Prishtinë, 11. 10. 2016: Qemajl Juniku: “Shungullimë shqetësimesh”, poezi, botoi Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2016 – Libri ” SHUNGULLIMË SHQETËSIMESH”, që ditë më parë u botua nga Edicioni i Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës, 2016, është vëllimi më i ri me poezi i poetit, Qemajl Juniku, i cili tashmë është emër i njohur në poezinë bashkëkohore me veprat e tij në poezi, por edhe me ato të shkruara në gjininë e dramës. Sikur në përmbledhjet e botuara më parë, poeti vazhdon të shpreh botën krijuese, duke e pasuruar me motive, figura, tema e frymëzime nga aktualiteti, me kujtime prej të kaluarës dhe me synime për ardhmërinë.
Të gjitha poezitë e përfshira në këtë libër janë të ndara në katër qerthuj, cikle: l. Kohë trazimesh, 2. Jeta gotë e thyer, 3. Nëpër zhgënjime dhe 4. Stinë mërzie, që udhëhiqen me poezinë prolog, apo prijëse “Pyetje”. Që në fillim mund të konstatohet se qerthujt kanë një lidhmëni mes vete dhe kanë ndërtim të një indi organik të poetikës së Qemajl Junikut. Andaj, pothuajse poezitë e këtij libri shprehin ndjenja të sinqerta të shpirtit poetik, prandaj edhe pse nuk janë të drejtpërdrejta kanë mesazhe të qarta, të kuptueshme janë të kapshme edhe pse janë të nënshtresuara.
Poezia “Pyetje” që i prinë librit mund të jetë çelës i frymëzimeve dhe i ndjenjave të mesazheve të të gjitha vargjeve të përfshira këtu. Kjo poezi nuk ka qëllim shpjegues e as sqarues, por shërben vetëm si orientim për të ecur sigurt nëpër të gjitha qelizat artistike, orientuese, frymëzuese e figurative të shtresimeve poetike. Derisa ndonjë dromcë rrëshqet paksa nëpër disa shtresime, ajo diku qëndron dhe përkon me titullin e pse jo edhe me figuracionin poetik, si:
Keni parë ndonjë herë
Si jeta kullon qelb
Kur koha ciat si zog i plaguar
Duke e shprehur poetikisht frymëzimin, poeti, Qemajl Juniku, bënë pyetje në formë figurative me imagjinatën krijuese dhe arrin ta sendërtojë motivin, figurën e ndjenjën me vargje që shprehin pyetje në brendësinë e tij për ta transmetuar te lexuesit, gjegjësisht receptorët, sepse është i vetëdijshëm se ai ka parë mallin si djeg, dhembjen si ngrin shikimin, jetën si përzjarret kur shqetësimet harlisen. Duke i lexuar këto vargje patjetër shihet se poeti është i dashuruar përjetësisht me fjalën poetike. Ai tashmë ka gjetur formën e shprehjes së ndjenjës, sepse e ka zbuluar mënyrën më të pëlqyeshme për komunikimin me receptorin me anë të figuracionit.
Frymëzimet artistike e intime të poetit janë të pasura dhe të begatshme si në perceptimin poetik të jetës dhe bëmave të saj, të realitetit e ndjenjës, po ashtu edhe të figuracionit që trajton në poezinë e tij. Prandaj ato gërshetojnë një ndjenjë të gjerë, pothuajse nga çdo fushë si për jetën, atdheun, dashurinë, me përkushtime për personalitete të jetës kulturore, e të tjera. Këto nuancime shtrihen nëpër të gjitha poret artistike dhe përshkallëzohen në katër qerthujt poetikë të veprës.
Në qerthullin e parë “Kohë trazimesh” janë të përfshira poezitë në të cilat vibrojnë makthi, kuisja e fatit, trazimet e ëndrrave të shashtrisura, gërryerjet e gozhdimit të shpirtit, e të tjera që disi freskohen apo ngushëllohen me “përjetim arshikisht”, që është këngë e njohur autoktone gjakovare, andaj:
Sonte
Gjakova ashikisht jehon
Lamës së Drithit qenka dalldisur Jusuf Myzyri
Me sharkinë e Ymer Rizës
Në këtë qerthull, poeti Qemajl Juniku, përballet përsëri me disa ankthe të jetës së sotme, të cilat, fatkeqësisht janë të papërballueshme e të patejkalueshme. Në këtë kohë plot me vranësira të pakuptueshme, pse jo edhe të pamëshirshme, vetëtimat thyejnë përmendoret dhe shkaktojnë përflakje në mall. Në kohën lavire kalohet jetë çenqe, e cila shtron gjumin me djajtë që janë të pangopur, sepse:
Si akrobat mbi teh thike
Jeta mban drejtpeshimin
Kohëliga me djajtë vallëzon
E zgërdhihet
Duke rrëshqitur nëpër frymëzimet e kësaj gurre, autori, në qerthullin e dytë “Jeta gotë e thyer” konstaton se jeta bëhet një gotë e thyer, sepse kalon nëpër mjegullnajë, kalvare shqetësimesh, përkëdhelje mashtruese, helme dashurish, e të tjera. Me përballjet e këtyre situatave shpesh ajo hamendet për të bërë vetëvrasje nëpër copëtime ëndrrash për t’i tretur dhimbjet. E kur të gjitha këto dhe tentime të tjera janë të paarritshme atëherë ajo prapë ofshanë e drithërohet, përgjumet e dënesë, mendimet i tallen me gëzimet e vogla dhe shpresat mashtrohen duke kënduar si nëna kalamanin për të fjetur. Duke kaluar kuluareve dëshpëruese shpesh ndodh që ajo të nëpërkëmbet dhe të hingëllojë si kalë i zemëruar, sepse:
“Jeta zhagitet rrugëferrave”
thotë poeti në vargun e poezisë me titull “Zhagitje jete”, të këtij qerthulli.
Siç mund të shihet nga vështrimi sipërfaqësor, në shumicën e vargjeve hetohet një dialogim poetik, i cili frymon duke u përballur, por edhe duke u shkrirë në ndjenjën dhe gurrën e frymëzimeve të subjektit intim, pra të lirikës poetike. Këto nuanca nuk janë shtresime të padepërtueshme as të vrazhda, por janë tejet të shtrira dhe me shpirt të ndjeshëm, i cili di të depërtojë e të njëjtësohet edhe me receptorin. Edhe pse në shumë poezi tregohet ndjeshmëria e poetit ka edhe poezi përmes së cilave autori shpreh revoltën e tij. Në këto vargje frymon një jetë e tërë mendimesh, sepse poeti ka qëndrim dhe un të vetin për ta shpërfaqur në vargjet e veprës “Shungullimë shqetësimesh”.
Në poezitë e kësaj përmbledhjeje frymon një mendimin i thellë e plot mesazhe që përkojnë me formën e bukur artistike me plot metafora dhe figura të tjera që i japin poezisë tingëllim të veçantë, sepse poeti ka thënë gjithë atë që e preokupon, e madhëron, e sheh dhe e përjeton. Përpos përdorimit të fjalëve me kuptimin e parë apo të zakonshëm janë përdorë edhe fjalë në kuptimin figurativ, që kryejnë funksionin e një sërë figurash, si: metafora, krahasime, epitete, simbole, pyetje retorike, pasthirrma, e të tjera.
Në këtë vëllim poetik gjejmë edhe poezi përkushtuese, që u kushtohen figurave të
njohura të poezisë dhe të lëvizjes sonë kombëtare, që janë të përfshira në qerthullin e tretë “Nëpër zhgënjime”. Poezitë u kushtohen: Bardhyl Çaushit, intelektualit, profesorit dhe veprimtarit të njohur të lëvizjes kombëtare, i cili u vra nga policia dhe paramilitarët serbë në Gjakovë në kohën e luftës, profesorit dhe veprimtarit të njohur të kauzës kombëtare, Kadri Kusarit, i cili përjetoi tmerret e burgut famëkeq jugosllav të Goli Otokut, akademikut, profesorit dhe poetit të njohur, Besim Bokshit, si dhe vargjet e poezisë me titull “Poetët”, që është një përkushtim për krijuesit poetë, të cilët “me puhi i ledhatojnë dashuritë” nëpër kohën zhgënjyese të turbullirave të jetës. Veprimtaritë e këtyre figurave të njohura, poeti Qemajl Juniku i skalit me figuracione poetike, sidomos me simbolin e metaforën si: “fanar” për Bardhyl Çaushin, “buzëqeshje kristal” Dush Kusarit, si dhe “Qiri i shpirtit të poetit” për Besim Bokshin. Në këtë qerthull ka edhe elemente të tjera që trajtohen në vargjet e poezive.
Diku kah fundi i librit qëndron qerthulli i fundit “Stinë mërzie”, që faktikisht është një sendërtim i gjithë asaj që poeti Qemajl Juniku, e trajtoi në vargjet e veprës së tij më të re poetike “Shungullimë shqetësimesh”. Shungullima figurative e këtyre shqetësimeve nuk ka të sosur asnjëherë në jetën e njeriut, por ajo herë tingëllon më shumë e herë mëton të shurdhohet. Kjo nuk varet nga dëshirat e njeriut, por nga ato të cilat kaliten e skaliten në jetën e tij, të shoqërisë dhe të kohës në të cilën jeton. Ky mozaik i jetës nuk del i shkëputur, por është një simbiozë natyrshmërie e shtrirë gjerë e gjatë në poetikën e vet. Andaj patjetër duhet të përjetësohet duke u veshur me rrobat e historisë, e cila gjithmonë është dëshmitare për brezat e njerëzimit nëpër epokat dhe qelizat e jetës së njerëzimit të të gjitha niveleve e hapësirave të globit. Kodi poetik që filloi me vargjet e poezisë “Pyetje”, që e quajta prolog përmbyllet e me ato të poezisë “E lemerishme”, i cila është një botë, pse jo edhe një jetë, brigjet e së cilës i rrënon një lumë i trazuar që shkumon furishëm, ku thuhet:
Një lumë i trazuar shkumëzon furishëm
Brigjet e jetës i rrënon
Turbullirave përvajet koha
E lemerishme
Kjo strofë me këto vargje janë përmbyllja e veprës së Qemajl Junikut “Shungullimë shqetësimesh”.
Vargëzimi poetik këtu shpërfaqet duke u koordinuar mirë dhe pëlqyeshëm me motivet, tematikën dhe çështjet e trajtuar në këto vargje. Autori ka përdorur gjuhën e një normë të pasur dhe në nivel të standardit letrar, që është pasqyrimin i nivelit të njësimit gjuhësor. Madje, këtu del konstatimi se ky autor e njeh normën standarde të gjuhës dhe e përdor pa ndonjë vështirësi që nga vepra e parë e tij qoftë në poezi apo në gjinitë e tjera që i shkruan. Kjo gjuhë pasurohet duke tingëlluar poetikisht me përdorimin e duhur, të pasur dhe të përshtatshëm figurativ. Kështu gjuha figurative dhe ajo standarde bashkëdyzohen dhe frymojnë artistikisht në vargjet e poezive. Përveç gjuhës së figuracionit metaforik të simbolit, epitetit, krahasimit, retiçencës e të tjera, në disa poezi dhe vargje hasim edhe pasthirrmën në nivel të figurës. Pasthirrma më e përdorur është “hej” me format e veta. Andaj figura e pasthirrmën merr frymë artistike si klithje, kushtrim, tërheqje e vëmendjes, pse jo edhe si mallkim, por rrallë si elegji apo vajtim.
Kjo vepër e poetit Qemajl Juniku shprush dhe pasqyron nivelin e krijimtarisë së tij. Në poezitë e saj shihet trasimi i rrugës artistike krijuese të poetit. Kjo rrugë që kishte një fillim të mbarë, e cila në formë të gradualizuar erdhi duke u përsosur deri në këtë nivel, që me siguri nuk do jetë i fundit. Besoj se ky poet në veprat e veta përsëri do të gjejë qeliza e inde të reja të organit artistik të poezisë dhe do t’i latojë edhe më mirë dhe më suksesshëm.
Vepra e Qemajl Junikut “Shungullimë shqetësimesh” me të gjitha format dhe domethëniet e veta është një pasqyrë e arritjes së nivelit artistik të këtij poeti. Andaj këto dhe elemente të tjera që gjenden në qelizat dhe indet organike të saj janë nuaca të krijimtarisë se deritashme të tij, që është një dëshmim premtuese për nivele të reja në vepra e ardhshme të poetit tashmë me përvojë, Qemajl Junikut.
Postime të Lidhura
PISHTARËT E ARSIMIT NË KOSOVË, 1941
PISHTARËT E ARSIMIT NË KOSOVË, 1941 Pashtriku, 2 Maj 2022 Me kërkesën e Ministrit të Arsimit në Shqipëri…
HAZIR MEHMETI: NJË VEPËR ME VLERË E STUDIUESES SHPRESA MUSAJ
(Vjenë, 28. 09. 2012) – Botime të reja nga studiuesit tanë në Austri – Botohet vepra e studiueses shqiptare…
AGIM SYLEJMANI: NË ZVICËR KA FILLUAR XHIRIMI I FILMIT ‘ROMANCA E HIUDHUR’
Luzern, 08. 04. 2015 – Pas një pune të përkushtuar dhe ushtrimeve të shumta, në St. Gallen filluan…
DR.MOIKOM ZEQO: ROMANTIZMI, VIKTOR HYGOI DHE DE RADA
Tiranë, 24 shtator 2017: Viktor Hygo (1802 – 1885), shkrimtar i jashtëzakonshëm, me një talent kaq të rrallë…