IBRAHIM KELMENDI KA NDIKIM NË VRASJEN E JUSUF E BARDHOSH GËRVALLËS DHE KADRI ZEKËS!!!???

Kujtime nga bashkëveprimtari i Jusuf Gërvallës, Faridin Tafallari

IBRAHIM KELMENDI KA NDIKIM NË VRASJEN E JUSUF E BARDHOSH GËRVALLËS DHE KADRI ZEKËS!!!???

 Nga Faridin Tafallari

Që nga momenti i vrasjes tragjike të tre YJEVE të kombit shqiptar, JUSUF e BARDHOSH GËRVALLA dhe KADRI ZEKA, më 17 janar të vitit 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë e deri më sot, përherë më ka munduar në shpirt e në mendje pyetja kush i vrau TRIMAT, cilët qenë ata tradhëtarët shqipfolës, që ndihmuan UDB-në ogurzezë, duke dekonspiruar, duke spiunuar shokët e idealit të madh të lirisë.. kur do të vijë dita, për të zbuluar këtë tragjedi të rëndë, për kombin tonë, për të dalë në dritë e vërteta!!?

Koha rrjedh, vitet kalojnë… tashmë me dekada… janë thënë e stërthënë… është shkruar e stërshkruar shumë… dhe asgjë e saktë deri më sot për këtë ngjarje!… Mundohen disa të shkruajnë… dhe të japin mendime të ndryshme… por për mua janë manipulime të së vërtetës!?…

Duke u nisur nga ato detaje e situata, që unë i njoh, të cilat i kam përjetuar dhe i di së afërmi, për sa i takon kësaj tragjedie mbarëkombëtare, dua të ndalem kryesisht, duke i veçuar e i analizuar shkrimet e Ibrahim Kelmendit, në librin e tij “Atentatet”, si edhe në disa nga veprimet e tij, në atë kohë, shumë dyshuese për mua!

Në librin e tij “Atentatet”, në faqen 164, Ibrahim Kelmendi shkruan…. ”Sapo u ul Vasili (Hysen Gega) nxorri nga brezi revolen, një collt të bardhë dhe e vuri atë para vetes mbi tavolinë, duke folur: -Njeri nga ju të dy, Rezil (Rizah) e Jusuf, jeni të UDB-së. Ne do të dëgjojmë ballafaqimin tuaj dhe në fund do të marrim vendim!…”

Fjala e fundit e këtij citimi,”VENDIM” sepse më shqetëson shumë, duke më çuar drejt një dyshimi, që Ibrahim Kelmendi ka pasur dijeni, për vendimin e marrë(?) për likuidimin fizik të tre YJEVE… Sot, unë me plot gojën them, që i duhet dhënë fund manipulimeve të Ibrahim Kelmendit dhe shokëve të tij!!!

U vra Jusufi i Madh… me vëllanë Bardhosh… me shokun më të mirë të tij, Kadri Zekën… ndërsa Rizah Salihu, Ibrahim Kelmendi dhe të tjerë… enden poshtë e lart pa i’u hyrë asnjë therrë në këmbë! Shetisin… mund të pinë edhe kafe së bashku… po, po Ibrahim Kelmendi, Rizah Salihu… Dhe kush tjetër pas këtyre, që të vazhdonim më tutje..!?

Në librin “Atentatet”, në faqen 350, Ibrahim Kelmendi shkruan …”Babai i Kadriut mbante ballin e dhomës me biseda, duke bërë një durim stoik dhe duke u munduar t‘i inkurajojë të goditurit. Ndonjëherë, si për inat të “trashëgimtarëve”, bënte hajgare në dukje marrashe. Isha fare i panjohur, – tha ai, kur i kërkuan të fliste.- Nuk më njihnin as në katundin fqinjë. Kur ndodhi kjo vrasje u bëra i njohur. Me mijëra erdhën për ngushëllime dy ditët e para, sa isha atje. Po ta kisha ditur se kështu do të afrohesha, do ta kisha vrarë vetë djalin tim dhe do t‘ia kisha lënë fajin UDB-së…” Ndërsa unë po i them Ibrahimit (Miranit)- JO NUK ËSHTË E VËRTETË!!!, si ka thënë këto fjalë xha Pajaziti, kjo është kokë e këmbë një gënjeshtër, që i ngjan stilit të thënieve të tij!!!

Por ai, babai i Kadriut, xha Pajaziti, ka folur ashtu, si i ka hije një babai të dëshmorit, dëshmorit të kombit Kadri Zeka …Ja fjalët e tij : – Jam mërzitë shumë, kur ma kanë vra djalin e  kur janë vra Vëllezërit Gërvalla, pasi kanë luftuar bashkë e nganjëherë ndaras jam më i lehtësuar, që Kadria është vra bashkë me Jusufin e Bardhoshin… Po të vriteshin vetëm Jusufi e Bardhoshi, kam pasë frikë, se mos dikush do të m’i ngjet fjalë djalit, pasi kjo është puna e armikut vrasës…Për mua jeta me nder, por dhe vdekja me nder është jetë, se çdo jetë tjetër! Përkundër mërzisë së madhe, që e kam, vrasja e Kadrisë, me bashkëluftëtarët e vetë më lehtëson!

Një natë janari, të vitit 1981, Jusufi i Madh, Ibrahimi dhe unë u mblodhëm në dhomën time, ku kaluam tërë natën, pa vënë gjumë në sy. E bëmë këtë takim, për të analizuar shkuarjen e Hysen Gegës në Kosovë, veprim i cili ishte kryer pa e biseduar më parë dhe pa e vënë në dijeni Jusufin!?  Hyseni shkoi në Kosovë dhe u arrestua ende pa u përshëndetur as me fëmijët e vet… u kap nga udbashët sapo arriti në shtëpinë e tij!?

       – Po të them, që kjo vajtje e Hysenit në Kosovë u planifikua në atë mënyrë, që atë udhëtim mos ta dije as ti Ibrahim!!!… Por ti e kishe ditë… dhe erdhe nga Bohumi pikërisht në natën, që Hyseni do të nisej, me bacën Ramadan Ramadanin, për në vendlindje!?

 Kjo për mua, ndoshta edhe për bacën Ramadan (tani i ndjerë), ishte një befasi… sepse Hyseni na kishte siguruar se askush nuk duhet ta dijë… madje as Ibrahimi nuk e di!?! Atëhere lind një pikpyetje e madhe, përse ti u vure në dijeni…për këtë udhëtim… e Jusufi jo???

– Besoj, që patjetër e mban mend, atë, natën e ftohtë të janarit të vitit 1981, në banesën time në Nagold, kur Jusufi i mërzitur e i revoltuar të tha ty Ibrahim, duke të kërkuar t’i shpjegoje, se përse nuk e ndalove Hysen Gegën, që të mos shkonte në Kosovë?!…” Pse e lejove Hysenin të shkonte, kur ti e dije se ai do të tradhëtohej nga udbashi Sadik Blakaj?! Pse e bëre këtë?! Pse!??? “…Dhe ti iu përgjigje, se dikush duhet të shkojë, se dikush duhet të sakrifikojë ….!? (Shënimi i aut. F.T.- O JUSUF GËRVALLA, kjo ishte e planifikuar me kohë, gjë që e vërtetoi 17 janari i 82-shit…se duhej sakrifikuar dikushi!!!).  Dhe Jusufi ta ktheu përgjigjen, duke të thënë, se ti e ke dërguar me udbashin dhe çfarë sakrifice përmend, duke qenë se rënia në kurth nga ai udbash kriminel ishte e sigurtë!!!

– Ti, Ibrahim, e dije fare mirë, se Jusufi i Madh, çdo gjë e bënte me plan afatgjatë dhe nuk i shpëtonte asgjë!!! Ndaj ti nuk duhet të ishe shprehur për asgjë ashtu si të ka konvenuar ty!!

Po ta kujtoj përsëri, që dhoma e shtëpisë së të Madhit Jusuf, në Untergruppenbach, ku ishte dhe xha Pajazitit (babai i Kadri Zekës), ato ditë të kobshme, ishte e mbushur plot e përplot me bashkëveprimtarë të TRIMAVE, që vetë Jusufi i Madh e Kadriu i paharruar, i kishin anëtarësuar në Lëvizje dhe me të cilët ATA arritën, që të ia dridhin themelet  ish- Jugosllavisë së Tito shkjaut!.. Ishte aty dhe lokemadhja AJSHE, së bashku me familjet e JUSUFIT e të BARDHOSHIT…

…E këta bashkëveprimtarë, për ty janë të padëshiruar e mjerana, të paaftë dhe i fyen në shkallën më të ulët …dhe kë…ata shokët dhe bashkëluftëtarët e Jusufit të Madh!!! Edhe kjo tregon një veti të ulët të karakterit tënd …atë të urrejtjes!?… Por duhet ta dish mirë, se ata, shokët e vërtetë të TIJ, ishin besnikë dhe i mbetën besnikë Trimit, Jusufit të MADH, në rrugën e tij të lavdisë, në rrugën e lirisë, drejt çlirimit të trojeve etnike shqiptare dhe Bashkimit të këtyre trojeve në një atdhe të vetëm me Shqipërinë amë…!

…Xhafer Durmishi erdhi tek Jusufi dhe Jusufi e donte, se ai ishte besnik. Ne e mirëpritëm dhe e nderuam, se e la Jusufi, por ama nuk e la për trashëgimtar, se ai, i Madhi Jusuf, nuk besonte se, një ditë do ta ndalte hovin drejt veprës së tij të madhe. Ai i kishte vënë qëllim vetes, që të dilte fitimtar ndaj armikut dhe as u ndal që të mendonte për planet, që kurdiseshin për likuidimin e tij fizik!?!.

… Kurse ti frigoheshe, se mos ai, Xhafari (Xhaferi) do ta zëvendësonte! Prandaj atë dhe të tjerët i urren për vdekje… se ke dëshiruar, që ti të jesh trashëgimtar!? Por ja që nuk të besuan ty aspak shokët e Jusufit!!! Pra as Jusufi vetë, kurrë nuk ka pasur besë tek ti!!!

Ja po të tregoj konkretisht, se çfarë më ka thënë Jusufi i Madh, për besën, për mosbesimin, lidhur me personin tënd! Së pari, Ai më pyeti:- ” A i beson Ti Ibrahim Kelmendit?” – Unë iu përgjigja : – ” Po i besoj…“ Por pyetja e Jusufit të Madh e të mençur më zgjoi interesimin, më ”ngacmoi” kureshtjen, ndaj iu ktheva, duke e pyetur unë tash Jusufin : ” – Po …pse po më pyet??? – ” Po të pyes, Faridin, sepse,unë nuk kam besim tek ai dhe nuk i besoj….”- Dhe vazhdoi më tutje :- ” Unë i kam thënë Ibrahimit, që të mos më afrohet  më afër se 50 metra nga shtëpia ime!” – Duke dëgjuar këto dyshime, i revoltuar, iu ktheva Jusufit: -” Po qe se ti i ke thënë 50 metra, unë do t’i them 150 metra!!!” – Jo – më tha Ai – ti do vazhdosh dhe nuk do t’i japësh atij, që ai, Ibrahimi, të kuptojë se ti dyshon tek ai!”- Por, unë këmbëngula që, edhe unë t’i ndërprisja marrëdhëniet përfundimisht me Ibrahim Kelmendin, por në asnjë mënyrë nuk më lejoj Jusufi i Madh, përkundrazi më porositi, që unë të vazhdoja si më parë dhe që Ibrahimi, në asnjë mënyrë, të mos kuptojë asgjë, në lidhje me mosbesimin që Jusufi ka ndaj tij!!!

Pasi kaluan dy javë nga kjo bisedë, shkova së bashku me familjen time tek Jusufi i Madh, në shtëpinë e tij, në Untergruppenbach… Dhe kur hyra në dhomë… ç’të shikoj…Ibrahim Kelmendi në ballë të Oxhakut… tek Jusufi!?!…U befasova!!!!… Ngriva në vend!!!…I Madhi Jusuf më vuri re, që u mërzita shumë… dhe më tha: -” Faridin, eja pak lart se… kam diçka me të thënë!” – U ngjitëm lart në dhomën e punës së tij dhe duke më vështruar, si i zënë në faj, më tha:  – ”Hëë, Faridin, u mërzite shumëëëë… po ke të drejtë që të mërzitesh… se të dola nga besa!” – ” Po – i thashë unë – Jam shumë i mërzitur dhe s’po mundem ta kuptoj këtë që ndodhi sot!!! ”- E, – vazhdoi të më sqarojë Jusufi i Madh – “… O Faridin, po ky erdhi pa më lajmëruar fare dhe më zuri derën…unë e pashë pasi e hapa derën…dhe si traditë shqiptari edhe si zakon, që e kemi ne… që as armikut nuk i thuhet mos hy!… Ja kjo është…Por unë ashtu si të kam thënë, ashtu edhe qëndroj! Te ti kam besim dhe unë të them pra, në se më dëgjon, që ti mos ndrysho në marrëdhënie me të, po ta them përsëri, Faridin, që unë nuk kam besim tek ai! Ta thash ty, që ta dish këtë! Dhe ti do të më japësh besën se, do të veprosh ashtu si të thashë unë!”

Që nga ajo ditë, që Jusufi i Madh më tha, që nuk kishte besim tek Ibrahim Kelmendi edhe unë më kurrë nuk i kam besuar këtij njeriu! Sa herë që kujtoja besën që i dhashë Jusufit të Madh, sa herë që kujtoja fjalët e tij, amanetin e tij, për këtë çështje sa delikate po aq dhe të rëndësishme për kohën, brengosesha së tepërmi…Me dekada kam qenë i mërzitur, sepse duke mos e ditur të tjerët besën time, dhënë Jusufit të Madh…kanë menduar ndryshe, kanë menduar se, unë kam pasur besim tek ky njeri, tek Ibrahim Kelmendi, kur në realitet ishte e kundërta…nuk i besoja kurrë!!!

Ky mosbesim m’u përforcua akoma më shumë, që kur Ibrahimi më ka thënë se,”… ne duhet t’i vrasim shokët për të ngritur emrin e organizatës…!!!???” …E çfarë besimi më mbeti, edhe pas këtyre fjalëve të tmerrshme tek ky far Ibrahim Kelmendi!!!???

Këtë mosbesim e kam shprehur edhe tek disa shokë të mi të rrethit të ngushtë. (Po këto fjalë ia ka thënë edhe një shokut N.R..)

        Ai, Jusufi i Madh, kurrë nuk ka pasur ndihmë nga ti, Ibrahim Kelmendi, por e kundërta ka qenë, se vetëm dëme i ke sjellë, vetëm i ke prish punë në çdo drejtim, nga të jepej mundësia!?

Para se të botoje librin tënd “Atentatet”, m’i kërkove librat e mi “Terror, Dhimbje, Qëndresë” dhe “Dhimbje Krenare” dhe shumë materiale të tjera të kësaj natyre, dhe unë edhe pse e dija, se ti nuk ke besë t’i dërgova… por ti nuk m’i ktheve kurrë!

          Ke shkruar në librin tënd, duke i denigruar figurat më të ndritura, siç është edhe Enver Hadri, i cili u vra po nga ajo dorë që vrau Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin!? Dhe ti ke shpreh urrejtjen tënde, duke i nënvlerësuar të gjitha aktivitetet e Enver Hadrit, që ai bëri në Bruksel! Aq të shumta ishin këto aktivitete, sa UDB – a u egërsua dhe vendosi ta vriste… dhe e vrau!!! Ndaj ku je mbetur ti!?

            Po i drejtohem dhe bashkëveprimtares e bashkëshortes së Kadriut të paharruar dhe njëherit të resë së xha Pajazitit, e cila librin e Ibrahim Kelmendit “Atentatet” e vlerësoi pa i bërë asnjë vërejtje, mos vallë do të thotë kjo, se edhe ajo është dakort me fjalët e Ibrahimit, i cili shkruan një të pavërtetë, një gënjeshtër fyese për ish – vjehrrin e saj ?!? Po qe se është pajtuar me këtë gënjeshtër, gjë që është mjaft e rëndë dhe tepër fyese për babain trim e atdhetar  të Kadriut, atëhere sipas mendimit tim edhe Saimja (Bulja) ka ra në ujra të turbullta, ku duhet të reagojë, për t’i kulluar ato!!!

Ja çfarë shkruan ajo, në mes tjerash, në letrën e saj, dërguar Ibrahimit me postë elektronike (mail – letër,05.03.2007), me rastin e botimit të librit të tij “Atentatet”:

 “ I nderuar Ibrahim!”

 “………pas leximit të veprës tënde historike “Atentatet”, për të cilën të përgëzoj nga zemra! Edhe një herë urime! Me të dalë nga shtypi e lexova me një frymë. Pasi jam njëra nga propagandistet e asaj ngjarje makabre që bëri UDB – a me vrasjen e tre bijve (udhëheqsve të denjë) të Kosovës dhe në disa rrethana kam qenë pjesëmarrëse direkte në ato ndodhi para dhe pas vrasjes, nuk durova pa të shkruar, për të të përgëzuar………, ku ti me spikamë ke paraqitur çdo personazh………”

…. Dhe ja thënia e tmerrshme e Ibrahim Kelmendit për shokët!!?

…. Pas vrasjes së TRE YJEVE, një ditë, duke diskutuar me mua, Ibrahimi më thotë, se ne “shokët” e tyre, vetë duhet t’i vrasim shokët tanë… për të ngritur lart emrin e organizatës…!?! Kjo thënie e tij, e tmerrshme, më befasoi shumë dhe i ktheva përgjigjen aty për aty, tepër, tepër i befasuar, se emri i organizatës nuk mund të ngrihet lart, kur asaj i vriten prijësat…dhe vazhdova duke i thënë, se edhe po qe se duhet ngritur emri i organizatës, atëhere duhet të vriteshim unë dhe ti e ndonjë tjetër dhe Jooooo, Jusufi i Madh, Kadriu e Bardhoshi!!!

Kjo thënie e tij mu ngul në zemër, si tehu i mprehtë i një thike, por në atë kohë nuk arrija të mendoja si sot, sa me thënë të drejtën, nuk doja t’i besoja as veshëve të mi!?

Prandaj ruaj dhe kam të drejtën të kërkoj sqarime edhe më tutje, si bashkëveprimtari dhe shoku më i ngushtë i Jusuf Gërvallës, i atij, të Madhit Jusuf, që nuk e lind më nëna, për vrasjen makabre të prijësave tanë, në atë janar të acartë të vitit 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë!!!

Pa asnjë dyshim se atentati u krye nga UDB-ja jugosllave, por ama e ndihmuar nga shpirtëzinjtë, cmirëzinjtë, egoistët, karieristët, të shiturit e tradhëtarët e kombit, që nuk u kursyen për këtë tradhti të madhe, të shëmtuar, të fëlliqur, për t’i lajmëruar kriminelët vrastarë me anë të telave të zinj të telefonit, duke i informuar për vendin, për adresën e saktë, se ku ndodheshin atë natë ATA, bijtë më të denjë të Kosovës!!!…

…Po kush e dinte më me saktësi dhe më me siguri, që ATA, të tre TRIMAT ishin tek banesa e Gërvallajve në Untergruppenbach?!? E kush tjetër, pos Ibrahim Kelmendit??? Kush tjetër e dinte, se pikërisht atë natë, do të bisedohej për realizimin e Bashkimit të shumëpritur të organizatave???… E kush tjetër e dinte më mirë se Ibrahim Kelmendi???

Ndaj ti Ibrahim, me “shokët”e tu, kudo që të jeni e ngado që të shkoni nuk mund t’i ikni përgjegjësisë!!!

Ibrahim Kelmendit dhe “shokëve të tij”, ju drejtohem për shumë arsye, për të cilat kam shkruar nëpër librat e mi, ku më gjërësisht kam shkruar për këtë ngjarje, në librin tim “Terror, Dhimbje, Qëndresë”, por dhe më herët, nëpër shkrime të tjera me fakte dhe dëshmi të pa diskutuara, por që tashmë janë publikuar.

Po të pyes ty Ibrahim, pse u brengose e u frigove aq shumë kur dëgjove, se u botua libri im?! Ti ende nuk e kishe lexuar… por të lajmëroj me telefon shoku yt i ngushtë dhe bashkëmendimtari yt Emrush Xhemajli, ish kryetar i LPK në atë kohë e sot deputet i kuvendit të Kosovës!? Emrushi ka marrë inisiativën, që të zgjidhet statusi i të vrarëve me atentat e mbytje nga armiku shkja!? Pas 27 vitesh nga kjo vrasje e bujshme !?… Sot i ra në mend që ta bëjë këtë punë…e përshëndes… por nuk mundem të rri pa i thënë, se këtë e bën, për të mbuluar atë, kryesoren, që duhet të ishte gjetur deri më sot, se kush i vrau TRIMAT, kush i vrau Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën, TRE YJET e kombit shqiptar?!?

Ibrahim a të kujtohet kur më the, për librin tim, se me këto “sekrete”(?), që i ke shkruar mund të hash dhe plumbin!?! Por ja, për fat të keq të dikujt ende jam gjallë dhe kam shumë e shumë për të shkruar e dëshmuar…, kam edhe shumë letra nga Jusufi i Madh, të cilat bashkëveprimtarja dhe bashkëshortja e tij, e nderuara dhe shumë e respektuara Suzana Gërvalla, m’i la mua !!!… Dhe unë do t’i qendroj BESNIK asaj dhe amanetit të bashkëshortit të saj, trimit, JUSUFIT të MADH… dhe të gjitha LETRAT do të botohen… jam apo nuk jam unë, sepse janë në duar të sigurta…!!! Për mua, pasuria më e madhe e imja janë letrat e Jusufit, ashtu siç është fati im i madh, dhurata më me vlerë e jetës, vitet që kalova pranë Vëllezërve Gërvalla, vitet me JUSUFIN e MADH dhe në fund nderi akoma më i madh nga familja Gërvalla, të cilën ma bëri Suzana, duke ma besuar mua këtë pasuri…!  

Dhe për plumbin, që më the ti, e kishe menduar gabim, se unë do të frigohesha ty!? Por as t’u frigova e as frigohem nga ti e nga askush tjetër, pos ndërgjegjes sime dhe Zotit! Ndaj dhe t’u përgjigja – Urdhëro, ja ku e ke revolen, se nuk ta kam frikën aspak, duke qenë i sigurtë, se edhe e bën… (Aty kishte edhe të tjerë, prezent, të cilët e dëgjuan këtë bisedë !?)

Koha kalon…por duke analizuar edhe më tej të shkuarën dhe ngjarjen tragjike, e vura pikën si më kryesori, tek ty Ibrahim, me disa prej shokëve të tu… sepse ju mund të dini më së shumti për vrasjen makabre të 17 janarit 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë dhe që duhet të përgjigjeni ashtu si ka qenë dhe për të gjitha ato çka i dini… duhet t’i tregoni patjetër, duke u BETUAR NË TË VËRTETËN DHE VETËM NË TË VËRTETËN…!!!

Një gjë që më bën sot përshtypje, e cila është për t’u thënë dhe për t’u menduar mirë, është se, nga familja e ngushtë dhe as e gjerë e vëllezërve Gërvalla, askund nuk janë të kyçur nëpër institucionet e Kosovës!? Përse nuk janë Gërvallajt, kjo familje e nderuar atdhetare, brez pas brezi, e cila dha shumë për Kosovën, e që rradhitet në radhën e parë të atyre familjeve, që sakrifikuan aq shumë!!! Ku janë vëllezërit e gjallë Gërvalla, të nderuarit Hysen e Avdyl???… Por, unë i kuptoj dhe ashtu si i kuptoj unë ashtu është, që ata e dinë, se në vendet kyçe janë ata, të cilët  bëjnë ligjin sot, janë vrastarët e JUSUFIT të MADH, të Bardhoshit, të Kadri Zekës, janë vrastarët e shumë bijëve e bijave të kombit, ndaj nuk e gjejnë veten  aty me ta, ose pranë tyre!!?

Nga do që të rrotullohet globi tokësor kuuuurrë nuk mundet të rrotullohet ngjarja e vrasjes makabre të tre dëshmorëve të kombit,  në acarin e janarit  të vitit1982!?! Dhe nga do që të rrotullohet dyshimi, mbetet dyshim dhe mund të dyshohet te secili, te shumëkush, por ama kurrë nuk mundet të hiqet dyshimi kryesor nga Ibrahim Kelmendi, sepse nuk ka më mirë, se sa mund të dijë ai rreth vrasjes së Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës, ai e askush tjetër!? Pos Ibrahim Kelmendit nuk ka tjetër dëshmitar të afërt dhe më të saktë për këtë ngjarje!!! Prandaj ky duhet të japë sqarime dhe shpjegime shumë më të hollësishme e më konkrete, pa ju bishtruar,  pa e anashkaluar të VËRTETËN!!!

Për Ibrahim Kelmendin është dyshuar edhe më parë, përpara ngjarjes, duke u nisur nga lidhjet e tij të afërta dhe shumë të ngushta, që krijoi ai në bashkëveprimet e tij me Vëllezërit Gërvalla, sidomos që nga ardhja e Jusufit të Madh në Gjermani. Ibrahim Kelmendi ishte i pari, që ra në kontakt me Vëllezërit Gërvalla, duke shkuar në shtëpinë (banesën) e tyre si në shtëpinë e vet. Por ai i mbante lidhjet edhe me Rizah Salihun!?. Nuk do të kaloj shumë kohë dhe do të bëhet plani rreth vrasjes së të Madhit Jusuf. Këto plane i di mirë Ibrahim Kelmendi, me “shokët” e tij!!!

Jusufin e Madh, e kanë kontaktuar dhe e kanë ballafaquar në Eslingen para aktit të kryer, siç del në shkrimet e Ibrahimit, në librin e tij “Atentatet”! Kurse ky far Rezili (Rizah Salihu) akoma dyshon, se Jusufi i Madh na paska qenë i dërguar i UDB-së!!!??? Ndërsa Jusuf Gërvalla, në letrën e tij, datë 13 maj 1981, shkruan :

…“Rizah Salihu, nga Mushtishti, një provokator ose njeri shumë naiv dhe i rrezikshëm, provoi të organizonte, me shokë, likuidimin tim dhe të vëllaut tim, duke na quajtur “të dërguar specialë të UDB-së”

…Pra ende shumë ka mbetur për të treguar, se si dhe kush i dha sinjalin Rizah Salihut, për të marrë vendim dhe të ngarkonte Hysen Gegën, që të vriste Jusufin me të vëllanë…!!! Pikërisht, në lidhje me vendimmarrjen nga ai farë Komiteti, i drejtuar nga Rizah Salihu, kemi tentimin e Hysen Gegës, kuptohet i udhëzuar nga shefi i tij Rizah Salihi, që të vrasë Jusuf Gërvallën, si i “dërguari i UDB-së” dhe ndërhyrjen e Ibrahim Kelmendit në këtë rast në mes Rizahit, Hysenit dhe Jusufit, duke “e mbrojtur” Jusufin!

Por, në 1 janar 1981, Hysen Gega bie në burg…dhe atentati u krye duke qenë Hyseni në burg(?), pothuajse pak pasi kaloi një vit nga rënia në burg e tij!?? Atentati u realizua, vendimi i aksionit të tradhëtisë u ekzekutua!!! U vranë Jusuf Gërvalla, Jusufi i Madh, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, YJET e djemërisë së kombit shqiptar!!!. E tmerrshme!!!.. ..Por… nga cilët!!!??? Kush e kurdisi këtë pritë të kobshme?!?…Cilët “planifikuan” atentatin??? Cilët urdhëruan???… Kush ishin ekzekutorët e TRIMAVE,, …cilët dekonspiruan… cilët spiunuan…cilët bashkëpunuan me armikun… cilët??? .???.. ???… U tha një “fjalë”…. i vrau UDB -ja…po, po… dihet që UDB – ja e zezë i vrau TRIMAT… por ama e ndihmuar po nga dora dhe mendja e zezë, e spiunëve shqipfolës, nga ata të pabesë, që ndriçimi i  Yllit Jusuf Gërvalla ju vriste sytë!!!

Jam mijë përqind i bindur, që kjo qe dhe është një vrasje politike, por jam i bindur dhe për atë, që personat për të cilët dyshoj dhe po i përmend në këtë shkrim i njohin…i dinë me siguri vrasësit e vërtetë…i dinë  dhe i njohin mirë ata, që urdhëruan e planifikuan këtë tragjedi tejet të rëndë, për mbarë kombin shqiptar!!! Ndaj përse duhet kërkuar gjoja andej e këndej, kur ja ku janë “dëshmitarët”realë të vrasjes!!?

Ja pra, po e theksoj, edhe një fakt tjetër tepër i fortë e domethënës!!! Jusufi i Madh, Bardhoshi dhe Kadriu u vranë, kur ata të tre ishin bashkë… d.m.th. u ruajt dhe u prit momenti, që kur ATA të ishin bashkë!?…Përsëri, këtë  e diti më së miri dhe më saktësisht Ibrahimi!?

Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, në tetor të vitit 1981, udhëtuan për në Turqi, për t’u takuar e për të biseduar mbi marrëveshjen e bashkimit të të dy organizatave!? Ky takim duhej të bëhej me Sabri Novosellën, përfaqësuesi më i lartë i LNÇKVSHJ!? Kadri Zeka përfaqësonte OMLK! .. Por bashkimi nuk u arrit! Kështu që Kadriu u kthye me tjetër disponim, po ashtu dhe Bardhoshi me tjetër disponim. Tashmë akoma më shumë u përçanë e u acaruan më thellë mosmarrëveshjet ndërmjet ish organizatave si motëra!?!  Dhe për këtë ka përgjegjësi edhe Sabri Novosella?! Ai e di fare mirë dhe duhet të thotë të vërtetën, se si ndodhi ajo mosmarrëveshje.       

Për këtë mosmarrëveshje, më shumë ka shkruar shoku i radhëve të tyre, i orëve të para, që në vendlindje, Xhafer Durmishi, i cili erdhi nga Kosova në Gjermani, për t’i qenë sa më afër dhe për t’i ndihmuar Jusufit të Madh. Xhafer Durmishi, për vajtjen në Turqi dhe mosmarrëveshjen në mes të Sabriut dhe Kadri Zekës, ka marrë disa të dhëna të sakta,  nga goja e vet Bardhoshit! Mosmarrëveshja dhe mosgjetja e mirëkuptimit, në atë kohë, ra në sy edhe tek shokët veprimtarë, si në Gjermani, ashtu dhe në Zvicër.. Kështu që, kjo situatë që u krijua, do të merrte për keq dhe do të duhej të merreshim me vetëveten, me njëri tjetrin, duke e lënë anash armikun, duke lënë anash qëllimin final të veprimtarisë patriotike të mërgimtarëve drejt Çeshtjes Kombëtare!

……Po e them përsëri, që nga Ibrahim Kelmendi kërkohet, që të jap sqarime të sakta dhe të qarta, se, pse ai u largua… iku dhe shkoi 400 km larg vendit të ngjarjes, pikërisht, atë natë kur do të ndodhte vrasja!?? Përse ai nuk ndenji me ATA, trimat, kur ishte dhe i pa punë dhe shpesh herë është sjellur pa nevojë në anët tona.?!? Gjithashtu Ibrahimi duhet të sqarojë përse u manipulua me postëfahin e Jusufit nga Rizah Salihu??? Kur mua, vetë Jusufi i Madh më pat thënë, se adresën e postëfahit nuk e ka ditur askush tjetër… pos Ibrahimit!?? Përse ju interesojë posta e Jusufit??? … Për këtë u dënua me 5 muaj burg Rizah Salihu, sipas ligjeve të shtetit gjerman.!?

Ibrahimi duhet të sqarojë të vërtetën pse u gjet te makina e Bardhoshit, në Mynih, me rastin e përcelljes së Jusufit???.   

Ibrahimi duhet të deklarojë përse i morri 50 mijë DM nga një organizatë kroate dhe i shfrytëzoi për nevojat e veta personale!

  Ibrahimi duhet të japë shpjegime, përse Jusufi i Madh i tha atij: – mos mu afro 50 metra afër banesës sime, se nuk kam besim tek ti!!! – Ibrahimi duhet të shpjegojë, përse nuk i shkëputi kurrë lidhjet me Rizah Saliun dhe Sadik Blakaj???

Ibrahimi duhet të tregojë, se përse i mbante lidhjet me kriminelin Sadik Blakajn, që ishte në shërbim sekret të UDB – së???

Në letrën e tij, më 13 maj 1981, Jusufi shkruan:..” ndoshta do të mund të realizohej mundësia, që shokët e Lëvizjes në Kosovë t‘u jepet lidhja me përfaqësuesin e “Bashkimit”, në Kosovë. Megjithqë, për sa kam mundur të marr vesh, atje, në radhët e kësaj organizate, apo ndoshta në qendër të saj, ndodhet një njeri i dyshimtë, njëfarë Blakaj, që punoka në Entin e Sigurimit Social në Prishtinë. Sa për mua unë njëherë për njëherë, … të gjitha marrëdhëniet me përfaqësuesin e tij, të këtushme (shënimi aut F.T.: me Ibrahim Kelmendin) i kam ndërprerë…”

Në këto rreshta, të kësaj letre, shkruar nga Jusufi, del e qartë, se Ibrahim Kelmendi ka qenë i dyshimtë për Jusuf Gërvallën…!!!

Dua të kujtoj dhe një detaj në mes të Jusufit dhe Nuhi Sylejmanit, ku në një rast tepër të rëndësishëm, kur i bëhej një pyetje dyshuese Dem Demajt, Nuhiu, pa i marrë leje Jusufit, bëri një ndërhyrje të” befasishme”. Për këtë “ndërhyrje” të tij, të papritur, Jusufi i Madh e qortoi i revoltuar, por nga ana tjetër ai e kuptoi, që u pre në besë prej tij dhe që nga ai moment Jusufi i Madh e humbi besimin tek Nuhiu! (Për këtë rast kam shkruar më gjërësisht në librin tim “Terror, Dhimbje, Qëndresë, faqe 33,34)

Si e thashë dhe më lart mëritë tashmë ishin krijuar dhe sa shkonin e ‘zmadhoheshin”, duke u thelluar përçarjet sa andej e sa këndej!. Prandaj Jusufi i Madh, i matur dhe i mençur, si përherë që i nuhaste gjërat, e kuptoi këtë situatë dhe morri hapin e Madh, hapin Vendimtar, që sa më parë të bënte Bashkimin me Kadri Zekën!!! Sidomos situata e krijuar në atë kohë, në mes veprimtarëve, me ndërhyrje, me ndikime negative, me përçarje, me fjalë poshtë e lart, deri dhe në sharje e fyerje, Jusufin e Madh e brengosi shumë.  Në Shtutgart e madhëronin situatën e krijuar disa satelitë, që nuk ju hante palla për asgjë. Filluan sharje e fyerje edhe ndaj Kadriut. Por ashtu edhe në Zvicër mbretëronte një situatë e nderë fjalësh  edhe fyerjesh… Ne, në rrethin tonë i kishim satelitët tanë, sidomos nga Nuhi Sylejmani … Prandaj kur Jusufi e pa, që situata sa vinte e keqësohej i bëri thirrje Kadri Zekës, që të takoheshin dhe të gjenin një gjuhë të përbashkët për Bashkimin, se përndryshe situata do të merrte për keq dhe do të duhej të merreshim me vetëveten, me njëri tjetrin, duke e lënë anash armikun, duke lënë anash qëllimin final të veprimtarisë patriotike të mërgimtarëve drejt Çeshtjes Kombëtare!!!

…Dhe ai që diti t’i bashkojë, që diti t’i drejtojë mërgimtarët ishte Jusufi i Madh në Gjermani!!! Jusufi i Madh u takua me Kadriun, për të biseduar, për të ecur bashkë përfundimisht, duke i  thënë Kadriut…” neve na duhet t’i BASHKOJME ZËRAT NË NJË ZË TË FUQISHËM E JO SHUMË ZËRA TË MEKUR!”

I tërë viti 1981 ishte i ngjeshur me shumë aktivitete, tubime e takime. U organizuan 8 demonstrata të fuqishme, nëpër qytetet më të rëndësishme të perendimit, me aktivistë të dalluar, me veprimtarë të palodhur, me të cilët Jusufi dhe Kadriu bashkëvepruan në Evropën Perëndimore, deri në fundin e jetës, duke arritur suksese të mëdha…duke ja shkoq maskën Jugosllavisë titiste!!!.

Para se të ndodhte atentati, flitej hapur se UDB – a jugosllave kishte përgatitur njerëz kriminelë dhe i kishte nxjerrë jashtë vendit, për t’i vrarë organizatorët, ku më shumë përmendej emri i Jusuf Gërvallës, i Jusufit të Madh! Për Ibrahim Kelmendin kurrë nuk është thënë një gjë e tillë edhe pse ai” bridhte” shumë (për të shetitur anë e mbanë Evropës… deri edhe në SHBA).

…. Ibrahimi duhet të deklarojë, përse nuk i shkëputi kurrë lidhjet me Rizah Salihun e Sadik Blakaj??? Përse Ibrahim Kelmendi u afrua aq shumë me vëllezërit Emrush e Mustaf Xhemajli, si dhe me Fazli Veliun… që të tre ish-marksistë-leninistë, (…unë do të them fashistë) … Dhe sot… Emrushi deputet në Kuvendin e Kosovës…Fazli Veliu, me nipin e tij Ali Ahmetin, në krye të partisë BDI!?  Këta që i përmenda,të cilët ishin ”miq” të ngushtë të Ibrahimit, kanë qenë kundër LNÇKVSHJ, që udhëhiqej nga i Madhi Jusuf Gërvalla, sepse kjo organizatë nuk na paska qenë marksiste-leniniste!? Edhe sot e kësaj dite, këta që i përmenda janë e vazhdojnë të ecin me direktivat e Ibrahim Kelmendit!?

Cili e afroi Bedri Islamin (shkodran, më parë i panjohur për ne) nga një aktiv i LDK në kryesinë e LPRK dhe pak para e gjatë luftës së UÇK-së ai u bë kryetar i LPK-së!?I përmenda këta jo vetëm, sepse kanë qenë dhe janë të lidhur ngushtë me Ibrahim Kelmendin, por, janë dhe me shumë fytyra! Fazli Veliu, Mustaf e Emrush Xhemali   nuk kanë pasur aspak qëndrim të mirë ndaj shokëve, që la pas Jusufi, se gjoja këta nuk na paskan qenë marksistë-leninistë!?Ata na kanë akuzuar sa herë që kemi mbajtur takime e mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, i cili herë  emërohej kështu e herë quhej Komiteti Drejtues i LPRK. Ka ndodhur, që për diçka krejt të vogël, ndofta pa ndonjë rëndësi të veçantë, të mblidheshim për bisedime me javë të tëra!?. Dhe ne, shokëve, që  përfaqësonim krahun e LNÇKVSHJ  na duhej, besa, të udhëtonim edhe pa dokument udhëtimi, duke i kaluar kufijtë Gjermani-Zvicër rrugë pa rrugë, nëpër male, në kushte tepër të vështira atmosferike, se ashtu i ishte tekur Emrush e Mustaf Xhemajlit dhe Fazli Velisë!

Ne krahu i LNÇKVSHJ, krahu i Jusuf Gërvallës, “akuzoheshim”, se të gjithë nuk ishim marksistë-leninistë. Këtu hynte dhe Xhafer Shatri, i cili akuzohej.!? Por Xhafer Shatri ishte një njeri korrekt, që dallonte  nga këta të tjerët. Unë nuk e mbaj mend që Xhafer Shatri të ketë folur keq apo të ketë akuzuar në ndonjë rast Shqipërinë!? Xhaferi i ndiqte dhe i shihte punët e Lëvizjes… dhe së bashku me bashkëveprimtarët e Jusufit të Madh dhe të Kadriut, të cilët i kishte aty pranë, arriti ta ngrejë më lart zërin e LRSHJ dhe më vonë atë të LPRK!

Siç e thashë dhe më lart, ne nuk mund të ishim në pararojë të LPRK pa qenë marksistë-leninistë!? Këta marksistë-leninistët (kupto fashistët), kur duhej votuar, na e merrnin anën me vota dhe ne duhej të shkonim, si thotë populli, si – muça pas dais-, deri sa u ndamë dhe u krijuan dy LPRK, njëra me adresë (ku bëja pjesë dhe unë) dhe tjetra pa adresë, pra këta që janë!?

Ndaj këta janë ata, që nuk e kanë për dert, që deri dje ju janë kundërvënë titistëve e rugovistëve, me të njëjtën urrejtje dhe sot krekosen në vende e poste kyçe!!?.

 …Pak më andej janë edhe Fazli Veliu me Ali Ahmetin…edhe këta ulen e bisedojnë, për t’u marrë vesht për trojet e Iliridës(?), se si të gjejnë mirëkuptim me shovinistët më antishqiptarë, maqedonasit, për zgjidhjen e problemeve të tyre!?!

Ky soj i keq, sot po mban peng, duke i tërhequr pas mbrapshtinave të tyre edhe disa ish të burgosur, si Hydajet Hysenin, që u mbajt si një njeri, i cili na jepte udhëzime nga brenda burgut, me kolegun e tij Mehmet Hajrizin! Këta janë” viktima” e këtij soji të keq, që nuk iu a lënë të dëgjohet zëri i tyre!!!

Ky soji i keq janë ata, që nuk e kanë për dert ndërrimin e flamurit, të himnit, të identitetit (nga ai shqiptar në ko(q)evar)! Ndaj unë nuk e di kujt i duhet ky soj i keq, që ka “mbi” sot në tokën shqiptare të Kosovës!?

Unë vetë, sa kam qenë në KD e KSH të LPRK nuk i kam dëgjuar kurrë Mustaf e Emrush Xhemajlin të zejë në gojë emrin e Jusuf të Madh, emrin e Bardhosh Gërvallës, kurrë s’i kanë përmendur Vëllezërit Gërvalla… i ka lënë anash, se nuk na paskan qenë marksistë-leninistë(?), të llojit të tyre gënjeshtar!!!  Ky soj i lig e hoqi edhe citatin e Jusuf Gërvallës nga ballina e “Zërit të Kosovës” citat, që kishte domethënie të madhe: 

….”Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s‘do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme…”.Ata vunë citatin: “Proletarë të të gjitha vendeve dhe popuj të shtypur, bashkohuni”.

Emrush Xhemajli është thirrë me pseudonimin ‘’Muhamed’’, pra ”profet” i marksizëm-leninizmit!?! Këta flisnin në emër të marksizëm-leninizmit, por në realitet ishin dhe janë fashistë! Përsëri sot, këta janë ata, që pështyjnë dhe e lëpijnë, shajnë dhe flasin keq për secilin, me gojën plot zi e më zi! Ja, kush po e drejton sot kombin e copëtuar shqiptar!!! Ndaj heshtin edhe institucionet „tona“ e nuk i kërkojnë vrasësitE Jusufit të Madh, Bardhoshit e Kadriut… sepse i kanë aty brenda tyre!… Janë mbledhur të gjithë në institucionet më të larta të vendit, duke i lënë figurat më të ndritura të kombit në heshtje, në harresë! Të gjithë jemi dëshmitarë ç’ndodhi me atdhetarin dhe intelektualin e shquar Ukshin Hoti! Po kush po interesohet për çështjen e tij sot??? ASKUSH!!!  Nuk duan ta zbulojnë… nuk ju leverdis puna e ndershme, se vetë janë tradhëtarë, janë kriminelë, vetë i kanë vrarë…!!! Ata, që kanë dhënë më së shumti për atdheun, i kanë lënë në mjerim, në përbuzje, në harresën e kohës!? Janë mësuar, duke e njohur mentalitetin e këtij populli të stërmunduar, i cili i ka toleruar, duke i lënë këta maskarenj, që të mos bëhet i keq, se tek ne, shqiptarët, po t’ja thuash në sy të vërtetën, realitetin tjetrit, atëhere të mendojnë, se je i keq, idiot, injorant, je armik etj, etj. …

Por sa dobësi e madhe e karakterit është që  të mos t’ja thuash dikujt të vërtetën në sy, e cila të dëmton rëndë, aq më tepër kur dëmton popullin, kombin, duke menduar se mos bëhesh i keq, mos bëhesh armik…apo ta mbrosh tjetrin, se e ke njeriun tënd, se e ke vëlla, kushëri, mik …e ke…!!!   

 Shumë ”miq të ngushtë“ të Ibrahimit, kanë qenë kundër LNÇKVSHJ, që udhëhiqej nga i Madhi Jusuf Gërvalla! Edhe sot e kësaj dite, këta  “miqtë” e tij janë e vazhdojnë të  ecin me “ direktivat“ e Ibrahim Kelmendit!?

Ndaj këta janë ata, që nuk e kanë për dert, që deri dje ju janë kundërvënë titistëve e rugovistëve, me të njëjtën urrejtje….. dhe sot krekosen në vende e poste kyçe!!? Sot këta janë bërë bashkë dhe hanë e pinë me një kungull!!! Pinë kafe, çdo ditë qetë e qetë, pa e prish terezinë e rehatisë së tyre… e flasin për popullin…gjoja mendojnë e diskutojnë, se si me e dre(qnu)jtu sot Kosovën!?

Ky pra, po e theksoj përsëri, soj i lig, jane ata, që i kanë lënë në harresë Jusufin e Madh, Bardhoshin, Kadriun!!!… E as që ju a zenë në gojë emrin, e le më të gjejnë vrasësit e tragjedisë kombëtare!!!

Heshtin pra edhe institucionet tona. Hesht edhe qeveria jonë e “nderuar”… e nuk i kërkojnë vrasësit, sepse i kanë aty brenda tyre, atë, sojin e lig, tradhëtarët shqip folës, udbashët, që ndihmuan UDB- në ogurzezë në vrasjen e martirëve të kombit!!!

 …Kam të drejtë të flas e të kritikoj dhe ta them realitetin, ashtu siç është edhe pse është i hidhur…Jam më i vogli që kam dhënë aq shumë për atdheun tim, nga gjithë ata, bashkëveprimtarë, të cilët kanë dhënë shumë e më shumë!     

…Mjerisht, sot, në parlament i shoh shumë figura, që kanë ulse në atë kuvend, gjoja të popullit… Eh, janë shumë, nga ata, që dje na ndiqnin e na burgosnin për nacionalistë, irredentistë, seperatistë… por edhe për terroristë.!?..

Janë po ata, që deri dje na e shanin nënën shqiptare, se paskan lindur.. terroristë… se ne po ia prishin bashkim vëllazërimin me shkijet, se po luftojnë kundër Jugosllavisë së Tito shkjaut!?..

Janë po ata, që pa dyshim  mendojnë edhe për zhdukjen tonë fizike, në se jo me likuidime, siç kanë vepruar me figurat më eminente të kombit tonë… do të na vrasin me asimilimin e pasardhësve tanë, fëmijëve tanë, me emigrimin dhe largimin e tyre nëpër botë!

Ndaj përderisa të jetë kjo “garniturë” pushtetarësh, që nuk kanë asgjë shqiptare, asgjë kombëtare…ku asnjëri prej tyre nuk i përmend, nuk i ze në gojë JUSUFIN e MADH, YJET e LIRISË, as që do të mendojnë e të përpiqen, për të zbardhur të vërtetën e vrasjes së TRIMAVE TE PAVDEKËSISË. … Por ama, s’ka për të pasur as liri e pavarësi të plotë e as Bashkim Kombëtar Mbarëshqiptar…!

….. E këto “detyra” të vështira i mbeten, që t’i kryej, vetëm atij –  ”NJERIUT” POPULL!!!

(Botuar në librin e autorit Faridin Tafallari: Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme…, Tiranë 2010, faqe 300 – 313)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura