HYDAJET HYSENI: PRANVERA SHQIPTARE ‘81- NJË LËVIZJE QË LËVIZI KOSOVËN DHE GJITHË KOMBIN

Prishtinë, 02. 04. 2016: (Lëvizja që lëvizi proceset) – Në historinë tonë të re, 11 marsi 1981 dhe gjithë pranvera 81, shënojnë një kthesë të rëndësishme historike. Një lëvizje që lëvizi Kosovën dhe gjithë kombin. Një lëvizje që lëvizi proceset në Kosovë dhe më gjerësisht, në viset e robëruara shqiptare. Pranvera ‘81 jo vetëm që e afirmoi dhe e ndërkombëtarizoi çështjen e pazgjidhur të Kosovës, por edhe e shkundi, e pajtoi, e bashkoi, e përgatiti dhe e kaliti shpirtërisht dhe politikisht Kosovën për sfidat e ardhshme që po vinin. 30 vjet frymëzim do të thonë ndryshe 30 vjet mbajtje e ruajtje me mund e gjak e sakrifica të shumta flakën e pashuar të lirisë. 30 vjet frymëzim, por edhe fryte e të arritura të dukshme e të prekshme që gëzojmë sot gjithandej. Tre dhjetëvjeçarët e frymëzimit pranveror që po kujtojmë e nderojmë sot mund të shpjegohen dhe të kuptohen vetëm tok me dhjetëvjeçarët e frymëzimit të mëparshëm që i paraprinë Pranverës Shqiptare ‘81. Pranvera 81 ishte vazhdimësi e përpjekjeve të mëparshme kombëtare e demokratike dhe njëkohësisht pararendëse e epopeve të ardhshme që kulmuan me Ushtritë tona Çlirimtare dhe luftën fitimtare që pos tjerash i siguroi Kosovës edhe mbështetjen e fuqishme të botës demokratike, liridashëse e paqedashëse dhe Aleancës Veriatlantike. Në përvojën tonë historia është shfaqur pikërisht ashtu siç e ka definuar i urti, si një dramë e përjetshme të cilën e luajnë përherë aktorë të rinj.
Zgjidhjet gjysmake që nuk ishin zgjidhje
Pa shkuar me larg. Fundi i viteve gjashtëdhjetë dhe fillimi i viteve shtatëdhjetë sollën një kthesë të rëndësishme dhe të shumëpritur. Rënia e Rankoviqit, amandamentet kushtetuese, Universiteti, Flamuri kombëtar…etj, përjetoheshin si fillim i lirisë e madje diku – diku, edhe si liria vetë. Nga goja e udhëheqjes së atëhershme politike bashkë me demagogjinë shitej me bollëk edhe eufori boshe… Madje edhe midis atdhetarëve të dëshmuar hasej ngazëllimi: “e fituam!” Të tjerët, zakonisht brezat rinorë që po gufonin mendonin ndryshe: – “Jo, është një ndryshim, një e arritur por nuk e kemi fituar ende, do kohë, punë e përpjekje të reja liria e vërtetë.”

Shovinizmi dhe shërbëtorë e tij nuk jepeshin lehtë. Adem Demaçi e Mehmet Gega me shokë, ata që i kishin shtruar e kishin luftuar për këto të drejta e liri, vazhdonin të vuanin burgun shovinist. Shpërtheu natyrshëm Nëntori pranveror i gjashtëdhjetetetës: Në rrugë e sheshe me demonstratë, por edhe nëpër auditorë, media e debate intelektuale e akademike, kërkohej Liri e Barazi. Barazia atëherë e kishte emrin Vetëvendosje, Republikë, Kushtetutë… Kërkesës për lirimin e atdhetarëve të burgosur iu dha përgjigjja me burgosje e dënime të reja. Edhe ndonjë ndryshim pozitiv, por edhe shumë premtime e demagogji. Doli edhe një farë propozimi për Republikë. Aty këtu edhe ndonjë porosi nga lart: ”kërkoni Republikë! Priten ndryshime kushtetuese…”
U desh të pritej tetë vjet deri sa u miratua Kushtetuta e Re RSFJ’së. Kosova lëvizi pak.
Njëfarë autonomie, Kushtetutë…
Të drejta të reja….
Por jo republikë, Jo barazi.
Po, njëfarë elementi konstituiv i Federates, por sërish në përbërje të Serbisë…
Nga lartë tani vinin porosi: “mirë është. Harrojeni republikën. Harrojini të tjerat…
Është autonomia.
Është substanca.
Janë kompetencat…
Faktikisht jemi Republikë. Shpejt do të jemi edhe formalisht…
Vetëm ta kultivojmë dhe forcojmë patriotizmin socialist jugosllav…”
Në një anë, sërish entuziazëm e eufori me demagogji e naivitet bashkë. Në anën tjetër, sërish kryesisht midis të rinjve zhgënjim e zemërim i ri… Kurse Adem Demaçi me dhjetëra shokë ende pa u liruar mirë burgoset e dënohet përsëri pa asnjë fakt, në një nga proceset e shumta të kurdisura politike. Një oligarki politike e dehur nga postet, favoret e privilegjet. Një kastë politike, burokratike e pseudo intelektuale që po bëhej copë për pasuri e luks, në kohën kur kriza ngulfatëse ekonomike, politike e sociale mbi Kosovën dhe popullin e saj po rëndonte shumëfish. Varfëria shtohej. Pabarazia me të tjerët thellohej…
Ndërkaq, në qendrat strategjike serbomëdha, në faqet e të ashtuquajturit Libër i Kaltër, po përvijohej strategjia e zezë antishqiptare e rrëmbimit edhe të asaj gjysmë autonomie që i ishte njohur Kosovës. Në periudhën postitoiste që po pritej, zgjidhja gjysmake, as-as, nuk mund të mbahej. Kush nuk vete para, vete pas – thotë, fjala. Derisa kreu politik i Kosovës vazhdonte gjumin dimëror i dehur nga rakia e vetëkënaqësia, nga privilegjet, favoret, luksi e pasuria përrallore, sërish ishte rinia, ishte vegjëlia ajo që lëvizi dhe e lëvizi Kosovën. Lëvizja Çlirimtare e Kosovës, e cila edhe përkundër goditjeve të rënda e të njëpasnjëshme, edhe përkundër rënieve të njëpasnjëshme, po ringjallej dhe po gufonte sërish. Grupe e organizata të ndryshme, të organizuara, gjysmë të organizuara ose edhe spontane e të vetorganizuara, me emra të ndryshëm e me forma të ndryshme organizimi, por me synim kryesisht të njejtë e të përafërt, po e ngrinin përsëri flamurin e luftës për liri e barazi. Shqipëria nuk përzihej në punët e brendshme të të tjerëve, por bënte punën e saj… Mërgata shqiptare po çlirohej nga klubet jugosllave dhe po bëhej transimision i rendësishëm dhe shumëdimensional me botën perëndimore.
Shpërthimi i pranverës
Dhe shpërtheu. Shpërtheu siç shpërthen pranvera. Me lule të mbjella dhe me lule që mbijnë vetë, gjithkund ku gjejnë pak kushte e hapësire. Edhe në arë të lëruara edhe në toka të harruara. Edhe atje ku ishte hedhur farë edhe atje ku kjo farë ishte hedhur shumë kohë më parë. Puhia e ngrohtë e Zefirit dhe Dielli i ngrohtë i Jugut e lehtësonin dhe e përshpejtonin këtë gufim pranveror. E ndihmonte edhe egërsia e dimrit shovionist. Kur mbushet kupa edhe derdhet. Edhe përmbyset… Me përmbysje gotash e pjatash kanë filluar sa e sa kryengritje e revolucione.
Vrulloi në mars për të kulmuar në prill.
Sërish Barazia e kishte emrin Republikë. Republikë ishin të tjerët përreth. Jo zgjidhja më e mirë e më e drejtë, por zgjidhje kompromis. Republikë e vetëvendosje pa ia lidhur duart së ardhmes. Dhe me mundësi për zgjidhje edhe më të avancuar.
Motoja:
• “jemi shqiptarë nuk jemi jugosllavë”,
• ”Jemi shqiptarë dhe asgjë tjetër!”

paralajmëronte fundin e filozofisë dhe strategjisë së patriotizmit jugosllav dhe ingjinjeri-ngut pan(jugo)sllavist dhe strategjisë se krijimit të një identiteti të ri nacional këndej a andej kufirit shqiptaro – shqiptar. Sllogani “Vetëvendosje e Kushtetutë ja me hatër ja me luftë”, paralajmëronte edhe strategjinë e ardhshme, gjithnjë në frymën e porosisë së Sami Frashërit ta kërkojmë më të mirën por edhe pushkën ta kemi plot. Qendresa në Besi, krismat e pushkëve në Prekazin heroik dhe krismat ne familjen e Rafi Halilit, ishin dëshmi se këto nuk ishin vetëm slogane.
Sërish kërkesë për lirimin e të burgosurve të shumtë politikë dhe sërish përgjigja me dhunë e represion, plumba, bomba gaz lotsjellës, tanke e autoblinda, burgosje, tortura shtazarake, dënime drakoniane. Sërish diferencimi, bojkotimi, lufta speciale… UDB’ja e Kumrovcit në veprim. Një makineri e rëndë politike, represive e propagandistike. Shovinistë, spiun e skllevër të kënaqur bashkë. Një agresivitet i paparë kolaboracionist me egërsi të skajshme ndaj atdhetarëve e çlirimtarëve që e lë në hije edhe vetë Kuislingun, me synimin për të dëshmuar lojalitetin ndaj qendrës në Beograd, aty këtu edhe me iluzionin se në këtë mënyrë do të fitohej farë kapitali politik a farë kothereje mëshiruese për Kosovën e përdhunuar. Një harangë totale që vetëm popuj me shpirt të pamposhtur patriotik e liridashës dhe vetëm lëvizje të mirëfillta çlirimtare e demokratike mund ta përballonin.
Armatën e Nishit – O, djemtë e Kosovës
E kishit në shpinë – Nënat, qysh u qanë?
Përballë UDB’në – Kur u mori plumbi,
Në zëmër lirinë – Kush u ndodhej pranë?
Kështu shprehej, qysh atëherë, kënga polifonike poshtë në Toskëri. Pranvera 81 i kushtoi shtrenjtë Kosovës dhe popullit të saj, por kjo dridhje tektonike paralajmëronte kthesën e madhe dhe fillonte procesin e ndryshimeve të thella në këtë pjesë të Evropës.
30 vjet më vonë, falë sakrificave dhe privacioneve të shumta e të dhembshme dhe falë mbështetjes së botës liridashëse, paqedashëse dhe demokracidashëse, Kosova dhe kauza e saj është 30 shkallë më lartë dhe po aq më afër cakut të synuar… Ka tre përvjetorë me radhë që Kosova i pret si republikë, në pjesën e saj dërrmuese e lirë, e pavarur, sovrane, në rrugë të zgjerimit dhe kompletimit të njohjes ndërkombëtare, në rrugë të krijimit të parakushteve për një integrim edhe me te shpejtë të Kosovës në familjen e evroatlantike. Aktualisht zgjidhja e ka emrin shtet i pavarur dhe sovran, si të tjerët përreth. Dhe sërish është zgjidhje kompromisi. Dihet cila do të ishte zgjidhja më e mirë për një popull të ndarë e të copëtuar pa asnjë të drejtë. E lëvizja e vitit 1981 ishte e përbashkët siç ishte i përbashkët edhe progranmi i saj. Ka lëvizur përpara, por jo sa e si duhet edhe Shkupi, Tetova, Struga e Kumanova, ka lëvizur edhe çështja e shqiptarçve në Mal të Zi, ka lëvizur diç, edhe çështja e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, por mbetet ende plagë e hapur që do shërim. Gjithandej gjakim për liri e barazi. Zgjidhjet gjysmake nuk jane zgjidhje maksimaliste, por kompromis i dhembshëm. Ata që me synime prapakthyese pamun – dësojnë funksionalizimin e zgjidhjeve të kompromisit, marrin përgjegjësinë për pasojat e zgjidhjeve më të avancuar që do të imponohen si e vetmja zgjidhje. Gjakim për integrim ndërshqiptar dhe për integrim evroatlantik, janë aspirata të natyrshme dhe të pashmangshme. Në kontekstin e globalizimit dhe proceseve integruese në Evropë, barazia mund të marrë edhe emra tjerë më globalë dhe më integrues. Si të tjerët përrreth. Si Evropa moderne.
Arritjet janë të mëdha dhe janë evidente. Por të mëdha dhe evidente janë edhe problemet dhe sfidat. Dhe sërish në një anë dehja, eufori e vetëkënaqësi, përzier me prirjen e babëzitur për të zhvatur, grabitur e kollofitur ende në embrion shtetësinë e brishtë të Kosovës së re, në anën tjetër sërish zhgënjim, mllef e zemërim të njerëzve që kanë sakrifikuar e humbur shumë që kanë pritur shumë më shumë edhe për Kosovën dhe çështjen e saj por edhe për vete dhe familjet e tyre. Parulla Kosova Republike tani, në Kosovë, tingëllon e vjetëruar dhe e tejkaluar, por jo gjithkund edhe përceptohet kështu.
Sloganet:
• ”kushte për punëtorët!”,
• ”kushte për studentët!”,
• ”çmimeve stop!”,
• ”Trepça është jona!”,
• ”Kosova është jona!”,
• “Kosova kosovarëve!”
• “Liri për Preshevën!”…
• ”Jemi shqiptarë dhe jo jugosllavë!”,
• “Jetën e japim, flamurin jo!…”,etj.,etj,
tingëllojnë aktuale edhe sot, në Kosovën e pavarur…
Pranvera e vitit 81, ashtu si edhe epopetë çlirimtare para e pas saj kishin edhe një slogan: “Bashkim! Madje edhe kush s’bashkoheteshte është tradhetar” Sot si edhe 30 vjet me parë, Kosovës sii çështje shqiptare gjithandej i duhet sërish mbi të gjitha e para së gjithash bashkimi shpirtëror e veprues i ideve, energjive dhe përpjekjeve, qofshin ato edhe të ndryshme, sa i përket artikulimit, rrugëve ose mjeteve të realizimit. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëjmë që përvjetorët e ardhshëm të Pranverës 81 të mos na gjejnë më zgjidhje gjysmake, me zhgënjime politike e me cfilitje sociale, por të na vijnë gjithmone pranverat me festë dhe të jenë gjithnjë e më shumë festë.
Historia nuk u përsëritet vetëm atyre që nxjerrin mësime nga ajo.
Qoftë i përjetshëm frymëzimi i pranverës shqiptare ’81!
=======================
Shtojcë e editorit të pashtriku.org, Sh.Berisha
KUSH E DENOI GRUPIN E HYDAJET HYSENIT – MË 10 KORRIK 1982?!
Në bazë të aktakuzës së ngritur nga prokurori NJAZI BURGIDEVA, më 10 korrik 1982 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Trupi Gjykues i kryesuar nga gjykatësi ISAK NISHEVCI…, sipas „nenit 136 par.1 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ-së“…, „në emër të popullit“ i dënoi këta veprimtarë të Lëvizjes sonë Kombëtare:
1. HYDAJET HYSENI, me 15 vjet burg,
2. JAKUP KRASNIQI, me 15 vjet burg;
3. MEHMET HAJRIZI, me 12 vjet burg;
4. GANI SYLA, me 15 vjet burg;
5. NEZIR MYRTAJ, me 12 vjet burg;
6. BERTA LUZHA, me 12 vjet burg;
7. SHERAFEDIN BERISHA, me 5 vjet burg;
8. ISMAIL SYLA, me 12 vjert burg;
9. JAHIR HAJRIZI, me 11 vjet burg;
10. SHEQIR ZENELI, me 4 vjet burg;
11. FEHMI PLAKIQI, me 5 vjet burg;
12. AZEM SYLA, me 5 vjet burg;
13. XHEVDET SYLA, me 4 vjet burg;
14. FATMIR KRASNIQI, me 4 vjet burg;
15. FERID ÇOLLAKU, me 8 vjet burg;
16. HYSNI HOTI, me 6 vjet burg;
17. KADRI LUZHA, me 5 vjet burg;
18. MUSTAFË ADEMI, me 6 vjet burg;
19. JASHAR ALIJAJ, me 6 vjet burg;

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, 10 korrik 1982: Nga e djathta në të majtë – Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Gani Sylaj, Nezir Myrtaj dhe Berat Luzha. Ky është grupi i parë prej 19 anëtarëve të OMLK’së. Në foto mungon Hydajet Hyseni, i cili nuk u paraqitë në gjykim me arsyetimin e Trupit Gjykues se ai është i sëmurë. Drejtuesit e grupit protestuan, duke e bërë të pamundur mbajtjen e seancës së parë, sepse është dyshuar se Hydajeti është vrarë… /sh.b/
Ndërkaq më 25 nëntor 1983 aktgjykimi i shkallës së parë u shqyrtua – në Gjykatën Supreme të Kosovës nga kolegji i përbërë:
1. AQIF TUHINA – kryetar i trupit gjykues,
2.TADEJ RODIQI – anëtër i trupit gjykues,
3. SHEFQET BYTYQI – anëtar i trupit gjykues,
4. MIODRAG BËRKLAQ – anëtar i trupit gjykues,
5. HALIL HALILAJ – anëtarë i trupit gjykues.
Ky trup gjykues dhe shumë gjyqtarë të tjerë, që kanë punuar në gjykatën supreme të Kosovës, por edhe në gjykatat e qarkut nëpër komuna, gjatë viteve të 80’ta kanë denuar mijëra intelektualë shqiptarë, vetëm pse janë angazhuar për realizimin e kërkesës “Kosova Republikë”, dhe për çudi të tillët edhe sot punojnë nëpër të gjitha nivelet e gjykatave të Republikës së Kosovës !!!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura