komunist. Sistemin e Titos nuk e ka dashtë, ndaj gjithnjë ka luftuar kundër këtij sistemi. Halili më 1968 i ka organizuar demonstratat, më 28 nëntor edhe në Pozheran. Ka ardhë me organizuar te Alidemtë, te na, te Zukt, pak si ma shmangt, si n’skejt t’katunit e më fshehtë, sepse ato kanë qenë punë të fshehta edhe kanë me na shkrua dhe na ka thënë, që kur të ju thërras me m’u përgjegj. Disa nuk kanë guxuar, e nuk janë shkruar. Ndërsa unë at ditë nuk kam qenë në shtëpi, e kur kam ardhur në shtëpi, vëllai më ka thënë: – Idriz, të ka thirrë Halili, tye, Rizahin, Sabitin, që me 28 nëntor me qenë gati për demonstrata. Shtabi i parë (takimi) ka qenë te Berat Alidema, kurse i dyti te Sabit Zuka, me ngrit flamurin, e çaj flamur me dalë në xhade. Parullat kanë qenë të shkruara: Duam kushtetutë-vetëvendosje. Organizimi të jetë në këtë mënyrë: Kolona të niset një djalë e një vajzë me fotografinë e Titos, e pas tyre flamuri kombëtar kuq e zi. 54 vetë duhet të dalin te Ura e Shkive. Murat Ramiqi është me ta. Prej atjehit defilojmë fshatit, duke djegur një kashtë dhe të gjitha veturat me regjistrime të Beogradit ose të Kragujevcit të përmbysen, sepse kjo është demonstratë, e nuk është vetëm defilim i thjeshtë si në dasmë, kurse armë askush nuk kemi pasur fare. Kur jemi çuar në këmbë dhe po fillonim të dilnim erdhi djali i Mulla Halimit, nipi i Halilit dhe tha: – dajë, qetësohu, sepse puna e demonstratave mori fund gjithkah nëpër Kosovë, në Ferizaj, në Gjilan e në Prishtinë. Nuk ka qenë pra, fjala vetëm për flamur, por me dalë në demonstratë. Mirëpo, pasi na rrethuan, nuk mundëm ta kryejm detyrën tonë, e Halili u mundua për atdhe e për liri, por nuk e mrrini.
Idriz Zuka, Pozheran
HALILI ISHTE ZEMRA DHE SHPIRTI I POPULLIT TË VET
Kush e ka njohur HaliliN, di çka kallxon. Ai ka qenë zemra dh shpirti i popullit të vet. Tërë jetën ka punuar për popull. Nuk iu ka dhimt as jeta, as mundi për këtë popull. Kurrë ditë t’bardhë nuk ka pa prej hasmit. Shkoj me djeg t’popullit t’vet. Krejt jetën ia ka kushtue kësaj dite, po nuk e priti lirinë. Zoti e pagoftë për mundin e tij! Ka qenë edhe Kadri Halimi e Ramadan Hoxha, vëllezër, patriot të mëdhenj e të flaktë për lirinë e popullit të tyre. E Halili ishte njohur edhe me ta. Sepse trimi e lyp trimin e patrioti patriotin. Sa më shumë trima e luftëtarë, krijojnë një front më të fortë kundër armikut. Këta ranë në burg për herë të dytë, më 1961. Bile Ramadani pat ik në mal për mos me ju ra në dorë armikut. E kanë zënë në Karadak bashk me Ali Preshevën. E at ditë qi kish pasë ikë Ramadani, për mos me ju ra në dorë policëve serbë, Halili kish pasë shkuar te Nëna e Ramadanit me kërkua një jelek për sportist, se Halili ka qenë sportist i madh. Mund të jetë se Halili ka dashur të kontaktojë me Ramadanin, e nuk ka qenë punë jeleku, por kur nuk e ka gjetë në shtëpi, atëherë për me humbë gjurmë, kështu i kish pasë thënë Nënës së Ramadanit.
Unë e Sabiti kemi qenë të gatshëm edhe me vdekë për Halilin. Kur të thërrasë e ku të na thërrasë, ne pas tij do të shkojmë. Kështu që kur na thirri, unë e Sabiti të parët kemi shkuar te Berati i Zenunit, ku u ngrit flamuri, e aty kishte qenë edhe ai djaloshi i Gadishit.
-Edhe unë prej jush nuk ndahem. – Tha ai . Kishte qenë trim i madh.
-Kur ta marrë flamurin në dorë unë, nuk e lëshoj më edhe n’i daltë timi e flaka, po edhe atyre (armiqve) s’ju zihet mishi a? – Tha Sabiti.
Halili ka organizuar. Mirëpo, kur erdh i budriksi e na njoftoj se demonstratat gjithkah morën fund si në Ferizaj, në Gjilan e në Prishtinë. Atë natë kur shkuam te Halili, na kishte përcjell një fshatar. Te Halili gjetëm njerëz që kishin ardhur prej Tetove, do të thotë kishin ikur nga policia për të mos u rënë në dorë, e Halili na tha: Ju mirë është mos me u gjetë këtu me ne, se vinë policët e na rrethojnë e mund të ju zanë. Sa jemi larguar ne, shokët e Tetovës kanë shkuar në odë të Eminit.
Riza Zuka, Pozheran
PËR HALILIN NUK ËSHTË FOLË MJAFT
Demonstratat kanë qenë të organizuara në atë mënyrë që si të çohen Gjilani e Ferizaji, të çohet edhe Pozherani.
-A është folur mjaft për Halil Alidemën pas vdekjes së tij?
Jo nuk është folë mjaft. Për Halilin nuk është folur as 30% pas vdekjes së tij. Halili ka qenë trim. Ai nuk e ka njohur frikën. Kur e kanë dërguar para gjykatësit Halilin me pranga, Halili i ka çepua milicëve. Halili nuk ka luftuar as për famë e as për post e karrierë, por vetËm për popull e atdhe dhe për liri e pavarësi. Halili ka pasë autoritet në katund. Pozherani e kanë dashtë shumë, edhe rinia e kanë dashtë dhe e kanë dëgjuar shumë. Kur ka folë Halili krejt rinia e Pozheranit janë çuar në këmbë. Pasi shkoi në Prishtinë, ka punuar në Komunale – si sektretar. E mua më ka thënë: – Idriz unë dua ta marrë në punë Shefki Muhaxherin, po dua edhe t’i ndihmojë, po edhe le të ma heq Dushko Ristiçin. E vërtetë e pat çitë Dushko Ristiçin në llagom, po Dushku shpëtoj, e Halili pastaj prej Dushkut e ka parë gazepin. Ai i ka sjellë shumë të këqia.
Flamurin kombëtar të vënë në shtëpinë e Beratit, ishte i kthyer nga jugu si në çardak. E partia komuniste krejt na kishin pasë parë, sepse edhe përse ishte natë, drita e llampës e ka ndriçuar edhe flamurin edhe ne. Çështjen e demonstratave Halili e ka nisë i pari, këtu në Pozheran.
-A ke qejf të shpallet Kosova Republikë? – e pyet Halili shkaun. Halili pas demonstratave është arrestuar dhe në gjykim është mbajtur si burrat e si trimat që nuk e njohin fare frikën. Madje në gjykim ai ka sulmuar policinë dhe tupin gjykues.
(Nxjerr nga kaseta e incizuar) Idriz Zuka
Një jetë për liri – HALIL ALIDEMA
Ta përkujtoj njeriun, i cili së pari ishte Njeri, pastaj Shqiptar, arsimtar, historian, studiues, mbi të gjitha Atdhetar, që jetoi dhe veproi gjithnjë dhe gjithkund për liri dhe për pavarësi, për dinjitet të popullit tonë, për mua ëshë detyrë, nevojë, kënaqësi, por edhe vështirësi, dhembje dhe pikëllim.
Detyrë – sepse njerëzit e tillë si Halil Alidema, duhet të jenë të gjallë dhe të pranishëm në mendje dhe në zemrat tona, për ta kuptuar më mirë të kaluarën tonë të lashtë dhe të afërt, sipas parimit tashmë të njohur: Pa histori s’ka as ardhmëri.
Nevojë – sepse kujtimi zbehet dhe dobësohet pa shënime dhe pa botime, pa dokumentime dhe pa gjurmime. Deri më sot pak kemi pasur kujdes për njerëzit dhe për ngjarjet tona historike dhe aktuale. Këtë detyrë ua kemi “lënë” të tjerëve, kuptohet gjithmonë në dëm tonë, sepse shumë herë është shkruar dhe është vendosur për ne, por fatkeqësisht pa ne dhe kundër nesh.
Kënaqësi – sepse e kam njohur deri diku edhe personalisht, sidomos si arsimtar dhe si historian, por edhe më tepër si veprimtar në pajtimet e gjaqeve në Kosovë gjatë vitit 1990. Përvoja e tij jetësore dhe familjare, puna dhe përgatitja e tij arsimore dhe edukative, njohuritë e tij historike, e bënin Halil Alidemën të aftë, të përshtatshëm dhe bindës në këtë veprimtari të shenjtë dhe të çmueshme. Fjalët e tija të urta dhe kuptimplote, vizioni i tij i qartë, qëndrimet e tija burrërore, ishin tipare dalluese dhe vepruese. Me pajtimet e gjaqeve ndodhi “mrekullia”, populli shqiptar e tejkaloi vetveten dhe traditën e mbrapshtë shumshekullore, duke krijuar bashkimin e mendjes dhe të zemrës për të dëshmuar se jemi të aftë dhe të motivuar për liri dhe për demokraci, për vëllazëri, bashkëpunim dhe pavarësi. Me mposhtjen dhe demaskimin e urrejtjes, hakmarrjes, populli e kuptoi mirë se çdo vrasje është së pari vetëvrasje, pastaj vëllavrasje dhe së fundi vrasja e dikujt tjetër. Ky bashkim dhe vetëdijësim madhështor ishte shenjë tmerruese për okupatorët, ndërsa për ne shqiptarët ishte Pranvera e Madhe, parakusht për liri dhe për demokraci.
Më kujtohet fare mirë teza e prof. Halil Alidemës: sot arma më e fuqishme për ta mboshtur armikun është takimi, afrimi dhe bashkimi ynë. Derisa të ketë gjakderdhje ndërshqiptare, s’ka vëllazëri dhe liri. Trimëria më e madhe sot është falja dhe pajtimi gjithshqiptar.
Përvoja dhe puna e tij ndër shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Shqipëri, pastaj edhe në mërgatë, në Zvicër dhe në Gjermani, e bëri Halilin “bletë” të frytshme për ta krijuar mjaltin për varrët e popullit shqiptar në shpirt dhe në trup.
Vështirësi, dhembje dhe pikëllim – sepse Halili, i cili aq shumë punoi dhe u flijua për liri dhe për demokraci, tani s’është fizikisht në mesin tonë për t’i shijuar frytet e flijimit dhe të martirizimit shumëshekullor dhe aktual. Mirëpo ai, si dhe shumë veprimtarë martirë, jetojnë në amshim, janë dhe do të mbesin udhërrëfyes për brezat e rinj. Kujtimi i tyre është mësim, qortim, udhëzim, frymëzim për ne, si në çdo kusht dhe vend duhet ta japim “pjesën më të mirë të vetvetes” si thoshte e Lumja Nëna jonë Tereze.
Halil Alidema e kreu misionin e tij tokësor mirë, me nder, me flijim dhe shërbim ndaj popullit, vlerave dhe virtyteve, ideve dhe idealeve të larta njerëzore dhe kombëtare.
Ne me këto përkujtime, së paku deri diku, po e “ringjallim” për veten tonë dhe për brezat e ardhëshme, në shenjë të nderimit dhe falënderimit. Kujtimi “hallkë” që na lidh me të kaluaren dhe të tashmen dhe përgatit ardhmëri më të mirë për të gjithë.
Njerëzit e tillë si Halil Alidema gjithmonë u kujtofshin dhe kurrë mos u harrofshin!
Don Lush GJERGJI
HALILI HUMANIST E PATRIOT
Si e njofta Halil Alidemën që nga fëmijëria e rinia ime?
Unë Halil Alidemën e njihja edhe si kusheri, por më mirë e njofta në fillim si sportist të dalluar, jo vetëm në Pozheran, Ferizaj e Anamoravë, por në tërë Kosovën. Unë e doja lojën sportive të hendbollit, ndaj me shpirt e doja edhe e adhuroja Halilin si hendbollist të shkëlqyer.
Halili, përveç sportit, ishte i dhënë edhe pas çështjes kombëtare. Ai në çdo bisedë çështje kryesore kishte çështjen kombëtare. Kudo që shkonte ai e kultivonte sportin, e ngjallte jetën sportive, zhvillonte të gjitha disiplinat sportive, edhe atletikën. Talenti i tij vërehej që në vegjëli, kur ai luante futboll, ndaj të gjithë kishim simpati të veçantë për të dhe për lojën e tij cilësore.
Mirëpo, Halil Alidemaj krahas sportit kultivonte edhe ndjenjën atdhetare, ndjenjën e dashurisë për liri dhe pavarësi të popullit dhe të atdheut të vet. Ai edhe në sport inkuadronte frymën kombëtare, duke zhvilluar një sport të mirëfillt kombëtar, zgjonte krenarinë dhe mburrjen kombëtare.
Gjithkund shprehte vendosmërinë dhe guximin e tij të pashoq, duke u dhënë zemër dhe të tjerëve, ai diskutonte për çështjet e kushtetuës. Në një tubim në shkollën e Pozheranit ai kundërshtoi ashpër Gjokë Garilloviqin, sepse Halili kërkonte që Kosova të shpallej Republikë, e cila u arrit me shumë sakrifica, gjakderdhje e viktima të popullit tonë. Për këtë ka merita të veçanta edhe Halil Alidema. Ndonëse unë nuk e njoh mirë veprimtarinë e tij patriotike-revolucionare të viteve 1993-1996, sepse gjatë kësaj periudhe Halili ka jetuar jashtë Kosovës, në Shqipëri. Mirëpo, për këtë përiudhë do të flasin dhe do ta ndriçojnë shokët e tij me të cilët ai ka jetuar, punuar e vepruar jashtë Kosovës.
Dhe unë besoj e shpresoj se e tërë veprimtaria e tij patriotike, në mënyrën më besnike do të dalë në dritë, duke e dëshmuar portretin e personalitetit të tij si njeri human, që nuk ka urrejtur asnjë komb tjetër, po ka dashur dhe ka luftuar për lirinë dhe pavarësinë e popullit dhe të atdheut të vet. Ndonëse ka kultivuar paqën, ai për çështje kombëtare nuk ka përjashtuar edhe përdorimin e forcës dhe të luftës, por që pas fitores të zotërojë demokracia gjithëkombëtare pa dallime kombi e feje.
Lavdi i qoftë për jetë e mot patriotit Halil Alidemajt!
Pozheran, 12.07.2005, Sylë Alidema
KRENOHEM PË MËSUESIN HALIL ALIDEMA
Shkolla jonë në Malishevë është quajtur “Emin Duraku” gjatë viteve 1965/1966, kur Halil Alidema ishte drejtor i kësaj shkolle, kurse Teuta Kryeziu – Alidema na jepte gjuhë frënge. Kemi pasur fat që Halil Alidemën e kemi pasur edukator dhe mësues, njeri me plot kuptimin e fjalës, njeri punëtor i palodhshëm, tip sportiv. Ne sa ishim të rinj, ai na pranonte si të rinj me të gjitha të mirat dhe të metat tona. Unë kam qenë nxënës i Halilit, atëherë, por edhe sot mburrem dhe krenohem që kam pasur një mësues të tillë siç ishte Halil Alidema, sepse Halili ka qenë yll. Mësues që është dalluar për të mirë nga të tjerët dhe ka lënë gjurmë e kujtime të mira si tek unë ashtu edhe te shokët e mi dhe te të gjithë fshatarët e Malishevës dhe rrethinës së saj. Ndërkaq, Teuta Kryeziun – Alidemën e kemi pasur arsimtare të gjuhës frënge. Ajo ishte edukatore dhe punëtore e zellshme në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj. Ajo ishte arsimtarja e parë në këtë shkollë tetëvjeçare, e cila me punën e vet me sjelljet dhe modestinë e çiltërinë e saj përvetësonte jo vetëm nxënësit, por edhe femrat jashtë shkolle, duke u bërë kështu shembull se si duhet të jetë një grua e shkolluar dhe e emancipuar shqiptare. Kështu, ajo me shembullin e vet hapi rrugën e emancipimit të femrës shqiptare në këto anë. Femrat intelektuale që u shkolluan dhe u emancipuan pas saj edhe sot e kujtojnë me respekt dhe adhurim të veçantë këtë mësuese shqiptare, atdhetare të flaktë për çështje shqiptare, e cila iu bë krah i djathtë bashkëshortit të saj – Halil Alidemës.
Përherë do t’i kujtojmë me respekt e admirim.
Lavdi u qoftë për punën e tyre edukativo – arsimore dhe atdhetare!
Ismet Abdyl Mazreku
HALILI E TEUTA PUNONIN PËR POPULL
Halili ishte njëri ndër mësuesit më të dashur e më punëtor që mban mend Firaja, nxënësit e shkollës së Firajës dhe fshatarët e këtij fshati. Halili dhe Teuta punonin për popull e atdhe, punonin për çlirimin dhe emancipimin e popullit të tyre. Pikërisht për këtë arsye se Halili e Teuta kishin përvetësuar zemrën e popullit, punonin për këtë popull, i cili i donte dhe respektonte, ndaj edhe i dëgjonte këshillat dhe mësimet e tyre, UDBA e pushteti serbomadh u frikësohej atyre, prandaj shpesh i përcillte, e kontrollonte punën e tyre, madje duke u hyrë shpesh edhe në orë të mësimit donin të zbulonin se ç‘po shpjegonin dhe ç‘po i mësonin nxënësit e tyre. E ky ishte njëfarë Uroshi, i cili shpesh hynte në orë të mësimit të Halilit dhe të Teutës. Populli kur e shihte se këta dy mësues po punonin për interesat e tyre, kurse në sy të pushtetit serboçetnik ishin bërë halë në sy, i donte dhe respektonte e adhuronte edhe më tepër.
Islam Murtezi, mësues i lindur më 1946, në Firajë ish nxënës i Halilit dhe Teutës.
- VIJON –
_____________________________________
HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (23)
Nga Sabit Alidema – Pashtriku 18 Korrik 2021