HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (3) 

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (3) 

H Y R J E

Gjatë vitit 1924, në Shqipëri ndodhën dy ngjarje, të cilat kanë hyrë në historinë e saj në përmasa kthesash. Vrasja e heroit Avni Rrustemi e tronditi vendin nga jugu në veri. Populli, i udhëhequr nga figurat më të shquara kombëtare, i rroku armët kundër qeverisë së Ahmet Zogut, e cila ishte urdhërdhënësja e asaj vepre kriminale. Në ato rrethana, kryeministri i vendit, Ahmet Zogu, me disa bashkëpunëtorë, e braktisi atdheun. Ajo kryengritje, në faqet e historisë është shënuar si Revolucioni Demokratik i Qershorit. Veprimtarinë e Qeverisë në krye me Fan Nolin këtu po e kapërcej. 

Ndërkaq, Zogu, në saje të pazarit që e bëri me Pashiqin, pas gjashtë muajve u kthye në Tiranë me bajonetat e Serbisë – e armikut tonë të përbetuar që nga Car Dushani, i cili edhe Prizrenin e pat shpallur kryeqytet të Perandorisë. Por, cili ishte çmimi i këtij kthimi “triumfal” në Tiranë? “… manastiri i Shën Naumit në breg të liqenit të Ohrit me tokat përreth, si dhe një pjesë të krahinës së Vermoshit në Veri, të cilat ishin njohur si pjesë e Shqipërisë qysh në Konferencën e Londrës dhe nga Konferenca e Ambasadorëve në dhjetorin e vitit 1922.”  Pas votimit të marrëveshjes në Kuvendin e Shqipërisë, në korrikun e ’25-s dhe pas nënshkrimit të një deklarate nga përfaqësuesit e të dy shteteve, përmes së cilës njoftohej Konferenca e Ambasadorëve për “korrigjimin e kufirit”, ajo i njoftoi palët se “Anulohej vendimi i mëparshëm… dhe se vija kufitare ratifikohej në atë mënyrë që Shën Naumi dhe një pjesë e Vermoshit t’i mbeten Jugosllavisë.”

Në planin e sovranitetit shtetëror, ajo marrëveshje antikombëtare, përveç të sapocituares, e radhitur në nr. rendor, i ka edhe 15 pika të tjera, dy nga të cilat nuk mund të mos i citoj. E para: “Shqipëria angazhohet t’i bashkohet mbretërisë Serbo – Kroato – Sllovene… E katërta me radhë “ Ministria e luftës e Shqipërisë  shuhet. Shqipëria nuk do të ketë një ushtri kombëtare.    

Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, tani, me kë  të pjesëtohet tradhtia? Jo! Ajo është e papjesëtueshme edhe për secilin deputet që e votoi, sepse një pjesë e kundërshtoi e disa nuk kishin shkuar fare në seancën e turpshme. 

Për të qëndruar në fron, matjanit i duheshin edhe para, prandaj vendosi  t’i vazhdojë bisedimet sekrete me zyrtarin italian, të cilat i kishte filluar në Vjenë në gushtin e vitit 1924. 

“Shprehja ime, rrëfen negociatori, dhe ndoshta valixhja që mbaja në dorë e bën të kuptojë se misioni im sillte një rezultat të favorshëm. Atëherë fytyra i ndriti nga hareja e më tha: Nuk do ta harroj kurrë atë që keni bërë për mua. Mirënjohja ime për Musolinin do të jetë e përjetshme.”  

Ndërkaq, edhe kreu fashist, kur e lexoi Traktatin e Tiranës të vitit 1927 mes Shqipërisë dhe Italisë, e falënderoi ministrin Lessona : “Atdheu ju është mirënjohës për sa keni bërë. Zotësia juaj i siguruan, më në fund, Italisë zotërimin absolut të detit Adriatik…”

Pra, ky ishte Kryeministri i Shqipërisë, tokë e det të së cilës i shiti në Beograd e në Romë.

 Përveç parave, i duhej edhe siguria, prandaj me selinë e dytë të sapocekur i nënshkroi edhe dy traktate ku në njërin prej tyre thuhet: “… parandalohej nga Italia çdo përmbysje e regjimit nga mbrenda dhe nga jashtë…”  Por, ende pa u tharë ngjyra e lapsit në traktatin e dytë, Zogu kërkoi rishqyrtimin e disa neneve të Traktatit të parë. Përgjigjja ishte e shkurtër: Asnjë korrigjim nuk është i pranushëm…! Diagrami i tendosjes arriti atë shkallë saqë Roma e braktisi betejën diplomatike, prandaj u përcaktua, jo për ta rrëzuar nga pushteti, siç e pat kërcënuar më parë, por për ta ekzekutuar. “… Veprimi është i qartë, të vritet mbreti…”, por aksioni dështoi.

E “premtja e zezë” – 7 prilli i ’39-s – siç e pagëzuan shqiptarët ditën kur Italia fashiste e sulmoi Shqipërinë, nuk kishte si të mos vinte. Zogu edhe në mëngjesin e asaj dite e dëshmoi “mosbindjen” duke ia kundërshtuar “aleatit” ultimatumin, por disa orë më vonë e braktisi atdheun, ndoshta, me shpresë se do të përsëritet dhjetori i ’24-s. Ndërkaq, populli e priti pushtuesin me zjarr, duke e konsideruar qëndresën “si një detyrë të shenjtë si për mbretin, ashtu edhe për shtetin e për gjithë shqiptarët. Prandaj e dënuan largimin e Mbretit nga Shqipëria, pa organizuar një qëndresë të gjerë”.  Pra, atë ditë përfundoi ai kapitull më tepër se i zymtë, përmasat e të cilit ishin gjithëkombëtare, duke filluar me preludin e tij më 7 prill 1939. 

 Pse këta rreshta këtu? Sepse larvat e atij kapitulli i mbijetuam edhe në dekadat e mëvonshme.

2. Fashistët e pushtuan Shqipërinë, por ajo nuk u korit, falë popullit dhe bijve të saj, të cilët e organizuan luftën dhe e derdhën gjakun në altarin e atdheut. Por u koritën stërvinat e Mbretit, të cilët vendosën “që Shqipëria t’i bashkohej Italisë… Për këtë qëllim iu kërkua Mbretit Viktor Emanuelit III që të pranonte kurorën e Shqipërisë, e cila me atë akt e humbiste pavarësinë dhe identitetin e vet shtetëror.”  Ai vendim ishte hapi i parë i larvave që iu përshtaten çdo stine.

Por, pavarësisht se nuk arriti t’ia qëndisë ballin, revolveri i Vasil Laçit i tregoi Viktor Emanuelit III në Tiranë se Shqipëria as ka qenë, as do të jetë kurrë provincë e Italisë. Ai akt heroik u shndërrua në gurrë frymëzimi për organizimin e aksioneve të tjera, të cilat kulmuan me formimin e çetave të armatosura, ndër të cilat shquhet ajo e Pezës…

Vetëm 20 ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, pra më 1 shtator 1939 Polonia sulmohet nga Gjermania naziste, akt të cilit Anglia dhe Franca i dhanë përgjigjen e vetme që e kishin – shpalljen e luftës. Pra, data e 1 shtatorit të vitit 1939 konsiderohet si fillimi i Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq, më 22 qershor të vitit 1941, Gjermania e sulmoi edhe Bashkimin Sovjetik, pasi para tre muajve e pat gëlltitur Jugosllavinë…

Tani, nga fushëbetejat në kancelaritë e metropoleve: Gjashtë muaj pas sulmit nazist në Bashkimin Sovjetik, pra më 31 dhjetor 1941 dhe 1 janar 1942, Presidenti amerikan dhe Kryeministri britanik hartuan deklaratën, mbi bazën e së cilës u formulua “Karta e Atlantikut” ku thuhej: “Popujve që do të luftojnë kundër nazifashizmit, do t’u njihej e drejta e vetëvendosjes.”  Ndërkaq, “Çurçilli, gjatë natës së një janarit e “redaktoi”, pra e ndryshoi tekstin, pa dijen e Rusveltit, duke theksuar se “Të gjitha çështjet dhe pretendimet ndërkufitare pushojnë së vepruari deri në fund të luftës. Pas përfundimit të luftës një konferencë paqeje do të vendosë me bisedime për zgjidhjen e këtyre çështjeve ”. Siç mund të vërehet, me “redaktimin” e lartcekur e drejta e vetëvendosjes ishte vënë krejtësisht në pikëpyetje.

Megjithatë, “kushtrimit” të dy udhëheqësve perëndimorë iu përgjigj në radhë të parë BRSS e pas tij  edhe popujt e tjerë, duke e konsoliduar Koalicionin Antifashist në krye me tri Fuqitë e Mëdha. Pra, pavarësisht nga ai “redaktim”, e drejta e vetëvendosjes qe dhe mbeti alfa dhe omega e Kartës së Atlantikut. Dokumenti i famshëm, që hyri dhe mbeti në faqet e historisë botërore, u nënshkrua në gushtin e vitit 1941. Kushtet për të qenë pjesë e Koalicionit, respektivisht, për ta gëzuar të drejtën e vetëvendosjes, përveç pjesëmarrjes në luftë kundër nazifashizmit, kufijtë që ata i vendosnin nuk duhej të pranoheshin “pasi çështjet nacionale dhe pretendimet territoriale do të zgjidheshin pas përfundimit të luftës, në bazë të parimit të Vetëvendosjes.”  

Populli shqiptar i plotësoi kushtet për të qenë pjesë e Koalicionit Antifashist, në saje të veprimtarisë së Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila u zotua se do ta organizojë luftën kundër pushtuesit në shkallën që e kërkonin rrethanat. Ajo mendonte se edhe populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të tjera etnike duhej të ngrihej në luftë kundër pushtuesve, bashkë me popujt e tjerë të Jugosllavisë, sepse ajo ishte e vetmja rrugë për t’i realizuar aspiratat kombëtare. Prandaj, ajo jo vetëm që e nxiti, por edhe e ndihmoi për t’i kapërcyer vështirësitë, të cilat rezultonin nga terrori i pushtuesit serb nga viti 1913. Pra, edhe populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të tjera etnike u bë pjesë e Luftës Antifashiste… Në dhjetorin e vitit 1942, nga tri Fuqitë e Mëdha, Shqipëria njihet si pjesëtare e Koalicionit Antifashist, por, pas një viti, Çerçilli deklaroi: “… ne duam Shqipërinë të çliruar nga zgjedha e boshtit dhe të rivendosë pavarësinë e saj. Kufijtë e saj, natyrisht, do të shqyrtohen në Konferencën e Paqes”. Se ai qëndrim ishte më tepër se antishqiptar, dëshmonte vala e reagimeve nga opinioni publik në adresën e atij Kryeministri të paskrupull“… Ku janë fjalët e bukura për vetëvendosjen e popujve, ku është Karta e Atlantikut… pse nuk shpreheni për pavarësinë e Shqipërisë dhe integritetin e saj territorial… Ndërkaq, Miss Durham,  një mikut të saj i shkruante plot indinjatë: “Kjo botë qenka e ndyrë.”  Deklaratën e Çërçillit mund ta konsiderojmë, përveç të tjerave, edhe si përgjigje indirekte Enver Hoxhës, i cili katër muaj më parë kishte deklaruar se “Çështja e Kosovës dhe e Çamërisë do të zgjidhet në bazë të Kartës së Atlantikut, në bazë të parimit të Vetëvendosjes… se populli i Kosovës do ta luftojë atë Jugosllavi që do ta skllavëronte.”

Pra, Çërçilli e porositi që jo vetëm t’i harrojë viset e cekura, por të përgatitet edhe për ndonjë tkurrje të re të Shqipërisë së 1913-s. Dinaku i përmbushi premtimet : Dhjetë muaj pas deklaratës skandaloze, në tetorin e ’44-s  në takimin e Moskës, bashkë me Stalinin, vendosën që “Jugosllavia të restaurohej në kufijtë e vjetër të Mbretërisë së Karagjorgjeviqëve.”  Katër muaj më vonë, në Konferencën e Jaltës, me atë vendim kriminal u pajtua edhe Presidenti amerikan. Pra, çështja e Kosovës de facto, për ata që duan të kuptojnë, ishte mbyllur në shkurtin e 1945-s. Pikërisht në ato ditë, Titoja, i cili para një viti e kishte hedhur në shportë Rezolutën e Bujanit, e vuri Kosovën nën administrimin ushtarak.

Ndërkaq, Shqipëria e 29 nëntorit e sfilitur nga lufta dhe nga ai gjerdan plagësh të trashëguara, nuk kishte rrugë tjetër përveçse ta thërrasë edhe më tutje, siç thotë një fjalë e popullit, “thiun dajë”: Në prag të Konferencës së Paqes, E. Hoxha qe ftuar për t’i bërë një vizitë Jugosllavisë. Shkëmbimi i mendimeve për Kosovën nuk është i panjohur. Siç dihet, në atë auditorium, pra në Konferencën e Paqes, shovinistët grekë i shprehën pretendimet e tyre për “Vorio Epirin”, pra për Shqipërinë Jugore, pretendime që u mbështetën edhe nga anglo-amerikanët. Pra, Çërçillit nuk i mbetën fjalët peng – kufijtë e Shqipërisë u rishqyrtuan, por nuk lëvizën, sepse udhëheqësi i saj ua dha përgjigjen. Por, Shqipëria nuk ishte e “vetmuar”, e mbështeti edhe Jugosllavia, sepse kancelaria duhej t’i kishte jo “gjashtë po shtatë kabinete dhe kabineti i shtatë t’i përkiste “Republikës Jugosllave të Shqipërisë.”

Pra, shovinistët jugosllavë gllabërimin e Shqipërisë e shihnin si “bukë të gatuar”. Por ajo duhej pjekur, prandaj i skuqën saç e çerep që, më në fund, një ditë “… bota do të mësonte lajmin e madh se “Shqipëria me vullnetin e saj e me kërkesën e saj këmbëngulëse u bë pjesë e Jugosllavisë.”  Pra, ashtu si Viktor Emanuelit në Romë, kurora e Shqipërisë, do t’i dorëzohej Josip Brozit në Beograd. Por buka nuk u poq, po u dogj: Për sa i përket kësaj çështjeje, Enver Hoxha shkruan: “Por e keqja e të këqijave do të jetë sikur nga një veprim i nxituar, armiqtë ose miqtë të na akuzojnë se Shqipëria u pushtua nga trupat jugosllave! – ia ktheva gjeneralit dhe pashë se si ai në atë moment u zverdh i tëri … U ndamë me Kupreshaninin tepër ftoht…”  Pra, Shqipëria e kishte zotdalësin, që i gjallë kurrë nuk  do ta shkelte nderin e atdheut, as gjakun e dëshmorëve, as 28 Nëntorin e vitit 1912. Më në fund, në muajt e parë të ’48-s ia tregoi vendin dinakut të Kumrovcit, i cili në Beograd kapërdihej si mbret, me kraharorin plot “nishane”, që ëndërronte për t’u puqur me Greqinë jo në brigjet e Vjosës, siç parashihej me “Naçartanijen” dhe me “Megali idenë” 100 vjet më parë, por në kufirin shqiptaro – grek të ’13-s, duke i nëpërkëmbur carët serbë që nga Dushani. Ai ia tregoi vendin edhe Hrushovit në Moskë, në prani të auditoriumit ndërkombëtar të komunistëve. Për ato të numëruara një nga një, një nga biografët e Enver Hoxhës – Jon Hollyday thekson: “Në këtë rast Hoxha me të vërtetë arriti që t’i bënte vend vetes dhe Shqipërisë në hartën e botës.”  E pas një viti – më 1961, edhe në gjirin e Vlorës, kur flota sovjetike me nëndetëset që i takonin “me bisht nën shalë” u largua nga baza ushtarake dhe Shqipëria edhe praktikisht doli nga Traktati i Varshavës.

Tani, pyetjes së mundshme të ndonjë lexuesi se për çfarë arsye po futen këtu këta rreshta? Përgjigjja është fare e thjeshtë: Të diturit historinë e pagëzuan “mësuesja e jetës”, prandaj ata që nuk mësojnë prej saj apo e harrojnë, ajo u përsëritet, respektivisht u hakmerret. Nuk mund të thuhet se nuk mësuam prej “njerkës”. Rrugëtimi ynë nëpër faqet e saj e dëshmon këtë. Porosia themelore ishte: Asnjëherë nuk duhej të dorëzoheshim, prandaj as që u dorëzuam. Kongresit të Berlinit (për të mos shkuar më larg) ia ngritëm digën me Lidhjen Shqiptare në Prizren; Konferencës së Londrës me Kuvendin në Vlorë; Vërsajës në Lushnjë e në Vlorë; e Parisit më 29 nëntor 1944.

Por, Evropës kriminale, dhe jo vetëm asaj, s’ia kishim takatin, prandaj na përgjysmuan. Por, me vendimet e tyre nuk u pajtuam asnjëherë. Nuk mund të mos skuqemi për egjrat, nuk na munguan nga “sulltanistët” që amanet ua la Ballaban Pasha e për t’i përcjellë deri te Esat Toptani… Egjër që pas kostumeve osmane i veshën edhe ato serbofile, nazifashiste e në fund edhe titiste. E me këto të fundit, siç u theksua më lart, gati sa nuk ra kalaja nga brenda. Historia – njerka jonë – u ka dhënë mundësi të gjithëve që të kuptojnë se miqësi të mirëfilltë nuk ka, për çështjet e ngritura. Janë interesat ato që ia përcaktojnë të sapocekurës  jetëgjatësinë. Udhëkryqet e mësipërme dëshmojnë se “alfën dhe omegën” e saj e mësuam sapo ajo filloi të shkruhet: Dorëzimin nuk e njohim, pra padrejtësive nuk do tua japim kurrë dritën e gjelbër. Prandaj, sikur edhe më parë, si ai zogu përrallor, që quhet feniks, u ngritëm nga hiri ynë, kur pushtuesi llogariste se “kapitullin” e Kosovës e kishte mbyllur në dimrin e ’45-s, siç është theksuar edhe më lart.  

(VIJON)

© Pashtriku.org

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (4) 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura