ING.AHMET ÇOLLAKU: NAFTA JONË SHFRYTËZOHET NGA SPEKULATORË VENDAS DHE TË HUAJ!

Tiranë, 21 maj 2019: (Pleqëria më shënon më shumë rrudha në zemër se sa në fytyrë. – Michel de Montaigne)
Libri im, me titull: “Intervista”, ka si objekt naftën shqipatre. Intervistat janë rrëfime të specialistve, shokëve dhe kolegve tanë naftëtarë. Në këtë libër nuk ka lirizëm, poezi, dashuri. Këtu ekspozohet nafta dhe keq manazhimi i saj, nga persona mafiozë. Nafta është lënda energjitike më magjike dhe magjepse, krijuar nga vetë Zoti. Nëpër këto intervista janë ekspozuar vendburimet e naftës shqiptare, tashmë të zbuluar me kohë, dhe objektet e pa zbuluar akoma. Këto të fundit kanë rëndësi për kohën e ardhshme, se në mes është dilema: Kush do t’i gëzojë këto, ne shqiptarët apo të huajt, vikinxhët?

Kordinatat x, y të poligoneve perspektive vlejnë miliarda dollarë, se nafta është përtej energjisë. Nafta është Diell, Jetë. Të gjitha luftrat e kësaj bote bëhen me pretekste të ndryshme, për të gjetur modele të tjera, por të gjitha kanë një qëllim të vetëm, atë të grabitjes së naftës. Hitleri s’kishte për qëllim të zaptonte botën. Ai donte të zotronte naftën e Rusisë. Tani ka Hitlera të tjerë, që herë me tatuazhe, e herë të tjera me Çmime Nobel, anëtarë të disa Asociacioneve të huaja i bjen Shqipërisë kryq e tërrthor, për të grabitur naftën, dhe për të gjetur vendin më të mirë ku do të ngulen. Prandaj ky vend përditë po zbrazet. Zot më bëj të zgjuar, jo të pasur – thotë proverbi.

Qëllimi, që kam përmbledhur në këto intervista nafte në një libër të vetëm, nuk është të tregojë se gjoja unë di të shkruajë. Qëllimi im i shënjtë është tu tregojë shqiptarve kolapsin (shëmbjen) e naftës tonë, drejtuesit batakçinjë, armiqtë tanë. Armiqtë e naftës dhe të popullit tonë janë qeveritarët tanë, të lidhur ngushtë me të huajt. Tanët duan pushtet, kurse të huajt duan para dhe naftë. Për tanët shkojnë përshtat fjalët e Albert Camus, që thotë: “Një njeri pa etikë është një bishë e humbur në këtë botë.
Vini re! Të intervistuarit e mi janë të moshës së tretë. Të gjithë janë të plakur, me rrudha. Nuk kanë më neps, sado me ndonjë ves, ngelur që nga koha e fëminisë, si një copë dëbore diku në një strehë shtëpije, që s’e zë Dielli.
Veçoj kështu intervistat e Prof. Ramadan Perhatit, gjeologut Kadri Rama, Dhimitër Gjeneralit, specialistve të shpimit: Prof. Maksim Shulit dhe Fatmir Shehut… Të gjithë të intervistuarit janë specialistë të dhembshëm, se me deponimet e tyre mund të shkruhen dhjetra libra, apo të xhirohen dokumentarë serialë. Nafta jonë ka kaluar një metamorfozë të gjatë dhe të dhembshme. Si vetë shqiptarët.
Intervista e gjeologut Dhimitër Stefa është një kronikë në “Frontin e Monizmit”. E pata njohur për herë të parë në vitin 1960 në Bukuresht të Rumanisë. Për ne të porsa zbriturit atje, ai u bë epror. Ky epror nuk e ndyshoi veten edhe kur u ngul në punë në naftë. Po ja që një ditë na paska lind “armik”. Sado që e shkundën, mustaqet ai nuk i lëvizi, i mbajti po aty të shenjta, si në një muze, si dy pupla të lehta në fund të hundës. Ashtu edhe bindjet e tija. Ishte i sertë, po i qendrueshëm në llojin e vetë. Gjatë gjithë kohës në naftë duhet ta kem parë jo më shumë se dy-tre herë. Këtë intervistë ai ia ka dhënë një gazetari tjetër, ku akuzon sistemin monist, sikurse bënë edhe i shenjti Ramadan Perhati. Kanë pasur gjykim të thellë këta opozitarë të ndershëm të monizmit. Jo si ne të tjerët, që bëjmë humor dhe ndezim inate personale me emra fallco në “Armata e Naftëtarve”, apo në hapsirën e lirë në fund të ndonjë shkrimi gazete.
Edhe intervista e gjeologut Kadri Rama është e dhembshme, vetë protestë. E ç’iu deshë këtij të “krisuri” të formulonte dhe të nënshkruante “Letrën e Zezë”? Thonë se uthulla e fortë thyen enën e vetë, po ky u bë më shumë se uthull, sepse theu një sistem të tërë. Më mirë të jesh një i krisur sesa një mizë në bisht të kalit. Dialogjet në intervistën me gjeologun Kadri Rama janë të shpejta, si qitje arme. Ne shqiptarët jemi ekstermistë, herë falim gjithçka të dobët dhe herë pranojmë një mal me poshtërsi. “Letra e Zezë” nuk theu një xham dritareje, por një sistem. Ja, e rrëzuam monizmin, e ç’fituam? – arsyetojmë ne. Këto qeveri post moniste janë indiferente ndaj specialistve të naftës! Tani është fuqia e parasë. Gjeologu Kadri Rama i rrëfehet Zotit, pa lënë vend për ekuivoke. Gjithnjë qendron solid dhe i veçantë. Gjeologu Kadri Rama shtyu qindra vagona me mineral dhe urrejtje, por nuk lëvizi nga vetja e tij, mbajti të njëjtën peshë specifike. Gjeologu Dhimitër Gjenerali thotë se këtë intervistë e lexon çdo ditë.
Intervistat e gjeologëve Vangjel Kici dhe Telo Velaj skenojnë naftën shqiptare. Ndërkohë, të dy janë optimistë për perspektivën. I pari betohet për perspektivën e Shqipërisë Lindore, kurse tjetri për Dumren. Të dy kanë shkruar edhe libra, sikurse edhe Maksim Shuli, po kush i lexon librat e naftëtarve? Kryeministri ynë është pelivan. Ai kërcen si pleshti, herë këtu herë atje, dhe i di të gjitha gjërat. Pa u gëdhirë mirë, atë e gjeni ne Berlin, përkrah me Z. Merkel dhe Z.Makron, por jo përkrah heronjve tanë naftëtarë.
Intervistat e gjeologut Dhimitër Gjenerali janë elegjitë për hidrokarburet. Portreti tij, bashkë me intervistat, zenë një libër më vete, sepse ky është një gjeolog me shumë përvojë, një person shumë individual, ndyrshe nga gjithë të tjerët. Është shumë e vështirë të jesh individual! Kam shkruar një ese të gjatë për gjeologun Gjeneral, dhe ndër kohë me të kam bërë gjithë këto intevista. Të dyve na duket sikur akoma nuk kemi thënë gjë. Ky gjeneral i naftës shqiptare është një shtyllë e pa ciflosur e Akropolit gjeologjik. Intervistat e tij kompozohen në disa leksione. Egoizmi i tij nuk është vaj, që rrit kolesterolin, siç duan ta klasifikojnë disa.
Më thoni, cili më mirë se ai shpalos perspektivën e naftës shqiptare?
Ai jeton në një cep të kësaj Amerike të madhe, që po i tret mistershëm shqiptarët, bashkë me këta naftëtarë. Për këtë fond të madh nuk kujtohet asnjë qeveritar. Konkretisht Gjenerali i naftës shqiptare është vetëm në memorjen dhe regjistrin e Perëndisë. Pa dyshim, gjeologu Dhimitër Gjenerali, pa asnjë simbol partie apo qeverie, do të mbahet mend si përfaqsuesi më real i gjeologjisë shqiptare, gati si sekt fetar, ndërkohë Berisha dhe Rama do të harrohen shumë shpejt.
Intervistat e Prof. Maksim Shulit, janë akuzat më të forta dhe të guximshme kundër keq administrimit dhe drejtimit të naftës shqiptare. Këto intervista ngjajnë me një ekuacion algjebrik me disa të panjohura dhe të njohura… Me Maksim Shulin kemi bërë një intervistë shumë të gjatë, se kemi dhënë gjithë metamorfozën e naftës shqiptare të kohës pas moniste. Më kujtohen fjalët e drejtorit të gazetës “DITA”, i cili, pasi botoi në gazetë këtë intervistë, më shkroi: I dashur, më zure gjithë gazetën… Specialisti Maksim Shuli është njeri simpatik dhe kurrajoz, jo vetëm për mua, por për të gjithë shqiptarët. Maksi, ky Magellan shqiptar, i di të gjitha abuzimet, që janë bërë në naftë pas vitit 1990. Ai di të prishë gjithë magjitë e marrveshjeve koncesioniste shqiptare. Sipas tij, varfërinë shqiptarët do ta gjejnë në formulimin e kontratave koncesioniste me të huajt. Kontratat janë shprehjet konkrete të degjenerimit të gjithë qeverive tona, që mashtrojnë dhe gënjejnë përditë. Me naftën tonë qeveritë bëjnë lojën e tmerrshme të votimeve. Prof. Maksi i di të gjitha hilet. Ai u kundërvihet atyre në inervista me fakte dhe në librin e tij shumë domethënës: “Nafta dhe Politika”. Arma e tij e madhe është guximi. Në këtë libër ju do të lexoni intervistën e Prof. Alfred Frashërit, të titanikut shqiptar, që mbushi një sallë të tërë me studime. I ndjeshëm dhe shumë prodhimtar në botime dhe publikime, ai është një pikë referimi për qeveritë tona. Tani Muzeu i Frashëllinjve ka edhe një seksion tjetër, ka atë të gjeologjisë dhe pasurive kombëtare, me autor Prof. Alfred Frashërin. Kuçioti Ali Mema, specialist numër një në sizmikën shqiptare, fal këdo, sado mëkatar të ketë qënë. Ndërsa poligloti Petrit Mavrovi, sado në udhëkryq, nuk e humb toruan dhe ndjeshmërinë ndaj mëkateve të qeveritarëve. Të gjitha këto do t’i gjeni nëpër intervistat, që përmban ky libër.
Libri im “Intervista” nuk ka figura artistike, as gjetje atistike, s’ka rima dhe metrike, as meditime. Libri im është armë, energji atomike, paçka se tani për tani nafta është në dorë të qeveritarëve, të cilët, me politikat e tyre ultra reaksionare e detyrojnë popullin të braktisë vendin.
Sa saktë e ka profetizuar gazetarja dhe amazona angleze naftën shqiptare, kur shkruante: “Në Shqipëri tani kërkohet naftë, dhe nëse toka e bekuar nuk do të kundërshtojë ta japë, vëndin do ta gllabërojnë spekulatorët e huaj”. Po kjo Shqipëri e vogël ka spekulatorë vendas dhe të huaj, njëri më i keq se tjetri.
Libri im me intervista nuk është telenovelë turke. Libri im i bënë thirrje popullit shqiptar për protesta masive. Të pezullohen të gjitha marrëveshjet koncesioniste me të huajt, firmosur nga Berisha, Rama. Kurrësesi që këta të vijnë apo të qendrojnë në pushtet. Naftëtarve u takon ta administrojnë Shqipërinë.
…………………………
Në qytetin e Fierit jeton poeti i rraskapitur N.B., sa edhe vetë rrugët e mëshirojnë. Poet i ushqyer nëpër qeli burgjesh moniste, po nuk e ka humbur hirin delikat. Më takoi një pas dite në ato rrugë të qytetit, që ngjajnë si vena gjaku. Kuptova se donte të më thoshte diçka. Ca vargje nga krijimtaria e tij – çfarë tjetër, mendova. U afrua dhe, me një zë të dredhur, si t’i drejtohej dikujt përtej tha:
“Ku je Enver Hoxha!..
Ku është nafta jonë Shqiptare?..
Ku?”.
Kaq tha, dhe mori rrugën për në shtëpi të vetë, fshehur mirë mes pjergullave të rrushit, atje në lagjen “Liri Gero” të qytetit të Fierit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura