(HAMDI) ERJON MUҪA: PAANËSIA E UNIVERSIT TË FJALËS HYJNESHË

Pisa, 26. 10. 2015: (Anton Nikë Berisha, Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Il fulgore della bellezza. Riflessioni poetiche sull’arte della parola. Cosenza, Luigi Pellegrini Editore, 2014.) – Poezi: sa fjalë e bukur, ç’emërtim i denjë për një krijesë të brishtë plot forcë shpërthyese, madje shkatërruese. Krijesën e mirëfilltë që mban këtë emër e dashuroj. Mirëpo, sot, me keqardhje konstatoj se këtë emër po e keqpërdorin tej masës, aq sa krijesa e pastër, e denjë për të mbajtur këtë emër, është ngatërruar si në një rrjetë merimange mes një pafundësie të maskuar. Edhe bejtexhinjtë janë shndërruar në poetë. E kur i sheh për së jashtmi këto krijesa, janë pak a shumë si trans-vestitët (meshkuj që vishen dhe jetojnë si gra) që në pamje të parë të hutojnë pasi arrijnë të jenë delikate si gra, por kur i sheh në brendësi vëren shterpërinë e tyre. Këtë po mendoja pasi mbarova së lexuari një vëllim me poezi të Frederik Garsia Lorka-s, ku përpos të tjerash u përballa me forcën vizionare të këtyre vargjeve:
Marinarë që injorojnë verën dhe thell-hijen,
kokëprerës sirenash mbi dete të plumbta.
Nata, e zeza statujë e kujdesit, mban
në duar pasqyrën e rrumbullakët të hënës.

(Kërkoj ndjesë nëse përkthimi nuk është në lartësinë e nevojshme; nuk jam përkthyes, thjeshtë u mundova të sjell në shqip forcën e kësaj pjese.)

Duke lexuar këtë poet dhe poetët e tjerë të rrafshit të tij, të merr frika të marrësh në dorë libra me poezi, nga ata që sot në Shqipëri shiten si të tillë.
Nuk është ky i vetmi poet që më ngacmon ndjesitë; ka edhe të tjerë. Ndër ta është Migjeni ynë dhe dua të sjell këtu disa vargje të tij që më ngacmojnë.
Notojnë xhamijat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
shkëlqen shejtnija mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarëve.
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!

Ajo që më goditi më tepër është: lexova se Migjeni në një letërkëmbim me një mikun e vet, krijimet e veta në vargje, që janë perle, i quan vjersha. Pra, atij nuk i vinte fare turp t’i quante vjersha krijesat e veta hyjnore, kurse sot quajnë poezi disa paçavure.
Këta gatues ushqimi për derra ndahen në dy grupe. Grupi i parë përbëhet nga “poetët” e metaforave të sforcuara që duken si të zëna prej fyti dhe marrin ngjashmërinë e vulgariteteve më të pamendueshme. Grupi i dytë është ai i erotistëve. Këta janë edhe më qesharakë. Meqenëse kanë mjaft vite mbi supe, shkruajnë erotizëm të censuruar (s’kanë faj, janë mësuar me censurën komuniste: vetë censurohen), se nga i gjejnë ca metafora agresive dhe dashur-padashur përfundojnë në pornografi. Kur has në ndonjë nga këto vizione nuk e di se përse më kujtohen regjisorët e kinostudios Shqipëria e re, dhe saktësisht filmin “Vitet e pritjes”, ku gjendet diçka tepër qesharake. Nuk dua të bëj fajtor regjisorin e filmit pasi koha e tillë ishte dhe ndjenja njerëzore nuk mund të durojë censurë. Është një skenë në të cilën Joni i shfaq dashurinë për herë të parë Elenës dhe ajo rend ta përqafojë. Pas një çast përqafimi, në ekran shfaqet një gyp çezme që rrjedh ujë…
Nuk them se në Shqipëri s’ka poetë apo poezi të nivelit të lartë se do bëja një gabim trashanik, por po them se rreshtat e parë janë pushtuar nga poetë mediokër, nga bejtexhinj, ndërsa poetët e mirëfilltë kanë mbetur pas tyre, në heshtje. Dikush mund të thotë se këta nuk do t’i rezistojnë kohës, por e keqja është se po e shkatërrojnë kontekstin e poezisë së vërtetë. Poetët mediokër mjafton t’i injorosh, por problemi i madh qëndron tek ushtria e pseudo intelektualëve që i mbështesin me shkrime dhe recensione: mediokër që mbështesin mediokrit dhe të paaftët që lavdërojnë vëllezërit e vet, thoshte Wilde.
Kur më bie rasti që të dëgjoj apo lexoj ndonjë shkrim të tillë ngjethem si mace përballë qenit…. Janë shkrime të mbushura me fjalë që nuk thonë asgjë; shkrime që të mbysin në dilema: ose këta nuk njohin kuptimin e fjalëve ose kanë marrë para për të shkruar diçka për të cilën s’kanë se çfarë të shkruajnë. Fjala vjen, recensioni i një profesori me të cilin u përballa dhe ndër të tjera gjeta edhe këtë përkufizim grotesk: “Një konglomerat origjinal”: shkruante ky personalitet i ynë. E unë, dashur e padashur u zhyta në një meditim të thellë në zbërthimin e kësaj fraze. Konglomerat do të thotë përzierje dhe një përzierje nuk mund të jetë kurrë origjinale. Origjinale është një nën produkt i fjalës origjinë dhe në origjinë asgjë nuk është e përzierë. As uji, as toka dhe as ajri nuk janë origjinalë, madje as njeriu nuk është origjinal. Uroj që të mos përballëm më me kësi konglomeratësh skandalozë!
Tek nisja të lexoja vëllimin “Prushi i Bukurisë” me përsiatje poetike të Profesor Anton Nikë Berishës mendja më sorollatej rreth mendimeve që jo rastësisht i shpreha më lart.
Prozën e mikut tim (me profesorin jemi miq, nuk është miqësi e vjetër por e sinqertë. Madje unë kam nisur ta thërras Baca Ton ashtu si të afërmit e tij) e njoh mirë. Ajo është një prozë intelektuale që rrjedh ngadalë dhe e pandërprerë. Është fryt i përftuar nga bërsitë e mendimeve kaotike dhe shtyrë nga zjarri i shpirtit njerëzor kalon nëpër serpentinën ftohëse të ndërgjegjes medituese dhe duke u filtruar nga butësia e arsyes së ftohtë prej krijuesi të përkushtuar e të mirëfilltë pikon e pastër, e ngrohtë, dehëse dhe djegëse. Është turbulluese proza e Bacës Ton, mjaft herë lexuesi vuan dehjen e kësaj proze, por me të kaluar dhimbja, je i yshtur të kridhesh sërish nën avujt e ngrohtë dhe marramendës të saj.
Poezinë e Profesorit nuk e njoh, kjo për fajin tim. Kur më pyesin për poezinë, të gjithëve, pa përjashtim, u përgjigjëm: Nuk arrij ta kuptoj poezinë e sotme. Kjo është një lloj mburoje: kur digjesh nga qulli i fryn edhe kosit, thuhet ndër ne dhe unë pranoj: më mirë të dukem si injorant se sa të vras mendjen time me vlera të pavlera për vlerën me të cilën duan të vlerësohen (fjala injorant rrjedh nga gjuha italiane dhe është nënprodukt i foljes ignorare që përkthyer në shqip do të thotë të anashkalosh ekzistencën, të mos njohësh, jo të mohosh).
Ndoshta kam gabuar që jam sjellë edhe me këtë pjesë të krijimtarisë së mikut tim në këtë mënyrë. Megjithëse e di që Baca Ton do të më falë.
Të them të drejtën me frikë e hapa librin e tij “Prushi i bukurisë”. Më frikësoi titulli, po dhe nëntitulli: Përsiatje poetike për artin e fjalës. Tjetër gjë prisja dhe me tjetër gjë u përballa.
Partenonin e Athinasë jemi mësuar ta shohim të ngritur vigan. Profesor Antoni tempullin e hyjnisë që adhuron, fjalës, të shprehurit, e ndërton dalë e ngadalë para syve tanë. Çdo gurë të ngrehinës së vet e rrotullon që të na e tregojë dimensionet e së mundshmes. Herë të duket sikur e ke pranë autorin, e herë jo e megjithatë pjesëzat e monumentit i sheh një e për një!
Rreshtat, strofat, janë himn për fjalën duke e shpalosur rëndësinë e saj të shumëfishtë. Në fakt vetëm duke lexuar “Prushin e bukurisë” kuptova se sa naivitet ka në mënyrën se si ne flasim, pak edhe se si shkruajmë. I japim vend të parë mendimit, duke anashkaluar fjalët me të cilat krijojmë mendimet: pa të cilat nuk do të ketë mendim. Madje as evoluim…
Universi i hyjnisë fjalë është i paanë. Ato ndërlidhen e zhvendosen deri në pafundësi edhe brenda mendimit më banal. Është Fjala dhe marrëdhëniet mes tyre që vendos fatin e çdo mendimi. Edhe mendimi më gjenial nëse shprehet me fjalë të papërshtatshme vdes si një vulgaritet i rëndomtë. Vulgaritete të thëna me fjalë të zgjedhura enden akoma në gojët e frymorëve: e pak-kush është në gjendje t’i zbulojë.
Shtazore do të ishte bota pa bukurinë e fjalës. E mbërthyer nën thundrën e britmave. Mes ngjyrave e pangjyrë, mes aromave e pa aromë. Nuk do kish dashuri, urrejtje, mallkime, urime, lutje, besim e blasfemi: Në fillim ishte fjala- e fjala ishte në Hyjin, e fjala ishte Hyj… Prej saj u bë çdo gjë… “Prushi i bukurisë” trajton në mënyrën më të sinqertë të mundshme rëndësinë parësore të Hyjit Fjalë…
Idhujve ju është kënduar gjithnjë (me fjalë) në mënyrë të mirëfilltë artistike e jo artistike. Te Profesor Antoni, personalitet me temperamentin dhe dashurinë e pazakontë për artin e fjalës dhe jo vetëm për të, e gjejmë në mënyrë të përshtatshme për t’i ngritur lavd. Prushi bukurisë i këndon Fjalës dhe thelbit të saj, poezisë. Në këtë libër ajo vjen si një ngrehinë e përkryer falë përllogaritjeve kuptimore shprehëse – stilit dhe nuk mbështet vetëm tek fati: tek emocionet e çastit.
I pamëshirshëm është Prushi i bukurisë! Me të gjithë ata që fjalët i keqtrajtojnë, që poezinë e volgarizojnë me metafora trashanike, të pafunksion. Në Radhët e librit nuk hasa askund ndonjë metaforë obeze nga ato që i zënë frymën të gjithë përmbajtjes shpirtërore shprehëse të një vepre. Profesori e përdor fjalën në mënyrën të sinqertë dhe me mjeshtëri, aq sa edhe fjala më e rëndomtë merr ngjyrimet e metaforës: poezia duhet të flasë me gjuhën e metaforës…
Bukuria! A do të ishte me të vërtetë ajo e tillë nëse Fjala nuk do ishte? Në gjithë librin, që nuk është vëllimor, por ja që letërsia nuk matet me faqe, Fjala është perëndesha e pa zëvendësueshme. Fjalët që ndjekin, ndiqen mbivendosen, zëvendësohen, rivendosen, pa u lënduar dhe pa lënduar me një natyrshmëri marramendëse. E përdorur dhe e trajtuar në këtë mënyrë, Fjala duket si krijesë krijuese dhe e jo e krijuar. Aq sa unë e lexova dy herë librin dhe mendoj se do e rilexoj prapë.
Me Prushin e bukurisë në dorë kupton sa e vogël është qenia njerëzore, sa e vogël është dituria jonë përballë pafundësisë së artit të fjalës: fuqisë së fjalës; si me porosi në një libër të Oscar Wilde gjeta një mendim të Sofokliut: Vetëm tani vërej që, në çdo qenie njerëzore, Fjala dominon dhe jo veprimi…
Katet e ngrehinës që Profesor Anton Nikë Berisha i ndërton para teje, shkallë – shkallë nisin e marrin formë. Megjithëse ti i ke parë të gjitha pjesëzat një e nga një, tani me shfaqjen e kolonave, nis e i harron ato. Para teje ngrihet një tempull e janë të pakët ata që me të parë kolonat, mendja u shkon tek guri. Kjo është përciptësia e qenies njerëzore e Prushi i bukurisë përpos që i ngre lavde artit të fjalës, mundohet të çrrënjosi, sado pak, vesin e sipërfaqësisë.
Urtësia e të shprehurit të mendimit në këtë vepër shfaqet me fjalët tona, të gjuhës sonë, pa asnjë ndërhyrje të huazuar; jo se është ndonjë mëkat kapital të përdorësh fjalë të huaja (që edhe aq të huaja nuk janë përderisa janë njerëzore dhe si nga ana shkencore edhe ajo teologjike kemi të gjithë një zanafillë), por meqë kemi gjuhën tonë të lashtë e të pasur le të këndojmë çfarëdo qoftë me fjalët tona. E profesor Antoni nuk harron kurrë që Artit të Fjalës t’i këndojë me fjalët e gjuhës së nënës! Janë po ato fjalë që hasim çdo ditë, por se përse tek Prushi i bukurisë marrin të tjera ngjyrime!
Radhitja e fjalëve dhe e frazave është sa e studiuar (dhe në detajin më të papërfillshëm) aq edhe natyrshme, a thua se fjalët kanë lindur për këtë vepër. E kur je mes tyre të lind vetvetiu mendimi se pa Fjalët nuk do të kishte tablo të kaltra qiellore me korniza reshë gri në rozë të purpur. Nuk do kishte as valle të çmendura të gjetheve nën ritmin e erës së vjeshtës….
Inati, megjithëse ndjenjë mediokre, lind dhe rritet me ritmet e poezive si përsiatje të “Prushit të bukurisë”. Të vjen inat dhe ndot për librucë që trumbetohen si kryevepra të letërsisë dhe vepra me të vërtetë që meritojnë të trajtohen si kryevepra kalojnë gati pa u vënë re. Megjithatë, siç thoshte idhulli im, Wilde: Shkruaj ngaqë të shkruarit më jep kënaqësinë artistike më të madhe të mundshme. Nëse vepra ime do të kënaqte pak të zgjedhur, jam më se i shpaguar. Sa i përket masës s’kam asnjë dëshirë të jem shkrues popullor.
Si ka mundësi që ka njerëz që edhe përse lexojnë (nëse disa lexojnë) poezi të vërtetë akoma quajnë qeniet hibride që pjellin me këtë emër. Kjo pyetje më lindi vetvetiu teksa i afrohesha fundit “Prushit të bukurisë”, e ndjeja, sikur ta kisha pranë zërin e ngadaltë dhe të qetë të autorit: të paktën mua që e njoh dhe kam folur mjaft me të më dukej sikur ishte ai që po m’i lexonte radhët dhe nuk po i lexoja unë. E kur arrin në këtë bindje, do të thotë që vepra mbart brenda vetes qenësinë, cilësinë dhe forcën e Artit.
Ëndrra nga e cila edhe pse zgjohesh, nuk zhduket menjëherë: i tillë është përfundimi i këtij libri me përsiatje poetike për artin e fjalës; që akoma unë nuk e kuptoj se përse autori nuk e ka quajtur vëllim me poezi! Nga leximi të shtohet përshtypja se Profesori (edhe përse e ke vërejtur ndërtimin e këtij tempulli hap pas hapi) në fund, si nga hiçi, ta shpalos atë të plotë, me kolona madhështore e statuja të mermerta në hyrje, po dhe brenda. Në përmbyllje, në pamjen poetike të pesëmbëdhjetën, të krijuar nga vargu i parë i secilës pamje (libri ka gjithsej katërmbëdhjetë pamje) dëshmohet ajo që për mua është thelbi i poezisë: zemra e zemrës.
Përtej Hartimit e pate djepin- Bukuri,
Reshje e buzëqeshur në Ndërrim të stinëve;
Uturimë e përndritur je, vel i prushtë,
Shpalosje e erës je që erën përfill;
Idhujtare lozonjare që s’di të shuar.
Inxhi lashtësore që nuk zhbëhesh asnjëherë,
Besnike e devotshme që nuk njeh ndalesë
Udhërrëfyese je që bukurinë e mbëlton,
Këndellje e mirëfilltë dhe zë i bekuar,
Ujëvarë hareje që gjithkund përhapesh;
Ripërtëritje je e këmbimit të ditëve,
Ishe e je paanësia e përsiatjeve,
Sy i etur brenda drithmave të zemrës-
Ëndërr e përkëdhelur me bardhësi t’krahnezës.
Të falënderoj Baca Ton për këtë ligjëratë poetike falas…
Në fund: ua këshilloj këtë libër të gjithë atyre që e duan artin e fjalës, letërsinë, po dhe pseudo poetëve jo për ndonjë gjë tjetër sa për të krahasuar nivelin poetik.
Pisa, tetor 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura