HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (13)

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (13)

GRUPI I LLAPIT

HYRJE

Një nga dhuntitë që e karakterizonin Xhavit Hoxhën ishte prirja për t’u shoqëruar me njerëzit. Në këtë aspekt, mund të thuhet se ishte nga më të rrallët. Por jo me çdokënd, sepse i kishte parimet e veta, të cilat i mbronte me këmbëngulje. Nuk po vazhdoj më tej në këtë aspekt, por po theksoj se ai që kishte fituar besimin e tij, e kishte vështirë ta gjejë kandarin për ta matur… Xhaviti, pas përfundimit të studimeve, filloi të punojë në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë. Në mesin e kolegëve ia kishte tërhequr vëmendjen Muhamet Rogova – profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Ndër të tjera, ishin dy nga cilësitë e tij që të parin e nxitën për t’u shoqëruar me të dytin: qëndrimi ndaj çështjes kombëtare, ndonëse qytetar, pasioni për t’i vizituar fshatrat. Ishin edhe degët e studimeve ato që i nxitnin për t’i shprehur mendimet dhe ndjenjat që i preokuponin: derisa Muhameti e citonte ajkën e poezisë shqipe, në vargjet e së cilës pasqyrohej edhe gllabërimi i trojeve tona nga fqinjët shovinistë të mbështetur edhe nga mentorët e tyre, Xhaviti e verifikonte me aparaturën e shkencës së gjeografisë deri në detaje… E kishin kuptuar se ishin në të njëjtat valë edhe për çështjet e ndjeshme, siç ishte veprimtaria ilegale.

1. Ishte Muhamet Rogova ai që e theu akullin: “A ke ndonjë shok nga Drenica apo nga Llapi?” Meqë nënkuptohej se për ç’shok i bëhej pyetja, edhe Xhaviti ia kishte dhënë përgjigjen pa kurrfarë ngurrimi: “Kam një të njohur në anën e Llapit; kam ndenjur me të në Gjermani, por nuk e di si qëndron puna tash me të… Shkojmë, pra, tek ai, i kishte propozuar Muhameti”. E zgjodhën 22 janarin e vitit 1981. Këtu po ia përkujtoj lexuesit se Xhavit Hoxha sapo i kishte kapërcyer tre muaj nga mbrëmja kur mu lajmërua me porosi të Jasharit. Prandaj, propozimi i Muhametit për të ishte i mirëseardhur, sepse, ndoshta, i vinte rasti që ta formojë treshen e vet.

Derisa rrëfimin e Muhamet Rogovës për misionin e cekur pak më lart do ta përthekoj me disa rreshta, veprimtarin tanimë të ndjerë do ta perifrazoj deri në fund. Në mëngjesin e ditës së caktuar, gjuhëtari e gjeografi u nisën për në Prishtinë. Në stacionin e autobusëve kishin pritur pak më shumë se një gjysmë ore derisa kishte ardhur autobusi i linjës për në Podujevë. Xhaviti, përveç emrit të shokut që e kishte njohur në mërgim, s’e kishte harruar as atë të vendlindjes së tij. Prandaj, në stacion iu afruan një taksisti, i cili, siç duket, ishte i të njëjtit fshat, meqë sapo e mori përgjigjen se për të kush ishin nisur i dërgoi deri te dera e shtëpisë së Beqë Hajrizit. Alternativën – të thërrasin apo të trokasin, e zgjodhën të dytën. Sapo ishin përshëndetur, ende pa e mbyllur derën, Xhaviti kishte pyetur për shokun që e kishte njohur në mërgim. Përgjigjja e qetësoi… Në odë u uroi mirëseardhjen babai i veprimtarit të ardhshëm e pak më vonë edhe Beqa me disa bashkëvendës.

  • Xhavit Hoxha

Të pranishmit u bënin pyetje mysafirëve duke ua dhënë fjalën, edhe për t’i nderuar sipas traditës së trojeve shqiptare. Po edhe mysafirët, të përgatitur si njëri edhe tjetri nuk ziheshin ngushtë. Përkundrazi, në orët e asaj nate u përkujtua e kaluara e atdheut nëpër shekuj e dekada. Në njërën anë, përpjekjet e fqinjëve shovinistë për të na gllabëruar, jo vetëm me përkrahjen, por edhe me ndihmën e miqve të tyre, pa i lënë anash as bukëshkalët tanë, e, në anën tjetër, qëndresa heroike e popullit tonë për ta mbrojtur atdheun dhe për ta ruajtur identitetin kombëtar. Mysafirët nuk aktronin, përkundrazi, i ndërronin “rolet”: Nëse njëri fillonte, tjetri e mbyllte përgjigjen e ndonjë pyetjeje. Vendësit s’e kishin lënë anash as “epokën e re”, që kishte filluar para dhjetë muajve, të bindur se Jugosllavia, pas vdekjes së themeluesit të saj, nuk mund të shpëtonte pa përplasje. Kush mund ta imagjinonte se shqiptarët do të ishin të parët ata që në atë pranverë do të ngriheshin në këmbë për t’i kërkuar të drejtat e tyre?!

Pak kohë pasi vendësit u thanë lamtumirë, i zoti i konakut mysafirëve ua preu shkurt, që të mos llogarisin që nesër kthehen në Dukagjin. Atë qëndrim e pritnin për të mos thënë se edhe e dëshironin, megjithatë, bashkë me falënderimin për mikpritjen e shprehen njëfarë kundërshtimi se ishin të zënë me punë. Po, nuk u piu ujë – përgjigjja ishte edhe më e prerë. Ç’është e vërteta, Muhameti e Xhaviti e mirëpritën në vetvete këmbënguljen e të zotit të shtëpisë, me shpresë se dita e nesërme do t’u mjaftonte për ta kryer misionin e tyre. Xhavit Hoxha, pasi kishin rënë për të fjetur, e kishte gjetur sebepin për t’i krijuar rrethanat që u duheshin. Prandaj, të nesërmen kishte propozuar që të dalin pak për të shëtitur nëpër lagjet e fshatit. Ndoshta, bashkëveprimtarit të ardhshëm mund t’i ketë shkuar mendja se shoku që e kishte njohur para disa viteve në mërgim, njohje që kishte filluar e mbaruar atje, sepse nuk ishin takuar më, nuk kishte ardhur vetëm sa për ta vizituar. Ndërkaq, babait dhe vëllezërve të tij propozimi i Xhavitit edhe si gjeograf që ishte u dukej i arsyeshëm…

2. Edhe Muhameti, ndoshta, pas një gjysmë ore vendosi ta kryejë pjesën e punës që i takonte. Gjeti një pretekst, siç thotë edhe vetë, për t’i lënë vetëm. Ndërkaq, as Xhaviti nuk kishte humbur kohë: ia kishte thënë haptas qëllimin e vizitës. E dimë se zhargoni “çdo rregull ka një përjashtim” nuk është krejtësisht i saktë, ndonëse e përdorim në aspektin figurativ. Nuk është i saktë, sepse atëherë do të kishim sa rregulla po aq edhe përjashtime, që bie ndesh me arsyen. E ceka “formulën” e mësipërme për të dalë te Beqir Hajrizi, i cili, pa kurrfarë hezitimi, e shkeli rregullin e pashkruar, respektivisht zhargonin, do të mendoj e shihemi, po ia kishte dhënë përgjigjen flakë për flakë. Po, siç do të shihet më poshtë, ai e përtrollisi edhe proverbin popullor “Aty ku thonë se ka dredhëza shumë merre krojshen e vogël”, sepse premtimet i përmbushi katërçipërisht. Pra, në këtë rast krojshja me dredhëza rezultuan qind për qind ekuivalent. Nata e dytë si e para, e të nesërmen dukagjinasit u kthyen në Gjakovë të kënaqur, meqë kishin arritur më shumë se ç’kishin menduar…

II

1. Tani, me një respekt të veçantë, po e citoj, siç e kam theksuar më lart, veprimtarin e ndjerë Beqë Hajrizi. “Muhamet Rugova dhe Xhavit Hoxha erdhën në Llap më 22 janar të vitit 1981 dhe pas bisedave me ta, Xhaviti ma dha Statutin dhe Programin, në bazë të të cilave dokumente duhej ta zhvillonim veprimtarinë ilegale. Ato i pranova me gjithë dëshirë. Menjëherë kam filluar konsultimet me shokë për formimin e tresheve dhe grupeve ilegale sipas atij statuti. Në fillim kam biseduar me Zahir Fetahun nga fshati Dobratin, i cili ishte arsimtar në Bradash. Pastaj me Arif Malokun gjithashtu nga Bradashi, mësues, me Enver Malokun, profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe nga Bradashi, me Bedri Avdullahun, nxënës i vitit të tretë të gjimnazit, i cili ishte nga Dumnica.

Për sigurimin e logjistikës dhe armatimit kam biseduar me dy shokë të anës sonë, të cilët punonin në Kranj të Sllovenisë. Këta ishin Muharrem Govori nga fshati Herticë dhe Nimon Duriqi nga fshati Obrançë. Ata e pranuan detyrën dhe ishin të caktuar vetëm për sigurimin e armatimit dhe nuk kishin lidhje me treshet dhe me aktivitetin ilegal. Secili prej shokëve, që u përmendën më lart, filluan t’i formonin treshet e tyre: Treshi i parë përbëhej nga Beqë Hajrizi, Zahir Fetahu dhe Gani Osmani; treshi i dytë nga: Arif Maloku, Behxhet Maloku dhe Bedri Maloku; treshi i tretë nga: Bedri Avdullahu, Ahmet Hajrizi dhe Shaip Hajrizi; treshi i katërt nga: Enver Maloku, Hilmi Zejnullahu dhe Xhafer Hoti dhe treshja e pestë: Muharrem Govori, Nimon Duriqi dhe Tefik Fetahu.

Në fillim u mor qëndrim të shkruheshin pamflete e parulla. Kjo detyrë iu besua Enver Malokut, ngase ishte profesor i gjuhës shqipe dhe kishte makinë shkrimi. Pas shkrimit të këtij materiali ilegal, makina e shkrimit u fsheh. Materialet ilegale u shpërndanë në fshatrat: Dumnicë, Letancë, Obrançë, Bradash, Bajçincë dhe Dobratin. Shpërndarja e afisheve u bë nga Beqë Hajrizi, Gani Osmani, Zahir Fetahu, Bedri Abdullahu, Ahmet Hajrizi dhe Shaip Hajrizi.

“Me 12 maj të vitit 1981, shtëpia ime u rrethua nga forca të shumta policore dhe pas bastisjeve arrestohem. Në burg kam qëndruar 72 ditë, nga ku në mungesë të fakteve u lirova, duke arritur të shpëtoj komplet edhe Grupin, i cili e vazhdoi veprimtarinë ilegale.

Dua të theksoj se gjatë qëndrimit tim në burg u njoftova me Ismail Sylën nga Kishnareka e komunës së atëhershme të Gllogocit, tash Drenas, si dhe me Mehë Ukën nga Shala e Bajgores. Kontaktet e mia me Ismail Sylën dhe Mehë Ukën i kam vazhduar edhe pas daljes sime nga burgu. Në fillim të gushtit të vitit 1981 nga Ismail Syla kam marrë 30 ekzemplarë të gazetës “Liria”, të cilat i kam shpërndarë në Llap. E kishim lënë që pas dy javësh me Ismailin të takoheshim te Xhamia e Llapit në Prishtinë, por nuk arritëm ta bënim një gjë të tillë, ngase Ismailin dhe Mehë Ukën i kishin burgosur sërish. Pas kësaj kohe, për dy muaj me radhë aktiviteti ynë u pasivizua. Ndërkohë, më afrohen Musa Jupolli dhe Ismet Begolli, të cilët i njihja edhe më parë. Musai kishte qenë në lidhje me Ismail Sylën. Në fillim ai kërkoi nga unë që të angazhoheshim për mbledhjen e ndihmave materiale për familjen e Ismail Sylës. Brenda një jave arritëm t’i grumbullonim 6 milionë dinarë, shumë të cilën Musai ia dërgoi familjes së Ismail Sylës në Kishnarekë. Pas kësaj kohe, me sugjerimin e Musa Jupollit unë u inkuadrova në treshen ku bënin pjesë Musa Jupolli dhe Ismet Begolli, ndërsa që të tretë, së bashku pas disa ditësh bëmë betimin para flamurit kombëtar.” 

Pas lirimit nga burgu, Mehë Uka i kishte rekomanduar Ismail Sylës, i cili erdhi dhe më tha që të inkuadrohesha në organizatën e tyre, e cila drejtohej nga Kadri Osmani, por tani një propozim të tillë nuk kisha si ta pranoja, ngase tashmë isha inkuadruar në një organizatë tjetër.

Duhet të theksoj se falë qëndrueshmërisë së Ismail Sylës dhe Mehë Ukës, ai mbeti prapë i pazbuluar, ashtu sikurse mbeta i pa zbuluar edhe pas rënies në burg të Musa Jupollit e të Ismet Begollit. Ai kishte mbetur në Organizatën ilegale të Llapit, në krye të së cilës ishte Bajram Ajeti. Gjatë asaj veprimtarie kishin bërë propagandë, por edhe aktivitete të tjera ilegale, duke shpërndarë afishe e materiale të tjera… Duke qenë gjithmonë në shërbim të çështjes sonë kombëtare dhe të atdheut, derisa doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në radhët e së cilës ishte që nga ditët e para. Prandaj, mendoj se për kontributin e rëndësishëm të veprimtarit Beqë Hajrizit edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës do të flasë më së miri historia”.

2. Tabloja e mësipërme edhe lexuesve që e njohin pak a shumë natyrën e veprimtarisë ilegale nuk mund të mos ua tërheq vëmendjen, se për pjesëtarët e saj s’kam pse të zgjatem. Për të dy kategoritë e cekura e sidomos për të dytën, harku kohor brenda të cilit u rrumbullakua ajo strukturë organizative, duke i pasur parasysh edhe rrethanat është një nga segmentet, që të nxit për të medituar. Të nxit, sepse fillimi është i ditur, sikurse edhe mbarimi. Po them kështu se veprimtari i ndjerë, ndoshta, ende pa i përcjellë mysafirët ka filluar ta vrasë mendjen se kujt mund t’i cokaste në derë. E mbarimi? – 12 maji i vitit ’81 – dita kur Beqë Hajrizin e arreston policia në shtëpinë e vet. Pra, afërsisht, për tre muaj e gjysmë u formuan treshet e cekura më sipër. Shtoju këtyre edhe rrethanat e reja, që u krijuan pas 11 marsit, rezulton se veprimtaria e tyre ishte mjaft e zellshme.

Arrestimi i Beqës nuk mund të mos ndikonte në përmasat e aktivitetit të bashkëveprimtarëve të tij, prandaj, përveç të tjerave, nuk arritën ta formojnë Komitetin e Vendit, i cili do ta koordinonte veprimtarinë e tresheve të cekura më lart. Megjithatë, nuk qëndruan duarkryq… Do të përpiqem që të mos përsëris nga ato që Beqa i ka radhitur në letrën e cekur më lart.

3. Meqë i vëllai i veprimtarit, Ahmeti, i cili jeton në Gjermani tash e tridhjetë vjet, pasi që u njoftua me ç’punë po merrem, më vuri në dispozicion një vistër të dhënash, për të cilat e falënderoj përzemërsisht. Ndërkaq, këtu më duhet të jem tejet i qartë: do të shfrytëzohen ato që përkojnë me hapësirën kohore që ngërthen titulli i libritit, pa e përjashtuar ndonjë të përmasave telegrafike, qofshin ato pararendëse apo pasardhëse, sepse, siç dihet, fazat historike i kanë rrënjët në prehrin e njëra-tjetrës.

Në përpjekjet e përmasave kombëtare për çlirimin e atdheut e kanë vendin edhe familjet që nga brezi në brez nuk kursyen asgjë për lirinë. Njëra prej tyre është edhe ajo e Beqës. Rezulton si e tillë, meqë në prillin e vitit 1912 vendlindja e tij, pra Bradashi ishte vatra ku u mbajt Kuvendi i udhëhequr nga Isa Boletini e Hasan Prishtina, i cili e dha kushtrimin për kryengritje. Vendimet e tjera po i kapërcej… Për mbështetjen që i dha atij tubimi historik, Isa Boletini me disa shokë, për ta nderuar, e kaloi një natë pranë oxhakut të saj. Po atë vit, gjatë luftës vritet gjyshi i veprimtarit tonë Hajrizi dhe plagosen bashkëshortja e tij bashkë me të vëllanë Hysenin dhe bashkëshorten. Tre të plagosurit vdesin pas pak ditësh… Ndërkaq, më 1944, në një betejë plagoset edhe babai i tij Jetullahu, i cili, pas një kohe shërohet… Beqa në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e i vëllai, Ahmeti, që nga muajt e parë të veprimtarisë së fondit “Vendlindja Thërret” e deri në verën e ’99-s, nuk e kurseu lekun, që e fitonte me djersën e ballit. Jo vetëm kaq, ai arriti t’i bindë shumë mërgimtarë për t’i kontribuar çështjes kombëtare në të gjitha segmentet që ata kishin mundësi…

Beqën, moralisht, nuk e gjunjëzuan burgjet, as rrethanat e vështira, me të cilat përballej UÇK-ja, pjesë e së cilës ishte. Atë nuk e gjunjëzoi as sëmundja, përveçëse fizikisht. E dëshmojnë këtë fjalët e tij më 17 korrik të vitit 2012 pak para se t’i pushonin të rrahurat e zemrës i mbështetur në kraharorin e të vëllait Ahmetit, i cili m’i citoi fjalë për fjalë të mëposhtmet: “Lamtumirë ju të dashur nxënës e ju arsimtarë, shokë të ilegales, komandantë e ushtarë, miq e fshatarë, lamtumirë familjarë të dashur, ju falënderoj nga zemra për të gjitha mundësitë që m’i dhuruat në jetën time!

Lamtumirë KOMITETI I DEÇANIT për nderin dhe respektin që më bëtë në jetën time”! Ai e la edhe amanetin për bashkimin kombëtar: “Mos kurseni as jetën”!

Besoj se lexuesi, nga të mësipërmet, e kupton katërçipërisht, por, megjithatë, nuk mund të mos them se Beqë Hajrizi ishte një nga atdhetarët e pathyeshëm, jo vetëm të brezit që i përkiste.

PËRFUNDIM

1. Përpjekjet për organizimin e demonstratave edhe në Deçan u ndërprenë, meqë filloi arrestimi i veprimtarëve të grupit “Shqiponja” dhe të anëtarëve të Komitetit të Deçanit, siç është theksuar atje ku duhej. Por, po theksoj se ajo që nuk mundi të ndodhë në prillin e vitit 1981 u realizua një vit më vonë… Demonstrata e prillit të vitit ’82 ishte dëshmia se Komiteti i Deçanit dhe grupi “Shqiponja” kishin lënë gjurmët e veta. Ndërkaq, organizimin e demonstratave në Drenas, përveç anëtarëve të Komitetit, e paguan organizatorët dhe një vistër pjesëmarrësish të identifikuar, me emrin e njërit prej të cilëve e kam mbyllur kapitullin përkatës. Në këtë aspekt, nuk kishin si të shpëtonin as Grupi i Mitrovicës bashkë me atë të Llapit, sepse ishin pjesë e strukturës organizative të demonstratave…

2. Shikuar nga ajo që është thënë në kapitujt e librit, rezulton se Komiteti i Deçanit dhe veprimtaria që e zhvilloi anekënd Kosovës është një kapitull i veçantë i LNÇKVSHJ-së. Më duhet ta përsëris edhe këtu mendimin e teorikut francez për gjininë e dramës- njësinë e kohës, të vendit dhe të veprimit, për të theksuar se nga këndvështrimi i këtyre komponentëve rezulton se Komiteti për atë hark kohor ishte vetë Lëvizja nën udhëheqjen e Jusuf Gërvallës, i cili e zhvillonte veprimtarinë kombëtare edhe në mërgim…

3. Jetëshkurtër si ndonjëra nga pararendëset e saj, si pjesë e Pranverës së vitit ’81, bashkë me simotrat, që këtu po i kapërcej se dihen e me demonstruesit, që gjendeshin prapa grilave në Kosovë e në kazamatet anekënd Jugosllavisë u njoftuam nga shtypi se më 17 janar të ’82-s, pushtuesi ua kishte ndërprerë dhe jetën me plumb Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit. I pari i pat mbijetuar plagët deri në spital, prandaj pyetjes kush…? përgjigjja: UDB-ja e Beogradit. Ishte goditja më e rëndë që Lëvizja Ilegale e kishte përjetuar jo vetëm deri atëherë, prandaj edhe pasojat qenë të mëdha. Megjithatë, ajo e vazhdoi veprimtarinë brenda dhe jashtë vendit, e bindur se rruga për çlirimin e atdheut është e gjatë dhe nuk mund të arrihet pa sakrifica…

4. Veprimtarët e LNÇKVSHJ-së, duke filluar nga pesëshja e Komitetit të Deçanit – strukturë e LNÇKVSHJ, me Ismail Haradinajn në kry e deri tek i fundit Beqir Hajrizi, i cili pak ditë para se të shpërthenin demonstratat e pranverës së vitit 1981, u bë anëtarë i organizatës, paguan një çmim të lartë. Çmimi që paguan është 197 vjet e 72 ditë burg.

Se dolën faqebardhë nga dyert e kazamateve serbo-sllave dëshmon fakti se ata nuk kërkuan skuta për t’u fshehur. Përkundrazi e dhanë kontributin e tyre në protestat e demosntratat e viteve 1989-1990, e kur doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës iu bashkangjitën edhe asaj, ndonjëri prej të cilëve ra dëshmor në altarin e atdheut. E të tjerë, duke i përfshirë edhe anëtarët e Komitetit të Deçanit nuk pushuan ditën as natën për ta senzibilizuar mërgatën që Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t’ia sigurojnë bukën e pushkën.

(VIJON)

© Pashtriku.org

—————————————————

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (14)

PJESA E DYTË – RRETH E PËR LNÇKVSHJ-në DHE KOMITETIN

Letër e Jusuf Gërvallës për veprimtarin Nazmi Selmanaj

TË PUNOJMË ME NDËRGJEGJE PËR ZGJIMIN E PLOTË TË SHQIPTARIT TË ROBËRUAR

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura