IBRAHIM SHALA: SI E NJOHA AGIM RAMADANIN (FOTO + VIDEO)

Prishtinë, 13 prill 2018: (Në 19 vjetorin e rënies) – Sa herë afrohet 9 prilli, dita e mësymjes së kufirit Shqipëri – Kosovë dhe rënja e Agim Ramadanit, ndjeja një inspirim (ndoshta obligim) për të shkruar për Agim Ramadanin. Kjo shtysë rritej edhe më tepër kur lexoja në shtyp interpretimet e ndryshme për figurën e tij politike dhe ushtarake. Kisha bindjen se nuk bëhej prezentimi i figurës së tij me tërë kompleksitetin e saj, e aq më pak në thellësinë dhe dimensionin real. Shpesh ndahet njëra komponent e personalitetit të tij, varësisht nga qëllimi i autorit dhe bindjet e tij politike. Besoj se edhe ky shkrim im nuk ka mundësi të jetë gjithëpërfshirës për personalitetin e Agimit, por do të jetë një kontribut më tepër për ndriçimin e kësaj figure të lavdishme të luftës së UÇK-ës.
I. Njohja me Agimin
Për Agim Ramadanin nuk kisha dëgjuar më herët si për shumë veprimtarë tjerë të çështjes kombëtare, e që sot janë deshmorë të kombit. Atë një mesditë prilli të vitit 1998, e takova në një restoran të Tiranës së bashku me një shokun e tij ish oficer i APJ. Ai kishte ardhur në Tiranë shumë para se të themelohej Ministria e Mbrojtjes (MM), në marrëveshje me LKÇK-në, për të ushtruar pjestarët dhe simpatizantët e saj në bazat e tyre në Shqipëri.

Më vonë me Agimin u takuam gjatë punës në Ministrin e Mbrojtjes. Ne patëm mundësi që të kontaktonim deri sa ai hyri në Kosovë me një formacion që quhej Brigadë, por që në fakt ishte një bërthamë Brigade. Gjatë kësaj kohe na binte që të bisedonim dhe shkëmbenim mendime për shumë çështje të rëndësishme të aktualitetit. Më gëzonte fakti se në shumë çështje konceptuale dhe doktrinare kishim pikpamje të ngjajshme. Të habiste njohuria e thellë e fushës dhe problemeve politike të çështjes shqiptare. Që në takimin e parë të binte në sy fakti, se diskutimi i tij dallonte nga të tjerët e sidomos nga oficerët e tjerë të karierës. Mendimi i tij ishte më militant dhe me përmbajtje me të thellë kombëtare. Më pastaj zhvillimi i ngjarjeve e solli që të kemi edhe shumë kontakte në rrethana të ndryshme.
II. Pse në Ministri të Mbrojtjes
Ai luftën e kishte kërkuar dhe proklamuar si mjetin e vetëm për zgjidhjen e çështjes kombtare. Ky qëndrim mund të shihet edhe nga shkrimet e tij që janë pasqyrim i thellësisë së shqetësimeve të shpirtit të tij. Ai në rrethanat e krijuara nuk i bishtëronte luftës, por kishte mendimin e tij të vçantë, si njohës i doktrinës ushtarake, teorive të luftës dhe vetëdijes institucionale shtetformuese. Ai luftën e filluar e vlerësonte si shans dhe domosdoshmëri historike. Preokupim i tij kryesor ishte se si duhej organizuar ushtria, dhe si duhej drejtuar lufta për të dalë më të fortë prej saj në të gjitha aspektet. Argumentimi i tij ishte se, nëse lufta drejtohet nga institucionet qoftë edhe të tilla çfarë janë, rezultatet e saj do të ishin më të mëdha dhe përfundimi i saj do të kapitalizohej më mirë. Kjo ishte logjika që atë e shtyri të rreshtohej në kuadër të MM, e jo përcaktimi politik apo partiak. Ai e mendonte UÇK si një ushtri kryengritëse e cila çdo ditë e më tepër gjat kalitjes në beteja do të merr trajtën e ushtrisë së rregullt. Fakti se ushtarët ishin të paraqitur vullnetarë nuk e ndryshonte esencën për të arritë këtë objektiv, sepse shkuarja është vullnetare por parimi i funksionimit të ushtrisë bëhet vetëm me logjikë ushtarake. Një ushri qoftë edhe kryengritëse mund të shndërrohet në ushtri të rregullt, vetëm nëse është e drejtuar nga institucionet e zgjedhura (emëruara) qoftë para apo gjatë luftës.

Shkodër, Tetor 1998: Agim Ramadani, Sali Çeku, Ibrahim Shala, Esat Krasniqi dhe Fatmir Hoti.

III. Lufta në Kosovë me 1998
Në qershor të vitit 1998 ai hyri në Kosovë me një formacion që u quajt Brigad por që në esencë ishte një bërthamë e armatosur për tu zhvilluar më vonë në Brigad. Në fakt ai kishte një besim tjetër se ushtria do të zhvillohej shumë më shpejt, dhe për këtë ai kishte marrë në ngarkesën e tij të shpinës hiq më pak se 39 kg libra për ushtrinë dhe luftën. Ky fakt dëshmon përcaktimin e tij shkencorë dhe njohurit e tij për rëndësinë e literaturës ushtarake për zhvillimin e një ushtrie kryengritëse në ushtri të rregullt. Kjo brigadë veproi dhe operoi në zonën Junik – Gjocaj – Jasiq. Njësia e Agimit nuk u zhvillua në ndonjë formacion të madhë ushtarak e aq më pak në brigadë lufte. Ai me njisinë e tij mori pjesë në mbrojtje të Junikut dhe pati dy dëshmorë të rënë. Pas ofenzivës Agimi me bashkëluftëtarët e tij kaluan në Shqipëri. Gjatë tërheqjes kanë ndihmuar në tërheqje popullësinë civile (refugjatë) të Junikut, Gjocaj dhe Jasiqit që iknin për Shqipëri. Në krye të tyre ka qenë Agimi duke u prirë rrugën, dhe duke eleminuar minat befasuese që kishte vendosur armiku. Ai nuk ju largua popullit në asnjë rrethanë lufte sepse ai ishte në shërbim të tij. Humbja e një beteje nuk ishte humbje e luftës, përkundrazi, nga këtu fillonte lufta me pa mundësi të kthimit prapa në gjendje të qetësisë dhe nënshtrimit.
IV. Riorganizimi për mësymje
Pas ofensivës së verës së 1998 ai me një pjesë të vogël të bashkëluftëtarve u kthye në Shqipëri. Me të arritur ai nuk u ndal nëpër Tiranë për të shetitur me arsyetime të ndryshme. Pas bisedave dhe vlerësimeve të gjendjes shkoi në Papaj dhe filloi riorganizimin e Brigadës duke bërë rigrupimin dhe seleksionimin e forcave. Lufta për të nuk kishte përfunduar ajo tash po hynte në një fazë më të lartë dhe më të vendosur. Për kundër preokupimeve të Agimit në këtë kohë shumica e ushtarakëve të diasporës shkuan për vizita nëpër familjet e tyre në Perendim. Disa menduan se me humbjen e betejës e humbën edhe luftën apo u frikësuan nga ajo. Këta oficerë “madhorë” nuk u dukën ma në MM deri në shpalljen e mobilizimit të përgjithshëm (më 30 mars 1999, nga SHP i UҪK’së – sh.b).
Te ushtarët ndjehej dëshira për të qenë në një formacion me Komandant Agimin. Duhet theksuar se ai çmohej si nga ushtarët e MM poashtu edhe të UÇK. Poashtu edhe drejtuesit e UÇK kishin vlerësime positive për të. Kur bënin vlerësime negative për oficerët e tjerë, argument i tyre ishte se, pse nuk po flasim keq për Agimin e shokët e tij por për iksin e ypsilonin.
V. Përpjekjet për një organizim më të mirë
Gjatë qëndrimit të tij në Papaj më ka rënë shpesh që të takohem me të dhe të bëjmë ballafaqimin e mendimeve pikpamjeve për gjendjen si në MM ashtu edhe atë në Kosovë. Kemi bërë biseda vetëm, duke pas një ushtar roje të dera që mos të na shqetsote dikush tjetër. Pastaj kur kam bujtë në Papaj ai është kujdes që ne të shkonim me fjetë në dhomën e tij, ku vazhdonim bisedat deri para agimit. Mendoj se disa gjëra duhet të thuhen hapur nga këto biseda. Ai ishte i pa knaqur me punën në MM e cila vepronte me inercion, pa iniciativë dhe pa drejtim politikë dhe përgjegjësi institucionale. Fajsonte Kryeministrin Bukoshi që nuk e kishte rregulluar raportin e Qeverisë dhe MM me shtetin shqiptarë, por urdhëzonte të bashkpunohej me ish strukturat e PD të Sali Berishës.
Në këto raste kemi biseduar shumë edhe për mundësinë e ndërrimeve kadrovike në MM dhe cilët persona do të kishin mundur që ti shfrytëzojnë rrethanat e krijuara maksimalisht dhe njiherit që e njohin mirë doktrinën e luftës dhe ushtisë, si dhe filozofinë shtetformuese. Në këto biseda është operuar me emra konkretë duke vlerësuar përparsitë dhe dobsitë e personave të apostrofuar. Një mundësi e tillë e përmirësimit të gjendjes dhe kursit mund të shfrytëzohej si shkas vrasja e Ahmet Krasniqit, i cili me gjithë angazhimin nuk kishte qenë i suksesshëm.
Të gjitha këto diskutime bëheshin me të njëjtin qëllim që të shfrytëzoheshin rrethanat e luftës maksimalisht dhe aftësitë e njerëzve në të mirën e përgjithshme, sepse ky ishte një shans që nuk përsëritej më dhe gabimet ishin të pakorigjueshme.
Për fillim e përkrahte luftën guerile e cila me zhvillimin e luftës do të shndërrohej në ushtri të rregullt. Në kuadër të operacioneve taktike ishte ithtar i luftimit nga afër, në distancë të shkurtër. Këtë e parapëlqente për dy arsye: një se i fut frikën ushtrisë armike, dhe dy mbjellë ndjenjën e guximit dhe vetëbesimit te ushtarët e UÇK’së.

Papaj, Tropojë – dhjetor 1998: Agron Jusufi, Esat Ademi, Agim Ramadani, Ibrahim Shala dhe Anton Çuni.

VI. Personalitet i shumanshëm
Figura e Agimit është shumë komplekse dhe nuk duhet parë vetëm nga një anë. Si te askush tjetër, te ai janë të grumbulluara shumë veti dhe aftësi admiruese të forcës krijuese të njeriut. Ai ishte ushtarak i profilit teknik, kishte lexuar shumë për strategjinë, taktikën, luftën, ushtrinë dhe mbrojtjen, si dhe nga historia e luftrave çlirimtare. Si rezultat i këtyre njohurive ai kishte shkruar edhe disa broshura për ngritje ushtarake (teorike dhe taktike) të ushtarëve të lirisë. Ai idhull të luftëtarit kishte heroin legjendar Skënderbeun, analiza e fotografive të bindë se edhe në dukje sikur e emitonte atë. Ai ishte poet subtil dhe shpirt i trazuem që shpëthente përmes vargut, duke pasë vizion dhe ndjenjë të thellë për të ardhshmen e vendit të tij dhe të fatit personal. Ishte piktor i talentuar dhe anëtar i Akademisë Evropiane të piktorve. Edhe në rrethana lufte nuk i ndahej pikturës si formë çlodhëse dhe krijuese në të njëjtën kohë. Ai nuk ishte vetëm njohës i teorisë së thatë, ai ishte pjesmarrës direkt në beteja, ku tregoi shkathtësinë dhe guximin njëherësh. Ishte edhe këngëtar rrapsod që këndonte me pasion këngë nga folklori ynë, sidomos këngët e trimrisë. Poshtu ishte njohës i traditës popullore dhe vlerave kanunore. I gjithë ky opus e bënë ate një figurë poliedrike, të gjithëanshme, të aftë në shumë fusha njëherësh, që të kujton njerzit e mëdhej të renesansës, që ishin titanë të kohës së vet, të kohës së rilindjes njerzore, kur një shkenctarë në të njëjtën kohë duhej të ishte edhe kalorës i mirë dhe luftëtar i zoti në dy luftim. Ai ishte njeri i ideve dhe aksionit, ishte njeri në kuptimin e plot të kësaj fjale, njeri me nderën më të lartë, me sinqeritet të plotë dhe me jetë spartane të ushtarakut. Vetëm njerzit me aftësi të tilla, bënë që të rikthehet besimi në forcën njerzore krijuese, si domosdoshmëri për ndryshimin e ralitetit dhe avansimin e shoqërisë njerzore.
VII. Ai ishte vetëm i UÇK
Në lokalet e MM në Tiranë, Agimi dukej shumë rrallë, vetëm kur vinte për ndonjë punë të domosdoshme. Ishte gëzim dhe knaqësi për ne byrokratët kur takoheshim me të, që të bisedonim rreth atyre që kishin ndodhur në ndërkohë. Ai vërtetë ishte në strukturë të MM, por nuk ishte në konceptin e tij që ajo të jetë një kazermë e rrethuar, e cila do të luante rrolin e ushtrisë në Tiranë për të pritë lirinë e Kosovës. Ai punonte me ushtarë me qëllimin e vetëm që të futej sa më parë brenda dhe të luftonte armikun. Ai doli me disa bashkpunëtorë për të regrutuar ushtarë nga refugjatët e Dukagjinit në Durrës, Lezhë dhe Shkodër. Ai bisedoi me njerëz drejt për drejt për luftën, ushtrinë dhe çlirimin. Nuk fliste për taborre politike. Poashtu edhe për grumbullimin e parave për brigadën e tij ai ishte në Zvicërr, ku mbajti takime me bashkëatdhetarë. Edhe në blerjen e armëve u angazhuaa vetë. Kjo veprimtari dhe ky angazhim i Agimit tregon nivelin e organizimit të MM. Sikur ajo të funksiononte nuk kishte nevojë komandanti i një njësie të interesohej për çdo gjë sikur ti kishte ushtarët argat për livadh të babës, por shërbimet e ministrisë do të duhej t’i kryenin ato veprime. Ministria nuk vepronte si institucion, sepse në krye të saj ishin individ që e kishin bllokuar punën, ose për shkak të paaftësive, mos guximit apo nënshtrimit të tepërt ndaj kreut politik të LDK si dhe Kryetarit institucional Rugova, i cili nuk po merrte vendime politike konformë rrethanave të luftës. Veprimtaria krijues, politike dhe ushtarake e Agim Ramadanit dëshmojnë se ai ishte njeri i aksionit dhe luftës. Ai ishte njeriu i cili shkruante shumë kohë para se të fillon lufta:
“A mjafton
Të presim vetëm
E të shikojmë
Duke larguar perden
Për të parë si na vjen liria”, (tetor 1994).
Këto vargje janë dëshmia më e mirë se ai nuk kishte asgjë të përbashkët me njerzit e politikës së durimit dhe pacifizmit. Përcaktimin e vet jetësorë do ta përsëriste edhe gjatë luftës kur ai do të shqiptonte vargjet monumentale, që përmbajnë në vete mallkimin dhe betimin e burrit të dheut kur thotë:
“Mu shterrshin sytë nëse pushoi,
lirinë tënde me ëndrrue,
mallkue qoftë gjaku im nëse m’vrasin pa luftue”.
Dëshmi tjetër se ai ishte vetëm i UÇK’ës është fakti se në të njëjtën kohë, ai mbante lidhje të ngushta me zonën Operative të Dukagjinit dhe gati ishte pjesë e saj, sepse ky qëndrim ishte i domosdoshëm në aspektin ushtarak dhe kombëtarisht i drejtë.
VIII. Mësymja e kufirit
Së bashku kemi biseduar disa here për thyerjen e kufirit dhe efektet politike dhe ushtarake të këtij veprimi. Kufiri ishte bërë pengesë e rrezikshme për vullnetarët e lirisë, problem nuk ishte vetëm përcaktimi për luftën por edhe se si të arrihej te vija e luftës. Koridori ishte i domosdoshëm dhe i rëndësishëm për logjistikën e luftës. Gjatë tërë luftës kishte shumë zona të çliruara dhe nën kontrollin e UÇK, por për Serbinë ishte e rëndësishme të ruante tërsinë e kufijve dhe integritetin e saj, ndërsa pse kishte humbur kontrollin në disa pjesë të brendshme, atë do ta rivendoste në rrethana të përshtatshme. Precedenti do të ndodhte sikur Jugosllavisë t’i merreshin nga kufiri ndërkombtarë edhe 200 metra katrorë. Ajo nuk do të ishte e tëra, do të thyhej integriteti i saj. Kuptohet se rreth kësaj ideje kishte edhe arsyetime kundër, se do të merrte lufta karakter ndërshtetrorë dhe do të zhvendosej vemendja nga lufta në Kosovë. Mësymja e kufirit ishte sfidë e hershme për Agim Ramadanin me shokë dhe ajo do të ndodhte edhe pa ndërhyrjen e NATO-s. Kjo thyrje e kufirit u përshpejtua për shkak të fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, por nuk kreu funksion të rëndësishëm ashtu si ishte menduar për rrjedhat e luftës në tërësi, por begatoi historinë e luftës së UÇK-ës me formën e zhvillimit të saj. Ajo betejë u bë Termopila e Kosovës, ku ngelën shumë ushtarë të rënë në përpjekje për të çliruar tokën shqiptare.
IX. Rënja e Komandantit
Beteja e Koshares është një nga betejat më të mëdha të UÇK-ës. Ajo kishte një shtrirje të gjatë 20 kilometërshe të vijës së frontit. Kohëzgjatja e luftimeve është e madhe, nga 8/9prilli deri më 12 qershor 1999 gati dy muaj, ku bijnë mbi 100 ushtarë në mbrojte të tokës shqiptare. Në këtë betejë bie heroikisht edhe Agim Ramadani poeti, ushtaraku, komandanti dhe artisti luftëtar. Agimi ishte ushtar i pashoq, ishte jashtëzakonisht i aftë, jashtëzakonisht i guximshëm, jashtëzakonisht luftarak. Por ai kishte një dobësi të vetën. Kjo dobësi ishte shpirti i tij luftarak i tepruar, përbuzja e tij e rrezikut. Artisti mund të vdes nëse merret me një artë aqë të rrezikshëm siç është lufta çlirimtare. Ai u takon njerëzve, të cilët është vështirë t’i arrijshë, e praktikisht e pamundur t’ua kalosh. Disa tentuan edhe të spekulojnë gjoja për vrasjen e tij të dyshimtë. Këto thashethame nuk janë nga shokët e luftës por nga ata që qëndruan shumë larg saj ose që kanë qenë krejtësisht kundër luftës. Sikur është e befasishme që të vritet njeriu që i prin luftës, që është në ballë të saj. Rastësia duhej të ndodhte kur dikush vritet në prapavijë të thellë të saj. Nuk është çudi kur dikush vritet në ballë të luftës, sepse rënja është fat i luftëtarve, rënja është çmimi i artit të luftës.

Papaj, Tropojë – dhjetor 1998: Agim Ramadani, Anton Çuni, Ibrahim Shala dhe Esat Ademi.

X. Përjetësia
Pas luftës pati përpjekje se kush do ta përvetësojë Agim Ramadanin. Kjo përpjekje bazohej në të shumtën e rasteve se nga anonin shokët, bashkëluftëtarët e gjallë të tij, dhe kush do ta përfitojë simpatinë dhe përkrahjen e familjes. Kjo u vërejtë pas lufte me mbajtjen e akademive përkujtimore, qoftë për Agimin, qoftë për luftën e Koshares, ku bëhej përzgjedhja e njerëzve mbi bazën e orientimeve politike ose përkatësisë partiake. Në këtë kontekst të përvetësimit ka pasur rivalitet edhe në ngritjen e shtatores, e cila mund të vlerësohet, se ajo nuk ngritet për shkak të mirënjohjes për kontributin dhe sakrificën e heroit, por si përpjekje për përvetësim në kuadër të taborrit të të gjallëve. Qendrimet rreth figurës së Agimit përfundimisht mund t’i përmbledhim me pakë fjalë. Pati përpjekje që pa meritë ta përvetësojnë ata që gjatë jetës së tij, nuk kishin asgjë të përbashkët me heroin. Poashtu padrejtësisht pati qëndrime injoruese nga ata që heroi i kishte bashkëluftëtarë dhe që i bashkonte lufta çlirimtare, pavarësisht nga zona e veprimit të formacionit ushtarak. Pavarësisht nga qëndrimet e të gjallëve, ai ngeli i madhë si luftëtar dhe strateg, ngeli një komandant legjendë. Ai ngeli i madh si njeri dhe shqiptar, sepse kishte marrë diçka nga madhështia e Shkelzenit, që një kohë i ndejtën karshi njëri tjetrit. Ai ngeli përjetësisht në lartësinë e bjeshkëve të larta, atje ku edhe verës i zbardhon bora. Ai sikur qëllimisht mbeti maje bjeshkëve të larta për t’i bërë përjetësisht roje Atdheut. Ai ngeli në lartësinë e reve ndoshta që të ruhej e pa prekur figura e heroit të kombit!

………………………………………………………………………………

FLET AGIM RAMADANI ME 26. 12. 1998 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura