HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (17)

KEMI QENË NACIONALISTË E IRREDENTISTË DHE KEMI MBETUR TË NJËJTIT IDEALISTË

(Bisedë me veprimtarin atdhetar Xhavit Hoxha – Winterthur, maj, 2006)

Intrevistoi: Kadri Rexha

Xhavit Hoxha është një nga veprimtarët e orëve të para të Lëvizjes çlirimtare të Kosovës. Anëtar i organizatës LNÇKVSHJ, përkatësisht “Komitetit të Deçanit”, ish -i burgosur politik, pishtar i arsimit në atdhe dhe në diasporë, pinjoll i derës Hoxha, e quajtur ndryshe Oda e Junikut, e njohur për atdhetarizëm, për pleqëri të drejtë dhe për tradita luftarake, vëlla i dëshmorit të kombit, gjeneralmajorit Edmond Hoxha. Xhavit Hoxha lindi në Junik më 18. 10. 1952. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme, Normalen “Hysni Zajmi”, në Gjakovë. Në vitin 1976, në afat rekord, i përfundon studimet për gjeografi në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore të Universitetit të Kosovës. Nga viti 1976 e deri në vitin 1981, si profesor i gjeografisë, punon në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë. Më 10 maj 1981, si njëri ndër veprimtarët më aktiv të LNÇKVSHJ-së, burgoset dhe dënohet me 4 vjet burg të rëndë. Pas daljes nga burgu ballafaqohet me provokime të njëpasnjëshme dhe me përcjellje të vazhdueshme nga ana e UDB-së. Për t’i ikur arrestimit të sërishëm, në vitin 1989 emigron në Zvicër. Ashtu si në atdhe, edhe në Zvicër, Xhavit Hoxha nuk kërkon komoditet, por gjendet në krye të shumë veprimtarive të rëndësishme atdhetare. Në radhë të parë, për dhjetë vjet rresht, pa asnjë kompensim material, ushtron detyrën e pedagogut në arsimin plotësues me nxënësit shqiptarë të rrethit të Winterthurës. Pastaj, për pesë vjet me radhë, vepron si kryetar i Bashkimit të Sindikatave në Zvicër, ku, si lidhje mes sindikatave vendase dhe atyre në atdhe, grumbullon ndihma të mëdha për Kosovën. Veprimtarinë politike një kohë të gjatë e zhvillon si anëtar i Këshillit drejtues të LPK-së, dega jashtë vendit. Edhe pse pa pasaportë, Xhavit Hoxha gjen mënyra për kalimin e kufijve dhe merr pjesë në të gjitha demonstratat jashtë Zvicrës, si në Austri, Gjermani, Belgjikë e deri në shtetet skandinave. Një ndihmë të jashtëzakonshme Xhaviti e dha edhe për nxjerrjen nga atdheu të veprimtarëve të rrezikuar, si dhe të ushtarëve që e braktisnin frontin e luftës nga hapësirat jugosllave. Por, kontributi më i rëndësishëm i Xhavit Hoxhës i dedikohet UÇK-së, qoftë si njëri ndër themeluesit e fondit “Vendlindja thërret” e qoftë si njëri ndër veprimtarët më të suksesshëm të logjistikës së luftës së UÇK-së.

 ***

  • Xhavit Hoxha, Hasan Ukëhaxhaj, Ramiz Kukleci dhe Jashar Salihu

PYETJE: Zoti Hoxha, na flisni diçka, ju lutem, për fillimet e veprimtarisë suaj politike?

Xhavit Hoxha: T’i përgjigjesh kësaj pyetje është njësoj si t’i përgjigjesh pyetjes: pse kam lindur. Fillimisht oda e burrave. Bisedat për gjërat më të thjeshta. Legjendat dhe historitë e ndryshme. Këngët dhe rrëfimet për trimat. Analizat politike të burrave më të urtë. Dëgjimi me derë të mbyllur i -Tiranës dhe Radio-Kukësit. Fjalët e mësuesit në klasën e parë. Lojërat në shkollë. Përqafimi i butë i nënës. Ofshamat e thella të babës… Është zor të zihet filli i gjithë kësaj…Konkretisht, këtë punë mund ta lidhi me miqësinë time të hershme me Jashar Salihun dhe shokë të tjerë, qysh si nxënës. Bisedat tona të pashtershme dhe preokupimi ynë rinorë për të kaluarën, për krimet e mëdha që kishin bërë serbët në trevën tonë, për librat e ndaluara, për Adem Demaçin, për Naimin, Fishtën…Këngët që i këndonim për trimat dhe sidomos kënga për Oso Kukën. Në bisedat tona dashur pa dashur hynte edhe emri Shqipëri, Kosovë, Lidhja e Prizrenit, Luftërat Ballkanike, Traktati i Londrës, ndarje, bashkim… Pos me shokët e mi të rinisë, rrethi me njerëz të ngjashëm me këtë ide po rritej me kohën. Vazhdimisht gjeja shokë të brezit tim që mirëfilli kuptoheshim se çiftelitë tona rrihnin të njëjtin tel. Në këto rrethana, disi, preokupim yni zuri të bëhej organizimi i mirëfilltë ilegal për çështje të çlirimit të Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë. Busull orientuese në këtë drejtim e kishim Adem Demaçin dhe Lëvizjen e tij legjendare. Në derën e preokupimit tonë më vonë trokiti edhe i madhi Jusuf Gërvalla.

Pyetje: Pra, inkuadrimi juaj në aktivitetin patriotik nuk është e rastit?

Xhavit Hoxha: Në aktivitetin tim patriotik nuk ka pasur rastësi. Në këtë drejtim, çdo gjë e kam bërë me paramendim dhe me bindje të plotë. Së pari i kam peshuar gjërat mirë e mirë me vetveten: e kam ditur se veprimtaria atdhetare kërkon përkushtim, bindje të fortë, vendosmëri, ideal të lartë kombëtar, përcaktim të qartë politik dhe gatishmëri deri në flijim për sfidat që paraqiten. Dhe, isha i bindur se të gjitha këto virtyte i kam. Pra, përcaktimi im për këtë veprimtari ishte i hershëm dhe qëndrimin dhe qëllimin i kisha të qartë.

Pyetje: Si u bëtë anëtar i LNÇKVSHJ-së, përkatësisht “Komitetit të Deçanit”? A e gjetët Ju Lëvizjen apo Lëvizja iu gjeti Ju?

Xhavit Hoxha: Unë mendoj se vetë puna e shpie individin te organizata. Pra, puna e përditshme, sjellja dhe sidomos, qofshin ato të rastit apo të qëllimshme, e zbulojnë individin dhe përcaktimin e tij sipas shembullit: gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi. Kështu organizatës i mbetet të interesohet për të dhe me barometrat që ka të bëjë matjen e karakterit dhe të disa veçorive të individit dhe në bazë të testimit bëhet edhe shkalla e afrimit të tij deri te anëtarësimi. Kështu disi ka ngjarë edhe me mua. Unë, për shembull, kishte kohë që punën propagandistike e kisha bërë edhe pa qenë anëtar i organizatës ilegale, bile pasi u bëra anëtar më duhej të isha shumë më i matur, ngase më nuk i përkisja vetvetes. Më nuk mund të thosha le të bëhet çka të bëhet, e paguaj vetë me lëkurën time, por duhej të kisha parasysh Organizatën, qëllimin e saj, ruajtjen e shokëve dhe kështu me radhë. Dhe, pikërisht në këtë çështje mendoj se ka qëndruar edhe dobësia e Organizatës sonë.

Pyetje: Më konkretisht, ju lutem?

Xhavit Hoxha: Shumica e anëtarëve të “Komitetit të Deçanit” për orientimin politik të tyre njiheshin si nga populli ashtu edhe nga UDB-ja. Disa nga ta ishin edhe të përcjellë nga spiunët, si, bie fjala, Ismail Haradinaj, Hasan Ukëhaxhaj, Muhamet Rugova, etj. Unë dhe Muhamet Rugova shoqëroheshim shumë, bile dilnim dhe vizitonim shumë fshatra të Dukagjinit. Bisedat tona me nxënës dhe me njerëz të ndryshëm, si në rrugë, si në shëtitore, si në odat e burrave dhe gjetiu, kishin për temë çështje historike, probleme kombëtare, kulturore, traditën tonë, gjendjen ekonomike dhe sociale të popullit, duke mos lënë anash politikën e përgjithshme botërore. Pos theksimit të robërisë së Kosovës dhe çështjes së pazgjidhur kombëtare në përgjithësi, ne propagandonim edhe për luftën, përgatitjen e gjithanshme për të, sepse lufta jonë për liri ishte në prag. Prandaj, ky propagandim yni i hapur, me shpatë mbi setër, ka pasur edhe tagrin e vet të lartë. Shkruanim parulla, shpërndanim pamflete, gazeta ilegale dhe libra të ndaluar .

Pyetje: A s’na thuani me pak fjalë historikun e “Komitetit të Deçanit”? Formimin, platformën, anëtarësinë dhe shtrirjen gjeografike të veprimtarisë?

Xhavit Hoxha: Në bazë të programit dhe të statutit “Komiteti i Deçanit” ishte vazhdimësi e LNÇKVSHJ-së, me zanafillë në vitin 1963, e themeluar nga Adem Demaçi me platformë politike “çlirimin e krahinave shqiptare dhe bashkimin e tyre me nënën e vetë-Shqipërinë”. Themelimi i Komitetit daton menjëherë pas zbulimit dhe rënies në burg të aktivistëve të organizatës LNÇKVSHJ në vitin 1979. Udhëheqës i Komitetit në Kosovë ishte Ismail Haradinaj, ndërsa jashtë atdheut ishte Jusuf Gërvalla, i cili në vitin 1979 kishte arritur t’i ikë arrestimit nga UDB-ja dhe ishte vendosë në Ludwigsburg të Gjermanisë. Lidhjet e Jusufit me Komitetin e Deçanit mbaheshin përmes veprimtarëve tanë të besueshëm. Pas demonstratave të mars-prillit 1981 edhe Organizata jonë e përkrahu kërkesën taktike gjithëpopullore “Kosova Republikë”, por nga aspirata dhe strategjia jonë për bashkimin kombëtar nuk kemi hequr dorë asnjëherë. Veprimtaria e tërësishme e Komitetit është e shumanshme dhe për të shpalosë atë nuk mjafton kjo bisedë e rastit. Detyrat e anëtarëve dhe qëllimi i veprimtarisë së tyre ishin të përcaktuara me status dhe program, por për ngritjen e anëtarëve të organizatës shfrytëzohej edhe literaturë e gjerë teorike, historike dhe revolucionare. Anëtarët zgjidheshin në bazë të njohjes paraprake, në bazë të bindjes së fituar për personin e caktuar, në bazë të provave, në bazë të qëndrimit, vendosmërisë dhe të sakrificës familjare… Anëtarët përgatiteshin që të jenë të aftë sa armikun ta tërheqim në fushën që donim ne e jo aty ku donte armiku. Anëtarët duhej të përgatiteshin për qëndresë, për konspiracion dhe për burg të rëndë. Ata përgatiteshin që luftën e ardhshme, që ishte e pashmangshme, mundësisht ta orientonim dhe ta bënim vetëm me Serbinë, sepse armiqësimi me popujt e tjerë për ne ishte i papranueshëm. Demonstratat e vitit ’81 Organizatën tonë, përkatësisht ne, “Komitetin e Deçanit”, na gjetën të lidhur edhe me komitetet në formim, si ai i Drenicës me Bajram Gashin në krye, i Gjakovës me Muhamet Rugovën, i Mitrovicës me Bislim Bajramin, i Llapit me Beqir Hajrizin, pastaj me ato në Gjilan, në Shkup, në Shtutgart dhe Stamboll,si dhe disa celula të tjera të themeluara dhe në themelim e sipër. Anëtarësia e Komitetit ishte e gjerë. Sidomos në prag të demonstratave dhe gjatë demonstratave ndodhi një masivizim shumë i gjerë i anëtarësisë. Në kuadrin e “Komitetit të Deçanit” vepronte edhe grupi i të rinjve i quajtur “Shqiponjat”, i cili me celulat e veta të shumta zhvilloi një aktivitet të dendur dhe shumë të çmuar. Celulat e anëtarësisë vepronin në formën e treshit.

Pyetje: Anëtarët e parë të Komitetit u arrestuan. Ju kishit pasaportë. Shqipërinë e kishit vetëm dy hapa larg. Pse nuk u arratisët?

Xhavit Hoxha: Demonstratat e detyruan Organizatën tonë të dalim hapur. Propagandonim, shkruanim parulla, shpërndanim pamflete, gazeta ilegale (“Lajmëtari i lirisë”, “Liria”, “Bashkimi”) dhe libra të ndaluar, organizonim bojkotimin e mbledhjeve diferencuese, sabotonim veprimtarinë e armikut, thërrisnim punëtorët që të fillojnë grevat, merrnim pjesë në demonstrata…Me një fjalë, ishim kudo, fytafyt me armikun. Dalja jonë haptazi na kushtoi. U zbuluam dhe filloi burgosja jonë. Vërtet, unë kisha pasaportë dhe kisha mundësi të arratisesha në Perëndim. Sa për kalimin e kufirit dhe ikjen në Shqipëri nuk e kisha asnjë problem, sepse atë zonë e njihja si pëllëmbën e dorës. Lidhur me këtë çështje Organizata kishte qëndrim të prerë. Nga arrestimi mund të përjashtohej vetëm ndonjë rast i veçantë. Në të vërtetë, kishte ardhur koha kur burgjet jugosllave duhej të mbusheshin ding me atdhetarët shqiptarë, që edhe në këtë mënyrë të dëshmohej para botës lufta jonë e drejtë për liri. Arrestimi masiv i anëtarëve të Organizatës tonë u bë në mëngjesin e hershëm të datës 10 maj 1981. Atë ditë u arrestova edhe unë. Forca të mëdha të milicisë, të rezervistëve të shumtë dhe të udbashëve të ardhur nga SPB-ja e Pejës, kishin rrethuar shtëpinë time dhe mbarë Junikun. Fillimisht, si mua ashtu edhe anëtarët tjerë, na dërguan në Burgun e Pejës, me përjashtim të Drita Kuçit, të cilën e mbyllen në pavionin e grave në Burgun e Mitrovicës. Ismail Haradinaj dhe Hasan Ukëhaxhaj janë marrë në pyetje edhe nga inspektorët federativë të ardhur nga Beogradi. Hetuesit silleshin si bisha të çmendura. Por, për dajak, mjerisht, ishin vendorët, shqipfolësit. Maltretimi bëhej sipas pozitës së të burgosurit. Dajak merrnin edhe ata që qëndronin të fortë, si Islam Mustafaj, që pohonte: unë i di të gjitha, por nuk flas. Torturat më barbare janë zhvilluar sidomos mbi Ismail Haradinajn. Gjykata e Pejës na dënoj me burg të rëndë me kohëzgjatje nga 3 deri në 14 vjet. Unë u dënova me katër vjet burg dhe dënimin e mbajta në burgjet namzeza në Leskovc dhe në Nish. Anëtarët e tjerë të Organizatës morën këto dënime me burg: Ismail Haradinaj, 14 vjet, Hasan Ukëhaxhaj, 11vjet, Abdullah Hasanmetaj, 9 vjet, Jashar Salihu, 7 vjet, Shkurte-Drita Kuçi, 6 vjet, Nazmi Selmanaj, 5 vjet, Ali Dërvishaj, 4 vjet, Din Ahmetaj,3 vjet Muhamet Haklaj, 3 vjet dhe Niman Mustafaj, 3 vjet. Vlen të cekët këtu se nga grupi “Shqiponjat”, u dënuan me burg, me kohëzgjatje të ndryshme, edhe Nasim Haradinaj, Bajram Mehemeti, Shaqë Qerimi, Isa Hasanaj, Islam Mustafaj, Ali Selmanaj, Mustafë Bajrami, Sokol Mustafaj, Ramë Hasanmetaj, etj.

Pyetje: Në cilin burg u zhvilluan hetimet? Për çka akuzoheshit? Kush iu mori në pyetje?

Xhavit Hoxha: Hetimet kundër Organizatës sonë u zhvilluan nga organet e UDB-së së Pejës. Akuza na ngarkonte për veprimtari armiqësore kundër popullit dhe shtetit jugosllav, sipas neneve 136 dhe 114, pra bashkim dhe kundërrevolucion. Me akuzën e parë u pajtuam të gjithë, ngase me vetëdije kishim vepruar për rrënimin e shtetit jugosllav, ndërsa me akuzën e dytë nuk u pajtuam, sepse ajo ishte shumë e pabazë dhe nuk përmbante kurrfarë elementesh, e kjo u dëshmua edhe gjatë gjykimit. Hetuesit ishin shqiptarë, serbë dhe malazez nga Peja, Prishtina dhe Beogradi. Se ishte bërë kiameti. Hej, kishim guxuar të ngrinim zërin kundër Jugosllavisë, kundër shtetit më të përkëdhelur të botës, sipas tyre shtetit më të fortë në Evropë! Po na dhimbeni se po i bini murit me kokë, i thanë Jashar Salihut gjatë hetimeve. Po shkoni dëm. Nuk e dini se Jugosllavia është superfuqi botërore. Jashari, siç ishte gjithmonë i qetë, ua kthen urtë: ne nuk ngutemi e as ndalemi, një tullë sivjet, një tullë vitin tjetër e kështu deri sa të jemi gjallë, deri sa të rrënojmë përfundimisht këtë shtet okupues. Konkretisht, unë akuzohesha për zhvillimin, zgjerimin dhe formimin e komiteteve të reja, për detyra speciale, për mbledhjen e informatave me qëllim publikimi, si dhe për iniciativën time lidhur me sigurimin e armatimit për, që shihej në horizont.

Pyetje: Demonstratat mendoheshin të ishin faza e parë e kryengritjes së . Veprimtaria e Organizatës suaj fillon një vit para shpërthimit të demonstratave të mars-prillit ’81. Sa keni punuar për këtë ditë? Shpërthyen ato para kohe apo me kohë? Sa dhe si i përkrahët demonstratat?

Xhavit Hoxha: Kemi punuar shumë që një ditë ta ngrisim popullin në demonstrata masive, të cilat, sipas Jusuf Gërvallës, mendoheshin të ishin faza e parë e kryengritjes së armatosur të popullit shqiptar të robëruar në trojet e veta në Jugosllavinë tashmë të shkatërruar. Veprimtaria jonë ishte shumë e gjerë dhe karakterizohej nga shtimi i shkallës së aktivitetit. Në fillim puna jonë u dëshmua në mbarë Rrafshin e Dukagjinit dhe vetëm për pak muaj arritëm të zgjerohemi deri në Besianë, Gjilan dhe Shkup. Caku ynë kryesor ishte Universiteti i Kosovës. Veprimtaria jonë i mbulonte të gjitha trojet e robëruara shqiptare. Në prag të shpërthimit të demonstratave Jusuf Gërvalla përmes udhëzimeve që na i dërgonte si dhe përmes gazetës “Lajmëtari i lirisë” jepte lajmin kushtrim: “Po bëhet gati populli për hakmarrjen e vet të madhe. Do ta derdhim edhe pikën e fundit të gjakut tonë dhe do të ngadhënjejmë mbi armiqtë dhe mbi tradhtarët e çdo ngjyre. Dita e lirisë po afrohet. Po vjen dita që armiku e tradhtari të japin llogari për krimet e poshtërsitë e bëra mbi popullin tonë…Vetëm të bashkuar e të vendosur, me besën e madhe shqiptare, do të arrijmë në fitoren tonë të sigurt…”. Demonstratat shpërthyen në kohën e duhur dhe ne na gjetën në krye të detyrës. Edhe pse nuk ishim organizatorë të drejtpërdrejtë të demonstratave, ato na mobilizuan edhe më shumë. Forca jonë duhej ta godiste pa mëshirë armikun. Për këtë ditë ishin flijuar me mijëra atdhetarë dhe me dhjetëra organizata atdhetare. Koha nuk priste më…

Pyetje: Klasa politike, atëherë dhe sot, pohojnë se u zunë në befasi nga demonstratat e mars-prillit ’81. Mendimi juaj?

Xhavit Hoxha: Është e vërtetë se klasa politike e Kosovës u zu në befasi nga demonstratat e atij viti të madh si dhe nga rezistenca mbarëpopullore që pasoi gjatë viteve në vijim. Kishte kohë që klasa politike e Kosovës po jetonte në luks dhe po bënte jetë të shkëputur larg krajatave, skamjes, padrejtësive të shumta dhe robërisë së padurueshme të popullit të vet. Duket se kjo klasë vasale e frymëzuar edhe nga padroni i tyre serbian kishte ardhur në përfundim se rinia shqiptare tashmë ishte tjetërsuar, ishte degjeneruar dhe ishte zhveshur nga çdo element kombëtar. Ata, pjesëtarët e kësaj klase, së bashku me padronin, mendonin se nuk ka më rini shqiptare, se rinia ka filluar të bëjë një mënyrë tjetër jetë, jetë qejfesh dhe shfrimesh banale sa nuk i bie më ndërmend Shqipëria, të cilës, sipas tyre, i mungonin edhe shporetat dhe televizorët. Kjo klasë ende u frikësohej vetëm veprimtarëve të vjetër të cilët i kishte mbyllur nëpër kazamatet mesjetare jugosllave dhe dukej se kishte harruar se në Kosovë po rritej një rini e uritur për bukë, për dituri dhe për liri, e cila vetëm po e priste momentin që të hidhej në beteja për t’i pushtuar të gjitha këto deri në një. Rinia jonë, asokohe, kishte ideale, mësonte, kërkonte rrënjët e historisë, ishte edukuar me përvojën e vuajtur të baballarëve të tyre, me përvojën e lavdishme të historisë së gjallë shqiptare, me mësimet kombëtare dhe revolucionare të Enver Hoxhës, ishte rritur me këngët e trimërisë të kënduara nga rapsodi i popullit Dervish Shaqa dhe me emisionet mbi heroizmin e popullit tonë ndër shekuj të Radio-Kukësit dhe të Radio-Tiranës.

Pyetje: Gjykatat e Kosovës të burgosurit politikë i dënuan në emër të popullit. Prokurorët, gjykatësit dhe hetuesit kanë bërë krime të mëdha në emër të ligjit të armikut. Ka kërkesa për rehabilitimin e ish- të burgosurve politikë, si dhe për dënimin moral të të gjithë atyre që morën pjesë në tragjedinë e Kosovës. Mendimi juaj?

Xhavit Hoxha: Është e vërtetë se Serbia me ndihmën e argatëve të vet shqipfolës ka bërë kërdi mbi popullin e Kosovës. Ky mal me krime është i pafalshëm. Të paktën, këto krime patjetër duhet të mbeten të shënuara në analet e historisë. Brezat e ardhshëm duhet të mësojnë për këtë gjëmë. Lidhur me rehabilitimin tonë, me siguri, në kohëra më të mira, Kuvendi i Kosovës do ta thotë fjalën e meritueshme. Sot, kjo është e pamundur të bëhet. Ende jetojmë nën sundimin e të huajve. Sa u përket dënimeve, e kemi ditur edhe atëherë: na ka dënuar armiku dhe ne nuk kemi kërkuar mëshirë. Në bazë të punës sonë, shpërblim tjetër nuk kemi pritur nga armiku: na kanë burgosur, na kanë rrahur, na kanë vrarë, por krenohemi se kemi luftuar për fitoren e lirisë sonë, kundër shtetit armik shekullor. Dhe, këtë e kemi bërë me zemër dhe me të gjitha forcat që i kemi pasur. Kur na kanë quajtur nacionalistë dhe irredentistë nuk kanë hyrë në hak me, sepse të tillë edhe kemi qenë. Njëherë e përgjithmonë kemi dashur të çlirohemi dhe të bashkohemi me shtetin amë, me Shqipërinë e ëndrrave dhe të realitetit tonë. Fatkeqësisht, nuk kishim armë më të madhe se mendimin, letrën dhe grushtet tanë të thatë., për fat të keq, sepse punët do t’i kishim përfunduar qysh në muajin prill të vitit 1981 dhe sot do të kishim një shtet të zhvilluar, stabil dhe faktor i fortë paqeje në rajon dhe më gjer. Sot, shqiptarët do të këndonin një këngë tjetër dhe nuk do të tërhiqeshim kështu zvarr me zorrë nëpër këmbë, si lypsarë të botës. Sikur ta kishim përfunduar revolucionin tonë në vitin 1981, nuk do të vinim në situatën e rëndë të poshtërimit gjatë viteve të 90-ta kur populli i manipuluar nga udbashët dhe nga bijtë e udbashëve na fyenin me lloj-lloj emrash: si kuqalosha, komunista, etj. Qëllimi i udbashëve ishte i qartë: ta thyenin tehun revolucionar dhe shpirtin luftarak të atdhetarëve të devotshëm, të njerëzve të sakrificës, si dhe ta dobësonin përkrahjen e popullit ndaj nesh, me çka edhe patën sukses. Ky sukses i udbashëve u pa sidomos me rastin e organizimit të luftës çlirimtare të Kosovës, kur nga ta u sabotua çdo nismë e mbarë organizative. Personalisht mendoj se historia do t’i dënojë të gjithë individët që ishin në shërbim të Serbisë dhe që në mënyra të ndryshme morën pjesë në dënimin tonë dhe në tragjedinë e Kosovës gjatë viteve të tetëdhjeta. Ajo do t’i dënojë edhe individët dhe partitë, të cilat jo vetëm nuk e përkrahën luftën e UÇK-së, por ishin kundër saj me të gjitha forcat. Nuk thotë kot populli: pushka atdhetare i mbyll të gjitha shtigjet e ligësisë, pushka atdhetare pajton edhe gjaqe. Dhe, pushka për atdhe kërciti në vitet e fundit të shekullit të kaluar. Pushka për të cilën ishin flijuar shqiptarët një shekull të plotë. Dhe, për ironi, të gjithë ata që e shanë luftën e UÇK-së, në Kosovë dhe anembanë botës, të gjithë ata që e sabotuan luftën deri në fund, u turrën pas mbarimit të saj, o burrani, dhe i zunë kolltuqet udhëheqëse, plaçkitën çka mund të plaçkitej dhe sërish filluan sulmin kundër frontit që e bëri luftën. Kur jemi te rehabilitimi, t’i them edhe dy fjalë. Vetëm në këtë qytet të vogël të Evropës ku jetoj unë jemi më tepër se dhjetë ish-të burgosur politikë dhe të gjithë me fakultete të kryera. Kemi ndihmuar luftën dhe djemtë e UÇK-së me të gjitha mundësitë. Me djersën tonë mbajmë familjet tona dhe ende ndihmojmë nevojtarët në Kosovë. Por, kur po i shoh udbashët dhe bijtë e tyre në pushtet, prokurorët dhe gjykatësit e dikurshëm në vende të njëjta të punës, pseudointelektualët e dikurshëm pushtetarë dhe bijtë e tyre në vende, po më dhëmbë shpirti. Dikur si shërbëtorë besnikë të armikut ata i kanë shfrytëzuar të gjitha të mirat e pushtetit komunist jugosllav. Sot i shfrytëzojnë të gjitha të mirat që ua dha demokracia ndërkombëtare: vila, hotele, tendera, rroga të majme, ryshfete, hajni, etj. etj. Më bëhet se kjo botë qenka e krijuar për të mirën e gjakësorëve dhe për vuajtjen e të mirëve. Turp. Megjithatë, turpi nuk po çelte varrë askënd. Ne që jemi dergj burgjeve dhe hetuesive, të rrahur dhe të fyer në mënyrën më çnjerëzore, ne që nuk na lanë ta vuajmë dënimin me burg as në Kosovë, ne që me dhunë u detyruam ta braktisim atdheun dhe u degdisëm meridianeve në internim të,  nuk i ramë në qafë Kosovës për asgjë personale. Ne, në parim, iu përmbajtëm urtisë së Xhon Kenedit: “Mos shiko ç’ ka bërë Atdheu për ty, shiko ç’ ke bërë ti për Atdhe”. Dhe kemi mbetur të njëjtit idealistë me gatishmërinë që deri në vdekje të punojmë dhe të flijohemi për lirinë, për gjuhën, për flamurin, dhe për bashkimin e kombit në një shtet. Kosovën as e kemi gënjyer, as e kemi vjedhur ndonjëherë. Prandaj, as kërkojmë shpërblime prej saj. Kemi vetëm një lutje: Zot dhe Popull, na pranoni ashtu sikur na keni lindur, ashtu sikur na keni mësuar, ashtu sikur na keni edukuar.

FRAGMENT NGA NJË LETËR E SAFETE HADERGJONAJT PËR XHAVIT HOXHËN E DATËS  5 QERSHOR 2006

I nderuar tezaku Xhavit,

Me kureshtje lexova intervistën tuaj dhe i bëra pyetje vetvetes pse aq pak është shkruar për aktivitetin atdhetar të të burgosurve të 81-shit në Komunën tonë. Pse shumë pak qytetarë të Deçanit dinë për LNÇKVSHJ dhe për Komitetin e Deçanit. Pse ju 11 të burgosurit nuk keni bërë më shumë që qytetarët të dinë kush ishte në Komitetin e Deçanit dhe çfarë ju keni pasur qëllim për të arritur. Propaganda e bërë nga rugovistët me vite se ju jeni marksista-leninista, ka qenë torturë e madhe për mua sepse me dukej se bëhej qëllimisht që të harrohen komunistët jugosllav të cilët si engjuj ndërruan qyrkun dhe u rehabilituan në LDK. Unë kurrë nuk jam ndier keq kur i kame dëgjuar fjalët fyese për njerëzit e sakrificës nga regjimi okupues serb kurse jam lënduar, jam revoltuar, jam fyer dhe jam mbushur mllef, nga propaganda denigruese rugoviste pas viteve 90. Ajo që më bëri të të shkruaj sonte nuk ishte në tërësi intervista juaj, sepse unë i kame dëgjuar nga ju shumë nga ato që janë shkruar, dhe me kujtohen shumë lëvizje tuajat të atëhershme të cilat nuk i ke shkruar në këtë intervistë sidomos në ditët e demonstratave. Të kujtohet edhe ty ndoshta kur u ktheve në mbrëmje vonë në shtëpinë tonë në Deçan në prill të vitit 81, Kosova ziente dhe nëna ime ishte shqetësuar shumë ngase ti nuk ishe në shtëpi me ditë të tëra. E di si ju përgjigje kur ajo të pyeti ku ishe. “Ti ndoshta do që të them se isha me një vajzë të mirë (sepse ajo e mendonte dhe e donte dasmën tuaj por jo edhe burgun tuaj) por nuk është ashtu siç po do ti. Unë shëtita tërë Kosovën sot, nga Llapi po vijë këtu,  por nëse më arrestojnë ti duhet të bëhesh e fortë dhe të mos mërzitesh”. Ajo u shtang dhe fjala i mbeti në gojë.

_____

Jusuf Gërvalla

Shqipja bën edhe pa gjëmë, i mjafton lavdia

1.

Fshati ruante të kaluarën,

Fshati donte ardhmërinë,

Pa pranga ta shihte Kosovën,

Në liri t’ia ndiejë dashurinë,

*

Këngët për Azemin rriteshin,

Shtrëngoheshin armët në gji,

Në kulla historia shpalosej,

Në zemra gufonte liri!

Dhe bashkë me atë madhërim armësh,

Kumbonte ëmbël çiftelia,

Në kujtimin e gjallë të Shotës me trimat,

Rritej në Shpresë e tërë Drenica .

*

Këndej erdhën e thyen qafën pa numër ushtri,

Turpin e tyre e namin tonë lanë pas,

Lindjet përherë më të dashura bëheshin,

E flamuri valonte në Prekaz.

2.

Por në prag të një stuhie,

Në gardh të fshatit vuri putrat,

Ujku i vjetër prej Serbie,

Hallakati të gjitha kullat,

*

Në gjëmë u mblodh fshati atë natë,

Qeni serb në rrugë u shçir,

Na rrethuan, babë Nebih!

Na rrethuan, bir Tahir!

*

Dhe hungëroi zë’ i tradhtarit

E i lëndoi trimat në zemër:

“Dorëzohi, se s’ka tjetër”

U tha, e i thirri vrazhdë në emër,

*

“Qërohu, shpirt i shitur, ik!”

Që nga kulla plaku tha:

“Le të vijnë milicët serbë,

Kemi punë vetëm me ta.”

*

“Me këto duar do t’ju lidh”

Po i nxehte fjalët tradhtari,

“Gjithmonë preja i takon,

Atij që e zë i pari.”

*

Shkrepi flakë pushk’ e Tahirit

Merr tradhtarin në lule të ballit

“Vafsh në pleh, qen i mallkuar,

O qelb e plagë e shqiptarit!”

*

Sakaq dhe fshati me milicë,

Si korba të zeza, u resh i tëri,

Por, a tunden muret e kullës?

A dridhet në dorë të trimit, maliheri?

*

Një ditë e gjatë, pa fund, luftimesh,

U ngrys e kafshuar nga pabarazia.

Njëri tabor – dy pushkë te frëngjia,

Tabori tjetër – me tanke ordia!

3.

Kot qëllonin tanket murin,

Kot murtaja rrihte çatinë,

Këndej qëndresa më e fortë bëhet,

Andej fashistët një pas një bien.

*

Mbahu Prekaz, ti kullë graniti,

E tërë Serbia të ka marrë në thumb!

Është po ai serb prej shovinisti,

Që me ty lufta i shkoi në lumë.

*

“Të fortë e kemi kullën!”

Te frëngjia i qeshi buza plakut

Të fortë e kemi Kosovën.

Ne po biem, po kush na e merr hakun ?”

*

Në atë çast mbi kullë gjëmoi,

Një i paudhë helikopter,

Dhe plaku ra, po në dorë të Tahirit,

Këpuste breshërima njai maliher,

*

Prite Prekazin, o bishë e ndytë,

Në pancir e veshur e me tankun shok!

S’më le vend tjetër te të qëlloj, pos sytë,

Dhe më kapardisesh si një maçok

*

S’të thanë, kur u nise, në Beograd,

Se dhe njëherë këtu, në Drenicë,

Kur u vërsulën çetnikët e tu,

Mes vetullave i qëlloi Murseli sakicë?

*

Dhe vazhdoi lufta, e gjatë e rreptë

Dhe u drodh trimi, pa të shtrirë plakun

“Duhet të tërhiqem, të çaj rrethimin,

Shumëfish t’ia marr Prekazit hakun.”

*

Po drit’e hënës e tradhtoi,

Mbi maliherin kur i ra,

Nga mitralozat në duar barbare

U shtri skaj prozhmit, Tahiri, u vra.

4.

Dhe s’lanë t’u bëhej as gjëma trimave,

Të vrarët e vet vajtonte Serbia.

Ndër mote, pra, atyre le t’u mbetet gjëma,

Shqipja bën edhe pa gjëmë, i mbetet lavdia

*

Këndej erdhën e thyen qafën pa numër ushtri,

Turpin e tyre e namin tonë lanë pas,

Dhe lindjet përherë më të dashura na bëhen,

Dhe shqiponja e lirë në Prekaz. 

 *

  • Nasim Haradinaj, Jashar Salihu dhe Bajram Mazrekaj

Dinë Ahmetaj

Ti më kujton dhembje miku im

Ti më kujton dhembje, miku im,

Dhembje dhe krenari.

Dhembje në të katër anët e atdheut,

Dhembje në shtatë palë tokë e qiell.

*

Ti më kujton retë e zeza që mbulonin

Rrafshin e Dukagjinit

E ua prisnin majat sukave,

Shkëlzeni e Gjeravica,

Nuk shiheshin ma,

As Shari, as bjeshkët e Zatriqit,

As Ishtedimi e Mokra,

Ah humbnin nën ato re

E gjëmimet ndiheshin dhe ndjeheshin

Nëpër trupin e tonit Atdhe.

*

Në cepin e mustakut të zi më kujton

Rrufetë e mëdhaja që përdridheshin qiellit

Duke ardhur këndej, e atje prapa,

Drenica e kallur, e përgjakur rënkonte

Rënkonte i yni Atdhe!

*

Ti më kujton gjëmimet e mëdha,

Dhe shembjet e kullave,

Ti më kujton kalorësit e lirisë;

Arbenin tonë të rënë, arbenët e Kosovës

Edhe Shkëlzenin,

Me nofulla, shpatulla e kryqëza,

Të mbushur me plumba armiku.

Ecën rëndë e rëndë nëpër  prita

Tragjikën dhe madhështinë

Me vete mbart.

*

Rrufetë përdridheshin,

Duke përpirë – tjetrën,

Përflaknin tokën e përgjakur.

Dhe kalorësit hijerëndë ecin, ecin,

Hapin plumb, trupat e plagosur me plumb e dhembje

Fytyrhirtë si plumbi,

Si shqiponja shiqimin mbi atdheun plagërënd.

*

Qielli u shembet mbi kokë,

Por ata hapin s’e ndalin,

Atdheu kërkon bijtë e tij

Si pararëndësit e ’81-it,

Paten veç një betim:

Për falmurin e Skënderbeut.

*

Ky betim nëpër gjenerat përcillej,

E peshonte sa toka e qielli i mbarë atdheut,

E bartet gjer në amshim,

Nga t’pathyeshmit, shokët tu.

 *

Vallë, a ka krenari e dhembje më të madhe,

Sa më ka marrë malli.

Për ju, vetëm për ju

Kam mall për TY, miku im.

S’të harrrova kurrë!

 *

Shkelzen Ukëhaxhaj

Komiteti i Deçanit

*

Mareshali Tito një natë ish trazuar,

Kish parë një ëndërr dhe qe zgjuar.

Një bombë n’Kosovë Bevci e kish kurdisur,

Tik- taku i asaj ore më bën të lemeritur.

*

Në vitin ’79 i plakur e i dërmuar,

I mbledh “sejmenët” për t’i urdhëruar,

Bëhuni gati!

Në Kosovë do të shkojmë,

Bombën e Kardelit ta asgjësojmë!

*

Mareshali i plakur, dinaku i dërmuar,

Erdhi në Kosovë e sa nuk uluriti,

N’Kosovë bomba veç paska plasur,

Eh Bevc,

Ç’ma paske punuar!

*

Si bishë mali egërsuar

Të famshmen fushatë ndërmori

Çështjen e shqiptarizmës për ta përfunduar,

Çdo armë e metodë dhune përdori…

Pasi mendoi se çdo gjë kishte mbaruar,

Jusuf Gërvalla i çonte fjalë nga jashtë:

“Njëriu ka të drejtë për të menduar”.

*

I çakërdisur si asnjëherë në jetë

I mblodhi “sejmenët” në Karagjorgjevë

Të gjithë ishin strukur përpara tij,

Humbjen e lexonte te secili në ata sy.

Dhe kishte hapur veshët i alarmuar,

Kur një informator e kishte informuar:

*

Në Deçanin e vogël,

Bri kufirit me Shqipërinë,

Lëvizja është duke vazhduar,

Jugosllavinë tonë për ta gjunjëzuar.

Më e keqja, që i thonë një fjale,

Qenkan betuar n’Flamurin e Shqipërisë,

Për t’i ndryshuar kufijtë Jugosllavisë…

*

U ngrit „i madhi“ mareshali në këmbë

Mbi tavolinë koka e tij një pëllëmbë.

Ishte i vogël, i keq e i zi,

Por zëri i tij si krismë e alltisë.

Si është e mundur, ata, për të shpëtuar,

A do të thotë kjo që jam plak e dërmuar?!

Këmbët s’e mbajtën, u struk n’kolltuk

Çdo shenjë jete n‘atë fytyrë të zezë ka humbë.

*

Mes jetës e vdekjes përmendej,

Si n’ëndërr e shihte dinastinë e tij.

Nga ajo Lëvizje klandestinësh,

Jugosllavinë e AVNOJ-it për dhe duke e shtrirë.

*

Informatori vazhdonte duke treguar:

Gjimnazi”Vëllezërit Frashëri” me ata profesorë

Për Jugosllavinë janë bërë agresorë

Dhe me urdhrin tuaj

Të gjithë i prangosim, i gjunjëzojmë këtu para teje…

Jugosllavia e AVNOJ-it është vepër e paprekshme,

Vepra e mareshalit që se zhdukin shekujt

E jo më shqiptarët.

*

Derisa maershalli venitej,

e ngadalë po jipte shpirt,

Komiteti po lëshonte rrënjët,

të rinjtë i bashkoheshin ilegales

për ta rrënuar kalanë e tij – Jugosllavinë.

*

Erdh qershori i vitit ’80

U bashkua pesëshja në bibliotekë,

Në bibliotekën e gjimnazit,

I pagëzuar “Vëllezërit Frashëri”.

*

Njëri – tjetrit i dhanë dorën,

i bashkonte halli i Kosovës,

Ranë dakort për t ia nisur,

Jusuf Gërvalla i kish porositur.

*

Nga gjimnazi në Gllogjan

Me Ismail Xhemailin në kullën e tij,

I vunë themelet e Komitetit,

Jugosllavisë me ia nisë tërmetin.

*

Pesëshja e bashkuar brenda Komitetit,

Morën qëndrim punës për t’iu përveshur,

LNÇKVSHJ-ja që të ringjallet,

T’i lëshojë rrënjët anekënd ku janë shqiptarët.

*

Lëshonin rrënjët çdo ditë treshet,

e prej tyre komitetet…

Habiteshin edhe informatorët,

Qendra ku ishte,

kush ishin organizatorët?!

*

Sa gjenin lëmshin,

fija ju humbiste,

një nga njëqind e prangosnin,

N’Lëvizje qindra të tjerë radhiteshin.

*

E dinte Jugosllavia dhe Beogradi zyrtar,

Një fjali e Enver Hoxhës në Tiranë

Ngrihen dhe në zjarr hidhen,

të gjithë shqiptarët.

 *

Por në Kosovë nga vinte vala?

Prej Gjermanisë nga Jusuf Gërvalla,

Në Deçan te Komiteti,

Viseve shqiptare përhapej rrjeti.

*

Akoma pa u bërë viti i plotë,

Jugosllavia dridhej nga tërmeti mbi tokë.

Puna dhe roli i këtij komiteti,

një nga epiqendrat e atij tërmeti.

*

Jugosllavia tërmetin  mbijetoi,

themelet iu tronditën, por në këmbë qëndroi,

Tani Kosova duhej dënuar,

Pse kjo Lëvizje kishte mbijetuar.

*

Pas Prillit, dyzet vjet po kthehem prapa,

Komiteti ishte vënë nën pranga,

Jehonë i bënte,

Jusuf Gërvalla.

*

Dhe qëllimi fisnik i tij,

Lëvizja si një trup bashkohet,

Në mes t’janarit ’82

Me Kadrinë dhe Bardhoshin

Tashmë n’përjetësi.

*

Jugosllavia më s’pa  shëndet,

Po as luftën s’e ndërpreu.

Edhe Komiteti në tjetrën anë,

vazhdoi punën kurrë pa u ndal.

*

Kur u mbush dhe kupa e qiellit

Me la hesapet me Serbinë

E madherishmja UÇK- ja,

Bijtë e Komitetit, brenda i kishte,

 Fuqi e ripërtërirë.

_________________

BURIMET DHE LTERATURA:

Arkiva:

Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë

Librat:

1.   Fjalori Enciklopedik i Kosovës, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018

2.   Hitoria e Popullit Shqiptar III, Tiranë, 2007

3.   Historia e Popullit Shqiptar IV, Tiranë, 2008

4.   Xhelal Xheçovi: Shteti Shqiptar dhe Çështja e Kosovës 1998

5.   Historia e Popullit Shqiptar, Tiranë, 2008

6.   Konferenca e Jaltës, Tiranë, 1996

7.   Enver Hoxha: Kosova është Shqipëri, Tiranë, 1999

8.   Enver Hoxha: Titistët, Tiranë, 1982

9.   Jon Hallyday: Shqiptari Dinak, Zvicër, 1993

10. Ethem Çeku: Mendimi politik i Lëvizjës ilegale në Kosovë 1945-1981, Prishtinë, 2003

11. Reginald Hibbert: Fitorja e Hidhur, Tiranë, 1993

12. Selatin Novosella: Metush Krasniqi – Përsonalitet unifikues i Lëvizjës Kombëtare, Prishtinë, 2011

13. Avni Dehari: Ali Ali Kelmendi, Prishtinë, 2018

14. Ibish Neziri: Ahmet Haxhiu një jetë të tërë në Lëvizjen ilegale, Prishtinë, 2001

15. Ibish Neziri “Këtu jam për t’i luftuar armiqtë”, Prishtinë, 2013. 

16.

17. Zymer Neziri: Isa Demaj – Jeta dhe veprimtari atdhetare, Prishtinë, 2008

18. Letër e panjohur e Enver Hoxhës mbi Kosovën, Tiranë, 2002

19. Shefkije Islamaj: Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, 1968, Prishtinë, 2008

20. Lisen Bashkurti: Diplomacia e vetizolimit, Tiranë, 2004

21. Ukshin Hoti: Filozofia Politike e Çështjes Shqipatare, Tiranë, 1995

22. Drejtëshkrimi i Gjuhës Shqipe, Tiranë, 1973

23. Konferenca e Studimeve për LSHP, Tiranë, 1979

24. Ethem Çeku: Kosova në sfondin e diplomacisë së Jugosllavisë dhe të Shqipërisë 1945-1981, Prishtinë, 2009

25. Hasan Ukëhaxhaj: Marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë në fushën e arsimit, shkencës e kulturës në Lëvizja nr 1, Prishtinë, 2017

26. Tefta Cami: Katër ditë vizitë në Kosovë, Tiranë, 2012

27. Muhamet Pirraku: Konteksti politik i demonstratave të ’68- es – Kumtesë, dorëshkrim

28. Rasim Selmanaj: Heroi me Kitarë, Prishtinë, 2007

29. Ethem Çeku: Shekulli i ilegales, Prishtinë, 2004

30. Eqrem Çabej – Personalitet i shquar i shkencës dhe i kulturës shqiptare në 90 vjetorin e lindjes, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

31. Rasim Selmanaj: Dekada e Deçanit, Prishtinë, 2018

32. Gjergj Fishta: Lahuta Malcisë, Shkodër, 1997

33. Shaban Sinani: Përveçime, Prishtinë – Tiranë, 2007

34. Dilaver Goxhaj: Lëvizja nr. 1, Prishtinë, 2017

35. Muhamet Rugova: Kujtime nga burgu, Gjakovë, 2008

36. Hakif Bajrami: Shqiptarët në luftë për shtet kombëtar 1912 – 1918

37. Kadri Rexhaj, Fati i luleve, Buzuku, Prishtinë, 1993, f. 162.

38. Kadri Rexha, Thirrjet e kohës, RKL. Prishtinë, 2014

39. Shkelzen Ukëhaxhaj, Kur fjala takon zemrën, „Naimi“, Tiranë. 2020

Gazeta e revista:

1.   “Bashkimi” – Organ i Frontit të Kuq, janar 1980.

2.   Monika Stafa: Dokumente sekrete të Qeverisë së Shqipërisë për Kosovën në vitet 1948 – 1981 – Fejton në “Zëri” nga qershori deri në nëntor 2008

3.   Vjollca Lisi: Kur Duçja “bleu” Mbretin Zog të Shqipërisë – Fejton 1deri 6 korrik 2004 në “Zëri” Prishtinë

4.   Lajmëtari i Lirisë Nr. 1, gusht 1980

5.   Lajmëtari i Lirisë nr. 2, 1980.

6.   Lajmëtari i Lirisë” nr. 1 – janar – shkurt 1981.

7.   Arben Puto: Ditari i Kontit Çiano: Plani për atentat ndaj Zogut, në gazetën “Koha Ditore, 14 gusht 2009

8.   Kadri Halimi: “Zëri i Kosovës” nr 18, maj 1996

9.   Hakif Bajrami: Një letër publike nga Kosova për Sali Berishën në “Dita”, 27 gusht 2018

10. Revista: Gjuha shqipe, Prishtinë, 2007

11. “Zëri i Kosovës” nr. 1, 1983 

12. Idriz Ajeti: Gjurmime albanologjike, Prishtinë, 2009

13. “Zëri i Kosovës” nr. 15, 11 prill 1996

14. Gazeta Express

Dorëshkrime – Intervista:

15. Muhamet Pirraku: Konteksti politik i demonstratave të ’68-es – Kumtesë, dorëshkrim

16. Bajram Gashi: Intervistë 28.12.2018

(FUND)

© Pashtriku.org

————————————-

Kthehu te pjesa e parë

Në 42 vjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, (17. 01.1982 – 17.01.2024)

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (1)


Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura