HAZIR MEHMETI: NË VJENË NXËNËSIT I KËNDOJNË PAVARËSISË

Vjenë, 26. 02. 2014 – I.Lladrovci: “Ne e falënderojmë Austrinë për mbështetjen e gjithanshme që i jep mësimit në gjuhën shqipe”. “…përpjekjeve shekullore e kurorëzuar me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari si kryevepër madhore e sakrificës për Lirinë e Kosovës.
Në sallën e bukur të bashkisë së pesëmbëdhjetë të Vjenës ishte festë e vërtetë e cila dukej gjithandej hapësirës, në fytyrat e buzëqeshura të mërgimtarëve, në veshjen solemne të nxënësve me kostumet e bukura kombëtare. Kështu e kërkonte gjashtë vjetori i pavarësisë së Kosovës. Tani 17 Shkurti datë historike për kombin shqiptar e cila erdhi pas përpjekjeve shekullore e kurorëzuar me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari si kryevepër madhore e sakrificës për Lirinë e Kosovës. Manifestimin në ambientin bukur e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe personeli i Ambasadës së Republikës së Kosovës, Valbona Fazliu – Rrecaj, këshilltare; Zana Rugova, sekretare e parë; Yllka Geci, sekretare; Imer Lladrovci, konsull. Nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, Dede Prenga atashe ushtarak. Z.Fitim Nuhiu nga ambasada e Republikës se Maqedonisë në Austri. Morën pjesë edhe aktivistë nga shoqatat shqiptare nga Vjena e rrethina. Familja e skulptorit të njohur, Destan e Barbara Gashi; Avdyl Gjocaj, veprimtar, vëlla i dëshmorit Agush Gjocaj; Anton Marku, poet etj. Pas himnit kombëtar dhe atij të Kosovës, nxënësit kënduan këngën korale “Për Mëmëdhenë”. Mësuesit: Shqfqet Gashi, Hazir Mehmeti, Osman Ademi, Miradije Berisha, Ibrahim Hasani dhe Ina Arapi i përgatitën nxënësit dhe organizuan rrjedhën e programit të ndihmuar edhe nga disa prindër veprimtarë. Sabrina Konerth, Peter Jäger nga bashkia e pesëmbëdhjetë e qytetit e ndihmoi aktivitetin me ofrimin e lokalit të bukur. Fëmijët i kënduan atdheut, dëshmorëve të lirisë që nga Iliria e deri tek Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata recituan vjersha kushtuar jetës sonë në mërgim dhe në atdheun aq shumë të dëshiruar. Nëna Tereze frymoi me zërin e ëmbël të fëmijëve në skenën solemne. Piano në këndin e majtë lëshoi tinguj madhështorë në përcjellën e këngës shekullore arbëreshe e luajtur nga Vlora Jonuzi.

– Në Vjenë të Austrisë u festua Pavarësia e Kosovës –

Për rrjedhën e programi me sukses u bë nga mësuesi me përvojë z.Osman Ademi, bashkë me grupin e tonteknikës. Në përshëndetjen e saj në emër të Ambasadës së Kosovës, znj.Valbona Fazliu-Rrecaj, mes tjerash tha:” Jam e lumtur të ju përshëndes në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri dhe t’ua uroj gjashtëvjetorin e pavarësisë. Liria erdhi fal sakrificës së popullit shqiptar dhe luftës së tij. Ju përgëzoj të gjithë juve që keni organizuar një mbrëmje të tillë. Veçan dua t’i përshëndes nxënësit e mësuesit e tyre, për përpjekjet e mëdha në ruajtjen e kultivimin e gjuhës së bukur shqipe këtu në mërgim. Urime”. Të pranishmëve festen ua uroj në emër të Ambasadës së Shqipërisë në Austri z.Dedë Prengu, atashe ushtarak. Në fjalën e tij z.Imer Lladrovci theksoj rëndësinë e mësimit në gjuhën amtare për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare. “Ne e falënderojmë Austrinë për mbështetjen e gjithanshme që i jep mësimit në gjuhën shqipe”.
E veçantë ishte recitimi i poezisë kushtuar dëshmorit të lirisë Agush Gjocaj i cili nga kurbeti u kthye në Lapidar Lirie në ecjen tonë drejtë lirisë që sot e gëzojmë. Dikur edhe Agushi këtu ishte pjesë e jetës në mërgim. Sot nipi i tij Agush Gjocaj, nxënës, jetësoi emrin dhe amanetin e xhaxhait që kurrë të mos harrohet Kosova, liria e saj e fituar me kaq sakrifica.
Vargu i nxënësve të programit është i gjatë: Fiona Murseli, Melos Zeqiri, Blina Gashi, Rina Mavraj, Krenar Miftari, Laurent Qestaj, Erenik Pepshi, Amra Bajrami, Lisa e Lira Fetahaj, Erzana Isamaili, Krenar Miftari, Melisa Mavraj, Erzana Ismaili, Leonard Berger. Sara Bislimi, Reanta Osmanaj, Albiona Murati, Oltian Rrecaj, Loreta Limani, Butrint Rexha, Fabiona Gajraku, Leart Gërdella, Enea Shira, Bellina Jovani, Brini Baci, Sara Emini, Recitali: Fjolla Ademi, Emirjeta Veseli, Elbasan Veseli, Flamur Lladrovci, Diellëza Kuqi, Fitim Bilalli, Besjana Ademi, Ilir Hasanaj, Erlinda e Fatjona Gajraku, Vesa Zeqiri, Lorik e Leonit Ademi. Skeqe: Detiar Osmani, Elona Kabashi, Valentina Morina, Butrint Rexha, Melisa Mavraj, Blerta Ismaili – interpretoi me mjeshtri këngën e njohur shkodrane “Luleborë” në përcjellje të tingujve të pianos luajtur nga Vlora Jonuzi.
Pika e parafundit ishte kënga e vallëzuar “Pavarësia”, nën koreografinë e nxënëses krijuese Flutura Ademi. Mbyllja solemne u bë me këngën “Xhamadani vija, vija” e kënduar nga të gjithë pjesëmarrësit. Kjo la për të kuptuar se kremtimet në mesin e mërgimtarëve tanë janë në frymën kombëtare e nxitëse në ruajtjen e gjuhës e kulturës së lashtë shqiptare. Kjo zor se do të ndodhë pa mësimin në gjuhën amtare e cila në Austri është gjithanshëm e mbështetur nga organet mësimore përkatëse. Nxënësit e kanë të garantuar mësimin e gjuhës amtare pa pagesë, tekste falas. Këtë vit shkollor për herë të parë nxënësit shqiptarë mësojnë në abetaren e tyre e mbështetur nga Ministria e Mësimit, kanë disa fjalor shqip-gjermanisht dhe tekstet shkollore të botuara nën mbështetjen e Dr.Basil Schader, albanolog dhe mik i madh i shqiptarëve nga Zürichu. Po ashtu me përkrahjen e Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Ministrisë së Disaporës e cila mbështeti botimin e “Mësimi shqip në Austri- Monografi”, një dokument me vlerë veprimtarisë së pandërprerë të atdhetarëve shqiptarë në Austri për themelimin e klasave dhe gjithë përfshirjen e nxënësve.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura