PREND BUZHALA: PËR DËSHMORËT MUJË KRASNIQI, BEQIR GASHI E ALI KRASNIQI

(Klinë, 14. 06. 2012) – Festivali Folklorik “I këndojmë lirisë”, që u mbajt për të 12-të herë me radhë, mbahet në kujtim të rapsodit luftëtar e dëshmor Mujë Krasniqit, me rastin e ditëlindjes së tij… Shok të ngushtë lufte i pat edhe dëshmorët Beqir Gashi (Mleqan, Malishevë) dhe Ali Krasniqi (dëshmor e vëlla i Mujës). Që të tretë kanë qenë edhe rapsodë. Në hapje të festivalit në Çabiq (vendlindja e Mujës), në shkollën fillore të Mleqanit (Malishevë) që e mban emrin e Beqir Gashit, u zbulua busti i tij, vepër e skulptorit A. Duraku. Kësaj radhe, po i publikoj këtu disa shkrime kushtuar këtyre figurave e që janë marrë nga libri im “MUZA E KUJTESËS, i botuar më 2007.

________________________________

I.NDËR BARTËSIT KRYESORË TË LUFTËS SË UÇK-SË
(Në ditëlindjen e dëshmorit hero Mujë Krasniqi)
Tek i afrohesh themeleve të kullës-legjendë të komandantit dëshmor Mujë Krasniqit, do ta ndjesh një frymim të veçantë: shpalosjen e flamurit lart në qiell në shtizat e përjetësisë, aq krenar e aq i përzishëm, sikur i ngërthen baladat e legjendat e kohës më të re, që mbajnë në palcën e vet shumë gjëra ende të parrëfyera. Aty vigjëlojnë tri figura në një lapidar përnderimi: I komandant Mujës, i vëllaut të tij dëshmor, Ali Krasniqit dhe i Beqir Gashit nga Mleqani, mik e shok arme i Mujës. Baladat e legjendat do të arrijnë t’i shquajnë vetëm jeta e veçantë, bëmat e veçanta, vetëflijimi supreme.

______________________________

Që në moshë të re i kyçur në ilegalen atdhetare
Mujë Krasniqi lindi më 6 qershor 1967 në fshatin Çabiq të Klinës. Filloren e ka kryer në Ujëmirë të Klinës. Trualli i familjes së prindërve Mujë e Shehide Krasniqi lindi 11 fëmijë, ndër ta gjashtë djem, katër nga të cilët ishin ushtarë të UÇK-së, kurse dy ndër ta, Muja e Aliu, ranë dëshmorë. “Muja, së bashku me Beqën (Beqir Gashin, rapsod e dëshmor) ishin të kyçur herët në lëvizjen ilegale, kur ishte nxënës i shkollës së mesme “Luigj Gurakuqi” të Klinës, në paralelet e ndara në Kijevë. Aty, pranë e profesoreshën Xheve Krasniqin – Lladrocin (dëshmore legjendare), e cila i drejtonte dhe i frymëzonte për veprime atdhetare”, përkujton Brahim Gashi, mik i Mujës, rapsod e arsimtar i muzikës e vëlla i dëshmorit Beqir Gashi. Që në ato vite, në shoqëri me rapsodët nga Mleqani, Muja e donte këngën. Kur e organizuan celulën ilegale atdhetare, ishte viti 1984, kur Muja i kishte 17 vjet, përtë qenë aktiv në këtë lëvizje deri në rënien e tij. Në lëvizjet e hapta të protestave shqiptare që shpërthyen gjatë viteve ’80, Muja e Beqa i kishin ngritë peshë shpirtërat e revoltuar të prindërve, nxënësve e arsimtarëve, tek këndonin këngë shqiptare për figurat shqiptare që po i sulmonin serbomëdhenjtë e trabantët e tyre shqipfolës. Kur Beqa këndonte për Luigj Gurakuqin, figurën e të cilit po e sulmonin shqipfolësit e yshtur nga serbomëdhenjtë, alarmohen edhe qarqet policore e ato pushtetore. Këta të dy, që nga atëherë I kishin bashkuar këngën, organizimin e qëndresës shqiptare dhe më vonë, edhe pushkën. Kështu, kur ndodhën demonstratat e vitit 1989, ai së bashku me Sylejman Selimin, me armë iu kishte zënë pritë forcave serbe, në mbrojtje të demonstruesve, kur me atë rast plagosen disa demonstrues nga fshatrat e Ujëmirit e nga Çabiqi.
Prej vitit 1990 e këndej ka qenë gjithnjë në shënjestër të përndjekjes së milicisë serbiane. Nuk pushuan së arrestuari, së keqtrajtuari apo së përndjekuri as anëtarët tjerë të kësaj familjeje gjatë një dekade. Porse Muja dallonte që në ato vite dhe shpesh e thoshte se Kosova çlirohet vetëm me grykën e pushkës, pa ua mohuar të tjerëve kontributin atdhetar në lëmi tjera. Kishte ndodhur lufta e rrethimi në Prekaz, më 1991. Ishte plagosur në atë luftë edhe daja i tij, luftëtar, Vesel Selimi. Prandaj, me të të afërmit tjerë Selimi të këtij fshati, figura të njohura më vonë në gjithë Kosovën, Sylejamn e Rexhep Selimi, bëjnë organizimin e mbrojtjes së Açarevës (sipas revistës “Interesi nacional” 24 dhjetor 2001, Prishtinë). Muja, për një dekadë rresht, ka ndërmarrë aksion pas aksioni në ilegalen atdhetare të armatosur. Ishte ndër bartësit kryesorë të luftës e të themelimit të UÇK-së. Që në aksionet e para ishte së bashku me Jasharajt e luftarët e Açarevës.
Mujë Krasniqi isht ndër shkëndijat e para të luftës së armatosur t UÇK-së në Kosovë, si dhe njëri ndër të parët luftëtarë të paktë të UÇK-së. Prej vitit 1993 e deri më 1996 punoi e veproi në ilegalitet të thellë, për shkak se përndiqej nga regjimi serb, ai u detyrua të kalojë në arrati. Më 1993 e kishte kryer aksionin e parë, për të vazhduar me shumë të tjera. Edh pse punoi e veproi në kusht të vështira, nuk e lëshoi Kosovën, por qëndroi duke vazhduar luftën me intnzitet më të lartë. Në tetor 1996 strehohet në Prekaz, në familjen Shaban Jasharit e Hamëz Jasharit. Mandej në familjet Haradinaj në Gllogjan, Brahimaj në Jabllanicë (tash Shqiponjë) etj. Në shumë përvjetorë të rënies së Mujës, figura të larta të UÇK-së, si Hashim Thaçi, Sokol Bashota, Daut Haradinaj, Agim Çeku etj e kanë çmuar lart figurën e Mujës.
Muja me bashkëluftëtarë për ditë e zgjeronte UÇK-në me luftëtarë të rinj
Kur krisi lufta në Kosovë, ai ishte në pozicionin e parë në fshatin Lludoviq. UÇK ua zë pritat forcave serbe, ku armiku pati humbje. Prandaj serbët gjuajnë edhe nëpër objekte shkollore a shtëpi, kur në shernjë hakmarrjeje, vritet mësuesi Halil Geci. Në varrimin e këtij mësuesi, Muja ishte njëri ndër tre ushtarët që bëri paraqitjen publike të UÇK-së në Llaushë së bashku me Daut Haradinajn e Rexhep Selimin). Daut Haradinaj thoshte: “Unë e Mujë Krasniqi dolëm para masës pa kurrfarë maske, kurse Rexhepi iu drejtua masës me maskë., në emër të UÇK-së, duke e bërë të ditur opinionin e brendshëm e atë ndërkombëtar se UÇK-ja është ajo që lufton për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar dhe për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb. Ishte 43 vjetori i lindjes së komandantit legjendar, Adem Jasharit, kur UÇK-ja nga veprimi ilegal kaloi në veprim legal. Ishte koha e betimeve të mëdha para flamurit; kohë që do të vinte me martirizimin e grave, pleqve, fëmijëve e të tjerëve deri në çlirimin definitiv të Kosovës; kur kjo ushtri më e reja e më e suksesshmja në Ballkan, po bënte kthesa historike. Tashmë ai e shembi mëdyshjen dhe thashethemet për ekzistencën ose mosekzistencën e UÇK-së, për sloganet tjera denigruese. Porse vetë Muja kishte bashkëpunuar me të gjithë nga të gjitha viset kryengritëse shqiptare; duke qenë I afërt e sinqertë me të gjithë bashkëluftëtarët, me popullin që e mbështeste. Dallohej si strateg, trim, gjakftohtë në veprime luftarake. Ishte koha, kur me Rexhep Selimin e të tjerë, ai ndërmerrte aksione. Ishin ato kohë, kur UÇK-ja po rritej e po zgjerohej çdo ditë e shumë. Shtëpitë shqiptare u bënë strehim për luftëtarë, u bënë shtabe, u bënë sofra për luftëtarët e lirisë. Muja me bashkëluftëtarë rekrutonin çdo ditë ushtarë të rinj. Po printe Drenica e Ahmet Delisë, e Azem e Shotë Galicës, e Shaban Palluzhës e Tahir Mehës. Drenica e Adem Jasharit. Prej këtu lufta çlirimtare përhapej në gjithë Kosovën. Mësynin të rinj e burra, me e pa armë, të hynin në radhët e UÇK-së. Sa e sa herë kishte shkuar vetë, në ballë të këtyre grupeve, Muja, për ta furnizuar UÇK-në me armë, duke përballuar shtigjet e gjata këmbë, motion e lig, pritat armike, terrenin e vështirë. Ndërkaq, më 5 mars të vitit 1998, Mujë Krasniqi luftonte në Burojë e në Vojnik, kur lufta tashmë po merrte përmasa të gjera. Kudo u shqua me trimëri, guxim e me aftësi luftarake. Në prill të vitit 1998, gjatë kryerjes së detyrës së dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Muja plagoset rëndë,a tash për herë të dytë, mbasi herën e parë ishte plagosur në luftimet në Rrafshin e Llullës. megjithatë, ai i mposht plagët. Në këtë kohë spital8 ushatark ishte vendosur në Likoc. Mjeku Fadil Beka bënte çmos që të përmirësohej gjendja e Mujës, deri në ndërhyrjen kirurgjikale. Në këtë kohë, dr. Pashk Buzhala, i cili ia kishte dhënë ndihmën e parë Mujës, thoshte: “E sollën natën deri te unë. E mbajtëm sekret palgosjen e tij. Plagët ishin të rënda, por ai as of nuk bënte. Njeri çelik.” Ishte i pari pacient i spitalit të Likocit, ashtu si i pari printe në luftë.
Makineria ushtarake-policore serbe e kishte njohur mirë fshatin Çabiq, sepse aty gjendeshin rrënjët e rezistencës së armatosur, aty ku e kishte vendin e tij të lindjes edhe komandant Mujë Krasniuqi, vëllai i tij dëshmor, Aliu. Gjithashtu, luftëtarët e lirisë së këtij fshati, i kishte stërvitur e dhënë zemër për luftë edhe strategu i madh, Bekim Berisha, i njohur me nofkën Abeja. Andaj, makineria serbe e kishte vështirë të depërtonte e ta pushtonte këtë fshat. Filluan betejat e mëdha në këto anë që në pranverë të vitit 1998. Kështu, e tillë ishte beteja e forcave të UÇK-së në Rigjevë, në Stapanicë, në zonat e fshatit Çabiq, në Qëndresë (ish Gllarevë); vijë luftarake frontale që shkonte kah Kijeva, e cila atëherë konsiderohej si pika më e rrezikshme dhe më e nxehta në Evropë. Për dy vite luftë nga ky fshat u martirizuan 24 veta: pleq, gra, foshnje, civilë duarthatë, vetëm pse gjendeshin praën UÇK-së, me të cilën ndanin dhimbjet, mundimet, gëzimet e fitoreve dhe fatin e Kosovës.
II. I PLAGOSUR TRI HERË, PRINTE KUNDËR OFENSIVAVE ARMIKE
Bedri Gashi, bashkëluftëtar e bashkëvendës i Mujës, në librin e tij “Mujë Krasniqi – një jetë për liri”, evokon atë betejë: “Më 25 korrik 1998 në vendin e quajtur Gryka e Kullës në Dollc të Klinës, ndodhi luftë, një betejë e madhe … Luftën e udhëhoqi, kush tjetër, përveç komandant Mujë Krasniqit. I pashëruar deri në fund dhe me plagët në trup që kullonin, Kapuçi ishte kthyer suksesshëm për t’i bashkuar të gjitha njësitet e krahut tonë në luftë kundër forcave serbe.”
Një betejë, e cilësuar epope
Më tutje ai shkruan se me “kthimin e Mujës pasojnë betejat e mëdha, të mundimshme, sakrifikuese dhe krenare në ZOD. Këtë betejë të madhe lirisht mund ta quaj historike, për vetë rezistencën e bërë dhe për vetë faktin e përballjes së patrembshme të përballjes me armikun.” Së pari serbët bëjnë granatimet e gjata kundër pozicioneve të UÇK-së e fshatrave përreth. Mandej “rreth orës 11 forcat serbe marshuan drejt nesh. Në këtë betejë jemi rreshtuar pesë njësite përgjatë vijës së asfaltit në fshatin Rixhevë. Njësiti ‘Therra’ me komandant Halil Bytyçin që gjithnjë na ka ndihmuar gjatë zhvillimit të shumë betejave, ishte në vijën e parë të frontit, bashkë me njësitin ‘Alfa’ (njësit I formuar në Çabiq në prill 1998, me degëzimet në fshatrat përreth). Njësiti nga Mleqani, me komandant Beqir Gashin, ishte në të njëjtat istikame të ‘Alfës’. Ishin radhitur njësitet ‘Korbi’, ‘Graniti’ dhe ‘Alfa II – Beta’ deri në fshatin Burim (ish Stapanicë”, sqaron Bedri Grashi. Muja vraponte nëpër të gjitha pozicionet. Në vendin e betejës, ku kishte rënë dëshmor Muhamet Haxhaj, armiku bënte pozicione të rrejshme. Forcat serbe nuk gjuajtën. Muja nuk u pajtua me këtë heshtje s, merr katër ushtarë dhe niset t’i sulmojë pozicionet serbe nga ana tjetër e bregut. Oficeri serb mbante plane në dorë, duke u shpjeguar kriminelëve. Oficeri bie i vrarë nga pushka e Mujës, aty ku kishte rënë Muhamet Haxhaj. Vijnë rafalë të pareshtur. Serbët, përmes radi0lidhjeve, bërtitnin se ai plumb që vrau oficerin e tyre “mbiui nga dheu”! Serbët sulmojnë nga i gjithë arsenali. Lufta zhvillohet në distance të afërta. Këmbësoria serbe vërshon shtigjeve, por luftëtarët e lirisë gjuajnë me bomba e armë të lehta, mbi automjetet e armikut e mbi ushtarët armiq. Topxhiu i UÇK-së gjuan pesë herë. Serbët përpiqen ta tërheqin tankun e prishur. “Nga kanalet serbe më 25 korrik e në Rixhevë më 26 korrik thuhet se janë vrarë 34 pjesëtarë të forcave të përziera të ekspeditës ushtarako-policore serbe. Gjithë ditën jemi ndeshur me ta. Ata përdornin taktikë standarde të luftës. Ishin ushtimat e një lufte të vërtetë. ..Qëndresa jonë tronditi forcat serbe që vunë në përdorim rreth 150 automjete të rënda luftarake”, shënon Bedri Gashi. Por, mbi të gjitha, aty ishte lufta që bëri Mujë Krasniqi,sepse ai, ende pa u shëruar mirë, qëndroi përballë ofensivave serbe. Lufta zgjat 17 orë.
Ofensiva tjetër, e ndërmarrë më 27 korrik 1998 nga forcat serbe në drejtim të pozicioneve të UÇK-së, në Fushë të Madhe, në mes fshatrave Siqevë e Dush të Klinës; Muja mbas një rezistencë të madhe plagoset në këmbë, tash për herë të tretë.; aty plagoset edhe bashkëluftëtari i Mujës nga Çabiqi, Ilzet Milazimaj, plagoset luftëtari Enver Marmullaku po nga fshati Dush. Ushtarët dëshmojnë se aty numri i ushtarëve ishte më i madh se i vetë luftëtarëve të UÇK-së.

___________________________________

(Intermezzo:
këto beteja i ka përcjellë edhe autori i këtyre radhëve, si reporter i “Rilindjes” nga zonat e luftës. Në një betejë të ngjashme, në afërsi të Dushit, kur reporteri i këtyre radhëve kërkon nga komandanti informacione për luftën në shtabin e Ujëmirit; Muja prin vetë, e merr veturën me armë dhe, së bashku, shkojmë në vendin ku zhvilloheshin luftimet që zgjatën disa orë.
“Tash e pe vetë. Unë nuk di tjetër çka të informoj”!).
Ishte plagosja e tretë e tij. Po edhe mbas kësaj plagosjeje, ai qëndronte gjithnjë afër luftëtarëve. Edhe ashtu I plagosur, ai futej nëpër istikame, luftonte dhe nuk shkonte për t’u shëruar. Edhe ashtu, ai gjendej kudo në Kosovë e deri në Shqipëri.
“Gjatë verës së vitit 1998 zhvilloheshin për muaj të tërë beteja të shumta e të gjata në vijën e frontit deri në Dollc të Klinës. Muja iu thotë, atje në vijat e frontit, luftëtarëve të tjerë që të uleshin e vetë, ashtu i plagosur e me paterica, rri pip në këmbë…” thotë Osman Gashi. Dhe rrëfimet, jo vetëm të bashkëluftëtarëve, po sidomos nga radhët e popullit, janë të prekshme, të pafund. Ajo verë e vitit 1998, e vijës së frontit që u përmend më lart, rreth Kijevës, cilësohej edhe nga vetë diplomati amerikan, Holbruk, e kishte cilësuar Kijevën si vendin më të rrezikshëm në Evropë.
Kur ra, këndonte nën zë
Me punën e tij të palodhshme ai formoi Brigadën 113, më 19 gusht 1998. SHP i UÇK-së, e emëron Mujën komandant brigade. Aktiviteti I tij luftarak zhvillohej në shumë vende të Kosovës, sidomos në Drenicë, Dukagjin e Pashtrik; që nga Klina e deri në Drenas, duke e dhënë kudo shembullin e tij të vetëmohimit e të luftës heroike. Luftëtarët e kësaj brigade luftuan kudo, në Dukagjin, në Pashtrik në Drenicë. Dallohen luftimet në Vojnik, në Rezallë të Re, në Dollc, Gllarevë, Dush e Siqevë, duke dhënë jetën rreth 150 luftëtarë për lirinë e Kosovës. Në ditët më të vështira të UÇK-së, Zona Operative e Dukagjinit do ta ketë përkrahjen dhe ndihmën e pakursyer të komandant Mujë Krasniqit, ku i dërgoi atje ushtarë më të dalluar të brigadës së vet, në mesin e të cilëve edhe vëlla Aliun, ushtarë nga Ujëmiri, Çabiqi, Dobërdoli, Gllareva e vendet tjera.
Kur Mujë Krasniqi ishte plagosur rëndë, Beqir Gashi caktohet nga SHP i UÇK-së si përcjellës i tij për në Shqipëri. “Për shërim në Tiranë kishin shkuar edhe Sabit Gashi, mandej Gaspër Laci etj. Bartja e tyre bëhet me helikopter prej Hasit e deri në spitalin ushtarak në Tiranë”, kujton Ramadan Selimi. Dëshmitarët thonë se Beqa kishte kujdes të veçantë për Mujën. Ashtu si kishin kënduar së bashku më parë, në koncerte, gazmende, tubime popullore a në pushime në mes betejash, tek i inkurajonin luftëtarët; Beqiri e Muja këndonin shpesh edhe në Tiranë. Teleshikuesit do ta kenë parë Mujën e Beqën tek këndonin në televizionin e njohur CNN, vargjet aq të njohura të këngës popullore:
Kreshtat e Kosovës kanë marrë ngjyrë të kuqe,
Krushqit e Dardanit janë nisë me marrë nuse,
Po u prin përpara shqipja e Kastrotit,
lulëbozhure çelin nëpër flakë baroti.
“Me sugjerimin e shokëve e të mjekëve, Muja, me një grup ushtarësh të plagosur, niset për në Shqipëri më 19 tetor 1998. Për t’u lidhur sa më shpejt me ushtarët në Kosovë, nuk lejoi t’I bëhej trajtim i thellë mjekësor; kështuqë më 14 dhjetor 1998, niset me 141 ushtarë për në Kosovë. Komandant Mujë Krasniqi ra në pritë me vëllanë e tij, Aliun (më i ri) e me 37 shokët tjerë të luftës. Aty, në Luginë të Hasit, zhvillohet një betejë e madhe. Përkundër propagandës së shtypit serb së shtypit serb që përpiqej ta mbulonte ngjarjen, aty zhvillohet një betejë e ashpër, ku komandant Mujë Krasniqi e çau disa herë rrethimin e hekurt armik,” flet për ato ngjarje kolonel Hysni Shabani. Meqë vazhdimisht i largonte të plagosurit nga zona e luftimeve, në njërën ndër këto përpjekje mbinjerëzore e kapën plumbat e armikut. Ra si vdesin trimat, ballë përballë me armikun.
Ishte koha, kur në Kosovë municioni mungonte. Duheshin përgatitje për beteja të reja. Kur u nisën për kufi 141 bashkëluftëtarë për të dërguar armë në Kosovë, më 13 dhjetor 1998, në Cahan të Hasit, Mujë Krasniqi i inkurajon luftëtarët; nga ta nuk ndahen as të plagosurit. Sepse kështu kishte vepruar vetë komandant Muja, me plagë në trup, i cili nuk kishte pranuar të qëndronte më gjatë për shërim dhe i cili nuk pranonte të qëndronte larg luftës e larg luftëtarëve, larg forcës së organizuar ushtarake: “I kam me vete Beqën e Aliun”, iu ishte përgjigjur lutjeve të bashkëluftëtarëve që të mos nisej ashtu.. Ishte natë e errët e një dimri armik. Lufta fillon e rreptë dhe e pabarabartë. Bjeshkët e Shkëlzenit ishin të mbuluara me borë. Natë e errët ishte, ora ishte diku kah dy pas mesnate, kur po gdhinte dita e 14 dhjetorit; kur vëzhguesit bien të parët në pritë. Lufta ishte e pabarabartë. Beqa në këtë betejë, tek po e çante trashësinë e borës, me bashkëluftëtarë, po shembnin edhe kufirin ndërshqiptar, në Lugun e Zi te Lkeni i Ahishtes. Po shembej miti serb i rrethimit të kufirit të hekurt, i atij muri të tragjedive shqiptare. Luftohej fytafyt. “I shtriu për dhé dy ushtarë të armikut vetë Muja, me dy revole në duar, të cilët ishin afruar për të na zënë. Muja më shpëtoi…Muja këndonte nën zë…Katër orë zgjati lufta. Muja e të tjerët aty, kanë mundur të shpëtojnë, por ai bëri të pamundurën që t’I nxirrte të tjerët prej rrethimit. As shkijet nuk shpëtuan lehtë”, na thotë Emin Gashi nga Çabiqi, i cli ka qenë në grupin e luftëtarëve, me ç’rast ranë në kufi 36 luftëtarë të UÇK-së, e, ndër ta, edhe Muja, me vëlaun Aliun. “Për herë të fundit i mbylli sytë edhe Beqa, mbi gjoksin e Mujës, aty ku e kishte të mbështetur kokën. Ashtu, siç shihet nga incizimi, edhe në këtë betejë i kanë qëndruar afër njëri-tjetrit”, thotë vëllau I dëshmorit Beqir Gashit, Brahimi, duke i përkujtuar ato ditë.
Aty Muja, me vëllaun Aliun, me berqën, me Gani Zogjan e me 36 dëhsmorë të tjerë, e përfunduan këngën për lirinë e Kosovës, me pushkë në dorë e me aktin më të lartë e më sublim të vetëflijimit njerëzor. Për të hyrë, së fundi, edhe vetë në këngë:
Kur këndon Beqa flet shqiptari
T’gjithë heronjtë ngriten prej varri
Muja trim i prin kolonës
I rreshton në ballë t’Kosovës.
Kënga e tyre atdhetare
Nuk vdes dot as ndër varre,
Muja, Beqa në një bankë
Tash u kthyen vetë në kangë.
Kështu këndon rapsodi bashkëluftëtar sot, Halit Gashi, tekstin e Fadil Demakut e me muzikë të Naim Gjoshi. Varret e 37 dëshmorve vigjëlojnë në Polacin e Drenicës. Por ata sot jetojnë në lirinë tonë. E kënga e tyre vjen duke I tejshkuar hapësirat e përjetësisë.
“Ai sot jeton në lirinë e të gjithëve”, thekson kolonel Hysni Shabani. Në njëvjetorin e rënies së tij, ishte te kulla e tij e djegur edhe një mysafir I lartë nga Belgjika, tek e bënte vëllazërimin e dy komunave, të Klinës e e të Namyrit. Me atë rast, mysafiri i lartë belg, në emër të popullit të Namyrit, kërkon një minutë heshtje dhe i pik loti për komandantin.
Sepse kjo ushtri kishte finalizuar çlirimin e Kosovës., duke qenë shpresa e këtij populli të shumëvuajtur, për një periudhë shumë të shkurtër dyvjeçare, por duke punuar në ilegale me dekada te tëra. Ishte krenari që e imponoi një periudhë historike, për t’u radhitur krahas aleatëve të NATO-s.
III. SINTEZA E ARTIT ME ESENCËN E HEROIKES
(Figura e Mujë Krasniqit në krijimtarinë artistike)
Mujë Krasniqi ishte edhe vetë rapsod. Ai i frymëzonte bashkëluftëtarët për t’u hedhur në zjarrin e luftës. Ai këndonte në zjarrin e luftës Adem e Hamëz Jasharit, Luan Haradinajt, për komandantët Fehmi Lladrovci e Abedin Rexhës, Besnik Restelicës. Atë e shoqëronin vëllai Aliun, Beqir Gashi e bashkëluftëtarë tjerë. Porse ai vetë, me dëshmorë të tjerë, hyri në këngë, në histori e në artet tona. Si ta bësh sintezën e përvojës historike dhe sintezën e përvojës krijuese në vetë aktin artistik? Si t’i ngërthesh brenda vargut esencën e heroikes e të luftës çlirimtare në ato çaste të rralla meditimi e vetmie të vjedhur, kur përreth gjëmojnë armët; kur në çdo hap je i rrethuar prej vdekjes; kur hapësirat e ekzistimit janë ngushtuar e ngushtuar rrëqethshëm?
Portretizim i thurur me impulse baladike
Kështu do të shtrëngohen të meditojnë jo vetëm krijuesit e studiuesit e fushave të ndryshme të artit, tek i aktualizojnë preokupimet e interesimet e studiuesve të letërsisë, të historianëve të letërsisë apo edhe të folkloristëve, të historianëve, të dijetarëve e të estetëve , për t’i parë edhe njëherë raportet në mes krijimtarisë artistike dhe luftës, nga njëra anë, si dhe interesimet për këtë krijimtari e për literaturën, të lindura në luftë apo menjëherë pas saj. Sido që të jetë, pas thyerjeve të mëdha historike, që nga vitet ’90 e këndej, dhe, sidomos, të thyerjeve që sollën vitet e luftës; së këndejmi, edhe krijimtaria artistike, e krijuar dhe e botuar gjatë atyre viteve dhe menjëherë pas luftës, do të mund të përkufizohej si Krijimtari e luftës apo e rezistencës. Krijimtari e lindur, pra, nga periudha e dhimbjes më të madhe, ashtu edhe nga çastet e vuajtjeve të paskajshme e nga ato të fatkeqësive e të mundimeve kolektive; mu në vatrën e në thelbin e tragjedive më të mëdha njerëzore. Kurse arti do të krijohej mu atëherë, kur librat zhdukeshin e digjeshin më së shumti dhe kur përgjithësisht krijimtaria artistike përndiqej me të gjitha format e dhunës! Të jesh artist në kushtet e paimagjinueshme për artin, ta mveshësh Fjalën e Luftës, edhe në aso kushtesh, me erudicionin krijues e me shenjat simbolike, eliptike, figurative e urtake,- kjo është ajo sfida e madhe e krijuesit përballë krijimit të ngeshëm laboratorik. Ritmi i të madhërishmes dhe tragjikes do t’i artikulojë e do t’i nyjëtojë fuqishëm gjëmimet e oshtimat e shpirtit. Të duket sikur i gjithë prodhimi krijues i kësaj periudhe më shumë do të mbështetet në bëmat njerëzore për liri. Nuk është e çuditshme prandaj, pse figurat e dëshmorëve të luftës së fundit çlirimtare vihen në plan të parë, më shumë se sa vetë ngjarjet e asaj kohe. Në këtë prizëm deshëm ta përvijojmë edhe figurën e komandantit dëshmor e rapsod, Mujë Krasniqit, të paraqitur në krijimtarinë poetike, në krijimtarinë muzikore, po edhe në atë të arteve pamore. Me këso oshtimash e gjëmimesh do ta filojë librin e tij poetik “Engjëjt e lirisë” krijuesi Tahir Desku, edhe vetë reporter lufte e luftëtar i lirisë. Poeti ehap perden. Në skenë lëvizin terri, mortja, vdekja. Atdheu shfaqet në perden e përhirtë. Poeti klith në monolog, diku, pranë një shkëmbi, në vetmi. Diku në majë të botës. Poeti ligjëron aty ku thuren legjendat e gjalla, aty ku mali ynë bëhet i shenjtë., legjendar e mitik, njëkohësisht, tek mban brenda vetes jetët e strehuara njerëzore e armët e lirisë: “Ti je më i lartë se Olimpi”. Pra, krijuesi nuk e endëzon Olimpin individual të shprehjes e të qetësisë shpirtërore, prej nga do t’i vëzhgonte ngeshëm vuajtjen e mundimin e pafund të njerëzve. Ai ligjëron përpara një hapësire të ngushtuar të ekzistimit, para vdekjes e heroikes, po edhe para auditoriumi të paskajë, të pafund; para një auditoriumi të sëmurësh, të plagosurish, të uriturish, kryengritësish e përpara njerëzve nën armë. Në ligjërimin e tillë s’ka zhgënjime apo disponime të ngrysura e të ngërthyera në kornizat e një bote egocentrike. Lufta s’i pranon këto. Sepse ajo bëhet për t’i hapur horizontet e gjera etike. Prandaj, edhe jeta të ligjëron aq e aq natyrshëm; jeta e vënë në zgripin e saj. Prandaj, sa poezi jetësore ka në vetë aktin e ballafaqimit me armën, me vdekjen, me vetësakrifikimin e ndërgjegjshëm! Me impulse të tilla baladike, me refleksione të tilla thellësisht të gjakuara, është thurë poezia “Baladë” që i kushtohet Mujë Krasniqit dhe 36 të tënëve në Gorozhub, më 14 dhjetor 1998. Poeti vetëm teksa e jep me një penelatë lirike sfondin dokumentar-historik. Poezia nuk ka nevojë për të dhëna të tjera, nuk ka nevojë as për parulla apo për përbetime e psherëtima tjera; aty ku pushon reporteri i luftës, aty nis të flasë poezia. Është një poezi antologjike, e cila i detyroi edhe krijuesit muzikorë të përkulen para tekstit të saj të ndjerë thellë dhe ta muzikojnë atë, siç bëri Ilir Shaqiri, për ta ngritu po në të njëjtin piedestal vlerash muzikore.

_________________________________

Një elegji brilante nga Labëria
Kurse figura e Mujës do t’i tërheqë e do t’i frymëzojë krijuesit në shpalimin e dy aspekteve të personalitetit të tij: në atë të vetëflijimit e në atë të këngës folklorike si rapsod, meqë edhe vetë ishte rapsod. Kështu, bashkëluftëtari, bashkëvendësi e bashkëkëngëtari Halit Gashi do ta ketë ndjerë së thelli humbjen e Mujës. Prandaj, në të dy tekstet e këngës ai e pikëzon me art të rrallë muzikor interpretimin e tij. Janë “Sot bilbilit iu ndal kënga”, me tekst të Fadil Demakut e me muzikë të Naim Gjoshit, si dhe “M’ka marrë malli me ju ndigju”, me tekst të Tahir Deskut e Rexhep Selimit e me muzikim e interpretim të vetë Halit Gashit, identifikimi bëhet i plotë:
Bashkë këndojmë një këngë të re
Që po thuret tash për ne
Zëri m dridhet, qiftelia,
Sa e shtrenjtë qenka liria.
Kishim rastin që nëpër festivalet “I këndojmë lirisë”, të cilat organizohen në ditëlindjen e komandant Kapuçit në Klinë, më qershor, te shumë këngë folklorike, ku takohej figura e Mujës, si: “Këngë për Mujë Krasnqin”, kënduar nga Fatmir Berisha, Besim e Bashkim Gashi dhe Sherif Bajraktari; “Këngë për Mujë Krasniqin e Beqir Gashin” nga Behxhet Korpuzi, apo kënga e kënduar me lahutë nga një rapsod prej Deçani. Rapsodi Zymer Kryeziu nga Mleqani i Malishevës, që vjen një truall rapsodësh, raspodëve luftëtarë Mujë Krasniqi e Beqir Gash ua ka kushtuar disa këngë, si: “Këngë për Beqir Gashn e Mujë Krasniqin”, “Pse pushoi një qifteli” etj, rse tek kënga “Këngë për Gani Elshanin” Muj Krasniqi është ai që i prin kolonës së luftës, kurse lavdia e këngës te ky kngtar përfundon me këto vargje:
Prap do t’bie qiftelia
Përmbi ju gjithmonë lavdia
Në Festivalin e dytë shkëlqyen “Bilbilat e Labërisë” nga Vlora e Flamurit, me këngën e bukur polifonike “Nënë Shehidja lindi djalë”. Si polifonia karakteristike e këngës s jugut, si teksti poetik i kënduar sollën në skenn e vendlindjes së Mujës e në atë të Klinës vlera të ndjeshme artistike. Për dersa në gjithë tekstet këngët e kënduara në Kosovë theksi bie mbi figurën e heroit, te kënga labe ky theks bie mbi figurën e Nënës:
35 vjet më parë
nënë Shehidja lindi djalë
këngtar e luftëtar
si me shkë dhe me fjalë
komandant e trim i rrallë
Mujë Krasniqi, o djalë.
Kështu do të reflektojë e ndiejë Seimen Gjikoli: “Një elegji brilante labërie. Zëri i Taire Bozhanit, przier me grykën që ia then t Sinan Gjolekës, vibraqcionet në hedhje të Spiro Çinos, e shoqëruar mjeshtërisht nga isoja dhe tingujt magjepsës të Vendim Kapajt, them pa mëdyshje se atë ditë kanë realizuar një mrekulli” Pra, figura e Mjës tashmë u shtri e u shkri në përmasat e gjithë Atdheut duke u kënduar me frymë tirteiane e homerike, tek e derdhin artin e tyre fisnik në portretizimin e heronjve e të luftëtarëve, po edhe në portretizimin e poetëve e të artistëve, të të afërmve të dashur dhe, gjithsesi, të humanistëve. Për të këndohet e shkruhet si për gjithë universin shqiptar: në Kosovë, në Shqipëri, në Çamëri, në Shkodër, në Prishtinë, në Shkup, në Vlorë: si për dramën tragjike e të rëndë, për dhembjet e pafund e për qëndresën mbinjerëzore të popullit të tij, për holokaustin, për golgotat e për eksodet biblike shqiptare
Në derdhjet e tilla të figurimeve letrare e të përjetimeve të ndjeshme, krijuesit nuk shfaqin shpirtngushtësinë e tyre apo egoizmin e barrikaduar ideologjik; në krijimet e tyre nuk ka “seleksionim figurash” apo “taborre dëshmorësh” të ndarë nga njëri-tjetri. Kurrsesi. Ata, të gjithë së bashku, në këtë testament lënë një gjurmë nderi a një vazhdë të ndritur shpirti. Kështu do ta përjetojmë edhe pikturën murale të piktorit akademik, Idriz Berishës, në ballë të Shtëpisë së Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, figurë, e cila i jep domethënie të veçantë ambientit përreth, për ta lënë përshtypjen sikur igurat e komandantëve lavdiplotë, Adem e Hamëz Jasharit e të Mujë Krasnqit, do të vështrojnë gjithnjë prej nesh si Roje e Mburoje nderi e shpirti. Kështu do ta kuptojmë edhe poezin e bukur të një poeti tjetër klinas, Hajdin Morinës, të botuat në “Rilindja” të datës 1 korrik 2000, me titullin “Gjaku i Mujës” Ligjërimi poetik, në këso rastesh, sikur udhëton drejt një finaleje ende të papërfunduar të ëndrrës e të dhembjes atdhetare e njerëzore në luftërat e fundit çlirimtare. Këto manifestime, në ndeshjet e tyre midis jetës dhe vdekjes,
Në arte, megjithatë, është i njohur parimi i ndriçimit të rjmtarisë me vetë aktin jetësor, ashtu sikundër do të përfshinte ky parim edhe ndriçimin e aktit jetësor me anë të krjimtarisë. Në këtë drejtim krijuesit artistikë, duke e trajtuar figurun e Mujës, anë arritur ta shpërfaqin një komunikim krejt të ri artistik. Një komunikim, i lindur mundimshëm nga vdekja e nga heroikja, po i drejtuar kundër ngërthehen në një ligjëratë të drejtpërdrejtë poetike. vdekjes. Një komunikim aq universal që vë lidhje me njerëzoren. Tek e fundit, ky komunikim shkrin dhe shfaq më vete përmasën humane, njerëzore, si dhe atë katarzën e njohur aristoteliane me efekt çlirues: lufta dhe liria janë vepër e të gjithëve, janë fitore e mundimeve, e vuajtjeve dhe e sakrificave të përbashkëta kundër atij terri shekullor.
ATA U KTHYEN VETË NË KËNGË
(Për dëshmorin Beqir Sefë Gashi)
Të duket sikur ende e dëgjon jehonën e këngëve të rapsodit nga do kohë epike, Sefë Mleqanit, për bylykbash Mujën e Sokol Halilin, posa t’i afrohesh fshatit Mleqan. Do të përcilet, mandej, kjo stafetë këngësh e kjo jehonë rapsodish të këngëve kreshnike dhe të atyre të trimërisë, për t’u kënduar përkushtueshëm e ndjeshëm nga bijtë e Sefës: Ymeri, Osmani, Brahimi, Ismeti e Beqiri. Gjithë kjo jehonë përjetësie nga shekujt derdhet edhe tani tek shpirti e zëri i më të vegjëlve, te Ismeti (10 vjeçar) e Shpëtimi (8-vjeçar), bij të dëshmorit Beqir Gashi. E kënga, tek kjo familje, nuk e kishte vetëm përmasën e përjetimit të vlerave estetike, as vetëm përmasën e traditës së kënduar; ajo e kishte edhe identifikimin me bëmat e me sakrificën e trimave të rënë për atdhe. Prandaj, këta vëllezër edhe do të përndiqen nga regjimet sllave. Pos Ismetit, edhe Osmani qe burgosur për shkak të këngës. Publiku i Kosovës i mban mend dhe i pëlqente shumë paraqitjet e tyre nëpër koncerte, nëpër emisionet radiotelevizive, nëpër gazmende familjare a nëpër festat kombëtare. Njiheshin si “Të bijtë e Sefës”, me repertoarin e tyre të pasur, që përbëhej nga këngët e traditës dhe nga ato origjinale.
Një familje që nuk iu nda këngës dhe sakrificave për Atdhe
Tashmë në muret e odave të këtyre rapsodëve kanë zënë vendet e nderit fotot e prindit të tyre, Sefës (atë e ka fotografuar Anton Çetta, thonë me krenari Brahimi e Osmani), mandej fotoja e dëshmorit Beqir Gashi (3 janar 1966-14 dhjetor 1998). Atë vend nderi e ka edhe vëllau dy vjet më i madh se Beqa, Ismet Gashi, i cili ishte i burgosur politik e i dënuar me tre vjet burg më 1982, së bashku me gjashtë shokë të tjerë. Burgun, dy vjet e gjysmë, e kishte mbajtur në Idrizovën famëkeqe, të cilit, mbasi kishte dalë nga burgu, i kurdiset vrasja “në rrethana tragjike”, siç u tha atbotë. Kjo familje, gjatë luftës së fundit, aq sa pati përjetime krenare, aq edhe të rënda. Osmani përkujton zhvendosjet nëpër male: ”Me kallzue krejt çka kemi përjetue, zor se del letër që i nxen të tana”, thotë ai, i cili thotë se i ka parë 13 burra të masakruar gjatë luftës: “Gjaku rridhte nga oborri e ecte nëpër vija e dilte në rrugë”. Lufta ua mori vëllaun tjetër, Xhafer Gashin (1950-1998), i cili qe vrarë më 12 nëntor të vitit 1998 te pragu i shtëpisë, për vrasjen e të cilit Osmani përkujton: “Mbas ofensivave armike të verës së vitit 1998, qemë kthyer në shtëpitë tona. Isha për ngushëllime, në një të pame, këtu, në Mleqan, te Sherif Kryeziu, që e kishin mbytur serbët në bunar. Në këtë kohë Beqiri kishte shkuar në Shqipëri për armë. Xhaferi kishte shkuar te shkolla për t’iu thënë se ‘du me shkue edhe unë ushtar i UÇK-së’.Po kthehet për shtëpi, se i vjen një dhëndër nga Krajkova. Në ndërkohë, kish ardhur një automjet i ushtrisë serbe, për të cilin fillimisht u mendua se ishte i OSBE-së, mbasi ishte maskuar me targa të OSBE-së. Xhaferi shkon drejt tyre, me armën që e kishte me vete. Shkijet e çelin derën, gjuajnë në Xhaferin, e vrasin dhe largohen me shpejtësi. Me këtë rast plagoset edhe Rexhep Shala, ushtar i UÇK-së. Kur shkova në shtëpi, Xhaferi ishte ende gjallë, e morëm për ta dërguar për shërim në Bajicë. E mori për shërim dr. Gani Halilaj, por vëllau vdiq.” Mirëpo, serbët e kishin goditur këtë familje që në vlugun e betejave të furishme që zhvilloheshin gjatë asaj vere. Kështu, në korrik të vitit 1998, duke gjuajtur me granata nga Kijeva, pesë të tila kishin rënë në oborrin e Sefajve. Plagosen vajza nëntëvjeçe e Ismetit, Atifetja dhe vëllau i madh i Osmanit, Ymeri. ”Atifeten e donte si fëmijët e vet”, thonë vëllezërit.
Nuk iu nda asnjëherë komandantit Mujë Krasniqi
“Ka qenë herët i kyçur në lëvizjen ilegale, kur ishte nxënës i shkollës së mesme “Luigj Gurakuqi” të Klinës, në paralelet e ndara në Kijevë. Në Kijevë e kishte kryer edhe filloren. Aty, pranë, i kishte Mujë Krasniqin e profesoreshën Xheve Krasniqin – Lladrocin (tash dëshmore legjendare), e cila i drejtonte dhe i frymëzonte për veprme atdhetare”, – përkujton Brahimi, i cili është arsimtar I muzikës. Kurse këngën Beqa e donte që kur ishte fëmijë 7 vjeç. Më 1980 Beqa kishte paraqitje edhe në TVP. E kishte në shpirt që atëherë këngën atdhetare. Merrte pjesë në gara komunale si solist dhe gjithnjë fitonte shpërblime. Autorit të këtyre radhëve (si profesor në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” të Kijevës), do t’i bjerë hise që, së bashku me regjisorin Ismajl Ymeri, t’i përzgjedhë nxënësit më të talentuar për aktrim në filmin “Lepuri me pesë këmbë”, në mesin e të cilëve edhe Beqën. Në këtë film Beqiri shhkëlqeu në një rol mjaft të rëndësishëm. Ka kënduar në shoqëritë kuturore-artistike të atyre viteve, në Kijevë e Klinë. Këngën e këndonte dhe e përjetonte shpirtërisht. Ndër to, e donte Këngën për Demë Ahmetin, të cilit shkijet i kishin djegur çdo gjë. Në lëvizjet e haptë të rptotestave shqiptare që shpërtheu gjatë viteve ’80, Beqa i kishte ngritë peshë shpirtrat e revoltuar të prindërve, nxënësve e arsimtarëve, kur e këndonte këngën për Luigj Gurakuqin, figurën e të cilit po e sulmonin shqipfolësit e yshtur nga serbomëdhenjtë. Mandej ishte regjistruar student i degës së matematikës në SHLP.
“Nga Mujë Krasniqi nuk asht nda asnjiherë”, thonë Osmani e Brahimi. Osmani shton: “Prandaj, ishte e natyrshme edhe radhitja e tij në celulat e para luftarake. Beqa ishte dhandër i Mujë Krasniqit. Isha vetë në dijeni, që më 1997 se diçka po bënin, kur e pashë në rroba ushtarake, me emblemën e UÇK-së e me pushkë. Njëherë, vijsha me qerren e kuajve, prej Tërdeci, me Xhaferin, ku morëm miell për 30 anëtarët e familjes. Kur erdhëm Te Vorret e Tërdecit, Beqa ishte te kulla e Ilaz Cenë Gashit. Na ban me shenjë që të kem kujdes se duen me e gjuejtë milicinë serbe… E kur dolën haptas, kërkoi leje prej Nanës e prej ne vllaznëve. Nana i tha se do të mbahet.” Ndërsa autori i shkrimit “Pushkë e çifteli I shkrinë për Kosovën”, Rizah Selimi (botuar te revista “Çlirimi”), shkoq këtë episod jetësor: “Kur Beqa del për herë të parë në vijën e frontit dhe iu bashkohet luftëtarëve të tjerë, një ushtar i drejtohet: ‘O Beqë, ty të kemi për këngë’. Beqa përgjigjet se koha tani është për pushkë e për këngë.“ Dhe Beqa e bashkoi me Mujën pushkën dhe këngën. Osmani përkujton më tutje:
“Gjatë verës së vitit 1998 zhvilloheshin për muaj të tërë beteja të shumta e të gjata në vijën e frontit deri në Dollc të Klinës. Beqa s’u nda Mujës. Muja iu thotë, atje në vijat e frontit, Beqës e luftëtarëve të tjerë që të uleshin e vetë, ashtu I plagosur e me paterica, rri pip në këmbë…E kështu, Beqiri merrte pjesë në shumë beteja, në Dollc, në Tërdec, në Llaushë e ku jo, në kuadër të Brigadës 113”, kurse Brahimi shton se Beqa, me katër luftëtarë të Mleqanit, disa herë ka shkuar në Shqipëri për armë. Mleqani gjendet shumë afër Kijevës. Vetë diplomati amerkan, Holbruk, e kishte cilësuar Kijevën si vendin më të rrezikshëm në Evropë.

_________________________________

Aty ku u shemb muri i tragjedive shqiptare
Kështu, edhe kur Mujë Krasniqi ishte plagosur rëndë, Beqa caktohet nga SHP I UÇK-së si përcjellës i tij për në Shqipëri. Në betejën e Cerovikut edhe vetë Beqiri ishte i plagosur nga snajperistët serbë. Ishte 19 tetori i vitit 1998, kur ata marrin rrugën për në Shqipëri. “Për shërim në Tiranë kishin shkuar edhe Sabit Gashi, mandej Gaspër Laci etj. Bartja e tyre bëhet me helikopter prej Hasit e deri në spitalin ushtarak në Tiranë”, shkruan R. Selimi. Dëshmitarët thonë se Beqa kishte kujdes të veçantë për Mujën. Ashtu si kishin kënduar së bashku më parë, në koncerte, gazmende, tubime popullore a në pushime në mes betejash, tek i inkurajonin luftëtarët; Beqiri e Muja këndonin shpesh edhe në Tiranë. Teleshikuesit do ta kenë parë Mujën e Beqën tek këndonin në televizionin e njohur CNN, vargjet aq të njohura të këngës popullore:
Kreshtat e Kosovës kanë marrë ngjyrë të kuqe,
Krushqit e Dardanit janë nisë me marrë nuse,
Po u prin përpara shqipja e Kastrotit,
lulëbozhure çelin nëpër flakë baroti.
Në Kosovë municioni mungonte. Duheshin përgatitje për beteja të reja. Kur u nisën për kufi 141 bashkëluftëtarë për të dërguar armë në Kosovë, më 13 dhjetor 1998, në Cahan të Hasit, Mujë Krasniqi i inkurajon luftëtarët; nga ta nuk ndahen as të plagosurit. Sepse kështu kishte vepruar vetë komandant Muja, me plagë në trup, i cili nuk kishte pranuar të qëndronte më gjatë për shërim dhe i cili nuk pranonte të qëndonte larg luftës e larg luftëtarëve, larg forcës së organizuar ushtarake: “I kam me vete Beqën e Aliun”, iu ishte përgjigjur lutjeve të bashkëluftëtarëve që të mos nisej ashtu. Ishte dimër i vështirë. Bjeshkët e Shkëlzenit ishin të mbuluara me borë. Natë e errët ishte, ora ishte diku kah dy pas mesnate, kur po gdhinte dita e 14 dhjetorit; kur vëzhguesit bien të parët në pritë. Lufta ishte e pabarabartë. Beqa në këtë betejë, tek po e çante trashësinë e borës, me bashkëluftëtarë, po shembnin edhe kufirin ndërshqiptar, në Lugun e Zi te Lkeni i Ahishtes. Po shembej miti serb i rrethimit të kufirit të hekurt, i atij muri të tragjedive shqiptare. Luftohej fytafyt. “I shtriu për dhé dy ushtarë të armikut vetë Muja, me dy revole në duar, të cilët ishin afruar për të na zënë. Muja më shpëtoi…Muja këndonte nën zë…Katër orë zgjati lufta. Muja e të tjerët aty, kanë mundur të shpëtojnë, por ai bëri të pamundurën që t’I nxirrte të tjerët prej rrethimit. As shkijet nuk shpëtuan lehtë”, na thotë Emin Gashi nga Çabiqi, i cli ka qenë në grupin e luftëtarëve, me ç’rast ranë në kufi 36 luftëtarë të UÇK-së, e, ndër ta, edhe Muja, me të vëllanë, Aliun. “Për herë të fundit i mbylli sytë edhe Beqa, mbi gjokin e Mujës, aty ku e kishte të mbështetur kokën. Ashtu, siç shihet nga incizimi, edhe në këtë betejë i kanë qëndruar afër njëri-tjetrit”, thotë vëllai, Brahimi, duke i përkujtuar ato ditë. Propaganda serbe u mundua ta mbulonte ngjarjen, por aty u zhvillua një betejë e ashpër, ku komandant Mujë Krasniqi, me Beqën e të tjerë, disa herë e theu rrethimin e hekurt serb. Duke bërë përpjekje që nga ai rrethim i zjarrit, t’i
tërhiqnin shokët, bien edhe ata. Aty Beqa me Mujën e përfunduan këngën për lirinë e Kosovës, me pushkë në dorë e me aktin më të lartë e më sublim të vetëflijimit njerëzor. Për të hyrë, së fundi, edhe vetë në këngë:
Kur këndon Beqa flet shqiptari
T’gjithë heronjtë ngriten prej varri
Muja trim i prin kolonës
I rreshton në ballë t’Kosovës.
Kënga e tyre atdhetare
Nuk vdes dot as ndër varre,
Muja, Beqa në një bankë
Tash u kthyen vetë në kangë.
Kështu këndon rapsodi bashkëluftëtar sot, Halit Gashi, tekstin e Fadil Demakut e me muzikë të Naim Gjoshi. Varret e 36 dëshmorëve vigjilojnë në Polacin e Drenicës. Por ata sot jetojnë në lirinë tonë. E kënga e tyre vjen duke I tejshkuar hapësirat e përjetësisë.
(Marrë nga libri: Prend Buzhala: “MUZA E KUJTESËS”, 2007)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura