HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (39)
Nga Sabit Alidema, Pashtriku – 29 gusht 2021
HIPOKRIZIA E MASHTRIMIT
Halil Alidema
Njeriu e konsideron logjikën si kategori të kritereve më të larta të kuptimit të jetës, të zhvillimit të proceseve shoqërore dhe të arritjeve të civilizimit e qytetërimit shoqëror dhe si i tillë pranohet apo nuk pranohet, varet nga plleshmëria e ideve eugjene e të tjerëve. Nëse njerëzit e politikës nuk shërbehen me këto kritere, atëherë shkallën e logjikën politike e kanë si lajtmotiv të egoizmit personal që nënkupton se kjo kategori e botëkuptimit politik po nuk i respekton rregullat e artit të alkimistëve që t’i përjashtojnë nga rregullat e të drejtës politike dhe në këtë rast tejet thellë i dëmtojnë proceset e zgjidhjes së çfarëdo problemi politik. Ndërsa njerëzit më përgjegjës për një eveniment siç është Kosova duhet t’i zbërthejnë kriteret e logjikës politike ngaqë kuzhina ku po krijohen kushtet dhe po i përgatiten rrethanat e sindromit të prangave të robërisë së popullit të Kosovës, rishtazi është Beogradi, logjika e këtyre njerëzve që do të shkojnë për bisedime në Beograd apo kudoqoftë, pa dyshim rishtazi mund të na nxjerrë në udhëkryqe, , por do të krijojnë ngatërrime ndërmjet forcave me botëkuptime të ndryshme. Që tani po shihet se po na ngushtohet hapësira e potencialit të logjikës politike dhe ka filluar të mbizotëroj mania e frikës, sepse nuk e keni të qartë se a do të ulen në bankën e të akuzuarit fajtorët apo jofajtorët.
Arti politik është fenomen i shkathtësisë mendore, varësisht nga aftësia e njeriut për ta zbërthyer dhe parashtruar para opinionit këtë koment të botëkuptimit real, këtë sentencë tronditëse si dëshmi të freskët të çështjes së Kosovës, e cila gjithnjë po mbetet në alternativë për të menduarit logjik, ngase qëndron midis maturisë dhe ekstremit. Megjithatë, arti politik nuk vjen në kundërshtim me logjikën politike, sepse rezultatet e realizimit varen dhe janë të detyruara të mbështeten patjetër në prapavijën e forcës. Ne duhet ta kuptojmë se ngjarjet sot po rrokullisen shumë më shpejt sesa skepticizmi i fjalëve të një konference për shtyp, kjo vjen si rrjedhojë sepse nuk ka mundësi të ngrihet një shkallë më lart aktiviteti politik dhe kombëtar dhe na mbetet patjetër tu kthehemi recidiveve partiake.
Derisa rrugët e këtij populli, po kullojnë gjak, si mund të flasim për bisedime të detyruara me armikun dhe ato vetëm për paqe dhe të rrimë e të bëjmë sehir e t’i nënshtrohemi këtij kërcënimi të heshtur që me pa të drejtë po ia merr frymën e luftës për liri një populli të pushtuar.
Kjo disiplinë e imponuar patetike para fortesave politike po e shpreh më së miri përgjegjësinë e rrezikshme për një hap të guximshëm paqësor, po e zhvleftëson besimin në alternativën e luftës kundër vullnetit të botës për paqe në Kosovën e robëruar. Analizimi nuk është duke na munguar nga kjo kategori e logjikës politike, por po bëjmë shantazhe të panevojshme. Pra cila vlerë është ajo që çdo natë përsëritet në mënyrë monotone, se kjo është partia më e madhe apo më e vogël, kujt po i kundërvihen këta zotërinj, partive të tjera radikale dhe të ndrydhura në Kosovë, apo kur s’ka aktivitet mbetet zhurma për t’i mbushur këto hapësira.
Duke i pranuar trojet shqiptare ashtu të skematizuara sipas dekreteve të Beogradit, me kohë mbetet anash detyra për ta marrë përgjegjësinë vendimtare për zgjidhjen e problemit politik shqiptar në ish-Jugosllavi. Atëherë kujt po i nevojitet ky krahasim forcash partiake të përgjumura pa potencial organizativ, ky balancim numrash, mos vallë përsëri po i zë frika e vjetër euforike e shumicës absolute të votimeve?
Gabohemi nëse mendojmë se situata në Kosovë me këtë qetësi absolute është e qetë, jo ajo është e nderë dhe shpërthyese.
Disa zëra të vonuara, të papërfillur deri më sot që me servilizëm kanë hyrë në jetën politike, sot po e gërvishtin sfondin e arnuar që ka mbetur si metastazë e së kaluarës të jetës politike në Kosovë. E tërë kjo lojë, që po zien brenda kuluareve të disa parametrave i ka bërë njerëzit të kthehen në një shkallë degradimi të vlerave morale, politike dhe kombëtare, duke i bërë të tjetërsuara sjelljet dhe qëndrimet e tyre. Kuptohet se politikanët kosovarë kanë hyrë në këtë rrugë politike të papërgatitur sa duhet, por nuk do të thotë se duhet të mbeten brenda një rrethi ciklik lidhur me projektimin e zgjidhjeve të reja të çështjes kosovare. Besohet se dioptria politike e tyre ka krijuar një spektër pozicionesh të favorshme dhe të qëndrueshme edhe për pranimin e kritikave.
Formimi i mendimit, se politika e një populli të robëruar duhet të jetë populiste është anakronizëm monolit, e cila asnjëherë nuk do të arrijë objektivat e qëllimeve të larta, sepse barrikadat fanatike i ngulisim para vetvetes. Politika kosovare, për të realizuar vetveten si subjekt politik, shoqëror e demokratik, duhet analizuar përveç sjelljet politike dhe mënyra e të menduarit politik të shumicës të angazhuar, sepse shpesh po vërtetohet padituria dhe indiferentizmi ndaj së keqes kombëtare, e cila po krijon një komoditet të dhimbshëm dhe tragjik të jetesës së popullit të ndarë dhe të pushtuar shqiptar.
Kjo mënyrë e të menduarit po krijon hapësirë për falsitete, përçarje, intriga dhe etiketime prej më të shëmtuarave në jetën e përditshme të Kosovës. Kjo amulli e sotme po krijon jo vetëm stagnimin, por edhe mpleksje, sepse këtë rrugë po e sheh si më të lehtë sesa për të gjetë shtigje e forma për të realizuar qëllimet e idealit kombëtar, të parashtruara dhe të premtuara me kohë. I mjerë është ai popull kur është i detyrar të pëshpëritë më mirë i gjallë sesa i vdekur. Të mjerë pra, janë ata që me pantomimiken egzaltuese e përkundin popullin në djepin e ëndrrave të Aladinit për Kosovën autonomi. Makina e politikës së udhëheqësve kosovarë sot është bërë edhe më e ndërlikuar, është bërë si një avliment universal, i cili po e zhvat politikën konstruktive dhe atë premtuese duke menduar se po kontrollon gjithçka
PËRFUNDIM
Vepra: “Meteorë lirie”
Bënë fjalë për patriotin për revolucionarin, luftëtarin e strategun shqiptar – HALIL ALIDEMËN. Njeriun, i cili një jetë të tërë ia kushtoi çështjes së pazgjidhur të popullit të vet. Ai tërë jetën e vet u angazhua, punoi e veproi për popull e atdhe. Para se idetë e veta t’i zgjeronte e t’i shtrinte te shumë shokë e miq në të gjitha trojet shqiptare, Halil Alidema që në fillim gjeti mbështetje e përkrahje morale, mirëkuptim e angazhim edhe nga bashkëshortja e tij – TEUTA KRYEZIU – ALIDEMA. Ajo iu gjend gjithmonë pranë, duke e përkrahur, i dha zemër, shpirt dhe forcë të vazhdojë me guxim e vendosmëri rrugën e nisur drejt idealeve, qëllimeve e synimeve të caktuara për çlirimin e popullit të vet nga okupatori shekullor serb. Rrugë të gjatë, një jetë të tërë, një brez njeriu në të cilën bashkatdhetarë, bashkëpjesëmarrëse, pati edhe bashkëshorten e vet besnike të jetës e të idealit kombëtar – Teuta Kryeziun – Alidemën.
Halil Alidema si pjesëtar i denjë i popullit të vet, si një plis dheu i vetëdijesuar i atdheut të vet, nuk mundi ta kuptojë jetën e lumturinë jetësore jashtë gjirit familjar e kombëtar. Ai fatin e vet dhe lumturinë e vet e lidhi me fatin e popullit të vet, lirinë e vet me lirinë e atdheut, madhështinë e vet me madhështinë e popullit e atdheut të vet, me trojet shqiptare, me një Shqipëri Etnike, as të madhe as të vogël, por aq sa është, e natyrshme, reale dhe konkrete deri aty ku shtrihet, ku jeton e vepron populli i vet; deri aty, ku bukës i thuhet bukë e ujit ujë. Për një Shqipëri të këtillë ai u angazhua, për një çlirim e bashkim kombëtar, jetoi, veproi e luftoi një jetë të tërë.
Duke qenë i prirur në realizimin e idealeve të larta patriotike, Halil Alidema në mesin e vet shoqëror, ku jetoi e veproi, fitoi shokë e miq që e kuptuan, e përkrahën dhe e ndihmuan, madje edhe sakrifikuan për të, sepse e panë se ishte në rrugë të drejtë, sepse punonte për ta, për mbarë popullin e atdheun, pjesë e të cilit ishin edhe ata.
Ndonëse, në realizimin e këtij ideali me plot gjemba, me plot vështirësi, me sakrifica e rreziqe, numri i atyre që e përkrahën dhe e ndihmuan ishte në fillim mjaft i vogël, por me kalimin e kohës ai gjithnjë shtohej e rritej, duke arritur në një armatë të tërë.
Halil Alidema arriti në zenitin e idealit kombëtar . Ai u bë strumbullar i një grupi të madh intelektualësh, figurë integruese e forcave patriotike e revolucionare që ndiqnin rrugën e prijësit të tyre. Sepse Halil Alidema ishte i prirur nga qëllime e synime të pastërta, ideale të larta kombëtare – çlirimin nga zgjedha e robërisë sllavoçetnike. Ai kishte një shpirt të kristaltë, duke ditur të dallojë të mirën nga e keqja, dashurinë nga urrejtja, lirinë nga robëria, ai do të zë një vend të merituar në historinë tonë kombëtare. Ai me punën e vet, luftën e pandërprerë në rrugën e gjatë për liri e pavarësi, do të fitojë pavdekësinë e amshueshme në kujtesën e pashkruar dhe historinë e shkruar të popullit të vet.
E tërë kjo që thamë në mënyrë të përmbledhur e sintetizuese, si përfundim i veprës sonë në fjalë, dëshmohet bindshëm nëpërmjet pjesëve përbërëse të veprës: parathënies, biografisë dhe veprimtarisë patriotike të Halil Alidemës, shpalime kujtimesh të mia, që kam shpaluar nga jeta e çastet e përbashkëta që kam përjetuar me të, të tjerët për Halil Alidemën dhe pikëpamjet e Halilit për çështjen e pazgjidhur shqiptare, pjesa shtojcë, janë përfshirë faksimile, dokumente, argumente e fakte dhe fotografi nga jeta e puna.
Veçanërisht madhështia e këtij çifti bashkëshortorë, që tërë qenien e vet mendore e fizike, tërë angazhimin, luftën dhe përpjekjet e tyre shpirtërore e ideore, jetësore e konkrete, shihet qartë, kuptohet e dëshmohet nëpërmjet kujtimeve e deklarimeve , shpjegimeve të tyre konkrete, jo vetëm si simpatizues e adhurues, por edhe si përkrahës moral, ndihmëtarë materialë e financiarë nga njëra anë deri në angazhim e sakrificë jetësore, të gatshëm kurdoherë të bëhen sakrificë e idealeve të larta njerëzore dhe e qëllimeve të shenjta kombëtare, të revolucionarit e luftëtarit, strategut dhe prijësit të tyre – Halil Alidemës, nga ana tjetër.
Jemi të vetëdijshëm se brenda kaptinave të këtij libri nuk është përfshirë tërë jeta dhe veprimtaria patriotike e Halil Alidemës. Jeta, puna dhe vepra e Halil Alidemës është shumë më e gjerë, shumë më komplekse dhe shumëdimensionale, të cilën vëllezër e motra, miq e dashamirë dhe lexues të nderuar mund ta ndërplotësoni ju me dëshmitë tuaja për Halil Alidemën.
© Pashtriku.org
SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (1)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=11068
- FUND –
______________________________________
HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (38)
Nga Sabit Alidema, Pashtriku – 29 gusht 2021