REXHEP KASUMAJ: KONFORMIZMI QE VRET …

Berlin, 21 maj 2019: (Mbi personalizimin e të vërtetës)
1.
Parisi mirëpriste botën që kish vajtur të ndante dhimbjen për sulmin mortor në redaksinë e Charli-Hebdo-së. Dhe, ndërsa prania e të tjerëve kje një gjest politik, madje hipokrizi e kulluar, marshi i klerikëve shqiptarë përçonte shpirt koekzistence. Ishte, thjeshtë, një mikrokozmos tolerance që Europa ëndërronte ndër shekuj. Por vetë shqiptarët, elita e dijes do t’i dërgonte më herët mbarë Dheut kumtin e kundërt. Një pretendim të rëndë, të trishtë. Një maskë shëmtie mbi ftyrën e pafaj…

2.
“Shkodra ishte qyteti më i përçarë shqiptar në punë feje. I ndarë si me thikë midis katolikëve dhe myslimanëve, ai shkumëzonte nga pasionet e të dyja palëve kundër njëra-tjetrës… Një traditë e tërë urrejtjeje, e mjaftueshme të ushqente breza të tërë njerëzorë, mbahej gjallë me të gjitha mjetet: libra, revista, shoqata, procesione, thashetheme, përdhosje vendesh të shenjta, grindje, vrasje e gjer te masakra që shmangeshin me vështirësi.”
Rilexova këtë fragment nga një ese i Kadaresë për Migjenin dhe u tmerrova. Si qenkësh e mundur? Pyetja që bëra në heshtje, trondiste gjithë kullën e kulturës që përceptoja. Një nga postulatet e vetë qytetnisë shqiptare.
Unë që besoja krenisht m’një pamje tjetër historie, s’arrija kurrësesi të dyshoja dhe, më pas, të bashkëpohoja: athua kështu paskësh qenë!
Përvojat e zonës ku jam burrnuar rrëfejnë krejtësisht ndryshe: as urrejtje, as konflikte, as mnirje, as përçarje, as vrasje ndërfetare. Përkundrazi. Shqiptarët i diferenconin fiset, por asnjëherë feja. Edhe krushqitë s’do të kenë ndalesë, prag fatal përkatësinë religjioze. Kjenë vetëm fiset, 12 tyresh, që nuk përzjenin deri vonë gjakun e tyre.
3.
Shkodra paraqitej si metaforë negative. E zezë. Dhe një ekzemplar bashkëjetese të vështirë e përfytëse ndër shqiptarë.
Urrej iluzionet. Lavdinë e shpifur. Dhe delirin e madhështisë së paqenë kombëtare. Megjithatë e besoj virtytin rrallë të harmonisë fetare të popullit tim.
Sidoqoftë, është e bukur, fisnike kur shkrimtari i shpërfaq botës të vërtetën, sado të errtë, për kombit të vet. Është një përndritje intelektuale dhe naltësi njerëzore. Madje, një shërbesë që i bën Votrës, sepse e vërteta, vetëm ajo, i hap udhët e dritësisë.
Mirëpo shpjegimi, me gjasë, del të jetë ndryshe. Kadare do t’a shkruaj trajtesën në kohën e Rendit komunist. Ushtrimi i fesë ishte ndaluar. Entusiazmi për veçanësinë planetare, për vrasjen e Zotit, ishte i madh. Po meqë njeriu s’bën dot pa Zotin, aherë ai do zëvendësohej me një Instancë tjetër tokësore. Për të rrafshuar sfidën, në kazamate gulagësh vuanin mëkatin e mashtrimit gjithë eprorët e saj. Urrejtshëm dergjeshin, sidomos, dinjitarët e iluminuar françeskanë…
Ndaj dhe, besnik ndaj konformizmit legjendar, Kadare personalizonte të vërtetën dhe mallkonte periudhën para-ateiste. Që, ashtu, si provë shërbese a hir lojaliteti, të përligjte përulësisht suspendimin e saj. Të ideologjisë Zotmunguese, si fillesë e lirisë së njeriut!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

KRIMI ME VAKSINA!

KRIMI ME VAKSINA! Senatori australian, Malcolm Roberts bën thirrje për akuza kundër burokratëve shëndetësorë për krimet Covid Nga…