ILMI MUZAQI: NË BURGUN E GOSPIQIT TORTURAT ISHIN TË TMERRSHME!(I)

 (Pashtriku.org, 22. 01. 2013) – Duke shfletuar historinë e popullit shqiptar, duke e njohur njëkohësisht udhën drejt lirisë, me të drejtë mund të konstatojmë se ky popull ka përjetuar egërsinë e pushtuesve të shumtë. Kjo egërsi si e tillë u shfaq në mënyrë dramatike, e sistemuar sipas metodave të ndryshme të një dhune të paparë, por edhe sipas metodave dinake e psikologjike, sidomos duke përfshirë perudhën pas viteve 1912 e deri më ditët e sotme. S`ka dyshim kjo dhunë ishte shfaqja më e egër drejt synimeve për zhbërjen popullit autokton shqiptar, nga udhëheqjet e një populli që kishte shtrirë epshet e veta të egërsisë për të pushtuar dhe për të fituar në saje të arrogancës dhe çmendurisë. Filozofia e zhbërjes dhe në anën tjetër filozofia e ruajtjes së identitetit, sollën një luftë të pakompromis. Megjithatë, populli shqiptar me luftën heroike dhe qëndresën e tij nëpër periudha të ndryshme kohore, ishte i përkushtuar t`i ruante tiparet dhe vlerat kombëtare, natyrshëm pra edhe trojet e veta, madje me çdo çmim duke vënë në pah moscopëtimin e Shqipërisë. E megjithëkëtë popullin shqiptar dhe atdheun e tij e copëtuan dhelpërat politike europiane dhe ujqërit e tërbuar, fqinjët e Shqipërisë. Por, bijtë dhe bijat më të mirë të Atdheut nuk u thyen shpirtërisht.
Në fakt lind pyetja pse tërë këtë fatkeqësi e ka kombi ynë!?
Sigurisht kjo fatkeqësi erdhi së toku me filozofinë e zhbërjes, nga një popull që në unin e tij kishte krijuar urrejtje, tërbime për të robëruar e pushtuar. Me të gjitha këto elemente barbare, ky popull i Karpateve u bë fatkeq për Ballkanin, i cili shtrihej në mënyrë të pakontrolluar në viset e vendësve. Ardhja dhe shtrirja e tyre në Ballkan u bë në mënyrë të heshtur e thua të padukshme, si njerëz të rrugëve “arixhi”, të cilët, më vonë, në saje të filozofisë së zhbërjes, filluan të dalin në skenë.
Siç shihet edhe nga historia, në kohën e pushtimit osman, këta ardhacakë ishin shumë të favorizuar. Ky favorizim për ta u bë në saje të përkuljes e të joshjes, pikërisht në atë kohë kur pushtuesi otoman kishte shtrirë pushtimin e vetë gati në të tërë Ballkanin. Me këtë shtrirje synonte që ta pushtonte madje edhe shpirtërisht Shqipërinë dhe t`i shuante shpirtrat e heronjve, apo popullit të shqiptar. Por, siç dihet historikisht shqiptarët kur nuk reshtën së punuari, së vepruari dhe së luftuari për liri. Kështu për Turqinë u krijua një katrahurë e madhe, sepse shqiptarët nuk arrinte t`i nënshtronte. Në zjarrin e këtyre përpjekjeve turke për t`i nënshtruar shqiptarët në njërën dhe në anën tjetër lufta e shqiptarëve për liri dhe çlirim, duke qenë tanimë shqiptarët e lodhur, gjetën hapësirë dhe morën fuqi barbare ardhacakët, pra pupujt sllav në Ballkan e në veçanti serbët të cilët u bënë si lugetër.
Realisht këta lugetër të rebeluar, filluan një luftë të hapur ndaj Shqipërisë dhe trojeve të saja. Për fat të keq shqiptarët në këtë periudhë pësuan shumë. Tashmë Serbinë diku hapur e diku fshehurazi rusët e mbronin. Veç kësaj për copëtimin tragjik të trojeve shqiptare, që nga e kaluara e madje deri edhe në ditët tona, janë përgjegjës të shumëfishtë evropianët. E mu për këtë përgjegjësi të tyre sot duhet të jenë pikërisht europianët e sotëm të arsyeshëm, ta thonë të vërtetën dhe ta zgjidhin njëherë e mirë çështjen shqiptare. Zgjidhja e drejtë është e domosdoshme: Shqipërisë t`ia rikthejnë viset e okupuara nga serbo-malazezët, maqedonët dhe grekët, sepse në qoftë se Shqipërinë natyrale e pengojnë për t`u ribashkuar, jo vetëm nuk do të ketë qetësi në Ballkan dhe Europë, por njëkohësisht nuk mund të flitet për vlerat e lirisë dhe demokracisë të cilat i trumbetojnë shumë sidomos europianët e sotëm.
Përmes këtij shkrimi, qëllimi im nuk është që t’ua sjell faktet historike, por jam duke i shfrytëzuar ato, meqë na ndihmojnë për ta sqaruar në thelb idenë dhe shtytjen shpirtërore për të shpjeguar edhe pyetjen se përse kombi shqiptar përjetoi tragjeditë e njëpasnjëshme.
Për ta zbërthyer sa më qartë këtë ide dhe për t’ia afruar lexuesit një histori të dhimbshme që kanë përjetuar shqiptarët, do të flasim drejtpërsëdrejti me njerëzit që përjetuan torturat, dhunën, brutalitetin e tmerret në burgjet jugosllave, vetëm dhe vetëm pse ishin dhe janë shqiptarë dhe ishin dhe janë të patundur në themelet e Shqipërisë natyrale.
Duke filluar me këto figura të ndërgjegjes, historia jonë nuk mund të mos lidhet ngushtësisht me gjakun e dëshmorëve të rënë, e njëkohësisht edhe me legjendën e gjallë bacë Adem Demaçin, i cili për shumë dhjetëvjeçarë e ngriti vetëdijen kombëtare dhe e bëri luftën e madhështore për ribashkimin e Shqipërisë natyrale.

*   *   *

Intervistë me veprimtarin e Lëvizjes sonë Kombëtare Ilmi Mizaqi

Kush është Ilmi Muzaqi?

Ilmi Muzaqi u lind në fshatin Bruznik të komunës së Vushtrrisë, më 05. 02. 1945. Ai është një veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare. Veprimtaria e tij atdhetare filloi si i ri, sepse që atëherë kishte bindje të theksuara atdhetare. Ai kurrë s`pushoi së vepruari për të jetësuar idealet për ribashkimin e Shqipërisë së natyrshme, prandaj policia jugosllave e arrestonte, torturonte dhe më në fund e dënonte me burgim si shumë shqiptarë të tjerë. Sikur shumë familje atdhetare shqiptare ishte padyshim edhe familja e Ilmi Muzaqit, familje në tërësi e përkushtuar ndaj Atdheut, duke ruajtur të shenjtë frymëzimin e patjetërsueshëm se një ditë të gjithë shqiptarët do të bëhen pjesë e jetës së lirë në Shqipërinë etnike. Pa bashkimin e kombit nuk ka as jetë, as liri. Ky qëllim u bë pjesë e pandarë e kësaj familje, prandaj kishin luftuar kundër forcave pushtuese çetnike. Familja Muzaqi ishte njëra ndër ato familje që ia kishte dhuruar djemtë e vetë luftës, ashtu si edhe shumë familje të tjera shqiptare, me të vetmin qëllim për t`i çliruar viset e robëruara shqiptare dhe për t`i ribashkuar me shtetin shqiptar. Me këtë bindje bijtë e kësaj familje iu bashkëngjitën edhe radhëve të çetës të Shaban Palluzhës dhe iu përgjigjën thirrjes: “Kush është shqiptar t’i dalë zot Atdheut”. Kjo thirrje e preku në shpirt birin e Muzaqëve, Adem Muzaqi – Mixha i cili pahezituar fare ju bashkua çetave çlirimtare. Në saje të aktivitetit të tij bëhet njëri ndër komandantët në batalionin e Ortokollit. Kështu ju besua detyra e udhëheqjes dhe komandimit të një numri prej më shumë se 300 ushtarëve. Po përveç Mixhës që tashmë ishte bërë komandat, në këtë luftë në detyrën e rreshterit kishte qenë edhe babai i tij Ali Muzaqi. Kjo vazhdimësi atdhetare e kësaj familje u përcoll brez pas brezi. Kështu më, 1981 del në skenë një figurë e re e kësaj familje po me të njëjtat ideale, që me atë shtytje shpirtërore e familjare, i cili edhe u bë njëri ndër nismëtarët e parë të demonstratave të vitit 1981 në Vushtrri. Ne duke parë se si figurat e ndërgjegjes disi po lihen anash, e ndonjëherë edhe përbuzen e braktisen, mendoj se dikush duhet të shkruajë për to, sepse edhe brezat e ardhshëm dhe shoqëria sotme duhet ta kuptojnë se pa lëvizjen e veprimtarinë atdhetare të atyre bijve të devotshëm të shqiptarizmës nuk do ta kishim sot aspak frymëmarrjen e lirë në Kosovë.
* * *
Pyetja: I nderuari I.Muzaqi më duket se politika e sotme disi gjeneratën tuaj atdhetare, atë më të hershmen e gjithashtu edhe më të vonshmen i ka lënë anash. Si do ta komentonit ju këtë?
I.Muzaqi
:Natyrisht nuk pajtohem dhe s`do të pajtohem kurrë, sepse ne kemi qenë drejtpërsëdrejti pjesëmarrës aktiv në të gjitha situatat e ngjarjet e rëndësishme kombëtare, sidomos që nga viti 19981, ndoshta edhe udhërrëfyes, prandaj kjo që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë, pas Luftës së UÇK-ës, duke anashkaluar figurat e ndërgjegjes kombëtare më duket jo vetëm e çuditshme por edhe kriminale.
Pyetja: E sot, ku jemi !?
I.Muzaqi:
Ne jemi përcaktuar për ta bërë Shqipërinë etnike, kurse ulëset nuk na bëjnë përshtypje, e as politika e sotme.
Pyetja: Mirë, po largohemi nga e sotmja e po fillojmë me vlugun e punës tuaj të rinisë. Na thoni se ç`ju shtyri të jeni i lidhur ngushtësisht me ngjarjet e 81-ës?
I.Muzaqi:
Po u them shkurt për pjesën e parë të pyetjes: rinia ka qenë, është dhe do të jetë promotor i të gjitha ngjarjeve kombëtare. Natyrisht ky ideal i rinisë ende është i freskët në shpirt dhe besoj se derisa të jetësohet ribashkimi i Atdheut, veprimtaria e tyre nuk do të ndalet. E sa i përket pjesës së dytë të pyetjes mund t`ju them se shtytjet janë të mëdha, meqë edhe brezat e mëparshëm na kanë lënë trashëgim përpjekjet, veprimtarinë dhe luftën për liri e Shqipëri. Siç dihet botërisht ne jetonim të robëruar nga Serbia dhe ish Jugosllavia që kishin të qartë qëllimin e tyre për të na zhdukur si popull, prandaj, patjetër, gjaku i pastër shqiptar do të vepronte dhe do të bënte rezistencë aktive. Po sa i përket ngjarjeve të 11 dhe 26 marsit 1981 që ndodhën në Prishtinë, ishin sinjale të qarta që paralajmëronin zgjimin e popullit tonë nga mashtrimet jugosllave. Ndërsa dhuna e policisë ish jugosllave me brutalitetin fashist mbi studentët na shtyri që ne të mendojmë seriozisht se si të veprojmë më tutje, sepse tani më ishim të sigurt se kupa ishte mbushur dhe natyrshëm nuk durohej më dhuna. Unë në atë kohë, isha në rrjedha dhe thuajse për shumë gjëra isha i informuar në hollësi, se si po zhvilloheshin ngjarjet në Prishtinë. Edhe më parë isha i lidhur ngushtësisht më 1979 -ën me disa shokë dhe veprimtarë të shquar të asaj kohe, pikërisht me: Ramadan Pllanën, Xhemajl Pllanën, Selim Pllanën, Shefqet Dibranin, me veprimtarin e shquar Osman Dumoshin, tanimë të ndjerë dhe me Sabri Novosellën. Me Sabriun kam pasur dy takime të rëndësishme në Prishtinë dhe në njërën nga fshatrat e Vushtrrisë, në Dumnicë. Në atë kohë Sabriu ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me veprimtarin e shquar Jusuf Gërvalla. Që ta them më qartë, pasi doli në skenë Hydajet Hyseni dhe mori mbi supet e veta drejtimin e demonstratës, për ne ishte më e lehtë veprimtaria, meqë tashmë e dinim se rruga e veprimtarisë dhe aktiviteteve atdhetare ishte edhe më e qartë. Kjo u pa më konkretisht më 1 prill1881 në demonstratën madhështore në Prishtinë. Pas këtyre ngjarjeve ne kemi filluar nëpër komuna të vepronim, të bënim organizime ta informonim popullin me kërkesat tona të asaj kohe kundër pushtuesit serbo-malazezo-maqedon.
Pyetja: Sipas të dhënave dhe sipas një vepre artistike, konkretisht sipas një drame që kam pasur rastin ta shohë në teatrin e Vushtrrisë, ju keni qenë personazhi kryesor i demonstratës në Vushtrri. A mund të na thoni diçka më shumë?
I.Muzaqi:
Ndoshta nuk më takon mua të them se isha organizator kryesor, por që ta them të drejtën isha njëri ndër nxitësit kryesor, prandaj pa hezituar fare mora mbi supet e mia barrën e organizimit të demonstratës, meqë isha i motivuar për të vepruar dhe e dija se demonstrata do të kishte në tërë Kosovën. Unë ishte i vetëdijshëm se ishte e domosdoshme dhe moralisht e nevojshme t’iu dilnim në përkrahje studentëve dhe kërkesave të arsyeshme të tyre, prandaj iu futa veprimtarisë për organizimin e një demonstrate në Vushtrri. Më vonë më përkrahën trimërisht shokët e punës si: Jakup Shuti, Nebih Sejdiu, Bajram Latifi. Me Jakup Shytin kemi qenë punëtorë të punishtës së Bukoshit të Vushtrrisë. Gjatë orarit të punës me Jakupin kemi biseduar për ngjarjet e Prishtinës. Unë e dija se është njeri i mirë dhe atdhetar, megjithatë isha i interesuar ta kuptoja mendimin e tij. Ai pa hezituar fare i pranoi mendimet e mia e më doli krah për organizimin e demonstratës në Vushtrri. Kështu më, 2 prill vendosëm të niseshim nga fshati Bukosh, i cili është diku afër dy kilometra e gjysmë nga Vushtrria. Pikërisht në ora dymbëdhjetë, atëherë kur është koha e drekës u nisëm të shkonim në punishten e armaturës e të bisedojmë me shokët tanë që punonin atje. Kjo nismë e jona për të demostruar u përkrah pamëdyshje nga punëtorët. U pajtuam gati të gjithë, që demonstrata të fillonte në ora 13,30 edhe pse pati zëra që kundërshtonin, por ama ishin të paktë. Për të siguruar mbarëvajtjen e demonstratës sa më të mirë, meqë kisha marrë për sipër këtë organizimin, ndieja një përgjegjësi të madhe, prandaj i shikoja të gjitha rrugët e mundshme edhe të ndonjë dështimi a të ndonjë veprimi të pahijshëm. Ne dinim se në dalje të punishtes tek porta qëndronte një person si roje me një pushkë M 48. Duke dyshuar se mos rojtari do të shtinte me armë, vendosa fillimisht të bisedoja me të dhe të bindesha se a është i pajisur me municion. Pasi bisedova me të afërsisht 15 minuta, kuptova se ai nuk kishte fare municion. Por, edhe tha se edhe po të kishte municion nuk do ta shtinte kurrë mbi qytetarët e njerëzit e popullit të vet, prandaj u siguruam që të mos kishin merak fare nga ai. Më pas u ktheva me besim tek shokët dhe morëm vendimin që aty t’ia fillonim demonstrimit dhe ashtu ndodhi. Pa u hamendur vazhduam rrugën deri te shkolla e Mesme “Muharrem Bekteshi”.

Heidelberg, 20 Maj 2011: Takimi i Ilmi Muzaqit me Adem Demaçin

Pyetja: I nderuari Ilmi, pse u nisët drejt shkollës, a kishit qëllim që edhe nxënësit t’i përfshini në demonstratë!? 
I.Muzaqi: Jo, ky nuk ishte qëllimi ynë, por ne mësuam se në shkollë ishte mbledhja e anëtarëve të kryesisë së Komitetit Krahinor dhe ne mendonim që t’ju drejtoheshim edhe atyre me kërkesat tona të arsyeshme të asaj kohe. Po me të shkuar në oborrin e shkollës doli ish kryetari, tashmë i ndjeri Isak Merovci, i cili më njihte mirë, pasi ishte edhe mik i familjes sonë dhe mu drejtua me këto fjalë: “Ilmi ju lutem, ta ndërprisni demonstratën, sepse jemi në mbledhjen e partisë, me anëtarët e Komitetit Krahinor”. Ndërsa përgjigjja jonë ishte: “Demonstratat nuk i ndalojmë për hatër të askujt dhe mu për këtë arsye kërkesat tona do të jenë edhe më të fuqishme që t’ua tërheqim vërejtjen komitetlinjve se ç`po ndodh me popullin tonë”. Derisa zgjati kjo bisedë nxënësit e vitit të katërt që mbanin gjuhë dhe letërsi shqipe rrufeshëm ju bashkëngjitën demonstratave, bile-bile ata u bënë aq të shkathtë ku në çdo pjesë të qytetit organizonin dhe mblidhnin njerëz në përkrahje të demonstratës që tashmë veç kishte filluar. Pas këtij hovi demonstruesit bindshëm filluan marshimin drejt qendrës së qytetit. Kur policia vuri re organizimin tonë të fuqishëm dhe pasi e pa turmën e madhe, i zuri frika. Ata ndërmorën një ofensivë të egër. Fillimisht nisën të barrikadoheshin te posta dhe hidhnin bomba me gaz lotsjellës. Pasiqë një ngushticë ishte në favor të policisë, dhunshëm u detyruam të ndahemi në grupe dhe të shkonim në pjesë të tjera. Por pas barrikadës së policisë, demonstruesit e revoltuar bllokuan rrugën Mitrovicë-Prishtinë, e më pas një pjesë e demonstruesve i drejtohet fabrikës së ngjyrës “Ekstra”. Demonstratës iu bashkangjiten punëtorët e kësaj firme, më vonë edhe punëtorët e një firme tjetër të quatur “Polet”. Dua të theksoj mbi të gjitha, se në mesin e punëtorëve të firmës “Polet” ishte një vajzë trimëreshë e cila quhet Dinore Curri, që me trimërinë dhe guximin e saj, po edhe me oratorinë e zërin e zjarrtë, arriti që t’i fuste të gjithë punëtorët e organizatës së saj në demonstratë, pasi që edhe shumica ishin femra. Në këtë kohë Vushtrrinë rreth e përqark e mbuloi zëri i arsyes, zëri demonstruesve.´
Pyetja: Pasi mbaroi demonstrata në Vushtrri, ju si organizator, si i vlerësuat këto dhe a burgosën polcia njerëz?
I.Muzaqi:
T`ju them të drejtën demonstrata në Vushtrri ishte aq shumë e suksesshme saqë ashtu me atë gatishmëri, me atë vrull dhe madhështi nuk e kishim menduar se do të ndodhte. Gjatë demonstrimit pati për fat të keq edhe të 2 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur. Ishte edhe një befasi e madhe për policinë: demonstrimi ishte madhështor, meqë zyrtarët e asaj kohe madje nuk kishin pasur bindje se në Vushtrri do të ndodhnin demonstrata, pasiqë ishin forcat e mëdha policore. Por, megjithëkëtë bijtë dhe bijat e popullit heroik shqiptar edhe në Vushtri treguan gjallërinë e dhe madhështinë e qenies shqiptare. Për ne ishte një fitore e madhe, meqë bindëm masën e gjerë popullore të protestonte kundër dhunës së atëhershme të ish-Jugosllavisë. Ndërsa burgosjet ishin të pritura si në tërë Kosovën edhe në Vushtrri. Megjithatë, për mua ishte një befasi, takimi që pata me një polic të cilin e quajnë, Enver Skoshnja. Atë e njihja prej një kohe shumë të gjatë dhe ndër të tjera më tha: “Të keni kujdes! Ti je në shënjestër të policisë. Të jeni të sigurt se do t’ju arrestojnë”. Për mua mbi të gjitha kishte vlerë që demonstratat të organizoheshin mirë dhe të ishin të e suksesshme. Ne ishim të vetëdijshëm, se policia ndonjërin nga ne, do ta burgosnin, por kjo s`kishte rëndësi, sepse ne ishim të gatshëm të sakrifikoheshim. Për fat të keq, në atë botë të shthurur më nuk ishin vetëm uniformat e policisë dhe ushtrisë pushtuese që peshonin tepër rëndë mbi tokën dhe popullin shqiptar të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën ish Jugosllavinë e atëhershme, por edhe disa lugetër shqiptarë të zhytur në ndyrësinë tradhtisë si: pedagogu Sylejmon Magjuni, të cilët edhe i zunë frymën nënqiellit shqiptar. Ky njeri i shëmtuar me helmin e tradhtisë ishte njëri ndër më aktivistët për spiunim, njëri ndër bashkëpunëtorët e UDB-ës, të cilin e vura re në gjykatore. Ai kishte ardhur gjoja si dëshmitar në proceset e gjykimit për të paraqitur sa më shumë të “dhëna”, në fakt për të shpifur sa më shumë vetëm e vetëm që të na dënonin sa ma shumë në atë gjyq jugosllav. Këtë shëmtirë tradhtare e takova më vonë pas 10 viteve, i cili kishte qëndruar gjithnjë po në të njëjtin pozicion: besnik i UDB-ës, dhe mbrojtës i denjë i politikës serbe. Ai qe edhe në atë kohë gjoja si dëshmitar se kinse në Kosovë po bëhen skenarë të helmimeve të nxënësve nga nacionalistët shqiptarë etj. Helmime këto që në vërtetë policia sebe i bëri për të shuar jetërat e fëmijëve shqiptarë. Më vonë u dëshmua se ky lloj helmimi kishte ardhur nga Izraeli. Për fat të keq këtë tradhtar e kam parë edhe pas luftës heroike të UÇK-ës, dhe për çudi ai punonte përsëri si pedagog. Kjo mund të ndodhë vetëm në këtë lloj katrahure politike si në Kosovë.
Pyetje: I nderuri Ilmi juve ju arrestuan dhe a pati arrestime tjera?
I.Muzaqi:
Po, po, ka pasur arrestime të shumta. Mua me dhjetëra të tjerë si: J.Shytin, Nebih Sejdiun, Bajram Latifin, Nazmi Popovën, Beslim Bajramin, Bali Dervishin, Dinore Currin, dhe shumë e shumë të tjerë, na arrestuan.
Pyetja: Kur dhe ku ju arrestuan si dhe në cilin burg ju dërguan?
I.Muzaqi:
Më arrestuan në fshatin e lindjes me 8 prill 1981. Pastaj më dërguan në burgun e Qarkut të Mitrovicës, më vonë në Gospiq të Kroacisë. Në fakt këto qenë internime. Kështu internim pas internimi kalova edhe në Lepogllavë, Staragradisht, Gospiq. Në Lepogllavë më izoluan me një kroat i cili quhet Bagiq. Ai tani është ministër në Kroaci.
Pyetja: Ju të gjitha këto burgje i kaluat, po ç`mund të na thoni më tutje? Për hir të së vërtetës është e domosdoshme të dijë populli se ç`kanë përjetuar njerëzit e ndërgjegjes nëpër burgjet famëkeqe të ish-Jugosllavisë?
I.Muzaqi:
Për ne, shqiptarët, burgu tashmë ishte bërë një gjë normale, por ajo që na mundonte ishin shpifjet që bëheshin dhe burgosjet e të rinjve pa kurrfarë arsye, vetëm e vetëm për arsye të përkatësisë shqiptare. Ajo më e keqja ishte që na visheshin veprime të cilat nuk kishin ndodhur, e kjo bëhej qëllimisht për të na diskretituar në popull dhe për të gjetur elemente që të na dënonin me vite të tëra dhe të rënda që të vuanim sa më shumë në burgje . Ligjet i interpretonin siç donin. Është famëkeq neni i ashtuquajtur 114, në bazë të të cilit na denonin gjoja për kundërrevolucion. Qëllimet tona ishin të njohura në bazë të kërkesave që dolën në tërë Kosovën, dhe kjo nuk kishte të bënte asgjë me kundër- revolucionin. Për të qenë sa më realist duhet ta themi vërtetën e hidhur e tragjike, se nëpër këto burgje rinia shqiptare përjetoi tmerrin e paparë. Ndoshta vetëm në kohën e inkuizicionit, mund të ketë pasur një tmerr të tillë. Keqtrajtimet që bëheshin nëpër hetuesitë barbare jugosllave linin dëshmi edhe në muret e përgjakura të burgjeve. Më kujtohen hijet e rënda: udbashët e shëmtuar, kriminelë siç janë Burhan Prishtina, Mirosllav Milic nga Gojbula e shumë e shumë të tjerë, të cilët jo vetëm bënin krime, por paraqiteshin edhe si hije tmerri edhe në pikëpamje psikologjike. Për fat të keq këso hije të zeza ka pasur shumë, por numri i tyre më i madh në Kosovë ishte i përbërë nga shpirtshiturit shqiptarë. Njëri prej tyre që më ka ngelur në kujtesë më shumë njëfarë Ismet Gashi nga fshati Kryshefc i cili dhelpërisht i mbrojtur nga serbët, na qëllonte neve të arrestuarve me kondakë të pushkës, në kohën kur na çonin drejt burgut. Por këtyre krimeve nuk ju bashkangjiten gardianët e ndershëm, të cilët e kanë pasur shumë vështirë t’i shikonin të gjitha këto, sepse e ndienin me shpirt vuajtjen që përjetonim ne. Ata nuk mund të na ndihmonin gati asnjëherë, por ka pasur momente kur kanë gjetur mundësi të na ndihmonin.
Pyetja: Pasi përfundoi procesi i hetimeve ç`ndodhi me juve?
I.Muzaqi:
Mua më dënuan me 10 vite burg të rëndë. E poashtu edhe shokët e mi i denuan më, 26 apo 27 nëntor. Para transferimit diku në orët e mbrëmjes mësova nga dy gardianë se për ne po përgatitej një skenë e tmerrshme. Në tërë Kosovën kishin dalë ca afishe të “Komitetit të Maleve” dhe nga frika udbashët kishin organizuar të na çonin në një internim shumë sekret. Por meqë këta dy gardianë i njihja dhe këta kishin besim tek unë, më treguan se diçka e keqe do të ndodhte me neve. Lajmin e mora nga të dy veç e veç. Unë e kuptoja se diçka po ndodhte, por sidomos sipas Skender Koprivës po përgatitej një gjendje e mundshme për transferim. Të nesërmen në mëngjes herët, na nisën për të na transferuar. Fatmirësisht këta dy gardianë që i njihja na shoqëruan deri në burgun e Prishtinës. Skënder Kopriva nga eprorët e tij kishte marrë vërejtje kërcënuese, për arsye se nuk na i shtrëngoi prangat. Por ai ju është përgjigjur atyre: “- Unë e di mirë punën time, madje për këtë e kam edhe rregulloren.” Ajo gjendje, për të cilën më kishin paralajmëruar gardianët shqiptar, sapo kishte filluar në momentin, kur po na dorëzonin tek policët serbo-maqedono, kroato-malazezë, sllovenë e boshnjakë. Këto përbërje forcash policore shumënacionale paprejashtim ishin kriminale e njëkohësisht barbare. Në momentin kur na dorëzuan dy gardianët shqiptarë tek këto forca kriminale policore, vumë re fytyrat e Skënderit dhe shokut të tij gardian, se qenë zbehur dhe dukej qartë edhe një keqardhje e madhe tyre, meqë u detyruan të na linin në duart e xhelatëve. Dallimi në mes të këtyre gardianëve shqiptarë me punëtorët e sigurimit krahinor ishte i madh, sepse këta punëtorë të Sigurimit Krahinor dukeshin se i kanë fytyrat kriminale njëlloj siç i kishin edhe forcat policore shumënacionale jugosllave. Sigurisht me këshillat e këtyre punëtorëve të Sigurimit Krahinorë, policët kriminelë mua dhe shokët e shumtë, që na kishin arrestuar na trajtonin si skllevër, duke na lidhur me zinxhir e me pranga nga 3 – 4 apo edhe më shumë veta së bashku dhe duke na torturuar mizorisht.
VIJON…
(Intervistën e zhvilluan: Mustafë Krasniqi dhe Isuf Ismaili – 24. 03. 2009)

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura